Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
“SHQIPËRIA, DESHËN S’DESHËN TRADHTARËT, DO TË BËHET!” (2)
Publikuar më 12 nntor, 2016 në orën 14:15 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
Këtë intervistë po e organizojmë dhe po e bëjmë në 65-Vjetorin e tij të lindjes dhe në 42-Vjetorin e krijimtarisë së tij në fusha të ndryshme të artit politik e letrar, vjershëtor e prozator. Multidimensionaliteti i tij krijues shtrihet në shumë fusha të kulturës e të letrave tona shqiptare: në politikë, në letërsi, në prozë, poezi e dramaturgji.

Afrim Morina
Shqetësimet tuaja kombëtare e atdhetare, kapen në çdo vepër letrare, qoftë në poezi, qoftë në prozë, në drama, monodrama e publicistikë, përgjithësisht, ku është burimi i tyre?

Burimi?! Rruga nëpër të cilën kaloi kombi i im, nëpër të njëjtën rrugë kanë kaluar edhe familjet patriotike, që ia kanë vu gjoksin përpara armikut. Thënë ushtarakisht, janë munduar të jenë parzmore, se vetëm me parzmore mund të mbrohet jeta dhe,atëherë, atdheu ka këtë kuptim-jetën! Nëpër cilën rrugë ka kaluar kombi gjatë këtyre viteve, ka kaluar familja ime, unë dhe shumë familje në Shqipërinë e robëruar. Gjithë veprimtaria e ime letrare dhe publicistike materien e ka marrë mu nëpër vitet e kaluara nëpër ecejake luftash e zjarri për Atdhe e Liri, nëpër rëniet e ngritjet e kombit tim dhe luftat e pamëshirshme, nëpër kohë, të dy taborreve: atij kombëtar dhe të armiqve shqipfolës, por, që, fatkeqësisht, asnjëherë nuk kemi arritur ta mposhtim këtë të dytin dhe mu për këtë jemi ku jemi. Sepse, i dyti ka pasur për “kapital” “intelektualët” deri në thirrje akademike, ka pasur për kapital edhe një kategori të ish të burgosurve politikë, e, që, viteve nëntëdhjeta e këtej, shumica janë drejtuar andej kah ishte grazhdi plot, ka pasur për kapital propagandën e verdhë, ka pasur për kapital kolonën e pestë, ka pasur për kapital edhe ndihmën e miqve tanë, dhe, në hapësirën tonë kombëtare i ngulën tri thika: në Prishinë, Ibrahim Rugovën, në Tiranë, Sali Berishën dhe në Shkup, Arbër Xhaferin. Këta kishin për mision ta shthurnin levizjen kombëtare, që, në vitin 1990, kishte prekur çdo cep të atdheut, prandaj, vepruan si në mitologji, shpërqëndrimin e rrugëtimit të korrilave.

Kryesorja është, se edhe ti dhe unë e shumë shokë tanë, jemi të edukuar në shkollën kombëtare të Tiranës dhe jo në ato të Beogradit, Athinës dhe të Stambollit, sepse, edhe familjet tona kanë kontribuar që të marrim mësimimet në atë shkollë dhe i gjithë brumi i tajtuar në prozë, poezi, dramë e publicistikë është marrë nga qëndresa e kombit tim, por, edhe fillozofia politike që e trajektoj, brumin e ka mu aty.

Kujt i takon barra e përgjegjësisë morale e penale, për situatën që mbretëron e na ka mbërthyer keqas tash e dy dekada, pas luftës së lavdishme të UÇK-së?

Përgjegjësia morale na takon të gjithëve, por, në radhë të parë, ish të burgosurve politikë dhe LPRK-së. Këtyre dyjave, sepse, janë të parat që e harruan misionin e tyre dhe pranuan, madje, edhe e forcuan programin e “autonomisë substanciale”, në krye me Rugovën. Këta filluan të veprojnë kundër të kaluarës së vet, dhe, në pah doli qëllimi për të qenë figura publike, të respektuara nga të huajt, në emër të një lëvizjeje që nuk ka ekzistuar kurrë dhe krijuan taborrin e ndarjes, tash, përbrenda kombit, që dikur ishte i theksuar kundër armikut. Kjo kategori u mundësoi misioneve të huaja për ta topitur tehun e revolucionit, që, në fundvitet e tetëdhejta dhe në vitin 1990 u alarmua e gjithë bashkësia ndërkombëtare për masivizimin e demonstratave edhe nëpër fshatra. Evropa dhe SHBA-të mundoheshin ta mbanin në këmbë të sëmurën e Ballkanit, me çdo kusht, dhe, kjo kategori ishte e vetmja që mund ta kryente punën e misioneve në cilësinë e misionarëve. Sot, këta i kemi emra të harruar në lëvizjen kombëtare, sot, kur kanë mundur për ta bartur gjithë rezistencën mbi shpatulla dhe sot do të kishim folur për të merituarit si dëshmorë, invalidë, veteranë të UÇK-së, por, edhe për dëshmorët, invalidët dhe veteranët e lëvizjes kombëtare.

LPRK-ja, në fillim e tumiri këtë lëvizje, u bë argat i saj, ishte prijatare për regjistrimin e anëtarëve të LDK-së, sipas marrëveshjes që ishte arritur në mes Rugovës dhe Bejadin Hallaçit. Rugovizmi, e shtriu shtratin e vet në gjithë territoret e Kosovës, madje, filloi edhe ta koordinojë politikën me Riza Halimin për Luginën e Preshevës dhe e dërgoi Arbër Xhaferin për misionar në Maqedoni.

Këto dy kategori, sidomos, e para, ua mundësuan zbatimet e misioneve që kishin “miqtë” tanë për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, pasojat e të cilave i patëm para, gjatë dhe pas lufte, e, po vijojnë deri në ditët e sotme.

Ndërsa, përgjegjësia penale kapë një rreth pak më të ngushtë. Ai rreth shkon në strukturat politike, si kreatore dhe zbatuese të misioneve të huaja, të artikuluara dhe elaboruara në Beograd, nga ASHAS dhe nga kisha ortodokse sllave. Këtu, dalin emra të përveçëm, që nga themelimi LDK-së me punktet e saj, për të krijuar “pluralizëm” politik, duke i vënë në shënjestër të burgosjeve e përndjekjeve, të gjithë ata që mundoheshin ta bënin zgjimin kombëtar, FRBK-në, LKÇK-në, LPK-në dhe UNIKOMB-in. Kjo kulmoi me burgosjen dhe mosinteresimin e zbardhjes së fatit të Ukshin Hotit.

Ndërsa, përgjegjësi penale, për paslufte, duhet kërkuar te ata të cilët ishin bartës zyrtarë të luftës, të cilët, në emër të gjakut të dëshmorëve, krijuan karriera politike, duke e keqpërdorë epokën më të lavdishme të kombit në historinë moderne, për të zhvatur gjithçka që u ka ardhur ndoresh. Sikur këta të kishin qenë në nivel detyre edhe pas luftës, të parët - as që kishin guxuar ta çelnin gojën. Këta mundësuan ta kemi Isa Mustafën në krye të Qeverisë, i cili zbaton detyrat që i ka marrë nga KOS-i dhe, në vazhdimësi, amnistuan gjithë sorrollopin, deri edhe në cilësinë e UDB-ashëve, madje, edhe “Rojet e Urës” (elitën paramilitare serbe), për t’i pozicionuar edhe deputetë, ministra, zëvendësministra, kryetarë bordesh e drejtorë institucionesh, në njërën anë, ndërsa, në anën tjetër, i injoruan njerëzit që e kanë bërë historinë.

Sigurisht, dikush mban përgjegjësi, por, duket se tek ne shqiptarët, faji është gjithmonë jetim? Mos na mësoi kështu robëria e gjatë dhe servilët që i shërbyen çdo robërie?!

E thashë edhe më lart se kush janë përgjegjësit, një pjesë bukur e mirë, kanë për të më sharë, sepse, ua kam “cenuar ndërgjegjen”. Kjo është ikje nga përgjegjësia, flas për ata që ia kanë bërë argatin falas së keqës, sepse, votuesi nuk ka asnjë përfitim, por, shtypi i verdhë ia përtypë sipas oreksit që ka akëcili votues, për akëcilin lider, pushtetar e kuvendar. Ne, nuk duhet t’i amnistojmë, sepse, kanë shkuar aq larg, sa, jemi në zgripc të vendimmarrjes, për të ecur përpara në frymën e gjakut të derdhur me shekuj dhe betimit të dhënë, apo, për ta pranuar shtratin e Prokrustit. Duhet pasur guxim intelektual e kombëtar, për t’ua drejtuar gishtin larove e honxhobonxhove, siç kemi bërë edhe ne dy me disa shokë, gjatë gjithë kësaj periudhe, për të cilën ndërlidhen këto dy pyetje. Ky guxim mungon, mu për këtë ende i kemi të paprekshëm, prandaj, duhet vepruar për t’i vënë para përgjegjësisë historike.

Si ndodhi që numri i “veteranëve” të UÇK-së të shkojë aq lart? Cilat, sipas jush, ishin kriteret e marrjes së statusit veteran apo luftëtar i UÇK-së? Apo, gjithçka po i lehet stihisë, akraballëkut, farefisnisë e fiseve të bajraktarëve e të bajraktarizmit politik e intelektual provincial?

Departamenti i vlerave të luftës ka filluar së funksionuari në Janar të vitit 2004. Ky Departament, ka qenë dashtë t’i marrë regjistrat nga Komandanti i UÇK-së dhe nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Republikës së Kosovës, si organe që kanë disponuar me regjistra bazë dhe për këtë ka pasur shënimet shumë të sakta. Kjo vonesë e shkaktuar qëllimisht, deri në vitin 2015, ka qenë më tepër për t’i parë rrjedhat e deriatëhershme, për të krijuar mundësi manipulimi me shifra, të të gjitha kategorive.

E para, koha prej kur llogaritet për të qenë veteran, është e jashtëligjshme. E jashtëligjshme, sepse, bie ndesh me vetë datën e formimit të UÇK-së, që ka qenë dashtë të jetë Gushti i vitit 1994. Marrja e datës, 31 Dhjetori i vitit 1991, jep për të kuptuar vetëm veteranët e rezistencës kombëtare, kategori e cila nuk njihet me asnjë ligj. Kjo datë është marrë, vetëm për ta mundësuar shpëlarjen e të kaluarës, se, ka qenë dashtë të rehabilitohen shumë eksponentë të LDK-së, që kanë kaluar në struktura politike e ushtarake të UÇK-së, në momentin e shtrirjes së saj në terren, gjoja se ata kanë ndihmuar dhe kanë vepruar në një mekanizëm ushtarak “ekzistues”. Këtu kemi edhe një lojë, që, në emër të PDK-së, e ka luajtur Jakup Krasniqi me Ismet Beqirin e LDK-së, që u ka konvenuar të dyja palëve, përfshirjen e kësaj periudhe kohore. Edhe publikisht e kam thënë, për ta plotësuar kohën e veprimit ushtarak, në Shqipërinë e robëruar, për periudhën e 31.12.1991, dëshmitë mund të merren në dy makanizma ushtarakë të kohës FRBK dhe më vonë në LKÇK, deri në themelimin e UÇK-së, sepse, kjo e fundit nuk ka ekzistuar.

Titullin e veteranit mund ta gëzojnë vetëm ata të cilët kanë qenë në struktura politike e ushtarake, që nga themelimi e deri në mbarim të luftës. Ndërsa, për ushtarët kjo kohë duhet llogaritur nga momenti i armatosjes deri në mbarimin e luftës, e jo siç ka ndodhur, këtu, te ne. E, për ta mundësuar lojën për këtë mishmash, është emëruar Agim Çeku si kryetar, personi që nuk ka pasur të drejtë statutare e ligjore për ta udhëhequr, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, komisionin e krijuar me baraspeshë, pra, edhe nga ata të cilët e kanë quajtur UÇK-në si kreaturë të Millosheviqit, jep për të kuptuar, se, është lënë hapësirë për të pamerituarit, që të përfshihen në këto pesë kategori.

Duke u shkelur këto dy parime thelbësore, situatën e ka pasur në dorë farefisi, dajallarët, miqësia, partia dhe paraja. Njoh njerëz që e kanë plotësuar kriterin, për çdo kategori dhe nuk janë marrë parasysh, por, edhe të tillë që nuk kanë qenë fare në rrjedha të ngjarjeve, madje, edhe që e kanë sharë e mallkuar UÇK-së, e, sot, janë veteranë, të plagosur, e, madje, edhe dëshmorë.

Po kontributi i atyre atdhetarëve e shqiptarëve që nuk kanë qenë anëtarë “par(t)ishë” e “Lëvizjesh”, po kanë qenë pjesë aktive në të gjitha proceset dhe zhvillimet kombëtare, ku do mbetet dhe a do t’u njihet ndonjëherë atyre njerëzve? Cila histori do t’ua njohë kontributin dhe meritat?

Kur kam folur për veteranët e rezistencës kombëtare, mendoj se i kam përfshirë të gjithë ata të cilët kanë vepruar e veprojnë për çështje kombëtare. Nuk do të thotë, se të qenit në ndonjë lëvizje apo subjekt politik, u jep të drejtën të krekosen, për punën e bërë, në të mirën e atdheut. UÇK-ja është dëmtuar më tepër për shkak të teserave të partisë, sepse, krijohet disproporcioni në mes të shtrirjes gjeografike me atë të komandimit, si shprehje aritmetike.

Veprimtaria matet me veprat e bëra, me shkrime e analiza, për situatat në të cilat gjindej dje, e sot, kombi. Matet edhe me vepra letrare, se si e trajton çështjen kombëtare, çfarë mesazhi dërgon te lexuesit dhe sa arrin ta mobilizojë masën. Veprat janë ato që i masin veprimtarët. Unë, sot, nuk kam asnjë teserë partie, mirëpo, puna ime, këto vite të pasluftës, do të dëshmojë, i kam shërbyer kombit apo jo. Unë, nuk bëj vija ndarëse të shqiptarëve në këtë mënyrë, por, ndarja ekziston në punën e akëcilit qytetar. Edhe partitë ekzistuese, në territoret shqiptare, kanë në gjiun e vet burra e gra të denja për çështjen kombëtare, por, ato i ka mundur e keqja, përmes programeve. Besoj, se, një ditë, do ta marrin guximin dhe t’u thonë lamtumirë programeve qytetare dhe do të rreshtohen për kauzën e drejtë kombëtare. Ky, fillimisht, do të jetë 20%, për të hapëruar, pastaj, drejt synimit historik. Pikërisht, te këta, unë, kërkoj rreshtimin në tëbanin kombëtar, për ta drejtuar çëshjen drejt dhe guximshëm.

Nuk besoj se ka tjetër borometër për ta matur më mirë punën e akëcilit veprimtar, sepse, në fund të fundit, ne, përmes mësimit dhe faktografisë së historisë, kemi nxjerrë përfundime për figura kombëtare, edhe pse hitoria, shumë herë, është treguar njerkë.

Pse po na përsëritet dhe pse po na hakmerret historia kaq keq? Cilët janë shkaktarët?

Shumë faktorë bëjnë pjesë në përsëritje dhe hakmarrje nga historia. Kjo merret, se, si e vlerësojmë ne një epokë të historinë dhe në çfarë parametrash e bëjmë vlerësimin, sepse, të shumtën e herës historianë dhe shkrimtarë mendojnë se historia duhet shkruar sipas apetiteve politike, lideriste, familjare, karrieriste, farefisnore, të parave, etj. Historia është ajo që ka ndodhur dhe ajo që kemi pasur dëshirë të ketë ndodhur dhe do të ndodhë në vijimësi. Shembuj të tillë, sot, ka përplot, në histori, kur zhveftësohen figurat e mëdha kombëtare dhe në vend të tyre vlerësohen figurat bashkëpunëtore ose edhe më e keqja, tradhëtare, që, në këtë kohën tone “demokratike”, kemi shembuj të shumtë. Të paktën, ne, shqiptarët, kemi përse të flasim dhe si duhet vlerësuar historinë, sepse, nuk ka përfunduar asnjë dhjetëvjetësh pa pasur zhvillime politike dhe në këto zhvillime kemi pasur gjithnjë dy taborre, dhe, nuk ka mundësi që veprimtarët kombëtarë të zëvendësohen me taborrin tjetër, që i ka mundësuar armikut ta kryejë misionin e vet pushtues. Kjo ka ndodhur edhe në LDB, ku, në të njëjtën betejë të vitit 1944, në një front vriten dy veta. Ai që ishte në radhët e partizanëve kishte titullin e dëshmorit, dhe, Sali Berisha, në vitin 1995, e shpallë dëshmor edhe ushtarin tjetër, që e kishte uniformën e nazizmit!? Kur ka pasur moral ta bëjë një veprim të tillë, që, në dukje, është shumë i vogël, paramendo se sa ka vepruar për kohët dhe frontet e ndara. Ai, për ta rehabilituar Esadin, kritikon Nolin, do të thotë kritikon elitën kombëtare që përndoqi, vrau dhe syrgjynosi Zogu. E inicoi edhe lojën për t’ia ndërruar emrin Universitetit të Vlorës, që mbante atë të Ismail Qemalit, që, në përvjetorin e pavarësisë të mos figuronte emri i Tij. Pastaj, kemi shembullin konkret, në një fshat të Besianës, një shkollë që mbante emrin e Azem Bejtës, sepse, aty i ishte dhënë bekimi për t’i udhëhequr çetat kaçake nga Hasan Prishtina dhe figurat e tjera kombëtare të kohës, i heqet emri dhe e zëvendësojnë me emrin e gjyshit (hoxhë) të Fatmir Sejdiu (atëherë, President). Kjo, po bëhet edhe me kërkesa politike nga jashtë. Shembulli tjetër, Presidenti dhe Kryeministri i Turqisë, kanë kërkuar që të pastrohet fjalori në historinë tonë, sepse, ata nuk kanë qenë pushtues(!), nuk na kanë djegur e vrarë, nuk na i kanë therrur edhe me bajoneta nënat dhe gratë shtazëna e nuk na i kanë prerë fëmijët në djepa, sipas urdhërit të Mehmet Pushtuesit II, për të mos u lejuar shumimi i farës së djallit, nuk na i kanë marrë të mirat materiale, nuk na i kanë marrë djalërinë për nizamë nëpër skajet e perandorisë së tyre, se nuk është e vërtetë se na kanë penguar në shkollim, etj. gjatë periudhës 500-Vjeçare. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja e tumiri këtë, thua se Ai ishte personi që mund të vendosë se si të shkruhet historia. Për çudi, thirrjes së Qeverisë turke, me entuziazëm, i përgjigjen edhe disa palohistorianë, që kanë bërë disa ndërhyrje.

Ne, edhe sot, nuk i respektojmë ndodhitë historike të këtyre njëzeteshtatë vjetëve. Shikoni çfarë u ofrojnë historianët mjeranë fëmijëve tanë për historinë. Secili, për t’u bindur me realitetin, mund ta shohë: sa hapësirë ka rugovizmi, UNMIK-u dhe UÇK-ja?!!!

Derisa ne i bëjmë gjithë këto lojëra me histrorinë tonë, një material shumë i thukët dhe i yshtur nga misionet e huaja, krijon edhe taborrin mbrojtës të vlerave historike. Nëse shkon kështu, siç ndodhi me kërkesën turke, me Malin e Zi, Maqedoninë dhe nesër me Serbinë, djemtë dhe vajzat shqiptare nuk do të lejojnë të përdhoset historia kombëtare dhe do të merren më me ngulm me këtë problem, për të mos na u përsëritur dhe për të mos na u hakmarrë historia
Shqiptarët, do t’i rreken më me seriozitet bashkimit dhe, në rrugëtim e sipër të saj, edhe do ta bëjnë pastrimin e historisë!
(Vijon...)

Për albaniapress, Intervistoi: Tafil DURAKU

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 63 vizitorë
Lexuar: 1,104 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi