Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Afrim Morina: Misioni dhe misionarët
Publikuar më 11 korrik, 2017 në orën 15:32 ( ) Afrim Morina | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
8
Dhuntia

Dhuntia e individit për dije, i shton kureshtjen për të lexuar, mësuar, hulumtuar, përceptuar, analizuar, për t’i nuhatur fenomenet, etj., është e shëndetshme për shoqërinë dhe ajo duhet ta ndihmojë atë, që të jetë sa më frytdhënës. Por, rrallë ndodhë që shoqëria ta falenderojë e t’i jetë mirënjohëse për punën dhe t’ia shpërblejë atë, sepse, zilia ua mbyllë sytë pushtetarëve, dhe, nga smira, mundohen ta çorientojnë në punën e tij të përkushtuar. Me këtë kuptojmë, që, një njeri i tillë do të përballet, që në fillim, me kundërshtarët.

Nëse kjo dhunti ka kontekst politik, atëherë, ai, do të jetë edhe me shumë i përballur me rrethin dhe shoqërinë, në tërësi, dhe, nëse arrin në ato përmasa, do të jetë, gjithë jetën, në përballje dhe inskenim situatash. Ai, do të përballet edhe me linçime, përndjekje, përbuzje, do të joshet me para e kolltuk dhe me gjithçka që i vjen ndorësh pushtetit, që dhuntinë e tij ta vë në shërbim të vetin. Njerëz të tillë, është vështirë të blihen apo të frikësohen, pavarësisht gjithçkaje, sepse, ata kanë një mision të vetin dhe janë të përkushtuar që të arrijnë në cak, pa marrë parasysh vështirësitë financiare, vështirësitë familjare dhe pavarësisht mundësive për të vepruar.
Në këtë analizë, do të merremi me dhuntinë politike, sepse, prej individëve të tillë lindin promotorët e shoqërisë, që, në ndërdijen e tyre kanë bartjen e mesazhit te bashkëkombësit e vet, për të ecur përpara, për të mirën e mirëqenies. Por, kur kemi të bëjmë me njerëzit e dhuntive për çështjen kombëtare, që dinë t’i nuhatin situatat e palakmuara, që i kanosen kombit, ata do të jenë në thumb të sulmeve të të gjitha natyrave: “patriotike”, “kombëtare” e “shtetërore”. Kjo kategori është e vetëdijshme për pengesat që i dalin, për kërcënimet dhe shantazhet që do t’i ketë, për mundësitë e ndërprerjes së rrugës për t’ua sqaruar bashkëkombësve të vet gjendjen në të cilën gjenden dhe për pasojat që do të mund të ndodhin, nëse nuk ndërmeren veprime, për ta parandaluar të keqen që i kanoset popullit e atdheut. Ata, edhe do të merren, drejtpërsëdrejti, me hartimin e projekteve konkrete për të dalë nga qorrsokaku, për të ecur mëtej, drejt përmbushjes së misionit kombëtar.
Kjo kategori, kudo në botë, është penguar e pengohet të veprojë, dhe, për këtë, ka shembuj të bollshëm në shoqërinë e civilizimit njerëzor, gjatë gjithë zhvillimit të saj. Por, vendosshmëria e tyre ka bërë që shoqëria njerëzore të jetë, këtu, ku është sot. Më herët, kjo kategori ka qenë më e bashkuar, duke mos shikuar kufij shtetërorë, kombëtarë, racorë e fetarë dhe ka kryer një mision me shumë peshë. Po t’i referohemi historisë, shembuj të tillë kemi me bollëk. Mirëpo, e gjithë kjo ka ndodhur e ndodhë në kohë paqe, e jashtë zonave të luftës. Ka pasur edhe momente të tubimit të tyre edhe në luftëra, por, ato janë të rralla, si rasti i solidaritetit të punëtorëve të anijengarkimeve, në Angli, të cilët e dëgjojnë zërin e Leninit dhe ai i luftës së Spanjës, kundër fashistit Franko. Me kalimin e kohës, edhe pse mundësitë e informimit kanë ndryshuar shumë, sa, mund të marrim informata brenda disa minutave për çdo gjë që ndodhë kudo në rruzullin tokësor, kjo kategori, tash, nuk e ngrit zërin, por, beson se këtë punë e bën vetë pushteti, ku edhe jetojnë.
Sot, po ndodhin shumë gjëra, në botë, që t’i rrëqethin mishrat, kur ekranet televizive na paraqesin lloj-lloj pamjesh të shëmtuara mjerimi, me pamje rrëqethëse nga fushëbetejat, me pamje rrëqethëse nga përdorimi i armëve kimiko-biologjike dhe, për çudi, heshtin. Kjo kategori nuk goxon të heshtë, por, duhet të ngre zërin te pushtetarët e vet, te ata që lejojnë të bëhen të gjitha këto veprime. Ende nuk kemi shembuj, kohëve të fundit, që qytetaria e një shteti të ngritet në demonstrim të fuqishëm, mbështetur në arsye, për t’i ndaluar këto veprime. Ku janë promotorët e këtyre shoqërive, shteteve e kombeve, për të qenë në anën e të drejtës njerëzore, të paktën, moralisht.
Pasi kjo gjë po ndodhë gjithkund, edhe te ne kanë ndodhur e po ndodhin gjëra të tilla. Por, nuk shohim që të ngritet zëri kundër këtyre fenomeneve. Te ne, është në rritje nacionalizmi i domosdoshëm (dhe i imponuar), për ta ndërprerë lojën fashiste serbe dhe mbështetjen që i vie nga Brukseli. Tashmë, kjo është publike, por, ku është zëri publik i promotorëve të shteteve të cilat e kanë përjetuar fashizmin serb dhe fashizma të tjerë? Ku është zëri i arsyes së kësaj ketegorie, për t’i alarmuar, të paktën, qeveritarët e vet, për bëmat që i bën Serbia ndaj shqiptarëve, për lojërat që i bën në teatrin “Glob”, për t’i realizuar qëllimet e veta ekspansionisto-fashiste për trepushtimin dhe copëtimin e tokave shqiptare me fqinjët? Ku ështe zëri i këtyre promotorëve, që s’e ringritin akuzën për gjenocidin dhe etnocidin serb, që e kreu në tërë ish-Jugosllavinë, dhe, Gjykata Ndërkombëtare, çuditërisht, e shpallë të pafajshme. Dhe, ç’argument tjetër i duhet Brukselit, për ta trajtur një pushtet gjenocidal dhe etnocidal si Serbia, më tepër se ajo që ndodhi në Bosnjë e Hercegovinë, në Kroaci dhe në Kosëvë? Sipas Brukselit, Serbia ka qenë dashtë të bëjë edhe më tepër gjenocid e etnocid dhe të ushtrojë fashizëm edhe më të madh, për t’i zhdukur nga faqja e dheut shqiptarët e boshnjakët dhe popujt e tjerë të Gadishullit Ilirik, për t’u trajtuar e tillë.
Siç po e vënë Turqinë në bankën e të akuzuarit, për armenët, kam besimin se edhe Serbia duhet të trajtohet e tillë, por, kjo do të arrihet kur do të këndellen promotorët e shteteve që pësuan prej saj, e, ndër ta, edhe vetë serbët. Por, misioni i Brukselit për këto dy kombe është i qartë, prandaj, edhe gjen mbështetje Serbia, përndryshe, do të ishin ngritur forcat më reale kundër politikës gjenocidale e fashiste serbomadhe. Dhe, kjo është tragjikja, kur heshtin njerëz të tillë, sepse, ata mendojnë se duhet ndërhyrë vetëm për problemet përbrenda shtetit, apo kombit të tij, dhe, këtë, duhet ta marrë dhe ta trajtojë me përkushtim profesional. Ky fenomen po shihet edhe në garat për zgjedhjen e të parit të shtetit, kuvendarëve, apo diplomatëve, ku na paraqiten programe edhe përçmuese, dhe, nuk shohim gjëkundi ngritjen e zërit të tyre, por, presin që elektorati, me rastin e votimit, ta japë ndëshkimin. Nga praktikat e derisotme, elektorati nuk përfillet, sepse, luhen lojëra të paskrupullta pranë arkës së votimit, ngase, këtë e korrigjon paraja dhe interesat e misioneve të huaja.
Si qëndron problemi te ne shqiptarët? Edhe ne kemi njerëz që i kanë këto dhunti. Madje, më shumë se kombet e tjera, sepse, një pjesë e atdheut tonë ende është e robëruar dhe kombet e robëruara, detyrimisht, janë më të përqëndruara për të dalë nga darët e robërisë. Derisa, te ne, është parësore të dimë se çfarë po ndodhë që po heshtet kaq shumë, madje, që të mos jemi të një mendimi dhe ta bëjmë e ta kryejmë punën e përbashkët?!
Kur kemi folur për interesat e të tjerëve në trojet tona, kur kemi folur për misionet e të tjerëve në trojet tona, kur kemi folur edhe për shkollat e huja që kanë dhënë kuadro për vete, atëherë, vetvetiu, del përfundimi se kjo kategori është duke u sulmuar e luftuar, së pari nga emisarët “shqiptarë” dhe ata shqipfolës, që u shërbejnë misioneve të huaja. Këta pushtetarë, që i kanë në dorë të gjithë mekanizmat propagandues, policorë dhe ata financiarë, qoftë mbështetjen prej jashtë, janë elemente që i bëjnë qytetarët të heshtin, duke i besuar verbërisht pushtetit. Kur kanë qenë shqiptarët kaq të durueshëm? Kurrë. Përveç në kohën e rugovizmit, që kulmon me poshtërim dhe nënshtrim. Pra, duhet shikuar dhe studiuar mundësitë e shpëthimit të kësaj plotoje, dhe, duhet depërtuar në bërthamën e zgjidhjes së problemit, te qytetari, në radhë të parë.
Qytetarët, duhet ta dinë se në çfarë gjendje e rrethanash gjëndet kombi. Për këtë arsye, me ta duhet punuar më tepër dhe duhet përgatitur terrenin, sepse, nuk guxojmë dhe nuk na lejohet të luajmë aventurë, për ndonjë zgjidhje parciale kombëtare. Se, kjo, jo vetëm se nuk do të ketë sukses, por, do të detyrohemi ta bëjmë shkapërderdhjen e energjisë kombëtare. Ne, nuk e kemi këtë komoditet, por, duhet të jemi bashkë, sepse, problemi shqiptar është një, vetëm se pushtuesit kanë emra të tjerë dhe misioni i tyre është po i njëjti (pushtues e copëtues), varësisht terrenit që i kufizon me ne. Ne e dimë se cilët janë, e dimë se cilat janë interesat e tyre, e dimë se kush i mbështet këto misione, dhe, poqëse heshtim, atëherë, do t’i kemi të gjithë mbi shpinë dhe të tjerët do të merren me hartën tonë, edhe ashtu, mjaft të copëtuar. Nëse arrijmë deri në shkallën e bëries së vetvetes, do të faktorizohemi si komb dhe kombet e faktorizuara nuk mund dhe nuk guxojnë të merren nëpër këmbë, sikurse as interest e tyre. Për t’u anashkaluar, nuk mund të anashkalohemi, sepse, paraqesim forcë reale dhe është mëse demokratike nëse mjetet e veprimit tonë e arrijnë qëllimin, bërien e Shqipërisë - Shqipëri.

Problemi duhet shtruar drejt, shkurt dhe qartë

Emërtimi drejt i problemit, nuk lejon të krijohen huti në masë. Nëse ke arritur ta shkoqitësh dhe ta propagandosh drejtçështjen, nuk është mund i madh për të hyrë në temën e trajtimit në masë. Masa, nuk ka “kohë” t’i dëgjojë shumë dërdëllitjet e askujt, po ashtu edhe misionarët e huaj, që mundohen t’i marrin vesh problemet që të mundojnë. Duhet qenë shumë konkret, të qartë dhe me pak fjalë e shembuj, ta themi atë që është për t’u thënë. E njëjta gjë vlen edhe kur gjërat thuhen me shkrim, nëse mund t’i shpërndashë idetë për sqarimin e gjendjes dhe realizimin e misionit tënd. Puna efektive, gjithnjë, ka pasur sukses, por, ideja kurrë nuk duhet lënë në mëdyshje, qoftë nga frika, qoftë nga mosdija, apo nga inati për t’i konsultuar të tjerët. Problemi duhet shtruar drejt, shkurt dhe qartë. Ky është bazamenti i mbështetjes, nëse e kërkon nga bashkëkombësit e tu.
Edhe në ndeja, qoftë si qytetar që rastisesh në një ambient, qoftë si i ftuar për ta dhënë mendimin tënd, qoftë edhe në takime të organizuara zyrtare, qoftë në tryeza debatuese, duhet, pa ngurim, t’i shtrosh të gjitha argumentet, veç e veç, për çdo problem të ngritur. Në këso rastesh, duhet ta marrësh përgjegjësinë që të takon, por, me kusht që të mos dilet nga tema e problemit që trajtohet, nëse nuk thua më tepër se di ti dhe ke informata për problemin, sepse, në raste të tilla mund të pësosh dhe tjetëherë askush nuk të përfillë, e, pastaj, duhet mund e kohë për ta shlyer gabimin që ke bërë. Këtu, edhe qëndron pesha e emërtimit të problemeve që dalin gjatë rrugëtimit, për ta realizuar misionin për çlirim kombëtar.
Gjatë rrugëtimit do të dalin edhe probleme të tjera, të shumta, dhe, këto shfrytëzohen në mese të cilat nuk të njohin sa duhet dhe mbështetet mendimi i akëcilit që flet me “kompetecë”. Duhet të mos trembesh dhe të jeshë gjithmonë gati dhe i vendosur për t’ia çjerrë maskën e hipokritit. Ata njerëz që flasin me “kompetecë”, mund të kenë titull më të madh shkencor, mund të kenë pozitë pushtetari, mund ta gëzojnë autoritetin e rrethit ku gjindesh, prandaj, duhet hedhur mënjanë të gjitha këto, për t’u përballur pa frikë për temën që diskutohet. Asnjë misionar, nuk duhet të hamendësohet që, në asnjë kohë, situate e rrethanë, të mos e japë mendimin e vet, edhe nëse gjendet në vend të huaj, edhe nëse është në shtëpinë e tij, edhe nëse është më i ri në moshë, edhe nëse është më pak i kualifikur, jo për të folur, por, të ketë dëshmi në letër-diplomë, se, gjithnjë duhet nisur nga forca mendore dhe argumentet që disponon. Guximi, në asnjë kohë dhe vend, nuk guxon t’i mungojë misionarit, sepse, poqëse nuk e ka këtë veti, atëherë, ai nuk mund të jetë misionar, sepse, rruga e tij ndërpritet posa t’i tregohet forca fizike, monetare apo edhe “kualifikimi” i akëcilit, për të folur me “kompetencë”, me “tituj shkencorë” e “diplomë”. Njerëzit me “kompetencë”, me “tituj shkencorë” e “diplomë”, mund të jenë të rastit dhe nga inati nuk e përfillin memdimin tënd të drejtë ose pse je më i zoti, mund të jenë të porositur dhe duhet të përballen me ty deri sa të mundin, edhe nëse nuk e kanë forcën e argumentit, mund të jenë të padijshëm në fushën e trajtimit të problemeve, por, edhe si të tillë, të ngarkuar për nxitjen e skandaleve, me çdo kusht, nuk lëshojnë pe. Pra, mund të jenë gjithkushi, për t’i prishur planet tua, por, duhet këmbëngulur për ta thënë të vërtetën.
Varësisht se si e thua këtë të vërtetë, me forcën e argumenti, e, ndoshta, nganjëherë, detyrohesh ta ngrisësh edhe zërin. Ngitja e zërit, në raste të tilla, ka shumë peshë, kur është momenti për t’i dhënë peshë fjalës së argumentuar, sepse, kështu e shton kureshtjen për ta dëgjuar me kujdes fjalën tënde. Por, nëse zëri ngitet për ta mundur zërin tjetër, fillon ta humbasësh fillin për t’i shkuar problemit deri në fund, se, biseda, merr kah tjetër. Pra, duhet dalluar agrumentimin tënd në bisedë, brenda një objekti dhe jashtë, në tribunë.
Po të angazhohen të gjithë që disponojnë argumente të fuqishme për nëpërkëmbjen e dinjitetit kombëtar, siç është duke na ndodhur neve, me siguri që rrethi do të zgjerohet dhe spiralja do ta marrë formën e lëvizjes, sikurse rrethi i Arkimedit. Kjo formë e komunikimit dhe parashtrimi i argumenteve, do ta përshpejtojnë zgjidhjen e problemit, që, menjëherë pas luftës çlirimtare, ka marrë kahe të stërkeqjes së misionit të kësaj lufte dhe të gjitha përpjekjeve që janë bërë deri atëherë. Nuk duhet kursyer edhe vënien në bankën e të akuzuarve e të gjithë akterëve dhe individëve që janë përfshirë në këtë mision të të huajve dhe po e luajnë bukur mirë rolin e misionarëve. Pa marrë parasysh formën e shkaktimit të dëmit, në politikë anë ekonomi, ata, duhet të japin përgjegjësi, sepse, edhe një cent i vjedhur nga xhepi i qytetarit, është shkelje në gjakun e dëshmorëve, e, lëre më të japin pjesë të atdheut e ta bëjnë veten milionerë brenda nate. Këto veprime duhet ndërprerë, dhe, sa më shumë njerëz të përfshihen në argumentimin e keqbëries, aq më e shpejtë do të ndodhë ndalja e turrit, dhe, sado që ndërkombëtarët të mundohen t’i mbështetin edhe më tej në ruajtjen e pozitave, ata, do të dorëzohen para argumentit dhe lëvizjes së masave dhe vetëm atëherë do të trajtohemi të barabartë, në mesin e të barabartëve.
A e kemi këtë guxim dhe vendosmërinë për të vepruar në mbarë hapësirën kombëtare, edhe në pjesët e tjera të atdheut, jashtë Shqipërisë londineze dhe të dëshmojmë me argumente se jemi të robëruar, por, atje, gënjehen shqiptarët me lirinë, se nuk ka liri aty ku nuk lejohet të mësohet historia e jote, nuk ka liri atje ku pëçmohet lashtësia dhe bëmat e rilindësve tu, nuk ka liri aty ku nuk të lejohet të mësosh për çdo fushë të jetës, e, për të botuar në Tiranë. Nëse kësaj i thuhet liri, atëherë, liderët shqiptarë duhet shpallur bërës të historisë kombëtare, por, e gjithë kjo është një mashtrim i llojit të vet, se, kudo luftohet për të qenë në pushtet, nuk është me rëndësi se me kë lidhë koalicion. Edhe këtë duhet sqaruar shqiptarëve, se nuk është mire kur dëgjohet zëri i atyre që nuk e flasin shqipen dhe nuk e duan Shqipërinë, sidomos, kur injorohet gjithçka që është shqiptare, nga institucionet e pushtuesve.
Fuqia e argumentit, se jemi në gjysmë të rrugës, duhet bërë e ditur të gjithë shqiptarëve, kudo që janë dhe të mblidhemi tok, rreth flamurit kombëtar, dhe ta përmbyllim kapitullin e robërisë e të mos lejojmë, me asnjë kusht, të jemi edhe më të nëpërkëmbur, të poshtëruar e të fyer, por, të dinjitetshëm, të ecim mëtej krah civilizimit evropian e botëror, dhe, në njëfarë forme, të jemi promotorë të lirisë kombëtare, sepse, kemi të bëjmë me misione të shumta, të huaja, që janë të interesura për pasuritë tona mbi dhe nëntokësore, por, qenësorja është se edhe pse jemi në shënjestër të të dy superfuqive, për shkaqe të njohura gjeostrategjike e gjeopolitike, duhet t’ia dalim ta ribëjmë vetveten dhe, për këtë synim tonin, doemos, duhet të jemi të bashkuar e krah njëri-tjetrit, pa dallim krahine e ideje. Atëherë, deshëm nuk deshëm ne, kombet e robëruara do të kërkojnë të na ndihmojnë, jo me fuqi njerëzore, por me forcën e tyre mendore. Kjo, dikujt, do t’i duket qesharake, por, historia njeh veprime të tilla, sepse, idetë janë ato që e çojnë botën përpara, e, edhe kujtesa e jonë e njeh pengesën e ndarjes së trojeve tona, në Kongresin e Berlinit.

Promotorët, duhet ta japin mendimin meritor, edhe kur inskenohen situata

Promotorët e shoqërisë, apo, të kombit, gjithnjë, duhet të jenë të gatshëm ta japin mendimin meritor, për çdo fenomen që ndodhë, dhe, atë, pa anime, nga kushdo që vjen në pushtet dhe përkrahësit e tyre. Pushteti dhe armiku, në momentet më të vështira, krijojnë situata përmes të cilave mundohen ta fajësojnë palën kundërshtuese, apo, për ta linçuar dikë nga radhët e veta, që, duke e parë realitetin që po ndodhë, bëhet një lloj kryengritësi, pra, ndërgjegjësohet, dhe don për t’u shfajësuar para qytetarëve. Prandaj, njerëz të kalibrit të tillë, kurrë nuk janë të përgjumur, por, janë syçelë dhe të vetëdijshëm se mendimi i tyra ka peshë te qytetarët. Edhe pse, fillimisht, qytetarët janë të heshtur, sepse, janë përballë “bombardimeve” të propagandës së verdhë, ata, konsolidohen për të vepruar dhe janë shumë të pamëshirshëm. Të vetëdijshëm se mund ta kenë përballë tërë mekanizmin pushtetar, edhe propagandën e tij të konsoliduar, grumbullojnë materiale, i përpunojnë ato dhe i plasojnë për qytetarët, për t‘ua treguar të vërtetën dhe udhën që duhet ndjekur.
Me ta dhënë mendimin e vet, promotorët, menjëherë, fillon sulmi, tash kundër promotorit dhe është një sulm i pamëshirshëm, duke mos zgjedhur mjete për ta paraqitur analizën si diçka të një kategorie njerëzish të “sëmurë psikik”, apo, individësh të “çmendur”, që kërkojnë destabilizimin e vendit dhe prishjen e imazhit të “shtetit” (nuk përmendet pushteti, si pjellë e të këqijave, sepse, nocioni “shtet” është më i ndjeshëm për qytetarët) para ndërkombëtarëve. Nëse e vërteta nxjerr në shesh një prapësi të pushtetit, një përçmim për qytetarët, një servilizëm ndaj ndërkombëtarëve e armiqve, një kompromis në dëm të çështjes kombëtare nga pushtetarët që kanë hyrë në ingranazhe të misioneve të huaja, atëherë, edhe ndërkombëtarët konsolidohen për mbojtjene misionarëve të vet. Këta, të shumtën e rasteve, edhe i qetësojnë qytetarët, por, nuk arrijnë ta kontrollojnë përfundimisht synimin e promotorëve, që gjejnë misionarë, në kuadër të kombit, për ta kryer misionin.
Pra, kjo ndodhë gjithkund në botë, por, në grackë të misioneve të huaja bien ato kombe që nuk e kanë të kryer procesin e shtetformimit, qoftë parcial (si Kosova), qoftë atë të tërësishëm, shtet-komb, siç është rasti me ne shqiptarët. Në të dyja rastet, presioni që u bëhet promotorëve është shumë i madh. Një prej presioneve është edhe kur i jepet mirënjohje për punën e bërë, sikur i dërgojnë mesazhin: mjaft ke bërë, tash, të duhet pushim. Apo, i thonë se je legjendë, je i profilit të lartë, etj., sa për t’ia mbushur mendjen promotorit se ka luftuar mjaft, që, tash e tutje, duhet ta njohim vetëm si legjendë, do të thotë, se nesër-pasnesër, legjendat do të shlyhen, do të shuhet edhe veprimtaria e tyre. I thonë, ti je i profilit të lartë, në rastin tonë konkret, ti nuk duhet të merresh me politikën ditore, nuk duhet të humbësh kohë me këto “cikërrima”, sepse, niveli i yt është të merresh me probleme kombëtare, e, kur të krijohen kushtet edhe ne do të jemi aty, prandaj, këto janë vogëlsira, humbje kohe dhe humbje e autoritetit.
Gjithë këto ua bëjnë misionarëve, dikush me vetëdije: për të krijuar hapësirë veprimi për vete, e, nuk e dinë se po e luajnë lojën e misioneve të huaja, për t’ia pamundësuar dhënien e mendimit akëcilit njeri të përkushtuar për zgjidhjen e çështjes kombëtare. E dyta, se, nuk e dinë që promotori e ka për mision për t’ua sqaruar bashkëkombësve të vet pozitën në të cilën gjenden e si duhet dalë prej saj dhe si duhet ecur përpara, për realizimin e misionit kombëtar. Këtë kategori misionarësh, që punojnë për misione të huaja, vështirë e ke ta nxjerrësh nga orientimi i vet, nga misioni i vet dhe e ke tepër vështirë për t’i bindur, se ai e ka kryer detyrën me sukses dhe duhet të heshtë, për t’i përcjellur situatat e mëtejme. Këto bëhen, sepse ua kanë frikën qasjeve që u bëjnë probleme e u shkaktojnë kokëdhembje të mëdha, sidomos, ua kanë frikën atyre analizave që do t’ua hapin sytë qytetarëve. Promotorët, janë të vetëdijshëm për mesazhet që u vijnë dhe te ta nuk çojnë peshë, sepse, pesha më e madhe është ecja drejt qëllimit.
Problem tjetër, shumë me peshë, është inskenimi i situatave. Këto krijohen për qëllime të caktuara, nga njërëz të caktuar dhe menjëherë përcillen me propagandë. Për promotorët, me rëndësi është ta përcjellin situatën, pse u mbulua menjëherë me propagandë, cila propagandë e mbulon, çfarë pozite pat (patën) në hierarki personi (personat) që e ndërmorën atë veprim? Kur i analizon të gjitha këto, merr (marrin) guximin të dalë (dalin) publikisht dhe ta detyrojnë masën të veprojë. Kemi tre shembuj, që kanë pasur efekt reagimet dhe shkoqitja e problemit:
1. Nënshkrimi i marrëveshjes nga Lulzim Basha, në prezencën e Sali Berishës, për faljen e brigdetit shqiptar, Greqisë. Sikur të kishin heshtur promotorët, pastaj, specialistët e fushës përkatëse, problemi nuk do të kishte shkuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë;
2. Demarkacioni për kufirin me Malin e Zi;
3. Zajednica
Por, qasja e drejtë e problemit, guximi për ta trajtuar problemin, ka bërë që këto dy të fundit të jenë peng i qeverisë, për të ardhmen e saj, si garniturë pushtetare, sepse, janë të vetëdijshëm, se, nëse nuk realizohen këto synime, si misionarë të misioneve të huaja, të ardhmen nuk do ta kenë me luks e benificione, por, edhe mund t’i nënshtrohen Kodit penal.

Stili i dallon, por, trajtesat kanë një mesazh

Aftësitë e nuhatjes së problemeve dhe përceptimi se kush qëndron prapa tyre, për misionarin, ka një peshë të madhe. Nuk janë të gjithë njerëzit ata që mund t’I “kapin” problemet që në fillim, por, misionarët janë ata që mu për këtë dhunti edhe paraqesin rrezik për pushtetet e pushtuesit. Misionarët, luajnë një rol të rëndësishëm për zbulimin e qëllimeve të tyre dhe këto i dërgojnë te qendra e analizave, për t’i studiuar me kujdes ato dhe në bazë të tyre edhe merren veprime. Kryesisht, te popujt e robëruar i kemi promotorët që i bëjnë analizat e misionarëve dhe ato përpunohen me kujdes në grup apo edhe individualisht.
Ndodhë, që disa promotorë pasurohen me të dhëna për ndonjë problem madhor, dhe, dalin veç e veç me analiza, por, mund të ndryshojë vetëm metoda e analizës, ndërsa, mesazhi përcillet drejt. Për ta kuptuar në është përgjigjja grupore apo individuale, kjo dallohet përmes stilit të shprehjes, e të trajtimit, por, nuk ndryshon esenca për atë që flasin.
Këtë fenomen, viteve të fundit, e kemi më të shpeshtë dhe kjo është edhe një lloj njohjeje mesvete, që, kurdo që t’ju jepet mundësia edhe mund të dalin me një analizë të përbashkët.
Kjo mënyrë analize e drejtë e problemeve, bën që pushtetarët të tronditen, dhe, menjëherë, i shtojnë masat e veprimit. Shumë promotorë, gjatë gjithë historisë së njerëzimit janë përballur me atentate, kanë përfunduar me vrasje, me metoda të ndryshme, ata që janë zënë, por, edhe kudër atyre që u janë zënë pusi, janë bërë atentate. Këta janë edhe nismëtarë të krijimit të programeve çlirimtare nga pushtuesit, apo, kundër pushtetit kundërkombëtar. Nga këta promotorë dalin edhe misionet e një kombi apo klase punëtore, sepse, këto dy kategori, janë ato që mëse shumti e ndiejnë robërinë. Problemi është deri te arritja e kësaj pike, se, nëse arrihet të krijojnë mision, atëherë, nuk mund të vritet, por, vetëm zgjerohet, përmes misionarëve, dhe, sa më shumë që rrjeti shtrihet në terren, rrezultatet janë më të shpejta.
Ne shqiptarët, misionin e kemi të trashëguar, prandaj, duhet zgjeruar dhe jetësuar atë, se, për momentin, është duke u nëpërkëmbur dhe poshtëruar. Poshtërimi vjen nën motot “nuk është koha për bashkim kombëtar, nuk na lejojnë ndërkombëtarët, nuk do të kemi mbështetje nga askush dhe do të jemi të vetmuar, jemi të dobët ushtarakisht, e, ekonomikisht...” e, dëgjojmë edhe shumë marifete tjera. Të gjitha këto, zihen në kuzhina tjera, por, kazani më i madh, tash për tash, është Brukseli, sepse, “Brukseli nuk na lejon të bashkohemi! Bashkimi është në Bruksel!...” Kjo “gjellë” bajate shtrohet në sofrat tona përmes ekraneve televizive dhe mediave të shumta (pro)qeveritare, për çdo natë, e ditën e plotësojnë “melmesat” e shumë portaleve, për ta ndërruar të menduarit e masës, e, lëre më që të përpiqen ta “ushqejnë” atë për veprim. Këtu duhet koncentruar përqëndrimin promotorët dhe misionarët, e para, për ta analizuar dhe goditur propagandën e verdhë, dhe, e dyta, për ta zhbërë këtë terr informativ. Dihet se këta e kanë edhe kolonën e pestë në veprim, përmes telefonave, e, herë-herë, edhe si persona fizikë, që ta bëjnë me gjeste, por, ndonjëherë, edhe me zë, për të heshtur, për të mos u dukur në publik, për të mos u marrë me punë të “huaja”. Nga këto veprime që po ndodhin, te disa edhe kanë arritur të ndikojnë dhe, ata disa, janë kthyer në njerëz te ndejave, duke e (para)përlqyer filozofinë e Sokratit. Edhe kjo kategoti duhet të jetë e vetëdijshme, se, edhe Sokrati e gjeti vdekjen, prandaj, sa më shumë zëra që dëgjohen, misioni do ta marrë rrugën e zbatimit dhe ajo përshpejtohet deri në finalizim.
Kohë heshtjeje nuk ka qenë kurrë, por, ka ardhur momenti që ta mbysim frikën njëherë e mirë dhe të bëhemi parzmore e misionit dhe fanar orientimi për kombin, në këtë mjegull që ka kapluar qiellin e tokën tonë. Kjo mjegull ka hyrë edhe në shtëpitë tona, sa, e kemi vështirë ta shohim edhe njëri-tjetrin, e lëre më çështjen kombëtare dhe njerëzit që atë e kanë për obligim moral e njerëzor, duhet t’i zgjojnë nga përgjumja, në radhë të parë intelektualët, studentët, punëtorët, se, siç duket, qytetarët e presin ndihmesën prej tyre.
Nëse arrijmë ta luftojmë propagandën e verdhë, sikur dikur, në janar të vitit 1999, do ta kemi në dorë busollën dhe kapiteni, pastaj, e ka më lehtë ta drejtojë anijen. Ndoshta, këtu, edhe presin shumë rrahagjokës, për ta kapur timonin në dorë, por, për të arritur gjer te ai, duhet të shihet puna e tyre, duhet që herët ta kenë mbytur frikën, duhet që, herë-herë, të ketë dhënë prova për komunikim me të gjithë, si i barabartë me të barabartët, të mos ketë ambicie karrieriste, por, atë ta ndiejë si nevojë të domosdoshme për çështjen kombëtare. Nuk jami duke e kërkuar një njeri, siç e kërkonte Migjeni, por, një luftëtar lirie e Shqipërie, që, paraprakisht, e ka përgatitur masën për t’i shkuar prapa. Të tillë kemi, por, ne, duhet ndihmuar të dalin në skenë, sepse, janë të ndrydhur nga mentaliteti rrahagjokës dhe nga propaganda e misionarëve të huaj, dhe e atyre shqipfolës. Promotorët e kanë për detyrë të hulumtojnë në gjithë hapësirën kombëtare, jo vetëm një, por, do na dalin shumë të tjerë, sa mund ta krijojmë një ekip mobilizimi dhe kushtrimi, për shtetin-komb.
Le ta kryejnë punën e vet promotorët, por, të bashkuar, me një platformë të përpunuar dhe misionarët le ta hulumtojnë terrenin. Atëherë, do të bindemi se nuk ka qenë aq vështirë dhe tek atëherë do të fillojnë t’i mallkojnë të mallkuarit e kombit. Tek atëherë do të fillojnë t’i mallkojnë “miqtë” e jashtëm. Tek atëherë do ta kuptojnë se edhe ndërkombëtarët do ta tumirin sakrificën tonë. Tek atëherë do ta kuptojmë se Brukseli do të jetë i pari që do ta marrë parasysh mundin tonë dhe do të na vë përkrah kombeve të respektuar. Kjo, sepse, vetë, fillojmë ta respektojmë veten tonë, historinë tonë, dëshmorët tanë dhe atdheun tonë.
Misioni, mund e duhet të kryhet dhe çdokush që del përpara, për të na penguar në udhën tonë shqiptare, ta shqelmojmë vetë dhe ta hedhim në koshin e plehrave të historisë sonë kombëtare. Kjo do t’u bënte mirë të gjithëve, përgjithmonë.

Me ne po merren të mallkuarit e botës, por, edhe shqipfolësit

Janë krijuar kushtet, për të vepruar për bashkim kombëtar? Do pyesin njerëz që janë në mes frikës dhe guximit. Ata pyesin, se u ka prekur thika në asht dhe janë pajtuar me lëvizje nga vendi, për një ditë më të mirë. Si do ta presin evropianët dhe amarikanë këtë? Kur kjo kategori parashtron këto pyetje, atëherë, vetvetiu, ta mundëson veprimin. Kjo ta shton forcën dhe guximin për të vepruar. Kur kjo kategori paraqet dilemat, çka u mbetët tjetër veprimtarëve, misionarëve dhe promotorëve? Të punojnë pa përtesë, se puna veç ka filluar t’i japë frytet e saj. Këtyre fryteve u vjen era liri. Ka erë më të këndshme? Logjikojeni vet!
Këto i dëgjojmë gjithkund. Këto pyetje, të shtyjnë për të menduar. Nëse i referohemi Franc Fanonit, te libri “Të mallkuarit e botës”, ku, edhe ai e kishte hulumtuar dëshirën e algjerianëve për liri, na e kujton neve, në këto momente, dhe, ai, e shpjegon bukur mirë, me ilustrimin: një fëmijë algjerian i rrahë tre fëmijë francezë dhe policia e kërkon babain e tij. Ajo pamje, m’i kujton edhe pamjet te ne, qoftë në protesta, qoftë në stacione policie, qoftë në gjykata, prandaj, edhe qytetarët i bëjnë këto pyetje. Pothuaj, të gjithë e kanë kuptuar se me ne po merren të mallkuarit e botës, por, edhe të mallkuarit tanë, si dikur, në Algjeri.
Çdo përpjekje për t’u çliruar, apo, për t’u bashkuar, do të kritikohet, sepse, edhe pse nuk e prishë hartën gjeografike, kur priten vetëm kufijtë brendashqiptarë, athua, edhe kjo gjë e prekë interesin e akëcilës fuqi, pra, ua prishë interesin gjeopolitik dhe gjeostrategjik. Mirëpo, interesi i atdheut dhe i çlirimtarëve është më i madh, prandaj, edhe duhet bërë përpjekje deri në arritje të qëllimit. Edhe ky i yni është interes kombëtar, dhe, duhet ta përmbyllim këtë proces.
Nisur me situtën tonë, që, po ta shikojmë mirë pozitën në këtë hapësirë gjeografike, me të cilën më tepër po merren të huajt me ne, sesa ne me veten e për veten tonë, e tregon qartë vetë fakti që, në Dejton, është lënë e hapur çështja e serbëve, kroatëve dhe ajo myslimane, që na bën të hulumtojmë më tepër dhe ta zbërthejmë të ardhmen e atij “shteti” monstër, me bombë të kurdisur enklavash, ku, komanda gjendet në dorën e serbëve, të cilët, sa janë të shtrënguar nga Beogradi, edhe aq më shumë janë të shtrënguar nga Rusia. T’ia parashtrojmë vetes një pyetje shumë të logjikshme, a nuk ka mundur që ky problem të kishte marrë fund në Dejton? Pse nuk përfillen sot parimet e Dejtonit, edhe pse të mangëta?
T’i kthehemi problemit tonë. Pse nuk u zgjidh problemi i ynë në Rambouillet? Pse e lanë bombën e montuar, që, mund të eksplodojë në çdo moment? A thua, kanë qenë të vetëdijshëm ndërmjetësuesit? Mos, vallë, përnjëmend, përfaqësuesi i Rusisë ka qenë i dehur, e ka zënë gjumi polar, e broçkulla të tjera që fliten, sa për të mos e vërejtur se si po gatuhej buka? Këto elemente, na japin për të kuptuar se sa ka qenë serioze pjesa dërmuese e ekipit, në Rambouillet. Aty nuk janë dhënë garanci, sepse, nuk ka qenë Konferencë, çfarë dëshirojnë ta paraqesin disa, madje, edhe me punime “shkencore” doktoranturash. Aty, ka filluar takimi në mes të serbëve dhe shqiptarëve, që do të vazhdojë në Vjenë e Bruksel. Në të tri këto raste, ka pasur vetëm ndërmjetësues të palëve dhe është biseduar vetëm për territorin shqiptar, por, që, pala shqiptare i ka përfillur të gjitha këto marrëveshje, duke e trumbëtuar me defa e daulle fitoren, pa qenë të obliguar fare, e, nuk veprojnë sikurse serbët, të cilët, i përfillin vetëm ato të interesit të tyre nacional. Pse, kjo bukë e gatuar me brumë serbomadh e rusomadh, iu hodh në dorë Ahtisarit? A e dinin ndëmjetësuesit se ku do të arrinte Ai (Ahtisari) me projektin e vet? A e ndihmuan dhe kush është ai që e ndihmoi në futjen ebukës në furrë tërësisht antishqiptare? Pse iu lëshua temperatura më e nxehtë furrës ku piqej buka, përmes Ban Ki Mun-it, me pikat e tij të njohura?
Qytetari, nuk i di të gjitha këto lojëra që kanë ndodhur atje. Pikat e Ban Ki Mun-it, kanë rezultuar nga paraqitja e Rexhep Qosjes në Tiranë (Maj 1999), në një takim, ku, ndër të tjerët, ishte edhe ambasadori francez, kur e parashtroi edhe mundësinë e këmbimit të territoreve, Veri me Luginë. Pata kundërshtuar bukur ashpër. Pse në pjesën Veriore të Kosovës vendosen forcat franceze? Pse Gjenerali francez, e zhvendos kufirin serb në lumin Ibër, si komandant i forcave të NATO-s? I kishte borxh Franca, Serbisë? Pse gjeneralët e saj korrespondonin me gjeneralët serbë, gjatë bombardimeve të NATO-s dhe cili “shqiptar” i ndihmonte ata? I dinte të gjitha këto kreu i Paktit NATO? I dinte të gjitha këto politika Evropiane dhe Amerika?
Të gjitha këto përgjigje, për të cilat edhe kam shkruar, herë pas herë, qytetarët dhe intelektualët mund t’i gjejnë nëpër kohën që kaluam, që nga largimi i forcave serbe nga Kosova. Sot, po na paraqitet projekti i ndarjes së Kosovës. Këtë mund të mos e shohë vetëm ai që ka qenë gjithmonë i verbër për fatin e kombit, si ata me diploma a tituj shkencor në xhep, por, edhe të tjerë që u verbuan nga lakmia. Duhet të rreshtohemi pas kësaj garniture?! Apo, të rreshtohemi pas misionit që na e gatuan rilindësit dhe të gjithë dëshmorët e kombit, edhe ata të luftës së UÇK-së, që u betuan shqip dhe me nder.
Nëse jemi në rrjedhë të kohës dhe poqëse i referohemi parapolitkës, do ta nxjerrim një mësim të mirë dhe forcë reale për organizimin e të gjithë kombit. Ka vite që përflitet për Shqipërinë e Madhe, për Serbinë e Madhe dhe për Kroacinë e Madhe. Pse e trajton këtë “çështje” parapolitika dhe pse asnjë burrështetas shqiptar nuk del të deklarojë, se shqiptarët asnjëherë nuk kanë synuar një Shqipëri ku nuk ka dhe ku nuk ka pasur denbabaden qytetarë të vet? Ndërsa, Serbia dhe Kroacia, i mohojnë këto shprehje dhe thonë: ne duam vetëm Serbi dhe Kroaci, ndërsa, të dyja palët veprojnë për këtë qëllim. Askush, nuk po i akuzon për këtë. Mirëpo, nëse ne e lejojmë lojën e ndërrimit të territoreve tona, do të humbasim shumë në histori. Pse do të humbasim? Do të humbasim me Veriun, sepse, atje kemi pasuri tokësore, nëntokësore dhe ujërat. Në Luginë, pothuaj, është pastruar Korridori i Dhjetë, që do ta lidhë Serbinë me Maqedoni. Në Medvegjë, është përgjysmuar popullata autoktone shqiptare. Këtë trend po e përjeton edhe Bujanoci. A nuk është humbje e madhe kjo, edhe pas luftës së përgjakshme? Ne, ende e luajmë lojën e lirisë, ndërsa, liria nëpërkëmbët nga të gjithë ata që e kanë forcen dhe pushtetin për ta jetësuar atë.
Veprimet e Dodikut në Bosnjë dhe Hercegovinë, armatimi i Kroacisë, armatimi i Serbisë, japin shumë për të kuptuar, për një të ardhme të afërt, në këtë rajon, ndërsa, ne merremi me vetveten, në tre kampe të mëdha, puthadorët e të huajve, heshtakët dhe veprimtarët. Ka më tragjike sesa ky veprim, i krijuar artificialisht, për ta tëhequr vëmendjen e qytetarëve dhe kjo bën që edhe ata të jenë të ndarë. Kur them, artificialisht, them, sepse Qeveria i fsheh të gjitha marrëveshjet me Serbinë dhe me Mali e Zi. Kjo Qeveri nuk ka kredibilitet të na përfaqësojë. Pse heshtet edhe në Tiranë, për një problem shumë jetik për kombin, në këto situata, kur të gjithë veprojnë përreth nesh e kundër nesh?
Është momenti kur të gjithë duhet të mendojmë dhe ta zbërthejmë enigmën tonë. Mos, vallë, Amerika dhe Rusia e kanë në plan të vetin krijimin e tri shteteve, duke e ditur se kjo situatë e krijuar në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe te ne, në Kosovë, sidomos, me ngritjen e Murit në Mitrovicë? Vetë situata e krijuar në terren duhet të na zgjojë nga gjumi dhe duhet ta përcjellim çdo lëvizje të mundshme, të armiqve tanë shekullorë. Armatosja i Serbisë me ndihmën e Rusisë, mos do ta shpërfaqë në horizont planin Kroat të operacionit “Olluja” (“Stuhia”), për ta pastruar Veriun nga shqiptarët autoktonë, siç ka vepruar më pare, prej Nishi e këtej, dhe t’i vendosë kufijtë shqiptaro-serb mes tokave të copëtuara shqiptare, aty ku i kishte vendosur dikur Gjermania e Hitlerit me Italinë e Musolinit? Sa po e lexoj politikën, kjo po përgatitet dhe mu për këtë heshtin të gjithë, që nga Brukseli deri në Washington. Këto dy qendra, i kanë lëshuar në veprim misionarët e vet, për t’i qetësuar gjakrat, për të mos ndërmarrë veprime konform situatës e rrethanave dhe jam i bindur se edhe ata nuk dinë se çka përgatitet në politikat e këtyre dy shteteve dhe në shtatmadhoritë e tyre.
Për këtë, kërkohen seanca të jashtëzakonshme në Kuvend, për ta tërhequr vëmendjen kah situata e krijuar. Për këtë dalin e flasin nëpër kuluare, se do të ndodhë rivitalizimi i Urës së Ibrit, se do të rrënohet Muri, se ekziston marrëveshja për mbylljen e rrugës nacionale në dalje të Ibrit, e gjëra të tjera dhe, së fundi, Kryeministri e shkarkon një ministër serb, për shoqërimin e përfaqësuesit të “Kosmetit” në Qeverinë e Serbisë, kur, ai, sa herë t’i teket, vjen në Kosovë dhe nuk arrestohet, e, lëre më të dënohet për shkelje të kufirit a të shpallet fletarrest ndërkombëtar kundër tij. Ai po vjen me shpurën e tij policore, e po i aktivizon edhe “Rojet e Urës” për mbrojtje dhe çka tjetër duhet të bëjë Serbia, për të ndërmarrë veprime Qeveria e Kosovës. Ose, nëse Muri është kundër marrëveshjes, pse nuk shkon ta rrënojë me mjete teknike? Kjo jep për të kuptuar se, këta qeveritarë, kanë pranuar të bëhet gjithçka që dëshirojnë serbët fashistë në atë pjesë të Kosovës shqiptare, pra, ta rregullojnë hapësirën sipas dashjes dhe të mos ketë rrugë, për në Rashkë, për Shqiptarët, se, për vete e kanë siguruar. A nuk po bllokohet, një arterie bukur me peshë, nga Serbia?
Përfundimi i gjithë kësaj që u tha në këtë analizë, është se të gjitha planet janë bërë dhe do të zbatohen, nëse ne, edhe mëtutje, i nënshtrohemi politikës misionare të misioneve të huaja.
V I J O N...

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Afrim Morina
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 35 vizitorë
Lexuar: 496 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi