Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Një tregim emocionues i shkrimtarit Sotir Athanasiu
Publikuar më 19 korrik, 2016 në orën 02:09 ( ) Prof. Dr. Eshref Ymeri | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Me shkrimtarin tepër origjinal, zotërinë Sotir Athanasiu, jam njohur përmes faqes së internetit “Fjala e Lirë”, ku dikur pata botuar disa analiza të mia dhe në rubrikën “Komente” të faqes në fjalë, ai më pati përcjellë ca reagime të veta, të cilat, po në të njëjtën rubrikë, i pata vlerësuar dhe e pata falënderuar miqësisht për peshën e fjalës së tij.

Para pak ditësh, shkrimtarja dhe publicistja e shquar e botës intelektuale mbarëshqiptare, zonja Vilhelme Haxhiraj, më pati përcjellë tregimin e zotërisë Athanasiu me titull “Ujërat e çmendura ose maniake në detin Jon dhe “kompleksi Elektra””. E lexova me shumë kënaqësi dhe më pëlqeu tej mase.
Tregimi, si një formë e shkurtër epike e krijimtarisë letrare, me theksin në fjalët e pakta dhe në idetë e ngjeshura, e rrëmben lexuesin me unitetin artistik që autori ngërthen në përmbajtjen e tij. Dihet që tregimi i kushtohet pasqyrimit të një fati konkret, shtjellon një ngjarje të veçuar në jetën e njeriut dhe vërtitet rreth një episodi të caktuar. Pikërisht këtu ai dallon nga tregimi i gjatë ose nga novela, si një formë më e shpërfaqur e krijimtarisë dhe ku zakonisht përshkruhen disa episode. Por një gjë e tillë nuk ka të bëjë as me sasinë e faqeve dhe madje as me sasinë e ngjarjeve fabulore. Përkundrazi, këtu kemi të bëjmë me pikësynimin e autorit për t’i shtjelluar ngjarjet me fjalë të kursyera në maksimum.
Xhek Londoni (Jack London - 1876-1916) thotë:
“Tregimi është një tërësi e gjendjes shpirtërore, e situatës dhe e veprimit”.
Tregimi i Çehovit me titull “Joniçi”, për nga përmbajtja, afron madje jo me novelën, por me romanin.
Vëllimi i tregimit të shkrimtarit Athanasiu, përcakton edhe unitetin e tij artistik. Përshkrimi bëhet në vetën e tretë. Autori e shtrin rrëfimin në ngjarjet e lashtësisë antike, i ndërlidh këto me mesjetën dhe e lë lexuesin të përsiatë për domethënien e përfytyrimeve të tij artistike në ditët tona, për tingëllimin atual të përmbajtjes së tregimit.
Krijimtaria në botën e letrave, është e pamundur pa trillimin artistik, për të cilin dallohen edhe njerëzit e botës së shkencës, sepse shkencat e sakta nuk bëjnë dot pa fantazinë krijuese. Prandaj edhe shkrimtari Athanasiu, me talentin që e karakterizon, na e përcjell ndodhinë e tregimit përmes përsiatjeve të tij në prehrin e përfytyrimit artistik. Në artin e tregimit të tij nuk kopjohet, por rikrijohet jeta. Madje ai e pasqyron atë asisoj, që t’i ngjallë lexuesit emocione të fuqishme, duke e bërë të mos shkëputet dot për anjë çast nga rreshtat e tregimit. Mes figurës së heroinës kryesore të tregimit, Elektrës, dhe materies reale, konkrete, autori Athanasiu ndërton marrëdhënie të kundërtishme. Nga njëra anë, këto marrëdhënie përputhen me njëra-tjetrën, nga ana tjetër, ato ndryshojnë kryekëput. Dhe kjo është e kuptueshme, sepse në penën e tij, si shkrimtar me shije të hollë, figura e Elektrës është jo kopje e realitetit, por një fakt i ngritur në lartësitë e përfytyrimit artistik, që i ngjan më shumë vetvetes sesa jetës konkrete.
Në gojëdhënat për Elektrën ekzistojnë trajtime të ndryshme, para së gjithash, në tragjeditë e Eskilit, të Euripidit dhe të Senekës.
Termin “kompleksi i Elektrës”, të cilin autori e ka vendosur në qendër të qëndismës artistike të tregimit të tij, e ka sajuar për herë të parë Karl Gustav Jungu (Carl Gustav Jung - 1875-1961), psikiatër zviceran, themelues i njërës nga rrymat e psikologjisë analitike, pikëpamjet e të cilit për këtë çështje janë shtjelluar gjerësisht në librin e tij me titull “Teoria e psikanalizës”, të botuar në vitin 1913. Këtë term ai e pati propozuar për ta përdorur në përshkrimin e periudhës edipiane të vajzave të vogla të moshës 3-6 vjeçare, kur ato përjetojnë në qenien e tyre një simpati të veçantë ndaj babait, të shoqëruar me një qëndrim xhelozian ndaj nënës.
Njohja e duhur e mitit të Elektrës, e ndihmon lexuesin jo vetëm për t’i kuptuar më thellë përjetimet e veta, por edhe për të hedhur hapat e para drejt çlirimit nga magjia e fuqisë së tij. Në këndvështrimin tim, pikërisht ky është ndikimi fisnikërues i idesë së këtij tregimi mbi botën shpirtërore të lexuesit.
Shkrimtari dhe kritiku letrar francez Anatol Frans (Anatole France 1844-1924) thotë:
“… jo qeniet reale, por ato që janë fryt i fantazisë, ushtrojnë ndikimin më të thellë dhe më afatgjatë”.
Në themel të tregimit, autori ka vendosur babëzinë, mëkatin, pabesinë, vesin dhe diku matanë - virtytin drojturor, të përfaqësuar nga figura e atij oficerit madhor që vdes nga mikrobi i plasjes. Mëkati është një shmangie nga normat e jetës që kur ajo lindi mbi tokë. Çdokush e di se mund ta ndiejë veten mirë vetëm atëherë, kur temperatura e organizmit është normale. Por kur temperatura ngrihet ose ulet poshtë normës së caktuar, organizmi i njeriut ndien shqetësim, pikërisht si puna e ujërave të çmenduara ose maniake të detit Jon, të cilat, në përfytyrimin e autorit, turren vrulltas herë drejt veriut, herë drejt jugut, pa gjetur kurrë qetësi. E njëjta gjë ndodh në jetën shpirtërore të njerëzve. Mëkati është sëmundje që vjen e gërryen botën shpirtërore të njeriut dhe jo vetëm kaq. Ai shpërbën personalitetin e njeriut, çka nuk bie menjëherë në sy. Herëherë, kryerja e mëkatit shoqërohet me njëfarë euforie, kurse shfaqjet e mëkatit, siç janë veset, mëkatarit i përfytyrohen në vetëdijen e tij si diçka e virtytshme.
Në këtë çerek shekulli që shqiptarët kanë përjetuar pas zëvendësimit të sistemit komunist në mars të vitit 1992, mëkatet kanë lulëzuar në një mënyrë të pabesueshme dhe kultivuesit më të zellshëm të tyre kanë qenë dhe janë politikanët oligarkë, fajtorët kryesor të varfërimit të pjesës dërrmuese të popullit shqiptar.
Fjalët e mëposhtme të Franklin Ruzveltit (Franklin Roosevelt - 1882-1945), sigurisht që për politikanët oligarkë shqiptarë tingëllojnë paradoksale:
“Progresi ynë, - thotë Ruzvelti, - verifikohet jo me shtimin e bollëkut tek ata që tashmë zotërojnë shumë pasuri, por me aftësinë tonë nëse jemi në gjendje t’i sigurojmë në një mënyrë të mjaftueshme ata që kanë shumë pak pasuri”.
Pikërisht politikanët oligarkë janë varrmihësit më shembullorë të vlerave morale të njeriut në vendin tonë. Me babëzinë dhe makutërinë që i ka karakterizuar dhe që vazhdon t’i karakterizojë, ata kanë kultivuar me shumë kujdes praktika mëkatare në mjedisin shqiptar dhe madje e kanë infektuar kaq rëndë mbarë popullin, saqë jo pak njerëz, për shkak të varfërisë që i ka pllakosur, i kanë shndërruar në mercenarë fort të rëndomtë, saqë, gjatë zhvillimit të fushatave zgjedhore, janë katandisur ta shesin veten për një thes miell.
Kjo ndodh për arsye se mëkatari, i babëzituri nga natyra, nuk ndalet dhe nuk mendon kurrë për ta frenuar babëzinë e vet, së cilës Aristoteli (384-322 p.e.r.) ia ka çjerrë maskën paq në kohën e vet:
“Me kalimin e kohës, - nënvizon ai, - mirëqenia e krijuar me mashtrime, do të sjellë si pasojë të pashmangshme një të keqe të kulluar dhe rendin shtetëror do ta marrë më shumë në qafë babëzia e pasanikëve, sesa ajo e popullit të thjeshtë”.
Ky është një degradim fatal i klasës politike shqiptare, është një shëmtim skandaloz i realitetit shqiptar, është një tradhti e lartë e përmasave mitike që klasa politike u ka bërë interesave madhore të kombit shqiptar, është një turp i madh që ata e kanë skalitur me daltën e tyre kriminale në qiellin shqiptar, që po e sodit mbarë Evropa, e cila bindet edhe më shumë për “drejtësinë” e krimit të rëndë që kreu kundër trojeve tona etnike më 1878 dhe më 1913 dhe që rri e përsiat tani në heshtjen e vet:
“Megjithëse shqiptarëve ua katandisa trojet sa një “vathë delesh”, ata vazhdojnë të hahen me njëri-tjetrin. Vetvetiu merret me mend se çfarë do të ndodhte mes njëri-tjetrit, sikur të ishin të bashkuara të gjitha trojet e tyre etnike!”.
Prandaj simboli i ujërave të çmendura ose maniake, të cilat shkrimtari Sotir Athanasiu i ka vendosur mjeshtërisht në rolin e njërit nga personazhet e tregimit, ka dalë mjaft i qëlluar. Me zhvendosjen e tyre të pandalshme herë drejt veriut e herë drejt jugut, ato ujëra përfaqësojnë përhershmërinë e jetës plot shqetësime të popullit shqiptar, të cilën oligarkët e politikës kriminale, gjatë këtij çerek shekulli, ia kanë shndërruar në një skëterrë të vërtetë, saqë me dhjetra mijëra syresh janë detyruar të braktisin atdheun. Dhe në ditët e sotme, populli shqiptar rri e sodit se si “do ta kryejë” të ashtuquajturën reformë në drejtësi pikërisht kjo lukuni të babëziturish, të cilët sot po qeverisin vendin me një kryeministër, i cili, sipas mjeteve të informimit masiv brenda dhe jashtë vendit, rri si pulë e lagur dhe s’guxon të thotë një fjalë të vetme se në ç’mënyrë kanë dalë jashtë Shqipërisë 80 mijë dollarë, që na qenkan paguar për të vetmen arsye që ai, për shkak të kompleksit të inferioritetit që e mundon orë e çast, të dilte në një fotografi me presidentin Obama, me qëllim që shqiptarëve t’ua tundte para syve, si një “sukses të madh” të karrierës së vet politike. Vajmedet, o Shqipëri, për njeriun që kemi ulur në kolltuk në Kryeministri! Por ama të mos harrojmë që ta ulim përsëri në atë kolltuk edhe në zgjedhjet e ardhshme!
Në mbyllje, dëshiroj ta uroj shkrimtarin e talentuar Sotir Athanasiu për kënaqësinë estetike që përjetova kur lexova këtë tregim mjaft emocionues, të shkruar me një shqipe fjalartë, ku rrëfimi dhe dialogu elegant ndërkëmbehen aq mjeshtërisht në penën e tij.

Kolumbus, Ohajo
18 korrik 2016

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 29 vizitorë
Lexuar: 402 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi