Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
SULOVA NËN PUSHTIMIN AUSTRO-HUNGAREZ TË VITEVE 1916- 1918
Publikuar më 18 nntor, 2016 në orën 00:36 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Lufta e Parë Botërore, që plasi në fillim të vitit 1915, mbuloi në përpjestime të mëdha Evropën.Por shpërthimi i kësaj lufte pati pasoja të rënda edhe për shtetin e pavarur, dhe ende të pakonsoliduar shqiptar. Shqipëria u pushtua nga të dyja grupimet e forcave ndërluftuese. Në vitin 1916 pushtuesit austro-hungarezë e shkelën Shqipërinë nga Shkodra deri në Jug. Edhe Sulova ishte ndër ato krahina të Shqipërisë që bënte pjesë në zonën e pushtuar prej austro-hungarezëve. Studius, historianë të shumtë kanë shkruar për këto ngjarje. Por si njohës i historisë së Sulovës mendojmë të ndalemi shkurtimisht këtu, të mbështetur jo vetëm në dokumenta arkivore, por edhe gojore, për ngjarje që ndodhën.

Pushtuesit austro-hungarezë u përqëndruan në Sulovë me një garnizon ushtarak në lartësitë shkëmbore të Goricës së Çobanit, Goricës së Çalës, Qafën e Grekanit, Ponepth, Qafë, Radësh. Ato ishin dhe qëndrat e zjarrit dhe vijë fronti ndërluftuese me francezët dhe italianët. Sipas historive të shumta gojore përqëndrimi i forcave austro-hungarez në krahinën e Sulovës pati pasoja të rënda për popullsinë.Ata shkretuan pyje, grabitën pasurinë e banorëve, drithëra buke, bagëti, etj Ndërkohë banorët ishin jo vetëm të destinuar t’u vidhej malli, por duhej t’i dorëzonte forcave pushtuese bagëti, dru zjarri, dridhëra. Në një raport tepër sekret të Komandës austriake në Shqipëri, datë 16 .06 . 1918 thuhej: ‘‘...territori i okupuar prej nesh duhet të dorëzojë 1732 gjedhë, 5813 krerë bagëti të imta në muaj...’’.Familjes së madhe Qevani në Qafë i vodhën pasurinë, bagëti, drith dhe disa prej tyre i larguan me forcë nga vendbanimi. Një nga pinjollët e kësaj familje, Besnik Qevani tregon: “Nemset (ushtarët austro-hungarez) e shkatërruan fisin tim. Ata pranë shtëpive të parëve tanë në Qafë ndërtuan kampin dhe morën të gjithë mallin”. Por krahas zhvatjes së pasurisë së banorëve, pushtuesit austro-hungarez morën me forcë njerëz për punë.Por se në fillim pushtuesit austro-hungarezë u paraqitën si miq në Shqipëri. Investuan dhe ndërtuan rrugë, hekurudha, ura, etjer. Një fakt interesant e gjejmë në “Enciklopedia Elbasani”, faqe 25 ku thuhet se: “gjatë periudhës austro-hungareze u hapën shkolla në fshatrat Shelcan, Gjinar Zavalinë, Mollas, Shtërmen, Polis, Fushbuall, Shmil, Floq etj. Me qëllim që të transportonte dhe të furnizohej sa më shpejt, ku mungonin mjetet moderne të transportit, ushtria austro-hungareze, ndërtoi një rrugë treni (dekovil). Binarët e kësaj rruge ishin të ngushta 0,65 m. Kjo rrugë tren që vinte nga Shkodra, ku ishte Komanda e lartë Autriake për Shqipërinë duhej të kalonte edhe në luginën e Devollit në Sulovë për në Berat.Në toponiminë e Sulovës së Poshtme njihet rruga tren. Sipas historive të transmetuara deri në ditët tona rruga tren u ndërtua deri në Selitë, fshatin e fundit të Luginës së Devollit në Sulovë. Për ndërtimin e kësaj rruge tregohej se shumë banorë sulovarë kanë punuar angari për muaj me radhë në hapjen e rrugës së trenit. Të moshuarit e kësaj krahine tregojnë se Selman Deliu punoi dy vite me radhë për trasenë e kësaj rruge. Në lumin Devoll mbi këmbët e urës së vjetër u ndërtua një urë e vogël druri me shina metalike.Ura u shkatërrua në tërheqje nga vet pushtuesit në vjeshtë të vitit 1918. Deri fillim të viteve ‘60 të shekullit të kaluar janë ruajtur fragmente të shinave e binarëve. Në një urdhër tjetër të lëshuar me nr 20, datë14 X 1916 drejtuar gjithë komandave austriake të rretheve thuhej: ‘‘... mosha 17-50 vjeç janë të detyruar të bëjnë 8 javë punë të detyrueshme në vit...’’. Pushtuesit austro-hungarezë i detyruan me forcën e armëve për të punuar hangari edhe për hapje fortifikimesh. Mehdi Frashëri, ish kryeministri i Shqipërisë në vitet e mbretërisë së Zogut ka shkruar në një faqe të ditarit të tij “Kujtime”, faqe 54, disa rreshta me një përshkrim të thjeshtë të bërë nga këndvështrimi i udhëtarit në krahinën e Sulovës në vitin 1916 në lidhje me pushtimin austro-hungarez.“... Ipresionimi im gjatë këtij udhëtimi ishte se popullsia kishte mbledhur mjaft të holla nga shitja e produkteve të tyre me çmime fort të larta, por nga veshmbathja ndodhej tepër keq sepse austriakët s’kishin as për vete nga shkaku i bllokimit të luftës...”.
Ushtria austro-hungareze, për të realizuar synimet u orvat që të shfrytëzonte edhe ndjenjat e popullit të krahinës së Sulovës. Me aktet barbare si gjithë pushtuesit e tjerë futën përçarje, grindje e vranë njerëz të pafajshëm. Ashtu siç kanë vepruar të gjithë pushtuesit në vendin tonë me politikën ‘‘përça e sundo’’. Me një fjalë austro-hungarezët me anë të ekspeditave ndëshkimore që bënin me hir a me pahir kërkonin të nënshtronin banorët edhe nën preteksin për çarmatimin e popullsisë, apo edhe të një mori faktorëve të tjerë. Sulovarët u zemëruan nga veprimet e tyre, dhe nuk munguan me kundërshtimet. Ata duke qënë si gjithmon atdhetarë nuk mund t’i bindeshin as këtij pushtuesi. Luhej me nderin, pasurinë, patriotizmin e tyre, që nuk i kishin ulur kryet as kundër turkut. Banorët ju kundërvunë ekspeditave, grabitjeve e keqtrajtimeve. Që në Qershor të vitit 1916 në një raport që i dërgonte qëndrës në Austri, Dr. Thurn mes të tjerave vinte në dukje: ‘‘ ... simpatia e shqiptarëve për ne dhe qëndrimi i tyre ndaj eprorëve e grupeve tona sipas të gjitha provave të deritanishme janë shumë të lëkundura e të dyshimta....’’. Me anë të dhunës ushtarake dhe intrigave për të nënshtruar banorët shkaktuan ngjarje të rënda në Sulovë. Ngjarja që do të tregojmë edhe pse ka ndodhur para një shekulli, siç duket ishte mjaft tronditëse mbasi kujtimet mbi të janë akoma të freskëta deri në ditët tona, e mjaft tronditëse e këtyre viteve të pushtimit austro-hungarez. Le të tregojmë ngjarjen. “Në Dragot të krahinës së Sulovës, familja e Qoseve është e njohur për burra trima e kaçak. Kur ndodhi kjo ngjarje, Dalipi i pari i tyre ndodhej në krahinën e Shpatit si kaçak. Austro - hungarezët me preteksin se ishin kaçak, por që nuk i kishin dorzuar asnjë bagëti atyre, një ditë dërguan një oficer me dy ushtarë, përkthyesin dhe një banor nga fshati Topojan i Sulovës, Minçe Meminin (që e kishin si bekçi, roje, për transportin e pajimeve ushtarake) për t’u marrë armët, kafshët e punës dhe për t’i arrestuar djemtë. Në shtëpi ndodheshin gratë dhe një nga djemtë e Dalipit, Suloja. Në kohën që ushtarët u futën brenda dhe teksa gjetën Yzeirin të shtrirë, historia gojore thotë se lëngonte nga një sëmundje) i ngrenë shtresat me anë të bajonetës e ngacmojnë duke i shpuar barkun, e i nxjerrin një pjesë të zorrëve jashtë. Yzeiri nga dhimbja bërtet, duke i thirrur të vëllait ‘‘ o Sulo më vranë”, Suloja kur dëgjoi britmat u fut brenda dhe vrau ushtarin me bajonetë, i cili vdiq menjëherë. Ndërkohë ushtari i dytë vrapoi shkallëve të shtëpisë, por edhe ky u godit në kokë. Oficeri vrapoi deri në cep të një are, i goditur nga një plumb i pushkës së Sulos në mes të shpatullave, dhe qëndroi i plagosur rreth dy orë derisa dha shpirt. Suloja i mbështolli plagën të vëllait Yzeirit, dhe u largua duke u strehuar te familja e Brahim Kalemit në fshatin Banjë. Dalipi pasi u njoftua për ngjarjen e të bijëve erdhi në Banjë së bashku me një mjek popullor nga Shpati për Yzerin, i cili më pas u shërua. Gjatë kësaj kohe ushtria austro-hungareze kishte vënë një dëmshpërblim për ushtarët e saj të vrarë, që shkonte në disa qindra napolona flori, e që duhet ta paguanin fshatarët e Dragotit. Kjo çoi në rrënimin e fshatit, sepse një pjesë e fshatarëve u detyruan të shesin toka, bagëti dhe shtëpi për të paguar gjobën. Ndërkohë nga hafijet u mor vesh që Dalip Qosja me djemtë ishte strehuar tek Brahim Kalemi në Banjë. Një natë me një dredhi mbas një kacafytje në konak, bashkëfshatarët i arrestuan, dhe i çuan në Darzezë të Gramshit, atje ku ndodhej edhe një garnizon i pushtuesëve. Pasi u verifikuan nga austro-hungarezët u dha urdhër që ata të pushkatoheshin nga vetë shqiptarët. Dhe kështu ndodhi, që ata u vranë në një përrua në Darzezë”. (Histori e treguar nga Isuf Mëhalla) Kjo histori është ngritur në këngë nga sulovarët, e cila kaloi gojë e këndohet edhe sot.

Suloja o me të vëllanë
Seç luftuan me nemsanë...(Austriakët)
Moj kapsolle ta lumsha çarkun.
Ua mbushe me pluma barkun.
Ti o nemse, ti ore boshnjak
Nuk është kjo shtëpi pa plak….

Populli i lodhur nga dhunimet, vrasjet, plaçkitjet dëshironte paqe, por si kudo në Shqipëri, edhe në krahinën e Sulovës u kaluan shumë fatkeqësi. Mungonin shumë gjëra: buka e ushqime të tjera, veshmbathje dhe ç’do gjë e nevojshme për jetën.Të moshuarit i përmendnin me dhimbje këto vite. U shpërngulën shumë familje nga krahina e u shpërndanë në qytete e krahina të tjera rrotull saj në kërkim të mbijetesës. Plasi një sëmundje epidemike (gripi spanjoll), që i përhapur askush si bënte ballë. Në Sulovë as që bëhej fjalë për ilaçe e doktorë. Këta nuk njiheshin as për emër, e jo të ishin parë këtyre fshatrave. Në kronikat e kohës u shënua si një sëmundje që mbolli shumë vdekje. Vetëm në Sulovë vdiqën me dhjetra. Histori gojore vijnë deri në ditët tona. ‘‘ Ishte një zi e madhe, vaj dhe ulërima kishte derë më derë.Ndër syresh një familje në Sulovë (Ngurrëza) u shua e gjithë” Po sipas tyre i ftohti i madh në dimrin e 1918 ishte i jashtëzakonshëm për ashpërsinë e tij, si një nga dimrat më të ashpër të atyre kohëve. Kulmi i kësaj vale të madhe mjerimesh e varfërisë me tymin e luftës u quajt uria e madhe, apo siç thuhet edhe sot në krahinën e Sulovës dhe më gjërë: “Koha e nemses”. Pushtuesit austro-hungarez u larguan në vjeshtë të vitit 1918 të ndjekur nga ushtritë aleate, kohë kur përfundoi edhe Lufta e Parë Botërore. Ushtarët austriakë të katandisur në një gjëndje mjaft të mjerueshme, të dobsuar kockë e lëkurë e të uritur u kthyen ato ditë në lypës. Tregojnë se ndërronin armatimin, veshjet e pajimet me një copë bukë apo vezë.
Luftën e Parë Botërore e fitoi grupi i fuqive të Antantës: Anglia, Franca, Italia. Një luftë e tmerrshme dhe e përgjakshme që shkaktoi 20 milion të vrarë. Shqipëria u kthye në këto vite një shesh beteje. Por edhe pse mbaroi lufta Franca dhe Italia nuk i larguan forcat e tyre nga Shqipëria. Përkundrazi këto forca bënë ç’mos të forconin pozitat e tyre në tokat përkatëse të pushtuara, e të lena nga humbësit. Sulova dhe gjysma e Shqipërisë mbeti zonë e pushtimit italian edhe dy vite të tjera.

PELLUMB GORICA

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 46 vizitorë
Lexuar: 937 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi