Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Roli i veçantë i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në proceset politiko-kombëtare dhe shtetndërtuese në Kosovë
Publikuar më 26 shtator, 2016 në orën 22:32 ( ) Mr. Sc. Rexhep Ahmeti | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Abstrakt

Ky punim ka për qëllim që ta bëjë një vështrim më të përgjithshëm dhe më të thellë se zakonisht, që përflitet në media, lidhur me rolin shumëdimensional që ka luajtur dhe po luan Lëvizja VETËVENDOSJE! në proceset politiko-kombëtare e shtetformuese në Kosovë.
Do të mundohem ta vë në pah edhe dimensionin origjinal që paraqet ky subjekt politiko-kombëtar, si në raport me faktorin shqiptar politik ashtu edhe me atë ndërkombëtar.

Gjithashtu, autori në këtë punim planifikon të theksojë rolin e kaluar dhe të tashëm të LVV-së, si për ndryshime të reja përparimtare shoqërore-politike, ashtu edhe për rolin e kësaj lëvizjeje për mohim-kapërcimin e çrendit të tashëm kushtetues juridik në Republikën e Kosovës dhe krijimin e rendit të ardhshëm normal kushtetues juridik në vendin tonë.
Fjalët kyçe: Lëvizja VETËVENDOSJE!, veçantia LVV-së, ndryshimet rrënjësore (të synuara), çrendi kushtetues juridik, rendi kushtetues juridik.

1. Hyrje

Për ta shkurtuar, si hyrjen në ketë punim, ashtu edhe shqyrtimin e temës që e kemi në fokus, po nisemi nga një pyetje e thjeshtë: Si do të ishte situata e puna, ndjeshmëria dhe gjendja politike e kombëtare në Kosovë e Shqipëri, sikur mos të ekzistonte, fare, Lëvizja VETËVENDOSJE!?
Kosova pa Lëvizjen VETËVENDOSJE!, si do të ishte? A nuk ndjehet një lloj zbrazëtie me nuanca tmerri kur, mendohet a përfytyrohet Kosova dhe Kombi Shqiptar pa LVV-në?
Pa Lëvizjen VETËVENDOSJE!, Kosova dhe Kombi Shqiptar do të ishte shumë, shumë më i varfër shpirtërisht, politikisht, shqiptarisht, ndërkombëtarisht, ardhmërisht...
Pa Lëvizjen VETËVENDOSJE! Kosova jo vetëm që do të ndihej e neoekolonizuar, siç është edhe sot, por do të ishte edhe përgjithësisht e mashtruar e përgjithësisht e nënshtruar, e nënçmuar, ngase as që do ta kishte hetuar, në përgjithësi e publikisht eksperimetimin perfid me te.
Me Lëvizjen VETËVENDOSJE! Kosova është e shtypur e shfrytëzuar e tradhtuar por nuk është e mashtruar, e nënshtruar. LVV ka ndikuar dhe ka bërë aq shumë sa që Kosova me te ka shpëtuar shpirtin e vet, dinjitetin dhe identitetin e vet, të konkretizuar e të mishëruar me opozitarzmin parimor e demokratik dhe shpresën konkrete për fitimin e së ardhmes.

2. Veçantia (dimensioni origjinal) e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Edhe me Statutin e saj, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dokumentuar qartë qëllimin e saj: ” për ndryshime rrënjësore shoqërore dhe politike”.[1] Po ashtu edhe në dokumentin tjetër zyrtar të LVV-së- “Parimet dhe prioritetet programore të Lëvizjes VETËVENDOSJE!“, ka programuar 100 pika që ndryshimi i Kosovës i bashkon, ku, kryesisht, kjo Lëvizje, ka programuar shtetndërtim dhe zhvillim. Në dokumentin” Alternariva Qeverisëse “, gjithashtu kemi konkretizim, zgjerim e zhvillim të qëllimit kryesor të LVV-së, përmes një “ sinteze të hollësishme të interesave bazike dhe zgjedhjeve konkrete për Republikën e Kosovës, shoqërinë tonë dhe kombin shqiptar “.[2] LVV Shtetin e së drejtës, Shtetin zhvillimor dhe Shtetin Social nuk i sheh si të ndarë nga njëri tjetri, jashtë jetës e shoqërisë por i koncepton dhe programon “ të ndërlidhura në jetë e në shoqëri, prandaj ne i paraqesim ato të bashkëlidhuara në vizione dhe për institucione.[3] Në alternativë qeverisëse që programon LVV-ja “shteti në funksion të sociales është i pazëvendësueshëm”.[4] Pra, është krejt e qartë, si drita e diellit, se Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekt politik i majtë (i profilizuar mjatas). Filozofia politike e kësaj të majte (LVV-së) të konsoliduar me bazament a me aq themel të fortë në skenën politike të Kosovës (por jo vetëm të saj) është konkrete (e prekshme dhe qartë) dhe dialektike. LVV, përmes një filozofie të tillë (jo vetëm politike) ka depërtuar thellë në njohjen e realitetit konkret, objektives në Kosovë dhe ka ardhur gjer te përfundimi qëllimor-pragmatik, se Republika e Kosovës, kjo e dyta, siç është sot, “doli të jetë Republikë për shitje. Ne kemi nevojë për Republikën e Tretë të Kosovës që ta shpëtojmë Republikën...“ [5]

Pra, Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në dokumentet themelore zyrtare të saj, ka jo vetëm filozofi të ndryshimit të status quos, gjendjes së tashmë të realitetit të turpshëm në Republikën e dytë të Kosovës, por ka filozofi të majtë të ndryshimit- synimin programor qeverisës që përmes shtetit në funksion të sociales dhe nacionales ta realizojë parimin dhe synimin e saj për” jetë të dinjitetshme, të vlefshme” [6], ngase Kosova e tashmë, për shkak të “ mungesës së sovranitetit dhe shtetndërtimit të paralizuar “[7] nuk po e ofron këtë (jetën e dinjitetshme dhe të vlefshme).
Republika e Tretë e Kosovës (që teorikisht-filozofikisht, është mohim i Republikës së Dytë të Kosovës), sipas dokumenteve zyrtare të LVV-së është edhe në funksion të nacionales, pasi LVV nuk e shikon interesin shoqëror jashtë interesit nacional, pra nuk e shikon matafizikisht (të ndarë, të shkëputur) socialen e nacionalen. Së këndejmi rrjedh edhe konkluzioni Programor i LVV-së se Kosova “ka të drejtën e të qenit shtet dhe e barabartë me shtetet tjera…, të drejtën për vetëvendosje të jashtme dhe se Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është hap shumë i rëndësishëm i bashkimit tonë kombëtar. “
Për të qenë shteti, Republika Kosovës, përnjëmend, në funksion të sociales nacionale LLV, në parimet dhe prioritetet programore ka paraparë, parashikuar edhe “shtetndërtimin si subjektivitet, demokraci, drejtësi dhe qytetari... me zhvillim ekonomiko-shoqëror”, përmes “shtetit sovran republikan“ [8]

Këtu dolëm te esenca e nëntitullit. Pra, erdhëm deri te një element i origjinalitetit apo veçantisë së Lëvizjen VETËVENDOSJE!, e që po mendojmë se është, jo koncepti shabllon, rutinor i të majtës, por koncepti i veçantë, i majtë, (me cilësi origjinale) programor i LVV-së. Zakonisht, subjektet e majta legale në botë, gati si rregull, në programet e tyre nuk e kanë nacionalen, por kryesisht bazohen në socialen. Në shqyrtimin e mëlartshëm, pamë (deri diku) se si dhe me çfarë kombinimi të natyrshëm, teorik dhe praktik, LVV e ka programuar funksionin social e nacional të shtetit të Kosovës, Republikës, që është ende në procesin e ndërtimit.
Lëvizjen VETËVENDOSJE! e ka kuptuar dhe realizuar programatikisht e praktikisht mençurinë a parimin se rrethanat e veçanta (origjinale) në Republikën e Dytë të tashme të Kosovës, kërkojnë edhe program (teori, qëllim, strategji) e aksion (praktikë ndryshuese pozitive) të veçantë (origjinal). Teorinë, programin dhe praktikën e metodat e veprimit të LVV-së, shpeshherë nuk kuptohen (sa duhet). Por veçantia, origjinaliteti i LVV-së është edhe fakti se ky subjekt politik, përsëri e përsëri nuk heq dorë nga filozofia e praktika e tij e parastudiuar dhe e parashikuar mirë.
Mu në kohën tonë, kur Republika e Kosovës dhe kombi shqiptar, në përgjithësi, po rrezikohet, seriozisht nga padituria (njëanshmëria metafizike) dhe mendjelehtësia e shkaktuar dhe e mbajtur edhe nga rrethanat negative neoglobaliste në Kosovë (neoglabalizmi kundër kombëtares) Lëvizjen VETËVENDOSJE!, edhe në këto rrethana, edhe në këtë kaos, edhe në këtë çrregullim të përgjithshëm, po edhe të veçantë, pra, edhe në këtë çrend kushtetues juridik të Republikën e Dytë të Kosovës, po e mbanë lartë dritën e së vërtetës teorike e praktike, duke e prirë popullin (qytetarët/et) drejt ndryshimeve rrënjësore shoqërore dhe politike. Prandaj, kjo veti e cilësi e LVV-së, krahasuar me partitë tjera në Republikën e Dytë të Kosovës, nuk ka se si të mos jetë origjinalitet i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Edhe gnoseologjia ndriçuese politike majtiste e bënë LVV-në të dallohet shumë nga partitë a subjektet tjera politike parlamentare e jo parlamentare në Kosovë. Lidhur me këtë, për ta sqaruar më mirë, po bëjmë një digresion: Muhamedin Kullashi (filozof shqiptar) duke shpjeguar thënie e Michel Foucault-it se” E Vërteta nuk është jashtë pushtetit dhe pa pushtet “ ka komentuar se edhe e vërteta mund të bëhet pushtet, do të thotë forcë që ushtron ndikim.[9]
Prandaj, edhe gnoseologjia ndriçuese politike e LVV-së opozitare nuk është e pa pushtet, por është duke u bërë pushtet, sepse edhe tani është force teorike e praktike që po ushtron ndikim, edhe në Republikën e dytë të Kosovës, ku pushtetarët kryesorë aktualë të ligj të saj, iu shmangen me hipokrizi debateve direkte televizive me prijësit kryesorë të LVV-së, mu për faktin se ata posedojnë pushtetin e dijes, të së vërtetës, të argumenteve, të kulturës. Prandaj, gjer më tani, nuk ka ngjarë, dhe as nuk besoj se do të ngjajë ndonjëherë (do të befasohesha po të ngajnte), që në debat direkt televiziv të guxoj të dal Hashim Thaqi, Isa Mustafa apo Kadri Veseli përballë Albin Kurtit, Glauk Konjufcës, Elvis Hoxhës, Husamedin Ferajt, Sadri Ramabajin etj.
Kryetari aktual i Lëvizjes VETËVENDOSJE, Visar Imeri në një intervistë në Klan-Kosovë [10], ka theksuar disa elemente shumë të rëndësishme të veçantisë së organizatës që ai drejton, siç janë: organizimi ndryshe nga partitë (subjektet) tjera politike, formë tjetër e organizimit (me pika në vend të nëndegëve, me qendra të LVV-së në vend të degëve) i përcaktuar me Statut të LVV-së; formë më dinamikën dhe më organike e organizimit; e kemi ndryshe edhe konceptin politik; koncepti politik është përmbi teket personale në LVV; LVV është pari e konceptit, e idesë, e idealit politik; besnikëria ndaj idealit politik e bënë veten të parëndësishme-kështu e kemi filluar ta ndërtojmë organizatën dhe kështu do ta vazhdojmë ndërtimin e kësaj organizate; harmonia në organizatë vendoset kur anëtarët sakrifikojnë interesat e veta për ideale politike për të cilat luftojnë; LVV nuk është e ndryshme ngase është e pa korruptuar, por është e pa korruptuar për shkak se është e ndryshme, koncepti politik dhe metodat janë me rëndësi për LVV-në.
Veprimtari kombëtar, poeti, po edhe aktivisti i orëve të para të LVV-së në mërgim Fadil Shyti, ka dalluar këto cilësi që e bëjnë LVV-në të ndryshme nga subjektet tjera në Kosovë [11], maturinë dhe modestia në organizim, në objektiva e qasje ideologjike; parashikimet politiko-diplomatike (të Albinit me shokë) në raportet si më Serbinë ashtu edhe me faktorët ndërkombëtarë; parullën largpamëse: Vetëvendosje! jo negociata!; Ribashkimin kombëtar; qasjen ekonomik për Kosovë (parullën: Blej shqip!); atë që e thotë e zbaton në praktikë; shtrirja e saj (e LVV-së) me organizim edhe në vise të Atdheut, jashtë Kosovës (Tiranë, Shkup, Ulqin e diasporë): jo serviliteti në raport me ndërkombëtarët; forcimi i vazhdueshëm dhe hyrja në Kuvend (parlament) si forcë e tretë parlamentare; përcaktimi në krahun e majtë, subjekt i majtë i qendrës, duke pasur objektiva të qarta sipas modelit të demokracive popullore skandinave; dialogu me serbët e Kosovës e jo me Serbinë, cilësi kjo që e bënë LVV-në subjekt përparimtar e jo a parti nacionaliste borgjeze dhe reaksionare.
Veprimtari tjetër kombëtar (ilegal dhe legal) Shyqyri Imeri, që jeton në mërgim, lidhur me temën që po shqyrtojmë ka dhënë këtë mendime [12], se: origjinaliteti i LVV-së qëndron në veprimin e saj adekuat në kohë dhe hapësirë; LVV, mendoj, se do ta ruaj origjinalitetin, pasi ka ideale dhe sfidon të gjithë kur është në pyetje interesi i Atdheut. Këtu edhe qëndron lidhja e LVV-popull; dalja e LVV-së në ballë të ngjarjeve të rëndësishme.

3. Roli shumëdimensional i LVV-së në proceset politiko-kombëtare

Më lart, vumë në pah disa karakteristika për natyrën e LVV-së, që, po mendojmë, se e bëjnë atë të veçantë, origjinale, aq sa është e mundshme.
Pasi që konstatuam se Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekt i veçantë politiko-kombëtar, këtu më poshtë po mundohemi t’i numërojmë, ndikimet pozitive që i ka bërë LVV-ja që nga themelimi i saj gjer më sot. Ato ndikime, po mendojmë se, janë:
• Pasurimi i skenës publike në Kosovë me një subjekt të veçantë publik, fillimisht me 2005, e më vonë edhe pasurimi i skenës politike me një subjekt të ndryshëm politik, të veçantë, shumë interesant, që e bindte opinionin e shëndosh në Kosovë, se do të arrinte shumë në lidhje me avancimin e çështjes së idealeve shtetërore dhe kombëtare të Kosovës,
• Fakti se veprimtarët e LVV-së ishin të rinj/të reja ndikonte pozitivisht të rritej shpresa se ky subjekt do të forcohej e rritej për ta ndryshuar status quon e atëhershme UNMIK-ase, e cila gjendje e kishte pllakosur Kosovën si mos më keq, duke ia mohuar të drejtat ekonomike, politike, kombëtare dhe duke ia përgatitur Kosovës një status të veçantë federatë-konfederatën edhe me Serbinë neomillosheviqiane,
• Pritjet e tilla në lidhje me subjektin e ri politik, Lëvizja VETËVENDOSJE!, sidomos, pritjet e ish-veteranëve të vetëdijshëm të luftës së UÇK-së, të ish-ilegalëve të vetëdijshëm kombëtarë të para luftës së UÇK-së, si dhe të gjithë atyre që e kishin kuptuar se, përsëri, na ishin mohuar të gjitha të drejtat, nuk dalën të kota. LVV nuk pushonte së luftuari, me mjete paqësore kundër politikës kundërdemokratike dhe kundërkombëtare të UNMIK-ut më Kosovë, me çka bëri që asaj (LVV-së) t’i bashkoheshin, në forma të ndryshme, në forma organizative dhe jo organizative (të shoqërisë civile), të gjithë ata që kishin pritje pozitive në lidhje me këtë organizatë politike dhe që ishin të pakënaqur me administrimin dhe administratën e ndërkombëtarëve dhe vendorëve në Kosovën e pasluftës së UÇK-së.
• Me rritjen dhe forcimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! u rrit edhe ndikimi i saj në shoqëri, në organizim dhe në forcimin e rezistencës kundër formave neokolonialiste të UNMIK-ut në Kosovë dhe kundër shërbëtorëve vendorë të neokolonialistëve.
• Dhe aq shumë u rrit ndikimi i LVV-së në opinionin e shëndosh në Kosovës, aq shumë pati sukses LVV-ja në mobilizimin, aktivizimin e organizimin e popullit, sa që në vitin 2007, u dëgjua një paramendim kriminal te disa shërbëtorë shqiptarë të UNMIK-ut në Kosovës (qarqe të caktuar të LDK-së e PDK-së) u dëgjua mendimi i zi, i kobshëm, se po të ngrihej përsëri LVV-ja në protestë a demonstratë, duhej edhe të vriteshin ata që po e udhëheqin, sepse “po na shkatërrojnë pronën dhe planin për formimin e shtetit të Kosovës”.[13]
• Kjo çlogjikë dominoi edhe më 28 nëntor 2015, kur qeveria e korruptuar kundërkushtetuese, duke e parë konkretisht, po në protestën kësaj dite, se ndikimi i LVV-së është rritur, shmëdimensionalisht, dhe duke e parë se se ka arritur edhe ta bashkojë opozitën për qëllime madhore qytetare-kombëtre, tentoi ta vrasë LVV-në me reparte të policisë antiterroriste, duke i terrorizuar e gjakosur, aktivistët e udhëheqësit e kësaj organizate demokratike, paqësore mu në selinë e vet qendrore në Prishtinë. Këtë ditë, Republika e dytë e Kosovës (në të vërtetë çrepublika në shitje) vazhdonte praktikën e dhunës policore institucionale të UNMIK-ut e EULEX-i, sepse LVV, e pikërisht prijës shpirtëror i saj Albin Kurti, kishte ngritur lartë projektin për dalje nga kaosi ekzistues, nga çrepublika, ku shkruante: Republika e Tretë e Kosovës.

• Po mos të ishte Lëvizja VETËVENDOSJE! (dhe një pjesë tjetër e opozitës), tashmë, do të kishte përfunduar shitja e paskrupullt e Kosovës, si Republikë e dytë të Kosovës, që ka mbetur ende në treg shitjeje. Pos tjerash, edhe “Zajednica” edhe demarkacioni me Malin e Zi, çmoti do të kishin kaluar. Kjo që thash këtu është, vetëm një pjesë e Rolit të veçantë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në proceset politiko-kombëtare.

4. Lëvizjes VETËVENDOSJ dhe Shkenca e së drejtës së Rendit Juridik

E drejta e Rendit juridik, me tri dimensionet e saja është si uji për tokën e çarë, ngase kjo krijesë juridike, me teorinë dhe praktikën e saj ka mision të sjellë vetëdijesimin, energjinë, organizimin e qenieve shoqërore-njerëzore për jetën e përditshme publike, rendin dhe lirinë publike.[14]

Shkenca e së Drejtës së Rendit Juridik, te Lëvizja VETËVENDOSJE!, sheh një forcë konkrete serioze politike për mohim-kapërcimin e çrendit të tashëm kushtetues juridik në Republikën e Kosovës dhe krijimin e rendit të ardhshëm normal kushtetues juridik në vendin tonë.
Është vlerë e padiskutueshme e LVV-së edhe pika 6 në “Parimet dhe prioritetet programore të Lëvizjes VETËVENDOSJE!“, ku është programuar: “Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për ndryshim të pjesëve të Kushtetutës së Kosovës të cilat kufizojnë sovranitetin e shtetit të Kosovës përfshirë këtu heqjen e Planit të Ahtisaarit që e ndan territorin, institucionet dhe kulturën mbi baza etnike, ndërsa që përjetëson sundimin ndërkombëtar mbi Kosovën. ” Por nuk është vetëm kjo pikë programore e LVV-së e domosdoshme për Krijimin e Rendit të ardhshëm kushtetues juridik normal të Kosovës. Ka edhe shumë të tjera. Këtu tani po përmendim edhe pikën 7 ku LVV ka programuar qitjen (fuqizimin) në vend, në Kushtetutë, të vullnetit të popullit shqiptar duke hequr nenin e tashëm 1.3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Pika 8 ka programuar angazhimin “për garantimin kushtetues real të të gjitha të drejtave....barazinë kushtetuese dhe ligjore të të gjithë qytetarëve të Kosovës.”
Pika 9 ka programuar angazhimin që shtetit të tashëm të Kosovës “t’ia ndërrojë karakterin. Në vend të shtetit të pushtetit duam pushtet të shtetit të së drejtës.”
Pika 10 synon, ka për qëllim “ndërtimin e një shteti sovran, ligjor, demokratik e qytetar… Kosova duhet të jetë shtet i interesit qytetar. Institucionet e shtetit janë mekanizma për të mirën e përgjithshme.“
Asnjë nga këto pika nuk është në kundërshtim me Shkencën e të Drejtës së Rendit Juridik dhe objektivat apo misionin e saj.
Shkencat shoqërore (njerëzore) në Kosovë dhe më gjerë, në hapësirat shqiptare tregohen qorre nëse nuk i shohin, e nëse nuk i vejnë në pak vlerat praktike e programatike të LVV-së dhe nëse nuk kontribuojnë që të realizohen vlerat e tilla që përputhen me shkencën.
Nocionet dhe termat Republikë e parë, e dytë dhe e tretë është, po ashtu, mendoj se janë vlerë teorike dhe pragmatike, që është përdorur edhe në dokumenti: Alternativa Qeverisëse, të LVV-së të botuar më 2013. Autorit të këtij punimi, i ka pëlqyer dhe i ka hyrë shumë në punë përdorimi i këtyre nocioneve dhe termave.
Republika e dytë e Kosovës ka dështuar ta bëjë zemrën të Republikës, rendin kushtetues juridik. E ka degraduar (e dallashitë) projektin: në vend të rendit kushtetues juridik, ka instaluar një kreaturë, hienë të drejtësisë, çrendin kushtetues juridik. Prandaj, Republika e tashme e Kosovës është e sëmurë, sepse zemra nuk i punon mirë.
Ndërkombëtarët me shërbëtorët e tyre të verbër vendorë i kanë shkel, në Kosovë, ligjet e shtetkrijimit. Republikës së dytë të Kosovës i kanë vënë zemër artificiale.
Shkenca e së Drejtës së Rendit juridik, tashmë ka konstatuar edhe këtë, se: ÇKJ-ja (Çrendi Kushtetues Juridik) ka humbur arsyen e ekzistencës së saj, mu për faktin se është bërë një lloj vrime e zezë për jetën (juridike, ekonomike, shpirtërore, shoqërore, politike, kombëtare dhe më gjerë). Koha (10 shkurti 2007) dhe vetëdije-veprimi kanë krijuar dhe po krijojnë ende “komunitetin politik të panënshtrueshëm” 351 për kalim dialektik të ÇKJ-së në RKJ (Rend Kushtetues Juridik).[15]
Republikën e mirëfilltë të Kosovës mund ta bëjë, tanipërtani, vetëm LVV- me projektin e saj zyrtar, të cilin, qytetarët e Kosovës, nëse janë të vetëdijshëm për të mirën e tyre të përgjithshme, e kontraktojnë sa më parë që të jetë e mundshme; e legjitimojnë duke e votuar të del në krye të institucioneve LVV-ja, veçanti, origjinalitet i së cilës është se pushtetin nuk e shpërdorë për vete por e përdorë për ata me të cilët do të lidh Kontratë (votimi), me dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Literatura:

-Alternariva Qeverisëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Prishtinë, 2013
-Reforma, (Revistë shkencore regjionale), nr. 1/2015
-Broshura me Parimet dhe prioritetet programore të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e
titulluar: “ZHVILLIM DHE SHTETNDËRTIM. Bashkë është e mundshme “
-Balkan Journal of Interdisiplinary Research, Vol. 2,NO. 1. May 2016
-Muhamedin Kullashi: Pushteti dhe dija te Michel Foucault, botoi ASHAK, Prishtinë, 2008
- Rexhep Ahmeti: Rendi i mirëfilltë juridik, Prishtinë, 2013
-Skender Hushi: Thoti i pavdekshëm na zbulon Atlantidën, botimi i dytë, Tiranë, 2009

1]. http://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2013/09/Statuti_i_Levizjes_VETEVENDOSJE_mars_2012.pdf, neni 1 i këtj Statuti, f. 4
2]. Alternariva Qeverisëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE!,Prishtinë,2013,f.5.(Fjala e Albin Kurtit, Kryetar i LVV-së.)
3]. Alternariva Qeverisëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE!,Prishtinë,2013,f.8. Fjala e Albin Kurtit, Kryetar i LVV-së.)
4]. Alternariva Qeverisëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE!,Prishtinë,2013, f.5. (Fjala e Albin Kurtit, Kryetar i LVV-së.)
5]. Alternariva Qeverisëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE!,Prishtinë,2013, f.7. (Fjala e Albin Kurtit, Kryetar i LVV-së.)
6]. Po aty f.5
7]. Po aty f.5
8]. Broshura me Parimet dhe prioritetet programore të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e titulluar: “ZHVILLIM DHE SHTETNDËRTIM. Bashkë është e mundshme “, f. 5.
9]. Muhamedin Kullashi: Pushteti dhe dija te Michel Foucault, botoi ASHAK, Prishtinë, 2008, f. 27
10]. Nga Debati në Klan Kosovë, i datës 4 gusht 2016t, i Kryetarit aktual të LVV-së, Visar Imerit
11]. Marrë nga përgjigjet me shkrim e datës 7 gusht 2016, të Fadil Shytit në pyetësorin që e ka bërë lidhur me temën e këtij punimi, autori i punimit
12]. Marrë nga përgjigjet me shkrim e datës 5 gusht 2016, të Shyqeri Imerit në pyetësorin që e ka bërë lidhur me temën këtij punimi, autori i punimit
13]. Autori i këtyre rreshtave në të 2007-tës ka qenë zyrtarë profesional (i pa parti) në njërën nga ministritë e atëhershme, prandaj edhe i pat ra të dëgjoj, me veshët e vet, këto paramendime ( e paragjykime) të errëta, të cilat, po në atë vit, më 10 shkurt 2007, në protestën e organizuar nga LVV-ja, u shndërruan në krim të parapërgatitur, ku u vranë dy protestues dhe u rrahën u lënduan, u plagosën me qindra të tjerë.
14]. Reforma, (Revistë shkencore regjionale), nr. 1/2015, f. 287, dhe Balkan Journal of Interdisiplinary Research, Vol. 2,NO. 1. May 2016, f. 385 (Punim i autorit të këtij shkrimi)
15]. Rexhep Ahmeti, Reforma (Revistë Rajonale shkencore) nr. 3/2016, f. 129-130

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Mr. Sc. Rexhep Ahmeti
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 42 vizitorë
Lexuar: 670 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi