Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
INTEGRIMI I KOSOVËS ME MALIN E ZI DUHET TË KALOJNË VETËM NË RRUGËN DEÇAN-PLAVË
Publikuar më 05 shtator, 2016 në orën 12:58 ( ) Të ndryshme |
Rrit madhësinë e shkronjave
1.
Ruejna Zot, po a kini ndie çka po fjalnojnë (fallnojnë) disa zyrtarë të BE-së në Prishtinë e deri në Bruksel, se qysh po kakarisin disa “kokë-pulatikana” të Kosovës: Rruga e integrimit për në Europë kalon nga Mali i Zi (!) Turp e faqja e zezë!
Kjo, sipas këtij kushti poshtalak: u dashka ratifikue Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, se atëherit Kosovës i vjen Lëvizja e Lirë “Shengen”, e pret Integrimi Euro-atlantik, etj. Ç’ka asht gjithë kjo “dashuri me kushte” e Europës ?! Qysh po luen kështu, kaq skutnisht e skuthnisht me parimet e vlerat e veta, kjo, Europa e Bashkuar?!

Europa plakë dhe e re prapë po na kërkon t’iu japim fqinjëve tanë sllavë toka etnike shqiptare. Jo pak, por 82 km2, nja 40 herë ma shumë se Principata e Monakos. Kosova nuk është “monedhë tregu”! Krejt Europa kontinetale, përveç shtetit ishullor të Islandës, ka probleme etnike me toka e kufinj, por askujt e asnjiherë, përveçse Kosovës, BE nuk i ka parashtruar kërkesa të tilla kushtëzuese.

2.
Kosova, dikur, rreth nji gjysëm shekulli ma herët, në Planin afatmesëm të zhvillimit ekonomik të saj në vitet 1971-1975 ka pasë planifikue të ndërtohen tri auto-rrugë nacionale për ta lidhë atë me republikat fqinjë: Rruga Deçan-Plavë me Malin e Zi, rruga Prizren-Tetovë me Maqedoninë, rruga Gjilan-Preshevë me Serbinë Jugore. Vetëm rruga Deçan-Plavë nuk u ndërtue asokohe dhe as deri më sot, në shek. XXI. Atë e pengonte Tito me administraten e tij të lartë, etj., tuj arsyetue politikisht: “nuk do të ndërtojmë rrugë me u lidh me Shqipërinë”, sepse kjo rruga Deçan-Plavë do të kalonte në afri, përskej, kufinit Shqipëri Londineze- Kosovë (Ish Jugosllavi).
Kjo që thoshte Tito atëherit ishte vet platforma shovene ideo-politike e diplomatike e Pansllavizmit, e Ortodoksizmit Sllav, prej nga Uralet në Beograd, në Çetinë (kryeqyteti i Fronit i Malit të Zi), në Shkup e në Prishtinë. Kjo e ka vonue tepër gjatë hapjen e Rrugës së sotme Deçan-Plavë, e cila mund të fillonte edhe në vitet ’90, pasi projekti i saj ishte krejt i gatshëm. Kjo platformë sllave po e pengon dhe sot hapjen e Rrugës nga Plava deri në vijën e kufinit me Kosovën.

3.
Në vitin 2007 pati një interesim të lartë, të drejtpërdrejtë, të shumanshëm, të pandalshëm, për hapjen e Rrugës Deçan-Plavë. Si nga Kosova. Si nga Shqipëria. Si nga vet Deçani dhe nga Plavë-Gucia me diasporat e tyre të fuqishme. Ishte një start i ri, një stad i ri, një standard i ri.
Në historikun e ri të kësaj rruge ndërkombëtare që lidh direkt Kosovën me Malin e Zi (si dhe me Shqipërinë nga Vermoshi, Çeremi e Bjeshkët e Bekuara - Nemuna), janë shkrue fjalë të mira për përpjekjet e kontributet e Sali Berishës - ish kryeministër i Shqipërisë (2005-2013), të Hashim Thaçit - ish kryeministër i Kosovës (2008-2014), të gjeneral Ramush Haradinajt - ish kryeministër i Kosovës, kryetar i AAK, të Rasim Selmanajt - ish deputet i Parlamentit të Kosovës, kryetar i komunës së Deçanit prej nga viti 2010, të Orhan Shahmanoviq – kryetar aktual i komunës së Plavës, prej origjinës derë e shquar shqiptare e tashma i kthyem në boshnjak, etj.
Sot, çështja shtrohet: - Kush e pengonte hapjen e Rrugës ndërkombëtare Deçan-Plavë? Kush nuk po ia mundëson përfundimin e saj plotor brenda vitit 2016 apo 2017-të ?!
Dihet. Ka vetëm nji shkaktar e përgjegjës të përhershëm: Boshti Pansllav në Europë dhe Ortodoksizmi Sllav në Moskë, Beograd, Çetinë (Mali i Zi), Kosovë, etj. Sigurisht, pengonte dhe Popi Sava Janjiq i Manastirit të Deçanit, i cili kishte ndërhyrë tek ambasada të huaja në Prishtinë, në institucione të Bashkimit Europian në Kosovë, etj. Këtë fakt e dinë fort mirë edhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ish ministri i Jashtëm i Sllovenisë. Për disa vite kjo çështje madhore mbeti stopuese me atë shprehjen e përseritur keq e shpesh : “Nuk po lejojnë Ndërkombëtarët” (!).
Manastiri i Deçanit është i njohur në histori për gjithato qëndrime kundërshqiptare. Mark Milani, antar i Senatit të Malit të Zi, vojvodë i Kuçit, një nga ushtarakët malazezë të Luftës së Nokshiqit, e ka pasë ngritë një celulë spiunazhi në Manastirin e Deçanit për të ndjekë me gjurmime e skedime veprimtarinë kombëtare shqiptare në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Manastiri i Deçanit është i privilegjuar nga Ndërkombëtarët e tipit diplomatik Petersen (ish Përfaqësuesi i BE në Prishtinë), nga shtetarë të Kosovës të niveleve të larta. Gjykata Kushtetuese e Kosovës me vendimin e fundit ia shtoi sipërfaqen Manastirit të Deçanit dhe me 23 ha toka publike komunare të Deçanit. Në koft se nji ditë populli i Kosovës do ta dijnë saktësisht të vërtetën e hidhur se sa km2 sipërfaqe i merr tokës së Kosovës ky Manastiri i Deçanit dhe të tjerë të ngjashme me të, atëherit kishte me u çue në kamb’ protestueshëm për me i nxjerrë nga zyrat e shtetit me gurë e shkopinj gjithata shqiptar zyrtarë të lartë të Kosovës që kanë gisht në këso punësh të liga.

4.
Para disa vitesh u mblodhën në nji takim të përbashkët për Rrugën Deçan - Plavë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ambasadori amerikan Kristofer Dell (nisiator i takimit e përkrahës i flaktë i kësaj rruge), Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, kryekomunari i Deçanit, Rasim Selmanaj.
Aty, në atë takim, Popi Sava i Manastirit të Deçanit, kur e pa se të gjithë ishin për hapjen e kësaj rruge ndërkombëtare nga Deçani në Plavë, ai nuk foli as për mirë e as për keq, qëndroi neutral, iku i heshtur. Po ai nuk ishte aq paqësor apo mirësor. Jo.
Ai, Sava i Manastirit të Deçanit, ishte me Boshtin Sllav, me Boshtin e së Keqes. Ai ishte dhe mbetet kundër Rrugës Deçan-Plavë. Këtë e tregon dhe fakti se rruga u detyrue me e anash kalue Manastirin e Deçanit. Me ndryshue projektin e kahershëm. Me krye projekt të ri e punime shtesë. Me pasë kosto ma të lartë. Me ia shtue kilometrat kësaj autorruge ndërkombëtare.

5.
Rruga ndërkombëtare Deçan-Plavë filloi në vitin 2014 dhe është krye loti i parë i saj. Projekti i saj mendohet me u krye deri nga viti 2020, në rreth pesë vite. Ajo, deri në kufi me Plavën kap 33 km, ndërsa deri në Plavë shkon në 40 km. Aktualisht kjo rrugë ndërkombëtare po hapet me fonde të pamjaftueshme të Qeverisë së Kosovës e të komunës së Deçanit, të planifikuara në katër apo pesë vite deri në përfundimin e saj. Kjo nismë, kjo punë, duhet përshendet, po rruga nuk duhet “lanë në rrugë”, por të shkojnë nga Deçani në Plavë, si ma e mira “Rrugë e Alpeve.
Rruga Deçan-Plavë të çon shpejt në dy qytetet etnike shqiptare Plavë e Guci e prejandeja, nëpër Vermosh e shkon deri në Shkodër dhe në Podgoricë e në Ulqin. Dikur, dr. Ibrahim Rugova thoshte për Rrugën e Kombit se është aq afër sa “për nji kafe në Tiranë”, ndërsa për Rrugën Deçan-Plavë thuhet se është aq afër sa “për nji kafe në Ulqin”.
Sikur Rruga e Kombit për Kosovën, sikur Korridori VIII nga Porti i Durrësit drejt Shkupit në Maqedoni, është dhe kjo Rruga Deçan-Plavë për Rrafshin e Dukagjinit dhe Veriun e Malit të Zi.
Kjo rrugë është zhvillim i gjithanshëm, qytetërim bashkëkohor, mos asimilim i mëtejshëm i shqiptarëve, mos shpërngulje e tyre nga trojet e veta etnike në Veriun shtetit të Malit të Zi. Njëherash, i sjell zhvillim të madh e të shumanshëm dhe Deçanit e Rrafshit të Dukagjinit të Kosovës. E, bash këto janë arsyenat reale gjeostrategjike që këtë rrugë e lufton Mali i Zi, Serbia, Kisha Ortodokse Serbe, etj. dhe po e pengon, anashkalon, po na e vonon vet Bashkimi Europian.

6.
Shteti i Malit të Zi e ka lëshue ndonji fjalë, nga ato të zakonshmet të tyne, të shtetit të tyne: “Rruga Deçan-Plavë është në projektet tona deri në vitin 2020”, “Do të flasim me Bashkimin Europian për fonde”, “Do ta shqyrtojmë hapjen e Rrugës pas Ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit”, e të tjera të tilla si këto.
Fakti se në anën e shtetit të Malit të Zi nuk po hapet kjo rrugë ndërkombëtare deri në kufi me Kosovën tregon se nga pala malazeze nuk ka gadishmëri të mirë e fshihen qëllime të liga të saj.
As Kosova, as Shqipëria, asnjana nga shtetet shqiptare në Ballkan nuk i ka vnue kushte Malit të Zi për hapjen e Rrugës Deçan-Plavë, ndërsa Shqipëria e Kosova po ua plotësojnë të gjitha kërkesat që ua ban’ shteti i Malit të Zi (!) Hashim Thaçi para dy vitesh, bash në ditën e zgjedhjeve të komunës shqiptare të Ulqinit, në një të dielë uikendi në Prishtinë, më 26 janar 2014, iu premton Gjukanoviçit e Vujanoviçit të Malit të Zi se Kosova ka me e njoft “komunitetin malazez”, “ka me e caktue Ditë Festën e tyne”, duke ndërhyrë dhe në Kushtetutën e re të Kosovës dardane e euro-atlantike. Po qysh Thaçi nuk ia vuni kusht Malit të Zi të pakten ndërtimin e Rrugës Deçan-Plavë?!
Në koft se faktori Shqiptar dhe ai Ndërkombëtar nuk do të merren me Rrugën Deçan-Plavë, atëherë shteti i Malit të Zi nuk ka me ba kurrgja. Veç ashtu si përherë, tash nji gjysëm shekulli; fjalë dhe vetëm fjalë, shovinizëm dhe vetëm shovinizëm.

7.
Mali i Zi nuk don të ketë lidhje me korridore rrugore të komunikimit e të zhvillimit të Shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë me Shqiptarët e komunave të Plavës e të Gucisë, etj.
Kjo duket dhe tek fakti se ende nga Mali i Zi nuk po ngrihet pika kufitare (e deri doganore) në Qafën e Previsë në Plavë (!) Pavarësisht se para disa vitesh është nënshkrue një Marrëveshje e përbashkët nga kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviç dhe nga kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha. Pavarësisht se në komunën e Plavës janë hap 12 km e rrugës deri në Qafë të Vranicës dhe në Bashkinë e Tropojës janë hap 14 km rrugë me 6 m. gjerësi të saj nga Çeremi në Dragobi.
Kjo rrugë tjetër ndërkombëtare (ndonëse e paasfaltuar, etj.) e lidh krahinën e Plavë-Gucisë me Tropojën, e përgjatë brigjeve të Drinit me Hasin e Pukën, me Malësinë e Madhe, Shkodrën e Lezhën, apo si i thonë fjalës: nga Plava e pinë kafen në Portin e Shëngjinit e anasjelltas. Në një të afërme të shpejtë kjo rrugë nga Plava do të jetë e lidhun dhe me Auto-rrugën e re dhe me Hekurudhën e pritshme Bregut të Drinit.

8.
Bashkimi Europian, si e cekëm ma nelt, po flet shumë e shpesh për Ratifikimin e Marrëveshjes të Demarkacionit me Malin e Zi si kusht për Integrimin Euro-Atlantik, etj.
Nga ana tjetër, BE nuk ka asnji nismë politike e financimi për lidhjen e Kosovës me Malin e Zi me Rrugën Ndërkombëtare Deçan-Plavë.
Bashkimi Europian, përplot një vit ma parë, në Samitin e Vjenës, financoi tri projekte të Malit të Zi për ta lidh me “Autostradë të Kaltër” deri në Igumenicë të Greqisë, për ta lidh me hekurudhë dhe me autostradë nga Tivari në Beograd, po asnji fond për lidhjen rrugore me Kosovën (!)
Bashkimi Europian në Samitin e Vjenës (gusht 2015) dha fonde për tri projekte të Kosovës: Autostrada nga Nishi i Serbisë për në Prishtinë. Hekurudha nga Kraljevo (Serbi)–Prishtinë–Gorçe Petrov (Maqedoni). Autostrada Prishtinë - kufiri Kosovë/Maqedoni.
Pra, BE nuk ka dhanë asnjë Euro për Rrugën Deçan-Plavë, që e lidh Kosovën me Malin e Zi.
BE, me ose pa dashje, edhe në këto dy vitet e fundit, sidomos me fondet e dhanuna për korridore rrugore e hekurudhore, po e ravijëzon e konturon “Bllokun, Boshtin” e vjetër Sllavo-Ortodoks në nji pjesë të trupit të vet gjeo-politik euro-lindor, veçmas në Kosovën dardane?! Kjo po ndodh dhe me nji fare dobësimi të “Boshtit Anglo-Sakson” pas largimit nga BE të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, dhe të nji forcimi e rivalizimi të Boshtit Franko-Gjerman, të gjallërimit ofensiv të Boshtit Sllavo-Ortodoks, të synimeve të vjetra e të reja ndaj Ballkanit, etj. Shkak e pasojë e këtij “Boshti-Blloku” Sllavo-Ortodoks janë dhe problematikat me Demarkacionin me Malin e Zi sot, si dhe Demarkacioni me Serbinë nesër (!)
Europë e Bashkuar, aspak mos të duket tepri kjo kërkesë panshqiptare, ky apel i yni, për Rrugën ndërkombëtare Deçan-Plavë, sepse tashti jemi në “Epokën e Korridoreve Rrugore dhe Hekurudhore të Europës”, pasi jemi në kohën e integrimeve euro-atlantike, pasi jemi në shek. XXI.
Europë e Bashkuar, nëse Integrimi i Kosovës, sipas disa “asish e kësish” në Prishtinë apo në Bruksel kaloka rrugës nëpër Malin e Zi, atëherit po të them(i) se ka vetëm një rrugë kalimi e, kjo, asht’ vetëm Rruga Ndërkombëtare Deçan-Plavë.

Ramiz LUSHAJ

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 28 vizitorë
Lexuar: 350 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Duam Përgjegjësi
E mart, 23 mars 2021 - 21:08
Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le...
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ...
E diel, 21 mars 2021 - 15:45
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit Poliklinika 3L, hist...
NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q...
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04
JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA...
NJË FOTO-KUJTIM ME SHOKËT E MI TË IDEALIT ...
E premt, 12 mars 2021 - 23:55
Mërgimi është një plagë e rëndë, e hidhur, tepër e përmallueshme! Mërgimtari ka mall të pashlyer për vendlindjen, për tokën, ku u lind e u rr...
NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE...
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01
Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda! Profesorin e nderuar, pata fatin që t...
më shumë nga - Të ndryshme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi