Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
I Madhi Profesor Isuf Luzaj, Njeriu që nuk vdes kurrë
Publikuar më 21 qershor, 2017 në orën 18:45 ( ) Prof. Dr. Eshref Ymeri | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Lexova homazhin e shkëlqyer që shkrimtarja dhe publicistja e shquar vlonjate Vilhelme Vrana Haxhiraj kishte botuar në faqen e internetit “Fjala e Lirë”, të datës 18 qershor 2017, me titull “Prof. dr.Isuf Luzaj, Filozofi shqiptar me përmasa botërore, merr titullin“Nder i Kombit””.
Është një homazh mjaft emocionues që kjo zonjë e nderuar ia ka kushtuar një figure emblematike të kombit shqiptar, një personaliteti të madh në aradhën e figurave të ndritura të kulturës botërore. Është nder dhe përgjegjësi e madhe të shkruash për Profesorin Isuf Luzaj, i cili, me veprimtarinë e tij të pasur letrare dhe shkencore në disa fusha të dijes, ka shkëlqyer si një meteor në historinë e shek. XX.

Nga homazhi i shkrimtares dhe i publicistes me emër të madh, Vilhelme Vrana Haxhiraj, rezulton se Profesori Isuf Luzaj i ka bërë rentgenografinë më të përsosur ideologjisë komuniste, kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse, e cila personalitetin e njeriut e shtyn drejt një përçudnimi marramendës me pasoja shkatërrimtare. Ai e pati studiuar komunizmin që në gjenezën e vet, duke pasur parasysh terrorin e jakobinëve. Karl Marksi jo vetëm e pati justifikuar terrorin revolucionar të jakobinëve, por u bënte thirrje edhe klasës punëtore dhe udhëheqsve të saj për të vënë në jetë përvojën e jakobinëve, praktikat e Robespierit për larjen e hesapeve me kundërshtarët politikë përmes organizimit të banjave të gjakut, çka solli si pasojë që edhe vetë të përfundonte në gijotinë. Metodat jakobinase në luftë me kundërshtarët politikë, të cilat Marksi i pati mbështetur aq fuqimisht, i patën përvetësuar me zell të madh revolucionar Lenini dhe Stalini. Ato metoda, duke i pasuruar edhe më shumë me artin e urrejtjes së shqiptarit për shqiptarin, të cilin krimineli Enver Hoxha e përvetësoi aq mjeshtërisht sipas udhëzimeve të emisarëve serbosllavë, çuan në përçarjen tragjike të popullit shqiptar, me pasoja të rënda edhe në ditët tona.
Profesori Isuf Luzaj, me nuhatjen e një intelektuali mendjehollë, pati zbuluar thelbin e ideologjisë komuniste në kushtet e Republikës së Shqipërisë, ideologji, e cila kishte si pikësynim ta shndërronte shumicën e popullit shqiptar, siç edhe e pati shndërruar faktikisht, në një turmë të bindur, të paaftë për të menduar, kurrizshtruar dhe servile shembullore ndaj udhëheqjes komuniste. Kësisoj udhëheqja kriminale komuniste e Enver Hoxhës përjetonte një kënaqësi të jashtëzakonshme kur populli e shikonte në dritë të syrit për kafshatën e gojës.
Qëndrimi i vendosur intelektual i Profesorit Isuf Luzaj në mbrojtje të së vërtetës së shenjtëruar në qëndrimin ndaj ideologjisë komuniste, më solli ndë mend një thënie të çmuar të Mark Aurelit (Marcus Aurelius Antoninus 121-180), njërit nga perandorët e shquar romakë që ka qenë i njohur si filozof dhe si përfaqësues i stoicizmit (këmbëngljes dhe burrërisë në përballimin e provave të jetës). Ai thoshte:
“Njeriu ka për detyrë të mos rreshtohet në anën e shumicës, por të jetojë në përputhje me ligjin e brendshëm, për të cilin ai duhet të jetë i vetëdijshëm”.
Pra, në filozofinë e vet, Profesori Isuf Luzaj është udhëhequr nga një tjetër metodë, antikomuniste, që ka në qendër të vëmendjes edukimin e personaliteti të njeriut, çka të kujton një porosi të poetit, të prozatorit dhe të dramaturgut gjerman Bertold Brehtit (Bertolt Brecht - 1898-1956), i cili shkruante:
“Më e rëndësishme se çdo gjë tjetër është që ta mësojmë njeriun të mendojë”.
Në homazhin e vet, zonja Vilhelme sjell një citat të shkëlqyer, të shkëputur nga mendimi filozofik i Profesorit Isuf Luzaj:
“…shkatërrimi që sjell komunizmi, është demoralizimi, degjenerimi, pluhurizmi dhe çoroditja në tru dhe në nerva të individit dhe gjithë shoqërisë, duke sjellë një seri brezash me vlera morale të vdekura…”.
Pranë këtij mendimtari mendjendritur, radhiten edhe tre përfaqësues me emër të disidencës shqiptare, të cilët janë nacionalisti i shquar dibran Edit Tërshana, shkrimtari Kasem Trebeshina dhe përfaqësuesi zemërmadh i katolicizmit shqiptar Atë Pjetër Mëshkalla.
Më 22 nëntor 1947, në letrën që i dërgonte kriminelit Enver Hoxha nga qelia e burgut, ku ishte duke pritur dënimin me vdekje, Edip Tërshana shkruante:
“Jam kundra për vrasjet me Gjyq dhe pa Gjyq, që i bëhen këtij populli, pse kështu don sllavi. Për 20000-30000 shqiptarë që dergjen në burg se s’janë “komunista” sllavë. Kjo është tradhti. Jam kundra se e plaçkiti. Ky është pushteti, që varfënoi tregun shqiptar për të vesh klyshët e Rusisë” (Citohet sipas: Vilhelme Vrana Haxhiraj. “Tradhtia e madhe ndaj kombit”. Libër që është në përgtatitje për botim).
Kasëm Trebeshina: “…unë mendoj se shkatërrimi më i madh do të ndodhë në botën shpirtërore shqiptare” (Citohet sipas: Kasem Trebeshina. “Promemorie për Enver Hoxhën. Duhet hequr dorë nga rruga e Luigjit të Katërmbëdhjetë”. 5 tetor 1953. Faqja e internetit “Albanian Network Group. 2003).
Atë Pjetër Mëshkalla: “… fushata që po bahet (kundër fesë - E.Y.) synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e shqiptarit në dam t’Atdheut” (Citohet sipas: “Letër e At Pjetër Mëshkallës drejtuar Kryetarit të Këshillit të Ministrave Mehmet Shehu Tiranë”. 5 prill 1967. Faqja e internetit “Agjencioni Floripress”. 27 korrik 2016).
Këtë homazh mjaft të ndier për Profesorin Isuf Luzaj, zonja Vilhelme e përcolli në faqet e internetit me rastin e njoftimit që u dha për vendimin e Presidentit Nishani për t’i akorduar atij më 19 qershor 2017 madaljen e lartë “Nderi i Kombit”. Shkrimtaren dhe publiciten e madhe, ky njoftim edhe e ka gëzuar, por edhe e ka dëshpëruar tej mase. Prandaj ajo shkruan:
“… u dëshpërova jashtë mase, sepse ky emër i madh i filozofisë botërore, ky kolos i mendimit përparimtar shqiptar, ky linguist e historiograf i shquar, kjo elitë e harruar dhe e mohuar, po të ishte gjallë, a do ta pranonte vallë këtë vlerësim që i ka takuar me kohë, që emri i tij gjenial të shfrytëzohej për fushatë elektorale?! Jam mëse e bindur që nuk do ta kishte pranuar kurrë...”.
Edhe unë jam i bindur se sikur Profesori i Madh të ishte gjallë, me siguri që nuk do ta pranonte një medalje të tillë, duke e pasuruar galerinë e personaliteteve botërore që nuk kanë pranuar medalje apo çmime të larta. Këtu, në respekt të lexuesve të nderuar, dëshiroj të përmend disa syresh.
Lev Tolstoi (1828-1910) qe propozuar nga ana e Akademisë së Shkencave të Rusisë për marrjen e Çmimit Nobel në vitin 1906, në moshën 78-vjeçare. Ai i pati përcjellë një letër konfidenciale shkrimtarit finlandez Arvid Jarnefelt (Arvid Järnefelt - 1861-1932), të cilit i jepte porosi t’i bënte me dije jurisë në Stokholm se nuk e pranonte Çmimin Nobel. Arsyeja e refuzimit ishin paratë, sepse, për Lev Tolstoin, sipas fjalëve që i shkruante kolegut finlandez, për të do të lindnin probleme për administrimin e tyre. Ai e mbyllte letrën me fjalët se ato para “… si të gjitha paratë e tjera, mund të sjellin vetëm të liga”.
Atëherë, juria suedeze, Çmimin Nobel ia akordoi poetit italian Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci - 1835-1907).
Midis personaliteteve që kanë refuzuar Çmimin Nobel, ka pasur edhe nga ata që nuk e kanë pranuar për forcë madhore, sepse historia njeh jo pak raste kur në marrjen e Çmimeve të ndryshme, vjen e përzihet politika. Kështu, kimistëve gjermanë Rihard Kun (Richard Johann Kuhn - 1900-1967) dhe Adolf Butenandt (Adolf Friedrich Johann Butenandt - 1903-1995), si edhe mikrobiologut dhe patologut po gjerman Gerhard Domagk (Gerhard Johannes Paul Domagk - 1895-1964), iu desh ta refuzonin Çmimin Nobel për faj të Hitlerit. Në vitin 1936 Hitleri qe bërë bishë kur Çmimi Nobel iu dha pacifistit radikal dhe antifashistit gjerman Karl von Osecki (Carl von Ossietzky - 1889-1938). Për shmangien e “të papriturave” të tilla, më 31 janar të vitit 1937, Hitleri nxori një dekret, sipas të cilit qytetarëve gjermanë u ndalohej marrja e Çmimit Nobel.
Një tjetër personalitet i shquar, Zhan Pol Sartri (Jean-Paul Charles Aymard Sartre), nuk e pranoi Çmimin Nobel në letërsi në vitin 1964, që i qe akorduar për krijimtarinë e pasur me ide, të përshkruar nga fryma e lirisë dhe kërkimet e së vërtetës, e cila kishte ushtruar një ndikim të madh asokohe. Ai ishte i mendimit se vlerësimi me Çmimin Nobel do të prekte pavarësinë e tij, një nocion mjaft i rëndësishëm ky në formimin e tij filozofik. Pikërisht me një arsye të tillë të pazakontë e pati shpjeguar ai qëndrimin e vet në një deklaratë që pati bërë në Paris më 23 tetor 1964.
Për arsye politike e patën refuzuar Çmimin Nobel edhe dy shkrimtarët e shquar rusë, Boris Pasternaku (1890-1960) në vitin 1958 dhe Aleksandër Sollxhenjicini (1918-2008) në vitin 1970. Çmimi në fjalë iu dorëzua të birit të Pasternakut në vitin 1988, kurse Sollxhenjicini e mori më 10 dhjetor 1974, kur qe dëbuar jashtë vendit me urdhër të autoriteteve sovjetike më 13 shkurt të po atij viti. Duhet theksuar se Sollzhenjicini nuk e pranoi dekoratën “Urdhri i Shën Andreas”, të cilën autoritetet ruse ia akorduan në vitin 1998. Me këtë rast, ai publikoi deklaratën e mëposhtme:
“Nga autoriteti suprem, i cili e ka katandisur Rusinë në një gjendje katastrofike, dekoratën nuk mund ta pranoj”.
Në vitin 1973, Çmimi Nobel për paqen iu akordua edhe personalitetit politik dhe diplomatit të Vietnamit të Veriut Fan Dinj Khaj (1911-1990), si edhe Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Henri Kisinger (Henry Alfred Kissinger (1923), për punën e përbashkët për zgjidhjen e konfliktit vietnamez në Marrëveshjen e Parisit të 27 janarit 1973. Por diplomati i Vietnamit të Veriut e refuzoi Çmimin Nobel, duke deklaruar: “Lufta në Vjetnam s’ka përfunduar, kurse këtu merren me ndarjen e Çmimeve”. Konflikti ushtarak, në të vërtetë, përfundoi në vitin 1975.
Me shumë të drejtë, zonja Vilhelme revoltohet që mjaft personalitete të shquara nga radhët e nacionalizmit shqiptar, nuk gjetën vlerësimin që u takonte pas ndërrimit të sistemit në fund të vitit 1990. Klasa politike që ka hipur dhe ka zbritur nga pushteti gjatë këtyre gati 27 vjetëve, nuk ka treguar kurrfarë interesimi për rehabilitimin tërësor të atyre personaliteteve të shquara nacionaliste, të cilat, duke iu kundërvënë politikës kriminale të kastës komuniste, me në krye argatin e Beogradit Enver Hoxha, kërkonin orientimin e vendit drejt Perëndimit. Kjo nuk ndodhi se në kushtet e pluralizmit, frenat e pushtetit i morënnë dorë neokomunistët, trashëgimtarët e veprës kriminale të Enver Hoxhës, i cili nacionalizmin shqiptar e zhduku me rrënjë dhe me degë. Prandaj edhe Profesori Isuf Luzaj nuk u vlerësua që në vitet e para të vendosjes së demokracisë, si një personalitet i jashtëzakonshëm, me dy doktorata në Universitetin e Sorbonës kur ishte në moshën 24-25 vjeç, i dekoruar me medalje ari nga parlamenti i Argjentinës dhe me medaljen “Profesor i Amerikës” nga vetë Presidenti Regan. Ishte rasti të vlerësohej në vitin 1993, me rastin e 80-vjetorit të lindjes, më 2003, me rastin e 90-vjetorit të lindjes, në vitin 2013, me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Nisma e zonjës Vilhelme dhe e Klubit “Petro Marko”, me përkrahjen e 156 intelektualëve të njohur, e ndërmarrë që në vitin 2011 për dekorimin e Profesorit Isuf Luzaj me medaljen e Lartë “Nderi i Kombit”, duhej marrë parasysh që asokohe. Ndërsa dekorimi i tanishëm me këtë medalje ka një prapavijë të pastër politike se bëhet në kuadrin e fushatës për zgjedhjet politike të 25 qershorit. Ky dekorim, siç gjykon mjaft objektivisht zonja Vilhelme, mund të lihej për në vitin 2018, kur Profesori Isuf Luzaj ka jubileun e 105-vjetorit të lindjes.
Në mbyllje dëshiroj të theksoj se shkrimtarja dhe publicistja e talentuar Vilhelme Vrana Haxhiraj, ka dhënë dhe vazhdon të jap një kontribut të jashtëzakoshëm në botn e letrave shqipe jo vetëm me krijimtarinë e saj artistike, për çka dëshmojnë dyzet vepra të botuara në disa gjini letrare brenda dy dhjetëvjeçarëve, por edhe në fushën e publicistikës nacionaliste, së cilës i ishte zënë fryma tërësisht në periudhën e diktaturës komuniste. Është e vetmja zonjë që ka botuar vazhdimisht në këtë fushë mjaft të rëndësishëm të dijes, e cila lidhet tërësisht me tre probleme me një rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare:
Së pari, me nxjerrjen në dritën e diellit të të vërtetave tragjike për tragjedinë e rëndë që i shkaktoi vendit tonë krimineli Enver Hoxha me shfarosjen e lules së inteligjencies shqiptare, e dalë nga gjiri i nacionalizmit shqiptar. Këtë problem ajo e ka trajtuar me mjaft profesionalizëm në librin që ka nëpër duar dhe që po përgatitet ta botojë së shpejti, me titull “Tradhtia e madhe ndaj kombit”.
Së dyti, me përpjekjet e saj të mundimshme për rehabilitimin e elitave të nacionalizmit shqiptar, të cilat klasa politike e këtij më shumë se një çerek shekulli nuk ka dashur t’u japë vendin që meritojnë. Në kë kuadër, ajo është duke përgatitur edhe librin kushtuar jetës dhe veprimtarisë se Profesorit Isuf Luzaj.
Së treti, me kujtesën për klasën politike mercenariste se pa zgjidhjen e Çështjes Kombëtare, Ribashkimin e Trojeve Tona Etnike në një shtet të vetëm, me një stemë dhe me një flamur, kombi shqiptar nuk do të ngrihet kurrë mnë këmbë dhe ka rrezik që të shkojë drejt rrëgjimit të shkallëshkallshëm.
Pikërisht për këto kontribute të shquara që po jep kjo intelektuale e palodhur dhe zemërndritur në shërbim të kombit shqiptar, unë i propozoj Klubit të Nderuar “Petro Marko” të ndërmarrë nismën për t’i propozuar Presidentit të Republikës që, me rastin e 75-vjetorit të lindjes së zonjës Vilhelme më 08 dhjetor 2019, ai ta nderojë atë me Medaljen e Lartë “Nderi i Kombit”. I lutem drejtuesit të klubit që në listën e intelektualëve që dëshirojnë t’i bashkohen kësaj nisme, të shënojë edhe emrin tim.

Santa Barbara, Kaliforni
20 qershor, 2017

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 30 vizitorë
Lexuar: 409 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi