Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Pse Shqipëria është edhe sot në këtë krizë të thellë?!
Publikuar më 22 prill, 2017 në orën 19:33 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Shqipëria është në krizë. Krizë do të thotë anarki, paqëndrueshmëri, pasiguri, paligjshmëri, mosbesim, mosshpresë, rrëmujë apo kaos e që mund ta çojnë vëndin edhe në fatkeqësi e madje edhe në tragjedi . Për një krizë apo gjëndje rrëmuje në Shqipëri e thotë dhe shprehet edhe Gazeta “ The American Spectator” se: Shqipëria është një rrëmujë, ashtu si dhe media të tjera më parë që e quajtën “Kanabistan”.

Kjo krizë tashmë i është faturuar Ramës dhe të të ashtuquajturës qeverisje e ekipit të “Rilindjes” jo vetëm nga opozita E Djathtë e cila proteston pandërprerë prej dy muajsh, por, qeverisja e “Rilindjes” socialiste akuzohen rëndë edhe nga vetë E Majta; si nga aleatja e saj në qeverisje, LSI-ja, e cila po i bën realisht opozitë PS-së, pavarësisht se ajo bashkëqeveris me të.
Por tashmë është konfiguruar shumë fuqishëm edhe Lëvizja “Zgjidhja” brënda Partisë Socialiste e drejtuar nga politikani i njohur socialist, Koço Kokëdhima; Lëvizje e cila erdhi si reagim kundër lidershipit të Partisë Socialiste dhe qeverisë së pseudoRilindjes; si një Lëvizje për ta demokratizuar dhe për ta reformuar PS-në e kapur dhe të privatizuar nga lidershipi, pushteti dhe “rilindasit” e Partisë dhe të pushtetit. Kjo Lëvizje e Kokëdhimës e cila ka marrë misionin jo vetëm të demokratizimit të së Majtës shqiptare por edhe të demokratizimit të tërë sistemit demokratik në Shqipëri ka marrë përkrahjen dhe mbështetjen e madhe jo vetem të antarsisë dhe të simpatizaneve të së Majtës, por edhe të publikut dhe të shoqërisë shqiptare në tërësi.
Ajo nga Lëvizje brënda PS-së edhe mund të shndërrohet në një Parti politike pasi në pak kohë disa mujore që nga dalja në skenë si Lëvizje, ajo ka një antarësi dhe ka fituar besim e mbështetje shumë të fuqishme në funksion të realizimit të misionit historik të saj: të transformimit, reformimit dhe të konsolidimit të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të integrimit të individit, të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar.

Politika në Shqipëri ka prodhuar gjithnjë gjatë këtyre 25 viteve tranzicion: konflikte, mashtrime e gënjeshtra; papunësi dhe varfëri; trafikim qeniesh njerëzore dhe drogë, korrupsion, krim dhe eksod, tradhëti dhe paqëndrueshmëri. Pra Shqipëria mbetet kështu gjithnjë në krizë. Edhe SOT, Shqipëria është në një krizë të thellë e të gjithanshme, dhe për ta nxjerrë atë nga ky udhëkryq nuk mundet as politika dhe as shoqëria shqiptare ,nuk mjaftojnë ambasadorët e SHBA-së dhe të BE-së por duhet të vijnë edhe ndërkombëtarë të tjerë si; Ministri i Jashtëm i Gjermanisë dhe ai i Hollandës si dhe pritet që të vijë edhe Kryetari i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.
Në fakt për ta nxjerrë Shqipërinë nga krizat ku e kanë zhytur atë vazhdimisht paria politike e saj, gjithmonë ka qenë vendimtare ndihma dhe ndërhyrja e ndërkombëtarëve, pasi politikanët bajraktareskë shqiptarë e kanë pasur dhe e kane pothuajse të pamundur që të dialogojnë ndërmjet tyre, sepse ata mbi të gjitha kanë kapadaillëkun, kokëfortësinë, egoizmin, inatin dhe si më kryesore politikanët shqiptarë kanë pushtetin, tradhëtinë, korrupsionion dhe interesin personal mbi atë kombëtar.
