Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
ME ËNDËRRËN E KAHERSHME, SËRISH NË PRIZREN
Publikuar më 01 qershor, 2017 në orën 23:58 ( ) Të ndryshme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Nuk jemi shtegtarë si zogjtë për t’iu përshtatur stinëve të vitit në trojet andej e këtej që kanë ndjeshmërinë e gjakut tonë etnik shqiptar. Ndaj, me gëzimin e kapluar, unë dhe miq të mi udhëtojmë drejt Kosovës, një ëndërr e kahershme e çdo shqiptari. Një diell i ngrohtë me rreze të arta që shpërndan një ndriçim mbi natyrën përreth na përshëndet me mesazhe frymëzuese. Rruga që, herë turret gjarpëruese faqes së kodrinave me pemë vende-vende të dendura, herë pushtohet nga fushat me hapësira të gjera e të gjelbëruara, të shoqëron pas çdo kilometri udhëtim e të dhuron një përjetim ndryshe.

Qartësisht nga dritaret e makinës sonë, me kanatë hapur e me sytë depërtues, të kap një emocion i beftë, sepse para syve të jepet mundësia të sodisësh e vozisësh kalimthi ndërtimet e rrethuara me gjelbërim, të cilat të rrëmbejnë vështrimin e të çlodhin. Por ne i shijojmë këto bukuri natyrore edhe përtej tyre, ku trajtat e maleve, me cipë dëbore në majë shpërfaqin pamje të tjera që me të vërtetë të mahnisin. Ndaj e adhuron të bukurën e peisazhit mbresëlënës, sidomos në një ditë të tillë pranvere, ku e ndjen edhe kundërmimin joshës të stinës. Këtë e paraqesim edhe si dëshmi se Kosova e bekuar ka pasuri të shumta ujore, lumenj të rrjedhshëm dhe fusha të gjëra, muzera mahnitës natyrorë, male dhe qytete me një arkitekturë impresionuese.
Herë pas here të shfaqen lapidarë përkujtimorë, që janë historia më e re dhe më e dhimbshme e kësaj toke. Janë epose dëshmorësh dhe dhimbje shqiptare që kanë lënë gjurmë të thella.
Diku ndalojmë për pak çaste pranë këtyre memorialëve të lartuar në nderim të gjakut të derdhur dhe viktimave prej çmendurisë serbomadhe; për të ledhatuar e vendosur një tufë lulesh, por edhe për të vështruar më pranë pamjet, si edhe për t’i memorizuar ato, gjë që e bën udhëtimin të këndshëm.

Duke zhbiruar copëza historie

A e kishte caktuar historia që këtë tokë, këto troje arbërore, të na i shkëpusnin me dhunë grabitqarët e pangopur, qysh një shekull më parë ? !
Sot ndjen mrekullinë më të madhe, kur ata shqiptojnë fjalët: “Tani jemi bashkë, jemi të pandarë, jemi një komb”. Kosova u kthye në kështjellë të shqiptarisë e “gjuhës së zjarrtë”, siç thotë poeti ynë kombëtar, Naimi. Këtu, në këtë vend të shenjtëruar, kanë çjerrë namin e nishanin mijëra armiq historikë të kombit shqiptar. Dhe jehojnë përjetësisht ngjarje për gjakun tonë të derdhur, ku në çdo majë kodre, dru e gur, ka një histori për të treguar, një këngë për të kënduar, një mesazh trimëror për t’ua përcjellë kohëve dhe breznive…
Duke zhbiruar këto copëza të historisë, duhet thënë se ato ishin bubullimat e një stuhie në qiellin e Kosovës, të cilat kanë vrapuar me një shpejtësi të madhe, si të ishin vënë në garë me njëra - tjetrën. Më pas shtrëngata e furishme e fundshekullit të kaluar që zgjati kohë, me mobilizimin e djemve dhe burrave deri sa Bota u bë e ndërgjegjshme, duke ndërhyrë për të ndalur furinë e makinës vrastare serbe e cila përpiqej të robëronte dhe shkatërronte gjysmën e kombit shqiptar.
Shekulli i kaluar, që humbi qetësinë, na mban pranë kujtesën mes kërcëllitjeve të ujqërve serbë, duke u lenë vendin trallisjeve të tyre që shtoheshin tej mase e derdheshin nëpër rrugët e qyteteve dhe vendbanimeve, me ulërima e thirrje histerike kundër Shqipëtarëve. Ajri atëherë u bë më i rëndë, sa që mezi mbushej me frymë njeriu, koha dhe vendi. Serbët lehnin dhe skërmisnin dhëmbët, si pasojë e një egërsie të thepave nga vinin. Nuk mund të hiqen nga memoria e kohës raprezaljet e shumta ndaj popullsisë shqiptare për t’i përzënë nga trojet e veta, por edhe pamjet e krimeve monstruoze, të torturave, dëbimeve, të pushkatimeve në rrugë, shtëpi, pyje dhe përrenj, të familjeve të tëra, me fytyrat e përvuajtura të mijëra prej tyre, të cilët u shpërndanë në të gjitha trojet e tjera shqiptare. Më kanë treguar se si brenda një nate thuajse shumica e tyre e kanë braktisur Kosovën duke lënë gjithçka, sepse do te sulmoheshin prej çetnikëve serbë.
Kosova gëzon sot pavarësinë, duke jetuar e lirë në trojet e lashta, këtu ku liria më shumë se kurrë ka marrë të tjera përmasa drejt realitetit për një Shqipëri natyrale. Flamuri i kuq si gjaku valvitet në çdo shtëpi, ku çdo palë e tij si dallgët e kohërave të rrepta, flet aq shumë; tashmë për mijëra shqipe me fletë që vunë shpirtin e tyre të paepur në themel të shtetit të ri të Kosovës.

Prizreni, qyteti simbol i historisë

Nëse udhëton në qytete të njohura të Kosovës të ndizet dëshira, për të rrokur e për të prekur më shumë historinë, të lidhur me ngjarje madhore të atdhetarizmit shqiptar dhe vlerat e tyre monumentale, por edhe panoramat, të cilat nëna Natyrë i ka krijuar si një prehje e këndshme e dehëse, që të çlodhnin e të magjepsin. Prizreni, i shtrirë në shpatet piktoreske të Sharrit, të sjell në çdo hap shpalosjen dhe të bën të ndjehesh ngrohtë si në shtëpinë tënde, ku ruhet me fanatizëm historia, arkitektura, traditat, kultura…
Për historinë e Prizrenit është shkruar prandaj, që të përsërim ato që janë thënë, do të kufizohemi, duke i hedhur një vështrim të shkurtër.
Prizreni një qytet muz,e magjik, ashtu sikundër ka qënë gjithmonë ka historinë të lashtë e cila vjen nga koha e Ilirëve, me fillesa në periudhën Iliro – Dardane dhe Bizantine, duke vazhduar si një nyje rrugore dhe qëndër ekonomiko - administrative në shekujt e pushtimit turk, me kontribut të veçantë historik në çështjet madhore të kombit.
Për ta njohur më mirë në brendësi këtë qytet të bukur dhe me një histori të lashtë nuk mjafton një ditë, sado e gjatë. Ai të shfaqet më i mrekullueshëm dhe joshës se herë të tjera e kjo ndjehej nga gjallëria e lumit të turistëve, por edhe nga zhurmimi i tingujve të një muzike, si cicërima zogjsh që vinte nga larg. Të admirosh mrekullitë e qytetit në tërësinë e tij, përveç të tjerave, ato që të befasojnë janë monumentet natyrore. Në lagjen e Marashit gjendet një rrap madhështor e pranë tij Lumëbardha, që gurgullon e tejmbushur nga ujërat dhe potershëm nga shirat si gjithë lumenjtë malorë; me urat e shumta ndanë mes për mes qytetin në dy pjesë. Banorët e Prizrenit të rrëfejnë jo pak histori në lidhje me këto monumente dhe të fusin në të fshehtat e tyre interesante, të mbushura me çudira. Ne sydashuruar i kundrojmë anekënd me kënaqësinë e pamatë që provon kushdo i cili është para pamjeve të tilla.
Vepra të shumta arti, basorelieve dhe buste që u kushtohen figurave të njohura të qytetit i ndesh në çdo shesh, në rrugë e parqe. Në një shesh të vogël përballemi me bustin e Musa Shehrzades, përfaqësues i Lidhjes së Prizrenit dhe teqen ku ai sherbeu.
Por, duke ecur nëpër rrugëza të kalldrëmta, dredha-dredha e anash tyre ndërtime dy - trekatëshe me motive midis së bardhës dhe së verdhës së mureve, sup më sup me njëra tjetrën e çatikuqe, ndeshemi një arkitekturë tipike, ku menjëherë bien në sy vlera monumentale. Ndaj nuk mund të mos emocionohesh kur vështron jo pak ndërtesa të stilit oriental: xhami të shumta me minare, hamame, ura me pamjet e tyre kaq mbresëlënëse që të bëjnë t’i admirosh gjatë. Veçse po dëshmohet se ka rendje në emër të modernizimit të çdo hapsire, por, për fatndërtimet e vjetra, që nuk janë të pakta, po i rrezistojnë shkatërrimit e e betonizimit. Gjithsesi, të ndërthurura me ndërtime moderne ato tregojnë më së miri se prizrenasit janë ruajtës të historisë në respekt të vazhdimësisë dhe traditës artizanale.
Nuk mund të mos emocionohesh kur kalon Urën e Gurit të ndërtuar së pari në shekullin XV. Për Prizrenin, si një udhëkryq tregtar, ura i shërbeu më së shumti qytetit, por, duke mos i përballuar vërshimet e lumit, pësoi dëmtime dhe u shkatërrua plotësisht. Kështu ajo rindërtohet sërish para 40 vjetësh dhe, për vlerat arkitekturore, është shpallur monument kulture; ashtu si Xhamia e Sinan Pashës, e cila është një nga më të vjetrat në këtë qytet, ndërtuar aty nga viti1600. Pak më tutje, arkitektura mrekullisht e bukur e Xhamisë së Bajraklisë të tërheq vëmendjen. Ndër të rrallat ndërtesa karakteristike me arkitekturë të jashtëzakonshme është edhe Hamami në qendër të qytetit. Mahnitëse është pamja e mjediseve të brendshëm dhe e 9 kubeve. Është unikal në llojin e vet.
Kalojmë pranë Gjashtë Çezmave për të cilat tregohet një histori interesante e cila vjen nga thellësitë e shekujve dhe në çdo kohë ruan një vlerë të veçantë; Gratë që nuk mund të bëheshin nëna vinin këtu, duke besuar se ajo u sjell shtatzaninë. Aty pranë është edhe Mulliri i Pintollit. Sa histori mban mbi vete ky mulli i lashtë! Sikur të kishte gojë e të tregonte ç’ka parë në kohëra të shuara!
Vlera dhe vetëm vlera që të emocionojnë.
Një frymë e gjërë madhështie të shoqëron, ngado ku ecim mes historisë e legjendës në Prizren. Me kërshërinë për të parë këto vende historike, që lidhen me historinë tonë kombëtare, këmbët na çojnë në kompleksin monumental të Lidhjes së Prizrenit rindërtuar pas djegies në vitin 1999 prej shovinistëve serbë, të cilët shpresonin se me këtë shkatrrim do të fshihej kujtesa. Por, ta rindërtosh të njënjtë pas shkatërrimit, do të thotë ta shndërrosh në një mbivlerë për brezat që do të vijnë. Si një obelisk i rëndësishëm historik i gjithë shqiptarëve, kushdo që shkel këtu patjetër prek historinë me dokumente autentike, ngjarje, emra, buste, piktura, data, faksimile dhe relike të ngjarjes së madhe historike e cila ka marrë vlera të tilla kombëtare.
Kalaja ngrihet mbi majën e një kodre epike dhe zotëron një pamje të gjerë, si një ballkon natyror, rrethuar nga gjelbërimi. Ajo, si pjesë e hershme e historisë së këtij qyteti dhe një nga simbolet e tij, me konstruktin ndërtimor, por edhe me vendosjen, të imponon ta vështrosh me kërshëri nga larg. Historianët kanë vlerësuar të rëndësishme kalanë e Prizrenit e cila, duke i rezistuar rrebesheve të kohës; ka reflektuar me anë të dëshmive të Parahistorisë e më vonë mbijetesën e banorëve të hershëm në këto troje.
E ruajtur mirë dhe e mbrujtur me histori e legjenda, pa diskutim ajo e të tjera kujtesa historike në morinë e vlerave epike të Prizrenit janë marrë në mbrojtje të veçantë nga institucionet përkatëse të Kosovës, duke u vënë mrekullisht në shërbim të vizitorëve. Krenaria dhe kënaqësia e pasqyruar për të kaluarën e gjatë historike asnjëherë nuk është e tepërt…!

******
Dëshira për të vizituar qytete e treva të tjera është e madhe, por koha s’na mjafton. Sa dëshirë do të kishim që orët të bëheshin ditë, ditët muaj, muajt vite dhe vitet shekuj. Por është një gjë që nuk varet thjesht nga ne. Rëndësi ka që Kosova sot është e lirë.
Largohemi me dëshirën për të ardhur përsëri, sepse etja për të vizituar këto treva të Lashtësisë e krenarisë shqiptare nuk ka për të sosur kurrë. Ne nuk jemi shtegtarë për në trojet tona, as thjesht adhurues, por të lartojmë dhe të evidentojmë këtë krenari e këto vlera të merituara.

Pëllumb Gorica

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 32 vizitorë
Lexuar: 421 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Duam Përgjegjësi
E mart, 23 mars 2021 - 21:08
Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le...
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ...
E diel, 21 mars 2021 - 15:45
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit Poliklinika 3L, hist...
NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q...
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04
JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA...
NJË FOTO-KUJTIM ME SHOKËT E MI TË IDEALIT ...
E premt, 12 mars 2021 - 23:55
Mërgimi është një plagë e rëndë, e hidhur, tepër e përmallueshme! Mërgimtari ka mall të pashlyer për vendlindjen, për tokën, ku u lind e u rr...
NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE...
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01
Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda! Profesorin e nderuar, pata fatin që t...
më shumë nga - Të ndryshme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi