Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Një shuplakë e merituar për Brukselin
Publikuar më 29 qershor, 2016 në orën 01:34 ( ) Prof. Dr. Eshref Ymeri | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Rezultati i referendumit të 23 qershorit në Britaninë e Madhe ishte i pritshëm. Kjo për faktin se Londra me kohë i kishte shprehur rezervat e veta për rregullat që Brukseli kishte vendosur për anëtarët e Bashkimit Evropian, ca rregulla këto që prekin interesat kombëtare të çdo vendi-anëtar.

E mirë qe nisma fillestare për krijimin e Bashkimit Evropian të ditëve tona. Hapi i parë u hodh në vitin 1951, kur Belgjika, Franca, Gjermania, Holanda, Italia dhe Luksemburgu, nënshkruan traktatin për krijimin e bashkimit evropian të qymyrit dhe të çelikut (ECSC - Europian Coal and Steel Community), qëllimi i të cilit ishte bashkimi i resurseve evropiane për prodhimin e çelikut dhe të qymyrit dhe që hyri në fuqi më 1 korrik të vitit 1952.
Po këto gjashtë shtete nismëtare, me qëllim që të thellonin integrimin ekonomik mes tyre, në vitin 1957 themeluan Bashkësinë ekonomike evropiane (EEC, Tregun e Përbashkët - European Economic Community), si edhe Bashkësinë evropiane për energjinë atomike (Euroatom - European Atomic Energy Community).
Nënkuptohet vetvetiu që nga këto tri bashkësi evropiane, më i rëndësishmi ishte Bashkimi Ekonomik Evropian. Procesi i zhvillimit dhe i shndërrimit të këtyre bashkësive evropiane në formatin e Bashkimit Evropian të ditëve tona, u krye në dy mënyra, për mendimin tim, të gabuara:
Së pari, nëpërmjet transmetimit drejt Brukselit të kompetencave gjithnjë e më të shumta të qeverisjes në nivel kombëtar.
Së dyti, nëpërmjet shtimit të tepruar të numrit të anëtarëve të integrimit.
Mënyra e parë domosdo që, me kalimin e viteve, do të ngjallte pakënaqësi mes anëtarëve të veçantë të Bashkimit Evropian. Sepse reduktimi i kompetencave të qeverisjes në nivel kombëtar, do të prekte me siguri interesat kombëtare të çdo vendi-anëtar, siç edhe ndodhi në të vërtetë.
Mënyra e dytë, se si u veprua për pranimin e vendeve të tjera, të kujton atë fabulën e bretkosës që donte të trashej sa një ka, e cila u fry e u fry, derisa plasi.
Më 1 janar të vitit 1973, kësaj strukture evropiane iu shtuan tre anëtarë të rinj: Britania e Madhe, Danimarka dhe Irlanda. Nuk ke ç’u thua: vende me zhvillim ekonomik të përparuar dhe me demokraci të konsoliduar. Shpresohej se kjo nëntëshe evropiane do të jepte modelet më të mira të rritjes së standardit të jetesës jo vetëm për vendet joanëtare, por edhe për vendet e kontinenteve të tjera. Por, çuditërisht, tetë vjet më vonë dhe pikërisht më 1 janar të vitit 1981, brenda kësaj strukture pranohet një shtet paradoksal, si puna e Greqisë, e cila gjatë 20 vjetëve, pra, që prej vitit 1961, kishte qenë anëtar-shok i saj. Për ç’arsye Greqia duhej pranuar në këtë strukturë, përderia ajo ishte shumë larg zhvillimit ekonomik në nëntëshes evropiane? Se dihet që Greqia kishte një zhvillim ekonomik që mbështetej jo në prodhimin e brendshëm, por nga të ardhurat e turizmit dhe, para së gjithash, nga taksa e lartë që merrte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dy bazat e mëdhaja ushtarake, një taksë kjo që arrinte në nivelin e 2 miliardë e 100 milionë dollarëve në vit. Ishin pikërisht këto shuma kolosale parash që mbushnin buxhetin e shteti grek, i cili u jepte rroga dhe pensione të majme grekëve që e kalonin kohën me ahengje nëpër buzuqe, duke e mbajtur hundën përpjetë para fqinjve ballkanikë. Me siguri që mes nëntëshes evropiane, duhet të ketë qenë Gjermania ajo që ia ka lejuar vetes ta kishte Greqinë si përkëdhelaken e vet. Me sa duket, tradita e dashurisë përvëluese gjermane për Greqinë që nga koha e princit bavarez Otto (1815-1867), të cilin Gjermania e katapultoi si mbret të Greqisë në vitin 1832, post të cilin ai e mbajti për tridhjetë vjet rresht, deri në vitin 1862, kur u bë shfronësimi i tij, domosdo që e ka bërë punën e vet. Përkrahja që iu dha Greqisë nga Bashkimi Evropian, nën ndikimin e Gjermanisë, gjatë disa dhjetëvjeçarëve, pa pasur asnjë bazë të shëndoshë juridike, pranimi nga ana e Bashkimit Evropian për të vërteta i mashtrimeve, i hileve, i gënjeshtrave greke për gjendjen “e shëndoshë” të financave të saj, solli si pasojë situatën katastrofike ku është katandisur sot shteti grek, i cili noton në një borxh gjigant prej qindra miliardë dollarësh.
Përveç kësaj, si qe e mundur që Greqia të pranohej në radhët e nëntëshes, kur ajo ishte dhe vazhdon të jetë nën pushtetin e fesë, pushtet ky, të cilin Perëndimi evropian e ka braktisur që në mbarim të mesjetës? Për më tepër, cila qe arsyeja që nëntëshja ia lejoi vetes të merrte në gjirin e vet Greqinë, e cila nuk pranonte dhe vazhdon të mos pranojë edhe sot ekzistencën e minoriteteve brenda territorit të saj? Madje Bashkimi Evropian, në mënyrën më paradoksale, ka heshtur për faktin që Greqia nuk e ka firmosur Konventën për respektimin e minoriteteve. Pra, Bashkimi Evropian, ka lejuar të bashkëjetojë me një anëtar të tillë racist në radhët e veta, që nuk njeh normat më elementare të të drejtave të njeriut: njohjen e minoriteteve dhe të drejtën për të ushtrua gjuhën e tyre amtare. Le te flasim me gjuhën e fakteve:
“Kolë Boçari, profesor historie në Universitetin e Kuislandit në Australi, në vitin 1996 bëri një replikë me ministrin grek për çështjet evropiane, në gazetën britanike “The Europeans”, në të cilën u shpreh: “Mësova për deklaratën tuaj, z. Ministër, në të cilën ju pohuat se në Greqinë e sotme nuk ka minoritet. Ju ose e keni humbur lidhjen me realitetin, ose ju ka verbuar fare nacionalizmi… Në Greqi jo vetëm që ka minoritet, por atje ekziston një minoritet i madh, mbi 2 milionë banorë, që kanë pushtuar Peloponezin, Athinën, Thrakën, Livadhianë.., gjë të cilën Greqia e ka mohuar gjithmonë… Unë dhe familja ime jemi një nga viktimat e këtij represioni shekullor… Ju na ndaluat me forcë, që ne, arvanitasit, ta ushtronim meshën në gjuhën shqipe, të flisnim publikisht në gjuhën e nënës, madje na përgjonit që të mos flisnim lirisht edhe në shtëpi… Për këtë shkak, kemi ikur nga fshati i lindjes në Peloponez, për të gjetur lirinë këtu, në Australi…”” (Citohet sipas: Nuri Dragoj. “Grekët dhe shqiptarët. Realitete historike”. Shtëpia Botuese “Weso”, Tiranë 2009, f. 326).
Më 1 janar 1986 u pranuan Spanja dhe Portugalia, kurse nëntë vjet me vonë, më 1 janar 1995 - Austria, Finlanda dhe Suedia.
Nuk e kam informacionin e duhur se pse këto tri vendet e fundit kanë hyrë me kaq vonesë në Bashkimin Evropian. Ndoshta opinioni publik nuk ka qenë i përgatitur paraprakisht ose mund të kenë qenë edhe arsye të tjera që kanë ndikuar për anëtarësimin e tyre me vonesë. Por paradoksi duket sheshit për faktin që Greqia është anëtarësuar shumë vite përpara tyre, paçka se niveli i jetesës dhe standardet e demokracisë në Greqi kanë qenë dhe mbeten të pakrahasueshme me Austrinë, me Finlandën dhe me Suedinë. Ky është një lëshim i madh që Brukseli i ka bërë Greqisë, çka e ka kompromentuar keq në sytë e mbarë kombit shqiptar dhe mua, personalisht, si shqiptar, më ka detyruar që të mos kem respekt për Bashkimin Evropian.
Më 1 maj të vitit 2004, radhët e Bashkimit Evropian u shtuan menjëherë me 10 anëtarë, çka përbënte një shifër prej më shumë se 66% të anëtarëve ekzistues. Vendet që u pranuan ishin: Çekia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Qiprua, Sllovakia, Sllovenia. Nga këto, 8 vende kanë qenë anëtare të ish-kampit socialist, pra. vende të infektuara nga një ideologji vetëshkatërruese dhe me një sistem korrupsioni të padukshëm, por të përmasave gjigante, të kultivuar me shumë kujdes dhe mjaft të sofistikuar nga ana e oligarkëve komunistë me pushtet të përjetshëm.
Më 1 janar të vitit 2007 u pranuan edhe Bullgaria dhe Rumania dhe më 1 korrik 2013 ciklin e zgjerimit e mbylli Kroacia, që të tria ish-vende komuniste. Pra, nga 28 vende-anëtare, 11 vinin nga ish-blloku lindor, të cilat, siç u përmend edhe më lart, nuk mund të çliroheshin dot aq shpejt nga trashëgimia komuniste në qëndrimin ndaj ndërtimit të një shteti ligjor dhe të një demokracie funksionale. Në mars të vitit 2013 në Bullgari patën shpërthyer demonstara të fuqishme për shkak të korrupsionit qeveritar dhe të varfërisë, të cilat çuan në dorëheqjen e kryeministrit Bojko Borisov. Bullgaria vlerësohej si shteti më i varfër i Bashkimit Evropian. Në mars të vitit 2014 përfundoi në burg kryeministri kroat Sanader për vjedhje të fondeve publike. Një skandal korrupsioni me përmasa ndërkombëtare pati tronditur Rumaninë në tetor të vitit 2014. Në korrik të vitit 2015 u akuzua për korrupsion kryeministri Viktor Ponta.
Pse u nxitua Brukseli për t’i futur kaq shpejt në gjirin e vet vendet e ish-bllokut komunist dhe nuk priti kohë më të mira, derisa ato të zhvilloheshin ekonomikisht dhe t’i afroheshin nivelit të jetesës së vendeve më të zhvilluara të Perëndimit evropian?
Ndërkohë, Brukseli, me politika të gabuara në adresë të vendeve të tjera, pati ngjallur pakënaqësi jo vetëm brenda Perëndimit evropian, por edhe në vendet e ish-bllokut komunist. Në gusht të vitit 2012, kryeministri humgarez Viktor Orban, një politikan nacionalist-konservator ky, deklaroi në parlament:
“Liri do të thotë që ne të marrim vendimet për rregullat e jetës sonë. Ne vendosim çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo. Ne nuk kemi nevojë të na shtyjnë si gomarët. Ne duam që Hungaria të rrotullohet rreth interesave të veta. Ne nuk duam të kthehemi në koloni të Bashkimit Evropian”.
Pas pranimit të Hungarisë në Bashkimin Evropian, diku pata lexuar në shtyp ose në internet për një pakënaqësi të hungarezëve për qumështin që duhej të konsumonin. Sipas politikave të Brukselit, hungarezët nuk duhej të konsumonin qumështin që prodhojnë brenda vendit, por duhej të blinin qumështin “parmalat” që u vinte nga Italia. Pra, ja deri ku shkonte ndërhyrja e Brukselit me politikat e veta brenda shteteve anëtare: ato duhej t’u bindeshin politikave të Brukselit, paçka se këto ishin në dëm të interesave kombëtare të shteteve-anëtare. Puna pati arritur deri aty, saqë Brukseli kërkonte ta detyronte edhe Londrën se sa emigrantë duhej të pranonte çdo vit. Por Londra nuk ishte kafshatë që kapërdihej lehtë. Burokratët e Brukselit, për të cilët qytetarët e Bashkimit Evropian paguajnë taksa të dyfishta edhe për rrogat e deputetëve të parlamenteve të tyre, edhe për rrogat e majme të eurodeputetëve burokratë brukselianë, me sa duket, i patën bërë hesapet gabim. Prandaj edhe Brukseli, pas referendumit që u zhvillua në Angli më 23 qershor, e mori shuplakën që meriton. Por kjo nuk është gjë. Dardha e ka bishtin prapa. A ka garanci Brukseli se shembullin e Anglisë nuk do ta ndjekin edhe anëtarë të tjerë të Bashkimit Evropian? Holandezët dhe danezët, për nga konstitucioni shpirtëror, janë shumë afër me anglezët. Dalja e Anglisë nga Bashkimi Evropian i ngre së tepërmi aksionet e politikës së djathtë. Nuk dihet nëse Brukseli do të jetë në gjendje t’i thërrasë mendjes dhe të ndërtojë të tjera politika në raportet e veta me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që te jenë në interes të secilit vend-anëtar. Gjasat janë se nuk do të jetë në gjendje ta bëjë një gjë të tillë, çka mund të sjell si pasojë shpërbërjen e tij.
Dalja e Anglisë nga Bashikimi Evropian duhet ta vërë në mendime të thella Tiranën zyrtare. Kur kryeministri i një vendi me autoritet në Evropë, siç është Hungaria, ankohet se Brukseli kërkon ta trajtojë si koloni, merret me mend se si do ta trajtonte ai Shqipërinë në rast të një antarësimi të mundshëm: me siguri si një parcelë eksperimentale, në dëm të interesave tona kombëtare.

Kolumbus, Ohajo
24 qershor 2016

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 42 vizitorë
Lexuar: 347 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi