Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
RECENSIONE “MISIONI DHE MISIONARËT”, LIBËR QË QARTËSON UDHËN TONË KOMËTARE
Publikuar më 17 korrik, 2017 në orën 20:42 ( ) Afrim Morina | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
- Sejdi VESELI

Duke e pasur parasysh interesimin e lexuesve për veprat e mëhershme të Afrim Morinës, nuk mund të themi se ky krijues është i panjohur për lexuesit shqiptarë.
Jo vetëm kaq.
Falë veprimtarisë së tij intelektuale, në shërbim të çështjes tonë kombëtare, Afrim Morina është i njohur dhe i respektuar edhe në opinionin tonë kombëtar.
Falë punës së palodhshme të tij, Afrimi, në vazhdimësi, ishte dhe është i pranishëm në të gjitha pjesët e Atëmëmëdheut tonë.
Kjo vepër e re që po u jepet lexuesve, do të jetë një ndihmë e mirëseardhur, në këto momente, kur është aktuale, më shumë se kurrë më parë, vazhdimësia e rrugëtimit tonë drejt krijimit të kushteve reale, për shfrytëzimin e të drejtës tonë të ligjshme, që, edhe ne shqiptarët të vetëvendosim lirshëm për të sotmen dhe të ardhmen tonë.

Tashmë, vepra e Afrim Morinës është shumë e njohur për të gjithë ata që e kanë pasur rastin t’i lexojnë veprat e mëhershme të tij, jo të pakta në numër, të këtij autori atëmëmëdhetar, e kanë provuar se nuk i mungon aftësia narrative, aftësia për ta lidhur lexuesin me librin dhe me fatet e atëmëmëdheut e të kombit, sa që, lexuesi, do ta harrojë edhe vetveten, gjatë gjithë kohës së leximit të veprës së tij atëmëmëdhedashëse.
Duke e lexuar këtë vepër më të re të autorit Afrim Morina, dhe, natyrisht, duke u përpjekur që të mos e përsëris përmbajtjen e shtjelluar drejt dhe qartë, për misionet e misionarët, për ta provokuar kureshtjen e lexuesit, me synim që ta lexojë dhe analizojë në detaje, do të veçoja sa vijon: Falë amatorizmit të misionarëve të përzgjedhur nga institucionet “tona” relevante, jo rrallherë kanë dështuar misionet e drejtuara prej tyre. Përkundër faktit se shqiptarët i kishin ngarkuar vetes për mision, që të çlirohen përfundimisht nga pushtuesit shovinistë sllavo-çetnikë dhe grekë dhe të ribashkohen në një shtet të vetin, por, falë servilizmit të misionarëve nga radhët e tyre, çdo herë, sipas udhëzimeve (direktivave) nga misionarët e përzgjedhur nga “miqtë” e jashtëm, e sollën gjendjen në të cilën jemi, realisht, pak premtuese për të ardhmen e afërt.
Afrim Morina, e thotë me të drejtë se aspiratat e shqiptarëve për rikthimin e të drejtave të tyre të ligjshme, për të cilat derdhen lumenj lotësh dhe gjaku, të radhitur nën Flamurin e Famëmadhes UÇK, jo për të pushtuar troje të huaja, por, për ta ruajtur e mbrojtur atëmëmëdheun, gjuhën, simbolet, doket e zakonet e tyre njerëzore dhe kombëtare, të cilat i aspiruan në shekuj. Mjerisht, falë amatorizmit të misionarëve shqipfolës, ka kohë që është stërkequr rruga drejt përmbushjes së kësaj të drejte, dhe, për pasojë, është “shkelur mbi gjakun e dëshmorëve. Misionarët shqipfolës na kanë sjellë deri në buzë të varrit dhe, tash, duhet të ndërgjegjësohemi e të përcaktohemi, do të pranojmë të biem në varr”, apo, do ta mbledhim gjithë potencialin mendor dhe veprues, për ta kthyer në kahun e duhur rrugëtimin tonë drejt caqeve tona madhore dhe të ligjshme.
Shqiptarët, e pritën me shumë shpresë se Perëndimi, në përgjithësi, dhe NATO, në veçanti, do ta shfrytëzonin momentin për t’i korrigjuar dëmet që ua kishin shkaktuar në të kaluarën, dhe, do ta jepnin ndihmesën e duhur që e drejta të vijë në vend. Por, po dëshmohet përditë e më qartë se edhe njëherë u vetëmashtruan.
Me vepren e tij, Afrim Morina, i jep dije dhe argumente politikës, diplomacisë, ushtarakëve, madje, edhe njeriut të thjeshtë, se cilat do të jenë kushtet dhe rrethanat prej të cilave pritet të kthetrohet jo vetëm Kosova, por, i tërë rajoni dhe më gjerë.
Afrim Morina, nëpërmjet rezultateve të dala nga shtjellimet analitike, të cilat i ofron në veprën e tij të re, “MISIONI DHE MISIONARËT” nuk e vë në vështirësi lexuesin, politikanin, diplomatin, historianin e as atëmëmëdhetarin, për ta kuptuar se çfarë po ndodhë në realitet, nga fakti se ato janë të bazuara në argumente dhe të verifikuara nga profesionistë të drejtimeve përkatëse.
Në përgjithësi, mund të vërehet lehtë se ky libër është shkruar duke u shërbyer me një gjuhë, sa filozofike, po aq edhe diplomatiko-analitike. Mirëpo, nga përmbajtja e tërësishme e këtij libri, mund të përfundohet se:
- Çështja e Kosovës dhe e tërë çështja shqiptare, mund të zgjidhet drejt, duke i korrigjuar padrejtësitë shekullore, dhe, në veçanti, ato padrejtësi që iu bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë viteve 1912-1918-1945. “Miqtë” e jashtëm, thënë edhe më troç, mujsharët ndërkombëtarë të kohës e dinë edhe më mirë, se ne jemi banorët më të lashtë të Gadishullit Ilirik dhe të këasj pjese të Mesdheut Iliro-Shqiptar, se, sa plagë të pambyllura kemi, të cilat, ende vazhdojnë të dhembin e të kullojnë gjak.
Por, duhet konstatuar, gjithashtu, se, prej përfundimit të luftës së UÇK-së, as edhe nga një institucion i vetëm dhe diplomaci ndërkombëtare, nuk është kërkuar argument për padrejtësitë e tmerrshme që janë bërë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kur dihet se brenda kapërcejve të një shekulli, mbi një milion shqiptarë kanë humbur jetën, nga pasojat e dhunës dhe barbarive të ushtruara nga thundrakët serbo-çetnikë, të ardhur nga tej Karpateve. Dihet se dhuna sistematike shtetërore është ushtruar në shërbim të përmbushjes së elaborateve famëkëqija, për spastrimin e trojeve autoktone nga shqiptarët, të okupuara nga Serbia e Jugosllavia.
Porosia përmbledhëse e autorit, e cila u adresohet lexuesve, jo vetëm nëpërmjet këtij libri kuptimplotë, por, edhe nga të gjitha 20 veprat e tij, është e qartë: Shqiptarët jashtë Shqipërisë Londineze duhet të bashkohemi rreth Flamurit Kombëtar, për t’u shtrirë e shkrirë në fatin e vetvetes, si në ditë të mira, ashtu edhe në ditë të vështira. Këtë të vërtetë duhet ta kuptojmë përfundimisht. Këtë porosi e jep edhe libri i ri i autotit Afrim Morina, “Misioni dhe misionarët”, i cili e qartëson udhën tonë kombëtare, e, Shqiptarët, me të drejtë dhe vazhdimisht pyesin, çfarë po ndodhë me ta?

Më 04. 2. 2017

NJË ENCIKLOPEDI E VOGËL FILOZOFIKE PËR ROLIN E MISIONARËVE

- Dilaver GOXHAJ


Libri më i ri i z. Afrim Morina, “Misioni dhe misionarët”, është vëllimi i dytë i librit të tij “Meditime”. Edhe në këtë vazhdim, autori, trajtesat i ka sa filozofike aq edhe psikologjike, në të cilin përfshihen 39 shkrime në formën e eseve (sprovave). Por, ndryshe nga vëllimi i parë, në këtë vëllim autori përqëndrohet te roli i misionarëve në histori, si në aspektin e përgjithshëm teorik ashtu edhe në aspektin historik, duke mos u larguar nga historia e jonë kombëtare.
Meqenëse, autori, i ka vënë detyrë vetes që ta zbërthejë deri në fund shpjegimin se ç’është misioni dhe misionari, ai e trajton këtë çështje si për misionarët vendasë me interesa kombëtare, ashtu edhe për misionarët vendasë në shërbim të të huajve, por, edhe për misionarët e huaj në interes të kombit shqiptar dhe të atyre në interes të shteteve të tyre e në dëm të kombit e shtetit shqiptar. Gjë që, me sa shohim, autorit i është dashur të shfletojë biblioteka të tëra për t’i ilustruar esetë e tij filozofike me shembuj nga historia e jonë dhe nga ajo botërore, e lashta dhe e sotmja.
Dhe, që ta bëjë sa më të plotë këtë trajtesë, autori, e shikon misionarin në të gjitha aspektet: filozofike, psikologjike, patriotike, tradhëtive, në aspektin ushtarak, në aspektin e unit, të moralit, të etjes për para, të propagandës, të kolektivitetit, të joshjeve të ndryshme, në atë të filozofisë orueliane dhe maltusiane, fiksimit, moralit, inteligjencës, në aspektin e jetës së përditshme, por, edhe në atë të sakrifikimit të jetës për atdhe dhe për të huajin, misionin për paqen, misionin për lirinë dhe emancipimin e shoqërisë, linçimin, misionin fetar, etj., etj. Dhe, të gjitha këto aspekte autori i ilustron jo vetëm duke marrë shembuj nga e gjithë historia botërore, por, veçanërisht, nga historia e popullit tonë në shekuj. Gjë që, lexuesi, kur e mbaron së lexuari këtë libër, bindet se ka komunikuar me një historian filozof të të gjitha fushave jetësore, ose, dhe me një psikolog. Prandaj, nuk e tepëroj aspak po të them se kemi të bëjmë me një enciklopedi filozofike për rolin e misionarëve.
Libri, “Misioni dhe misionarët”, nuk është shumë voluminoz, por, shumë i thellë në mendime. Si i tillë, ky libër kërkon studim dhe jo thjeshtë lexim sikundër lexohet një roman apo një libër historie, pavarësisht se është jo vetëm për ata që e njohin historinë e lashtë e të sotme të kombit tonë, por, edhe për ata që e njohin psikologjinë e pedagogjinë, e, edhe të gjitha shkencat shoqërore. Që do të thotë, se është një libër për të gjitha shtresat shoqërore.
Mua, si pjesëtar i Luftës për Çlirimin e Kosovës, i angazhuar në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të saj, veç sa fola më lartë, më tëroqën trajtesat që autori u bën në aspektin psikologjik e filozofik disa ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë epopesë së asaj lufte çlirimtare, 1997-1999, sikundër janë qëndrimet e misionarëve shqiptarë në interes dhe kundër asaj lufte, ashtu edhe të misionarëve të huaj në interes dhe kundër asaj lufte dhe asaj Ushtrie Çlirimtare, duke mos e lënë mënjanë Mbledhjen e Rambujesë dhe Rezolutën 1244 të OKB-së.
Dhe, duke iu rikthyer, herë pas here, disa prej këtyre eseve, më erdhi në ndihmë urimi i bërë nga z. Isa Mustafa, Kryetar i LDK-së, njëkohësisht, edhe Kryeministër i Kosovës, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Mediave, në 3 maj 2017, ku, midis të tjerave, ai, tha: “Mediat dhanë kontribut të pazëvendësueshëm në çlirimin e Kosovës”. Sa bukur!, thashë me vete. Isa Mustafa, me këtë urim e plotësoi edhe më mirë librin e Afrim Morinës, pasi Afrimi është përqëndruar te misioni i njerëzve, misionarëve, dhe, ndoshta, e ka lënë për trajtesë të veçantë misionin e propagandës, të shtypit, të radios dhe të librit në çështjen kombëtare e antikombëtare. Dhe, ajo shprehje e Isa Mustafës është një e vërtetë e pamohueshme për rolin e mediave gjatë Luftës në Kosovë. Prandaj, dhe iu ktheva e riktheva së lexuari disa herë atij urimi.
“Sa mirë e tha!”, u shpreha me veten time, “por, pse nuk bëri diferencime?!” Meqenëse, z. Mustafa, iu referua misionit të mediave, ishte momenti që ai të bënte edhe autokritikë, në emër të partisë së tij, e, të thoshte: “me përjashtim të gazetës sonë ‘Bota sot’”. Prandaj, sa më gëzoi, aq edhe më befasoi kjo shprehje e tij, për vetë faktin se gazeta e partisë që ai udhëheq aktualisht, dhe që ka qenë vijimisht në kryesinë e saj, gazeta “Bota sot”, si gazetë e përditshme me volum e tirazh mjaft të madh, jo vetëm që nuk e ka kryer misionin e saj kombëtar gjatë kohës së asaj lufte, për të kontribuar në mobilizimin e popullit dhe kombit shqiptar për mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për shtimin e radhëve të saj, por, përkundrazi, ka kryer mision të kundërt gjatë gjithë periudhës së Luftës Çlirimtare të Kosovës; ajo gazetë i kishte vënë vetes për mision sabotimin me çdo kusht të asaj lufte çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë. Dhe, këtë e them me bindje, pasi edhe unë i jam kundërpërgjigjur disa herë me shkrime propagandës së saj anti-UÇK, gjatë asaj kohe.
Unë, u ndala në misionin e asaj gazete, pasi për misionin e udhëheqësit historikë të LDK-së dhe kryesisë së saj flet në mënyrë të thukët vetë autori i këtij libri dhe nuk ka nevojë që të zgjatem edhe unë për ata misionarë. Atë mision kundër UÇK-së, gazeta “Bota sot” e ka kryer shkëlqyeshëm, po të flasim në rolin e atyre që ia kishin ngarkuar atë mision, duke botuar çdo ditë jo një, por disa artikuj nga më denigruesit për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe bartësit e saj.
Dhe, kur UÇK-ja, në bashkëveprim me NATO-n, ia arriti qëllimit të luftës së saj, e çliroi Kosovën nga pushtimi shekullor serb, ndodhi ajo që na thotë Afrim Morina, kur, shumë prej drejtuesve të niveleve të ndryshme të LDK-së dhe të antarësisë së saj, deri dje agresivë kundër UÇK-së, e ndërruan fletën, u anëtarësuan në radhët e forcave politike të dala nga UÇK-ja! Dallëndyshe, ktheje ndryshe! Prandaj, me të drejtë, autori i këtij libri, në vëllimin e parë të tij, thotë, se rugovistët, “disa prej tyre kishin gjetur strehim politik te subjektet e dala pas lufte, nga frika se do t’i shkeli qerrja e historisë dhe do t’i përbaltë përbrenda kopertinave të saj, të cilët veç ishin përbaltur, sa, as “ujët e detit nuk mund t’i pastrojë“, tumirën të gjitha prapësitë pansllaviste për ta ndërruar rrjedhën e histories, dhe, ia arritën. Përkundër kësaj bashkëjetese, në dukje të harmonizuar, përsëri, fanatikët rugovistë nuk i lënë dy gur bashkë, sa kanë shkuar edhe t’i ndajnë dëshmorët në të “tyre“ (lexo: dëshmorë të shpifur, se konsiderohen si viktima) dhe tanët, thua se ata kanë luftuar për përfitime të akëcilit individ apo lider.”
Ajo parti, dhe media e tyre edhe sot e gjithë ditën, nuk kanë ndryshuar atë mision të tyre kundrejt asaj lufte. Dhe, ku e shohim sot këtë mision të saj? Në përpjekjet dhe entusiazmin që treguan të gjithë deputetët dhe drejtuesit e të gjitha niveleve të LDK-së për miratimin e Gjykatës Speciale Ndërkombëtare kundër UÇK-së, për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke i falur toka shqiptare dhe në miratimin e copëtimit të Kosovës, përmes “Zajednicës”, etj. Prandaj, ky urim i z. Isa Mustafa, për misionin që mediat shqiptare kontribuan për çlirimin e Kosovës, s’është asgjë tjetër, veçse një lloj demagogjie e paprecedent dhe e paturpshme, përderisa nuk e cilësoi misionin anti-UÇK të gazetës së partisë së tij.
Por, z. Afrim Morina, nuk mjaftohet vetëm me këtë anatemim që u citua më lartë. Ai, në librin e tij, anatemon edhe atë kategori liderësh të dalë nga radhët e UÇK-së, që nuk janë të paktë, të cilët, “të vetëkënaqur me atë që e kishin arritur në një epokë, ndër më të lavdishmet në historinë kombëtare, gjatë luftës së UÇK, menduan se më nuk do të ketë probleme në zhvillimet e mëtejme, u shpërbënë, filluan të përçmojnë njëri-tjetrin, duke keqpërdorur pozitën, mundin, djersën dhe gjakun, për qëllime vetanake, pranuan të rirreshtoheshin me rugovistët, për të treguar se janë të moderuar dhe pendohen për atë që kanë bërë,” duke pranuar edhe këta, atë mision dashakeq të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së. Dhe, natyrshëm, njeriut i lindë pyetja: Po, këta, tanët ç’patën, xhanëm, që e ndryshuan misionin që i kishin vënë vetes së tyre, duke qenë të gatshëm që edhe të flijoheshin të gjithë për lirinë e Kosovës dhe nderin e UÇK-së?! Ndoshta, ndryshimi për 180 gradë i misionit të atyre pjesëtarëve të UÇK-së, që propaganduan miratimin e asaj gjykate famëzezë, do të jetë temë e një libri të veçantë, vëllimi i tretë, nga z. Afrim Morina.
Madje, për këtë misionin e fundit që këto dy kategori politikanësh shqiptarë i kanë vënë vetes, si për “Zajednicën” e “Demarkacionin”, e, veçanërisht, për Gjykatën Speciale, janë befasuar shumë politikanë, analistë dhe juristë me autoritet ndërkombëtar, të cilët flasin me të njëjtën indinjatë që shkruan z. Afrim Morina. Madje, pikërisht, sot, që z. Mustafa bëri atë urim, avokati ndërkombëtar, Gregor Gaj Smith, gjatë një interviste në RTK, tha: “Është paradoksale se asnjë prej gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë të angazhuar në Gjykatën Speciale nuk janë nga Kosova. Edhe të angazhuarit e tjerë nuk janë nga Kosova, qoftë edhe përkthyesit, hetuesit etj. Kuvendi i Kosovës, ka lejuar të themelohet kjo gjykatë, por, pse e ka lejuar, për këtë nuk mund t’ju përgjigjem… Qeveria, vijoi ai, nuk ka mundësi auditimi në këtë gjykatë. Edhe arkivi nuk ka mundësi që t’i takojë Kosovës, por, vendimet bazohen në ligjet e Kosovës. Sa i përket mundësisë së ndryshimit të ligjit për Gjykatën Speciale, ky ligj, mund të ndryshohet, nëse ka ekspertë të mirë. Unë mendoj se, përfundimisht, Gjykata, do të shkaktojë turbullira”. Smith ka pranuar se ka takuar secilin nga kreu i i vendit që ka qenë pjesë në luftë dhe pas luftës: “Sa e kuptoj unë, ata e mirëpresin Gjykatën, sepse, mendojnë se do ta spastrojë atë, por, Gjykata Speciale ka një çmim të lartë për të ardhmen e Kosovës”, tha ai, mes tjerash.
Libri “Misioni dhe misionarët” nuk është roman, as libër me tregime, por, është një histori filozofike për misionin dhe misionarët në histori, e trajtuar përmes 39 eseve. Dhe, kjo e bën librin të lexueshëm dhe tepër praktik, por, në raport me vëllimin e parë, i cili nuk është një libër piramidal, që po e le pa lexuar disa ditë, nuk bën dot lidhjen e detyrohesh t’i kthehesh nga e para, ky vëllim, i titulluar “Misioni dhe misionarët”, edhe pse është një përmbledhje eseshë, ai është libër piramidal, që do të thotë, se po e fillove së lexuari, nuk bën ta ndërpresësh, ngaqë eseja me esenë kanë lidhje me njëri-tjetrin, ku, edhe pse esetë janë të veçanta, trajtesa është vijimësi. Kjo është edhe e veçanta e këtij libri historiko-filozofik të Afrim Morinës. Si i tillë, ai është një enciklopedi e vogël filozofike për rolin e misionarëve në histori.

3 Maj 2017

NJË LIBËR I PARAPSIKOLOGJISË POLITIKE E KOMBËTARE

- Tafil DURAKU


Libri më i ri i autorit Afrim Morina, “Misioni dhe misionarët”, është një libër i veçantë, parapsikologjiko-politik, i përqëndruar në një temë të patrajtuar shkencërisht e politikisht, deri më tash, nga qarqet hulumtuese opinionisto-shkencore shqiptare.
Libri është një hap i matur i autorit, që, në rastin konkret dhe në një kohë të skajshme, përfundimisht të skajshme, prekë një temë kaq të ndieshme shoqërore, të cilën shumë qarqe “patriotike” e “kombëtare”, me pasardhës shqiptaro-titiste, as që kanë qejf ta dëgjojnë, sepse, shqiptaro-titistët, janë misionarët më të mëdhenj të misionit pushtues e robërues serbosllav të shekullit të shkuar, me pretencë që të jenë edhe më misionarë të devotshëm të atij zinxhiri perfid antishqiptar, rajonalo-ndërkombëtar.
Në këtë libër vërehet qasja drejt e përimtimit të temës që e trajton autori, nga shumë aspekte, që nga lindja e misioneve dhe misionarëve. Por, ajo që shihet qartë është tendencioziteti filozofiko-politik i parapsikologjisë së thellë përceptuese e trajtuese të kuptimit e shtjellimit metodiko-shkencor të lëndës së shtruar për studim.
Te ky konstatim vimë, duke e kujtuar Aristotelin, i cili, thotë: “Filozofia, me të drejtë, mund të quhet shkenca e së vërtetës”, kur e dimë se shkallët e jetës janë ato që na çojnë më mbretërinë e filozofisë së filozofëve.
Në këtë libër dalin vlerat dhe kiçet e shoqërisë njerëzore dhe ato kombëtare në veçanti. Të gjitha proceset e jetës e kanë edhe filozofinë e vet, e kjo nuk mungon as në librin e autorit Afrim Morina, sepse, është vetëm filozofia ajo që e ngrit zërin e së vërtetës ndaj problemeve e çështjeve që e preokupojnë një shoqëri njerëzore, në rastin tonë konkret, shoqërinë shqiptare, e cila, edhe në këtë kohë, është në zgripc të të qenunit të saj tërësore.
Duhet thënë se krah misioneve dhe misionarëve parapolitikë e politikë qëndrojnë edhe (para)misione dhe (para)misionarë shumë të fuqishëm ekonomikë e financiarë, prandaj, edhe ne shqiptarët, nëse ia duam të mirën vetvetes, duhet të krijojmë (para)misione dhe (para)misionarë të përmasave të tilla kombëtare e shtetërore, shqiptare. Këtij mendimi tim i paraprin libri i përmasave parapsikologjike dhe parafilozofike e parapolitike i Afrim Morinës, “Misioni dhe misionarët”, prandaj, atë ia lëmë në dorë lexuesit, që edhe është vlerësuesi më i mirë dhe më i paanshëm i vlerave njerëzore e kombëtare.
Libri “Misioni dhe misionarët” është një libër që analizon një temë të ndërlikuar dhe kompakte, analizuar nga shumë aspekte metodike-shkencore, dhe, të gjitha këto, vetëm sa i shtojnë vlerat e librit.
Analizohet, në radhë të parë, hierarkia e misioneve dhe misionarëve, të huaj e vendorë krah tyre, por, edhe të “huaj” e vendorë kundër kastës tjetër. Kasta kundër kastës, por, e keqja është se vendorët janë armiqtë më të mëdhenj të kombëtares dhe të vendorëve që mbrojnë kombëtaren. Por, sqarohet më tej se misionarët janë ata që i përcaktojnë rregullat e lojës, që, në të shumtën e rasteve, dinë të jenë shumë vdekjeprurëse. Sidomos, përmasat me të cilat luftohen e likuidohen promotorët shoqërorë e kombëtarë.
Njerëzimi dhe më pas shoqëria njerëzore, që nga fillet e të qenunit e saj shoqëri, secila, i ka pasur misionarët e vet. Pra, promotorët e të gjitha misioneve njerëzore janë ata që e kanë vënë në lëvizje çdo shoqëri njerëzore dhe civilizimin e tyre, në përgjithësi.
Dhe, siç del nga analiza e thuktë e librit në recension, ajo që e përcakton dhe e orienton drejt individin, është uni i tij, vetja e tij dhe rrethanat ekonomiko-shoqërore e sociale janë ato që e orientojnë drejt, gjithmonë, në luftë për t’ua çjerrë maskën pseudopatriotëve dhe njerëzve të shitur që joshen me mënyra e marifete të shumta të misioneve e misionarëve të huaj e vendorë, filozofi që korrespondon me thënien tonë të lashtë: Qeni i keq ta bjen ujkun në torishtë! Kështu po bëjnë misionet e huaja me misionarët “tanë”, që po e luajnë rolin e qenit, por, krahasimi, këtu, e ka një “bisht” pas, sepse, thotë poeti i ynë, Zeqir Duraku, në një poezi të tij se “Shopenhaueri, nuk ka ditë ta shajë e ta fyejë, më rëndë e më zi, qenin e tij, sesa kur e ka quajtur njeri!”.
Madje, autori shtjellon edhe filozofi të ndryshme dhe tregon me fakte se filozofitë sikur janë bërë një, sikurse thotë edhe autori: “filozofitë orueliane dhe maltusiane, janë bërë një” Ai, e sheh si të dëmshëm edhe fiksimin pas misioneve dhe pas misionarëve të huaj, madje, i sheh shumë të pamoralshëm të gjithë ata misionarë që po vrapojnë theqafas pas misionarëve të huaj, që po punojnë në dëm të çështjes shqiptare. I sheh si shumë të pamoralshëm dhe me intelegjencë të praptë, antikombëtare.
Apeli i autorit, se lufta mund të shmanget vetëm me njohjen e shtetit-komb, është një thirrje e drejtë dhe për ta realizuar këtë synim shekullor të shqiptarëve për ribërien e Shipërisë-SHQIPËRI, në kohën kur janë pjekur kushtet dhe vetëdija kombëtare asnjëherë nuk ka qenë më e lartë, janë frika dhe mëdyshja ato që duhet t’i mbysim, për realizimin e misionit tonë kombëtar-shqiptar.
Për t’i realizuar synimet tona, në radhë të parë, duhet që, me një vetëdije e organizim tjetërfare, ta intensifikojmë luftë tonë të drejtë kundër luftës speciale të qarqeve rajonale dhe ndërkombëtare, e, edhe të atavizmave vendorë, shqiptaro-titistë. Ka mënyra e metoda se si arrihet dhe bëhet kjo punë fisnike e ribëries së Atdheut tonë kombëtar.
Kjo situatë, sikur tregon qartë se shoqëria e jonë po përballet me të sëmurë shumëmendorë, që nuk e dinë se janë të tillë dhe as që e dinë se nga u ka adhur ajo sëmundje shumëmendore, që i bën të mos jenë të qëndrueshëm ndaj asnjë lufte speciale, që kanë mungesë dhe vonesë për zbulimin e misioneve dhe të misionarëve të huaj, për grumbullim kohor të informatave dhe zbërthim të tyre.
Në libër nuk kanë mbetur pa u trajtuar edhe aspekte të tjera që shoqërojnë misionet dhe misionarët, deri edhe ana e tyre profesionale, dhuntia, linçimi, synimet e tyre. Dhe, kjo është ana që librin e autorit Afrim Morina e bën tërheqës e joshës për lexuesin.
Përqëndrimi i autorit te promotorët kombëtarë e shtetërorë shqiptarë, e bën edhe më të veçantë librin, ku, i gjithë faji bjen te të mallkuarit e botës dhe te bashkëpunëtorët e tyre “shqiptarë” e shqipfolës, të cilët po e mundësojnë lojën antishqiptare të ridisenjimit të hartave për përcopëtimin e mëtejmë të tokave shqiptare, por, sipas autorit, 2017-ta, do jetë - vit i kthesave të mëdha, por, ka një vërejtje të madhe për të gjithë ata “që mendojnë se kryeqyteti i shqiptarëve është Brukseli, nuk meritojnë të udhëheqin” dhe ajo që e ndihmon këtë kategori “shqiptarësh” është insulina politike.
Sikurse asnjë makinë që nuk bën asnjë hap para pa motor, asnjë komb nuk ecën para dhe nuk çlirohet pa promotorët e tij që japin ide, sepse, vetëm idetë janë ato që e çojnë njerëzimin, kombin dhe botën përpara. Dhe, promotorët janë ata që nuk pajtohen kurrë me pjesët e prishura e të kallaisura të makinës dhe autori na mëson se “si duhet luftuar edhe me penë e diplomaci”, që shkon shumë edhe me thënien kuptimplotë të shkrimtarit tonë të njohur, Nebil Duraku, thënë para gjysmë shekulli: “Im at përdori armë që të ma dhuroi penën. – Babëlok, të dy jemi luftëtarë” (Drenusha, roman).
Por, autori, me të drejtë, shpresat për shpëtimin e kombit e të atdheut i varë te promotorët shqiptarë, të cilët, e kanë vënë veten e tyre në ballë të misionit kombëtar, që, me punën e tyre i kanë krijuar edhe misionarët për ta çuar përpara çështjen shqiptare, sepse, ata i “dallon” një fije floku që edhe mund t’i bashkojë për realizimin përfundimtar të aspiratave tona shekullore dhe për përmbushjen e plotë të Betimit të UÇK-së. Prandaj, librin e autorit Afrim Morina, “Misioni dhe misionarët”, e quajtëm libër i parapsikologjisë politike-kombëtare, i cili na tregon qartë se çfarë duhet bërë.

Shkurt, 2017

F U N D

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Afrim Morina
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 36 vizitorë
Lexuar: 438 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi