Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Një plagë e hapur që s’po gjen dot shërim
Publikuar më 27 korrik, 2017 në orën 17:18 ( ) Prof. Dr. Eshref Ymeri | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Libri i akademikut Prof.dr. Flori Bruqi, me titull “Dëshmi të krimit të pandëshkuar”, që doli nga shtypi këto ditë dhe që po vihet në dorën e lexuesve, shërben si një “ekranizim” i fateve të popullit shqiptar të Kosovës në veçanti dhe të mbarë kombit shqiptar në tërësi.

Ai është dëshmi e gjallë e tragjizmit të fqinjësisë së kombit shqiptar me kombin serb, i cili, gjatë një harku kohor prej më shumë se një shekull e gjysmë dhe deri në ditët tona, në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, ka nxjerrë nga gjiri i vet tufa të tëra egërsirash politike, me nxitjen dhe me mbështetjen e fuqishme të akademikëve të krimit dhe të kishës kriminale serbe. Këta akademikë të krimit, autori i ka nxjerrë lakuriq në faqet e këtij libri. Këto egërsira politike serbe me prejardhje ruse, Perëndimi evropian i ka pasë trajtuar gjithmonë me tërë përkujdesjen e vet, çka solli si pasojë që edhe në fundin e shek. XX, t’i lejojë të organizojnë atë kasaphanë të tmerrshme kundër popullit boshnjak dhe kundër popullit shqiptar të Kosovës.
As në kohët e largëta të inkuizicionit mesjetar nuk kanë pasë qenë organizuar masakra të atilla, si ato që egërsirat politike serbe organizuan në Bosnjë dhe në Kosovë.
Nëse Perëndimi evropian do të jetë në gjendje që, në shekujt pasardhës, të nxjerrë ndonjëherë nga radhët e veta mendje të ndritura, që do të kenë si yll karvani vetëm të vërtetën, kam bindjen se banjat e tmerrshme të gjakut që egërsirat politike serbe organizuan në Evropën Juglindore në fundin e shek.XX, ato do t’i vlerësojnë si një damkë turpi në ballin e qytetërimit evropian.
Skenat e masakrave të tmershme që përshkruhen në faqet e këtij libri, janë tej përfytyrimit të mendjes njerëzore: njerëz të pafajshëm të të gjitha moshave, deri te fëmijët e vegjël, të masakruar, të përçudnuar, të vrarë dhe të groposur në varre masive, të djegur me benzinë, të karbonizuar nëpër konteniere fabrikash, të mbyllur nëpër kamionë frigoriferikë dhe të flakur në lumin e Danubit, nuk do t’i trajtonin në këtë mënyrë as tigrat e egër që enden pyjeve dhe brigjeve të Amurit siberian në kulmin e urisë së tyre shtazore në piskun e dimrit. Kur u njoha me ato skena të tmerrshme krimesh në përshkrimin e akademikut Flori Bruqi, kujtesa me çoi larg.

Së pari, më erdhi ndër mend një artikull i Mihal Gramenos, me titull “Gjakpirësit, katilët dhe vandalët”, i botuar në gazetën “Koha”më 17 prill 1914. Autori shkruante:
“Vetëm prej një kombi barbar, i cili jeton për turp në shekullin e 20-të në Evropë, mund t`i tregojë botës së qytetëruar barbarizmin e tij të pashembullt dhe të veprojë vandalizmat që ngjanë në Korçë dhe ngjasin në Shqipëri të jugës! Dhe ky komb s`mund të jetë veçse kombi grek. Një komb, i cili është gatuar nga llojish lëngërash nuk mund të kuptojë ç`domethënë turp dhe njerëzim, se ay është bërë për gjakpirësi, për katillëqe dhe për vandalizma! Kurrë nuk besojmë të gjendet njeri, i cili të shkruajë historinë e ngjarjeve të fundit në Korçë e të tregojë hollësisht shkaktarët e kësaj lëvizjeje, meqenëse shkaktare e vërtetë e kësaj lëvizjeje është qeveria greke, e cila deshte që t`i përvëlonte e t`i shuante vendet e Toskërisë nga faqe e dheut dhe programin e saj e tregoi fort bukur se ka afër një mot që kur konferenca e Londrës vendosi kufinjtë e Shqipërisë, por qeveria greke vendosi të shpërndajë armë....Gjithë lufta që u bë në Korçë ishte organizuar nga Greqia me oficerë dhe ushtarë grekë… që të mbushnin qëllimin e poshtër dhe barbar e të rrëzojnë themelimin e Shqipërisë...” (Citohet sipas: Kastriot Dervishi.“Të mos harrojmë atë që na kanë bërë dhe atë që po na bëjnë grekët”. Faqja e internetit “Forumi shqiptar”. 07 maj 2007).

Së dyti, m’u kujtuan krimet e bishave fashiste greke në Çamëri dhe m’u fanit testamenti i egërsirës me fytyrë njeriu Napoleon Zerva:
“Vdes i qetë se bëra atë që doja. Pas lashë rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadha, ulërima fëmijësh, nuse dhe gra të zhveshura, që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë, burra të varur, shpuar me bajonetë, gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo më kënaq mua, ashtu siç kënaq tërë shpirtrat helenë!”. (Citohet sipas: “Ja amaneti që la Napoleon Zerva, gjenerali famëkeq që masakroi qindra shqiptarë”. Faqja e internetit “VOAL”. 01 janar 2017).
Akademiku Flori Bruqi nxjerr në pah rolin e pazëvendësueshëm që luajtën Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shpëtimin e popullit shqiptar të Kosovës nga shfarosja masive që kishin planifikuar egërsirat politike serbe, duke zbatuar planin e tyre barbar me emrin “Patkoi”, sipas të cilit duhet të kryhej spastrimi tërësor etnik i territorit, kurse banorët që mbeteshin të fshehur nëpër male, duhej të shfaroseshin krejtësisht.
Jo vetëm populli shqiptar i Kosovës, por mbarë kombi shqiptar, duhet t’i jetë mirënjohës në jetë të jetëve Presidentit Klinton (Bill Clinton - 1946), Kryeministrit Britanik Toni Bler (Tony Balir - 1953), Sekretares së Shtetit Medlin Ollbrajt (Madeleine Albright - 1937) dhe Kryekomandantit të forcave të NATO-s Uesli Klark (Wesley Clark - 1944), nderimi ndaj të cilëve e meriton të përjetësohet me shtatore hijerënda që duhet të ngrihen në kryeqendrat e trojeve tona etnike.

Roli parësor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përgatitjen e bombardimeve kundër Serbisë, ishte i padiskutueshëm. Ndërkohë, ka pasur një kundërshtim të heshtur të Perëndimit evropian, sidomos të Francës, por edhe një stepje të ministrit të jashtëm anglez kundër fillimit të bombardimeve, çka dëshmohet fare qartë në një intervistë të gjeneralit rus Leonid Ivashov (1943), ish-këshilltar ushtarak i Kryeministrit Çernomëjrdin (1938-2010), dhënë revistës “Itogi” dhe botuar në faqen e internetit “russmir.info” të datës 27 gusht 2010.
Ndërhyrja e NATO-s, përmes bombardimeve të Serbisë për çlirimin e Kosovës, ishte një leksion me një prapavijë tepër domethënëse për shovinizmin rusomadh, armikun e betuar të kombit shqiptar, mbështetësin e paturpshëm të pjellës së vet të përbindshme serbe, shovinizmit serbokriminal.
Në këtë libër, akademik Bruqi hedh dritë edhe mbi qëndrimin e theksuar antishqiptar të Prokurores së Tribunalit të Hagës Karla del Ponte (Carla Del Ponte - 1947), për të cilën avokati anglez i Ramush Haradinajt Ben Emerson (Ben Emmerson - 1963) ka ngulur këmbë që ajo t’i kërkojë falje Haradinajt për akuzat e rreme që pati ngritur kundër tij. Ishte pikërisht po kjo Karla Del Ponte, e cila, armiqësinë e vet kundër popullit shqiptar të Kosovës dhe veçanërisht kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e pati shpalosur paturpësisht me gënjeshtra të pafundme në faqet e librit të vet me titull“The Hunt: Me and the War Criminals” (Gjuetia: unë dhe kriminelët e luftës), në italisht “La caccia: Io e i criminali di guerra”, të botuar në vitin 2008.
Libri i Karla Del Pontes ishte rezultat i vizitave të saj të shpeshta në Beograd dhe i ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Kremlinit, përmes Kryetarit të Komitetit të Këshillit të Federatës Ruse për Marrëdhënie Ndërkombëtare Konstantin Kosaçov (1962). Ishte pikërisht ky Kosaçovi që vuri në lëvizje edhe anëtarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Dik Marti (Dick Marty - 1945), i cili e çoi edhe më tej shpifografinë e Karla Del Pontes, me akuzën kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për gjoja trafikim organesh të serbëve të vrarë. Pra, në Perëndimin evropian po synohej që kriminelët serbë të shndërroheshin paradoksalisht në viktima.

Në faqet e librit jepet një listë e tërë krimesh dhe kriminelësh, e cila është siguruar pas një pune të pandërprerë hulumtuese, gjatë së cilës autori ka shfrytëzuar më shumë se 200 burime të mediave vendase dhe ndërkombëtare. Kjo është një punë me të vërtetë heroike që ka kryer autori i këtij libri, të cilën jo dokushdo mund ta përballojë për të nxjerrë në dritën e diellit kaq shumë të vërteta tragjike.
Në të njëjtën kohë,të bëjnë përshtypje dhe të tronditin thellë faktet që sjell akademiku Flori Bruqi për përpjekjet e gjithanshme që bëri regjimi kriminal i Millosheviçit (1941-2006) për fshehjen e gjurmëve të krimit. Por fshehja e atyre gjurmëve vazhhoi po në atë mënyrë edhe kur Millosheviçi u rrëzua nga pushteti, përfundoi i prangosur në Tribunalin e Hagës dhe deri sa iku në botën e përtejme. Nuk mund të ndodhë ndryshe që kjo fshehje e atyre krimeve vazhdon edhe në ditët tona, sepse pushtetin politik në Beograd e trashëguan bashkëpunëtorët e ngushtë të Millosheviçit që janë në krye edhe sot e gjithë ditën. Prandaj krimet e egërsirave politike serbe ndaj popullit shqiptar të Kosovës, vazhdojnë të mbeten ende të pandëshkuara. Dhe Perëndimi evropian vazhdon të heshtë. Madje po përgatitet ta pranojë Serbinë në radhët e Bashkimit Evropian. Këtë qëndrim shpërfillës ndaj krimeve të bishës fashiste serbe në Kosovë, Perëndimi evropian e manifeston në qëndrimin e tij jo vetëm ndaj popullit shqiptar të Kosovës, por edhe ndaj kombit shqiptar në tërësi. Ky qëndrim shpërfillës doli më shumë në pah edhe gjatë krizës së fundit në Maqedoni dhe në Shqipëri, kur Bashkimi Evropian u tërhoq përfundimisht nga zgjidhja e saj. Madje ambasadorja gjermane, e shtetit më me peshë në Bashkimin Evropian, Susanne Schütz, deklaroi para do kohësh pa iu dridhur qerpiku:
“Edhe nëse PD nuk hyn në zgjedhje ne do t'i njohim” (Citohet sipas: Ambasadorja gjermane: Do t'i njohim zgjedhjet edhe pa PD”. Faqja e internetit e gazetës “Shqiptarja.com”. 02 maj 2017).
Kjo ishte një deklaratë jo vetëm absurde, por edhe skandaloze, e cila, po të mos kishte ndërhyrë Departamenti i Shtetit me përfaqësuesin e vet që dërgoi në Tiranë dhe në Shkup, do të kishte bërë që situata të përcillej me pasoja të rënda, që mund të shoqëroheshin edhe me shpërthimin e luftës civile, si në Shqipëri, ashtu edhe në Maqedoni. Ja, ky është Perëndimi evropian në qëndrimin ndaj kombit shqiptar. Ky është pikërisht po ai Perëndim evropian që soditi me aq shpërfillje vrasjen dhe groposjen në një varr masiv të 8 000 njerëzve të pafajshmën në Srebrenicë në verën e vitit 1995, një gjenocid i tmerrshëm ky në fundin e shek. XX, në kryerjen e të cilit, përveç bishave fashiste serbe, morën pjesë edhe kriminelë me damkë, të ardhur si vullnetarë nga Rusia dhe nga Greqia.

Tepër prekëse janë faqet e librit që autori ia kushton figurës emblematike të popullit shqiptar të Kosovës, intelektualit të shquar të mbarë kombit shqiptar, Ukshin Hotit, i cili në themel të filozofisë së tij politike kishte ribashkimin e trojeve tona etnike. Të tmerruar nga një filozofi e tillë politike e këtij Prometeu shqiptar, egërsirat politike serbe bënë çmos që Ukshin Hotin ta zhdukin pa lënë asnjë gjurmë. Për këtë hero të kombit shqiptar, akademiku Flori Bruqi ka përfshirë në faqet e këtij libri mbresa të përsonaliteteve të shquara të kulturës shqiptare, si Ismail Kadare, akademik Esat Stavileci, Prof.dr. Agim Vinca, Dritëro Agolli, akademik Bedri Dedja, Adem Demaçi, akademik Rexhep Qosja dhe dr. Moikom Zeqo.
Më kanë bërë përshtypje të jashtëzonshme ca mbresa mjaft të goditura të Ismail Kadaresë për Ukshin Hotin. Siç thekson autori i librit, në një intervistë që Kadarea ka dhënë në vitin 1996, ka deklaruar:
“… e vetmja gjë që për mua ka qenë e qartë sapo kam lexuar fragmentet e para nga mendimet e tij, ka qenë përgatitja e lartë profesionale. Kam frikë se pikërisht ky nivel i lartë ka qenë edhe burimi i fatkeqësisë që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir. Ka qenë tragjedi e vjetër… e shqiptarëve, përpjekja për të mënjanuar nga udhëheqja e një lëvizjeje, e një populli apo shteti, njerëzit më të zotë. Kur mungon tigri, majmuni bëhet mbret, - thotë një proverb kinez. Kjo logjikë e mbrapshtë, logjika e triumfit të mediokritetit, i ka shkaktuar, e, me sa duket, do t’i shkaktojë ende dëme të ndjeshme çështjes shqiptare… Më fort se kurrë kombi shqiptar ka nevoj për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi. Për fat të keq, princat goditen shpesh në mënyrë të vdekshme”.

Këto fjalë e detyrojnë lexuesin të përsiatë paksa për atë që ka ndodhur dhe po vazhdon të ndodhë me fatet e kombit shqiptar, në radhët e të cilit nuk vlerësohen dhe nuk nderohen njerëzit e aftë dhe me nivel të lartë, sipas logjikës së triumfit të mediokritetit, siç flet dhe qëllon në shenjë Kadarea. Sepse mediokriteti është një tokë pjellore për lulëzimin e djallëzisë, e gënjeshtrës, e hajdutërisë, e hilesë, e hipokrizisë, e imoralitetit, e karrierizmit, e mashtrimit, e mercenarizmit, e pabesisë, e pasurimit pa djersën e ballit, e përçarjes, e smirës, e spiunllëkut, e tradhtisë etj.
Sundimi gati katërshekullor otoman figuron si një njollë e errët në ekranin e historisë sonë kombëtare. Vetëm aty nga fundi i viteve ’40 të shek. XIX patën shpërthyer ca kryengritje në jug kundër Reformave të Tanzimatit, pra, kundër taksave të reja që pati vendosur asokohe Porta e Lartë, dhe asgjë më tepër. Ndërkohë, fqinji ynë jugor kishte gati njëzet vjet që kishte fituar pavarësinë, kurse në katër vilajetet shqiptare s’kujtohej kush për çlirimin nga zgjedha otomane. Vetëm në gjysmën e dytë të shek. XIX, disa pena të shquara dhe figura politike hodhën themelet e Rilindjes Kombëtare që çuan në krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Por edhe gjatë zhvillimit të punimeve të saj, shqiptarët nuk folën me një zë, ishin të përçarë: disa ishin për autonomi, disa ishin për pavarësi nga perandoria otomane. Në ato kushte, Lidhja e Prizrenit nuk qe në gjendje të merrte në dorë fatet e vendit dhe të jepte kushtrimin, sidomos pas vendimeve kriminale të Kongresit famëkeq të Berlinit për fillimin e copëtimit të trojeve tona etnike, të krijonte forcat e armatosura dhe të nxirrte në krye një prijës me autoritet mbarëkombëtar, siç ndodhi në Greqi, prandaj edhe dështoi dhe u shtyp nga perandoria otomane.

Vendi fqinj i përtejdetit nxori në skenë Garibaldin (Giuseppe Garibaldi - 1807-1882), i cili, pas betejash të shumta, arriti, më në fund, që të krijojë një shtet të bashkuar italian më 17 mars 1861. Në testamentin për brezat pasardhës, Garibaldi ka shkruar:
“Unë po lë trashëgim dashurinë time për lirinë dhe për të vërtetën dhe urrejtjen time për gënjeshtrën dhe për tiraninë”.
Viktor Hygoi (Victor Hugo 1802-1885) ka bërë këtë vlerësim për Garibaldin:
“Ç’është Garibaldi? Njeri. Asgjë më shumë. Por njeri në kuptimin më të lartë të kësaj fjale. Njeri i lirisë, njeri i natyrës njerëzore. A ka ushtri? Një grusht vullnetarësh. A ka municione? Nuk ka. Vetëm disa fuçi baruti. Armët ia ka rrëmbyer armikut. Po ku qëndron forca e tij? Çfarë ia siguron fitoren? Çfarë qëndron në mbrojtje të tij? Shpirti i popujve”.
Vendi ynë asokohe, për fat të keq, nuk qe në gjendje të nxirrte në skenën e historisë një “Garibald” shqiptar.
Po ashtu, Bismarku (Otto von Bismarck - 1815-1898), të cilin e kanë quajtur “kancelar i hekurt”, pas betejash të përgjakshme, arriti të realizojë bashkimin e Gjermanisë më 18 janar 1871. Një aforizëm i tij për lirinë, e meriton të shkruhet me shkronja të arta:
“Liria është një luks, të cilin mund t’ia lejojë vetes jo dokushdo”.
Përçarja ka qenë shoqëruesja e përhershme tragjike e kombit shqiptar. Faik Konica thotë se Shqipërinë e ka shpëtuar rastësia. Nuk dihet se si do të kishin rrjedhur ngjarjet, sikur Ismail Qemali të mos kishte ngrënë atë dackën në parlamentin turk: vallë a do të kishte dalë ndokush tjetër që të ndërmerrte nismën për shpalljen e pavarësisë? Në Kuvendin e Vlorës, pas shpalljes së pavarësisë nga Ismail Qemali, në praninë e përfaqësuesve nga të gjitha trojet etnike, menjëherë duhej të kalohej në krijimin e forcave të armatosura. Vendimet kriminale të Konferencës së Londrës për copëtimin e trojeve tona etnike, duhej të kishin shërbyer si një kushtrim, si një sinjal alarmi për të ngritur më këmbë të madh e të vogël, që nga Arta e Preveza e deri në Tivar. Fatkeqësisht, nuk u lëshua kurrfarë kushtrimi, kurrfarë thirrjeje për një kryengritje mbarëshqiptare dhe punët morën drejtimin që dihet. Përçarja ndërshqiptare e bëri të vetën.

Lulëzimin më të shkëlqyer, mediokriteti që thekson Kadarea, e arriti në periudhën e diktaturës komuniste, kur u zhdukën rrënjët e nacionalizmit shqiptar dhe në vitet ’80 të shek. XX vendi ynë arriti në nivelin më skandaloz të varfërisë, saqë mbarë Perëndimi evropian e tregonte me gisht. Mediokriteti ka vazhduar të lulëzojë edhe pas ndërrimit të sistemit komunist, kur në Kuvendin e Shqipërisë, kanë zënë dhe vazhdojnë të rrinë në ndenjëset e tij mediokër të të gjitha niveleve, me përjashtim të një pakice nga të dy krahët që shfaqet herë pas here në folëtoren e tij. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Kosovë, ku mediokriteti ka lulëzuar dhe vazhdon të lulëzojë në qejfin e vet.
Murat Jashari i është drejtuar me 104 pyetje ish-Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-ministrit të mbrojtjes në qeverinë e përkohshme të Kosovës Azem Syla (1951). Kam shkëputur vetëm tri pyetje me një kuptim mjaft domethënës:
“Pse nuk i keni dërguar në vend dy snajperë të bardhë të kalibrit 338, të cilët unë t’i dorëzova, një për Komandant Kumanovën (Ismet Jasharin) dhe një për Flamurin (Gafurr Elshanin)? Komandant Kumanova dhe Flamuri m’i kanë kërkuar ata snajperë për të vrarë komandantë të pushtuesit serb e jo që ju, po me ata snajperë, t’i vrisnit ushtarët më të mirë të lirisë. A ishte kështu? Zotëri, detyrën dhe rolin e kujt e keni kryer kundër popullit tuaj, ju me mafien e Drejtorisë Politike dhe të Kryesisë së PDK-së? (Citohet sipas: “Vëllai i Ismet Jasharit, komandantit “Kumanova”, me 104 pyetje për Azem Sylën”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 20 janar 2016).
Ja, pra, çfarë bën në Kosovë mediokriteti që stigmatizon Kadarea: vret ushtarët më të mirë të lirisë, që të lulëzojë mercenarizmi, tradhtia në shërbim të Beogradit.
Disa faqe të librit, në krye të të cilave është vënë titulli “Monumenti kulturor i Millosheviçit”, akademiku Flori Bruqi ia kushton kishës serbe “Sveti Spas” (Krishti Shpëtimtari”) në oborrin e Universiteti të Prishtinës. Ajo kishë u ndërtua arbitrarisht gjatë viteve ’90, kur Kosova ishte e pushtuar nga kolonizatorët serbë, me të vetmin qëllim që t’i zinte frymën Universitetit të Prishtinës, duke ndërhyrë në një mënyrë të jashtligjshme në sistemin kadastral të atij universiteti dhe duke zaptuar një sipërfaqe të përgjithshme prej 4.27 hektarë.
Lind pyetja: si duhet vepruar me këtë ndërtim të paligjshëm? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, po përcjell paraprakisht një informacion nga Beogradi:
“Një xhami shqiptare që gjendej në Beograd është rrëzuar në mëngjesin e sotëm. Kjo xhami në Zemun të Beogradit, sipas autoriteteve, u rrëzua për shkak të lejes së ndërtimit” (Citohet sipas: “Rrëzohet xhamia shqiptare në Beograd”. Faqja e internetit e gazetës “Zëri”. 26 maj 2017).
Pra, xhamia shqiptare në Beograd u rrëzua se ishte ndërtuar pa leje. Po atëherë edhe kisha serbe që është ndërtuar në një mënyrë të jashtëligjshme para Universitetit të Prishtinës, pse nuk rrëzohet nga autoritetet vendore të Prishtinës? Përgjigjja është e thjeshtë:
Xhamia shqiptare u rrëzua në Beograd se Serbia ka në krye të shtetit burra të politikës, kurse kisha e paligjshme sebe para Universitetit të Prishtinës nuk mund të rrëzohet se Kosova ka në krye të shtetit lepuj të politikës.
Me këtë rast, akademiku Flori Bruqi, me një elegancë intelektuale, pa bërë asnjë koment të vetin, e nxjerr tërësisht zbuluar presidentin Hashim Thaçi kur ishte kryeministër, lidhur me qëndrimin e tij ndaj kishës së paligjshme serbe. Ai shkruan:
“Në një emision të Radio Kosovës, Kryeministri Hashim Thaçi, i pyetur për objektin e ngritur pa leje të kishës ortodokse serbe në ambientet e Universitetit të Prishtinës, e ka quajtur atë një vepër të shëmtuar. Ai ka thënë se kjo kishë, në fakt, është monument i Sllobodan Millosheviçit. Por kur është pyetur se cili duhet të jetë fati i saj, kryeministri ka dhënë një përgjigje diplomatike: “Kemi punë më të mëdha për të bërë, por do t’i vijë radha edhe asaj””.

Interesante! Por autoritetet e Beogradit nuk pritën sa të bënin “punë më të mëdha”, por e shembën menjëherë xhaminë shqiptare që qe ngritur pa leje.
Pra, në sytë e popullit shqiptar të Kosovës, Thaçi mundohet ta reklamojë veten si “atdhetar”, ndërsa kur i kërkohet mendim se si duhet vepruar me atë kishë të paligjshme, ai zbulon servilizmin dhe mercenarizmin e tij ndaj Beogradit. Sepse servilizmin dhe mercenarizmin e vet ndaj Beogradit ai e ka faktuar shumë herë me lëshimet skandaloze që i ka bërë shovinizmit serb, në bashkëpunim të ngushtë me Isa Mustafën dhe me Edita Tahirin, që prej 19 prillit të vitit 2013 dhe deri tani.
Mercenarizmit dhe tradhtisë së treshes Thaçi-Mustafa-Tahiri, ia nxjerr bojën përfundimisht Aleksandër Vuçiçi, i cili para do kohësh ka deklaruar për një marrëveshje të arritur në Bruksel. Në një informacion, të botuar në faqet e internetit, thuhet:
“Aleksandër Vuçiç ka lavdëruar marrëveshjet e arritura në Bruksel, ndërmjet Qeverive të Serbisë dhe asaj të Kosovës”.
Ai ka deklaruar:
“Ne e morëm vendimin që të gjithë punonjësit e policisë të jenë të nacionalitetit serb, dhe se asnjë polic shqiptar të mos vërë këmbë në Veri të Kosovës” (Citohet sipas: “Vuçiç: Marrëveshja e Brukselit është që asnjë polic shqiptar të mos shkelë në veri të Kosovës”. Faqja e internetit “VOAL”. 30 maj 2017).
Pas kësaj ndërhyrjeje të Vuçiçit në mjetet e informimit masiv, ka reaguar Edita Tahiri, e cila ka deklaruar:
“Serbia duhet ta heqë sëmundjen e nacionalizmit” (Citohet sipas: “Edita Tahiri demanton Vuçiçin: zëvendësdrejtori i policisë në Veri është shqiptar”. (Faqja e intenetit “Infopress”. 30 maj 2017).
Ministrja e dialogut kot e akuzon Serbinë dhe Vuçiçin për nacionalizëm! Sikur Serbia dhe Vuçiçi të ishin nacionalistë, ata meritojnë nder dhe respekt, sepse nacionalizmi është mbrojtje me dinjitet e vlerave kombëtare, e gjuhës dhe e trashëgimisë kulturorë. Por as Sebia, as Vuçiçi dhe as mbarë kopeja e egërsirave politike serbe, nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë nacionalistë në qëndrimin ndaj Kosovës. Ata kanë qenë, janë dhe do të vazhdojnë të jenë vetëm shovinistë të egër, sepse në kushtetutën serbe Kosovën e konsiderojnë pjesë të territorit të Serbisë. Se jo më kot kryepeshkopi Irinej, komisari politik i udhëheqjes serbe, ka deklaruar se Serbia do të kthehet në Kosovë, qoftë edhe pas dy mijë vjetësh. Por është për të vënë duart në kokë që treshja pa dinjitet kombëtar Thaçi-Mustafa-Tahiri, në bazë të marrëveshjeve që ka nënshkruar me Beogradin në Bruksel, në heshtje dhe në fshehtësi nga populli shqiptar i Kosovës, Mitrovicën e Veriut e konsideron territor serb. Mirë do të ishte që ministrja e dialogut të thellohej në kuptimin leksikor të fjalëve “nacionalizëm” dhe “shovinizëm”, në mënyrë që të bindej se çfarë dallimi të thellë kanë ato nga njëra-tjetra.

Mjaft interes ngjallin faqet e librit, ku autori shtron pyetjen: “A do të bashkohen shqiptarët në një shtet?”.
Çështja e ribashkimit të trojeve tona etnike vazhdon të mbetet e ankthshme që asokohe kur Perëndimi evropian, nën diktatin e shovinizmit rusomadh, i copëtoi në mënyrën më barbare nga trungu amë. Kjo Çështje Madhore e kombit shqiptar kërkon zgjidhje, kërkon zhbërjen e padrejtësisë që atij iu imponua me dhunë nga fuqitë e mëdha evropiane.
Akademik Flori Bruqi ka parashtruar në faqet e këtij librit ecurinë e kësaj Çështjeje, me një nëntekst të qartë: kombit shqiptar duhet t’i kthehet borxhi që i është marrë më shumë se një shekull më parë. Kërkesa për kthimin e atij borxhi ushton në vargjet poetike, në këngët e artistëve të talentuar apo në intervista dhe artikuj publicistikë. Ja ç’vargje ka hedhur në letër Princi i Polifonisë Lefter Çipa: Ne s’kemi ëndërr të madhe, / Aq sa hap krahët shqiponja, / Shqipërinë Natyrale, / Katër vilajetet tona.
Politikanët shqiptarë, këta servilë të regjur të Beogradit, të Athinës dhe të Brukselit, politikanë pa dinjitet kombëtar, le të kërkojnë në youtube këngën me titull “Kurrë s’i ndan shqiptarët kufini”, një këngë kjo me vargje bubulluese që ekzekutohet aq mjeshtërisht nga këngëtarët e talentuar Marie Lajçaj dhe Pëllumb Vinca. Duke pasur parasysh vëllezërit tanë përtej kufirit të Shqipërisë Londineze, kënga ushton: Na ndan zjarri e na ndan pragu, / na bashkon gjuha dhe gjaku. / Trojet thrrasin me nji za: / Pa u bashku s’durohet ma, / Ka ardh koha që kem dasht, / Kangë e zemra me i ba bashkë. / Kurrë përjetë s’i qajmë do halle, / Për pa i thanë Shqipni e Madhe, / Pa na kthy borxhin Evropa / Që na ndau në copa-copa.

Për të theksuar kotësinë e përpjekjeve të politikanëve shqiptarë për pranimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pa realizimin paraprak të ribashkimit të trojeve tona etnike, akademiku Flori Bruqi ka cituar Dritëro Agollin. Duke vlerësuar lart figurën e Ukshin Hotit për vënien në jetë të idealit të tij kombëtar për ribashkimin e trojeve etnike, Dritëroi ka deklaruar:
“Ne flasim e themi se do të hyjmë në Evropë, do të evropianizojmë Shqipërinë, etj. Të gjitha këto janë fantazira, janë gjysmake. Shqipëria evropianizohet kur të jetë një, e plotë, dhe jo kështu dy copësh, se kështu nuk evropianizohet kurrë. Kë do të evropianizosh ti, tre milionë banorë do të evropianizosh? Po tre milionë të tjerë? Domethënë, problemi është tepër i ngatërruar për sa i përket evropianizimit të Shqipërisë, civilizimit të saj etj. Civilizim do të thotë kur të jesh një. Po s’qe një, nuk je i civilizuar plotësisht. Dhe Ukshini e trajton këtë problem”.
Çështja kombëtare shqiptare vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Ajo përbën një plagë të madhe që s’po gjen dot shërim për faj të politikanëve shqiptarë, të cilët i gënjen mendja se me servilizmin e tyre para Perëndimit evropian gjoja do të fitojnë simpatin e tij. Në të vërtetë, me qëndrimin e tyre pa dinjitet kombëtar, ata janë shpërblyer me përbuzjen e tij të heshtur.

Me botimin e librit të ri me titull “Dëshmi të krimit të pandëshkuar”, akademiku Flori Bruqi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ndriçimin e shumë të vërtetave tragjike për popullin shqiptar të Kosovës në veçanti dhe për kombin shqiptar në tërësi. Shumë nga këto probleme të mprehta që ai ka parashtruar në këtë libër-monument, duhej ta kishin shqetësuar me kohë e me vakt Akademinë e Shkencave në Tiranë dhe në Prishtinë dhe mbarë klasën politike shqiptare në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë Shkup. Atyre u takonte t’i grumbullonin këto fakte tronditëse, të përgatitnin dosjet përkatëse, t’i përkthenin në gjuhët kryesore dhe t’ua nisnin kryeqyteteve të Perëndimit evropian, Brukselit, Departamentit të Shtetit, Kongresit dhe Senatit Amerikan dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në mënyrë që të zhvlerësonin tërësisht gjithë literaturën shpifografike kundër kombit shqiptar, me të cilën Beogradi dhe Athina kanë përmbytur bibliotekat e institucioneve të lartpërmendura ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, kryepolitikanët shqiptarë le të mundohen që, të paktën, një herë të vetme në jetën e tyre, ta kësibëjnë nga vetja servilizmin para të huajve, të bëhen burra të politikës dhe, nga folëtoret e Brukselit, e Departamenti të Shtetit, e Senatit dhe e Kongresit Amerikan, deri në folëtoren e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të ngrenë zërin për ribashkimin e trojeve tona etnike.

Mendoj dhe propozoj që akademiku Flori Bruqi, në perspektivë, të përgatitë dhe të botojë një tjetër libër interesant, ku, me mjeshtërinë që e karakterizon, të trajtojë kodin moral të egërsisë grekoserbe përballë kodit moral të fisnikërisë shqiptare, në mënyrë që të dalë mirë në pah e vërteta se shqiptari, tradicionalisht, as hasmin e vet, as armikun që ia ka behur si pushtues, pasi e ka vrarë, nuk e ka pasur zakon ta poshtërojë, ta përçudnojë, ta groposë në varre masive, t’ia djegë kufomën me benzinë apo t’i përdhunojë vajzat dhe gratë dhe aq më pak të vrasë fëmijë, gra, pleq dhe plaka. Dukuri të tilla barbare kanë qenë dhe mbeten të papërfytyrueshme për kodin moral të fisnikërisë shqiptare. Por duhet të theksojmë se kodin e shëndetshëm të moralit fisnik shqiptar, na e ndoti keq krimineli Enver Hoxha, sipas urdhrave që merrte nga emisarët kriminalë jugosllavë gjatë viteve të luftës. Në një radiogram që i dërgonte Korparmatës I më 21 shtator 1944, ky kriminel dhe agjent i regjur i Beogradit, urdhëronte:
“Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni” (Citohet sipas: Uran Butka.“Dokumenti, si u vra Llazar Fundo me urdhër të Enverit”. Faqja e internetit e gazetës “Panorama”. 02 tetor 2014).
Kodin e egërsisë morale serbosllave, krimineli Enver Hoxha e praktikoi gjerësisht kundër përfaqësuesve të shquar të nacionalizmit shqiptar gjatë tërë periudhës së sundimit të tij dikatorial. Ndonjë shfaqje e shëmtuar e atij kodi moral barbar u vu re edhe në ngjarjet tragjike të vitit 1997, kur me kufomën e oficerit të vrarë të SHIK-ut Lek Qoku, tallej një turmë studentësh të ndërkryer në njërin nga auditoret e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës dhe kur një femër e përbindshme mundohej t’i pinte gjakun.
Gjithsesi, akademiku Flori Bruqi, si një figurë e shquar me përgatitje enciklopedike, si një intelektual i nderuar erudit, e ka kryer dhe do të vazhdojë ta kryejë gjithmonë me nder detyrën e shenjtëruar para kombit shqiptar.
Nderim dhe respekt të thellë për këtë punëtor të palodhur të letrave shqipe me vlera të rralla shkencore, intelektuale.

Santa Barbara, Kaliforni
25 korrik 2017

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 31 vizitorë
Lexuar: 467 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi