Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Freskim njohje e dashurie ndaj atdheut
Publikuar më 27 prill, 2017 në orën 00:59 ( ) Prof. Hazir Mehmeti | Të ndryshme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Reportazh udhëtimi me nxënës. Ekskursionistë nga Austria në vendlindje nën mbështetjen e Minidstrisë së Diasporës.

. Pushimi i Pashkëve u pasuruar me ekskursionin mësimor në njohjen e atdheut, njëkohësisht çmallje me të afërmit e munguar. Kësaj radhe ishte nga Austria grupi prej 43 nxënësve dhe mësueseve të tyre Antigona Elshani, Bukurije Limani, Rafete Kosumi dhe Hazir Mehmeti. Që në ditën e parë u priten në ministri nga Ministri Valon Murati dhe stafi i tij. Z.Ymer Avdiu, zyrtar në ministri, dha një njoftim rreth grupit të ekskursionit. Ministri në fjalën e tij përshëndetëse tha: “I falënderoj mësueset/it që kontribuojnë për mësimin e gjuhës amtare në Austri. Ne po realizojmë programe që të ju mbajmë më afër atdheut, të shtrojmë rrugën që ju të jeni më afër brenda mundësive tona së bashku me mësuesit, shkollat në realizimin e aktiviteteve të tilla.

Ekskursioni ka efekt të fuqishëm në ofrimin me vendlindjen.”
“Ndihemi të nderuar nga pritja e juaj, nga pritja e Ministrisë dhe njerëzit e përkushtuar për ta ofruar nxënësin mërgimtar me vendlindjen e prindërve tanë” u dëgjua zë mes zërash.
Grupi i nxënësve vizitoi edhe Muzeun e Kosovës, Muzeun Etnografik, Qendrën e Qyteti ku përmendorja e Gjergj Kastriotit Skëndërbeu të ngjallë krenari të freska dhe detyrim në vlerësimin e përkrenares dhe shpatës origjinale në Vjenë të cilën e barti Kryetrimi ynë para pesëqind e dyzet e nëntë vjetësh. Buçetë lulesh të freskëta në Velani në respekt për kryetarin e ndjerë Ibrahim Rugova, filozof e burrështetas që bëri të flasin burrat e mëdhenj të kohës për hallet e Kosovës.
Vizita në Vendin e Epokave, Prekazin Legjendar, fillon me buçetë nderimi e përulje para veprës që Komandanti Legjendar Adem Jashari, familjes së Madhe Jashari, aty ku lëshoi rrënjë Liria. Shtëpia muze, Muzeu i Familjes Jashari, do mbetën përgjithmonë në bebëzat e filizave të rinj kureshtar me zemrën flamur, edhe për nesër. Mirëseardhje me lulet e freskëta drenicore e ëmbëlsirë nga Violetë e Fatimir Osmanit, na riktheu në “bukë e krip e zemër” bujari e trashëguar në sofrën shqiptare.
Gryka e Rugovës hapi krahët e gurtë para rrotave të Egnatia e cila gumëzhinte zgjua bletësh nga mahnitjet me pamjet madhështore. Gurgullimës së Lumëbardhit iu shtua zëri violinës së talentit të muzikës në Vjenë, Alban Spahiu me bekimin e Betovenit në zbutjen e ashpërsive shkëmbore të rënduara moteve. Kulla e Rugovës nuk do harron gjatë kombinime mjeshtërore tingujsh të violinës e çiftësisë . Nuk u dashtë shumë kohë kur nxënëset valltarë nga Graci i Lasgushit dikur, të ringjallin vallet shqiptare të ndërtuara shekujve dhe ruajtura gjithkund ku frymon shqiptarja. Sara Krasniqi, Fiona Sadiku, Rina e Leona Maxhuni, Rinesa e Erona Mjekiqi, Albiona, Blerina e Lujleta Kabashi, Rilinda e Agnesa Bytyqi, Elvire Bujari, Diana Limani treguan se e duan dhe kultivojnë vallen shqiptare duke e prezantuar në festivalet e kombeve Evropës bashkë me punën e kujdesin e arsimtares së tyre Bukurije Limani. Bujaria e Rugovës ishte mbresëlënëse, një krenari e arsyeshme e koleges sonë Xhevë Lajqi, e lindur dhe rritur krenare këtyre viseve madhështore. Pranë qerres relikte rugovase, luleshurdha dhe vjollca uruan rrugëmbarë në pa harrim të emrave në gjuhën shqipe.
Egnatia me hapat e saj ndaloi aty ku bashkohen vëllezërit e vegjël me duqit e bardhë e të zi në Drinin ujëshumë. “ Një foto, ju lutem”, foli drejtuesi i grupit. Kjo sjell fat edhe për nesër, simboli i bashkimit ka rrënjët e vjetra tragjedive të mëdha të kombit të ndarë. Lugina e Fanit i Vogël ishte disiplinuar me shkëlqimin e asfaltit edhe përtej bashkimit me vëllain, Fani i Madh drejt Matit. Papritur djathtas nesh shkëlqente shkëmbi i gurtë me tempullin e lartë ku Homeri Shqiptar lëshoi kushtrimin në Lahutën e Malësisë. Tutje luginës rridhte Mati i mplakur me zemërimet e tij moteve në tregime legjendash të vjetra e të reja rrapëllimave të vështira shqiptare. Shoqërimi nga miku ynë dhe gjithë shkollës shqipe në diasporë, z.Nuhi Gashi, e pasuroj këngën bashkë me organizimin e mirë të udhëtimit përtej Kalimashit.
Eganatia furishëm kërkonte Kryestacionin e tij, Krujën e Gjegj Kastriotit Skënderbeut, dhe, kështjellën e tij legjendë epokave. Portës hyrëse në kështjellë, nga kishte hyrë dhe Gjergj Kastrioti pesëqind e shtatëdhjetë e katër vjet më parë me Flamurin e Arbërit, po hynim dhe ne. Në fytyrat e nxënëseve shkëlqeu dielli me gjithë horizontin e hapur nga dukej Tirana e mbuluar me pluhurin e saj të mesditës. “Mirësevini”, fjala e parë nga vet drejtori i Muzeut , Mehmdi Hafizi i cili nga vizitor gojëhapur, na bëri miq të tij e të muzeut. Rrallë kisha dëgjuar fjalë ciceroni me aq qartësi e respekt. Këtu, shoqëria dhe kujdesi i Albana Maxhunit dhe Luljeta Kabashit e pasuroj rrugëtimin tonë në çdo hap.
Zigzageve dejtë Adriatikut krejt pranë restorant “Gjorgj Bush” majtas, rrugëton Egnatia Fushëkrujes, qyteti ku prehet simboli i gruas kreshnike shqiptare, Shotë Azem Galica në pavdekësinë e veprës së saj. Jo, nuk do tregojmë histori dhembje, do i mbajmë ashtu të fuqishëm brenda qenies sonë veprat heroike për të mos i harruar kurrë fëmijët e dëshmorëve luftërave, dje e sot. Miqtë tanë e të partiturës së mirëfilltë të këngës shqiptar ringjallën realizimin e mësimit. “Do këndojmë vallëzojmë shqip sipas programit. Jo, tallava nga tallavistët shkatërrues të melosit e këngës shqiptare. Çiftelia e Albanit bëri që rruga të zgjasë shkurt.
Aroma e detit filloi të vinte hyrjes në Bonita ku filloi regjistri me emrat Dren Vitija, Sheqer Avdia, Ardian Kabashi, Ledian Gashi, Krenar Miftari, Euron Salihi, Alblir Kosumi, Laurent Qestaj, nuk donin të ndaheshin as në kohën e gjumit. Nga Velsi shoqërinë e pasuruan nxënëset: Afrora Salihi, Azemine Baftjari, Besjana Demiri, Premtine Januzi, Viola Berisha, Sherife Dermaku, Yllka Elezi, bashkë me grupin dhe shoqja e tyre Blina Gashi nga Vjena. Grupi i nxënësve nga rrethina e St.Pöltenit është pasuri e re e mësimit shqip në Austri. Përpjekjet e mësueses Antigona Elshani u kurorëzuan me themelimin e një shkolle të re ku do mësohet shqip. Nxënës që flasin aq bukur shqip sa nuk dallojnë nga të tjerët. Edonisa e Fortesa Çekaj, Arianita e Leonita Luta, Altina Krasniqi, Donika Elshani do e përcjellin përjetimin e atdheut dhe njerëzve të tij shoqeve e shokëve se sa bukur është të mësosh shqip, të folesh lirshëm në atdhe.
Nxënësit mësuan me dashuri nga gjeografia e historia e lashtë e kombit shqiptar, vendlindjes së stërgjyshërve që nga lashtësia. Amfiteatri i Durrësit një mrekulli e pasuri e paparë akoma i zhytur në llumin e vjetër dhe të pakujdesisë. Dhomat e gladiatorëve luteshin në harresën e vjetër gjysmë të shkatërruara. Muzeu Arkeologjik i Durrësit u pëlqye nga nxënësit duke ngacmuar kujtesën krahasuese të muzeve të shumtë në Austri.
Rruga e kthimit të Egnatia mori tatëpjetën drejtë Kalimashit dhe prej aty në Prizrenin e Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenin e Sylejman Vokshit. Shtëpia e Lidhjes Shqiptare bashkë me gjurmët tona historike, u shemb e u kall nga pushtuesit barbarë, por u ngrit përsëri Feniks në zemrat tona. Dhe, ja tani shkëlqimi i Hartës Etnike përballë Lumëbardhit porositë breza në vigjilencë e dashuri vëllazërore.
"Ciceroni ka mbaruar orar, andaj ju mund vetëm t’i shihni”, tha roja.
“Ne do shohim dhe dëgjojmë nga ciceronët tanë, tani lexojmë e shkruajmë vet gjurmët tona”, iu kujtua mësimi nga libri i historisë dhe zëri i mësueses. Qetësia është respekt e përjetim ngjarje, asaj çka dëgjon e sheh, një rregull cilësi e grupit shumë të disiplinuar. Tiktaket në Orën e Ymer Prizrenit ngjallnin fantazi epokash para eshtrave të tij në foton djathtas pranë themeleve të Kalasë së Ulqinit ku ra në përjetësi.
Në ditën lamtumirës nxënësit shijuan bukurinë nëntokësore të atdheut në Shpellën e Mermertë të Gadimes. Legjenda e lepurit dhe qenit kishte qenë e bazuar. Këtë e dëshmon Korridori i Ahmetit lidhur me Sallën e Koncerteve ku dashuria jetësohet mes Romeut e Zhulietës miliona vite fshehtësive të mistershme. Koka e Peshkut, Përkrenarja e Gjergj Kastriotit Skëndebeut, Harta e Kosovës, Syri i Vashës e shumë figura magjike do jetojnë detyrimisht deri në rikthimin tonë sërish kur dora e kujdesit do merr formën e duhur. Stalaktiti i thyer nga dora e keqe i keqpërdorur në shpjegim nuk la shije të këndshme. “Përse ia ka pre gjuhën vjehrrës, mësues”, u dëgjua pas pak zëri i shqetësuar fëmijëror. Reformimi i njeriut të edukuar larg shprehjeve të dhunshme para fëmijëve është i domosdoshëm ashtu sikurse çiltërsia e tyre. Melodia e huaj nga tarabuku dhe kënga ku bastardohej gjuha shqipe hapur për dy cent, ishte një shije për tu harruar shpejt.
Dhe, aty pranë, Dardha sipër shkëmbit tregonte vështirësinë e lulimit pranveror bisqeve të reja mes degëve të thara.
Veprat e Jusuf Gërvallës, dhuratë rast organizatori, forcuan porosinë dhe detyrimin tonë. Edhe për nesër.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Hazir Mehmeti
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 36 vizitorë
Lexuar: 518 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Duam Përgjegjësi
E mart, 23 mars 2021 - 21:08
Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le...
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ...
E diel, 21 mars 2021 - 15:45
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit Poliklinika 3L, hist...
NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q...
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04
JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA...
NJË FOTO-KUJTIM ME SHOKËT E MI TË IDEALIT ...
E premt, 12 mars 2021 - 23:55
Mërgimi është një plagë e rëndë, e hidhur, tepër e përmallueshme! Mërgimtari ka mall të pashlyer për vendlindjen, për tokën, ku u lind e u rr...
NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE...
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01
Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda! Profesorin e nderuar, pata fatin që t...
më shumë nga - Të ndryshme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi