Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Përse politikanët e tranzicionit nuk i japin dot fund tranzicionit?
Publikuar më 24 maj, 2017 në orën 01:54 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Pavarësisht furisë së mediave mbi manovrat e kësaj klase politike, pak shqiptarë besojnë se ato po bëhen për të mirën e vendit e jo për interesa personalë e klientelarë. Politika ka hequr dorë prej interesit publik dhe është bërë autoreferenciale. Rritja e partisë propagandohet si rritje e Shqipërisë.
Por nëse media po humbet ngadalë forcën e saj bindëse, kasta nxjerr nga mëngët e veta “intelektualët organikë”. Ata që gërrmojnë në historinë e mendimit filozofik për tu mbushur mendjen shqiptarëve, se të renë nuk e sjellin të rinjtë por të vjetrit, se nuk u duhet besuar të “virgjërve” në politikë por ustallarëve të zanatit.

Nuk e di se çfarë koncepti kanë këta personazhe për Politikën, atë të Platonit si “arti sublim” në shërbim të komunitetit apo atë makiavelist në shërbim të pushtetit. Duhet një pandershmëri e madhe intelektuale, që tu presësh hovin atyre qindra të rinjve që u ke dhënë mësim si dhe mijëra të tjerëve diplomuar jashtë e brenda, që duan të kontribuojnë për vendin e tyre.
Por thjesht e reja nuk mjafton. Nuk duhet të jesh filozof, por dhe thjesht bujk për ta kuptuar se për një prodhim të mirë, duhet të jetë e pastër jo vetëm fara por dhe ara ku e hedh. Këto energji të reja dhe të pastra që disponon kombi, nuk mund të hidhen në kanalet e kësaj politike dhe këtyre partive. Ato janë kanale ku qarkullojnë fundërrinat e vendit, vrasës, kriminelë, hajdutë, oportunistë, militantë e injorantë. Ajo është “parajsa” e tyre kundërmuese dhe ferri i miliona shqiptarëve. Kanalet e kësaj piramide duhen përmbusur e jo ta lartësohen duke sakrifikuar në altarin e saj mijëra të rinj e të reja.
Të rinjtë nuk hyjnë në politikë si copa mishi për topat e partive dhe brigadave plaçkitëse. Të rinjtë (jo ata biologjikë) hyjnë me ide të reja dhe një strukturë të re e aftë ti realizojë këto ide. Pa këtë organizim në gjendje të sfidojë të kaluarën e errët, zor se populli do të bindet për një botë të re. Asksush nuk e prish banesën e vjetër, edhe nëse është hale, nëse nuk bindet se është e mundur që të ndërtojmë një shtëpi të re.
Ky pra është misioni i të rinjve: organizimi i energjive të reja në një alternative të re. Kjo është dhe frika e kastës. Ajo do përpiqet të përdorë të rinjtë si trapiantë të së vjetrës duke u çirrur në televizion me slloganin “të rinjtë në politikë”.
Por kësaj here nuk do ketë sukses!
Shqipëria sot, nuk gjendet në të njëjta kushte si në vitet “90, ku të vetmit të arsimuar ishin ata të formuar pranë partisë. Shqipëria ka sot mijëra intelektualë me formim perëndimor, të mjaftueshëm për të ndërtuar 10 Shqipëri. Por rrugët për aty janë bllokuar nga pushtetarët e tranzicionit dhe intelektualët në shërbim të tij, ata që janë nëpër dhjetëra borde duke kushtëzuar jetën e cilido.
Kësaj kaste po i rrëshqet toka nën këmbë. Ata kuptojnë që modeli i tyre nuk mban më. Ku model shkakton jo vetëm padrejtësi, por dhe varfëri materiale e shpirtërore për miliona shqiptarë. Por kasta, nuk do të humbasë privilegjet, miliarda euro, resorte, toka, biznese, katedra e media.
Ajo çfarë mund të bëjë është të kontrollojë metamorfozën e sistemit. Të ndryshojë edhe një herë fasadën, pa ndryshuar thelbin dhe shërbyesit e saj si bëri 27 vite më parë.

Pyetja është nëse duhet ta hamë përsëri sapunin për djath?
Të presim që revolucionin do e bëjnë oborrtarët e mbretit?
Të besojmë se arktitektët, zbatuesit dhe përfituesit e këtij sistemi privilegjesh, do duan papritur ta ndryshojnë atë?
Iluzion!
Kjo pamundësi nuk qëndron vetëm në sferën konjitive por dhe atë volitive. Sistemi është rrjet influencash reciproke e nuk mundesh një ditë të bukur ta ndryshosh atë. Nëse e ke bazuar “sukesin” politik falë monopoleve ekonomike, nuk mund që të nesërmen të bësh politika ekonomike në favor të popullit.
Nëse je “rritur” falë bashkëjetesës me botën e krimit, nuk mundesh që të nesërmen thjesht ti mohosh ata? Nëse je pompuar prej mediave shushunja nuk mundesh të nesërmen të luftosh për të drejtën e informimit apo konkurrencës?
Nëse u rrite falë besnikërisë së verbër të oportunistëve, militantëve dhe injorantëve, nuk mund që nesër të bazohesh tek ata që kanë merita dhe ndershmëri intelektuale?
Nëse mbështejta jote vjen prej lobeve transnacionale që grabisin pasuritë e vendit, nuk mund që të zgjohesh e të bësh politika ekonomike patriotike?
Nëse ke vjedhur, ke shpërndarë, je tashmë i shantazhuar se llogaritë bankare janë gjithmonë të kontrollueshme.
E pra edhe nëse do të donin, kasta e tranzicionit thjesht nuk ka mundësi të na nxjerrë nga tranzicioni. E kaluara të kushtëzon, njeriu ka memorie dhe identitet. Po ashtu dhe populli. Ai mund të manipulohet, por jo plotësisht dhe përgjithmonë, si thotë Habermas, sepse gjuha ka strukturë të hapur dhe njeriu ka natyrë zhbiruese.
Politika ka vetëm një bankë: BESIMIN! Dhe kjo kastë e ka humbur dhe shpërdoruar këtë besim.
Pas 100 vitesh regjimesh autokratike, Populli shqiptar meriton një sistem me të vërtetë demokratik, një sistem që siguron liri dhe mirëqënie për të gjithë. Forca për të ngritur një sistem të tillë duhet të bazohet vetëm në popull, tek ata që vuajnë këtë sistem privilegjesh vetëm për një pakicë. Prandaj duhet një sensibilizim për të krijuar një masë kritike që të dëshirojë e mundësojë ndryshimin. Mbështetje tek biznesi i vogël i cili vuan këtë sistem ekonomik, ngritur mbi monopolet dhe importin, që paralizon prodhimin vendas. Tek studentët që po kuptojnë se diplomat e tyre nuk do kenë vlerë në një ekonomi primitive e banale. Tek mijëra profesionistë të lirë, mjekë, arkitektë, juristë, artistë etj që shohin sesi sistemi godet meritokracinë e fitimin e padrejtë përqendruar në pak duar. Tek diaspora e madhe shqiptare, që pret me mall normalizimin e Shqipërisë dhe rreshtimin e saj përkrah vendeve perëndimore, si ndër popujt më të vjetër dhe origjinalë të kontinentit.
Sfida ka qenë dhe është vetëm një: organizimi i një projekti të ri me energji e njerëz të rinj, që dinë ti japin fund natës artificiale, që dinë të largojnë retë e zeza e të sjellin shkelqimin mbi këto troje të pasura e të dlira.
Punojmë pra për Shqipëri, për demokraci politike dhe ekonomike!

Dr. Ledian Droboniku

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 41 vizitorë
Lexuar: 463 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi