Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Një tregim për mikun tim
Publikuar më 14 nntor, 2017 në orën 19:16 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
E njoha shumë vite më parë në kondita të jashtëzakonshme. Isha i burgosur në qelinë nën rampën e shkallës, që të çonte në katin e dytë të godinës së sigurimit. Fare pranë saj, nën shesh pushimin, ndodhej një qeli tjetër, që formonte me qelinë time germen L. Dritaret e vogla me hekura ndodheshin aq pranë njera tjetrës, sa nëpërmjet tyre mund të komunikoje ose shkëmbeje ndonjë send. Atë e prunë një natë vonë. Duhet të kishte kaluar mesi i natës. Dëgjova këmbët e gardianëve që zbrisnion shkallët dhe mendova se mos vinin për të më marrë mua. U ngrita ngadalë dhe pashë nga dritarja. Atë po e binin duke e hequr zvarrë. E kishin torturuar aq shumë, sa nuk mund të qëndronte dot në këmbë. E përplasën në qelinë ngjitur dhe u larguan nga kishin ardhur.

U afrova në dritare dhe i fola me zë të ulët që të mos më dëgjonte roja e brendëshmje që kishte kaluar nga qelitë e tjera:
- Hej, kush jeni? Nga vini?
Asnjë përgjigje. Nga qelia pranë vinte një rënkim i mbytur, por atë nuk e shikoja. E përsërita edhe një here pyetjen. Mbas pak pashë një fytyrë të gjakosur, që u ngrit me vështirësi dhe duke u mbajtur mbas hekurave të dritares
- Ujë! - tha me gjysmë zëri.
Vështrova rreth e rrotull dhe kapa shtëmën e vogël që mbaja me ujë dhe u mundova t’ia jepja, por hekurat nuk e lejonin. Sytë më vajtën te këpucët e mia. Mora njerën, e mbusha me ujë dhe ia dhashë. E piu me një frymë. Ia mbusha përsëri dhe e piu po ashtu deri sa e mbaroi të gjithë shtëmën.
- Faleminderit, nuk do t’ju a harroj kurrë! - më tha.
Mbasi e mori pak veten më tregoi emrin e tij. Ishte një moshatari im, nxënës i vitit të parë të shkollës tregëtare. Biri i një ish tregëtari të njohur të qytetit. Ishin gjashtë veta në familje., dy prindërit, një motër dhe tre vëllezër. Motrat e tjera ishin të martuara. U kishin shtetëzuar gjithçka, fabrikën e vajit, dyqanin, ullinjtë dhe tani jetonin vetëm me rrogën e së motrës apo duke shitur herë mbas here plaçkat e vyera të shtëpisë. Një vit më parë i kishin dënuar edhe njërin nga vëllezërit.
Çfarë krimi kishte kryer që e kishin burgosur? Asgjë më tepër, por vetëm e vetëm se kishte guxuar të shkruante nëpër fleta fletoreje, vargje patriotike të marra nga poetë të ndryshëm, të cilat i ngjiste nëpër muret e qytetit, së bashku me dy shokë të tjerë të moshës së tij. Ja se çfarë shkruante në njerin prej tyre:

“ E dashura mëmëdhe,
Të dua dhe kështu si je,
Por kur të të shoh të lirë,
Do të të dua më mirë! “

Kaluam së bashku në qelitë pranë njëra tjetrës për gjashtë muaj. Pastaj mua më dënuan dhe më hoqën prej andej. Mbas pak kohe u dënua edhe ai, por fati e solli që të endeshim nëpër burgje dhe kampe të ndryshme, por asnjëherë të mos takoheshim së bashku.
U takuam mbas shumë vitesh. Ishte martuar, lindur fëmijë. Punonte si murator në sektorin e investimeve të ndërmarrjes bujqësore “ Vlora “.
Viti 1990. Një erë e re lirie filloi të fryjë mbi vendin tonë. Sytë e mikut tim filluan të
ndriçojnë nga shpresa për të ardhshmen,. U angazhua me përkushtim në Shoqatën e të Përndjekurve Politikë të vendit si antar i forumeve drejtuese të saj. Nuk u angazhua në asnjë prej forcave të reja politike të krijuara në atë kohë.
Ngjarjet e vitit 1997 e tronditën së tepërmi. U tërhoq nga të gjitha aktivitetet dhe u mbyll brënda vetes së vetë. Vitet e fundit nuk e takova më. Më thanë se kishte shkuar për të banuar në fshatin e gruas së tij.
Vendosa të shkoj për ta takuar. Mora autobuzin e linjës dhe u nisa. Banonte në shtëpinë e vjehrit të tij. Kur u afrova te porta e shtëpisë dëgjova një zë që këndonte një këngë të vjetër. Trokita. Asnjë përgjigje. Trokita për së dyti dhe përsëri asnjë përgjigje. Atëhere hapa portën dhe hyra brënda. Bëra disa hapa dhe qëndrova pranë portës së hapur të njërës nga dhomat e shtëpisë. Aty pashë mikun tim të ulur pranë një tavoline me kokën të futur midis pëllëmbave të duarve të tij. Disa letra të shkruara ishin përhapur mbi tavolinë. Miku po këndonte me një zë të ulët:

“ Në kohën e pleqërisë,
Më zunë hallet e rënda,
Për shkakun e Shqipërisë,
Që s’u bë si ma kish ënda! “

U kollita që ta zgjoja nga ëndrrat ku ishte zhytur. U kthye, më pa me habi dhe u ngrit në këmbë. Për një çast mbetëm, të dy pa folur.
- A pranoni miq! - i fola më në fund.
- Miqtë e mirë në shtëpi të mirë, - u përgjigj duke më përqafuar me mall.
U ulëm dhe filluam të bisedojmë. Sejcili tregonte ngjarjet e veta. Folëm dhe qamë hallet ashtu si nuk i kishim qarë ndonjëherë. Për herë të parë aty mësova disa anë të karakterit të tij që nuk i kisha njohur më parë.
- Kur u lirova nga burgu, - filloi të tregonte miku për veten e tij, - kërkova të vazhdoj shkollën e mesme. Ishte një dëshirë e madhe e imja. Pas shumë pengesash më në fund më lejuan. Por gjatë katër viteve të shkollës ndieja mbas vetes diskriminimin që më bëhej nga një pjesë e mësuesve apo edhe deri nga nxënësit e klasës. Vendosa që kësaj t’i kundërvihesha me rezultate të larta. E mbarova shkollën shkëlqyeshëm.
U ngrit hapi një sirtar dhe nxorri prej andej dëftesën e pjekurisë që e ruante me kujdes të madh. Ma tregoi pa më thënë asnjë fjalë. Kur e hapa një drithtërimë më përshkoi të gjithë trupin. Dëftesa fliste vetë. Pranë çdo lënde ishte shënuar nota “ 10 “ dhe pranë saj shënimi “ shumë mirë “.
- Po pastaj? E pyeta pa e ditur edhe vetë përse.
- Pastaj? Asgjë. Isha i vetmi i klasës që nuk m’u dha e drejta e studimit për shkollën e lartë. Megjithatë një gjë të tillë e prisja.
Mbasi qëndroi një cope herë pa folur vazhdoi:
- E paharruar do mbetet për mua mbrëmja e maturës. Meqënëse ne, maturantët e shkollës së mbrëmjes, ishim pak, këtë e zhvilluam së bashku me ata të ditës. Kur mbrëmja arriti kulmin e saj, siç ishte zakon në raste të tilla, filloi ndarja e fletëve të nderit. Emri im nuk u dëgjua. Nxënësit filluan të pëshpërisin me zë të ulët. Të gjithë i dinin rezultatet e mia. Unë qëndroja i heshtur në qoshkun ku ndodhesha. Atëhere drejtori i shkollës për të përmbysr këtë gjendje, ndërhyri me shpejtësi dhe propozoi që, sipas dëshirës, të recitohej ndonjë poezi, të tregohej ndonjë anekdote, a po gjëra të tjera të këtij lloji. Për të dhënë
shembullin e filloi vetë me një të tillë. Pastaj vazhduan dhe të tjerë. Gjëndja ndryshoi.
Papritmas më lindi idea se duhej të bëja diçka., duhej t’i kundërvihesha këtij diskriminimi. U ngrita dhe thashë se do recitoja diçka. Nuk foli asnjeri. Fillova të recitojë poezinë “ Ultima Verba “ të Viktor Hygoit, strofën e fundit të së cilës e kisha përdorur dikur në traktet e mia:

“ Njëmijë po të mbeten, do mbetem edhe vetë,
Edhe njëqind të bëhen, nuk tundem jo q’aty,
I dhjeti do të jem, po qe se mbeten dhjetë,
E në mbet vetëm një, unë do jem ay! “

Një veprim i tillë nuk e di se si më shpëtoi nga një burgim i dytë. Ndoshta fati im.
U ngrit, hapi një dollap, nxorri dy gota dhe një shishe raki dhe mbasi i mbushi m’u drejtua:
- Gëzuar, le të pimë për këtë takim!
- Për miqësinë tone! - u përgjigja unë.
Biseduam gjatë. I tregova për jetën time. Folëm për shoqatën tonë, për partitë politike, për Shqipërinë.
- Kur hyra dëgjova që po këndoje një këngë të vjetër, - i thashë.
- Jetuam një gjysmë shekulli në skëterrë dhe kur shkrepi dita e lirisë, menduam se më në fund ajo do të na jepte edhe neve atë dritë që na kishte munguar. Por u zhgënjyem. Me lirinë u spekullua. Ajo u bë pronë e varrmihësve të saj. Ata u bënë papritur ithtarët e saj, kurse ne mbetëm në hije. Lirinë duhet ta administrosh mirë, përndryshe mund ta humbësh në çdo çast. Kështu e pësuam edhe neve.
Më 20 shkurt 1991 rrëzuam monumentin e diktatorit. Atëhere menduam se bashkë me të rrëzuam edhe përbindëshin që na kishte shtypur për gati një gjysëm shekulli. Por koha tregoi se kishim rrëzuar vetëm bronxin e atij monumenti, ndërsa shpirtin e zi të tiranit e kishim lënë të lirë të endej nëpër vendin tonë, për të komplotuar dhe përgatitur katastrofën e madhe kombëtare të vitit 1997. Ndaj më pëlqen shumë ajo këngë e vjetër të cilën e këndoj shpesh herë me veten time.
Më vjen shumë keq, por në këtë valle u futën edhe disa nga njerëzit tanë. Me siguri ata i kishin mbetur borxh diktaturës dhe tani po ia kthenin atë. Edhe njëherë liria pushoi së ekzistuari. Edhe njëherë filloi të shtypet mendimi i lire. Edhe njëherë filloi të sundojë shtypja dhe diskriminimi. U rikthyen përsëri vitet e para të mes shekullit të kaluar. I vetmi ndryshim ishte se ndërsa atëhere flitej me gjuhën e mbrojtjes së fitoreve socialiste, sot flitet me gjuhën e pseudodemokracisë që sundon vendin. Dhe kjo është shumë më e rrezikshme. Sot në Shqipëri mungon nocioni i ligjit dhe ku nuk ka ligj, nuk mund të ketë as shtet.
Miku heshti përsëri. Kthyem gotat e rakisë. Pinim dhe vazhdonim bisedën tonë, e cila sa vinte dhe bëhej më interesante.
- Sot Shqipërinë e sundon dora e zezë. Eshtë po ajo dorë që masakroi mijra qytetarë shqiptarë, që shkatërroi çdo gjë të mirë që kishte ky komb. Hidhe vështrimin nëpër Shqipëri. Rinia po fluturon nga sytë këmbët, për të siguruar një jetë më të mirë, por që shpesh herë gjen vdekjen. Ata që qëndrojnë këtu janë të uritur dhe nuk gjejnë mjet për të shpëtuar nga kjo gjendje. Korrupsioni po futet në çdo qelizë të jetës. Po kryhen vrasje nga më mafiozet. Trafikimi i njerëzve dhe drogës, si dhe prostitucioni janë në rend të ditës. Kjo dorë e zezë duhet prerë.
- E si mund të arrihet kjo simbas teje? - e ngacmova unë.
- Natyrisht jo ashtu si ëndërronte shoferi furgonit të mishit në “ Dimrin e Madh “ të Kadaresë. Më vjen keq që shkrimtari i madh nuk arriti të kuptojë karakterin tonë. E ç’është për ne hakmarrja e vogël kundër spiunëve pa moral, hetuesve të pashpirt apo gjykatësve kukull, karshi përçmimit të madh të kombit kundër sistemit të urryer që e shpërfytyroi nëpërmjet krijimit të të ashtuquajturit njeri të ri socialist?
Heshti sa për të marrë pak frymë, pastaj vazhdoi:
- Kur u emërua komandant i forcave aleate në Gjermani, gjenerali Ajzenhauer i vuri si detyrë të parë vetes denazifikimin e Gjermanisë. Kurse ne nuk e bëmë dekomunistifikimin e Shqipërisë. Për këtë mungonte dëshira sepse njerëz të ndershëm për këtë ka plot. Por ata janë lënë në hije. Vendin e tyre e kanë zënë ata që në vitin 1992 fshiheshin si struci, ndërsa sot kanë veshur petkun luksoz të demokratit.
- Pendë këndezi kunadhja vënë, - e ndërpreva unë duke
cituar vargjet e fabulës së famshme.
- Pikërisht ashtu. Para pak kohe gjatë një ndeshje futbolli në stadiumin e Romës u çfaqën disa parrulla naziste. Kjo mjaftoi që të ngrinte në këmbë opinionin publik dhe bashkë me të edhe qeverinë italiane. Kurse te ne vazhdon të hymnizohet diktatura nëpërmjet gazetave dhe televizioneve, nëpërmjet shkollave dhe konferencave. Në rradhë të parë të kësaj fushate janë vetë pushtetarët.
Padashur vura buzën në gaz. Ai e vuri re, më pa me vëmendje dhe vazhdoi:
- Ata nuk kanë kurajon të pranojnë se ishin dritshkurtër, kur besonin verbërisht në komunizmin e dështuar që në lindjen e tij. Ata nuk kanë kurajon të pranojnë të vërtetën edhe atëhere kur janë të bindur për ekzistencën e saj. Ata janë gati të pranojnë çdo lloj flirti, vetëm e vetëm të mos u preken interesat e tyre të ngushta.
- Po e vërteta? - e pyeta unë.
- Ajo do të dalë kur të vendoset demokracia e vërtetë. Kur të shkrijë dëbora do të zbulohen si lulet edhe plehrat. Kështu është edhe demokracia. Ajo shpërndan mjegullën, ndan të vërtetën nga gënjeshtra, tradhëtinë nga patriotizmi. Ajo ndëshkon fajtorët.
- Çfarë po shkruan ? - e pyeta mikun duke dashur të ndërrojë temën e bisedimeve.
- Jetën time dhe të miqve të mi. Shtrydh kujtesën dhe nxjerr ngjarjet më të rëndësishme që më kanë ndodhur mua, apo m’i kanë treguar miqtë e mi. Janë ngjarje që nuk duhen harruar. Janë një dhuratë për brezat e ardhshëm. Eshtë detyra e jonë t’i shkruajmë, për t’iu a kaluar atyre. Nuk janë kushedi se çfarë, por mendoj se duhen treguar. Por më parë lejomë të të tregoj një ngjarje që më ka ndodhur shumë vjet më parë.
Përplasëm përsëri gotat e rakisë duke uruar njeri tjetrin, pastaj miku vazhdoi:
- Vazhdoja vitin e parë të shkollës së mesme të mbrëmjes. Mësues Milo Duni, mësues i nderuar i letërsisë që, mbas disa vitesh, do provonte edhe ai burgun, po shpërndante fletoret e hartimit. Ishte një temë e lirë mbi fillimin e vitit të ri shkollor. Për habinë time vura re se në fletoren time nuk kishte vënë notë. Në vend të saj ishte shkruar me laps blu:
- Gjuhë dhe stil i sigurtë. Vazhdo të shkruash tregime.
Ndërsa më poshtë vazhdonte të shkruante me laps të kuq të vendosur në thonjëza
“ Po të kesh kohë të lirë! “
Më bëri përshtypje ky detaj. Isha relativisht i ri, pa preokupime të mëdha familjare dhe si rrjedhojë kisha plot kohë të lirë. Ç’donte të thoshte mësuesi me fjalët në thonjëza, shkruar me laps të kuq?
Megjithatë ndoqa këshillën e tij. Shkrova një tregim ku personazhi kryesor ishte një
fëmijë jetim, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë një bombardimi në kohën e luftës. E dërgova për botim në gazetën “ Letrari i ri “ që botohej në atë kohë. Mbas disa ditësh mora një përgjigje lakonike ku thuhej se shkrimi im nuk mund të botohej mbasi i mungonin disa kërkesa të kohës.
Atëhere e kuptova se ç’donte të thoshte mësuesi me fjalët në thonjëza E kuptova se për shkrimet e mia do të qëndronte e ndezur drita e kuqe që do ndalonte botimin e tyre. Kështu që nuk shkrova më. Ndoshta bëra gabim. Mund të kisha shkruar dhe t’i ruaja në shtëpi pa i botuar. Por kështu e mendova.
Solla një shembull fare të rëndomtë ku sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ai kishte shpikur një formulë po aq totalitare të artit, për t’iu kundërvënë mendimit të lirë, formulën e realizmit socialist, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe që krijoi vepra standarte që në me të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë.
Ktheu goten e rakisë dhe e piu të gjithën. Unë e vështroja me vëmendje. Nuk kisha dëshirë të flisja, por rrija dhe dëgjoja atë me një endje të madhe.
- Diktatura përdori të gjitha mjetet për mbytjen e çdo shkëndije të lirisë. Ajo i shpalli luftë inteligjencës së trashëguar nga e kaluara e vendit, duke e eliminuar atë plotësisht. Nuk janë të rralla rastet kur shkencëtari, fillozofi, shkrimtari, gazetari apo artisti dërgoheshin para togave të ekzekutimit. Të tjerë do provonin për vite me rradhë qelitë e errëta të burgjeve, denigrimet e kampeve të internimit, nga ku një pjesë e mirë prej tyre nuk do të ktheheshin më kurrë.
Por talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve abstrakte në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat apo prangat e hekurta në vend të nënshtrimit apo lirisë së përdhunuar. Të tjerë heshtën dhe nuk shkruan më. Një pjesë e tretë nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte të koncentruar brënda vetes një kod të brëndshëm demokratik të lirisë dhe bukurisë njerëzore. Një kategori tjetër zgjodhi një rrugë më të maskuar dhe më pak të rrezikshme. Brënda veprave të tyre që, natyrisht nuk mund të dilnin jashtë suazës në të cilën jetonin, nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera indirekte, jepnin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë.
Veprat e këtyre talenteve patën meritën se mbajtën gjallë ndërgjegjen kombëtare të vendit, qoftë edhe si ushqim i ëndrrave më intime të individit, se një ditë ato do të bëheshin realitet. Ato frymëzonin dashurinë për kombin, që në atë varfëri shpirtërore ku e kishte katandisur sistemi, shqiptarët të gjenin veten duke pasuruar shpirtin me ndjenjën e së bukurës, urtësisë, dijes dhe mendimit të lirë.
Miku im vazhdonte të fliste e të fliste me një pasion të madh dhe unë rrija dhe e dëgjoja.
- Por çudia më e madhe më ndodhi në Marsin e vitit 1991. Ishin krijuar partitë e para opozitare. Kishin filluar të dilnin gazetat e para të djathta. Mendova se kishte ardhur koha e ime. Bëra një shkrim ku flitej për televizionin shqiptar dhe problemin e refugjatëve. E dërgova për botim në njerën prej tyre. Mbas një fare kohe mora përgjigjen e mëposhtme nga kryeredaktori i saj:

“ Ju faleminderit për bashkëpunimin tuaj! Nuk mund ta botojmë për dy arsye. E para ne nuk polemizojmë me televizionin shqiptar dhe e dyta ngjarja kryesore që përballoni në shkrimin tuaj, ajo e refugjatëve, është trajtuar te ne dhe tani mendojmë të trajtojmë probleme të tjera. “

U habita pa masë. Polemizimi i gazetës me televizionin vazhdoi edhe për një kohë të gjatë, ndërsa problemi i refugjatëve, vazhdon të trajtohet edhe në ditët tona. Siç e shihni ishte një përgjegje e ngjashme me atë të shumë viteve më parë.
Megjithatë kësaj here nuk hoqa dorë. Shkruaja dhe i botoja në gazeta të ndryshme që tani ishin shumuar, sidomos në gazetën “ Liria “.
Këto tregime i kam shkruar edhe për fëmijtë e mi. Dua që ata ta njohin më mirë periudhën në të cilën ka jetuar babai i tyre dhe të mos gabojnë aty ku unë mund të kem gabuar. Vajzat i kam shumë larg, në Amerikë, ndërsa djali punon në Tiranë. Jeton atje me gruan dhe vajzën. Nguli këmbë që të na mbante edhe ne atje, por unë e kundërshtova. Më ishte mërzitur jeta pa kuptim e qyteteve tona, zhurma e saj e madhe politike. Tani jetoj i qetë këtu, larg gazetave që nuk vinë kurrë, bile edhe lajmet i dëgjoj fare pak në televizor. Kështu shijoj këtë ajër të pastër dhe dëgjoj këtë këngë bilbilash, ku frymëzimi të vjen vetë. Gruaja ka shkuar për të parë vajzat dhe kthehet mbas dy javësh.
Vura re se ishte i kënaqur me këtë lloj jete. Kishte gjetur qetësinë shpirtërore. Në atë kohë ra zilja e celularit.që mbante me vete. Ishin vajzat. I qeshi fytyra dhe filloi të bisedojë me to me gjallëri.
- Vajzat, - më tha kur mbaroi bisedën. - marrin çdo dy javë. Dje mori edhe djali. Ai merr më shpesh. Ka merak për mua.
U ngrit, hapi një sirtar dhe nxorri prej andej një sërë shkresash të shkruara me makinë shkrimi.
- Janë krijimtaria ime, fjalime, kumtesa, tregime e të tjera të shkruara nga unë.
I mora dhe fillova të lexoj titujt e tyre. Pastaj iu drejtova atij:
- A mund t’i lexoj?
- Po, patjetër, - u përgjegj ai.
Atëhere u hoqa mënjanë dhe fillova të lexoj shkrimet e mikut tim.
Ora ra dymbëdhjetë. Kishte ardhur mesnata. Ndërkaq miku kishte përgatitur darkën. Vazhduam bisedën tonë deri afër mëngjesit.
- Përse nuk i boton? - i thashë
Nguroi të më përgjigjej. E pashë që nuk vendoste dot. Shkëputja nga jeta e përditëshme e kishte bërë të pavendosur.
- A t’i marrë unë për t’i botuar?
Nuk më ktheu përgjigje. Unë këmbëngula deri sa më në fund e bëra të pranonte.
Isha njohur me të shumë vite më parë, por vetëm sot po njihja karakterin e tij të lartë, shpirtin e tij të zjarrtë, mendjen e tij të hollë, mendimet e tij të thella. Vrisja mendjen se ç’mund të ishte bërë ky njeri po të mos e pengonte koha. Herë e përfytyroja si shkrimtar, herë si mjek, herë si psikolog dhe herë si financier, dhe kisha bindjen që në sejcilën degë që të kishte ndjekur ai do të shkëlqente. Mjafton t’i hapej rruga, t’i jepej dora që i mungoi. Por atë e rrëzoi burgu, e vrau diktatura. Edhe pas ndryshimeve nuk u kujtua njeri për ta ngritur, për t’i gjetur vendin që i takonte. Pas kaq vitesh diskriminimi ai kishte nevojë për këtë përkrahje. E krahasoja mikun tim me disa pseudo-intelektualë me tituj të fituar me tema absurde si ‘’ Lufta e klasave ‘’ dhe ‘’Kolektivizimi i bujqësise’’ e të tjera dokra si këto dhe më dukeshin fare të vegjël para tij. Megjithatë ata vazhdojnë t’i ruajnë edhe sot këta tituj dhe të drejtojnë shtetin, ndërsa miku im vazhdon të jetojë në fshat i vetmuar.
Çdo të bëjë shteti për të dhe për qindra të tjerë si ai? Ata kanë nevojë për drejtësi, për barazi, për integrim të plotë ekonomik dhe politik në jetën e vendit. Është detyra e shtetit t’i kthejë sytë nga ata. Përndryshe mjerë Shqipëria!
Të nesërmen u ndamë nga njëri-tjetri. Donte të më përcillte, por unë nuk e lashë. U largova duke shkuar në mendje gjithë atë natë të kaluar me të, ndërsa ai u ul përsëri në tavolinën e punës duke vazhduar këngën që ia kisha ndërprerë unë:

‘’ Shqipëria do të bëhet,
Po vallë do ta gëzoj unë??? ‘’

RESHAT KRIPA

Tiranë, më 14 dhjetor 2003

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 27 vizitorë
Lexuar: 348 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi