Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Derisa Kosova të mos njihet nga OKB-ja, do të jetë e shantazhuar nga Beogradi !
Publikuar më 12 shtator, 2017 në orën 20:27 ( ) Prof. Dr. Mehdi Hyseni | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Barometri diplomatik

*** Mbarë dhe mirë, e në interesin e përgjithshëm të të gjithë qytetarëve të Kosovës, do të kishte qenë sikur Lëvizja Vetëvendosje ta formonte qeverinë e re, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Kosovës, të bëra më 11 qershor 2017. Mirëpo, meqë kjo NUK ndodhi për shkak se shumica dërrmuese e zgjedhësve me votën e tyre, dëshmuan se nuk duan ta ndryshojnë “tagjinë” e deritashme të LDK-së, të PDK-së, të AAK-së dhe të AKR-së, e drejtë e tyre, le të jetojnë me të vjetrën sikurse deri tani, në koalicion me "Srpska listën" (2008-2017), duke mos ndryshuar asgjë në favorin e interesave të tyre jetike (zhdukjen e papunësisë enorme, të varfërisë, të mirëqenies dhe të zhvillimit etj.).

*** Edhe qeveria e Ramush Haradinajt sipas Planit të Marti Ahtisarit, nuk është kurrfarë përjashtimi i qeverive paraprake.

Pavarësisht nga rivaliteti politik dhe nga gara politike për të formuar qeverinë e re, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Kosovës, më 11 qershor 2017, duhet të pranojmë faktin se, Ramush Haradinaj nuk është fajtor, që tani u zgjodh kryeministër i Kosovës, por Plani i Marti Ahtisarit, i cili së bashku me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së e njohin sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën. Derisa të zgjidhet ky problem, qeveritë e Kosovës, do të varen nga koalicioni i minoritetit serb, i dirigjuar dhe i mbështetur nga Beogradi.

Pra, kushdo që të vie në krye të qeverisë së Kosovës, sot, Haradinaj, nesër Kurti apo ndonjë tjetër, do të jetë i detyruar, që të përfshijë “Listën srpska” (duke i bërë koncesione), ashtu si, do të diktojë Beogradi zyrtar, sepse ka mbështetjen e Planit të Marti Ahtisarit (2007) dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Mi këtë bazë, që bie në kundështim me të drejtën ndërkombëtare dhe me Opinonin pozitiv këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (22 korrik 2010) për shpalljen e ligjshme të pavarësisë së Kosovës , po zhvillohet edhe “Dialogu i Brukselit” (2011-2017). Në këtë kontekst, është shkelur e drejta ndërkombëtare ngaqë Kosova si shtet i pavarur dhe sovran (i njohur nga 114 shtete të OKB-së) është lënë nën varësinë e Serbisë, të UNMIK-ut dhe të EULEX-it.

Si Thaçi dhe Mustafa, ashtu edhe Haradinaj hyri në koalicion me “Srpska listën” dhe e formoi qeverinë e koalicionit. Asgjë e re, asgjë befasuese! Kjo “këngë e vjetër”, do të këndohet derisa Republika e Kosovës të njihet nga OKB-ja.

Pra, edhe kryeministri i sapozgjedhur i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj nuk është kurrfarë përjashtimi politik, që me votat e deputetëve serbë ia arriti të formojë qeverinë e koalicionit (PDK+AAK+AKR+Nisma+Srpska lista), por vetëm se ndoqi të njëjtën praktikë të politikës së mëparshme të ish-kryeministrit Hashim Thaçi(akualisht, president i Kosovës) dhe të ish-kryeministrit Isa Mustafa (aktualisht deputet i LDK-së në opozitë), të cilët ishin në qeverinë e koalicionit së bashku me Srpska listën. Pra, edhe rasti i zgjedhjes së qeverisë së re me Ramush Haradinaj në krye, nuk është kurrfarë befasie për skenën politike të Kosovës.

Mirëpo, as Hashimi, as Isa e as Ramushi, politikisht nuk janë treguar të vetëdijshëm dhe largpamës se, secila qeveri e formuar dhe e kushtëzuar nga “Srpska lista” nuk ka kredibilitet politik as kombëtar e as ndërkombëtar. Përkundrazi, ky është një minus i madh politik te partnerët dhe miqtë evropianë ndërkombëtarë të Kosovës, që i vë në dilemë për të dyshuar, se Kosova e pavarur nuk ka kapacitet të mjaftueshëm juridiko-politik dhe organizativ për t’u drejtuar vetëm nga shqiptarët, por, duhet të participojnë edhe përfaqësuesit e koalicionit të minoritetit serb.
Gjithashtu, kjo formë e koalicionit me “Srspka listën” justifikon tezat e paqëndrueshme historike, politike, propagandistike dhe diplomatike të pushtuesve serbomëdhenj, se gjoja “shqiptarëve nuk u duhet shteti, sepse nuk dinë të qeverisin ”.

Këtë tezë antishqiptare, dikur në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, e mbronte edhe racisti dhe shovinisti serbomadh, ish-kryeministri i Serbisë, Dr.Vladan Gjorgjeviq (1897-1900) “se shqiptarët nuk janë komb, dhe nuk iu duhet kurrfarë shteti, sepse nuk kanë aftësi për ta qeverisur…”

Nga etja e pashuar për pushtet, dikush në Prishtinë tha: - “Na shpëtoi Srpska lista”!

*** Milan Gjuriq, Ramush Haradinajn (heroin e Kosovës-M. H.) e quan kriminel lufte, UÇK-në dhe shqiptarët i akuzon si “terroristë”, si dhe Kosovën e quan “krahinë serbe”, ndërkaq, diletantët politikë në Kosovë, koalicionin me “Srpska lista” e konsiderojnë si “shpëtim” të qverisë së re të Kosovës!?

-Eh, more të mjerë, kokëtharë dhe të sëmurë për pushtet “sytë i keni e dritë s’po u bëjnë”, po kur serbi e ka shpëtuar shqiptarin?!
-O, të mjerë, binduni njëherë e përgjithmonë, se serbët kanë qenë dhe janë armiqtë më të egër dhe më të mëdhenj të kombit shqiptar në Ballkan (1389-2017). Ata, që nga pushtimi dhe kolonizimi i territoreve etnike pellazgo-iliro-shqiptare, në vijimësinë historike, gjithmonë kanë mohuar identitetin kombëtar, territorial dhe shtetëror të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike.

Kështu veprojnë edhe sot, pas kryerjes së gjenocidit serb mbi Kosovën dhe mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarë (1989-1999).

Këtë e vërteton edhe ky pohim racist i Milan Gjuriqit, cili Ramush Haradinajn, UÇK-në dhe shqiptarët i quan “terroristë” dhe “Kosovën, krahinë serbe”: “, për Serbinë, Ramush Haradinaj mbetet kriminel i luftës. Kosova gjithmonë do të mbetet krahinë e Serbisë derisa të ekzistojnë institucionet serbe. Deputetët serbë nga Lista Serbe janë të vetmit që kanë guximin t'u thonë terroristëve se kjo është Serbia dhe provinca jugore serbe". (http://www.novimagazin.rs/vesti/djuric-nova-kosovska-vlada-zavisi-od-srpskih-predstavnika ).

-E, shihni pra, me kë keni formuar gjashtë (6) qeveri koalicioni të derisotme, me përfaqësesit serbë, të cilët në vend se të kërkojnë falje publike kolektive shtetërore për krimet e tyre gjenocidale në Kosovë, siç flasin këto shifra tmerruese: “ Shtëpi të shkatërruara – dëmtuara të popullatës shqiptare: 100.589; shkolla të shkatërruara – të dëmtuara me dokumentacion: 358; zyra të vendit: 71; shtëpi kulture: 30; biblioteka publike dhe shkollore: 93; objekte shëndetësore: 123; objekte fetare (xhami, teqe, tyrbe): 215; kisha katolike: 5; objekte ndihmëse – përcjellëse: 88.101; të vrarë: 11.840 viktima nga Kosova; 1.392 fëmijë deri në 18 vjeç; 296 fëmijë deri në 5 vjeç; 1.739 femra; 1.882 të moshuar mbi moshën 65-vjeçare; 1.450 banorë ende janë të pagjetur; 20.400 femra të dhunuara shqiptare. “(http://telegrafi.com/bilanci-i-krimeve-serbe-ne-kosove/), ata, edhe sot, me Milan Gjuriqin në krye, na quajnë “terroristë” dhe “kriminelë lufte”, duke ndërruar tezat si gjithmonë deri tani, shqiptarët i akuzojnë për “terrorizëm”, e veten tyre e konsiderojnë si “viktimë midis murtajës dhe kolerës”!?
Prej këtyre terroristëve dhe kriminelëve serbë prisni “shpëtimin” e Kosovës dhe të shqiptarëve?! –Mos e dhashtë Zoti!

Marrëveshja politiko-tregtare me “Listën serbe” nuk e shpëton qeverinë e re të Kosovës, por e shtyn drejt Beogradit

Përkundrazi, nuk iu shpëtoi, por iu lidhi edhe më shumë me Beogradin zyrtar, ku “Srpska lista”, e këshilluar me presidentin e saj Aleksandar Vuçiq, ia arriti që t’i marrë tri (3) ministri dhe gjashtë (6) poste ministrore, duke mos llogaritur interesat e tjera të Serbisë në Kosovë.
Pra, ai naivitet politik se kinse “na shpëtoi” vota e “ Srpska listës”, është vetëm një utopi e shkretë, që i ngjet ëndrrës së një gomari, të cilin e kishte copëtuar ujku, por, ai ëndërronte se “ende ishte i gjallë”.
–Po, kur, serbët i kanë shpëtuar shqiptarët, o kozmopolitë të uritur për pushtet e për pasuri të këtij “shekulli të sëmurë” ?!

Fatkeqësisht, këtë ëndërr të shkretë apolitike, ndryshe e shpjegojnë deklaratat zyrtare të Aleksandar Vuçiqit dhe të Milan Gjuriqit, të cilat i kanë këshilluar përfaqësuesit e “Srpska listës”, që ta votojnë qeverinë e re të Ramush Haradinajt me kusht (duke fituar tri ministri dhe gjashtë ministra dhe nënministra), por që, assesi të mos e njohin Republikën e Kosovës, por vetëm shtetin e Serbisë.

Zbatimi i Planit të Marti Ahtisarit garanton sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën derisa kjo të njihet nga OKB-ja

Ne mund të flasim për dhe kundër formimit të qeverisë së Ramush Haradinajt (9.09.2017), por, së pari, duhet të jemi realistë, sepse cildo lider politik, që të vijë në krye të shtetit apo të qeverisë së Kosovës, do të jetë i detyruar, që ta zbatojë Planin e Marti Ahtisarit, i cili e favorizon minoritetin serb në Kosovë, duke i lënë edhe mundësinë ligjore të bashkëpunimit dhe të “lidhjeve speciale me Beogradin”. Kjo formë e bashkëpunimit dhe e favorizimit të minoritet serb me Beogradin, do të thotë varësinë e funksionimit të shtetit të ri të Kosovës nga Serbia. Këtë varësi antiligjore e dëshmon edhe formimi i qeverive të deritashme të Kosovës, të cilat nuk mund të formohen pa përfshirjen në koalcion të “listave serbe”, siç ka ndodhur deri tani në praktikën e tyre pluraliste Ahtisariane.

Gjithashtu, këtë anomali varësie juridike dhe kushtetuese, e kanë provuar edhe zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, të mbajtura në Kosovë (para dhe pas pavarësimit të saj). Po ashtu, varësinë e tillë të Kosovës nga Serbia, e dokumenton edhe mungesa e caktimit të kufijve shtetërorë të Kosovës. – Pse nuk ka kufij shtetërorë mes Kosovës dhe Serbisë, por vetëm kufij administrativë të Jugosllavisë së Titos, të përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974 të RSFJ-së?

Kjo anomali juridike dhe kushtetuese, do të thotë se Serbia ende nuk e ka humbur të drejtën e sovrantitetit të saj territorial, administrative dhe shtetëror ndaj Kosovës.
Kjo është arsyeja kryesore, pse Beogradi zyrtar deri tani nuk ka lejuar, që Kosova t’i caktojë kufijtë e saj shtetërorë ngaqë ende Kosovën e konsideron si “pjesë integrale të territorit të saj”. Kështu e thotë edhe Kushtetuta e Serbisë e vitit 2006. Kështu e ka sanksionuar edhe Rezoluta 1244 e OKB-së për Kosovën, e miratuar më 10 qershor 1999 nga KS i OKB-së (http://www.nato.int/Kosovo/docu/u990610a.htm).

Moscaktimi i kufjve shtetërorë të Republikës së Kosovës, rrezikon shthurjen e saj, duke u konsideruar si një kuazishtet i dobët nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

Presidenti Vuçiq: “ Nuk ndryshojmë qëndrimin ndaj Haradinajt, nuk e tërhqim aktpadinë kundër tij”!

Pra, ndryshe nga utopia e shkretë politike e palës shqipatare të aleancës (PDK+AAK+AKR+Nisma), presidenti serb Aleksandar Vuçiq është shprehur se “Serbia nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Ramush Haradinajt, mbetet në fuqi aktpadia dhe fletarresti mabse ne nuk mund të heqim dorë nga drejtësia për atyre që janë vrarë.” (http://rs.n1info.com/a316744/Vesti/Vesti/Vucic-o-Haradinaju.html).

Në këtë frymë antishqiptare, shprehet edhe Milan Gjuriq (drejtor për Kosovën në qeverinë e Serbisë): “ Për Serbinë, Ramush Haradinaj është një terrorist dhe kriminel i luftës kundër të cilit organet gjyqësore të Serbisë, do të vazhdojnë t’i marrin të gjitha masat e mundshme për nxjerrjen e tij para drejtësisë.” (http://www.telegraf.rs/vesti/politika/2894446-duric-srbi-na-kim-izmedju-kuge-i-kolere).

Sipas konstatimit të racistit serb Milan Gjuriq, “edhe kjo qeveri e re e Kosovës me Ramush Haradinajn në krye, është e gjashta me radhë, që varet nga përfaqësuesit e minoritetit serb dhe nga Beogradi. Mirëpo, për Serbinë, Ramush Haradinaj mbetet kriminel i luftës. Kosova gjithmonë do të mbetet krahinë e Serbisë derisa të ekzistojnë institucionet serbe. Deputetët serbë nga Lista Serbe janë të vetmit që kanë guximin t'u thonë terroristëve se kjo është Serbia dhe provinca jugore serbe". (http://www.novimagazin.rs/vesti/djuric-nova-kosovska-vlada-zavisi-od-srpskih-predstavnika ).

Sipas tezës raciste të Milan Gjuriqit, serbët në Kosovë “ndodhen midis murtajës dhe kolerës politike”!?

Kështu ka deklaruar Milan Gjuriqi (Drejtor i Zyrës për Kosovë, i emëruar nga qeveria e Serbisë), kur thotë se “Serbët në Kosovë, në kuptimin politik ballafaqohen me zgjedhjen ‘ midis murtajës dhe kolerës’, dhe nëse ata vendosin që të mbështesin qeverinë në të cilën do të kenë postet e veta, natyrisht se Qeveria e Serbisë mbështet popullin e saj.” (http://www.telegraf.rs/vesti/politika/2894446-duric-srbi-na-kim-izmedju-kuge-i-kolere).

- E ne, ç’bëmë, serbët i shpërblyemë me tri (3) Ministri dhe me gjashtë (6) ministra e nënministra në qeverinë e re të Ramush Haradinajt (PDK+AAK+AKR+Nisma+Srpska lista)?!

Kjo do të thotë se në Kosovë, serbët nuk ndodhen “midis hudhrës dhe çekanit” ose siç ka pohuar M.Gjuriq “midis murtajës dhe kolerës”, domethënë në gjendje të mjerueshme midis “ segregacionit dhe aparteidit” si rrjedhim i politikës shtypëse dhe diskriminuese të qeverisë së Kosovës, por ndodhen “midis mjaltit dhe bakllavasë” (ministra, zëvendësministra, deputetë dhe me komuna etnikisht të pastra, ku drejtohen nga përfaqësuesit serbë), sepse sipas Planit të Marti Ahtisarit, minoritarët serbë janë më të favorizuar se të gjitha minoritetet e tjera dhe shumica dërrmuese shqiptare mbi 90%. Në këtë rast, minoritarët serbë nuk janë të diskriminuar, por janë të pakënaqur (edhe pse marrin paga të majme në euro si përfaqësues të qeverisë dhe të kuvendit të Kosovës), sepse nuk e njohin shtetin e Kosovës, por Serbinë. Ky është problemi i tyre, jo qeveria e as shqiptarët e Kosovës, sepse po ëndërrojnë, që me ndihmën e Rusisë dhe të aleatëve të saj, Kosovën sërish, do ta rikthejnë nën sovranitetin e dikurshëm kolonial të Serbisë (1912-1999).

Sipas së drejtës ndërkombëtare, qeveria e Kosovës, nuk do të duhej të ishte e varur dhe e kushtëzuar nga “Srpska lista”, përkatësisht nga Beogradi, sepse është shtet i pavarur dhe sovran.
Mirëpo, kush po e përfill të drejtën ndërkombëtare, kur politika e ka fjalën kryesore. Këtë e dëshmon edhe “shpikja” e Dialogut të Brukselit mes palës serbe të Beogradit dhe palës shqiptare të Prishtinës (2011-2017), si dhe mbetja në fuqi e Rezolutës 1244 (10 qershor 1999), e cila mohon pavarësinë e Kosovës.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Mehdi Hyseni
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 47 vizitorë
Lexuar: 584 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi