Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
AZEM GALICA KRYEKOMANDANT I ÇETAVE ÇLIRIMTARE
Publikuar më 15 tetor, 2016 në orën 05:11 ( ) Prof. Bedri Tahiri | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Një ngjarje kulturore që nderon historinë: Përurimi i bustit të Azem Galicës dhe drekë e këngë në kullën e tij në Galicë

Fjala përshëndetëse
I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli!
Të nderuar zyrtarë të Komunës së Vushtrrisë!
Të respektuar nxënës e arsimtarë të shkollës që me krenari mbani emrin e kryetrimit Azem Galica!
Të dashur mysafirë dhe ju të pranishëm!

Sot, nxënësit, arsimtarët dhe punëtorët e kësaj shkolle dhe të gjithë banorët e kësaj ane, kanë festë të madhe, sepse, pas 18 vitesh që kur u dëmtua nga forcat serbe, Azem Galica po u kthehet në bronz për të rrezatuar trimëri e atdhedashuri. Dhe, këtë buzëqeshje e sollën kryekuvendari, z. Kadri Veseli, kryetari z. Bajram Mulaku dhe dora mjeshtërore e nipit të Ramadan Shabanit, këshilltarit të Azem Galicës, z. Ylber Krasniqi së bashku me Sabri Behramaj.

Azem Galica është unikat në gjithë historinë tonë. Ai, që nga rinia e hershme u radhit në çetat e lirisë dhe për 12 vjet rresht, bashkë me Nusen e maleve- Shotë Galicën e me bashkëluftëtarë, nuk i lëshuan armët nga dora. Ata zhvilluan mbi gjashtëdhjetë beteja fitimtare kundër pesë pushtuesve të mëdhenj perandorakë: Turqve të rinj (1908-1912), Serbisë së Parë (1912- 1915), austro-hungarezëve e bullgarëve (1915-1918) dhe Mbretërisë SKS (1918-1924). Luftërat e tyre kishin karakter mbarëkombëtar dhe dirigjoheshin nga ideologu i madh, Hasan Prishtina dhe Komiteti i Shkodrës, i cili Azem Galicën kishte emëruar Kryekomandant. Se ata punonin me PROGRAM tregon fakti që, gjatë Kryengritjes së madhe të vitit 1919, e cila nisi në Drenicë e përfundoi në Llapushë, ishin të mobilizuar 11 mijë luftëtarë nga të gjitha trevat shqiptare, të gjithë nën komandën e Azem Galicës.

Azem e Shotë Galica ishin edhe dashamirës të mëdhenj të shkollës shqipe. Edhe vetë shkrim-leximin e mësuan gjatë qëndrimit trevjeçar në Junik nga mësuesi atdhetar Nimon Ferizi, ndërkaq në 8 kërkesat e tyre drejtuar Pashiqit, më kryesorja ishte ajo që të lejoheshin shkollat në gjuhën shqipe...

Në vitin 1923, Qeveria serbe u detyrua të lëshonte pe karshi luftëtarëve shqiptarë. Kështu u krijua Zona e lirë e Drenicës, që më shumë njihet si ARBËRIA E VOGËL, e cila fillimisht përfshinte të gjitha fshatrat e komunës së atëhershme të Prekazit e më vonë kufizohet në: Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë. Kjo bërthamë shtetërore, për ca vite rrezatoi atdhedashuri mbi të gjitha trojet shqiptare dhe frymëzoi luftërat për liri...
Në Beograd, atëbotë, reagimet ishin të ashpra. Më 11 tetor1923, deputeti i Kosovës, Jovan Magovçeviqi, i inatosur tha: ”Zotërinj, unë i kam dy vota: një si deputet i rregullt i Kuvendit Popullor dhe një si deputet i jashtëm i shtetit të Azem Galicës”.

Mirëpo, Serbia dinake, më 15 korrik 1924, ditën e tretë të Bajramit të Vogël, në mënyrë tinëzare, me mbi 12oo veta, ushtarë e xhandarë, e me shtatë topa, rrethojnë këto tri fshatra. Beteja qe e përgjakshme dhe zgjati gjithë ditën. Kryetrimi, me ata pak luftëtarë që i kishte aty, sepse shumica kishin vajtur nëpër shtëpitë e tyre për të festuar, arritën t’i çajë të tri rrethimet. Atë ditë të përgjakshme, nga të dy palët pati shumë të vrarë: 90 serbë e 83 shqiptarë, kryesisht pleq, gra e fëmijë (në Galicë 35, në Mikushnicë 23 dhe në Lubovec 24).

Kapedani i plagosur rëndë jetoi deri më 25 korrik 1924. Shokët e tij besnikë dhe e shoqja, Shotë Galica, trupin e tij e varrosen në varrin më të thellë në botë (73 m), në shpellën “Çuku që kërcet”, në malet e Përçevës.
Në krye të Çetës kreshnike u vu Shotë Galica, e cila me ca fëmijë jetimë kaloi në Shqipëri, derisa vdiq në mjerim të plot, më 4 korrik 1927, në Fushë- Krujë. Shteti shqiptar, trimëreshën Shotë Galica, e shpalli Heroinë dhe ia ngriti një Lapidar të mrekullueshëm në Fushë- Krujë, sot është në gjendje të mjerueshme e në Galicë e pret Azem Galica.

Edhe Azem Galicën, Sali Berisha, më 26. I. 1993, me dekretin nr. 435 e dekoroi me “URDHRIN E KLASIT TË PARË”. Para dy-tri vitesh edhe shteti ynë, Republika e Kosovës, i ndau dekoratë, por, për çudi, as sot e kësaj dite, asnjëra prej tyre nuk kanë arritur tek familjarët!

Banorët e kësaj treve, kolektivi i kësaj shkolle dhe mbarë shqiptaria kurrë nuk do të pajtohen me heqjen e emrit të Azem Galicës në shkollën e Kërpimehit të Podujevës në vitin 2009 dhe kërkojnë anulimin e atij vendimi të padrejtë e skandaloz. Heroizmi dhe luftërat 12-vjeçare të këtyre dy bashkëshortëve e bashkëluftëtarëve të pandashëm dhe e bashkëluftëtarëve të tjerë vunë themelet e lirisë së sotme dhe frymëzuan brezat deri në fitore. Shumë beteja të UÇK-së u zhvilluan dhe u fituan nën britmën e njëjtë: O prite, prite Azem Galicën!

Dhe, nuk thuhet kot: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë!
Ju faleminderit për vëmendje dhe urime busti i ri!
















Pas ceremonisë së pasur me një program të bukur artistik, përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle dhe zbulimit të bustit, të gjithë tok vajtëm në kullën e Azem Galicës në Galicë, ku drekuam dhe ia shtruam muhabetit për shtatë palë qejfe, duke dëgjuar muzikë të gjallë folklorike nga Vëllezërit Bajra...

Galicë, 12 Tetor 2016

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Bedri Tahiri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 36 vizitorë
Lexuar: 564 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi