Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Fotoreportazh: Në Prekaz të Epërm varri mbi treqindvjeçar i Prekë Kuçit
Publikuar më 20 tetor, 2016 në orën 17:11 ( ) Prof. Bedri Tahiri | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Gjurmëve të identitetit tonë të lashtë kombëtar

Sot, më 15 Tetor 2016, me djalin e axhës, Nasufin, ia mësymë Prekazit të Epërm. Dhe, para xhamisë, objekti i se cilës deri më 1938 kishte qenë selia e Komunës së Prekazit, na priste kushëriri ynë, profesori i filozofisë dhe shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Blerim Latifi. Kohë më parë kishim lënë një takim të tillë pune gjurmimi e hulumtimi. Kaherë e kam thënë dhe e kam vërtetuar së, i pari ynë, pra i fisit Kuç të Drenicës, ka qenë Prekë Kuçi, nga i cili mori emrin Prekazi.

Vendvarrimi i Prekës dhe Licës
Ai, diku kah fundi i shekullit 17 apo fillimi i shekullit 18, e themeloi këtë vendbanim. Dhe, etimologjia e këtij emri pësoi ndryshime: “I Prekajve”, “Prekaj”, “Prekas”, “Prekuç”, “Prekaz”. Kisha dëgjuar se i dihet edhe varri, por unë nuk e kisha parë dhe nuk e dija se ku gjendet. Dhe, gjatë zhvarrimit të eshtrave të nënës së Azem Galicës, Nënë Sherifes me bija e mbesa, më 18 Gusht 2016, në bisedë me Blerimin, mora vesh se ai, në bazë të rrëfimeve të pleqve e të parëve të tij, e dinte saktë atë varr.
Kështu që, sot, mbase i erdhi radha konkretizimit të kësaj nisme të mbarë, e cila lë të shërbejë si gur i parë i një ngrehine më të madhe për shënjimin e këtij përkujtuesi mjaft të rëndësishëm të historisë sonë...
Dhe, ç’të shohësh?!
Një oazë qetësie hyjnore, një lugajë në formë konike, një fole zanash. Në fund të saj, një si bunacë e ligatinë butësie, gufonte gurgullueshëm uji bilur. Një kompleks i mbërthyer livadhesh, si gërshetë nimfash, rrethuar me ara gjatoshe e, aty-këtu, ndonjë copë mali si baloshë larushe. E gjithë kjo brenda një emri: ATAVA.
Tej, lart në kodër, në një arë djerrinë, një dardhë dredharake dhe gjysmë e tharë. Aty, tek rrënjët e saj, dikur moti kishte qenë trualli i të parëve të Prekazit...
Në të mëngjër, po në një arë të papunuar moti, pronë e pasardhësve të Ahmet Delisë, nën hijen e dy dardhave të egra, njëra e tharë fare, e midis ferrave kulumbrie e drizave përzier me lule, pushonin dy varre të vjetra e gati të mbuluara nga tisi harrestar. Aty ishin paqësuar këtu e më shumë së tre shekuj më parë, dy shpirtrat e të parëve të fisit Kuç të Drenicës, Preka e Lica. Ja edhe gurët e zverdhur nga myshqet e të mbuluar nga bari...
Dhe, tek sodisnim kujdesshëm ata gurë që dëshmonin lashtësinë e etnitetit tonë kombëtar, në vesh më oshtinin ca si zëra të mekur lashtësie:
...Dikur moti, këtu erdhi e u ngulit Preka me një nipi të vetin, me Kolën, djalin e Bibës, i cili kishte ngelur në betejën e Kuçit në Mal të Zi. Një vëlla ishte ndalur në Bërjakë të Kolashinit e shumë anëtarë të tjerë ia kishte ngrënë lufta kundër anadollakëve. Me të kishin ardhur edhe dy vëllezër: Obri e Luta. I pari, Obri, zuri vend pak më tutje dhe e formoi Obrinë, ndërkaq tjetri, Luta, që ishte punëtor i madh, u vendos në Lug të Baranit, në Lutogllavë.
-Do të të martojë edhe njëherë, o baca Prekë, - i tha një ditë Kola si për mahi të ungjit, Prekë Kuçit.
-Jo, biro jo, tashti po u afrohem të gjashtëdhjetave!- qeshi ai, pa e marrë seriozisht fjalën e nipit, i cili ishte edhe shakaxhi i madh.
Por, jo, ai kësaj radhe e kishte pasur me gjithë mend. Dhe, doli në kodrat përballë, andej nga Përroi i Keq. Në një arë, po lëvronte me qe Marku. Ashtu, shpat me shpat, malësorçe, ndërruan ca llafe: “O Mark, a ma jep motrën Licë për bacin Prekë?”. “Po e pyes babëlokun!”. Dhe, pas pak, del nga kulla e ia lëshon një zë: “O nipi i Prekës, na qoftë për hair miqësia. Eja në kullë dhe na e sjell një dash të pjekur e një bucelë raki”.
Kështu, koha rridhte lumë e shtëpia e Prekës rritej e zgjerohej me djem e vajza e me nipa e mbesa...
Një ditë edhe Kola u largua nga këtu. Kaloi disa kodra më tutje, atje në lindje, në shkrepat bri Qyqavicës dhe e krijoi vendbanimin e ri me emrin Galica...Aty pranë, në perëndim, u ndal edhe një nip, ku zuri embrion Tërnafci...Por, mos harroni, të gjitha këto vendbanime: Prekazi, Galica, Obria, Tërnafci dhe Lutogllava, edhe pse u shpërndanë, gjithmonë e ruajtën këtë lidhje e afërsi gjaku dhe kurrë nuk martohen mes veti...Kështu na erdhi rrëfimi i parë, përcjellë nga tregimtari e pleqnari i shquar Hazir Lutfiu (1895-1980).
...Preka me të shoqen, Licën, ishin të fundit që dhanë shpirt si të krishterë, andaj e lanë porosi që të varroseshin këtu të vetmuar. Bile, Preka kishte vdekur shumë më herët. Fëmijët e shumtë i rriti Lica. Ata, me radhë u konvertuan në fenë e re, në islam, e ajo jo. Vdiq e krishtere dhe u varros pranë të shoqit,- na vegohet edhe zëri tjetër i rrëfimtarit të dytë, Bajram Haziri, djali i Hazirit...
***
-Është mirë që këto dy varre të rregullohen e këtu në ballë të tyre të vihet një pllakë përkujtimore,- thotë Blerimi, i cili këto rrëfime i kishte dëgjuar sa e sa herë si fëmijë atypari, duke më kthyer në vete nga ajo botë imagjinatave e përrallore, ku kisha tretur si në humbëtirën e pafund.
-Kjo është një punë e mrekullueshme dhe nuk duhet pritur as edhe një ditë,- u zbraza unë si me gurgule, i entuziazmuar nga kjo mrekulli. Nuk ishte pak: Një dëshmi kaq e vjetër e etnisë sonë! Një dëshmi se sa i pafuqishëm ka qenë pushteti turk në Drenicë. Një dëshmi se sa suksesshëm u kemi rezistuar asimilimeve të pushtuesve të përtej Dardaneleve. Këtë e sforcojnë edhe toponimet që flasin vetë: Livadhi i Kolbibës në Galicë, Guri i Kuq në Abri etj.
Pra, shkurt e shqip, kjo nismë e mbarë, duhet përkrahur nga të gjithë vullnetmirët.

Gurët e varreve gati të mbuluar
















Blerim Latifi midis kushërinjve galicas Bedri e Nasuf Tahiri
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Bedri Tahiri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 47 vizitorë
Lexuar: 811 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi