Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Beqir Elshani: TREGIME GROTESKE
Publikuar më 27 shkurt, 2017 në orën 17:39 ( ) Beqir Elshani | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
1. Kur e kishin pyetur poetin e vjetër grek, Teokritin, se cila kafshë është më e rrezikshme, ai kishte thënë se në mal është ariu, në pyll tigri, kurse në qytet intriganti, kështu i tregova një fëmije. Mirëpo fëmija u bë kureshtar dhe më pyeti se cila kafshë është më e butë, atëherë unë i tregova se në qiell është pëllumbi, në tokë lepuri, kurse në qytet - servili. Pastaj vogëlushi më tha se për herë të parë po dëgjonte për kafshët intrigante dhe servile. Unë ia ktheva se kur të rritesh do të t’i mësosh të gjitha.

2. Sipas librit “Gjylistani dhe bostani” të Saadiut, thuhet se dijetari Behlul Danai (në Bagdad ka jetuar në shekullin IX) e urrente klasën sunduese dhe mbronte vegjëlinë. Me thëngjill shkruante në muret e pallatit të kalifit e të fisnikëve vargje që goditnin luksin e tyre, që tregonin varfërinë morale të klasës sunduese. Prandaj këta të fundit, sunduesit fisnikë, dijetarin e urtë, Behlul Danain, e quanin budalla, gjë që ishte normale që sunduesi duke treguar urrejtjen ndaj dijetarit popullor, e shanë dhe e përbuzën, dukuri që edhe në kohën e titizmit jugosllav ka ndodhur kur shqipfolësit e Kosovës profesorët e frytshëm atdhetarë i shanin dhe i quanin budallenj, vetëm pse nuk i nënshtroheshin pushtetit të egër jugosllav për shfrytëzimin e pasurive të Kosovës dhe shtypjen e popullit shqiptar. Kjo mënyrë e kërcënimit vazhdon edhe sot në kohën e sundimit të demokracisë, ata që kërkojnë bashkimin e Kosovës me shtetin amë - Shqipërinë, prej nga, një shekull më parë, u nda padrejtësish në Konferencën e Londrës, pushteti i quan budallenj. Koha po tregon se me fjalën “budalla” nga organet e pushtetit zakonisht fyhen dhe ndëshkohen trimat atdhetarë, të cilët janë me arsye të shëndoshë, me mendje të mprehtë, shqip thuhet largpamës. Ngjashëm janë përbuzur edhe dijetarët e mëdhenj në kohën e vjetër, dhe njëri ndër ta ishte fabulisti i madh, po aq edhe i lavdishëm, Ezopi, për të cilin teologu dhe gramatikani grek, Maksimus Planudes (ka jetuar në vitin 1260-1305 në Konstatinopojë), Ezopin me buzë të trasha e quante të paditur dhe gomar.

3. Kur kali i Kaligulës hante elb, hante edhe Kaligula. Sipas librave të vjetër romakë, shkruan se Kaligula hante elb së bashku me kalin e tij, Incitatrusi, të cilin e kishte zgjedhur senator në Romë. Prandaj ahuri kishte orendi; kishte ushqimin me regjistër dhe me program, gjithashtu për të kujdeseshin skllevërit, pastaj senatorët me dy këmbë shpeshherë e vizitonin kolegun e tyre në stallë, aty mund të merrnin erën e bajgës së kalit senator. Senatorët duhej të ishin të kujdesshëm ndaj kolegut të tyre me katër këmbë dhe të mos ngërdhesheshin, përndryshe mund të shkarkoheshin prej senatit romak. Përkundrazi kali senator, i Kaligulës, asnjë kolegu senator nuk ia kthente vizitën. Veprimi i Klaigulës është një ndër format diplomatike për të kuptuar se pikërisht edhe sot kemi deputet që kryejnë funksionin e kalit të fshatarit, më falni të Kaligulës. Atë e ushqente populli, sa që vetëm me ushqimin e kalit senator mund të ushqeheshin me dhjetëra kuaj të bujqve, që ishin shumë më të vyeshëm se kali i Kaligulës, sepse derisa kuajt e fshatarëve mbillnin farën e bukës, kali i përkëdhelur senator romak bënte pikën e qejfit në stallën që pak dallim kishte me sallën e senatit. Prandaj, me sa duket, kali romak tallej me senatorët romakë, jo e kundërta.

4. Për shkak se një grerëz e kishte thumbuar një njeri, gjykatësi rus e kishte dënuar të jetojë në Siberinë e akullt, për të cilën kishte shpenzuar para për transport duke u mërdhirë prej së ftohtit. Kurse unë dola më i mençur se gjykatësi rus, grerëzën që më ka thumbuar në qafë, e kam futur me një shishe të vogël dhe e kam mbyllur me tapë. Të nesërmen pash që grerëza ishte shtrirë në kokërr të shpinës. Fill pastaj kam shkuar te veterinari për të konstatuar ngordhjen e insektit shkaktar. Ndryshe me utopinë ruse dhe me veprimin tim naiv, një fëmijë ishte duke ngrënë rrush, dhe grerëza e shqetësonte, ndërkohë që grerëza po i fërkonte këmbët për të thithur lëngun e rrushit, fëmija e qëlloi aq fortë me grusht, sa që insekti u ngjit në tryezë. Veprimi i fëmijës më përkujtoi dijetarin e vjetër grek, Diogjenin, i cili me vete mbante një shkop dhe një gotë në strajcë për të pirë ujë. Mirëpo kur dijetari te kroi pa një çun duke pirë ujë me dorë, atëherë e flaku gotën, mendonte pse të mbante gotën me vete, kur edhe ai mund të pinte ujë me dorë sikur çuni. Siç dihet grerëza nuk bën mjaltë, por ushqehet me mjaltin e bletës, ashtu siç ushqehet miu me drithin e bujkut. Mirëpo dallimi në mes grerëzës që ushqehet me mjaltin e bletës dhe me qyqen që shfrytëzon çerdhen e harabelit është se e para është parazitë, kurse e dyta mashtruese.

5. Nëse zogu këndon në maje të lisit, kurse nën kurorën e lisit, në trung, hungëron derri i egër, dmth. që kafshës së egër i pëlqen cicërima e zogut. Duket qart që hungërrima e derrit të egër do të thotë brohoritje dhe duartrokitje për këngën e zogut në lis. Këtu nuk ka diplomaci, por ka miqësi të sinqertë në mes zogut në lis dhe derrit të egër në tokë. Mirëpo nëse qëllon dhelpra, atëherë raportet ndryshojnë, sepse dhelpra qysh në përrallëzat e Ezopit tregohet që nuk e ka syrin te kënga e korbit, por te djathi i shijshëm që e mban në sqep. Prandaj sapo korbi nis të këndojë, djathi bie në tokë, dhelpra e kapërdin dhe vazhdon udhën e vet. Prandaj kur ndonjë dhelpër afrohet të dëgjojë zogun duke kënduar në lis, ai e ka qëllimin e mishit, jo këngën. Sepse derisa në maje të lisit zogu këndon me zemër, në tokë këndojnë zorrët e barkut të dhelprës së uritur për ushqim.

6. Një ditë marsi, me një shitore të pijeve alkoolike në Stokholm, një ministër suedez, duket se ishte i varur nga alkoolizmi, vodhi një shishe uiski bukur të shtrenjtë, të cilin arkëtari e denoncoi, ndaj ministri suedez për t’u shfajësuar para arkëtarit, tha se ishte i dehur dhe nuk e ka vërejtur shishen në shportë. Dukuri që mund të ndodhë. Mirëpo të nesërmen një pensionist i moshuar, po ashtu alkoolist, ia ktheu flakë për flakë ministrit se kurrë në jetën e tij nuk i ka ndodhur të hutohet dhe të mos paguaj mallin në arkën e shitores me pije alkoolike. Ngjarja tregon se shpeshherë të pasurit pësojnë nga lakmia për pushtet dhe për para. Natyrisht që të nesërmen ministri u detyrua të japë dorëheqje prej pushtetit. Uroj të mos më keqkuptojnë ministrat dhe drejtorët e organizatave punuese në Kosovë, jo servilët, të cilët vazhdojnë të ndërrojnë gëzofin sipas motit dhe që janë të dobët në pikëpamje kulturore e shkencore.

7. Vetëm pse studenti nuk i ka vënë shenjat (thonjëzat) e citatit prej nga e ka marrë burimin, mbase ka harruar, me anën e së cilës komisioni vlerësues e ka quajtur vjedhje të diturisë, prandaj ka humbur vitin akademik. Qëllimi i studentit mund të ishte me hamendje mbase arsimtari nuk e zbulon gabimin, megjithatë ngjau më e keqja, prej së cilës më së shumti është frikuar. Pastaj studenti shfajësohej kinse ka harruar të vë shenjat e citatit. Harresa e studentit i ngjante "pakujdesisë" së blerësit, i cili një nga shishet e verës së shtrenjtë kishte fshehur në fund të shportës, mirëpo arkëtari e zbuloi dhe rastin e paraqiti në polici. Tani qytetari mundohej të arsyetohej kinse është hutuar, mirëpo edhe shitoret kanë rregulla, ashtu siç janë shenjat e komunikacionit, prandaj po qe se shoferi i shkelë, dënohet. Jo vetëm që studenti ka humbur të drejtën e regjistrimit, por edhe do të paguajë dënimin, për shkak të mosvënies së thonjëzave të citatit, që konsiderohet si plagjiaturë. Duhet pasur parasysh se në rregulloren e Universitetit të Lundit shkruan: “Bota duhet ta dijë se diploma në Universitetin e Lundit duhet të jetë gjithmonë e cilësisë së lartë.” Këtu qëndron merita pedagogjike dhe shkencore e Universitetit të Lundit, që gëzon autoritet kudo në botë.

8. Një ditë vjeshte shkova të vizitojë bibliotekën qendrore të qytetit, bibliotekaren e këshillova që bibliotekën duhet furnizuar me libra dhe duhet ruajtur, në mënyrë që gjeneratave të reja t’u lëmë një bibliotekë të pasur e të bukur me libra; ajo, ngjashëm porsi Luigji XV kur kishte thënë se pas meje u përmbystë bota, ma ktheu se pas pensionimit të saj i daltë flaka bibliotekës. U habita me deklaratën e saj tronditëse, gjë që e vërtetoi se lexuesit iknin prej saj, edhe pse femër e re, mirëpo aspak nuk kishte vullnet për punë as motiv për leximin e librave. Përveç kësaj, bibliotekarja kishte qenë agresive, nuk tregonte interesim as për furnizimin e bibliotekës me libra të rinj, si rezultat i së cilës nuk dëshironte të ketë shumë lexues. Prandaj fill pas pensionimit të saj u realizua, jo ëndrra, por dëshira e saj hipokrite, prej nga me themel u dogj biblioteka e pasur, po aq edhe e vjetër; veprimtaria e së cilës kishte filluar qysh me hapjen e shkollës së parë fillore në qytet. Prandaj me djegien e bibliotekës u dogj edhe zemra e bibliotekares së zymtë.

9. Parashtrohet pyetja, qysh zbërthehet me fjalë puthja e mashkullit me femrën, përgjigja është "Të dua". Prandaj, kur njeriu e puth nënën dhe tokën tregon dashurinë ndaj nënës dhe atdheut, ndërsa kur e puthë femrën që i pëlqen, do të thotë se dëshiron të lidhë jetën me të. Mirëpo puthja e ka edhe anën e kundërt, domethënë anën e shëmtuar, kur dikush i puth dorën apo këmbën pushtuesit, do të thotë pranon të jetë skllav i tij. Shkurt, pranon nënshtrimin. Historikisht puthja është shumë e vjetër dhe daton qysh në kohën e lashtë, së pari nëna e ka puthur foshnjën, frytin e saj që e ka lindur, të cilën e ka ushqyer me gjirin e saj. Puthja tradicionale vazhdon të zbatohet edhe sot, e cila asnjë ndryshim nuk ka me kohën primitive; prandaj nëse teknika ka përparuar, puthja dhe përqafimi ende janë primitive. Flitet se puthja zyrtare, në emër të dashurisë, është përhapur në shekullin e V-të të erës sonë në Francë, për të cilin thuhet se në këtë vend vallëzimi aristokrat përfundonte me puthje të furishme, sa që ushtonte salla. Kjo puthje aristokrate ka bërë që shumë shpejt të përhapet në mbarë Europën.

10. Një vogëlush pesëvjeçar, në fshatin Reçan të Therandës, tregoi se kishte katër lopë, prandaj kur i tha bashkëshortja ime “a më falë njërën”, ai tha “jo”. Padyshim që mohimi i paluhatshëm i vogëlushit më pëlqeu, sepse fëmijët duhet të edukohen duke mbrojtur pasurinë shtëpiake, në mënyrë që kur të rriten të mbrojnë pasurinë e vendit, që është pjesë e mbarë popullit. Interesante është se po t’i kërkohet qeverisë shqiptare, siç është rasti i Sali Berishës, ndonjë pëllëmbë tokë të atdheut tonë, është e gatshme t’i japë cilitdo shtet fqinj: edhe dete edhe male, pse jo edhe katunde, edhe qytete. Udhën e Berishës po e ndjek edhe Isa Mustafa, mezi pret që Malit të Zi t’i dhurojë malet e larta të Pejës. Prandaj kur të shkojnë malet e Kosovës në shtetin fqinj, së bashku me male që kanë lisa të mëdhenj shkojnë burimet e ujit dhe kafshët e egra së bashku me zogj. Duket qartë që nuk ka popull më bujar, më falni më budallenj se shqiptarët për faljen e trojeve shqiptare.

Suedi, 16.02.2017

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Beqir Elshani
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 33 vizitorë
Lexuar: 594 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi