Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
NË KUJTIM TË TRE PISHTARËVE TË LIRISË JUSUF, KADRI, BARDHOSH!!!
Publikuar më 17 janar, 2017 në orën 12:59 ( ) Faridin Tafallari | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
…Të vrarë nga UDB Jugosllave, në Heilbron- Gjermani, më 17 janar të vitit 1982!

Sa herë vjen janari, na kujton dhëmbjet për ata, që në këtë muaj dhanë jetën për tokën arbnore, për Kosovë e shqiptari...Në janar janë vrarë shumë bij të shqiptarisë…u vranë Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Bajram Baftiari, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu etj.

Me pak fjalë po e përshkruaj një pjesë nga veprimtaria e tre Pishtarëve të Lirisë, JUSUF, KADRI, BARDHOSH, tre heronjve këtu në mërgim! Kaluan plot 35 vite nga vrasja mizore e kryer nga UDB Jugosllave, në natën e acartë të 17 janarit të vitit 1982, në Untergruppenbach, një fshat afër Heilbronit në Gjermani.. U vranë atdhetari, shkrimtari, poeti, intelektuali, trimi Jusuf Gërvalla, bashkë me vëllanë Bardhoshin, besnikun e Kosovës dhe me intelektualin, gazetarin, organizatorin e palodhur Kadri Zeka. Këta tre bij dhe shumë bij të tjerë të shqiptarisë, u vranë nga dora e zezë e Udbës, por me ndihmën e tradhëtarëve, kriminelëve udbashë e shërbëtorëve të tyre shqipfolës.

Si të mos jenë monument, që nuk shembet kurrë, fjalët e të madhit Jusuf Gërvalla, i cili thotë:” Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme”
Kadri Zeka, kishte ardhur nga Zvicra për tu parë me shokët dhe në veçanti për tu takuar me Jusuf Gërvallën, për të biseduar për bashkimin e dy organizatave simotra dhe për një koordinim më të mirë të aktiviteteve patriotike e atdhetare.
Në atë kohë, Kosova ishte e tëra në këmbë, studentët, rinia dhe populli kishin dalë në demonstrata dhe kishin vendosur, që kësaj here nuk do të ndaleshin pa u realizuar kërkesat e ligjshme të shqiptarëve të Kosovës, të mohuara me shekuj nga serbosllavët. Këtu, në mërgim, ekzistonin disa grupe, që merreshin me një lloj organizimi, por u mungonte drejtimi. Mërgata ishte ende në kllapi! Ajo duhej zgjuar! Mërgimtarët tanë në atë kohë, ishin të pa informuar, nuk kishin interesim për Kosovën dhe viset etnike shqiptare të okupuara! Armiqtë tanë e kishin ndarë nga shteti amë Shqipëria, më shumë se gjysmën e territorit të trevave shqiptare! Por jo vetëm kaq, ata i ndanë edhe nga Kosova në tri republikat sllave, nën tutelën e Jugosllavisë! Shqiptarët mërgimtarë, para vitit 1980, vëmendjen e kishin vetëm tek fitimi, gjërat e tjera i kishin lënë pas shpine!? Por megjithatë, faji nuk ishte te mërgata, të cilët ishin të shitur si krah pune!
Në atë kohë ishte papunësi e madhe për shqiptarët. Por më e keqja ishte se, Jugosllavija e atëhershme bënte një politikë shumë të rrezikshme, duke e vënë tërë aparatin shtetëror, në ndjekje të veprimtarëve, që merreshin me çështjen e padrejtësive, që u bëheshin në vendet e tyre. Pra, në radhë të parë ishim ne, shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera etnike shqiptare në ish-Jugosllavi. Titistët jugosllavë e paraqisnin si shtetin më demokratik Jugosllavinë e Titos, gjoja për të drejtat, që i gëzonin të gjitha kombet, që e përbënin atë Jugosllavi! Por në realitet kjo nuk ishte ashtu! Ata shqiptarë, të cilët e ngrinin zërin, për të kërkuar të drejtat e tyre, ata ndiqeshin, burgoseshin, mbyteshin, vriteshin! Burgjet ishin të mbushura me patriotë shqiptarë! Ndaj popullit shqiptar i bëhej tjetër politikë! I bëhej një genocid i paparë! Ky genocid i egër bëhej kudo tek shqiptarët brenda dhe jashtë Jugosllavisë! Përfaqësuesit diplomatikë luanin rolin e agjenturave, ambasadat dhe konsullatat jugosllave ishin në lëvizje. Në veçanti, në konsullatën e Shtutgartit ishin grumbulluar të gjithë ndyrësirat e mbarë Jugosllavisë dhe vepronin si të çmendur pas veprimtarëve tanë! Në gara ishin shqipfolësit më të fëlliqur së bashku me ata Jugosllavë! Shqipfolësit si Bashkim Hisari e shumë të tjerë, të punësuar, nëpër këto çerdhe agjenturash, vraponin si zagarë nëpër haime ku banonin shqiptarët, për t’i frikësuar, që mos t’i bashkangjiteshin nacionalistëve, seperatistëve, irredentistëve shqiptarë, siç i quante rregjimi serb luftëtarët dhe patriotët shqiptarë, të cilët përpiqeshin për liri e çlirim.

Sot ka edhe prej atyre zagarëve, që i kanë zënë vendet kyçe! Disa prej tyre mbajnë edhe ligjërata nëpër fakultete, ata që i kanë duart me gjakun e bijëve tanë dhe gjakun e tre dëshmorëve, Jusufit, Kadriut e Bardhoshit. Disa gjakpirës janë edhe në administratën e Kosovës, çuditërisht kanë edhe vende në Parlamentin e Kosovës! Ata pra, të atëhershmit, ata janë dhe sot!!! Ata gjakprishur e të shitur tek shkjau, kur i vizitonin punëtorët nëpër banesa merrnin dhe nga një shkja me vete për t’i treguar shkjaut, se ja ne që bëjmë për t’i zhdukur irredentistat e nacionalistat!? Dhe pa fije turpi e pa pikë ndërgjegje ju flisnin për Jugosllavinë fjalët më të mira. Ata nuk mendonin për genocidin, që ushtronte shkjau serb mbi popullin e pa mbrojtur dhe për mijëra të burgosur!!! I kërcënonin mërgimtarët tanë me fjalë të ashpra se, po sa të shkoni në vendlindje do t’ju marrin pasaportën e do t’ju burgosnin! Çfarë nuk bënin shqipfolësit! Ata i ruanin karriget dhe pagat e majme, që u jepte pushtuesi shkja si shpërblim!

Ardhja e Jusuf Gërvallës, në Gjermani dhe e Kadri Zekës në Zvicër e zgjuan mërgatën nga kllapia. Ata bashkë me disa shokë, u vunë në ballë të tyre, duke mos pushuar as ditën e as natën, duke i vizituar shqiptarët, kudo që ishin, nëpër banesa e baraka. Ata kishin për qëllim, që popullin brenda, por edhe mërgatën ta përgatitnin dhe ta bashkonin në një luftë të ashpër kundër okupatorit. Ja si thotë Jusuf Gërvalla: Një popull pushon të jetë i robruar nga ai moment që
ngrihet kundër robërisë i vendosur që të luftojë deri në fund dhe me bindje të palëkundur në fitoren e tij”. Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi, me sjelljet e mira të tyre, me gjuhën e ëmbël vëllazërore, me mençurinë dhe inteligjencën e tyre intelektuale arritën dhe bënë shumë udhëtime duke iu folur, duke i sqaruar bashkatdhetarët tanë, si me gojë, si mes shtypit që nxirrnin, për të informuar popullin, si brenda ashtu edhe jashtë. Shtypi për informim ishte gazeta “Bashkimi”, që dilte në Gjermani nga FKP, në të cilën punoi shumë Jusufi, pastaj “Liria”, në Zvicër nga OMLK-ja, e udhëhequr nga Kadri Zeka, dhe “Lajmëtari i lirisë” në Gjermani nga Jusuf Gërvalla dhe dy numrat e parë të “Zërit të Kosovës”. Pra ky shtyp shpërndahej në Kosovë, në viset e tjera shqiptare, në perëndim, Amerikë e deri në Argjentinën e largët. Këto shpërndaheshin nga bashkëveprimtarët e Jusufit dhe Kadriut. E informonin opinionin e huaj për padrejtësitë, që u bëheshin shqiptarëve.

Armiku serbosllav e pa se, tash veprimtaria e shqiptarëve jashtë kishte marrë hov të madh, si me demonstratat nëpër qytetet e shteteve më të zhvilluara në perëndim, duke filluar në qytetin e Bërnit, Zyrihut, Gjenevës, Shtutgartit, Dysseldorf, Mynih, Frankfurt, Bruksel, të organizuara menjëherë pas ngjarjeve në Kosovë të 11 marsit të vitit 1981. Këto demonstrata, u organizuan nga Jusufi, Kadriu e Bardhoshi. Nëpërmes këtyre demonstratave ju zbulua fytyra e Jugosllavisë fashiste për terrorin, që ushtronte mbi popullin shqiptar. Por Udb-a Jugosllave si kriminele që ishte, mori hapa të djallëzuar. U dha urdhër kriminelëve vrastarë që, t’i vrisnin bijtë tanë më të mirë, udhëheqësit e “Lëvizjes Nacional Çlirimtare Kombëtare”, Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin, në momentin kur bisedohej për bashkimin e ish organizatave simotra.
Meqë Kadriu kishte dy javë që ishte martuar, donte të lajmëronte gruan e tij në telefon se, do të rrinte edhe atë natë te Jusufi. Për vëllezërit Gërvalla, ky veprim ishte i padëshiruar, që të dilet jashtë në atë kohë të acartë, të asaj nate të zezë dimri! Ishin dy arsye për të dyshuar, e para ishte natë dhe tepër ftohtë dhe tjetra ishte se, disa netë më parë, në orët e vona ishin diktuar disa lëvizje të dyshimta rreth shtëpisë së tyre!?! Por këta Trima nuk do t’i ndalonte as nata e zezë, as i ftohti i madh dhe as dyshimet e lëvizjeve!? Trimat dalin dhe nisen drejt garazhës! Që të tre hipin në makinën e Bardhoshit dhe duke dalë, mu tek dera e garazhit, kriminelët në pritje hapin zjarr dhe i vrasin!!! Kadriu dhe Bardhoshi ndërrojnë jetë në vend, kurse Jusufi plagoset. Çuditërisht ardhja e ndihmës së parë qe me shumë vonesë dhe për habi... edhe kujdestari serb në spitalin e Heilbornit!? Gjatë mjekimit, pas gjysëm ore edhe Jusufi vdes në spital!? E gjitha kjo pra, pa dyshim ka qenë e planifikuar mirë dhe në bashkëpunim me organet sekrete gjermane, që aksioni të kryhet pa shpëtuar asnjeri!
Jusufi,Kadriu, Bardhoshi, aktivitetin e bënë bashkë, vdekjen e bënë bashkë. Gjaku i tyre skuqi borën bashkë, u varrosën bashkë! Ne, shokët, nëpërmes avokatit
Miheil Wolf kërkuam nga konsullata vrastare në Shtutgart, që kufomat të shkonin në vendlindje e të varrosen atje, por nuk na lejuan as dhe me protestën, që organizuam për këtë qëllim para dyerve të konsullatës ish-jugosllave në Shtuttgart...Në këtë protestë ishin nëna Ajshe dhe babai i Kadriut, të cilët kishin ardhur për tu dhënë lamtumirën e fundit bijëve të tyre! Për t’i varrosur bashkë që të tre në varrezat e Bad-Canstadit, ne shokët e tyre me shumë përpjekje, kemi arritur që, edhe Kadriu të varroset bashkë me vëllezërit Gërvalla këtu në Gjermani, sepse ai ishte banor i Zvicrës. Ndaj që 20 vjet edhe me varre ata ishin bashkë. Ne shokët dhe bashkëatdhetarët e tyre i kemi vizituar dhe u kemi bërë homazhe për çdo përvjetor. Eshtrat e tyre pas 20 vjetësh udhëtuan bashkë për në vendlindje e tyre! Ata ishin ideologë për çështjen kombëtare dhe vepra e tyre, ideali i tyre nuk vdes kurrë! Ata do të jetojnë bashkë e të pandarë dhe populli do tu ngre përmendore e lapidarë bashkë! Populli do t’i bashkojë, ashtu si kanë vepruar, për një qëllim, që Kosova dhe viset tona etnike të çlirohen nga fashizmi serb dhe t’i bashkohen shtetit amë Shqipërisë! Disa prej shokëve, që lanë pas nuk u ndalën nga rruga, që ata na mësuan e na drejtuan. Po sot çfarë po ndodh!? Disa nga ata, që na ndiqnin, na shanin, na vrisnin, se ishim nacionalistë, seperatistë, irredentistë kanë zënë vendet kyçe në shtetin e pushtetin e Kosovës, duke u nisur nga kryeplaku i fshatit në parlament, qeveri etj. Po po, na ndiqnin, se po ju prishnim bashkimvëllazërimin me shkije. Qelbanikët titistë edhe sot po bëjnë, çfarë po duan në bashkëpunim edhe me shkije edhe me të UNMIKUT... e kanë sjellë popullin pranë greminës nga varfëria e skajshme…
Ndërsa neve sot askush nuk na njeh, si shokë dhe si bashkëveprimtarë të këtyre Trimave! Kur në atë kohë edhe hekuri shkrihej nga genocidi serb, disa as që dëgjoheshin se ishin gjallë! E sot, dalin si kërpudhat pas shiut dhe i bien gjoksit duke u mburrur se, kanë qenë shokë të Jusufit dhe Kadriut! Ka edhe nga ata, që kanë kontribuar edhe në vrasjen e tyre...dhe të tjerë, që kanë punuar nën parrullën e “Bashkimvëllazërimit” të Jugosllavisë, që na vriste natën e na qante ditën.
Por Ushtria Çlirimtare e Kosovës pati në krye komandantin legjendar Adem Jasharin, Fehmi e Xhevë Lladrovcin, e shumë trima të tjerë, që ranë heroikisht në fushën e nderit! U qoftë lavdi e përjetshme! UÇK-ja me luftën që kreu i tregoi vendin okupatorit serb!

Për të përfunduar, se s’ka kurrë përfundim të shkruash për Jusufin, Kadriun e Bardhoshin po ju them vetëm një rast, se si u përgjigj Jusufi, kur unë i thashë se, po flitet për vrasjen tënde! Ai u drejtua nga unë dhe më shikonte me ata sy shprehës si shkëndija, duke më thënë:”...po pse nëse thuhet e nëse ndodh kjo...ne të frigohemi?!... » Dhe vazhdoi. «… Jo për lirinë e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin amë Shqipërinë nuk na dhimbset Jeta !!!... »Kjo ishte ëndrra e madhe e atdhetarit JUSUF GËRVALLA !!!
Unë pata fatin e madh në jetë të rrija, të bisedoja, t’i dëgjoja, të udhëtoja, të veproja me Jusufin, Bardhoshin e Kadriun, të kryeja, të zbatoja, ato detyra, që më ngarkoheshin nga këta trima. Ndaj me shumë respekt përulem para veprës së madhe të Jusufit, Kadriut dhe të gjithë atyre, që skuqën me gjakun e tyre tokën e Kosovës dhe viseve shqiptare.
Lavdi e përjetëshme veprës së JUSUFIT TË MADH, KADRIUT E BARDHOSHIT!!!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!!!


Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Faridin Tafallari
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 53 vizitorë
Lexuar: 914 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi