PA JU GJENERALË, AS LIRIA NUK E KA KUPTIMIN LIRI!
Lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit ndaj rastit “Drenica II” ku të akuzuarve u konfirmohet dënimi i shkallës së parë.
Faqja e parë-e zezë, e Gjykatës së Apelit në ditarin e posashkruar!
Proceset “Drenica 1”, “Drenica 2” si dhe shumë procese tjera kundër çlirimtarëve janë shenjat epidemiologjike që kërkojnë diagnozën shëruese, sepse kjo është alarmante dhe e kuptueshme se në proceset e montuara gjyqësore qëllimi politik është; të dënohet lufta çlirimtare e popullit të Kosovës. Prandaj, mund të themi se kur padrejtësisht dënohet Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe bashkëluftëtarët tjerë në këso procese, atëherë mos e thoni së nuk po gjykohet e dënohet lufta e drejtë dhe e shenjt çlirimtare! Mos thoni se nuk po dënohet populli liridashës, sepse kur dënohen ata që luftuan për lirinë e popullit, ata që me vullnet dolën përball makinerisë armike, për liri të popullit, atëherë nuk mund të thuhet së nuk po dënohet vet populli.
Dënimi i komandantëve të UÇK-së, të ZO të Drenicës, Gjeneral Sylejman Selimi, Sami Lushtaku e bashkëluftëtarëve tjerë të këtij “Grupi” të imagjinuar nga “drejtësia” e drejtuar nga të padrejtit, përbën shembullin më të rëndë të padrejtësisë ndaj luftës së drejt çlirimtare, kjo na solli hidhërimin dhe dëshpërimin më të madh pasluftës. Kjo “drejtësi”, duhej të godas aty dhe ata që shkaktuan djegiet e shkatërrimet, torturat e dhunimet, gjymtimet e vrasjet mbi popullin shqiptar, e jo të godet aty ku plagët janë ende të pashëruara. Dënimet e luftëtarëve të lirisë nga kjo “drejtësi” janë shembullin më i keq dhe mesazh jo i mirë për demokracinë. Aty ku tentohet të krahasohen e të barazohen kriminelet me çlirimtarët, nuk ka e as i vije era drejtësi!
Drejtësia vendore dhe ndërkombëtare është dashtë dhe duhet të merret me hetimin e krimeve dhe dënimin e kriminelëve të vërtetë që janë kryer gjatë kohës së luftës, nga formacionet policore ushtarake serbe, e jo të hetohen, të dënohen e të diskriminohen çlirimtarët që luftuan për ndalimin e këtyre forcave të shfrenuara.
Gjeneral, mbahu ashtu siç u mbajte nëpër vijat e frontit, sepse jam i sigurt së do ta sfidosh e do ta fitosh edhe këtë betejë. Lufta juaj për liri ishte shembulli më i mirë i asaj kohe, derisa kjo lufta për liri në liri është shembulli më i shëmtuar i “drejtësisë”!
Populli liridashës, bashkëluftëtarët tu të vërtet, deri edhe fëmijët që linden në male mbajnë respekt për ty e për shokët tu që u dënuat padrejtësisht me shpifje e thashethëna të endacakëve me pupla të zeza.
Lirimi i juaj është vlerësimi i sakrificave tuaja dhe të popullit shqiptar për liri!
Dibran Fylli
Ish - pjesetar i Brigades 113 "Muje Krasniqi" te ZO te Drenices dhe Shef i Trupes Artistike Ushtarake "Hamez Jashari" te UCK-se dhe te TMK-se.
Açarevë, 25. 10. 2016
|