Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
NGATËRRIMI I FJALËS SË HUAJA ME FJALËN SHQIPE
Publikuar më 12 shtator, 2017 në orën 20:17 ( ) Beqir Elshani | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Shprehjet “shok-u” dhe “shokuar” kanë kuptime të ndryshme, kur dikush është i shokuar, atëherë është i tronditur nga një ngjarje e papritur dhe nuk mund të reagojë në mënyrë racionale. Shkurt, është një gjendje e rëndë psikike. Shoklëndimi përbëhet edhe prej fatkeqësive serioze, shpesh së bashku me plagë djegëse apo gjakderdhjes së madhe të njeriut. Nëse njeriun e godet shoku është rrezik i madh që të mos ia dalë të shërohet. Fjala “shokuar” vjen prej frëngjishtes (choc për choquer) që do të thotë tmerr, shtangie, prandaj nuk thuhet mbetën të shokuar, por mbetën të tmerruar (të tronditur).

Përshkrimi i ngjarjes me fjalën e huaj “shokuar”, që pa të drejtë ka përfshirë të gjitha mjetet informimit dhe bisedat e njerëzve, do të thotë sikur ngjarja të jetë shumë më e tmerrshme. Shpeshherë në faqet e shtypit botohen lajme me fjalën e huaj të ashpër ”shokuar”, të cilën FGjSSh nuk e përfshin, në vend të fjalës së kuptueshme dhe të përshtatshme shqipe “tronditur” ose sipas kuptimit të ngjarjes në fjali “befasuar”. Kur dikush thotë se është “shokuar” nga shpërthimi i bombës, nuk do të thotë se nuk di si shprehet shqip, por mundohet të tregohet i përkryer. Duket qartë që fjala “shokuar” ka zënë vendin e fjalës shqipe “shtangur”, që do të thotë habi e madhe, kur njeriu nguroset nga frika. Kjo fjalë mund të përdoret vetëm kur njeriu ndjen ndonjë rrezik, tragjedi, fatkeqësi apo frikë të madhe, humbje vetëdije, diçka që është e padurueshme që tek njeriu shkakton dhimbje të madhe e të thellë.
Nëse njeriu e shikon ushqimin e prishur, nuk është ndonjë tmerr saqë të “shokohet” (lexo: tmerrohet), por është habi dhe befasi. Në lajmin “Berisha është shokuar për reformën në drejtësi” duhet të shkruhet me fjalën e qëlluar “Berisha është befasuar (habitur, tronditur, apo tmerruar) për reformën në drejtësi”, të cilën më së miri e di gazetari. Pastaj në lajmin “Komuna e Skenderajt është shokuar me vendimin që ka marrë” duhet shkruar “Komuna e Skenderajt është befasuar me vendimin që ka marrë”. Mirëpo nëse vendimi i komunës është i ashpër, atëherë shkruhet “Komuna e Skenderajt është tronditur me vendimin që ka marrë”. Në lajmin tjetër ”Afro 30 burra e gra shkëmbejnë grushte e shkelma, kalimtarët e shokuar filmojnë ngjarjen” në vend të fjalës së huaj ”shokuar” duhet shkruar, jo vetëm fjala e kuptueshme shqipe, por edhe e qëlluar ”tronditur”.
Në vazhdim, në lajmin “zogu sulmon gjarprin” flitet për ngjarjen e zakonshme, për të cilën njeriu mund të habitet ose befasohet, sepse aty nuk ka ndodhur ndonjë ngjarje e tmerrshme apo tronditëse. Nëse njeriu e vështron shqiponjën duke rrëmbyer lepurin apo peshkun me kthetra, nuk quhet ngjarje shokuese (lexo: tmerruese), por ngjarje befasuese. I njëjti gabim është përdorur edhe në fjalinë e lajmit “Fotografi kishte mbetur i shokuar kur kishte parë kokën e zebrës në gojën e krokodilit që e kishte zënë në ujërat e tij”, në të cilën fjala “shokuar” është përdorur dy herë gabimisht, sepse fotografi as nuk është tronditur, as nuk është tmerruar, as nuk është shtangur, por vetëm është befasuar, kur ka parë zebrën në gojë të krokodilit, ashtu siç e sheh shqiponjën me kthetra duke rrëmbyer lepurin në fushë. Fjala “shtangur” (shokuar) mund të përdoret vetëm nëse fotografi e fotografon krokodilin apo peshkaqenin duke kafshuar njeriun. Në lajmin e bujshëm për shëndetësi “Ky mjekim për variçet ka shokuar të gjithë doktorët”, mjekimi nuk mund të jetë i shokuar apo i tronditur, por vetëm lajm befasues për shërimin e venave të zgjeruara në këmbë, prandaj duhet shkruar qartë “Ky mjekim për variçet ka befasuar të gjithë mjekët”. Duhet pasur parasysh se çdo zbulimi i papritur shkencor befason, nuk trondit as nuk tmerron. Në shembullin e fjalisë, vetë fjala “mjekim” tregon që flitet për mjekët që mjekojnë, jo doktorët. Pastaj ngjarja në lajmin për lypsarët dhe të pastrehët që kërkojnë lëmoshë: “Pse foshnja në duart e lypëses nuk qan asnjëherë? Kjo është arsyeja shokuese”, nuk është shokuese, sepse qytetarët kur i shohin lypsarët që kërkojnë lëmoshë, nuk shokohen, domethënë nuk shtangohen, as nuk tmerrohen, por shqetësohen për gjendjen e tyre sociale. Kurse në lajmin tjetër “Mërgimtari është shokuar kur i ka hapur jogurtët e prishur”, mund të përdoret fjala e kuptueshme dhe e zakonshme që njeriu, si zakonisht, habitet për ushqimin e prishur, ose neveritet. Ndërsa në fjalinë “Shkoi në dyqan për të blerë jogurt, kur hapi frigoriferin mbeti i shokuar nga ajo që pa (është fjala për gjarprin në Afrikën e Jugut)” në vend të fjalës së huaj “i shokuar” mund të shkruhet shqip “i tronditur”.
Në shembullin e lajmit “Rusët janë tepër të fortë, Amerika është shokuar” duhet të jetë “…Amerika është befasuar”. Edhe në lajmin e zakonshëm “Këngëtarja është shokuar me numrin e vogël të publikut në Stokholm” duhet të jetë “…është befasuar”, sepse atje nuk ka ndodhur ndonjë sulm apo vrasje që shkakton tronditje të thellë. Dukuri tjetër është edhe reklamimi i shitjes së mallit nëpër shitore, në vend se tregtarët të shpallin shqip: “Çmime befasuese” (mall me çmim të lirë), ata shkruajnë: “Çmime shokuese”. Ndërsa në shembullin e fjalisë “Reporteri mbeti gojëhapur, kur pa një grua duke i dhënë gji derrit”, mbiemri “gojëhapur” është shprehje figurative që është përdorur në vend të fjalës dokumentare “mahnitur”. Ndërsa për lindjen e fëmijës me dy koka, mjekët nuk shokohen, as nuk shtangen, por tronditen nga një ngjarje e papritur. Këto janë veprime biologjike të njerëzve me kujdesin që tregojnë ndaj kafshëve, prandaj nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Përndryshe mjekët nuk guxojnë të shokohen (tmerrohen), ata duhet të jenë vigjilentë për kujdesin e nënës gjatë lindjes së fëmijës.
Fjalia “Kryejnë testin e ADN-së, çifti mbesin të shokuar nga rezultatet” është shkruar me fjalën e huaj “shokuar”, në vend të fjalës shqipe “mbesin të tronditur”, sepse ishin martuar pa e ditur që janë vëlla e motër. Në anën tjetër, varet pesha psikologjike e ngjarjes, përndryshe po të ishte ndonjë fejesë, atëherët pas zbulimit të ADN-së të rinjtë nuk do të tronditeshin që janë vëlla e motër, por do të habiteshin, meqë fejesa ka dallim me martesën, me anën së cilës bëhet rinjohja e vëllait me motrën. Në fjalinë “Bebja që po shokon mjekët: Edhe pse tetë muajshe, ajo peshon 17 kilogramë – sikur një fëmijë katërvjeçar”, në vend të fjalës së huaj “shokon” duhet të shkruhet shqip “befason”. Kurse në fjalinë ”Shokuese, i riu duke luajtur qëllon veten aksidentalisht me plumb në kokë” duhet shkruar shqip “Tronditëse”. Ndërsa në fjalinë “Pamjet shokuese na vijnë nga Meksika” me siguri flitet për ndonjë ngjarje të tmerrshme, prandaj duhet shkruar shqip “Pamje tmerruese na vijnë nga Meksika”.
Ndërsa shembulli i fjalisë “Mendonte se i dashuri po i propozon martesë për Shën Valentin, por kur e hapi kutinë e unazës mbeti e shokuar me atë që pa”, duhet shkruar “mbeti e befasuar”. Përkundrazi lajmi më 04.04.2017 “Momenti shokues kur një “hajn” 13-vjeçar qëllohet për vdekje në një dyqan në Las Vegas” është një ngjarje tronditës, në të cilin është vrarë djaloshi, prandaj duhet shkruar shqip “Moment tronditës”. Për shembull, fjalia suedisht “Läkare chockade för mamma som förlorade 12 kg på 4 veckor” shqip përkthehet “Mjeku është befasuar për nënën që për 4 javë ka humbur 12 kg”. Po ashtu këtë fjali kompania google e përktheu “Mjeku është tronditur…” në vend të fjalës së duhur “Mjeku është befasuar…”, sepse këtu nuk flitet për ndonjë fatkeqësi, por për përmirësimin e gjendjes shëndetësore. Duket qartë që edhe në suedishte është përdorur fjala e huaj në vend të fjalës suedeze “Läkare överraskade för mamma som förlorade 12 kg på 4 veckor”, prandaj fjala frënge “chock(ad)” në suedishte përkthehet “upprörd” që do të thotë tmerroj. Duhet pasur parasysh se me përdorimin e fjalës së huaj “shok-u” po komprometohet fjala tradicionale shqiptare “shok-u”, që do të thotë miqësi e lidhur e njeriu gjatës jetës në veprimtarinë e punës dhe luftës.

Suedi, 10.09.2017

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Beqir Elshani
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 35 vizitorë
Lexuar: 481 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi