Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
TRI ROMANE NË NJË
Publikuar më 20 tetor, 2016 në orën 23:39 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
(Vështrim kritik rreth trilogjisë interesante të Tafil Durakut)

Tek shumica e romancierëve të sotëm në Kosovë vihet re se në librat e tyre mbizotëron tendencioziteti. Kuptohet se tendenca rrjedh vetvetiu nga mjedisi që është krijuar menjëherë pas lufte, e cila karakterizohet nga një amulli e jashtëzakonshme shoqërore e, në vend që të reduktohet, ajo po thellohet gjithnjë e më tepër.
Gjithashtu, përveç tendenciozitetit, këta shkrimtarë, në shumicën e tyre, ndryshe nga tradita tradicionale e deritashme, mundohen t’i japin zgjidhjen të gatshme lexuesit për situatën aktuale konfliktuoze që ka kapluar Kosovën dhe për të nesërmen e saj.

Ballinat e romaneve Porosi e Nënës, Lufta me dy biga dhe Gjëmë e Nënës
Përveç këtyre tipareve, që theksuam më lartë, autorët e kësaj gjinie letrare nuk i drejtohen një shtrese të caktuar të shoqërisë, sikundër është tipike në romane, por gjithë masës së lexuesve të të gjitha rretheve shoqërore, sikundër janë edhe tre “romanet e shkurtër” të Tafil Durakut, për të cilët e nisëm këtë shkrim.

Parë në këtë aspekt, mund të themi se romani tendencioz kosovar besoj se e kryen plotësisht funksionin e vet; kjo për të vetmen arsye se e shkallmon optimizmin e mirëqenies fals që mundohen ta ngulisin politikanët e Kosovës në mendjen e popullit të saj gjatë këtij fillimshekulli, dhe ngjall dyshimin për pandryshueshmërinë e kësaj politike konfliktuoze, e cila ka premisë ta rrisi ndasinë midis shtresave të popullsisë, e, edhe midis partive politike e masës së gjerë të popullit. Veçanërisht e tillë është trilogjia e Tafil Durakut, për të cilën do të ndalemi në këtë analizë, pavarësisht se autori i ka me tituj të ndryshëm të tre romanet e shkurtër të kësaj trilogjie.
Pse them se kemi të bëjmë me një trilogji?
Sepse kemi tre libra të karakterit dramatik tregimtar që përshkojnë dy periudha të ndryshme kohore, njëra pas tjetrës, në antitezë mes tyre, por të menaxhuara nga të njëjtët protagonistë, por që protagonistët nuk emërtohen, pavarësishtë se nënkuptohen, dhe ata janë drejtuesit politikë të të dy periudhave kohore për të cilat bën fjalë trilogjia e Tafil Durakut. Me një fjalë, kemi tre libra të bashkuar nga e njëjta ide e autorit.
Mirëpo, cila është e veçanta e kësaj trilogjie?
Këtu kemi të bëjmë me një rast unikal. Të tre librat autori i titullon “roman i shkurtër”. Dhe ashtu janë: shumë të shkurtër. Libri i parë është vetëm me gjashtë fjali; i dyti vetëm një fjali me shtatë fjalë, dhe i treti me pesë fjali. Kjo është e gjithë trilogjia: me dymbëdhjetë fjali!
Bazuar në këtë përmbajtje tepër lakonike, mendoj se nuk gaboj t’i quaj edhe “romane maksimë” ose “romane miniaturë”, ngaqë autori ngërthen në vetvete një të vërtetë morale të dy dekadave kohore, thjeshtë me një a pesë-gjashtë shprehje të shkurtëra. Autori i cilëson këta tre libra “roman”, për të vetmin fakt ngaqë shpreh atë çka ai synon të shohë në jetën e popullit që jeton në Kosovë, atë që, sipas mendimit të tij, duhet të jetë kryesore dhe përcaktonjëse për Kosovën.
A kemi shembuj të tillë të tjerë në letërsinë shqipe ose atë botërore?
Po, kemi romane të tillë të shkurtër, por jo trilogji, as dilogji, thjeshtë roman të shkurtër njëvëllimësh. Dhe të tillë janë, për shembull, dy romanet e Maksim Gorkit: “Zgalemi”, me gjashtëmbedhjetë fjali, dhe “Kënga e skifterit”, me katër faqe. Pavarësisht se këta dy romane të Gorkit, më së shumti kritika letrare i ka trajtuar si prozë poetike, megjithatë, ata autori i ka quajtur roman.
Në këtë trilogji Tafil Duraku përqëndrohet në historinë e luftës për çlirimin e Kosovës dhe në periudhën e menjëhershme të pasluftës, deri në ditët e sotme që po shkruajmë këtë analizë, nëse do ta quajmë të tillë.
Kushdo që e lexon këtë trilogji, brenda një minute ai mëson se si u zhvillua ajo luftë, e cila na jepet në librin e parë: “Lufta me dy biga”, në të cilën, përmes dy antitezave dhe një piskame, autori i thotë lexuesit se ajo luftë u bë me dy biga, dy maja, luftë që e vuri pjesën më të madhe të popullit në gjendje të vështirë, në dilemë, duke mos ditur nga cila bigë të anonte, nga ajo pacifiste tepër atraktive apo nga ajo luftarake; prandaj dhe ndodhi ajo që s’duhej të ndodhte, të cilën duhet ta pranojmë se asgjëkund në botën e qytetëruar, ku vetëm një përqind e popullit guxoi të rrëmbente armët për t’u çliruar nga pushtuesi shekullor!
Antiteza e parë, na tregon se si ngjau gjatë luftës: “Atje ku luftohej, nuk kishin as bukë për të ngrënë, as armë tamam për luftën - Atje ku ahengohej, s’u binte ndër mend për luftën, kishin meze e raki me tepëri.”
Antiteza e dytë, na tregon se çfarë ndodhi menjëherë pas luftës:
“Ata që luftuan mbetën udhëve të atdheut e të botës! – Ata që u ahenguan kapën për fyti shtetin, po katërthihen “pozitivisht”, si macet mis(h)eve të përvjetshëm!”
Ndërsa në kulmin e pezmatimit, Nëna Kosovë i kërkon ndihmë Europës, duke vënë ulërimën:
“E, u ropa kështu, siç po rjepem dhe prej vetërjepjes sime “pozitive”, piskas në kupë të qiellit: Europaaa!”
Dhe pas asaj piskame autori na tregon shkakun se pse mbërriti në këtë piskamë ulëritëse: “Medet, këtu të bie lufta me dy biga të t’liga!”
Përmes këtij shpjegimi kaq të shkurtër, në formën e një maksime, autori i thotë lexuesit, se të dy bigat, të dy majat, ja kishin popullit me hile dhe, si të tillë, nuk duhen besuar shumë.
Dhe sot, po ata protagonistë udhëheqës të dy bigave, a dy majave, kërkojnë ta mbulojnë diellin me shoshë, artificialisht kërkojnë ta zbusin atë turp që ata i bënë Nënës Kosovë, ndaj dhe po hartojnë lista veteranësh, duke shpallur të tillë edhe ata që kanë bërë një a disa poezi për UÇK-në ose që kanë kontribuar me ndonjë shumë parashë nga emigracioni, me qëllimin e vetëm për ta çuar numrin e atyre që rrëmbyen armët nga një përqind që ishte në fakt, në 2,5 përqind, përmes një Komisioni Qeveritar të përzgjedhur me kokrra.
Në librin e dytë, ”Porosia e nënës”, autori i tregon lexuesit, se ajo përçarje e popullit gjatë luftës detyrimisht që do të krijonte pas luftës një mjedis më përçarës e më konfliktuoz, duke u bërë popull e politikanë lesharapi, duke i “ngrënë” kokën njëri-tjetrit. Dhe Nënës Kosovë nuk i pëlqen kjo grindje e këto zënka marramendëse, prandaj dhe u lutet, siç di të lutet veç nëna: “Bijtë e Nënës, mos u gropaconi, ju pastë Nëna!”
Ndërsa në librin e tretë, “Gjëmë e nënës”, autori i thotë lexuesit se konflikti, korrupsioni, djallëzitë, intrigat, vjedhjet e pasurisë kombëtare prej pushtetarëve e politikanëve kanë arritur gati kataklizmën e Kosovës, ndaj dhe Nëna nuk duron më: i mallkon. A mallkojnë nënat? Ka raste, kur bijtë duan ta vrasin atë dhe gjithë pjestarët e familjes Kosovë. Dhe ky është rasti i Nënës Kosovë thotë autori:
“Më plastë për së gjalli, bijtë e Nënës, po më hani mish të gjallë e m’ qit’t krudantë prej kresë! Kurrë s’mblodhët mend!... Mos e pafshi ditën tuaj!”
Sikundër shihet nga përmbajtja, për të arritur forcën shprehëse më të madhe e për të pasur më tepër efekt, autori, edhe pse kaq i kursyer në fjalë, përmes një lakonizmi ekstrem, ai gjen dhe përdor me vend fjalë të vjetra me taban iliro-shqiptar, duke i zgjedhur ato me kujdes, si p.sh fjala “kurudan”, “katërrithen”, “gropacim” etj. Dhe, këtë autori e bën për ta përforcuar artistikisht atë që ai kërkon t’i thotë shoqërisë.

Tafil Duraku















Por, e veçanta tjetër e romaneve të tij shumë të shkurtër është se ai protagonistëve të trilogjisë nuk u këndërvë heronj, sikundër është veçoria karakteristike e romanit përgjithësisht, por Nënën Kosovë, në bazë të ëndërrimit të tij konformë idealeve të luftës për çlirim, të cilat ende nuk mbisundojnë në jetën shoqërore aktuale të Kosovës, por, përkundrazi, janë në vdekje e sipër, pavarësisht se këtë luftë autori e kritikon për mënyrën se si u menaxhua ajo.
Dhe, bazuar në të gjithë këtë vështrim, mund të themi se kjo trilogji e veçantë është një romantizëm i llojit të vet përparmtar, ndaj dhe me të drejtë mund ta cilësojmë romantizmi i Tafil Durakut.

Dilaver GOXHAJ

Tiranë, më 10. 10. 2016

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 33 vizitorë
Lexuar: 326 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi