Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
MA SHUMË SE VIZIONI I AMBASADORIT DONALD LU, DUHET DORA E FORTË E “DINOSAURIT POLITIK” AMERIKAN, MODERN, ENERGJIK, PRESIDENTIT DONALD TRUMP
Publikuar më 15 janar, 2017 në orën 16:22 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
1.
Ambasadori 51 vjeçar Donald Lu e ka kalue gjysmën e jetës së vet, mbi një çerek shekulli, në shërbimin diplomatik amerikan. Ia ka fillue kur po shkonte 25 vjeç, në ma të bukuren moshë të njeriut. Ai është rritur në diplomacinë amerikane dhe nga diplomacia amerikane. Si rrallkush nga ambasadorët e sotëm të Amerikës, ka shërbyer në funksione e detyra diplomatike në katër kontinente të botës. Në Amerikë: në disa detyra përkohore në Departamentin Amerikan të Shtetit në Uashington. Në Azi: për nji vit I Ngarkuari me Punë në Ambasaden e ShBA në Azerbajxhan; Zëvendës Shef i Misionit në ambasadat amerikane në Indi, Azerbajxhan, Kirgistan; me mision diplomatik në Kashmir (Pakistan-Indi). Në Afrikë: ishte, së vonit, në Afrikën Perëndimore, në detyrën e Zëvendës-Koordinatorit në zyrën e Ndihmës për Ebolën në Departamentin e Shtetit Amerikan. Në Europë: ka qënë kaherit me mision diplomatik në Gjeorgji e, së fundit, nga 17 dhjetori 2014 kur bani betimin në Senatin Amerikan si Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

praktikës diplomatike ndërkombëtare, sipas Shërbimit të Jashtëm Amerikan Akti 1980 (PL 96-465; 94 Stat 2084) etj. e marrin gradën diplomatike “Ambasador kariere”. Sikurse ish ambasadorit amerikan në Shqipëri në vitet 2002-’04, James Franklin Jeffrey (Xhejms Xhefri) tashma 70 vjeçar, i cilësuem “Veteran i Diplomacisë”, që iu dha grada diplomatike “Ambasador Kariere” në vitin 2012, kur ishte ambasador në Irak, ku e patë zëvendësue (2010) ambasadorin Kristofer Hill –ish përfaqësuesi i parë diplomatik amerikan në Shqipëri (1 tetor 1991).

Ambasadorit amerikan të sotëm në Shqipëri, Donald Lu, i ka ra fati të ketë në udhëtimin e tij zyrtar diplomatik disa personalitete të diplomacisë amerikane. Ai, në fill ’90, ishte asistent i stafit të ambasadorit të njohur Frank George Wisner II, në mision e detyrë diplomatike në Kashmir. Kështu, diplomat i ri Donald Lu, ia ka nistue karierës diplomatike me diplomatin e shquar Wisner, të cilin në vitin 1955 Presidenti Bill Klinton e dekretoi me gradën “Ambasador kariere”. Së vonit, ky diplomat kariere, Donald Lu, ishte në Misionin e Ambasadës Amerikane në Indi, e kishte ambasadore Nancy Jo Powell, e cila ka qënë ambasadore edhe në Uganda, Gana, Pakistan e Nepal dhe Presidenti Barak Obama, kësaj veteraneje të diplomacisë amerikane, ia dha gradën “Ambasadore kariere” (2011).

Ajo çka duhet thanë për keq ka të bajnë me faktin se Shqipëria e sotme ende nuk e ka asnjë diplomat të saj me gradën diplomatike “Ambasador” për vet fajet e pafalshme në tre dekada të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë (edhe të ministrit të sotëm Ditmir Bushati) dhe instancave eprore të saj. Shqipëria, nis nga fakti shekullor i shtetit të pavarur, është i vetmi vend në botë që në një kohë kaq të gjatë të shërbimit të vet diplomatik nuk ka asnji diplomat me titullin “Ambasador”. Ndonëse e ka ligjin përkatës euro-atlantik. Ndonëse ka diplomatë që e meritojnë, sipas kushteve e kritereve, këtë gradë të lartë si: Shpëtim Çaushi (më duket po e kërkon në dyert e shkallët e gjykatave), Artur Kuko, Qirjako Qirko, Dashnor Dervishi, Kastriot Robo e të tjerë.

3.
Ambasadori Donald Lu ka edhe dy fate të tij të veçanta në jetën e vet: E para, që ka lindur amerikan, në SHBA – fuqia ma e madhe e globit, tempulli i demokracisë në botë, Akademi Diplomatike e Kohërave. E dyta, që ka lindur në Kaliforni, në këtë “shkollë diplomatike” të Amerikës.
E thënë ndryshe: Kalifornia ka një numër të madh të ambasadorëve në botë, që janë prej atyhit (të lindur ose të origjinës) apo të shkolluar në universitete të saj. E, shumica e tyre, janë pothuaj të një brezi, mbi 50-vjeçar, janë të një moshe të artë për diplomaci.

Aktualisht në Ballkan kemi tre ambasadorë nga Kalifornia: në të dy shtetet shqiptare: Donald Lu (lindur në Huntington Beach) ambasador në Shqipëri dhe Gregory Delawie (i origjinës nga San Diego) ambasador në Kosovë si dhe Geoffrey Pyatt (lindur në San Diego) në Greqi.

Nga Kalifornia e Amerikës ka ambasadorë në disa vende të Bashkimit Europian, si: Denise Bauer në Belgjikë (prej vitit 2013, e emnueme në kuotat politike); Collen Beell në Hungari (rezidente në Kaliforni, e emnueme politikisht); Adam Sterling në Sllovaki. Edhe në disa kontinente të botës: Noah Mamet (e emnueme politikisht); Sheila Gwaltney në Kirigistan; Carlos Moreno në Belize; Daniel Rubinstein në Tunizi; James Zumwalt në Guinea-Bissau; Scot Marciel në Maynmar; Robert Yamate në Madagaskar e Comoros; Daniel Rubinstein në Tunizi, e ndonjë tjetër. Ndërkohë, jo të pakët janë ambasadorët amerikanë në botë që i kanë krye studime universitare në Kaliforni si ambasadori amerikan i Paraguajt; i Uzbekistanit; i Egjyptit; i Burundit; i Guinea Ekuadoriale; i Katarit, etj. Ndër vite, ambasadorë amerikanë nga Kalifornia kanë pasë funksione të larta edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit, si Marc Grossman (2001-05) e të tjerë.

Fakti që i cek gjithë këta ambasadorë që kanë lidhjen e vet të origjinës me Kaliforninë Amerikane nuk do të thotë ndonjë gja e veçantë. Kalifornia, për nga sipërfaqja e saj, është mbi dy herë ma e madhe se Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Maqedonia të marruna së bashku. Kalifornia ka 40 milionë banorë e nuk është sa Shqipëria që amerikanët e atyhit e prej atyhit të dalin kusherinj ndërveti.
Ndaj, unë, me çka di vet, nuk mund të them saktësisht sa është ambasadori amerikan Donald Lu “produkt” apo “investim” i kësaj “Shkolle Diplomatike” të Kalifornisë.

4.
Ambasadori Donald Lu i ka krye studimet për marrëdhanie ndërkombëtare në Universitetin Princeton në Nju Xhersi, një universitet pothuaj treshekullor (i themeluar më 1746), i katërti universitet në 13 kolonitë e atëhershme të Amerikës, ku nji nga presidentët e parë të këtij universiteti ishte nënshkrues i Deklaratës të Pavarësisë të Amerikës. Ky universitet lidhet me emra të mëdhenj të botës: Presidentit Amerikan Woodrow Wilson – miku i madh e shpëtimtari i shqiptarëve të Ballkanit – ishte student aty; Albert Ajnshtajn (që ka udhëtue me vizë shqiptare drejt Amerikës) e kishte një zyrë aty e jepte leksione të tij; shkrimtarit botëror Thomas Mann e të tjerë. Studente e këtij universiteti, në vitet ’80, ka qënë edhe Zonja e Parë e Amerikës, Mishele Obama.

Pra, ambasadori Donald Lu është i shkolluar për diplomaci në një universitet të tillë elitar të Amerikës e botës.
Kjo përban një tjetër dëshmi se kemi të bajmë me diplomat kariere qyshse në themele të arsimimit të tij diplomatik.

5.
“Paradhoma diplomatike” e ambasadorit Donald Lu, me sa duket, ka qënë Korpusi i Paqes, i themeluar më 1 mars 1961 nga Presidenti Amerikan John F. Kennedy, që tashma kryen misionin e vet në 141 shtete të botës dhe i numëron mbi 200 mijë vullnetarë të saj. Një ndër ta ishte dhe Donald Lu, asokohe, atëherit, mbi njëzet vjeçar, në vitet 1988-1990, duke shërbyer në Sierra Leone, në Afrikën Perëndimore, duke ndihmuar në mësimdhënien për edukimin mbi çështjet shëndetësore, ndërtimin e banjove publike, për të rivendosur në punë puset e ujit të gërmuara me dorë, etj.
Vet misioni i Korpusit të Paqes për të kontribuar në zhvillimin social, ekonomik dhe njerëzor e çoi të riun Donald Lu drejt futjes në Shërbimin Diplomatik Amerikan.
Ende dhe sot në detyrën e tij të ambasadorit duket se ka diçka nga koha e shërbimit vullnetar në Korpusin e Paqes, si tek shpirti i tij praktik amerikan, tek veprimi i tij nismëtar në sipërmarrje të detyrave të ditës e kohës, në thjeshtësinë e paraqitjes diplomatike e publike, udhëtimet, ecjet me biçikletë, etj.
Atje në Sierra Leone, kur ishte me Korpusin e Paqes, mësoi gjuhën Krio (Creole) të Afrikës Perëndimore. Kur ishte diplomat kariere në vende aziatike si në Indi, Azerbajxhan, Pakistan, Kirgistan i mësoi gjuhët e atjeshme: Hindi, Urdu e Azeri, ndërsa kur ishte në Europë, si në Gjeorgji, mësoi gjeorgjishten e rusishten.
Ndërkohë, para se të vinte në Shqipëri, në “kohën e para ambasadorit”, Donald Lu, e mësoi gjuhën Shqipe e, tashti, edhe deklarata zyrtare, intervista e biseda, i ban në Shqip, si rrallkush, si rrallë herë nga ambasadorët rezidentë, nga diplomacia amerikane e euro-atlantike në Shqipëri. Ky, një akt i çmueshëm për shqiptarët dhe një tregues i inteligjencës së tij.

6.
Ambasadori Donald Lu i mban dy dekorata në udhën, dosjen e gjoksin e tij: “Superior Honor Award“dhe “Meritorious Honor Award””. Medalje të çmuara. Çmime të nji vlerësimi të lartë. Dy nga njëmbëdhjetë dekoratat që i ndan vet Departamenti Amerikan i Shtetit. Përndryshe, këto të dyja rendohen në vendin e shtatë dhe të tetë. Ato kanë kriteret e veta për dhënien e tyre: kontributet, arritjet, performanca, risitë, përkushtim të lartë të kryerjes së detyrave edhe në kushte të vështira, etj. Sigurisht, të dy dekoratat, janë nderi dhe vlerësimi i tij, janë imazh dhe frymë në postin e tij.
Këto dy dekorata tregojnë qartas se Departamenti Amerikan i Shtetit i çmon diplomatët e vet, margaritarët e tij diplomatik, ndryshe nga ç’ndodh në Shqipërinë tonë që në një çerek shekulli tranzicion të tejzgjatur, në këtë demokraci postkomuniste, nuk numërohen as me gishtat e dy duarve dekorimet për ambasadorët apo diplomatët tanë në gjallje të tyre. Në dijeninë time janë vetëm pesë ambasadorë: Bashkim Zeneli, Arben Cici, Sokol Gjoka me “Medalja e Mirënjohjes”, Shaban Murati me “Mjeshtër i Madh”, ish ambasadori në Itali Neritan Ceka me “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Duhet thënë edhe kjo: “Medalja e Mirënjohjes” është e shtatëmbëdhjeta (e fundit) në listen rendore të dekorimeve të Presidencës së Shqipërisë, që i kanë dhanë Moisu e Topi. Vjet, kreu një dekorim Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi: i dha “Urdhri i Pavarësisë” ambasadorit shqiptar në Kosovë, Vladimir Prela (pas vdekjes). Dekorimin ma të lartë ndaj diplomatëve shqiptarë të dekadave të demokracisë e ka dhanë presidenti Bujar Nishani në rastin e Neritan Cekës, dekorata e të cilit është e shtata në rendin klasifikues të dekoratave presidenciale. Theksojmë thuktë se Shqipëria Londineze në 104 vjet të saj diplomaci shtetërore i ka 104 diplomatë kariere e politik (në mos ma shumë) për t’i dekorue me dekorata, tituj e medalje përkatëse, meritore. Po as shteti i ri i Kosovës nuk duhet të harrojnë vetveten, pasi shembujt e dekorimeve të diplomatëve të saj i ka të paktë.

Shqipëria në një çerek shekulli demokraci postkomuniste, në tranzicionin e saj pa cak, ka dekorue dhjetra diplomatë të huaj, që kanë punue në Shqipëri e për Shqipërinë. Nuk është aq mirë të them shifren e përafërt, as listim të tyre, por do të ishte në të mirë të Shqipërisë që të dekoronte sa ma shumë e ma mirë diplomatë të saj, duke e parë në kompleks e vazhdimësi veprimtarinë e tyre kombëtare, diplomatike, kulturore, etj.
Edhe në këtë drejtim, Amerika na e jep shembullin e saj si në rastin e ambasadorit Donald Lu dhe të diplomatëve të tjerëve të akredituar në Shqipëri në kohën e Zogut dhe të dekadave të fundit të demokracisë së re shqiptare.

7.
Sikurse ambasadori Donald Lu në Shqipëri, edhe ambasadori Gregory Delawie (i cili i paraqiti Letrat Kredenciale në Kosovë më 21 gusht 2015) ka shërbyer si diplomat kariere në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Zëvendës Shef i Misionit të SHBA në Ambasaden Amerikane në Berlin (Gjermani) e në Zagreb (Kroaci). Përveç kësaj, dhe zonja e tij, Vonda Kimble Delawie, ka qënë zyrtare e Shërbimit Diplomatik Amerikan, sikurse punon aktualisht dhe bashkëshorti Michael i ambasadores amerikane në Malin e Zi.

Diplomat kariere prej vitit 1985, me gradën diplomatike “Ministër-këshilltar”, është Jess L. Baily, i miratuar nga Senati Amerikan në dhjetor 2014 në detyren e lartë të ambasadorit amerikan në Maqedoni, ku shtet-formues janë dhe shqiptarët etnik. Ai ka pasë detyra diplomatike të randësishme në Departamentin Amerikan të Shtetit: Drejtor i Zyrës për Çështje Politike të OKB (2008-2010) dhe, para kësaj - i Qëndres të Shtypit (2005-’07) e, së fundit, Drejtor i Zyrës për Çështje Europiane Jugore për marrëdhaniet dypalëshe me Turqinë, Greqinë e Qipron. Prej korrikut 2011 ishte Zëvendës Shef i Misionit e, mbasandejna, I Ngarkuar me Punë në Ambasaden e SHBA në Turqi. Ai ishte përfaqësues i lartë i Qeverisë së SHBA në Erbil (Irak) në rajonin e trazuar të Kurdistanit të Irakut (2007-’08). Ambasadori Baily ka njohuri të mira dhe për Shqipërinë, pasi ka shërbyer kohë ma parë në vendin tonë, sikurse dhe në shtete të tjera, si në Holandë, Turqi, Senegal e Tailandë.

Një rast i ngjashëm me ambasadorin amerikan në Shqipëri, Donald Lu: edhe ambasadorja amerikane në Malin e Zi, Margaret Ann Uyehara (dhjetor 2014 e në vazhdim) e ka mbi gjysmën e jetës së vet, mbi tre dekada, si diplomate kariere. Mban gradën diplomatike “Ministër-këshilltare”. Ajo ka pasë poste funksionale deri drejtore në Departamentin Amerikan të Shtetit, ka krye detyra diplomatike në Ambasaden amerikane në Kiev (Ukrainë), Xhakarta (Indonezi) e Vjenë (Austri), në Konsullaten Amerikane në Frankfurt (Gjermani), si dhe turne e misione diplomatike kohëshkurtëra në Mbretërinë e Bashkuar, Filipine, Mali.

Aty, në Ambasaden Amerikane në Podgoricë, Zëvendës Ambasadori i saj është B. Bix Aliu (Begzat Azem Aliu), i pari shqiptar në Departamentin Amerikan të Shtetit që caktohet në një detyrë të tillë të lartë diplomatike. Ai është i origjinës nga Zajasi (Kërçovë-Maqedoni), lind e rritë në Çikago-Illinios të Amerikës. Ai ka punuar në Ambasadën Amerikane në Shkup, ka qënë i përfshirë në Marrëveshjen e Rambujesë si antar i të Derguarit të Posaçëm Amerikan në Delegacionin e Kosovës dhe me Të Dërguarit Special të SHBA gjatë Krizës në Maqedoni. Ai është një diplomat kariere i Amerikës prej vitit 2001, duke shërbyer Zëvendës Konsulli dhe Zyrtar i Punëve Publike dega Dubai (Emiratet e Bashkuara Arabe), Zëvdendës Atashe Kulturor në Varshavë (Poloni), Zëvendës Koordinator për Zyrtarët e Shërbimit të Jashtëm në Institutin e Shërbimit të Huaj në Departamentin Amerikan të Shtetit, Zyrtar i Çështjeve Publike në Ambasaden Amerikane në Tiranë (Shqipëri). Ai do të jetë një nga shqiptarët ma të suksesshëm të botës. Në diplomacinë amerikane, pavarësisht se ka kohë kariere diplomatike as dy dekadore, është dekorue 12 herë me dekorata e çmime nga Departamenti Amerikan i Shtetit, etj.,
Presidentët e Amerikës, Departamenti Amerikan i Shtetit, në rreth një shekull (1922-1939 dhe 1991-2017) kanë dërguar në Shqipëri ambasadorë të niveleve të larta amerikane. Shembulli ma tipik, përfaqësues, është Hermain Bernstain, një personalitet i shquar amerikan, ambasador në Tiranë (1930-1933), diplomat, hebre lobues, gazetar, studjues, perkthyes, shkrimtar, etj., që kishte njohje e lidhje me ma të shquarit e kohës së tij, çka ma shumë e fort mirë na dijenojnë veprat e tij të shumta dhe studimet e kryera nga diplomati shqiptar i karierës, studiuesi e përkthyesi Mal Berisha. Në Shqipëri, në rreth dy vite, ishte ambasador James Franklin Jeffrey (Xhejms Xhefri), që nga Tirana shkoi Zëvendës Ambasador në Bagdat (deri në 2005) e, pastaj, me detyra të larta në Uashington...dhe, tevona, ambasador në Turqi (2008-‘10), në Irak (2010-’12). Ishte diplomati Chrisopher R. Hill (Krist Hill) i pari diplomat i lartë amerikan i postkomunizmit në Shqipëri (15 mars 1991), një ambasador i njohur, negociator i madh, që ka qënë ambasador në Maqedoni, Poloni, Kore e në Irak dhe Zëvendës Sekretar Amerikan i Shtetit për Azinë Lindore e Çështje të Paqësorit, etj. Ishte dhe Hugh Gladney Grant, ambasador në Tiranë në vitet 1935-1939. Ajo çka duhet të veçoj ka të bajnë me faktin tjetër se ambasadorët Hermain Bernstain dhe Hugh Grant kanë shkrue libra për Shqipërinë e shqiptarët, dy prej të cilave i kam përgaditë vet për botim dhe kanë njohur disa ri-botime nga vitet ’90 deri më sot. Për ma tepër, sivjet, lexuesit e studjuesit e interesuar do të kenë në duar e biblioteka një vepër me disa volume “Ambasadorët Amerikanë për Shqiptarët”, botim i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike në Tiranë, me parathanie nga dr. Islam Lauka – ish ambasadori i parë i Shqipërisë në shtetin e ri të Kosovës , me recensent prof. dr. Gazmend Pula – ish ambasadori i parë i Kosovës në Shqipëri, etj. Aty do të flitet në vazhdimësi e ma në veçanti për ambasadorët shqiptarë në dy shekujt e fundit, sin ë Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi etj., në OKB, BE, OSBE, etj., të cilët janë shprehur e marrë me çështje (pan)shqiptare, etj. në veprimtarinë e tyre diplomatike, politike, letrare, publicistike.

8.
Si rregull i përgjithshëm, ambasadorët amerikanë në Shqipëri janë larguar nga posti i tyre diplomatik në vitin e tretë të mandatit të tyre, përveçse ambasadorit të karierës Xhejms Xhefri, që erdhi përkohor në Tiranë, si imazhi i ri amerikan, si dorë e fortë diplomatike. Edhe ambasadorët amerikanë në Kosovë, në Maqedoni e në Malin e Zi, në këto shtete e treva etnike shqiptare, përgjithsisht janë largue në përmbyllje të misionit të tyre diplomatik. Ambasadorët amerikanë, edhe të vdekur kur janë largue nga Tirana ishin në përmbyllje të mandatit të tyre si ambasadori Joseph Limpreht (7 korrik 1999-19 maj 2002).Disa ambasadorë, si Alexandër Arvizu (2010-‘14) kanë qëndrue dhe përtej mandatit të tyre të përcaktuar fillimisht.

Pra, edhe në rast të largimit nga Shqipëria të ambasadorit Donald Lu nuk kemi të bajmë më një përveçim ndaj tij, me një nderprerje mandati diplomatik të ambasadorit, por me një traditë e praktika normale të lëvizjeve diplomatike zyrtare nga Uashingtoni.

Ambasadori Donald Lu në Shqipëri, me karierën e përvojen e tij të gjatë diplomatike, është një margaritar i çmuar i Shërbimit Diplomatik Amerikan, i Departamentit Amerikan të Shtetit, i Presidentit të Amerikës. Sigurisht, edhe Donald Lu, don të jetë diplomat i suksesshëm i karierës diplomatike amerikane, don të ketë grada diplomatike e dekorime të tjera, don të ketë funksione diplomatike të larta në Uashington apo kudo tjetër.

Ambasadori Donald Lu në se largohet nga detyra e tij e ambasadorit në Shqipëri nuk ikën si përjashtim ligjor diplomatik, por vetëm në se ka ndonjë gabim apo mëkat diplomatik apo politik në Shqipëri. Këto çështje i dinë vet Diplomacia Amerikane, Shteti Amerikan, pavarësisht nga ç’(për)flitet në rrethe të caktuara e për qëllime të caktuara në Shqipëri apo ndokund tjetër. Diçka dihet botnisht: ambasadorët zbatojnë diplomacinë e politikat e Shtetit Amerikan dhe kur i kalojnë caqet i paguajnë vet haraçet. Diçka është e provuar tashma në shekuj: në Amerikë, nëse në pushtet është Partia Republikane apo Partia Demokratike, në të dy rastet, Amerika është treguar mike e madhe e shqiptarëve dhe Shqipëria e Kosova e kanë pasë dhe e kanë aleate të strategjike të saj, aleate të madhe e të mirë.

Çështja nuk është veç tek ambasadori Donald Lu, por kemi të bajmë me vet çështje e problematika të (pa)njohura shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi, etj. aq sa e shtyjnë edhe ambasadoren amerikane në Kosovë, Tracy Ann Jacobson (ish ambasadore edhe në Turkmenistan e Taxhikistan) që në debatin e organizuar nga “Lëvizja Fol” në Prishtinë (2014) t’iu drejtohet e irrituar politikanëve të Kosovës “Mos e dhisni punën”(!).

Pra, çështja shtrohet dhe ndryshe: në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi, në Serbi e Greqi, në Ballkan, ku kemi shtete e treva shqiptare, nga problematikat e vështira e të vështirësuara, nga politika e praktike shqiptare deri ekstreme, e të tjera si këto, ma shumë se vizioni i një ambasadori amerikan Donald Lu, na duhet dora e fortë e një “dinosauri politik” amerikan, modern, energjik, si Donald Trump, Presidenti i 45-t i Amerikës.

Ramiz LUSHAJ

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 42 vizitorë
Lexuar: 551 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi