Ngjarje aktuale
Sipas statistikës shtypi tregon se 80% e të punësuarve bëjnë dashuriçka në vendin e punës, sidomos zyrtarët në organet e pushtetit, do të thotë lidhje aventuriere me kolegun apo kolegen e punës. Ndërsa 35 % e njerëzve që kërkojnë takim me femra janë të martuar, që sipas fjalorit të vagabondëve quhet dashuri mikroborgjeze. Dashuriçka të tilla, siç janë ngacmimet seksuale në vendin e punës, ndodhin prej zyrës lokale deri në parlamentin shtetëror dhe europian - deri në OKB.
Neveria më e madhe është që organet më të larta politike dhe diplomatike nuk marrin masa me kohë për pengimin e ngacmimit të femrave në vendet e punës. Duket qartë që heshtja po i trimëron të pamoralshmit. Megjithatë ende ka burra fisnikë, do të thotë me shpirt të madh, të cilët i shërbejnë mjedisit të ergonomisë dhe etikës në vendin e punës, që vesin e mbrapshtë mikroborgjez e trajtojnë të dëmshëm. Prandaj njerëzit e arsyeshëm sapo të shohin ngacmimin dhe poshtërimin e femrave nga ana e meshkujve, dashnorët e tillë i largojnë prej detyrës. Domethënë shumica e njerëzve të moralshëm, kudo që gjenden, mbrojnë etikën e popullit prej dukurive të pamoralshme.
Nuk ka asnjë dyshim që kohët e fundit skandali i ngacmimit seksual në vendin e punës është bërë i zakonshëm. Megjithatë, nuk është krenari të bëhen dashuriçka me kolegen e punës, por është burrëri të kalohet si bashkëpunëtor në detyrë, dhe koleget e punës të trajtohen si motër, ashtu siç kalohet koha në gjirin familjar, me bashkëshorten dhe të tjerët si prindër dhe si vëllezër e motra. Kështu kultivohet etika dhe morali në bashkësinë familjare, me anën e së cilës ndërtohet ardhmëria etike e vendit. Duhet pasur parasysh se republika e shtetit fillon prej bashkësisë familjare. Përvoja na mëson se bërja e dashuriçkave në vendet e punës është një aventurë e sëmurë që sjell atmosferë të zymtë, me pasoja të rrezikshme në jetën bashkëshortore dhe familjare. Prandaj dashuriçkat tinëzake, duke ua shkatërruar jetën familjare të tjerëve, shpeshherë përfundojnë me pasoja tragjike. Derisa dikush kënaqet e krekoset me dashuriçka jashtë martesës, në anën tjetër dëmtohet qeliza e shenjtë bashkëshortore dhe familjare. Dikur martesat, edhe pse në kushte primitive, që rëndomë fejesat janë bërë me anën e shkuesve, kanë qenë më romantike dhe kanë përfunduar me vdekjen e bashkëshortëve, që me të drejtë populli e ka quajtur martesë e artë. Sot janë të rralla dasmat e argjendta që arrijnë të kremtojnë 25-vjetorin e bashkimit të burrit me gruan.
Suedi, 8.11.2017
|