SOT, së pari, Shqipëria është aktualisht në një krizë të thellë politike, elektorale dhe ligjore pasojë kjo që ka ardhur nga një parlament, qeverisje dhe administratë e mbushur me injorantë, të korruptuar dhe me individë me rekorde kriminale; pasojë kjo që ka ardhur prej këtyre të përzgjedhurish që kanë bërë lidershipet dhe kjo elita politike e tillë. Rrjedhimisht pra, Shqipëria është në një krizë gjithëinstitucionale politike dhe qeverisëse dhe në krizë prej sistemit të drejtësisë së falimentuar, të kriminalizuar dhe të korruptuar.
Shqipëria është edhe në krizë morale sepse: nëse vëndi është në krizë politike, elektorale (demokratike) dhe ligjore, kjo krizë vjen vetëm atëhere kur politika, zgjedhjet demokratike dhe ligji e drejtësia nuk funksionojnë moralisht. Dhe të sillesh moralisht do të thotë të sillesh dhe veprosh si duhet, siç e kërkojnë urdhërat dhe ndalesat morale. Këto nuk i ka, apo këto janë deficitet më të mëdha që i ka politika, pushteti dhe drejtësia në Shqipëri.
Nga kjo situatë vëndi del vetëm me zgjedhje të lira, të pamanipuluara, të ndershme dhe demokratike që do të mbahen së shpejti, por me një kusht që ato të mbikqyren, të monitorohen dhe të kontrollohen rreptë nga ndërkombëtarët duke skualifikuar së pari nga e drejta për të konkuruar dhe për të marrë mandatin e deputetit, të qeveritarit dhe të administratorit elementët e pamerituar, të paaftë, amoralë, jopatriotë dhe sidomos nga ata me rekorde kriminale. Dhe këto zgjedhje prandaj duhet të monitorohen rreptësisht nga ndërkombëtarët pasi politika shqiptare aktuale është e pabesueshme pasi e ka të pamundur për ta bërë vet-VETING-un apo vetdekriminalizimin e saj.
Në Shqipëri jo vetem vetë politika, por edhe askush tjetër më nuk ka besim se pushteti apo qeverisjet kanë organizuar ndonjëherë zgjedhje të ndershme dhe të pamanipuluara, prandaj do të ishte mirë që të miratohej një ligj i tillë që: disa muaj para çdo zgjedhjeje parlamentare qeverisja t’u besohej teknicientëve dhe intelektualëve nga jashtpolitika, pra një qeverisjeje paanësie politike; qeverisja t’u besohej individëve të besueshëm dhe profesionistëve me personalitet intelektual dhe moralisht të pa infektuar nga politika dhe korrupsioni. Vetëm kështu kthehet besimi te qytetarët shqiptarë për zgjedhje të lira, të ndershme e të pranueshme si dhe besueshmeria për ligjin, për lirinë dhe për demokracinë.
Dhe vazhdojmë të pyesim edhe se: pse gjithmonë kur Kosova, shqiptarët e Maqedonisë dhe të Preshevës si dhe vetë Shqipëria: kur ata kanë nevojë për një Shqipëri të integruar dhe të fortë ekonomikisht, demokratikisht dhe politikisht; kur shqiptarët kudo që ata janë, kanë nevojë për një shtet shqiptar të konsoliduar e modern dhe për një Shqipëri të qëndrueshme politikisht dhe të integruar europianisht; pse shteti shqiptar pothuajse gjithnjë në momente të tilla gjëndet në udhëkryq politik dhe demokratik shkaktuar prej politikanëve të saj?
Kjo a nuk përbën tradhëti për politikën dhe për politikanët shqiptarë?
Që prej 25 vitesh Shqipëria zhagitet, zvarritet apo vetëm sa rrëshqet nëpër udhëkryqet e historisë mundimshëm dhe përvuajtshëm drejt demokracisë, progresit, mirëqënies dhe integrimit. Kjo vjen jo vetëm prej pengmarrjes që Shqipërisë i kanë bërë politika dhe politikanët e mbrapshtë por edhe dhe prej indiferencës kolektive ndaj problemeve themelore me interes kombëtar të shoqërisë apatike shqiptare e cila lëviz e përçarë dhe vetëm kur e ftojnë bajraktarët e korruptuar dhe matrapazët e politikës dhe të pushtetit për interesat e tyre personale, politike dhe për pushtet.
Nëse nuk gaboj, konstatohet apo vërehet se opinioni publik në pjesën më të madhe të tij interesohet dhe bëhet kurioz të dijë dhe të merret me vogëlsira, me gjëra të thjeshta, të sipërfaqshme dhe të parëndësishme; të besojë lehtësisht në thashethemnaja dhe gënjeshtra si dhe të manipulohet e lehtëmashtrohet nga përrallat, premtimet e rrejshme dhe akrobacirat politike të aventurierëve të politikës, pushtetit dhe të hipokrizisë së tyre.
Pothuajse gjithnjë interesi popullor dhe ai kombëtar është tradhëtuar prej parive apo lidershipeve, apo prej këtyre farë “elitave” politike shqiptare të cilat gjithmonë janë treguar “tolerante”, dorëlëshuara për të matrapazuar, kontrabanduar, falur e shitur dhe të gatshme për të sakrifikuar interesin kombëtar e publik për interesa të ngushta personale të tyre.
Kemi 25 vite që dëgjojmë nga politika, pushteti dhe media në Shqipëri vetëm gënjeshtra, mashtrime dhe pallavra politike për demokracinë, për patriotizmin, për drejtësinë, për shtetin ligjor dhe për integrimin dhe po ashtu zhurmë dhe thirrje populiste dikur Berisha, ik! Nano, ik! Pastaj përsëri Berisha, ik! dhe tani edhe Rama, ik! Pra, ik e eja, por ik e eja po të njëjtët politikanë e zullumqarë të pandëshkueshëm dhe e njëjta melodi, fizionomi, filozofi dhe elitë politike krimi, korrupsioni, mafie, hajnije, papërgjegjshmërie, varfërie, trafikimi droge e qeniesh njerëzore, tragjedish e fatkeqësish të vazhdueshme, të përsëritshme dhe të riciklueshme.
Kjo klasë apo kjo elitë politike e rrejshme dhe mashtruese na ka bërë gazin e botës dhe po e mban Shqipërinë gjithnjë peng , në krizë dhe në udhëkryq.
Gjithçka është problem në Shqipëri, pasi asgjë nuk është zgjidhur si duhet dhe as nuk është vënë në vëndin e duhur, por vetëm sa të këqijat përsëriten, rriten dhe shtohen ato.
Problem pronat; problem ligji, drejtësia, krimi; problem shkollat dhe universitetet; problem kultura, shëndetsia, mjedisi e territori; papunësia dhe varfëria; problem mirëqënia, pensionet, ndihma sociale; problem plehrat, ndotja, ekomafia dhe mbiproblem korrupsioni e narkomafia; problem europian eksodi dhe narkotrafiku nga Shqipëria; problem që prej 25 vitesh demokracia dhe zgjedhjet elektorale gjithnjë të vjedhura, të blera dhe të manipuluara. Dhe nuk e di se çfarë nuk është problem apo cili problem është zgjidhur si duhet në Shqipëri?
Pra, deri kur më Shqipëria do të jetë në udhëkryq të demokracisë dhe të integrimit; në udhëkryq kritik për zgjedhje të lira dhe të ndershme; në udhëkryq për zgjedhjen e presidentëve të saj; në udhëkryq prej kapjes nga një kastë politike e korruptuar dhe e kriminalizuar; në udhëkryq prej pamundësisë për të luftuar krimin dhe drogën etj. Dhe së fundmi pse edhe tani pas miratimit të Reformës në Drejtësi akoma ka tendenca dhe përpjekje për ta bllokuar dhe penguar zbatimin e saj, pra, për ta mbajtur akoma Shqipërinë në udhëkryq prej padrejtësisë?
Pra a nuk është Shqipëria në krizë dhe në udhëkryq edhe tani në prag të zgjedhjeve elektorale të vitit 2017, ashtu siç ishte dhe në prag të zgjedhjeve të vitit 2013, dhe ashtu siç edhe ka qenë gjthnjë në prag të çdo zgjedhjeje elektorale ku 6 muaj para tyre shteti nuk funksionon.
Shqipëria është në udhëkryq sepse atë e mban peng lufta e egër politike vetëm për pushtet, si për ta mbajtur ashtu edhe për ta fituar atë vetëm me synim për përfitime e privilegje personale, nepotike, familiare dhe klanore; Shqipëria në udhëkryq prej politikës krejtësisht të papërgjegjshme dhe të painteresuar për çështjet publike, sociale dhe kombëtare. Deri kur më kështu?
Shqipëria sot është në një krizë të thellë politike pasi elita politike aktuale, pushteti dhe qeverisja mbahen në këmbë prej poshtërsive, korrupsionit dhe nga ndërthurje të interesave të ngushta korruptive dhe kriminale afatshkurtëra të krimit, të matrapazëve dhe të klaneve të politikës që nuk po pyesin akoma as edhe për Reformën në Drejtësi, as për Dekriminalizimin e Politikës, as për nevojat e shoqërisë dhe as për ndërkombëtarët. Kjo është premisë drejt shkarjes në një humnerë apo në ndonjë katastrofë tjetër të radhës ndoshta si ajo, apo përafërsisht si ajo e viteve 1997.
Shqiptarët duhet të veprojnë tani sepse kanë edhe përkrahjen e SHBA-ve, dhe se pa ndihmën e tyre nuk dalin dot shqiptarët nga udhëkryqi ku e mbajnë Shqipërinë politikanët dhe kryetëparët e politikës dhe të shtetit shqiptar; duhet vepruar dhe ndëshkuar këta zullumqarë, mëkatarë dhe keqbërës të paskrupullt.
Shoqëri civile!
Guxoni dhe veproni tashmë, por mesa duket as nuk po guxoni, dhe as nuk po doni, dhe as nuk po mund të veproni sepse në atë farë derexheje është katandisur jo vetëm politika dhe drejtësia por edhe shteti dhe shoqëria civile.
Mesa duket edhe dekriminalizimin e sistemit politik dhe atë të drejtësisë do ta bëjnë po SHBA, ashtu sikurse edhe po prej presionit të SHBA dhe të BE-së u miratuan edhe Ligji i Dekriminalizimit të Politikës dhe Reforma në Drejtësi. Është shumë e çuditshme kur ambasadori amerikan shprehet se kryeprokurori i Shqipërisë e ka penguar Reformën në Drejtësi dhe as politika, as opozita dhe as pozita, as deputetë dhe as Parti politike dhe as shoqëria civile nuk kanë kërkuar minimalisht dorëheqjen e Kryeprokurorit.
Mesa duket edhe skualifikimin e kandidatëve me rekorde kriminale për deputet në zgjedhjet e këtij viti do ta bëjnë dhe urojmë që ta bëjnë SHBA-të pasi nuk mund ta bëjë pastrimin dhe vetVETING-un politika e kriminalizuar shqiptare dhe as shoqëria civile shqiptare e paralizuar dhe e kapur prej kësaj elite politike dhe sociale e kriminalizuar dhe e korruptuar. Dhe pa një mbikqyrje dhe një monitorim të rreptë nga SHBA dhe BE as mos t’i shkojë ndokujt në mëndje se do të ketë zgjedhje të pamanipuluara në Qershor të vitit 2017.
Shoqëria shqiptare deri më sot edhe kur ka lëvizur, edhe kur ka vepruar, edhe kur ka sakrifikuar për lirinë, për demokracinë, për progresin dhe për integrimin, edhe kur ka protestuar, edhe kur ka votuar: prej të gjitha këtyre pëfituesja e madhe ka qenë vetëm politika dhe pushteti; politika dhe pushteti të cilët vetëm sa kanë mashtruar, manipuluar, keqpërdorur dhe kanë spekulluar me aspiratat e lirisë, demokracisë, patriotizmit dhe të integrimit të shoqërisë shqiptare.
Shqiptarë!
Guxoni të veproni për ndryshimin, për shpresën dhe për të ardhmen sepse keni SHBA-në, aleatin e madh që na ndihmoi dhe na nxori nga sketerra komuniste, SHBA, e cila po na ndihmon prej 25 vitesh për të dalë edhe SOT nga udhëkryqi demokratik i korrupsionit; nga udhëkryqi i vjedhjes dhe i manipulimit të zgjedhjeve demokratike; për të dalë nga udhëkryqi prej sistemit politik të kriminalizuar dhe nga ai i sistemit gjyqësor politik dhe të korruptuar si dhe prej sistemit kriminal të kultivimit dhe të trafikimit të drogës, të pastrimit të parave të pista, të trafikimit të qënieve njerëzore etj.
Këto janë kauzat për të cilat duhet të ngrihet dhe të lëvizë shoqëria shqiptare, kauza të cilat motivojnë dhe nxisin protestën për demokracinë dhe lirinë e vërtetë; kauza që motivojnë një Lëvizje jo vetëm demokratikisht dhe qytetarisht, por duke motivuar një Lëvizje qytetare moralisht së pari, pra një Lëvizje në emër të së vërtetës, të dinjitetit dhe të moralitetit njerëzor; një Lëvizje kundër tradhëtisë, hipokrizisë, mashtrimeve, krimit, korrupsionit politik dhe kundër degradimit politiko-social, ekonomik, kulturor dhe intelektual të shoqërisë që i vijnë asaj nga keqqeverisja politike dhe nga apatia shoqërore.
Duhet rezistencë shoqërore pa kompromis kundër të keqes, krimit dhe tradhëtisë publike të politikës dhe të pushtetit; duhet rezistencë shoqërore së pari për t’i sfiduar, mundur dhe ndëshkuar ato. Për një Lëvizje të tillë ka nevojë akoma Sot Shqipëria që ajo të dalë nga kjo pengmarrje e politikës dhe nga ky udhëkryq ku Shqipëria gjendet kryesisht për faj dhe prej korrupsionit, krimit dhe të tradhëtive së elitës politike shqiptare që prej 25 vitesh..
Nëse shqiptarët nuk luftojnë vetë së pari për të dalë nga ky udhëkryq demokratik atëhere ata i vuajnë me meritë pasojat e tij, pasi për SHBA dhe për BE Shqipëria nuk përbën ndonjë prioritet apo rëndësi jetike për ta, por vetëm sa Shqipëria përfshihet në planin strategjik periferik të tyre, pasi: SHBA dhe BE kanë probleme të tjera shumë të rëndësishme të tyre, në vëndet e tyre sikurse dhe kanë probleme të tjera madhore strategjike me rëndësi globale. Por, ama, ne vetëm sa po u krijiojmë atyre shqetësim dhe kokëçarje me problemet tona të cilat duhet t’i zgjidhim vetë ne.
Dhe nëse SHBA dhe BE lodhen si gjithnjë me ne, ata edhe mund të na braktisin, gjë të cilën e dëshirojnë armiqt tanë si dhe korrupsioni dhe pushteti i politikanëve shqiptarë të papërgjegjshëm para shtetit dhe kombit të tyre, përderisa ata sillen kundër interesave të popullit të vet, kundër demokraciasë dhe kundër integrimit të Shqipërisë.
Është fakt, pasi realiteti i këtyre viteve të tranzicionit ka treguar se vetëm falë ndihmës, monitorimit dhe ndërhyrjes vendimtare nga SHBA dhe BE-së Shqipëria ka mundur që të shmangë destabilitetin politik të shpeshtë dhe ngjarje të tjera të rënda me pasoja katastrofike për vëndin të shkaktuara prej elitës së papërgjegjshme politike shqiptare.
(Vazhdon…)

Skënder S. KAPITI

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 42 vizitorë
Lexuar: 249 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi