Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Edita Tahiri ankohet për çorbën që ka gatuar vetë
Publikuar më 15 janar, 2017 në orën 16:20 ( ) Prof. Dr. Eshref Ymeri | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Përmes internetit u njoha me një informacion sa interesant, aq edhe tragjikomik me titull “Tahiri i kërkon BE-së të ndalojë trenin ilegal të Serbisë”. Nga ky informacion rezulton se ministrja e Mustafës për dialog me Boegradin, Edita Tahiri, paska deklaruar si më poshtë:

“Serbia po vazhdon me provokime të rënda ndaj Kosovës në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve. Paralajmërimi i bërë për të lançuar linjën e re ilegale Beograd-Mitrovicë që nga dita e shtunë, është një ndërhyrje agresive në sovranitetin shtetëror të Kosovës dhe një dëshmi tjetër se Serbia po dëshiron ta destabilizojë Kosovën. Serbia po bëhet rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe faktori ndërkombëtar duhet ta ndalojë Serbinë. Serbia ka agjenda të rrezikshme, që duhet të na shqetësojnë të gjithëve, edhe Kosovën edhe partnerët ndërkombëtarë. Tashmë ky është një provokim i hapur kundër Kosovës, që tregon se Serbia ka dalë hapur me politika agresive që kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë nacionale të saj” (Citohet sipas: “Tahiri i kërkon BE-së të ndalojë trenin ilegal të Serbisë”. Faqja e internetit “RTR”. 14 janar 2017).
Kujtdo që e lexon këtë deklaratë të ministres Tahiri, me siguri që i vjen edhe për të qeshur, edhe për të qarë. Medet, o Kosovë, ku të ka katandisur klasa politike mercenare në pushtet! Ministrja Tahiri flet për marrëdhënie fqinjësore mes dy shteteve (!). Po Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet absolutisht. Prandaj të gjitha takimet që janë zhvilluar në Bruksel midis përfaqësuesve serbë dhe shqiptarë, kanë qenë thjesht një farsë e organizuar nga Bashkimi Evropian për të grazhduar udhëheqjen mendjekarafile kosovare, me qëllim arritjen e objektivave serbe: shkëputjen e Veriut të Mitrovicës dhe krijimin e bashkësisë së komunave serbe. Në të gjitha bisedimet që janë zhvilluar mes palës serbe dhe kosovare, Serbia, me përkrahjen e gjithanshme të Brukselit, ka synuar pikërisht arritjen e këtyre objektivave. Kjo për arsye se në të gjitha ato bisedime, pala kosovare nuk ka shtruar për diskutim absolutisht asnë çështje në mbrojtje të interesave madhore të Kosovës, si, para së gjithash, njohja me domosdo nga ana e Beogradit e pavarësisë së Kosovës, si shtet sovran, kërkimi i pendesës publike nga ana e Serbisë për krimet, masakrat, vrasjet, përdhunimet dhe shkatërrimet masive të banesave dhe të objekteve të kultit, kërkimi i dëmshpërblimeve nga ana e Serbisë për të gjitha barbaritë e mësipërme, si edhe heqja nga lista e interpolit e emrave të luftëtarëve të UÇK-së.
Tani, kur dihet mirë që Brukseli, si palë e ndërmjetme në bisedimet e zhvilluara, ka mbajtur vazhdimisht anën e Serbisë, ndërkohë që pala kosovare nuk ka parashtruar asnjërën nga kërkesat e mësipërme, por ka bërë vetëm lëshime të rënda në dëm të Kosovës, kuptohet vetvetiu që Bashkimi Evropian është bindur edhe më tepër për mendjelehtësinë e përfaqësuesve kosovarë, të cilët nuk kanë merituar dhe nuk meritojnë kurfarë respekti nga ana e tij, se përfaqësojnë thjesht një subjekt për prova eksperimentale nga ana e Brukselit. Sepse respektin e vërtetë nga ana e Brukselit e ka merituar dhe e meriton vetëm pala serbe, e cila në kërkesat e veta është treguar mjaft e vendosur, mjaft këmbëngulëse, madje deri në agresivitet. Në këto kushte, ish-kryeministri Thaçi, i cili aktin zyrtar të tradhtisë ndaj interesave të Kosovës, përkrah Edita Tahirit, e nisi në Bruksel më 19 prill 2013 me lëshimet që filloi t’i bënte Serbisë njërin pas tjetrit, lëshime, të cilat i shtoi edhe më shumë me zgjedhjen e Mustafës kryeministër, sot, në postin e presidentit të vendit, qëndron në krye të treshes së tradhtisë kombëtare. Prandaj nisja e trenit nga Beogradi për në Mitrovicë është në logjikën e gjërave që ndjek Beogradi, përderisa ka të bëjë me një subjekt politik, siç është Republika e Kosovës, të cilën e konsideron të vdekur dhe të pakallur. Sepse ministrja mercenare Edita Tahiri, nëse do të qëndronte fort në pozitat e një ministreje shqiptare me dinjitet të lartë kombëtar, nuk duhej të pranonte të bëhej pjesë e tradhtisë së Thaçi-Mustafës në shërbim të Serbisë, por, si anëtare e qeverisë, duhej të kishte kërkuar me kohë krijimin e forcave të armatosura të Kosovës dhe flakjen në koshin e plehrave të paketës Ahtisaari. A e ka pyetur ndokush veten në Kosovë se cila është arsyeja që, megjithëse kanë kaluar nëntë vjet që nga koha e shpalljes së pavarësisë, forcat e armatosura, ushtria kombëtare shqiptare e Kosovës nuk është krijuar ende?
Është me të vërtetë e turpshme dhe poshtëruese për mbarë popullin shqiptar të Kosovës që ministrja Edita Tahiri kërkon ndërhyrjen e Bashkimit Evropian për ndalimin e trenit të linjës Beograd-Mitrovicë. Pra, për moslejimin e hyrjes së trenit shovinist serb në territorin e Kosovës, ministrja Edita Tahiri kërkuaka “mbrojtje” nga ana e “dados evropiane”! Po pse kjo ministre, mbrojtjen e territorit të Kosovës nga “sulmi” i trenit shovinist serb nuk e kërkuaka nga populli shqiptar i Kosovës, nga djemtë e Kosovës, nga luftëtarët trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Nuk e kërkon se nuk e lejon logjika mercenariste të besojë në forcat e popullit, të rinisë dhe të ish-luftëtarëve trima të tokës shqiptare të Kosovës, të cilët, të frymëzuar nga gjaku i të rënëve në luftën pë liri, arritën ta ndalonin dhe ta ktheni mbrapsht trenin shovinist serb. Presidenti dhe kryeministri shovinist serb që e nisën trenin nga Beogradi dhe që me siguri e kishin mbushur me njerëz të hurit dhe të litarit, me parullën në krye të lokomotivës “Kosova është Serbi”, duke pasur parasysh lëshimet e panumërta që klika sunduese mercenare e Prishtinës i kishte bërë deri tani shovinizmit serbokaragjoz, kishin krijuar bindjen e patundur se ai (treni) do ta shkelte kufirin e Kosovës pa asnjë problem dhe rrugaçët, pasi të zbrisnin prej tij, do të talleshin botërisht me Kosovën dhe mbarë popullin e saj.
Kërkesa, me të cilën Edita Tahiri i drejtohet Bashkimit Evropian “të ndalojë trenin ilegal të Serbisë”, ngjan si dy pika uji me kërkesën e Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 15 dhjetor 1947, në të cilën ai bënte thirrje për bashkimin me Jugosllavinë se Shqipëria nuk jetonte dot vetëm, duke mos pasur absolutisht besim në energjitë krijuese dhe luftarake të popullit shqiptar. Ja kërkesa e tij:
“Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë…”.
Edita Tahiri nuk e paska ditur vallë që përgatitja për nisjen e atij treni nga Beogradi pati filluar me kohë e me vakt, se është e pamundur të bëhej fakt i kryer vetëm brenda një dite? Prandaj ajo le të mos mundohet t’i hedhë hi syve popullit shqiptar të Kosovës se ajo vetë është pjesë e treshes së tradhtisë, është vetë “kuxhinierja” e përgatitjes së çorbës së asaj tradhtie.
Le të shpresojmë që rasti i trenit shovinist serb që qe nisur nga Beogradi për poshtërimin e popullit shqiptar të Kosovës, t’i bëhet mësim klasës politike të Prishtinës që të heq dorë përfundimisht nga mercenarizmi në shërbim të shovinizmit serb, të braktisë qëndrimet tradhtare ndaj popullit shqiptar të Kosovës dhe ta emancipojë veten për t’u çliluar një herë e mirë nga servilizmi i pështirë që ushqen ndaj Brukselit, të mos pranojë krijimin e bashkësisë së komunave serbe, çka do të thotë krijim i një mikroshteti serb brenda territorit të Kosovës, t’i thotë troç pakicës serbe se në qoftë se nuk ka dëshirë të bashkëjetojë me popullin shqiptar të Kosovës, le të largohet për në Serbi. Veç kësaj, Prishtina zyrtare duhet të respektojë me domosdo kufirin tradicional të Kosovës me Malin e Zi, pa lëshuar asnjë pëllëmbë tokë për interesat e këtij të fundit.
Së fundi dëshiroj të falënderoj përzemërsisht ata burra trima nga radhët e popullit shqiptar të Kosovës që i treguan vendin trenit shovinist serb dhe e urdhëruan të thyente qafën andej nga kishte ardhur. Me këtë rast, nuk mund të rri pa falënderuar nga zemra çiftin DioGuardi, i cili në një intervistë të tyre që ndoqa dje në internet, që ma kishte dërguar miku im i nderuar Hafiz Shala me banim në Nju Jork, u shpreh shkoqur:
“Ka ardhur koha që shqiptarët t’ua kthejnë serbëve me të njëjtën monedhë”
Shporrja e trenit shovinist për në në Beograd, shënon rastin e parë të kthimit të monedhës. Le të na ngrohë shpresa se burrat trima dhe rinia atdhetare e Kosovës do t’i kthejnë edhe monedha të tjera shovinizmit serbokaragjoz dhe pakicës së tyre në Kosovë, në qoftë se paskëtaj ata nuk kanë dëshirë të jetojnë në paqe dhe në mirëkuptim me popullin shqiptar të Kosovës.

Kolumbus, Ohajo
14 janar 2017

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 42 vizitorë
Lexuar: 487 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi