Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
QERIME HALIL RADISHEVA- SHOTË GALICA
Publikuar më 22 korrik, 2017 në orën 00:03 ( ) Mehmet Bislimi | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Femra shqiptare në vazhdimësi është përballur me ashpërsitë e jetës, mbi të rëndoi pesha e shekujve të robërisë, pesha e varfërisë, kanunit dhe padrejtësisë së kohëve të ndryshme, rëndoi kobi e zia, loti e gjaku... Por, ajo për asnjë çast nuk u nënshtrua para sfidave të shumta gjatë rrugëtimit nëpër kohë, ajo eci gjithmonë vertikalisht dhe kokëlartë!

Dinjitetin dhe krenarinë e saj nuk e mposhti as robëria shekullore e as goditjet e njëpasnjëshme që i mori nga vrazhdësitë e jetës së rëndë me plot halle. Gruas dhe nënës shqiptare, në vend të parfumeve i ra për hise baroti dhe rezistenca, stolitë e saja ishin koburja dhe gjerdani me fishekë, ajo ishte dhe mbeti në shërbim të atdheut. Gruaja shqiptare si nënë, atdheut i fali nga shtatë ushtarë lirie, i fali nga shtatë zana mali, që pushtuesit i morën gjak në vetull si: Teuta, Donika, Nora, Tringa, Shota, Xhevë Lladrovci e deri tek nënëmadhja Zahide Shaban Jashari - nëna e Komandantit tonë Legjendar Adem Jashari, nënëlokja jonë e pavdekshme.

Nënat tona, gatuan bukën për çlirimtarët, bënë çorapet që të mos ngrijmë, bekuan rrugët tona të përgjakshme, puthen bijtë e vet në ballë, duke ua dhanë uratën atyre në rrugët e vështira, rrugë të lavdishme të lirisë dhe bashkimit tonë kombëtar. Ato i vizituan bijtë e tyre nëpër syrgjyni Otomane, Kazamate serbe, duke u thënë: ”Mbahuni bijtë tanë e mos u ligështoni para dushmanit, mbahuni për hatër të atdheut!”... Ishin këto fjalët e nënave tona, që na dhanë forcë dhe zemër, qëndrime këto që bënë popullin shqiptarë të triumfoj fuqishëm mbi tmerrin shekullor të robërisë, mbi planet gjenocide që pushtuesit tanë i zbatuan egërsisht mbi popullin shqiptar, mbi ploje e gjaku për këtë tokë.

Nuset e reja i pritën trimat e tyre me vite të tëra, nga syrgjyni, nga internimet, nga burgimet, nga kurbeti... e kujë nuk vunë! Ato na i rritën fëmijët e vetëm nuk i lanë, shpinën nuk ua kthyen për një copë dashuri- JO, ato këtë nuk e bënë, ato u gjakosen krah burrave për këtë tokë të zhuritur! Ato hynë në histori me qëndresën e tyre, ato hynë në këngë me bujarinë e tyre, ato u mitizuan për besnikërinë dhe sakrificat e tyre si Rozafa e kalasë prej guri, si Doruntina... E kur bijtë tanë u kthyen të gjakosur nga lufta, fjala e ëmbël e nënës mikloi plagët tona... Ato nuk lejuan që loti t’ju shkoj nëpër faqet e tyre të ndritura- jo as një herë!... O zot, po cilat nëna në botë, janë më të sprovuara, më të forta, më bujare se nënat tona? Ishte nëna dhe gruaja shqiptare ajo, që i rezistoi të gjitha këto dhe nuk u dorëzua. Asaj, dhe vetëm asaj i dedikohen të gjitha meritat, para së cilës populli ynë me respektin më të madh duhet të përkulet deri në gjunjëzim - para qëndresës dhe heroizmave të NËNËS Shqiptare- i qofshim falë asaj dhe vetëm asaj, më përunjësi puthim dorën tuaj, nëna, gra, motra, bija të atdheut, krenaria jonë kombëtare, ti emri më i dashur nënë, mëmë- mëmëdhe!

I gjithë ky respekt sot përcillet në emrin e nënës, në emrin e gruas dhe heroinës sonë kombëtare – SHOTE GALICËS, ky emër kaq i madh që zuri vend po aq të madhërishëm në historinë tonë kombëtare, është emër nderi e krenarie, mburrjeje e lirie për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Është dashuri për atdheun, frymëzim dhe inspirim i qindra Shotave të reja që ranë me pushkë në dorë, rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qerime Shotë Galica e bindur thellë në të drejtën e popullit tonë për të jetuar të lirë, vuri pushkën krahut, dhe për 12-të vjet me radhë nuk u nda nga burri dhe bashkëluftëtari i saj Azem Galica, dhe nga shokët e tij. Për 12-të vjet me radhë, Shote Galica luftoi kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgar. Ajo ishte motër e gjashtë vëllezërve. Babai i saj Halili, ngase e kishte të vetmen vajzë, nuk e ndau nga djemtë e tij për asnjë çast. E merrte me vete nëpër kuvende e ndeje burrash, ku pati fatin të shohë me sytë e saj trimat e kohës si: Isa Boletinin, Shaqir Smakën, Kamer Loshin, Nak Berishën, Azem Bejtën, Mehmet Deliun, Shak e Ramadan Radishevën, Halit Bajramin, Xhemë Tërnavcin, Fazli Baranin, Emin Latin - Mehën, Shaban Mikushnicën, Bajram Zenë Mehën, Bislim Lutfiun e shumë trima tjerë.
Nëpër ato kuvende e ndeja merreshin vendime që të kërciste pushka mbi pushtuesin serb, aty edhe këndohej kënga e binte çiftelia për trimat tanë. Shota i binte mirë çiftelisë, si edhe çarkut të hutës. Këndonte si zanë mali, sa edhe të tmerronte me zërin e kushtrimit të saj:
”Ooo, Prite, prite Azem Galicën, o heeejjj”...

Nëpër ato ndeja e kuvende Shota njohu Azem Galicën, me të cilin u martua në vitin 1915. Ajo në vend të rrobave të nusërisë, veshi rrobat e burrave, në vend të pajës vuri armën krahut dhe u bë nuse malesh. Në dasmë të saj ishin 300 krushq me 300 pushkë krahut, binin tridhjetë daulle përnjëherësh, kërcenin 300 malësorë vallen e dragonjve të malit... Shota që nga ai çast nuk u nda nga Azemi dhe nga bashkëluftëtarëve të tij. Dhoma e saj nusërisë u bënë malet e Çiçavica, stolitë e saj ishin gjerdani me fishekë. Kjo ishte Shota – gruaja dhe nëna shqiptare, që nuk u lodh e nuk u hamend kurrë para jetës së vështirë të malit, para flakës së barotit, para rënies e plagosjes së luftëtarëve të lirisë, as para masakrave që bënin xhandarët serbë mbi popullatën shqiptare. Përkundrazi morali dhe forca e saj sa vinte e po shtohej e vetëdijshme se liria e vendit nuk arrihet pa u djegur në flakët e luftës! E tillë ishte Shota dhe si e tillë vazhdoi këto rrugë pa u luhatur, as edhe pas vdekjes së burrit e shokut të jetës së saj Azem Galicës.

Ajo merrte edhe vendime me vete. Kjo ndodhte kur ishte larg Azemit, në mungesë të komunikimit për shkaqe gjeografike, sidomos kur Azemi ndodhej në vise të ndryshme të Kosovës, por edhe në Shqipëri për çështje bashkërendimi me forcat përparimtare e demokratike të kohës si me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin e të tjerë. Një hap të tillë Shota e kishte marrë për likuidimin e një zyrtari të lartë të Serbisë në Mitrovicë. Ajo së bashku me Mehmet Deliun dhe me dy tre shokë tjerë, kishin hyrë në zyrë të eprorit serb, mu në qendër të qytetit të Mitrovicës!, dhe me dorë të vet e kishte vrarë atë epror gjakpirës, i cili kishte bërë sa e sa masakra mbi popullatën shqiptare që po përpiqej për lirinë e vet. Ajo më pas i tha Azemit: “E vrava Azem! E vrava në emër të nënave që i ka lënë pa djem, në emër të nuseve që i ka lënë pa burra, në emër të motrave që i ka lënë pa vëllezër, në emër të lirisë së Kosovës!”... Azemi e shikoj me butësi e dashuri, duke i thënë:
“ Mirë ke bërë moj burrnesha e maleve të Kosovës duke e përqafuar dhe duke e uruar për aksionin, atë dhe shokët!". Shota, gjatë jetës së saj prej luftëtari të lirisë, ishte ndeshur dhjetëra herë me pushtuesin serb. Ishin dhjetëra beteja ku kishin luftuar me orë të tëra, në pozicione të ndryshme e shumë herë të pavolitshme e të pabarabarta në armatime. Gati në të gjitha rastet, luftëtarët e lirisë kishin dalë fitimtarë, megjithëse herë pas herë edhe kishin pësuar goditje të rënda me humbje të shokëve. Kjo përballje e Lëvizjes së çlirimtarëve të Kosovës me pushtuesin serb nuk ishte e shkurtër, prandaj për Shotën, Azemin dhe bashkëluftëtarët e saj, ishin krijuar edhe mite e legjenda: Ishin përhapur fjalë se Azem Bejta bashkë me gjokun e tij po fluturonte, apo se kur thërret Shota: “Oooo, prite, prite Azem Galicën o heeejjj” dëgjohej për tej shtatë malesh e kodrash, apo se Shota me një dorë lufton dhe me tjetrën i bie çiftelisë dhe se plumbat e saj kurrë nuk shkonin huq, mandej thoshin se Azemin dhe Shotën nuk i zë plumbi i shkjaut etj...

Pas vdekjes së Azemit, Shote Galica së bashku me Mehmetin e Vogël u priu luftëtarëve të lirisë në sa e sa aksione të rrepta ballë për ballë me armikun. Ajo me rezistencën e saj së bashku me trimat e Azemit ua fuste tmerrin xhandarëve serb. Shota edhe u plagos në luftëra, por morali i saj nuk u thye asnjëherë, kështu duke u bërë shembull e krenari për ne. Shota në rolin e nënës nuk pati rastin që të gëzoj ledhatimet e djalit të saj i cili i vdiq shumë shpejt pas lindjes, për shkak të kushteve të vështira të malit. Mirëpo Shota nuk ndenji indiferent kundrejt kësaj ndjenje, ajo mori me vete ngado që shkoi fëmijët e shokëve të rënë për liri të tokës shqiptare. Ajo për as një çast ata fëmijë nuk i la vetëm, duke u bërë nënë e dytë e tyre deri në çastet e fundit të jetës së saj.

Shote Galica në fundin e dimrit të vitit 1926, një dimri i ashpër, e lodhur dhe e dërmuar e me zemër të plagosur, shoqëruar nga Mehmet Deliu- Mehmeti i Vogël, dhe me pak shokë të tjerë, kishin mësyrë Shqipërinë, duke e lënë Kosovën nën kthetra të pushtuesit serb, me shpresën së do të ktheheshin prapë me pranverën e parë. Ajo u vendos në katundin Shullaz të Krujës. Me vete kishte edhe disa fëmijë të shokëve të rënë mbetur jetim të cilët Shota i kishte marrë përsipër t’i rriste dhe edukonte me frymën atdhetare. Me shpresën se do të gjente mbështetjen e mbretërisë së Ahmet Zogut, ajo u zhgënjye shumë shpejt nga sjelljet e tij mospërfillëse. Si duket, Shota nuk e kishte të qartë se kishin ndryshuar rrethanat, se mbreti Zog ishte borxhli ndaj Krajlit të Serbisë i cili e kishte strehuar, armatosur dhe kthyer nga hotel Bristoli i Beogradit në karrigen e mbretit të Shqipërisë! Kështu duke e rrëzuar të parën Qeveri demokratike në Ballkan - Qeverinë e Fan Nolit! Në këto rrethana Krajli i Serbisë, pasi që kishte dëmtuar rëndë (pas 12 vjet lufte Lëvizjen Çlirimtare të Kosovës), së bashku me prijësin e saj, Azemin, tani kishte edhe kërkesa shtesë pranë mbretërisë zogolliane që të asgjësoheshin edhe rrënjët e kësaj lëvizje në Shqipëri, ku Shotë Galica ishte strehuar dhe kishte nën përkujdesje fëmijët e luftëtarëve mbetur jetim!...

Ajo, e përballur me tmerrin e varfërisë, rrethuar nga harresa, varfëria, mjerimi dhe inferioriteti i një regjimi mbretëror zogollian e Canobegian. Në rrethana të tilla shtrenguese, ajo u detyrua t’i shkruaj letër mbretërisë në fjalë:

“... Unë jam Shotë Galica- gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës. Gjendem në katundin Shullaz të Krujës, kam dhe katër fëmijë jetim me vete. Janë fëmijët e luftëtarëve të vrarë për çlirim të Kosovës. Jam e shtrënguar t’ju vë në dijeni se jam duke vdekur nga sëmundja dhe uria së bashku me fëmijët jetim!”...

Shota, po ndeshej me vdekjen dhe vdekja e saj në atë moshë kaq të re, më shumë pati për pasojë moskujdesin njerëzor ndaj saj, ky moskujdes i një regjimi mbretëror antikombëtar kurorëzoi kushtet e një vdekje të parakohshme dhe të pa natyrshme të një gruaje që quhej Shotë Galica e cila kishte vetëm 32 pranvera!...
Heroina Shotë Galica, vdiq e re, ajo mbeti përjetësisht e re, ajo kurrë nuk do të mplakët, ajo shndritë mbi tokën shqiptare si flakët e lirisë!...

P:S. Shotë Galicën, pas luftës së dytë botërore, shteti shqiptar e shpalli Heroinë të Popullit, ia ngriti bustin e saj dhe ia rregulloi edhe varrin. Sot në kohën e “demokracisë” varri i saj është në gjendje të mjerueshme siç ishte edhe ajo vet në prag të vdekjes së saj në vitin 1927. Ndërkaq për bustin e saj nuk ka kurrfarë të dhënash se ku është tretur?! Qeveria e Kosovës, si ajo në nivel qendror, po ashtu edhe kjo në nivel lokal, as kanë vrarë mendjen deri me sot në mënyrë që eshtrat e Shote Galicës t’i kthejnë në vendlindjen e saj, më në fund pas 80 e sa vitesh, të prehet edhe ajo e qetë pranë varrit të Azem Galicës, burrit dhe bashkëluftëtarit të saj, pranë kullës dhe tokës së vet të dikurshme, pranë varreve të të parëve të saj, në gjirinë e tokës mëmë- ku ajo do të prehej më së miri. Shotë Galica- Radisheva bija e tokës shqiptare heroina e pavdekshme, nderi dhe krenaria jonë kombëtare.

Qerime Halil Radisheva – Shotë Galica vdiq më 20 korrik të vitit 1927. Kush vuajti më shumë se nënat tona, kush i dha lirisë dhe popullit tonë më shumë se ato- lavdi të përjetshme!

Korrik, 2017

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Mehmet Bislimi
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 47 vizitorë
Lexuar: 784 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi