Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
TË FYER E TË ZHGËNJYER!
Publikuar më 29 dhjetor, 2017 në orën 02:29 ( ) Mehmet Bislimi | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Mes hamendjes dhe shpërfytyrimit, prej shumë kohësh kisha një konsideratë për ju zoti Noci, mbase të panevojshme, në fakt ata që nuk kanë konsideratë për të tjerët - veç unit të vet, do të thotë se ata duan vetëm veten e vet, dhe kështu të shkon mundi huq. Bukur e thotë populli: "si t’i hedhësh qenit hallvë!", Prandaj kam frikë se hallva më paska shkuar kot, duke qenë i vetëdijshëm se gjërat janë relative, dhe jo absolute. Domosdo m'u desh t'i thirrja kujtesës se element të tillë janë servilë, shtiren sipas situatave, janë të pacipë, janë sajues e gënjeshtarë me një fjalë; ruana zot e mos ta prefshin rrugën!- thoshte ime gjyshe e ndjerë.

Megjithatë, ulu e merre një kafe, dua të shtroj ca pyetje; nëse zotëria juaj merr mundin dhe më përgjigjet, kuptohet për aq sa është në kaçikun tënd zoti Noci. Për të mos rëndu situatën emocionale, edhe ashtu të rënduar në këtë vapë politike, ngase nuk dua që t’ju nxjerr puna në “lakror”- që i thoshim dikur pjesës së dheut që mbetej mes brazdave pa e kapur plugu, mes arës si njollë e keqe që kërkonte një ripunim shtesë!

- Zoti Noci, si thua ti: nëse është më i rëndë zhgënjimi, apo fyerja?!, Tani ngjarjet që kanë kapluar mjedisin tonë, por edhe më herët, ne, sikur nuk i honepsim fare, me aq sa më kujtohet, as edhe një herë nuk kemi qenë kaq indiferentë përballë gjithë këtyre hamshorëve të verdhë e të zi, që sorollatën poshtë e lart, madje po t’i shikosh krekosjet e tyre me plot hirësi, tamam ta mbushin mendjen se këta janë historia vetë!

- Ke të drejt zoti Loni, ç’është e vërteta zhgënjimi dhe fyerja janë ngjitur, ta themi si brekë e bythë, fyerja të zhgënjen, dhe zhgënjimi të fyen! Flasim për ata që kanë sedër, jo për të pacipët që nuk njohin, madje as parimet më elementare të etikës e lëre më sjelljet etike universale që janë virtyt më i lartë njerëzor, për më shumë virtyt shoqëror e filozofik.
Ta zëmë, zoti Loni, sikur e ke vërejtur se si elementë të shumtë, që dikur prapa kurrizit të atdheut, me sejmenët e Sulltanit, pinin lëngun e limonit, tani pretendojnë ballin e vatanit!, dhe kujt i bëhet vonë nëse zoti Loni me shokë fyhet e zhgënjehet, të paktën ata lart duhet të ndihen komodë e të qetë se kështu e do demokracia!

- Mirë, mor zoti Noci, a nuk e kupton ti se personazhet dhe aktorët e sotëm janë realë, pra janë ata që i kemi njohur dje për bëmat e tyre jo të këndshme përballë atdheut. Pra nuk do ndonjë mund të veçantë për të parë faqen e tyre, iu shkruan në ballë - si të thuash.

- Po ç’rëndësi ka kjo tani lum Loni, ata janë të akomoduar mirë, ia pinë lëngun arkës së shtetit, ia kanë pirë e luajtur themelin dikur, po ia luajnë prapë, por tani me metoda më të sofistikuara, dhe nuk ngopen me kaq. Ata duan që kjo shoqëri t’i respektojë prapë, të mos ua kujtojnë të kaluarën se fyhen dhe u vritet krenaria- e po, ke parë ti kështu, dikush gjithmonë këmbësorë, dikush (pavarësisht ndërrimit të moteve), gjithmonë kalorës?!

- Për cilën krenari flisni ju zoti Noci ?! Siç e di edhe vetë, atëbotë kishte dy kategori njerëzish, dhe dallimi mes tyre ishte fare i “vogël”; njëra palë mbante në brez armët me leje të pushtuesit - tjetra me leje të Bajram Begut e kundër pushtuesit; e sheh, pra, të dyja palët me armë?!... Pastaj, në shtëpitë e njërës palë, sejmen, hafije e milicë, hanin e pinin, kurse në shtëpitë e palës tjetër: kontrollonin, shkatërronin, arrestonin, keqtrajtonin atdhedashësit!.
Me njërën palë pushtuesi ndante sofrën e bukës- me tjetrën shiheshin përmes grykës së pushkës, njëra palë vdiste për atdhe, tjetra palë e vdiste atdheun. Njëra palë ndihmonte dhe strehonte ushtarët e lirisë, tjetra palë i denonconte ata! Njëra palë ishin mysafirë të përhershëm në postëkomandat e pushtuesit, për të spiunuar në dem të atdheut, pala tjetër në këto postëkomanda keqtrajtoheshin deri në alivanosje, atyre u rridhte nga goja gjak, e megjithatë me sa zë që kishin thërrisnin: Atdheun nuk e jap!...

Pra shkurt, njëra palë ishin ata që atdheut ia bënin gropën, dhe tjetra ishin ata që gjithçka dhanë për atdheun, madje edhe jetën! Ja, ky ishte dallimi zoti Noci!, është kaq e lehtë...

- Dhe kush ka të drejt të ndihet i fyer dhe i zhgënjyer tani, luteni na thuaj, zoti Noci! Janë këto pjesë të historisë sonë të dhimbshme, i nderuar, janë personazhe të urryera të atdheut, nuk janë personazhe të imagjinuara si në libra që ne të ndihemi aq rehat, pra, ishte realitet i tmerrshëm, madje edhe më i tmerrshëm se ç’mund të imagjinosh ti. Dhe nëse ata ishin aktorë të asaj kohe, dhe bartës të shtjellimeve të atyre prapësive, si ka mundësi që prapë të njëjtët të jeni pjesë përbërëse e zhvillimeve të sotme shoqërore, zoti i madh e toka trash!?

- Zoti Loni, ju lutim, kujdes mos fyeni, edhe ata janë njerëz, janë pjesëtarë të këtij populli, janë njerëz të Perëndisë, dhe nga paraqitja juaj kanë të drejtë të ndihen të fyer.

- zoti Noci, seç po na flet me dy gjuhë edhe ti kohëve të fundit, po flet sipas motit dhe jo sipas drejtësisë së zotit!, po ne zotëri, a nuk kemi të drejtë të ndihemi të fyer, kur shoqëria vë në baraspeshë dy ekstreme, madje avancon ata të cilët, nëse ne jemi pjesa e përvuajtur e këtij populli, ata janë shëmtia e këtij populli, prandaj...

- Jo, jo zoti Loni, nuk e thashë në atë kuptim, para së gjithash dua të të them hapur se reagimin tënd po e marr si të drejtë dhe në parim unë vlerësoj lirinë e shprehjes së tjetrit. Mirëpo më habitë fakti që këto gjëra i paske marrë me ters, madje do të duhej që të ishe më babaxhanë, të paktën t’i prisje këto zhvillime me heshtje deri në fund, për t’u treguar diplomat i zgjuar dhe tamam i regjur, pra të mos flisje, të mos denoncoje të vërtetën, mjafton që ti i ke vërejtur këto anomali, dhe kaq. Por më sa po shoh unë, ti sikur nuk je mjaftuar vetëm me kaq, dhe kë bërë gjithë këtë alamet zhurme që mund të keqkuptohet nga njëra anë, ndërkohë që sot për sot, nuk i hyn kujt në punë hapja e kësaj çështje, janë vesh- shurdhër këta të parisë sonë tani, ooo Loni!, nuk po dihet më se kush pi e kush paguan!?...

- Jo, jo, të lutem, mos ma shtrembëro mendimin zoti Noci, mos më nxjerr atë që kam këtu përbrenda, se ka rrezik e na pëlcet barku. Ne nuk kemi kërkuar as edhe një herë hakmarrje, jo, ne po kërkojmë sjellje të mirëfilltë qytetare për të gjithë, pra edhe për ata që nuk po e kuptojnë këtë mirësjellje, populli e ka thënë aq bukur: “ ... ia jap gishtin- ta marrin krahun!”, Ne duhet t’ju themi të gjithë atyre që nuk skuqen, se servilizmi i tyre për të qenë, për t’u parë dhe për të përlarë, nuk i bënë nder atdheut, as shtetit, as vendit dhe as kuvendit. Populli i thjeshtë ndihet i fyer kur sheh matrapazët, servilet e dallkaukët- atje, ku nuk guxojnë të jenë dhe as të dukën!

- E kuptojë brengën tuaj zoti Loni, por si të të themi, duhet të kapërdihen edhe këto të liga!
- Pra, sipas jush, zoti Noci t’i themi derrit dajë, ëëë?!
- Po zoti Loni, po, dajë edhe çfarë daje se!, tani këto janë kohë të pakohe oreee, dhe vetëm skilet e regjura ia hedhin lumit matanë, e po më të dalë matanë, ata ta lodrojnë atkinë, kështu që vetëm ata qëllimin arrijnë Loniiii...
- Po, këtë e di mirë unë zoti Noci, më të arrirë qëllimin, ata ia këpusin zotërisë me të shara.
- Jo, or bir i padjallëzuar, jo, ata të zonë nuk e shajnë përderisa lumin nuk kanë kaluar - me të dalë matanë, po, ç’ është e vërteta ata ia këpusin zotërisë me babë e nënë!...
- Ata janë tradhtarë!, zoti Noci - ia priti Loni me nxitim.
- Jo, jo, nuk bën mirë që i fyen, t’ia kujtosh sot dikujt pse në një kohë ka bashkëpunuar me pushtuesin, tani në kohët e demokracisë moderne, është fyerje or Loni!, po qe së ata janë tradhtarë i bie që edhe të tjerët që sot bashkëveprojnë me ta, janë të tillë prandaj kujdes!

- Që do të thotë:
- Po, do të thotë se ti, zoti Loni dhe shokët tuaj, të heshtni, t’i vini kyçin gojës, të lëvizni të lirë, duke thithur ajër të pastër në natyrë (e ka bërë Perëndia gjelbërim gjithandej...), të mos i fyeni ata me fjalët spiunë e tradhtarë, madje duhet të ndiheni rehat në mesin e tyre, ata në një formë janë shpallur thesar!...
- Je në vete zoti Noci?!- kjo sipas jush qenka demokracia!?
- Po, kështu veprojnë shtetet me një demokraci të avancuar kudo në botë, zotëri Loni.

- Jo zoti Noci, jo, e keni gabim gjithë ditën (apo e shtrembëron me qëllim), në shtetet demokratike perëndimore që nga shtetet Skandinave e këtej, hajnat, të korruptuarit, tradhtarët e interesave të atdheut janë kategoria më e urryer, të paktën këtë kategori ata nuk e konsiderojnë krenari kombëtare. Shtetet në fjalë, të tillët i burgosin dhe i dënojnë nga se ata janë shkelësit e interesave nacionale, dhe në as një rast, nuk lejojnë që ata të jenë bartës të përgjegjësive shoqërore, këtë kategori vetëm ne shqiptarët e lejojmë, e mbrojmë dhe pushtet i ofrojmë!...

- Pavarësisht se mund të na dhembë; ty si individ zoti Loni, por edhe gjeneratës sate, në analet e zhvillimeve evolutive, historike dhe dialektike të natyrës, individi nuk paraqet më shumë- veçse një qenie të gjallë. Besoj se edhe ti mendon kështu: ata që nën pushtimin otoman e serb ngrenë dolli, le të ngrenë prapë, edhe ata duan me pinë! Për mua, besoi se edhe për ty (pa i personifikuar gjërat), përkundër asaj që ata i kanë shërbyer armikut me veprat e tyre të liga, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se kokrra e secilit është e vlefshme, tamam si e atdhetarit, si e zagarit, si e tradhtarit, një me një!...

- Tani më pëlciti damari, zoti Noci, ata me votën e tyre edhe atëherë na e kanë “luajtur t'amë”, prapë qenka vota e tyre ajo që do të na e luaj, ëëë, tani nuk po e kuptoj; nëse janë ata shumicë, apo ne, zoti Noci?

- Jo, mor djalë, ata janë një pakicë e papërfillshme që nuk ia vlen të merresh me ta. Kombi ynë ka pasur pak, fare pak gjakprishur e bastardë të tillë. Ta zëmë rrethi im ku unë jetoj, mund të ketë diku mbi një mijë banorë, nuk e besojë që ka pas më shumë se nja dhjetë të tillë, prandaj nuk ia vlen të merresh me ta, lëri, lëri dhe bëhu sikur nuk i sheh or Loni...

- Mirë, zoti Noci, sikur the se ata janë pak, e pra çka na duhet vota e asaj pakice të papërfillshme, çfarë i duhen ato dhjetë vota rrethi tuaj ta zëmë? Çfarë peshe ka ajo votë për ne më!? Nga ana tjetër; si ka mundësi që ata kaq të pakët të bëhen kaq të zotët, dhe ta marrin rrethin ku jeton ti?!, kudo nëpër vendet kyç ata me miq, akraba e ilaka, pra u mbush lama me atllarë, por edhe sofra me tradhtarë e ti thua: rri e bënë sehir!...

- Luteni zoti Loni, fali të dobëtit edhe ata kanë sedër, dhe mund të fyhen!

- Mirë, po ne, zoti Noci, a kemi sedër e krenari, a kemi dinjitet ne, a nuk fyhemi edhe ne kur shohim shërbëtorët e pushtuesit të deridjeshëm, gjoja në shërbim të ligjin sot?! Ti, mbase mendon ndryshe zoti Noci, por ne nuk e ndryshojmë historinë dot, as për hatrin tuaj, madje, as për hatërin e ndokujt. Nuk e bëjmë dot Moisinë, Hamzanë, Toptanin e Kadri Mehmetin atdhetarë, dhe as Zaharinë, Komnenin, Kastriotin, Rrustemin e Currin tradhtarë!.
Të gjithë ata që vranë atdhetarët si Grajçevcin, Zhitinë e Fazliun e qindra atdhedashës tjerë (më herët e më vonë), nuk ishin më pak se shërbëtorë të UDB-ës, gjakprishur, spiunë e tradhtarë. Prandaj ne duhet me guxim ta themi dhe ta mbrojmë të vërtetën, duhet t’ju themi gjërave në emër të vet e me hak, ngase ata në momenti e parë tradhtojnë prapë.
Thuaj me sa zë që ke: sajuesit - imoral, spiunit - spiun, servilit - servil, hajnit - hajn, tradhtarit

- tradhtar, më pastaj ndihu i qetë, nuk ke shtrembëruar asgjë, nuk ke thënë më shumë se një të vërtetë, iu ke thënë gjërave në emër të vet!
- Po, tamam ashtu është zoti Loni, por kjo vlen për shtetet me një demokraci të avancuar, siç e di, atëbotë nuk ishte aplikuar demokracia e mirëfilltë dhe e avancuar në Ballkan e rajon, prandaj...
- Pse zoti Noci, ti vërtetë mendon se tani tek ne po aplikohet demokracia e vërtetë dhe e avancuar?!

Dhjetor, 2017

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Mehmet Bislimi
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 33 vizitorë
Lexuar: 393 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi