Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Neoliberizmi godet besimin e shpirtëroren
Publikuar më 09 dhjetor, 2016 në orën 02:45 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Degradimi i vlerave, rënia e njeriut dhe vlerave shpirtërore është sindroma e botës së sotme post-humaniste. Shqipëria përjeton këto eksperienca njësoj si vendet e tjera por në një shkallë epërore.
Përse?
Instalimi i sistemeve ideologjike këtu, është radikal dhe nuk amortizohet nga ente alternative por amplifikohet nga një konformizëm total.

Kështu ndodhi me komunizmin dje, kështu po ndodh me neoliberizmin sot.
Tabula rasa e komunizmit u përsërit me shfarosjen e vlerave edhe me instalimin e neoliberizmit pas viteve “90.
Meqë sistemin e “ri” do e udhëhiqnin po ato fytyra të djeshme, trasformimi nuk ishte dhe aq i vështirë, të paktën në formë. Vlerat që kasta do i shpërndante turrmave kishte amballazhim të bukur por të njëjtën shije të hidhur. Vuajtje e sundim!
Pas 26 vitesh turrmat ende nuk realizojnë dot një ide të plotë sepse humbasin në këtë kaos të organizuar me mjeshtëri.
Instalimi i sistemeve të importuara nuk lejuan kurrë që shqiptarët të kalonin proçesin e iluminizmit evropian. Të kuptonin botën e tyre si një harmonizim i vlerave të ndryshme dhe jo si tribu primitive me parimin shmidtian mik/armik. Ndrydhja e imponuar pengonte të kuptonin realisht se ç’farë është dhe si vendoset demokracia, limiti i lirisë, forca e arsyes dhe nevoja e shpirtërores dhe e besimit për Njeriun komunitar. Këto kategori edhe sot përdoren si surrogate të përmbysura larg kuptimit të vërtetë.
Etërit e iluminizmit si Kant apo Voltaire luftuan dogmën e fesë por njohën nevojën e besimit për njeriun. Ekzaltimi i arsyes si ekzistencë unike, do të kritikohej nga shumë autorë të djathtë madje dhe të majtë si Adorno dhe Horkeimer.
Por këtë sintezë të harmonizuar të vlerave shpirtërore e materiale nuk e tolerojnë dot klasat dominante. Duhet që vizioni i tyre të jetë unik, totalitar.
Kështu ndodhi me komunizmin historik, kështu po ndodh me neoliberizmin, i cili për të triumfuar vrau liberalizmin klasik apo edhe etikën borgjeze. Tani kapitalizmi absolut (i çliruar) po godet çdo entitet që nuk i nënshtrohet kultit të tij: parasë!
Shteti, komuniteti, familja, shkolla, besimi nuk pajtohen me llogjikën e parasë prandaj ose përshtaten ose shkërmoqen. Fitoret e realizuara në shekullin e kaluar po çmontohen ngadalë e pa kuptuar në dëm të turrmave që brohorasin të eksituara për padronët e tyre. Betejat e përbashkëta të shoqërisë për emancipim tani janë zëvendësuara me beteja mes veti për ngadhnjim individual. Projekt gjenial për një sundim perfekt të 1% mbi 99% e marrosur me darvinizëm social.
Nietzche do lajmëronte para një shekull jo vetëm që Zoti vdiq por ai do zëvendësohej me një Zot të ri. Tani esenca e Njeriut nuk përcaktohej më nga kultura, identiteti, ëndrrat por nga kapaciteti i tij për të konsumuar. Ti vlen aq sa konsumon! Je një Njeri “iphon 7” ose subnjeri “nokia 3310”.
Por Njeriu nuk ngopet kurrë me gjëra materiale por vetëm shpirtërore. S’ka si ndodh ndryshe, sepse nëse ti “ngopesh” sistemi ngec e prodhimi ndalon. Prandaj dhe depresioni personal dhe trishtimi kolektiv si psikologjia, sociologjia apo antropologjia shpjegon. Fromm paralajmëronte sesi këtë ritëm histerik e drejton klasa dominante për të destabilizuar pa fund individin pa rrënjë në një shoqëri të sëmurë. Njerëzit fajësojnë njëri tjetrin mjafton të heqin dorë nga sistemi i kontrolluar nga një “dorë e padukshme”.
Neoliberizmi, intelektualët dhe klerikët e tij, mediat dhe qarku akademik promovojnë të njëjtin vizion unik, që e shohin shpëtimin tek realizimi i individit atom, tek sigurimi i parasë për të siguruar ato gjëra që rregulloheshin dikur nga bashkëjetesa në komunitet. Rendja drejt parasë është një iluzion i dhimbshëm sepse paranë e kontrollon vetë kasta e bashkë me të jetën patetike të çdokujt. Paraja është pushtet dhe ai nuk jepet. Vrapimi drejt parasë është plot bërryla e gropa prej të cilave garuesit zhvishesh nga ato vlera që formuan humanin brenda nesh këto mijëra vite. Dhe në fund ndihesh bosh, i dorëzuar sepse nuk mund të çbësh natyrën tënde shpirtërore farkëtuar në këtë proçes të gjatë komunitar. Por sistemi të detyron në këtë valle perverse.
Rrezikun e kapitalizmit ekstrem e kishte kuptuar jo vetëm Marksi por dhe vetë Adam Smith ku paralajmëronte rënien e shpirtërores. Atëherë kur vetë kapitalizmi kthehet në fe, si shprehet Benjamin, ka nevojë për sakrificat e tij si ritet pagane.
Këto sakrifica janë shpirtrat e miliona njerëzve që vdesin nga uria megjithë superprodhimin global; miliona fëmijë që nuk ndjejnë ngrohtësinë e prindërve të etur për fitime; braktisja e pleqve, shtëpive e familjeve. Çdo gjë vihet nën shërbim të Zotit Para.
Sigurisht ata që e disponojnë.
Pa kuptuar, si në eksperimentin me bretkosën, njerëzit pranojnë të mos kurohen më nëse nuk kanë para, të mos arsimohen apo edhe të burgosen nëse nuk blejnë dot drejtësinë. Të drejtat kushtetuese këtu lindin të vdekura dhe me to ushqehen kërrmat e pushtetit, intelektualë gazetarë apo vemje të tjera.
Çdo shenjë, simbol e strehëz që promovon komunitetin, solidaritetin, identitetin, shpirtëroren duhet përmbysur e zëvendësuar me individualizmin, konkurrencën, njeriun atom unisex fleksibël si tregu kërkon, konsumerizmin e tejskajshëm edhe të njëri-tjetrit.
Pas përthyerjes së shtetit social me anë të globalitarizmit, degradimit të familjes me teorinë gender e çdoganimit të seksit dhe drogës, strehëza e fundit mbetet besimi fetar.
Zotërit e parasë nuk tolerojnë dot vizionin e besimit, sepse ai preferon shpirtëroren ndaj materiales, solidaritetin ndaj konkurrencës, dhembshurinë ndaj shfrytëzimit, punën ndaj përfitimeve parazitare të kapitalit, respektin dhe kufirin ndaj shfrenimit të lirisë. Perversiteti i fitimit prek skutat më të errëta të psikës mëson Lakan e prandaj njeriu shndërrohet në ujkun hobsian. Ujk që kasta i kundërvë njeriut komunitar si Aristoteli apo profetët e besimeve mësojnë.
Këtë sulm ndaj botës humane, padronët nuk e realizojnë dot pa ndihmën e vet njerëzve-ujqër. Si kafshë cirku, këta induktohen të kërkojnë vetë ato që kasta dëshiron. Anullimit të projektit tonë kombëtar në një shtet normal, kasta i kundërvë besimin musulman si pengesë për projektin alternativ europian. Skllevërit harrojnë se përgjegjësit e shkatërrimit të jetëve të tyre janë vetë padronët, por me dembelizëm mendor kërkojnë hije kudo.
Në vend të një lufte vertikale, skllevërit vulletarë zihen se cila fe është më e mira apo e keqe, se feja është opium, se feja është kundër shkencës, kombit etj etj. Askush nuk mendon sesi mund të bëhet një sintezë e jeta të jetë në harmoni me gjithë larmishmërinë e saj mijëra vjeçare. Sami Frashëri e të tjerë rilindas, nuk ishin kundër besimeve por kërkonin tolerancën mes tyre për mos të rrezikuar bashkëjetesën brenda kombit shqiptar. Bashkëjetesë që na e njeh gjithë bota, por e rrezikuar prej sulmeve tinzare që kasta dhe media realizon sistematikisht.
Nëse besimet ndihen të sulmuara, sigurisht ato do kalojnë në pozita ofensive për të mbijetuar. Kështu nis një qark vicioz ku palët urrejnë njëra tjetrën dhe Zotërinjtë e parasë sodisin se si skllevërit shqyhen.
Nëse as këto nuk kanë efekt, atëherë dërgohen dronët për të mbjellë vdekje e vëllavrasje si në vendet arabe. Sulmi ndaj islamizmit sot është frontal (si Huntington uronte) si një fe që nuk përshtatet lehtë me vizionin neoliberist. Por turrmat eksitohen nga show i zbukuruar e aktorë të sajuar mbi të vërteta të parafabrikuara. Besimet gjithmonë instrumentalizohen e njerëzit priren të shohin jo esencën por aparencën. Dalja nga shpella e Platonit nuk mund të bëhet nëse dyert e dritaret ruhen nga gardianë e sharlatanë.
Jo më mirë gjenden banorët e Perëndimit, kur shohin sesi kisha përçmohet, përqeshet, sesi gazetat mbushen me raste abuzimi të priftërinjve e fshihen lajme se si mijëra misionarë që ndihmojnë miliona fëmijë e emigrantë. “Makina e përbaltjes” punon 24 orë, por media eklipson deklaratën e Papës (Evangelii Gaudium 2013) kur e quan neoliberizmin si tirani dhe shfrytëzimin si kanibalizëm.
Padronët kanë krijuar sistemin me ideologji, financa, media dhe ushtri. Beteja jonë si 99% i skllavëruar nuk është mes veti por kundër këtij 1% barbar transnacional. Beteja jonë është rimarrja e institucioneve dhe ndërtimi i një shteti social, demokratik e liberal, që ngrihet mbi bashkëjetesën me besimet fetare. Nuk futemi dot në Europë si skutha, por kryelartë si popull autokton, kur të kemi zhdukur oligarkët e ngritur Demokracinë. Pa këtë shtrat të përbashkët, edhe toleranca e besimeve të shqiptarëve do minohet prej ndërhyrjeve të huaja që mbjellin përçarje e frikë, si Sami Frashëri na kujton. Rishpirtërimi i një iluminizmi të ri pra, si Habermas apo Foucault kërkojnë për emancipimin demokratik të popujve dhe dinjitetin e një jete të plotë të Njeriut!
Prandaj dalim nga kaosi i vlerave e mos shtrojmë pyetje idjote, mos synojmë ndasitë mes besimeve por të përbashkën mes tyre, si një strehëz që nuk asfikson arsyen por e kompleton me shpirtëroren. Sot kaq e nevojshme për të rigjetur arsyen e të qenurit bashkë në këtë truall me emrin: Shqipëri!

Dr. Ledian Droboniku

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 42 vizitorë
Lexuar: 338 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi