Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Nga sot dhe nga këtu, rruga ime me PDK-në, ndahet përfundimisht!
Publikuar më 17 prill, 2017 në orën 14:43 ( ) Mehmet Bislimi | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Duke u mbështetur në parimet, etikën dhe përkushtimin tim në shërbim të atdheut, në idealin dhe përpjekjen time për t'i shërbyer çështjes së pazgjedhur kombëtare, aspiratë për të cilën janë flijuar breza të tërë të popullit tonë: unë Mehmet Bislimi, në shenjë pakënaqësie, jap dorëheqje të parevokueshme nga Partia Demokratike e Kosovës, në kuadër të së cilës kam vepruar që nga themelimi i saj. Me këtë rast ndjej për detyrë të theksoj se rruga politike e PDK-së së viteve të fundit, nuk përkon me bindjet e mia kombëtare madje as me rrugën e premtuar në fillim të krijimit të saj si parti e vlerave të luftës çlirimtare. Zhgënjimi im pas kaq vitesh përpjekjeje dhe pritjesh që të realizohen synimet e premtuara prej saj, bëri që rruga ime me PDK-në të ndahet përfundimisht, tani dhe këtu!

Shkaqet dhe arsyet e dorëheqjes sime nga PDK-ja po i jep në vijim:
1). Para së gjithash në punën time jam përpjekur të jam i sinqertë, dhe asnjëherë nuk më ka prirë qëllimi që gjerat t'i shoh vetëm zi. Është i saktë konstatimi se në historinë e saj, Kosova nuk ka qenë asnjëherë më mirë se tani, me rrugë të shtruara, kanalizime, shkolla, ambulanca, me autostrada, etj. Po kaq i sakët është edhe fakti se këto investime në Kosovë askush nuk i kanë bërë nga xhepi i vet, përkundrazi, duhet theksuar me keqardhje se buxheti i shtetit të Kosovës është menaxhuar keq, përndryshe ka pasur mundësi reale që të bëhet edhe shumë më shumë se kaq, në mënyrë që Republika e Kosovës sot të ishte shumë më mirë, të paktën do t'i ngjante një shteti të mirëfilltë në ngritje!
Ky vendim për mua nuk ka qenë i lehtë, pas 18 vitesh veprimtarie të largohem nga PDK-ja, por edhe gëlltitja e dukurive negative të pjella prej saj për më tej, ishte e pamundur. Dorëheqja ime nga PDK-ja, është kryekëput zhgënjim imi politik në rrugëtimin e saj, prandaj po e përsërisë edhe një herë shumë prerë dhe qartë: - qëndron larg çdo interesi tjetër personal.

2). Formësimi im politik e kombëtar, nuk lidhet me këtë subjekt, madje as me figurat që i prijnë sot e dje këtij subjekti. Jo, unë dhe familja ime, kemi një përkushtim atdhetar që nga kohët e hershme të pushtimit të tokave tona. Natyrisht, frymëzuar nga gjenerata të tëra patriotësh e atdhedashës para dhe pas Luftës së Dytë Botërore në vazhdimësi deri tek ditët e sotme, ne, ishim në shërbim të çështjes kombëtare, kuptohet me mundësitë tona- pavarësisht pasojave që kemi bartur mbi supe familjarisht dhe individualisht!

3). Aderimin tim në PDK, atëbotë e kam bërë për hir të parimeve dhe çështjeve madhore. Pas gjithë kësaj kohe qëndrimi në këtë subjekt, që ka devijuar nga qëndrimi i parë, edhe daljen time nga kjo parti po e bëj pikërisht për hir të parimeve dhe çështjeve madhore!

4). Dua t’i sqaroj shumë sinqerisht anëtarët e PDK-ës dhe qytetarët tanë se dorëheqja ime nga PDK-ja, nuk ka të bëj fare me ardhjen e lidreshipit të ri në krye të saj. Në asnjë mënyrë, largimi im nuk lidhet as me liderin e atëhershëm, dhe as me liderin aktual të PDK-ës, në kontestin individual. Jo, dorëheqja ime ka të bëj me konceptin, që unë e mendoj të gabuar, të këtij subjekti politik i cili bartë mbi supe përgjegjësinë e shumë dështimeve në Kosovë, dhe natyrisht si pasojë e qasjes së gabuar të të dy liderëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendimmarrës, brenda këtij subjekti politik që quhet Partia Demokratike e Kosovës. Natyrisht, në mënyrë të padiskutueshme një pjesë e kësaj përgjegjësie bie edhe mbi mua, duke qenë anëtarë i këtij subjekti politik për kaq vite, këtë e them me përgjegjësi të plotë.

5). Personalisht, mendoj se Partia Demokratike e Kosovës ka kohë që ka degraduar nga rruga e aspiratave tona kombëtare. Për më shumë, politika që ka udhëhequr PDK-ja dhe hierarkia e saj, ka degjeneruar dhe dështuar në procesin e tërësisë së saj për bërjen e Kosovës shtet të lirë me integritet e sovranitet të pacenuar, shtet demokratik të mëkëmbur ekonomikisht dhe politikisht, si dhe në integrimin e saj drejt shteteve të zhvilluara demokratike, ku qytetarët tanë mund të jetonin dinjitetshëm.

6). Për më shumë PDK-ja, në Kosovën e pasluftës, në raport me Serbinë pushtuese, ka pësuar fiasko gati në të gjitha segmentet e saja, si në rrafshin politik, diplomatik, ekonomik në atë të drejtësisë dhe të dialogut duke i bërë asaj koncesione të shumta. Këto lëshime të bëra nga elita jonë politike, me apo pa vetëdije (tanimë pak rëndësi ka kjo). Përgjegjësia për këto dështime natyrisht se i faturohet koalicionit aktual qeverisës PDK - LDK, këtyre dhe vetëm këtyre.
Fatkeqësisht si shumë herë tjera, pasojat do përplasën mbi kurrizin e popullit tonë të pafajshëm.

7). PDK-ja dhe koalicioni qeverisës, si bartës të proceseve politike në Republikën e Kosovës, para elektoratit shqiptar si dhe para bashkësisë ndërkombëtare, kanë lënë shije të hidhur në shumë rrafshe: si në atë të hapjeve të vendeve të reja të punës, luftimit të korrupsionit, të nepotizmit, të privatizimit, të bërjes dhe sundimit të ligjit, të bërjes së shtetit të mirëfilltë, ku të gjithë do të ishin të barabartë para ligjit. Kjo nuk po ndodhë as sot, pas gati tetëmbëdhjetë vitesh të ushtrimi të pushtetit nga bartësit e politikës sonë, madje as pas gjithë atyre premtimeve megalomane në mënyrë të ripërsëritur para elektoratit!

8). PDK-ja dhe koalicioni qeverisës, kanë varfëruar qytetarët tanë materialisht dhe politikisht. Kanë krijuar shtresa të tëra të varësisë sociale e politike, nuk kanë luftuar krimin e organizuar në masën e duhur, krimin politik, ekonomik, religjioz etj. Ka degjeneruar çështja e besimit deri në atë shkallë sa në Aeroportin e Prishtinës shënon: "Dhoma e lutjeve", në Polici, në FSK, në QKUK, në Institucionet e Kosovës falen 5 vakte të namazi!, në Kuvend të Kosovës në legjislacionin e kaluar sa nuk u fut edhe me ligj mbulesa- burka!... Si përfundim, ka mbetur të hapni edhe një dhomë lutjesh në Kuvendin e Kosovës për të falur namaz atje deputetët tanë, pas seancave plenare e deri të degradimi i moshës më vitale të popullit tonë, si vrasja e imazhit me performanca shamie, veshjet dhe mjekrat karakteristike, që ngjasojnë më shumë në periudhën e mesjetës e deri tek ekstremi tjetër i shkallës më të ulët terroriste nën hundën e pushtetarëve tanë, siç ishte angazhimi i dhjetëra të rinjve tanë në luftërat banale në Siri e gjetiu, një pjesë e të cilëve edhe kanë lënë kot e kot kokën atje!

9). Koalicioni qeverisës, si pasojë e paaftësisë për të përparuar ekonominë e vendit, ka shtuar shtresat e të varfërve, raporti mes të ardhurave të qeveritarëve dhe qytetarëve është 10 me 1, në favor të qeveritarëve. Varfëri kjo, që ka detyruar moshën më vitale të rinisë sonë të emigrojë jashtë vendit në mënyrë klandestine, gjë që ka krijuar raporte jo të këndshme edhe me shtetet e BE-së, duke thelluar kështu edhe më hendekun e varfërisë në Kosovë, madje duke humbur edhe shpresat për të përfituar lëvizjen e lirë (vizat), në mënyrë që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm nëpër shtetet e Evropës, pjesë gjeografike e së cilës jemi. Në mungesë të perspektivës për kushtet e një jete modeste dhe më të mirë, qytetarët tanë në një masë bukur të
madhe kanë shitur pasuri e katandi, për të ikur nga sytë - këmbët!

10). Me qasjen e saj selektive, në raport me luftëtarët e lirisë, PDK-ja ka bërë dallime dhe anashkalime drastike, duke zhgënjyer luftëtarët e denjë deri në masën e përçmimit! Nuk i ka punësuar ata me prioritet, nuk iu ka siguruar atyre as minimumin e kushteve elementare të jetesës. Ka vepruar mbi baza të nepotizmit e zhvatjes, ka barazuar dezertorët me luftëtarët, ka ofruar servilë të tërë rreth vetës, duke përjashtuar e margjinalizuar luftëtarët dhe atdhetarët e denjë nga mundësia e një jete të dinjitetshme, duke ua vështirësuar atyre rrugën e integrimit në shoqëri, duke i zhgënjyer ata që dhanë aq shumë për interesa madhore të atdheut etj.

11). PDK dhe koalicioni aktual, në rrafshin e punësimit horizontal e vertikal, kanë krijuar dinasti nepotizmi duke punësuar në rende të parë familjarët e tyre si: tezakë, baxhanak e baxhanake, gra e djem xhaxheshash e xhaxhallarësh, ndrikulla dhe kumbarë, dhëndurë e kunetër, nipër dhe mbesa, dajallarë e mujsharë, kushërinj të parë, dytë e tretë, në vende kyçe kanë ofruar servilë e poltronë, njerëz të pa denjë, makut e zhvatës të pasurisë së atdheut!, si për habi, kanë ofruar edhe kundërshtarët e përbetuar për t'i kthyer ata më vonë në vartës dhe shërbëtorë të denjë!

12). Përfaqësuesit e koalicionit aktual qeverisës, por edhe opozitarët me deputet të shumtë të të gjitha ngjyrave, kanë vrarë rëndë imazhin e Kosovës me paraqitjen e tyre imorale dhe shumë të ultë gjatë seancave plenare në Kuvendin e Kosovës. Me sjellje megalomane, servile e naive, të vrazhdët deri agresive dhe arrogante, me mungesë njohurish elementare, madje edhe në të shkruar e shprehur shqip!, me fjalor të pistë e banal, drejtuar njëri- tjetrit si: shuaj, mbylle gojën, boll mo, trus aty, pis, hajdut, imoral, kriminel, psikopat, shik-as, udb-ash, vrasës, mos rrej, kriminel e deri tek rrahjet me grushte mes vete!... Ju përfaqësues të mjerë, dalë nga vota e popullit keni dëshpëruara dhe vrarë rëndë besimin që ua ka dhënë sovrani. E saktë, deputetët e Kuvendi të Kosovës, kanë qenë në një mendje dhe unik vetëm atëherë, kur ishte në pyetje rritja e rrogave, mëditjeve dhe mirëqenies së tyre personale!

13). PDK-ja, me politikat e saja anemike, me nxjerrje rezolutash e batutash të kota në Kuvendin e Kosovës, nuk arriti ta ruaj tërësinë dhe integritetin e Kosovës, në raport me fqinjët duke falur tokat tona Maqedonisë, Malit të Zi dhe në një të ardhme jo të largët edhe Serbisë! Për më keq; lëshimet me asociacionin, demarkacionin, me ura, me parqe dhe mure në Mitrovicë etj. Muri ky i cili paraprakisht është mur fiktiv që ka konotacion psikologjik para atij fizik: siç është mos prania jonë në toket tona në veri për gjithë këto vite, mos prania e organeve shtetërore: si policisë, ushtrisë, Qeverisë, gjykatave dhe institucioneve tjera. Qartazi, kjo i bie që ajo tokë është mollë e ndaluar për qytetarët shqiptarë të Kosovës!

14). PDK dhe LDK, gjatë gati dy mandateve legjislative në veri të Mitrovicës, nuk kanë ndërtuar as edhe një shtëpi për të mundësuar qytetarët shqiptarë që të jetojnë lirshëm në shtëpitë dhe tokat e veta. Serbet lokalë të ndihmuar drejt për së drejti nga Serbia, kanë ndjekur shqiptarët nga pjesa veriore e Mitrovicës publikisht dhe nën hundët e Qeverisë sonë. Ua kanë rrënuar shtëpitë, ua kanë uzurpuar banesat dhe pasuritë shqiptarëve atje. Qeveria e Beogradit, ka ndërtuar atje qindra banesa me emrin "Lugina e Diellit", për të populluar atë pjesë me serbë të ardhur nga pjesë të ndryshme të Serbisë, madje Qeveria Serbe në atë pjesë mbanë edhe mitingje elektorale për zgjedhjet në Serbi e si t'ia do qejfi!

15). PDK-ja dhe koalicioni aktual, rreth vetës ofruan individë jokredibilë, profiterë, intrigantë, servilë e injorantë, të pa denjë e të pa kurriz. PDK, katapultoi margarita e margaritana, madje mu në majat e partisë e qeverisë, tregtarë e manipulues në shumë rrafshe edhe me pushtuesin tonë shekullor! Ky kalërim i PDK-së, nga një pol i ekstremit në polin e ekstremit tjetër, tregon më së miri se ku kanë rënë parimet, kriteret dhe morali i saj politik e kombëtar!

16). Si pasojë e humbjes së qeverisjes në komunat e Gjilanit, Mitrovicës, Fush- Kosovës, Obiliqit, Lipjanit Ferizajt, Vitisë, humbje morale në Drenasit etj. ishte përcaktimi politik i vet kreut të PDK-së, për kandidat të konsumuar, të penalizuar, të rënë ndesh me ligjin, të rënë ndesh me etikën si parim më elementar që brumos një njeri për të qenë i denjë. Kjo, thjesht për faktin e mospërfilljes së të devotshmëve, madje sjellja kapriçioze e kreut të saj, interesat e ndërlidhura mes vete, hipotekat e ndryshme e deri tek nepotizmi dhe korrupsioni i instaluar thellë deri në asht!
Me këtë qasje brenda lloji të vet, PDK-ja, krijoj një perimetër rrezeje të mjaftueshëm për përplasje dhe ndarje në grupe e fraksione, krijoj mosbesim të ndërsjellë, krijoj yshtje për ngrënie kokësh të njëri-tjetrit, sharje dhe akuza të padëgjuara deri atë kohë!, shpifje dhe fyerje nga më të lloj- llojshmet deri tek denoncimet dhe akuza të ulëta, të mjera e publike, faturuar në llogari të njërit- tjetrit (kjo, gjithnjë brenda llojit të vet!).

17). PDK-ja, në mungesë vizioni, zhvillimin ekonomik të Kosovës e vuri në konkurrencë të zhdrejtë me tregtinë e vrazhdë që depërtoi në tregun e Kosovës, kryesisht nga ish shtetet që në të kaluarën kanë qenë pushtuesit tanë fizikë e politikë, duke ndarë e sakatuar tokat tona- siç janë Turqia dhe Serbia, tani në cilësinë e pushtuesve ekonomikë të Kosovës, që popullit tonë po i ofrojnë lecka dhe artikuj ushqimorë të skaduar e kontaminuar. Duke shantazhuar kështu investimet e mirëfillta nga Evropa e më gjerë. Tregti kjo me procedura të stërngarkuara, me reketime dhe konkurrencë pa kritere, deri tek kërkesat e hapura të përqindjes për të zhvatur, futja e tonelata mallrave në mënyrë klandestine nga Serbia etj. Për pasojë, ikën shumë nga investitorët e mirëfilltë që donin të investonin në vendin tonë. Madje pasoj edhe mbyllja e qindra bizneseve në sapo fillim të jetësimit të tyre etj.

18). Koalicioni PDK-ë - LDK-ë, së fundmi po i humbë edhe rreth 500 milionë euro nga buxheti i Kosovës! A mbanë kush përgjegjësi në ketë vend!? 30 milion kërkon Z-mobail, 7 milion Austria për pasaporta, 5 milion kërkon Bedri Selmani për pikat e karburantit që i ka zhgërryer së bashku me shumë mujsharë, 380 milionë kërkon "Axos" për Postën, 4.5 milion kërkon agjencioni për shërbime të navigacionit në Golesh (për prishjen e kontratës), 7 milionë kërkon dëmshpërblim zoti Limaj, ku mbeti prefiksi telefonik për Kosovën që nuk u jetësua kurrë me gjithë zhurmën e medieve, a mos ishte edhe ky mashtrim i radhës. Pastaj sa do të kërkojë kompania Franceze për Brezovicën e të tjerë që po presin në radhë për të zhvatur nga Kosova e pa zot?!
Kështu buxheti i Kosovës do të humbë rreth 500 milionë euro në total. Mjete këto me të cilat, kthyer në ndërtim, do të strehoheshin në mënyrë shumë komode rreth 20 mijë familje të cilat janë në gjendje të mjerueshme banimi e strehimi, apo kthyer në investim në resor të ndryshëm të ekonominë së Kosovës që do të shënonte ngritje të madhe të mirëqenies shoqërore.

19). PDK-ja, më se një herë bëri koalicion me kundërshtarin e saj politik tradicional, dhe po kaq herë doli e dështuar me këtë koalicion. Si për habi, po të jetë mundësia PDK, prapë do të bënë të njëjtin koalicion!, si gjithnjë në fshehtësi, me pabesi, dredhi e lakmi për pushtet nga të dyja palët. PDK-ja, bëri koalicion në dëm të vet vetes së vet, në dëm të imazhit, në dëm të aspiratave, bëri koalicion me servilë e hileqarë, me besnik të ish strukturave të ish pushtuesit tonë. Me këtë akt të ulët, PDK-ja, mohoi dhe zhgënjeu skajshmërish krahun e luftës, përçau dhe injoroi krahun e të devotshmëve- bijtë e Atdheut, që dhanë aq shumë për ditët e sotme.

20). Nëse është ky shteti i Kosovës që ka ngritur ky koalicion për vite me radhë; shtet me qindra e mjera të papunë, të pastrehë, të pashpresë, me pasiguri, me ambient dhe urbanizëm të degraduar, me prona, shtëpi e banesa të uzurpuara, me shëmti që të zë syri kudo, hedhje mbeturinash vend e pa vend, vend i kazinove dhe kabareve, vend i bredhjeve të bandave keqbërëse, vend i bredhjeve të qenve endacakë e agresivë që shqyejnë fëmijët në rrugë!, mbeturina që kanë mbuluar qytete e fshatra të tëra, prerja dhe masakrimi i pyjeve, shëmtimi i gjelbërimit, ndotja e lumenjve etj. Kosova është shndërruar në shtet të kanoçeve, shisheve të plastikës hedhur gjithandej rrugëve, të gomave të harxhuara makinash, teneqe të ndryshkura, xhama të thyer, inerteve e materialeve tjera ndërtimi, hekurishte e karroceri makinash të ngrëna nga ndryshku i kohës, medikamente të skaduara, fasha, pelena dhe gjilpëra të përdorura, mbetje kafshësh hedhur gjithandej, shteti i shtyllave të kalbura të elektrikut dhe telave të rrymës shtrirë për dhe, që kërcënojnë jetën e qytetarëve, shtet me 4 orë dritë dhe 4 orë errësirë, shtet që nuk po sheh një ditë të mirë. Kosova, shtet i puseve dhe lumenjve të kontaminuar, shtet me mungesë kanalizimesh, ku fekalet vërshojnë qytetet, fshatrat, fushat, luadhet dhe arat. Shtet ku ka filluar të lulëzojë prostitucioni, publik, politik e imoral, trafikimi, droga, fajdetë, shtet ku edhe nxënësit në shkollë nuk ndihen të sigurt. Kosovë, shtet i leckave dhe qeseve të najlonit shkapërderdhur gjithandej deri tek dyert e Pallatit të Qeverisë!

21). PDK- ja dhe koalicioni keq qeverisës, kanë krijuar hapësira të mjaftueshme të pasigurisë në vend. Qytetarët e Kosovës nuk ndihen të sigurt në investimet e veta, në ndërtime e në komunikacion, në treg e në rrugë, në shtëpi e në spital, në shkollë e në shëtitje, në mendim e veprim politik, madje as në burg!... Qytetari i Kosovës dhe prona e tij, vidhet ose keqpërdoret në forma të ndryshme nga shteti: si tarifat e rrymës ndër më të lartat në rajon, zhvatet nga shërbimet doganore, nga homologimi i automjeteve, nga aplikacionet e ndryshme e shërbimet tjera shëndetësore, ku pacienti detyrohet të siguroj të gjitha shërbimit nga xhepi i vet, për të përfituar më në fund një pako medikamentesh të skaduar, madje asnjë gjurmë deri më sot nga vjedhja e dhomës së sigurisë së lartë në MPB!, korrupsioni i futur thellë deri në palcë! Sikur nuk mjafto vetëm kjo, qytetari i Kosovës vidhet edhe nga hajdutë të bollshëm që kanë vërshuar gjithandej. Të thyhet dhe vidhet shtëpia, banesa, prona, makina, dyqani, banka, posta, madje vidhen edhe ditarët e nxënësve në shkolla, vidhet bagëtia, deri edhe kuleta nga xhepi, madje të rrezikohet edhe jeta po rezistove! Nuk dihet kush është vrasësi e kush krimineli, kush polici e kush hajduti, kush gjyqtari e kush prokurori. Keqbërësi akuzohet për keqpërdorim milionësh, arrestohet në mëngjes dhe lirohet në mbrëmje! Se fundmi përfaqësuesit e lartë të shtetit, kanë filluar të ringjallin edhe Kanunin, duke lënë ligjin në sirtarët e muzeut të antikitetit "historik", tamam kohë Kanuni- po mungon vetëm Leka!...

22). Duke qenë anëtar i këtij subjekti politik, unë nuk mund të ndihem më komod dhe të rri indiferent. Prandaj, duke kërkuar mirëkuptim, mbështetje dhe falënderim nga të gjitha shokët, bashkëluftëtarët, bashkëvuajtësit dhe bashkëveprimtarë e palodhshëm të çështjes sonë kombëtare të cilët në vazhdimësi me kanë mbështetur dhe i kam mbështetur pa kursim- më ndjeni: më qëllimin më të mirë për çlirimin dhe bashkimin e atdheut tonë, për zhvillimin dhe bërjen e shtetit ligjor, deklaroj përfundimisht se qëndrimi i mëtejmë në këtë subjekt është jashtë natyrës së veprimit tim në shërbim të atdheut, njëkohësisht edhe i papërgjegjshëm.

23). PDK-ja, gjatë rrugëtimit të saj politik dhe organizativ, nuk ka qenë konsekuente në realizimin e aspiratat të saja imediate. Ajo as një herë nuk ka mbajtur në kohë të rregullt Konventat e saja zgjedhore, madje as ato të punës, nuk ka mbajtur me kohë mbledhjet e rregullta të Këshillit Drejtues, as të Kryesisë së saj! Nuk ka thirrur kurrë me kohë anëtarët e saj të këtyre instancave për t'i konsultuar para se të merrej ndonjë vendim vital, apo i rëndësisë së veçantë. Nuk i ka shtruar çështjet serioze para anëtarësisë së vet. Kreu i saj, në shumicën e rasteve, nuk e ka pranuar polaritetin e mendimit demokratik. Për gjërat të rëndësishme është vendosur vetëm ne suaza të qarqeve të ngushta të hierarkisë së saj. Janë të shumta rastet kur në konventat e saj zgjedhore, votat e kandidatit të padëgjueshëm, janë manipuluar në llogari të të dëgjueshmëve!, fatkeqësisht me qasjen e njëmendësie të tillë politike veprojnë të gjitha partitë në Kosovë. Mendimin ndryshe e stigmatizojnë, linçojnë, shantazhojnë dhe e lëçisin, tamam si në kohën e diferencimeve ideo-politike!

24). Aderuesit e këtyre dy subjekteve LDK- PDK, në një farë mënyre janë hipotekë e një shprese të pazbërthyeshme qoftë për një vend pune apo për një përfitim tjetër material, për të punësuar një familjar, për ta regjistruar në fakultet një shkollar etj. Instalimi i padukshëm i kësaj qasje përballë anëtarësisë së vet, këto dy subjekte politike sikur i ka shndërruar në pushtetarë të plotfuqishëm. Përballë kësaj gjendjeje, domosdo qytetari i pamundur sikur ka krijuar bindja se duke qenë larg këtyre dy subjekteve politike, d.m.th. mbetesh larg jetës dhe të mirave të saj që mund të përfitohen duke qenë anëtar i këtyre subjekteve dhe e kundërta!

25). PDK-ja dhe koalicioni qeverisës për interesa të ngushta, më shumë se një herë kanë bërë shkelje të ligjeve, shkelje të Kushtetutës, gjyqësorit, drejtësisë etj. Kanë bërë hakmarrje politike ndaj grupimeve të ndryshme, madje edhe brenda llojit të vet! Koalicion qeveritarë në fushën e arsimit ka qenë nën çdo nivel, siç edhe u pa me rastin e vlerësimit të PISA-së! Ky koalicion ka bërë pak e aspak për të pagjeturit, pak e aspak shpresa për të pastrehët, pak e aspak për pensionistët, pak e aspak për shëndetësinë, pak e aspak për ushtrinë, pak e aspak për arsimin, pak e aspak për të papunët, mandej deri tek degradim dhe njëanshmëria e ndarjes së titujve të nderit dhe të shenjtë si: Hero, Dëshmor, Martir, Nderi i Kombit, etj. për atdhetarët që kanë dhënë aq shumë për liri të vendit, loja me dekorata për të merituarit në fushat e kulturës, shkencës, sportit, artit, muzikës e krijimtari tjera.

26). PDK - LDK dhe Dikasteri i Ministrisë së Arsimit në hapësirat e Kosovës, nuk kanë unifikuar plan program mësimor asnjëherë. Nxënësit e komunitetit pakicë serb, mësojnë me plan program të arsimit të Serbisë dhe e zbatojnë atë në shkollat e tyre nëpër Kosovë. Punëtorët serbë të arsimit (edhe tani), marrin nga dy paga mujore; një nga shteti serb dhe një nga Kosova! Ata nuk njohin diplomat e Universitetit të Prishtinës, ndërkaq Qeveria e Kosovës njeh diplomat e serbëve të lëshuara kuturu në veriut të Mitrovicës! Beogradi financon edhe strukturat e shërbimeve sekrete serbe, që operojnë ilegalisht në Kosovë. Pakicat serbe në Kosovë, nuk paguajnë rrymë (8 milion euro në vit, rrymë të harxhuar nga serbët në veri të Kosovës i paguajnë qytetarë shqiptarë!), serbët nuk paguajnë as ujin e shpenzuar, nuk paguajnë tatim, nuk paguajnë regjistrimin dhe nuk pranojnë as tabelat e veturave të Kosovës, nuk njohin dokumentet e udhëtimit të Kosovës, nuk njohin institucionet tona, nuk pranojnë flamurin dhe simbolet tjera të Kosovës. Madje Serbia zgjedh edhe Presidentin e vet me votat e elektoratit të Kosovës!- thjeshtë ata nuk i përgjigjen autoriteteve të shtetit të Kosovës në asnjë
segment të saj.

27). Gjyqësori i Kosovës dhe koalicioni qeverisës, deri me sot nuk ka ngritur as një aktakuzë për krime lufte kundër Serbisë millosheviqiane e cila ka ushtruar dhunë e gjenocid kundër shqiptarëve civil të Kosovës si: vrasje dhe masakrim të shqiptarëve të të gjitha moshave, religjioneve dhe gjinive, përdhunime të femrave shqiptare, dëbim të popullatës shqiptare nga shtëpitë dhe tokat e veta, plaçkitje të pasurisë së qytetarëve shqiptarë, djegiet e shtëpive të tyre, zhdukjen dhe moskthimin e mbi 2000 kufomave shqiptare etj. Qeveria e Kosovës, një lëndë të tillë akuze kundër pushtetit Serb nuk e ka ngritur asnjëherë në nivel institucional, dhe as në atë ndërkombëtar. Për më keq, kjo nuk është bërë as në mënyrë individuale nga qytetarët tanë, ngase nuk kanë gjetur mbështetje nga Qeveria e Kosovës, në një kohë kur agresori serb i djeshëm dhe i sotëm, vetëm në rastin Haradinja ka shpifur dhe deponuar në Francë rreth 2000 faqe aktakuza të paqena!...

28). Trumbetimi për transformimin e FSK-së, në Ushtri të Kosovës në fund të mandatit të këtij legjislacioni (çështje kjo tanimë shumë e vonuar), ngjason më shumë në komedi të radhës. Nga një anë kërkohet themelimi i Ushtrisë së Kosovës me ligj, por handikapi është se nuk e ka mbështetjen gjithëpërfshirëse, madje as të miqve tanë ndërkombëtarë. Mundësia tjetër është që ky transformim të bëhet me ndryshime kushtetuese (kështu do duhej të ishte), por këtë e bllokon pakica serbe me votën e saj të dyfishtë që kjo qeveri ia ka mundësuar, madje këtë pakicë e ka shndërruar në një shtet brenda shtetit!, prandaj gjithçka ka mbetur pezull në analet e papërgjegjësisë së radhës në "artin" politike të këtyre dy subjekteve!
Tani, nëse LDK-ja, ishte kundër që të bëhet Ushtria e Kosovës qysh në vitin 2014!, atëherë shtrohet pyetja: përse PDK-ja beri koalicion me këtë subjekt i cili ishte kundër bërjes së Ushtrisë sonë!?, edhe më indikativ është fakti që PDK-ja, prapë po kërkon mbështetjen e këtij
subjekti politik kundërshtar e mohues! Me keqardhje, si në legjislacionin e kaluar, njëjtë edhe tani, PDK dhe LDK nuk do ta bëjnë kurrë Ushtrinë e Kosovës- krejt kjo shkaku i primatit: njëra propozo- tjetra kundërshto!

29). PDK dhe koalicioni qeverisës, as një herë nuk e kanë ngritur zërin sinqerisht për të dalë në mbrojtje të shqiptarëve- mbetur padrejtësisht nën pushtimin serb, maqedonas dhe malazez. Nuk kanë ngritur zërin për të mbrojtur të drejta e tyre më elementare të garantuara me Konventa ndërkombëtare, si përdorimi i simboleve kombëtare, gjuhës së tyre, shkollimit në gjuhën amtare në Republikat e lartpërmendura garantuara me ligj, ashtu siç i kanë të garantuara pakica joshqiptare në Kosovë. Mbi të gjitha PDK dhe koalicioni qeverisës, këtë duhet ta kishte ndier edhe si obligim moral e Kushtetues për mbështetjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë ata në tokat e veta. Duhet ta themi më shumë përgjegjësi se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, çdo ditë i nënshtrohen presionit dhe diskriminimit të vazhdueshëm nga pushteti Serb atje. Kjo bëhet me qëllim të zbrazjes së atyre trevave nga popullata shqiptare e cila jeton në tokat e veta. Medvegja, tanimë veç është zbrazur!...

30). PDK dhe LDK- koalicioni qeverisës, në raport me mërgatën tonë, nuk kanë marrë as një herë mundin që t'i trajtojnë ata si qytetarë të denjë të cilët kanë dhënë gjithçka nga vetja e vet për Kosovën dhe lirinë e saj. Mërgata shqiptare gjithandej në dyert e botes së madhe, ka dhënë edhe kafshatën e gojës me krenarinë më të madhe, me vullnetin më të madh për Kosovën dhe lirinë e saj. Ka dhënë bijtë e vet më të shtrenjtë të cilët kanë lënë luksin e Evropës dhe Amerikës, ata sot prehen në zemrën e Kosovës mëmë! Mërgata sot, nuk përfillët dhe nuk përfaqësohen askund, mërgimtarët tanë shikohen vetëm si subjekt vjelje dhe kaq! Ata sa herë vizitojnë tokën mëmë, shihen dhe thirren në zhargonin e rrugaçërisë; si të huaj Auslanderi. Mërgata mes katër rrugëve të botës, e huaj në dhe të huaj dhe e huaj në dhe të vet!, a ka ku të shkoj kjo çoroditje më tej se kaq?! Ata vilen në kufi me sigurime të dyfishta për makinat, me taksa tjera rrugore, me çmime të kripura dhe mbi të gjitha me përçmimi. Këta vizitojnë atdheun e vet me kaq dashuri dy, tri e më shumë herë në vit, dhe kthehen në vend të huaj me kaq dhimbje e përbuzje, duke e shtruar të vetëm pyetje: A jemi edhe ne Kosovë?!

31). PDK-ja dhe koalicioni qeverisës me politikën e saj të inercionit, kanë lënduar rëndë imazhin e Kosovës. Qytetari ynë, kudo jashtë Republikës së Kosovës ndihet i nënçmuar, fyer e përbuzur, margjinalizuar e anatemuar, lënën në mëshirën e fatit. Trajtohet si qytetarë i rendit të dytë, ndalohet dhe arrestohet për hiq gjë; jo në pak raste, arrestohen edhe ministrat, kryeministri, kryetari partiak, anëtarët e FSK-së, si në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Slloveni, Rumani, Spanje, Hungari, Francë, Gjermani, Zvicër, Itali e kudo! A nuk është kjo përtej nënçmimit?! E gjithë kjo me urdhër të Serbisë së kohëve të Millosheviqit!, në një kohë kur kriminelet serbë shëtisin anë e kënd Evropës, madje në Republikën e Kosovës, hynë e dalin të lirë kur të duan dhe si të duan e nuk i arreston kush!...

32). Si produkt i mos efikasitetit të ligjit dhe të punës së kësaj Qeverie, janë shtuar raste të shumta kriminale që shqetësojnë qytetarin e rëndomtë. Keq bërjet në Republikën e Kosovës janë shifra në rritje të përditshme dhe të pakontrolluar si: vrasje, plagosje, lëndimet me mjete të forta (fatkeqësisht edhe ndër nxënës nëpër shkolla), grabitje, mashtrime, linçime, haraç, vjedhje, djegie veturash, djegie mbeturinash kudo buzë rrugësh, djegie pyjesh e hamulloresh, Kosova e mbuluar me tym dimër e verë, kontaminim i ajrit në Prishtinë që të futë kancerin në mushkëri, përdorues të narkotikëve, element të prostitucionit, korrupsionit, fatkeqësi të përditshme komunikacioni deri edhe me pasoja fatale etj.
Nga ana tjetër, gjithnjë e më pak ka denoncim të këtyre rasteve tek organet e rendit, shkaku është i thjeshtë: ligji në Kosovë nuk po vepron me efikasitet, është shumë apatik e neglizhues, prandaj qytetari ynë ka humbur shpresat tek mbrojtja e shtetit- ka mbetur në dorë të zotit!
Qytetari ynë para drejtësisë, për ta zgjedhur një lëndë nga e cila është dëmtuar, duhet të pres dy, tri e më shumë vite, zhvatet mirë e mirë nga avokatë të tërë dhe krejt në fund Gjyqësori të të thotë: "Lënda është vjetruar!"- keqbërësi mbetët i lirë për të vepruar prapë!...

33). PDK, LDK, dhe të gjitha subjektet tjera politike që veprojnë në Kosovë, pa dallim akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion, nepotizëm deri edhe për tradhti e bashkëpunim me pushtuesin- në të njëjtën kohë, të gjitha janë të gatshme që të lidhin koalicion me njëra-tjetrën! Të gjitha heqin vijat e kuqe për të bërë koalicione mes vete kur është në pyetje pushteti! Si ka mundësi që LDK-ja akuzon PDK-në për krime e vrasje, për SHIK-istë, dhe në të njëjtën kohë është në koalicion me te, që d.m.th. në koalicion me "vrasësit" me "SHIK"-ist, me "kriminelët" etj!?... Po ashtu LDK-ja, akuzon edhe VV-në për agresore, për terroriste, madje edhe bashkëpunëtore të Serbisë, si të shpjegohet kjo kur LDK-ja, pati kaluar deri në ekstazë kur bëri marrëveshje me "Bllokun" - VLAN-in. Ngjashëm është edhe tek partitë tjera që kanë ngufatur lirinë dhe progresin e Kosovës. LDK-ja, akuzohet tradicionalisht si bashkëpunëtore e pushtuesit dhe UDB-së, e ngarkuar me kuadro që kanë qenë këmbë e krye në shërbim të ish pushtuesit tanë Jugosllavisë - Serbisë, ndërkaq mezi presin që të qeverisin në koalicion me te!!!, AAK-ën e akuzojnë për reketim e haraç, AKR-në për zhvatje mashtrime e bashkëpunim me Serbinë e Rusinë, prijësin e Nismës për zhvatjen e ministrisë së transportit etj. "Filozofi" politike kjo e paparë e dëgjuar ndonjëherë. Secili i thotë secilit: ti je hajni, je krimineli, je bashkëpunëtor me pushtuesin, je tradhtari dhe vrasësi. Nga ana tjetër, secili me secilin janë të gatshëm të përqafohen rreth pushtetit të përbashkuar- qëndrim kurvërie ky (nëse politika qenka e tillë), qëndrim joserioz ky dhe shumë i papërgjegjshëm para elektoratit.

34). Dua të sqaroj qytetarët tanë se unë kam punuar për 4 vite rresht në Konsullatën e Kosovës në Zyrih të Zvicrës (si pjesë e stafit lokal), për punën time jam paguar nga buxheti i Kosovës. Me tërë qenien time, jam përpjekur të jem në shërbim të qytetarëve tanë- do të isha i lumtur nëse ia kam dalë me sukses, dhe kjo do më bënte nder. Personalisht, kam bërë shkëputjen e kontratës time të punës, duke mos dashur që edhe më tej të jam barrë e buxhetit të Kosovës. Shkëputjen e kontratës së punës me Konsullatën e Kosovës në Zürich të Zvicrës e kam bërë me 30 janar 2017.

35). Duke mos qenë natyrë pesimiste dhe nihiliste, them me plotë gojën se Atdheu ynë nuk është kaq zi- JO, asnjë herë! Janë politikë-bërësit tanë ata të cilët me të pabërat e tyre kanë nxire faqen e bardhë të Kosovës dhe kanë lënduar rëndë imazhin e saj. Kosova është e bukur, me lumenj, fusha e male, me pasuri nëntokësore e mbitokësore, Kosova është vend me një rëndësi të veçantë gjeostrategjike për gjithë rajonin, Kosova ka rini të zgjuar dhe të bukur, me nxënës e studentë të mirë, me Polici dhe Ushtri (FSK) të shkathët, me intelektualë e atdhedashës të përkushtuar, me sportistë e artistë të dalluar, me kolorit të bukur të qiellit dhe natyrës së saj, me bjeshkë gjigante maja-bore, me peizazhe të papërsëritshme, me kanione e gryka të mrekullueshme, me rezerva pasurish të pallogaritshme, me miq të shumtë ndërkombëtar, Kosova ka një popull të lashtë mikpritës e bujar, ka djem e burra trima si në legjenda që janë djegur në kullën e barotit për lirinë e atdheut, ka vajza e gra si zana mali, të cilat me sakrificat e tyre sublime kanë ngritur lartë zërin e atdheut. Gjuha jonë shqipe, është ndër gjuhët e para zonja të Evropës dhe botës sonë të madhe, shqiptarët janë ndër më të njohurit në Evropë si bukëdhënës. Shqiptarët bukën kujt as nuk ia japin, as nuk ia hanë me hile. Kosova ndër shekuj ka kërkuar lirinë e vete, asnjëherë ndër shekuj nuk mbahet mend ta ketë ngulfatur lirinë e tjetrit, edhe sot, ne duam dhe mbrojmë me çdo kusht lirinë tonë.
Pashmangshëm, është ligji i natyrës ai, që bënë të ikin të ligjtë duke lënë shije të hidhur mbrapa. Kosova dhe populli ynë këtu do mbetët brez pas brezi, do na pres e do na përcjell- dikë më të sharë, dikë më të qarë!... Pushtetarët vijnë e ikin, pa dyshim do të vjen brezi i ri që do ta bëj vendin tonë më të bukurin në botë, Kosovës do t'ia ndritë faqen e bardhë- për këtë nuk kam asnjë dyshim.

36). Të gjitha këto fakte që i solla më sipër, edhe një herë (pa dashjen dhe vullnetin tim), besoj se dëshmojnë mjaftueshëm për veprimet dhe mosveprimet e PDK-së dhe koalicionit aktual, që shkojnë në dëm të Republikës së Kosovës e më gjerë. Prandaj, pas përpjekjeve dhe pritjeve të mia të vazhdueshme që kjo parti ta marrë të mbarën, shpresës sime të kotë i erdhi fundi. Kjo që paraqita deri tani në formë të shkruar, në arsyetim të dorëheqjes sime mbi të gjitha është çiltërsi dhe obligim qytetar për ta thënë të vërtetën e madhe.
Nëse ky akt mund të quhet human e sublim, përkushtimit tim për t'i shërbyer Atdheut, çlirimit dhe bashkimit kombëtar, vetëm sa i shtohet pesha dhe përgjegjësia e veprimit në shërbim të çështjes sonë të pazgjidhur.

Përfundim:
- Para së gjithash ta kemi të gjithë të qartë se për të aderuar në një subjekt politik, lipset përcaktim dhe vullnet i lirë, pa imponime dhe joshje.
- Njëkohësisht për t'u larguar nga një subjekt politik, tani nuk është vullneti dhe përcaktimi i aderuesit, por duhet të ketë një arsye të fortë dhe të pakapërcyeshme për ketë veprim!
- Nga sot dhe nga këtu, rruga ime me PDK-në ndahet përfundimisht!

Zvicër, 17 prill 2017

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Mehmet Bislimi
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 48 vizitorë
Lexuar: 266 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vetÃ...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllazÃ...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi