Krijuesi mendjehollë |
Publikuar më 28 shtator, 2016 në orën 05:13 ( ) |
Prof. Bedri Tahiri | Kulturë | |
|
|
Në vend të përkujtimit
Ditën e vlerësojmë në mbrëmje
dhe jetën në fund.
(Herbert)
Sot, pas një sëmundjeje të rëndë, në Lozanë të Zvicrës, ndërroi jetë shkrimtari ynë i njohur, Mehmet Kajtazi!
Ky lajm i RTK-së ra si rrufeja ditën për diell, duke e bërë natën e 26 shtatorit 2003 edhe më të zezë, edhe më të zymtë, edhe më të rëndë.
Dhe, unë kurrsesi nuk doja të besoja. Jo, thashë, kjo nuk mund të jetë e vërtetë! As mordja djallëzore nuk mund të kishte guxim t’i afrohej krijuesit mendjehollë, njeriut me vizion të qarta e aq të thella, penës së mprehtë, që për vite të tëra sfidoi ashpër prapësitë e kësaj bote hileqare.
Që qe sëmurë, e dija. Një ditë, bashkë me Abdyl Krasniqin, e vizituam në spitalin e Prishtinës. U mërzitëm e u ligështuam aq sa mezi përballuam. Shpirti i tij luftarak na kuptoi qartë dhe ngadhnjeu si përherë. E mundi dhembjen dhe si Gjergj Elez Alia u ngrit në këmbë. Unë jam më mirë!- tha, duke në përqafur fort e përmallshëm në të ndarë. Lotët na mashtruan, na i lëbyrën sytë dhe nuk e pamë më mirë...Edhe që e kishin përcjellë për në Zvicër e dija, më kishte treguar kolegu i tij i ngushtë, Daut Demaku. Por, një gjë nuk e dija, as nuk e mendoja. Nuk e dija se më nuk do ta shihja për të gjallë. Nuk e mendoja dhe nuk e besoja dot se kaq shpejt do të na e linte shëndenë. Ah, mordjekeqe, mordjekeqe, sa e pamëshirshme je, godet aty ku nuk e pret, godet aty ku të dhembë më së tepërmi...
E kisha udhërrëfyes
Mehmetin, edhe pse përmes shkrimeve e njihja moti, e takova fare vonë. Ishte viti 1995. Sa po bëja hapat e çilimiut në krijimtari. Kisha përgatitur dorëshkrimin e librit tim të parë “ Azem Bejtë Galica” dhe dëshiroja që, sa për fillim, ta botoja në vazhdime, në gazetën e përditshme “Rilindja”. Ashtu, i ndrojtur, me një fashikull nën sqetull, ia mësyva Pallatit të shtypit. Me të arritur në katin e pestë, më drejtuan tek një e ndarë e veçantë, nga dilnin fjolla të mëdha tymi. Sakaq , para meje shfaqet një burrë malësor, shtathedhur, i qetë, i heshtur, i matur, i menduar.
-Quhem Mehmet Kajtazi, ma pret, duke ma shtrënguar dorën burrërisht e si të ishim njohur qëmoti. Dhe, fill dalim në bufe për të pirë çaj. Paksa u çlirova, u ndjeva i lehtësuar. Ai nuk po ia shqiste sytë dorëshkrimit. E lexonte kujdesshëm, e nënvizonte dhe pinte duhan i kredhur në pafundësi. Ore, ti po ua kaluake shumë gazetarëve e redaktorëve tanë,- më thotë, duke e ndalë shkrimin për botim, në rubrikën e vet, në fejtonistikë...
Dhe, paskëtaj, miqësia jonë nuk u shkëput as nuk u zbeh për asnjë çast. Edhe në librat e mëvonshëm më ndihmoi shumë, përherë e kisha udhërrëfyes, këshillues, frymëzues, inkurajues...
***
Mehemt Kajtazi u lind më 1944 në Kllodërnicë të Drenicës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje e në Runik, Normalen në Prishtinë dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike, dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Prizren. Një kohë punoi arsimtar në Turiqevc, në Klinë të Epërme, në Kllodërnicë, në Runik dhe në Gjimnazin e Skënderajt. Nga viti 1973 kalon në gazetën “ RILINDJA”, redaktor i FEJTONISTIKËS, derisa forcat serbe i përzunë përdhunshëm. Deri më 3 prill 1999 ishte në Prishtinë. Atë ditë hordhitë barbare serbe e larguan nga banesa dhe pas qëndrimit disa ditësh në kampin e Bllacës dhe një muaj në atë të Sankovecit, autoritetet zvicerane e nxorën nga aty dhe e dërguan në Lozanë të Zvicrës, ku qëndroi deri pas luftës.
Sërish kthehet në Kosovë dhe deri në vdekje punoi redaktor në Redaksinë e Botimeve “RILINDJA”.
Mehmet Kajtazi la të botuara këto vepra:
1. Nata në gur (roman), 1984
2. Plaku dhe urat (roman),1986
3. Zemër e thyer ( tregime), 1987
4. Fundi i legjendave (roman), 1990
5. Shqiptarët në Golo-Otok (roman), 1991
6. Kodra e Pajtimit (tregime), 1993
7. Ushtimë e Alboderit (roman), 1993
8. Shotë Galica (roman), 1995
9. Minatorët (roman), 1995
10. Thikë në portokall (roman), 1995
11. Gjeli i Katerdralës (roman), 1996
12. Santa Ana (roman), 1998
13. Guri i dallëndyshes, 1998
14. Lindja në qiell (roman), 2000
15. Udha i (roman), 2001
16. Ndezja e shiut (roman), 2001
17. Një diell tjetër (roman), 2003...
Ambrozi në Prekaz
Prozat e Mehmet Kajtazit paraqesin një univers të gjërë e të larmishëm, ku natyrshëm bashkohen toka e qielli, Huji e njerëzit, e djeshmja dhe e sotmja, e veçanta e univerzalja, realja dhe mitikja, të gjallët dhe të pavdekshmit, sakrifikuesit dhe të vetëflijuaritë...
Megjithatë, në thelb, ato kanë një synim të caktuar; ngadhënjimin e dritës mbi errësirën, e diturisë mbi injorancën, e trimërisë mbi frikën. Ato, në fakt, gjakojnë fitoren, përjetësinë, lirinë...Kjo më së miri dëshmohet nga vetë autori në parathënien e librit të dytë të përshtypjeve, që mbanë titullin “ Ambrozi në Prekaz ”.
Më 5 shtator 2001 shqiptarët bënë një Lutje të madhe në Prekaz që shpirti i Adem Jasharit të rrezatojë në të njëjtën yllësi ku është FOMALHO. Dom Lush Gjergji e bëri dorën strehë, e shikoi popullin e vet, e shikoi Tokën dhe Qiellin, i tha edhe këto fjalë: “ Ku t’i shkruajmë emrat e Gjergj Kastrioit-Skënderbeut, të Nënë Terezës, të Adem Jasharit?...Ai pastaj, vërejti se Qiellin mund ta mbulojnë retë e zeza, tokën mund ta dëmtojnë rrënuesit, gjirmat e zemrave tona janë të paprekshme, sot i shpallim të shenjtë në Prekaz TRE shqiptarë: Skënderbeun, Nënë Terezën dhe Adem Jasharin. Që të Tre e dashuruan më shumë Atdheun, shqiptarizmin, se vetveten. Jetës do t’i mungonte kuptimi po t’i mungonin njerëzit e shenjtë. Adem Jashari u flijua për të shenjtën që e ka një emër të bukur: L I R I...
Dhe, ambrozi kishte zbritur në Prekaz.
Ai ishte nëntë herë më i ëmbël se vetë sheqeri. Me të u ushqye i pavdekshmi, Adem Jashari. Andaj më e ëmbël se edhe ambrozi është LIRIA.
Mehmeti e gëzoi pak atë ëmbëlsi. Por edhe e fitoi Përjetësinë!
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 29 vizitorë |
Lexuar:
385 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
NDËRMJETËSIME LETRARE |
E mart, 13 prill 2021 - 22:06 Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S... |
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër... |
E premt, 09 prill 2021 - 00:54 Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më... |
më shumë nga - Kulturë » |
|
|
|
|
|