Shotë Galica dhe hilet e jetës |
Publikuar më 09 korrik, 2017 në orën 16:49 ( ) |
Prof. Bedri Tahiri | Histori | |
|
|
Në 90-vjetorin e vdekjes së heroinës Shotë Galica
Me vrasjen e Azem Galicës pothuajse mori fund edhe Lëvizja Çlirimtare e njohur më shumë si Lëvizja Kaçake e Kosovës. Ato pak çeta të mbetura luftonin aty-këtu nën thirrjen e njohur “O, PRITE, PRITE, AZEM GALICEN!” Ende nuk dihej për vrasjen e tij. Ajo kishte mbetur enigmë, jo vetëm për armikun, por edhe për shumicën e shqiptarëve. Armiku interesohej për ta marrë vesh vdekjen e tij. U paguan njerëz për të hulumtuar në terren. Pyetnin kudo dhe përgjigjet ishin të ndryshme: “disa po, disa jo, e disa nuk dimë gjë”. Edhe krimineli i njohur nga Istogu, çetniku Miliq Kërstiqi e kishte ndalur, kur po shkonte të bluajë në Istog Ajet Paliqin e Qubrelit dhe e kishte pyetur: “A u vra Azem Bejta?” Ky ia kishte kthyer: “Më shumë janë asi që po thonë nuk u vra se asi që u vra”.
Shotë Galica, pasi qëndroi disa ditë në Shkodër dhe pati takime me Hasan Prishtinën, Bajram Currin dhe anëtarët tjerë të Komitetit të Kosovës, u kthye në Kosovë për ta vazhduar rezistencën e armatosur kundër pushtuesve serbë. Për ta dërguar në vend amanetin e Azemit dhe për ta përfocuar bindjen se ai nuk ka vdekur, çeta e saj bashkë me çetën e Mehmet Delisë (Mehmetit të Vogël) e zhvillojnë një luftë të ashpër në Prekaz, në lagjen Mehaj. Aty i zënë ngushtë edhe vetë naçallniku i Deviçit ishte trishtuar dhe kur e shpëtoi kokën pohonte se me sy e kishte parë Azem Bejtë Galicën që e udhëheqte betejën. Këto fjalë patën efekt te armiku, duke ngjallur tmerr e panik.
Në muajin janar 1925 ajo me çetën e vet e ndihmoi Bajram Currin në bjeshkët e Dragobisë. Luftën e fundit Shotë Galica me çetën e vet e zhvilloi në Llaushë, më 1926. Shota plagoset rëndë, por qëndron. Asaj rruge, pasi i mori disa fëmijë të shokëve të vrarë, niset për në Shqipëri. Po shkonte për të mos u kthyer më kurrë. Ishte kjo lmtumira e saj e fundit për Kosovën e dashur, për këtë tokë që dymbëdhjetë vjet e mbrojti me pushkë në dorë.
Kur kaloi në Shqipëri, në fillim u vendos në Shullaz e më vonë në Derven të Fushë-Krujës, në një shtëpi përdhese. Me vete e kishte Allçin e Azemit dhe armët e tij që ia pati hequr kur e varrosën në shpellë. Aty pranë i mbante edhe disa fëmijë jetimë, për të cilët mezi siguronte bukë. Plaga e rëndë që e mori në betejën e Llaushës, mërzia për Kosovën e robëruar e të lënë në mjerim, dhembja për jetimët kosovarë, që po hiqnin të zitë e ullirit e dobësuan shumë. Gishtat e dorës së djathtë ia prenë mjekët se iu kishin ngrirë nëpër male duke e mbajtur pushkën. Ta shikoje këtë luaneshë të dikurshme qysh ishte tretur, të prekte në zemër. Ishte bërë asht e lëkurë dhe po përjetonte çaste të vështira. Mezi e siguronte kafshatën e bukës për vete dhe për jetimët që i rriste. Nga skamja u detyrua ta shes ëdhe pasurinë e fundit që e kishte, kalin e Azemit. Edhe nipi i Azemit, Bejtushi (djali i Seferit) që gjatë sundimit nolian e kishte regjistruar në shkollë, në Tiranë, një kohë i sëmurë nga malarja qëndroi te Shota (edhe ai ka vdekur pak pas saj).
Ditët e fundit të jetës i kaloi në Derven, në atë shtëpinë e vogël përdhese. Ishte lodhur dhe dobësuar shumë. Kishte mbetur kockë e lëkurë.
Më 10 korrik 1927, në moshën 32-vjeçare, në gjendje të mjerueshme, i mbyll sytë njëherë e përgjithmonë heroina shqiptare Shotë Galica. Kur po jepte shpirt, te koka i qëndronin: fëmijët jetimë që ajo i kishte mbajtur, e që në heshtje po qanin, dy vëllezërit e saj dhe disa kosovarë të tjerë.
Varrimi i saj nuk u bë në heshtje, siç dëshironte qeveria e Ahmet Zogut. Në përcjelljen e saj të fundit erdhën shumë njerëz nga rrethe të ndryshme. Sipas porosisë së saj varrimi u bë në Fushë-Krujë.
Në vitin 1962, Shteti Shqiptar ia ngriti lapidarin në Fushë-Krujë duke e nderuar edhe me titullin e lartë HEROINË E POPULLIT. Një tjetër përmendore i është ngritur edhe në qytetin e Kukësit, punuar nga skulptori i njohur Kristaq Rama.
Edhe në Kosovën martire kujtimi për këtë heroinë nuk u shua kurrë. Emrin e saj e mbajnë shumë shkolla, rrugë e institucione kosovare. Ekzistojnë shumë këngë e hartime letrare për të. Edhe sot e kësaj dite, urimi më i dashur që u bëhet vajzave kosovare është t’u thuash: U BËFSH SI SHOTË GALICA!
Në nderim të Azem e Shote Galicës
Historia na mëson se, zakonisht, të gjitha punët e mëdha fillin e kanë në një pikë fare të vockël. Kështu ngjau edhe me rastin e përkujtimit të heronjve tanë të mëdhenj Azem e Shotë Galica. Ata, vite me radhë, nga regjimet e huaja okupuese e ato antipopullore, ishin menjanuar e anatemuar mu si heretikët e Mesjetës, por madhështia e të bëmave të tyre sfidoi të gjitha prapësitë e kohës zezonë dhe triumfoi suksesshëm...
Dhe, dalëngadalë, u bën ca përparime...Në 80-vjetorin e Betejës së Arbërisë së Vogël, banorët e fshatit Galicë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë në Prishtinë dhe atë në Tiranë dhe me mbështetjen financiare të KK të Vushtrrisë, KK të Skënderajt dhe të TMK-së nga Zona e Parë e Drenicës, organizuan një punë të shkëlqyer. U mbajt Simpoziumi Shkencor dhe u përurua faza e parë e Kompleksit Përkujtimor “Azem e Shotë Galica”... U rregulluan varret e dy kryeheronjve, Azem e Shotë Galica, me një pllakë, ku janë skalitur figurat e tyre në përmasa natyrore, u rregullua varri masiv i të gjithë të rënëve të asaj beteje...Në vitin 2012 përfundoi ndërtimi i Kullës së Azem Galicës. Financimin kryesor e bëri PTK-ja, udhëhequr nga Shyqri Haxha, 57.ooo euro, ndërkaq KK i Vushtrrisë e pagoi Projektin dhe i dha 9.ooo euro... Ama, është për të të ardhur keq që ende nuk është bërë funksionalizimi i saj...
Megjithatё, ma thotё mendja se këta dy heronj meritojnë më shumë. Veprimtaria e tyre luftarake e atdhetare është unikate. Mirёpo, ende, as sot e kësaj dite, nuk ekziston një lapidar a shtatore e mirëfilltë për këta dy heronj të kombit!!!
Aq më keq, e që mendjet e shëndosha nuk mund ta pranojnë dot një gjë të tillë, këta dy bashkëshortë e bashkëluftëtarë, të cilët mezi arriti t’i ndajë vdekja, edhe sot e kësaj dite janë të ndarë!!! Varri i zbrazët i heroinës Shotë në Galicë është kenataf i llojit të vet, për të cilin grekët e vjetër do të bënin çmos!!!
Ka kohё qё kёrkesat pёr sjelljen e eshtrave tё Shotёs nё Galicё janё shtruar nё tё gjitha nivelet: familjare, shoqёrore e institucionale, andaj shpresoj se do tё realiziohen...
Tekefundit, ky bashkim zemrash, eshtrash e idealesh ka simbolikë edhe më të thellë: Ai është amaneti i Tyre dhe nënkupton RIBASHKIMIN TONË KOMBËTAR!!!
Autori i shkrimit (Bedri Tahiri) me plakun Ibrahim Drevinja
Varri bosh i Shotë Galicës në Galicë, i rregulluar mirë, pranë bashkëshortit e bashkëluftëtarit Azem Galica |
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 45 vizitorë |
Lexuar:
1,108 herë
|
|
|
|
|
|
|