Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
NË GJURMËT E AT SHTJEFËN GJEÇOVIT
Publikuar më 17 shtator, 2016 në orën 04:35 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
( Meditim për Mësuesin e Popullit, At Gjeçovin)
Personaliteti shumë dimensional i At Gjeçovit shpaloset qartë edhe sikur të merret vetëm me veprimtarinë e, Tij në Gomsiqe të Vaudejsit, ku unë do të përqendrohem, ndonëse Ai e ka ushtruar punën e mësuesit të gjuhës shqipe dhe të studiuesit me dëshirën e tij në rreth 21 fshatra, kur ka shërbyer si frat. Po e theksoi "Gomsiqe e Vaudejsit", sepse disa e ngatërrojnë me Gomsiqen e Pukës. Zona për të cilën po tregoj, tashti është nën Liqenin e Hidrocentralit të Vaut të Dejës, në masën 90%. Një pjesë e madhe e këtyre banorëve, tashmë janë të shpërngulur në Fushën e Velipojës , në “Gomsiqen e Re”., në Laç të Vaudejësit, apo në Hajmel etj..

Në Historinë e Arsimit dhe të Shkollës Shqipe, At Gjeçovi, Mësues i Popullit, është trajtuar si një nga veprimtarët më të shquar për ndihmesën e veçantë, që ka dhënë për hapjen e shkollave në Gjuhen Shqipe, kudo ku shërbeu, krahas detyrës fetare. Por, njihet dhe vlerësohet edhe si hulumtues në veprimtari studimore për të njohur e studiuar traditën shqiptare, veçanërisht në trashëgiminë kulturore, në studimin e të drejtës zakonore, apo etnografike, arkeologjike, gjuhësore, duke qenë njëkohësisht edhe krijues në prozë e në poezi, përkthyes, publicist. Gjeçovi u bë objekt studimi nga studiuesit tanë, por tërhoqi vëmendjen edhe të huajve, duke u përkthyer nga të tjerët në gjuhen italiane, gjermane, angleze, serbe, në maqedonisht, japonisht, etj, Është nderuar me titullin doktor honoris kauza ne Universitetin Gjerman të Laipsingut, etj.
Po në Gomsiqe të Vaudejsit? Përse u ndala pikërisht këtu? Famullia ku kishte kryer dekada më parë detyrën fetare Gjergj Fishta, më pas Shtjefen Gjeçovi, përfshinte fshatrat Gomsiqe, Lisnen, Vjerdhen, dhe lagjen "Mjekaj" të Mellojes, që kishin banorët me besim katolik, kurse Mlloja ne lagjet tjera i kishte banorët e besimit mysliman dhe shkonin shumë mirë, jo vetëm me të lagjes “Mjekaj”, por edhe me të Karmes, Vjerdhes e Gomsiqes, që i kishin komshinj, më të cilët nuk kishin pasur asnjëherë konflikte mes tyre., përkundrazi ndiqnin për mirë, a në raste nevoje njëri tjetrin.
Për nevoja të ngutshme të shtrirjes së arsimit fillor të detyruar, duheshin mësues,"uri " që vazhdoi deri nga viti 1956, madje edhe nga viti 1960. Prandaj u ngritën kurse dymujore e gjashtë mujore të përgatitjes së mësuesve, që kërkoheshin nga të gjithë krahinat.. Në konsultime me shkollat ,seksioni i arsimit, në Shkodër mori djem e vajza ,për t'i përgatitë mësues përmes kurseve. Një nga ato, me propozim të mësuesit kujdestar Jak Luka, që na zhvillonte në mënyrë të shkëlqyer gjuhen dhe letërsinë,,, duke e pasur edhe mësues kujdestar, si dhe të mësuesit Hilmi Duli, që zhvillonte gjeografinë, mjeshtërisht, isha caktuar të ndiqja këtë kurs pedagogjik. Kur i thashë nënës sime, se mësuesi na tha të merrnim edhe mendimin e prindërve, që me të mbaruar shkollën të na dërgonin në një kurs pedagogjik, m’u përgjigj:” Hajt more ma, ju kalamaj rrugësh, po ju bëjnë mësues ?! Dhe kursin e vazhduam, ku kishin ardhur nga rrethet e Veriut rreth 1300 kursantë. Nga këto, Shkodra, në mes të tjerëve i mbajti edhe 13 vetë, të zgjedhur, duke na emëruar në zona të thella malore, që zhvillonin mësimet nga 1 marsi e deri me 30 nëntor (kështu zhvillohej atëherë mësimi në zonat malore) me idenë që paraprakisht, që nga 1 shtatori, të punonim 6 muaj në qytet, si praktikantë me të drejte page, në klasë paralele, por të zhvillonim mësim pasditeve, pranë mësuesve më të mirë të qytetit , me kusht që ne do të ndiqnim mësimet në klasat e paradites, si vëzhgues dhe të njëjtat mësime t’i zhvillonim pasditeve, në klasa paralele.. Ideja ishte të na dërgonin pastaj mësues dhe drejtues të rretheve metodike, në zona të thella malore, që atëherë mblidheshin çdo dy javë nëpër zona. Kur kreva edhe këtë praktikë, ne organikat e fshatit, na shpërndanë nëpër zona të thella malore.. Në vitet pasardhëse, tre muajt e dimrit i kishim pushim dhe disa nga ne u regjistruam në Shkollën Pedagogjike të qytetit, duke marre leksione intensive të shtunave e të dielave. Unë me një shok, dilnim në bibliotekën e qytetit çdo ditë në ora 8 deri në ora 12, dhe pasdite, në ora 16 deri në ora 20, siç ishte orari i bibliotekës , për tre muajt e pushimit dimëror dhe, kohen tjetër e ndiqnim studimin nga larg.
Mua më dërguan mësues në Gomsiqe, dy orë larg Vaudejsit. Duhej kaluar lumi i Gomsiqes në këmbë, sepse nuk kishte urë,. Në këtë kohë isha vetëm 14 vjeç e gjysmë, dhe, dilja për herë të parë nga shtëpia, duke bërë rrugën në këmbë, atë rrugë që Konica e përshkruan “ 8 orë me kuaj, bashkë me Fishtën, kur do t'i bënim një vizitë Gjeçovit, Frat në Gomsiqe,”, Por, para katër dekadash nga koha ime, Punova disa vite në Gomsiqe, në Vjerdhë dhe dy vite në Mnele, fshat afër Vigut.
Banorët e Gomsiqes ishin njëqind për qind mirditorë, në të gjitha pikëpamjet. Administrativisht këto fshatra shkonin me Shkodrën. Shkolla ishte vendosur në ish qelën e priftit ( shtëpi) dhe ngjitur me te ishte kisha. Lumin malor, të vrullshëm, sidomos në vjeshtë dhe në mars prill, e kalonim me vështirësi, duke u zbathur, edhe pse i ftohtë, dhe i rrezikshëm.. Një grua ishte mbytur në kalim e sipër, ndërsa një infermier qytetar, ishte mbytur një vit më parë. Ndonjë, ne shume të rrallë, e kalonte edhe me kalë, por ne mësuesit asnjëherë nuk e kishim atë mundësi. Ne shkonim në shkurt, regjistronim nxënësit, dhe ktheheshim në fund të shkurtit për të filluar mësimet me 1 Mars. Pra bëheshim gati dhe me sigurimin e librave e fletoreve për nxënësit, për mësimet që fillonin së afërmi.
Pamja e shkollës (ish Qela), e bukur, ndërtesë dy kate, me dritare të mëdha, e veçantë nga ndërtesat e tjera, me oborr, dhe një copë tokë djathtas për ta mbjell me perimet e zonës, kryesisht qepë, fasule, lakra...
Unë kam fjetur dy vite në dhomën ku kishte banuar Gjeçovi, para shumë vitesh, dhe punoja në një tavolinë që kishte sjellë Ai. Pas dy vitesh, me transferuan në Vjerdhe, banorët e të cilit fshat nuk ishin mirditorë, madje thuhej se ato kishin banuar në Gomsiqe dhe ua kishin shitur tokat banorëve gomsiqas që paskëshin ardhur para 200 vitesh nga Gojani, fillimisht 35-40 shtëpi. Në Vjerdhe vinin edhe nxënësit e fshatit Lisen, që banonin kryesisht në një kodër në mes Gomsiqes dhe Vjerdhes. Këto tre fshatra përfshiheshin në famullinë ku kishte shërbyer At Gjecovi.. Punova edhe dy vite të tjera në fshatin Mnele, me popullsi krejtësisht mirditore. Madje, atje kisha në ngarkim edhe shkollat e Kalivacit, Kashnjetit, Ungrejt, Rras i Butë., që na bashkoheshin me Vigun, Dushin e deri në Karme.
Kisha dëgjuar shumë për Gjeçovin, nga banorë të vjetër të atyre anëve, sidomos në Gomsiqe, por edhe në Vjerdhë e në Lisen. Një fshatar trup madh, nga Lisna, me emër Pal Lisna, ishe disi i veçantë nga banoret jo vetëm të Lisnes, por edhe të zonës. Ai fliste edhe gjermanisht, shkruante bukur në gjuhen shqipe dhe ishte mjeshtër në riparime vozgash për të gjithë zonën. Këto vozga të mëdha fshatarët i përdornin për bërsitë e mareve, të rrushit, për raki, por edhe për turshitë, aq të përdorura në dimër sidomos. Pali bënte shumë biseda, për mua mjaft interesante, në ato ditë, pas ditëve, kur punonte në shtëpinë e një fshatari, Ndoc Gega, familje mike e imja/ Me tej nuk dija për te, por kisha dëshirë me bisedua gjatë ditëve që e kishte marr Ndoci, sepse aty afër banoja edhe unë. Pali kishte qenë nxënës i Shtjefën Gjeçovit, fratit të Gomsiqes, sepse Lisna ishte në mes Gomsiqes e Lisnes,
Kur punoja mësues në Vjerdhe, në vitin e dytë të punës në atë fshat, mësoj që në fshatin Mlloje, një orë e gjysmë përtej, nuk kishte shkollë dhe fëmijët e moshës shkollore ishin analfabete. Shkova një të diele, ditë pushimi, për ta parë në vend këtë të vërtetë të çuditshme, të hidhur, në atë kohë që arsimi fillor ishte shtrirë në çdo skaj të vendit
.Udhëtova bregut të Drinit, anës së malit në "rrugë dhishë", siç i quanin vendasit,. Asnjë rrugëtar nuk takoje në tërë atë rrugë. .Në mes të rrugës, në udhëkryq, majë një kodre malore, shoh një grumbull trojesh, një ish qytezë malore, Ishte "Shurdhahu" historik Kjo qendër mesjetare ishte në mes të udhës Vjerdhe- Mlloje . .Lumi Drin e ndante me Mazrekun dhe me përtej me zonën e Shllkakut.
Në Mlloje takova mes tjerash, këshilltarin Ali Zejnuni, Jakup Kamber Lacin, Selmanin, djem të Kamber Lacit, Veli Osjan, Elez Terezinë me shtëpi ne hyrje të Mllojes), dhe Engjëll Preken, nga lagja Mjekaj e të tjerë të cilët kishin mësuar të shkruanin e të lexonin në ushtri, si dhe në aksione, në hekurudhë, në hapje rrugësh, etj. Ishte një iniciativë krejt personale, pa asnjë sugjerim, ndërsa për pagesë as që bëhej fjalë. Unë paguhesha si mësues efektiv në Vjerdhe .
Pas një bisede për mundësinë e mbledhjes së kalamajve analfabet, tri herë në javë, me gatishmëri, si dashamirës i dijes, Aliu me ofroi një dhomë të shtëpisë, gjysma e së cilës ishte me thasë misri, me dritare të vogla, që të bëja mësim tri herë nëjavë, pasditeve . Ramë dakord. Unë pranova, me idenë time që, aty të beja mësim, ndonjë ditë të ftohtë ose ditë me reshje shiu, e të tjerat aty afër, në natyrë të hapët, në një mand, se kishte edhe një burim uji.. Mësimet vazhdonin gjatë gjithë verës e deri në fund të nëntorit.
Duke zbritur shkallet, me thotë Aliu:
-Po ne të mëdhenjve, që kemi mësua shkrim e këndim në ushtri e nepër aksione, a mundesh me na mësue, që të kryejmë filloren?
Aty për aty, i kërkoj me dijtë se sa nxënës bëheshin nga të rriturit. Ishin 10-11 vetë. I përgjigjem me kënaqësi se do të punoja, paralel: të vegjlit me programin e klasës së parë dhe të mëdhenjtë me programin e klasës së tretë e të katërt., sepse disa nga ato merrnin edhe gazetat, si abone., pra lexonin shtypin e kohës.
Filluam mësimet në javën e ardhshme, me 10-13 nxënës të klasës së parë, dhe 10 të rritur, që të zhvillonin programin e klasës së tretë e të katërt fillore... Çdo herë që shkoja, do të kaloja Bregut të Drinit, rrëzë Shurdhahut, një qendër qyteze, me troje, kuptohet pa çati, qendër mesjetare, në kryqëzim të zonës Shkodër-Pukë, Shllak, por i ndante lumi Drini. Kjo mbeturinë e një qyteze me bënte shumë përshtypje, sepse kaloja pranë saj tre herë në javë, por vizioni im i atëhershëm (isha beërë 17 vjeç), nuk më nxiste e as kisha krijuar dijeni për kërkime. Por kisha dëgjuar nga fshatarët që Frati kishte grumbulluar në Qele (atëherë ishte shkolla), material nga Shurdhahu.
Kur kam lexuar për mbledhjet e materialeve arkeologjike të Gjeçovit, sipas tregimit të Konicës, që shkon një natë bashkë me At Gjergj Fishtën në Gomsiqe, tek Gjeçovi dhe e përshkruan " Një fshat me shtëpi të shpërndara, si të humbur…, “ e kishin shtyrë atë natë, me kënaqësinë e prezencës e të pritjes së ngrohtë të Gjeçovit, “ por meë tej Konica shkruan se ky vend do të behej i njohur dhe i nderuar përmes veprimtarisë së Gjeçovit, sidomos për studiuesit. .. Fishta, bashkudhëtar me Konicën, kishte qeneë vite më përpara i emëruar Frat në Gomsiqe, deri sa e transferuan në Shkodër, ku hapi klasën dhe më tej shkollën në gjuhen shqipe (1903)., të cilën më vonë e ktheu në Gjimnaz , duke e drejtuar deri në vitin që ndërroi jetë.
Atje, pra, në Qelen e Gomsiqes, Gjeçovi kishte ekspozuar kërkimet e veta arkeologjike, kryesisht me materiale nga "Shurdhahu" rrëzë të cilit kaloja tashmë aq shpesh, për të cilën kisha kureshtje, por isha larg këtyre interesimeve shkencore, arsye moshe, etj. Vendasit tregonin për ndonjë të huaj të largët të shoqëruar me Fratin, që ishin larg shumë përshtypjeve edhe interpretimeve te Gjeçovit. Studiuesit e paraqesin Gjeçovin si arkeolog i parë shqiptar, por edhe pse ne, jo një herë , kemi konstatuar se kur thuhej "shkolla e parë" "mësuesi i parë" studiuesi i.... pare", etj, edhe kemi gabuar, por është e sigurt që Gjeçovi është nder të paret arkeolog dhe një pjesë të mirë të lëndës së grumbulluar e kishte të mbledhur pikërisht nga Shurdhahu .
Gjeçovi ka punuar në shumë zona, me rreth 21 transferime, por në Gomsiqe ka sherbyer më gjatë, nga viti 1907-1915 dhe, që në vitin e parë ka hapur klasë mësimi të veçanta, edhe për vajza, sigurisht jo bashkë me djemtë, siç zhvillohej mësimi atëherë. Në vitin e parë, pasardhës, ka arritur të siguroj rreth 30 nxënës, duke mbajtur kontakt të rregullt me zyrën arsimore.
Vizioni i qarte dhe i thelle i Gjeçovit u pasqyrua edhe në aplikimin, pasurimin e përmbajtjes së shkollës me tregime, përralla, etj me karakter kombëtar. Në vitin 1910, i botohet vepra "Agimi i Qytetnise", shkruar në Gomsiqe, në të cilën trajtohen probleme të gjuhës amtare, si domosdoshmëri për ta mësuar, të pastër e pa fjalë të huaja, siç përdorë edhe terma "aventura arkeologjike" dhe "aventurat gjeografike" me kuptimin e sotëm, "ekskursione arkeologjike" dhe "ekskursione gjeografike“, si metoda të mësuari edhe sot e kësaj dite, madje me efikasitet në ndikimin konkret dhe aplikativ të nxënësve...
Gjeçovi ka theksuar në veprat e tij, sidomos në veprën e me sipërme, rolin e madh të gjuhës, madje vendimtar në ruajtjen e identitetit shqiptar, për një gjuhë, për bashkimin e popullit, për zhvillimin dhe emancipimin e tij shoqëror . Ai ka theksuar në mënyrë të veçantë rolin e Nënës në edukimin e fëmijës, si edukatore natyrore, madje me një theks deri në fetishizim,. Është edhe kjo arsyeja që mbledh në shkollë edhe vajzat, nënat e nesërme për t'i arsimuar, çka të kujton kolloset e mëdhenj botëror dhe kombëtar për rolin e Nënës në edukim, siç ishte Komenski me "Shkolla Amnore", Pestaloci me "Nena dhe femija", Sami Frasheri me vepren "Grate", etj.

.Gjeçovi ishte vet rilindës dhe i njihte mirë veprat e rilindësve të tjerë, siç shkruan poezi shumë të ndjerë për humbjen e Naim Frashërit, duke e vlerësuar lart, siç e meritonte. Poezia dhe të gjitha krijimet e Gjeçovit ishin shume të ndjera, buronin nga thelbi i shpirtit të tij. Është me një theksim të veçantë evidentimi i virtyteve morale tek Gjeçovi, për familjen, për besën, trimërinë, burrërinë, humanizmin, çka të kujton theksimin të "Virtyti" (Virtyti në vision të gjerë,: besnikëri, humanizmi, sinqeritet, principialiteti, etj M.K.) që i bënte pedagogu e psikologu i madh gjerman dhe botëror, Herbart, rryma e të cilit "herbartianizmi" që aq e përhapur tek ne, sa në vitet 1920- 1937 ka qenë dominuese për opinionet pedagogjike, edukative në mbarë hapësirën shqiptare,. Nuk është e rastësishme që pikërisht në një universitet të njohur në Gjermani, Gjeçovin e nderuan me titullin “Doktor Honoris Kauza”.
Motoja e tërë besimeve themelore në viset shqiptare: "Fe e Atdhe", ishte bindje absolute për Gjeçovin. Në një letër personale, që i dërgon nga Gomsiqja, një miku të tij, në fund i shkruan; " Pash ShnaNdoun e pash Shqipnin, ma ndjek kete pune.!."
Ne drejtim të ndjekjes së fateve të Atdheut, duke filluar nga zona që shërbente, Gjeçovi ka qenë një model shembullor. Kur priteshin ekspedita ndëshkuese nga pushtuesi, ai krijon marrëveshje "besëlidhje" në mes fshatarëve të Gomsiqes e me gjerë, me 150 shtëpi të fshatit Mnele, për të bashkërenduar ndihmën e njëri tjetrit në rast sulmesh të këtyre ekspeditave. Gjithashtu, organizon grupe të vetëmbrojtjes, me lista vullnetaresh të armatosur për të mbrojtur trojet e tyre, si dhe në një rast tjetër për të dërguar nga Gomsiqja grupe luftëtaresh në krahë të Preng Pashes, në mbrojtje të Princ Vidit, kundër grupeve të Haxhi Qamilit, etj .Në krye të këtyre listave kam parë emrin e Jakut të Marka Dodes, nga lagja e mesme e Gomsiqes, atëherë me Gjeçovin djalë i ri, ndërsa kur e kam njohur dhe kam ndeje disa herë më te, ishte një burrë i plakur, madje pak i kërrusur, por energjik për moshën. Mbante në krah një pushkë “ karabine “ të shkurtër italiane.
Një herë, si me shaka i kam thënë: "Pse e mban këtë hekur në krah o Jak, se të rendon? Ai u përgjigj :"Për qiell e për dhe kot, or ti, se me dashtë me me vra, me vrasin dhjetë herë në ditë". Kisha njohje me Jakun e Marka Dudës sepse të dy djemtë e tij, fëmijë shumë të mirë e të angazhuar në shkollë, i kisha nxënës. Atëherë, në atë moshë që isha unë, më dukej plak, kurse tani them se mund të kisha gabuar në moshë.
Kushëriri i parë i Jakut, Mat Doda, po nga lagja e Mesme e Gomsiqes, pjesëmarrës aktiv në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, i cili ka shkruar dhe poezi popullore, më pseudonimin "Popullore-Mirdite," si për "7 Prill, 1939, etj" pat qenë edhe nxënës në konviktin "Malet Tona " në Shkodër, dhe paraprakisht ka qenë nxënës i Gjeçovit, shkruante mire, e kush tjeter vec Gjecovit do ta mesonte aq bukur?!
At Gjeçovi ka kultivuar ndjeshëm ndjenjat e atdhedashurisë në masën banorëve ku ka shërbyer, duke qene vetë Ai një model i përkryer në këtë fushë..
Gjeçovi është marrë seriozisht edhe me menaxhimin e forcave vullnetare të armatosura, secili me armët e veta, sidomos në vitin 1908 dhe në vitin 1914. Por, duket se ka krijuar mundësi edhe për të furnizuar disa nga fshatarët edhe me arme . Ne një letër përgjigje dërguar Bajram Currit, i cili i kishte kërkuar armë, në vitin 1914, Gjeçovi i shkruan nga Gomsiqja më shumë respekt, se” i kishte shpërndarë të gjitha dhe nuk kishte asnjë cope.”
Gjeçovi, siç e theksuam me sipër, vlerësonte fort familjen, forcimin e saj, për të cilën ka shkruar gjatë dhe konkretisht edhe në kryeveprën e tij, “Kanuni i Leke Dukagjinit, “ për përmbledhjen dhe sistemimin e së cilës ka punuar gjatë edhe në Gomsiqe, botim që u realizua pas vdekjes , në vitin 1933., me interesimin e At Gjergj Fishtës..
Në ato kushte të mungesës së shtetit, kishte zakone që një person “,C” edhe pse " kishte vue kurorë në kishë," donte të bënte edhe kurorë tjetër në kishë, madje me gra që përsëriteshin, si gra të veja, etj, numri i të cilave shkonte deri ne 6-7, prandaj Gjeçovi e demaskoj fort dhe rrepte dhe, duket se e kishte shkisheruar, siç thuhet në një botim mbi Gomsiqen.
Jetën sociale, virtytet i ndiqte dhe i predikonte më shumë kujdes, duke i trajtuar edhe në organet e shtypit, si në "Albania" të Konicës. më pas edhe në "Hylli i Dritës", etj
Prej vitesh kam parë dosjet e rilindësve kryesore në Arkivin e Shtetit, për studime që kisha në duar. Në kuadër të 140 vjetorit të Lindjes dhe në prag të 7 Marsit, 2015, Ditës së Mësuesit, si Akademi e Shkencave te Edukimit organizuam një Konferencë Ndërkombëtare, kushtuar Gjeçovit dhe e pashë edhe një herë materialin arkivor në Arkivin e Shtetit, enkas për At Gjeëovin. Sot fshati Gomsiqe, si dhe Lisna, Vjerdha e Mlloja janë të shpërngulur, sepse atje është Liqeni i Vaudejsit, që me ngritjen e Hidrocentralit, Ne Velipoje, atje ku quhej "Mbi Suka" e me gjere në gjithë Velipojën janë mbi 1200 banorë gomsiqas, nën emërtimin "Gomsiqja e Re". Koincidencë që, pas asaj zone të Gomsiqes së Vjetër, pasi Ato mbartin me trashëgiminë kulturore dhe jo vetëm, edhe veprën e veprimtarinë e Gjeçovit., në qendër të Velipojës, atëherë, më qëlloi të emërohesha drejtor i shkollës 7 vjeçare dhe i shkollave të lokalitetit, kur isha 20 vjeç., por mirditorët do të vinin më vonë, pas përmbytjeve të zonës për Liqenin Artificial të Vaudejesit.
At Gjeçovin.e vranë serbet në vitin 1929, kur ishte me shërbim në Zym, duke i kurdisur një thirrje gjoja në Prizren, pas së cilës u realizua një vrasje makabre në rrugë e sipër. E vranë armiqtë e Gjuhës Shqipe, të Shkollës e të Kombit tonë, siç patën kurdisur vdekjen e Pandeli Sotirit, siç i burgosen të vëllain Koto Sotirin, siç helmuan Petro Nini Luarasin, siç burgosen Prof,dr. Hasan Tasinin, siç masakruan Papa Kriso Negovanin, siç burgosen Hafiz Ibrahim Dalliun e të tjerë.. Emri dhe vepra e madhe e At Shtjefen Gjeçovit i përket arsimit, etnografisë, arkeologjisë, të drejtës zakonore e më gjerë, trashëgimisë sonë kulturore, i përket Lavdisë së Kombit tonë.

Prof. Dr. Musa Kraja

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 30 vizitorë
Lexuar: 402 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi