Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
THIRRJE PËR TA SHPALLUR SHKRIMTARIN DHE PUBLICISTIN RAMIZ KELMENDI, ANËTAR NDERI TË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS (POST MORTEM)
Publikuar më 24 shkurt, 2018 në orën 04:25 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
(PJESA E PARE)

“Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha -nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet, i ngre përmendore vetvetes.”
***
“Gjithë ç’doja në botë, doja Shqipërinë. Atdheun tim. Me të cilën më njohën mësuesit e Ernest Koliqit. Ata që ma mbollën në zemër, që më mësuan se unë nuk jam pa atdhe, se unë nuk jam ‘jetim’, se kam gjuhën time, kam shtetin tim, kam popullin tim, kam historinë time, kam gjeografinë time-Shqipërinë. Falë u qofsha gjithë mësuesve ernestkoliqanë’…Gjithmonë, sa isha i ri, edhe mendoja dhe thoja: po të mos e shoh Shqipërinë, do vdes syhapur…Sepse atdheu është nëna jonë, është mëmëdheu, e nëna, mëma, mund të jetë edhe e çalë, fjala vjen, e verbër, e shëmtuar, po mëma gjithmonë mbetet mëma” (KUR ISHA 18 VJEÇ). “Kaluan vite dhe unë gjithmonë e mbajta të fshehur në zemër, në gjak, në shpirtin tim, ëndrrën e madhe që ta shihja atdheun tim”.

“Po zien. Po vlon. Po gurgullon…Të përmend më parë lotët e gëzimit, apo këngët e vallet arbëreshe?…Ndër arbëreshët vërtet po zien. Gjaku i Arbërit, këto ditë, po vlon…Gojë më gojë. Zemër më zemër. Përqafime me mall të ushqyer pesëqind vjet.”

(Ramiz Kelmendi)

THIRRJE
Drejtuar isntitucioneve kulturore dhe shtetërore të Republikës së Kosovës

Prelud
“Le të themi se për letërsinë tonë, emri i Ramiz Kelmendit-është i rëndësishëm pikërisht ashtu sikundër janë të rëndësishëm emrat e Servantesit, Rablesë, Erazmit të Roterdamit, Suiftit, Didërosë, Volterit apo Bokaçios për letërsinë europiane; dhe ashtu sikundër janë të rëndësishëm për letërsinë shqipe emrat e Çajupit me komeditë e tij satirike, i Gjergj Fishtës me poemat e tij satirike, i Faik Konicës me “Doktor Gjilpërën…”, i Kristo Floqit me komeditë e tij satirike, Dritëro Agollit me romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, apo i Kolë Jakovës me romanin “Fshati midis ujërave”, e deri te Qamil Buxheli me romanet e tij.”
(Prend Buzhala: Klasiku modern i tekstit. Letërsia e Ramiz Kelmendit)
***
Shaqir Foniqi: Megjithatë, ende mbani emrin e të parit të familjes gazetare Kelmendi?

Edhe mua më duhet të mendohem. Po, jam unë veterani; Qazimi ishte vëllai im, Migjeni është djali im, Nahirja është vajzë e vëllait tim më të madh, Adriatiku është djalë i vëllait tim më të vogël, Sara dhe Tefta janë bijat e Migjenit, Lumira dhe Arbresha janë bijat e Qazimit…

Në cilin vend dëshironi të jetoni në hapësirën e banuar me shqiptarë?

Jo vetëm një vend kam ku do të dëshiroja të jetoja në trojet shqiptare. Në Shqipëri-Shkodrën, në Kosovë-Gjakovën, në Maqedoni-Tetovën, në Mal të Zi-Ulqinin, në Kosovën Lindore-Preshevën, në Çamëri-Pargën, ndër arbëreshë të Italisë-Makjin e De Radës.
Nga cilat momente priret krijimtaria juaj?
-Nga dëshira të shkruaj sa më shqip dhe të jem sa më i lexuar.

I. NJË KOLOS I HESHTUR

Tek e kundron portretin njerëzor dhe intelektual të Ramiz Kelmendit, pa dyshim një nga portretet e tij të fundme prej njërit nga Rilindasit e fundit të kombit të tij, një kurorë dritash tok me një admirim të pakufishëm bie përmbi të; një mision dhe një vizion i veçantë i një epoke të tërë e përshkon të gjithë portretin krijues prej një kolosi të heshtur, pikërisht sipas mendimit të njohur të poetit romantik Hajnrih Hajne, mendim të cilin e nënvizoi dora vetë Ramiz Kelmendi, se: “Në gjoksin e shkrimtarit të një populli fshihet pamja e ardhmërisë së tij.”

Vështrimi i syve të tij tij rrezaton një dritë përjetësie, balli i shpalos urtinë dhe mençurinë, e ndërkaq fytyra shpreh fisnikërinë dhe bujarinë, flokët dëshmojnë për një rrugëtim me moshë biblike, kurse me qëndrimin e tij krenar dhe me duart e tij nga të cilat na la trashëgim një thesar tepër të rrallë e përplot kristale mendimesh, ai sërish shfaqet dhe rishfaqet në kujtesën e brezave si një klasik i gjallë, pikërisht ashtu siç tha shkrimtari i madh Horhe Luis Borhes: “Klasik është ai libër, të cilin një popull, një grumbull popujsh, apo koha e madhe, kanë vendosur ta lexojnë sikur në faqet e tij të jenë të thëna të gjitha, thelbësisht, thellësisht, si gjithësia...”
Prandaj, sa më shumë që e kujtojmë Ramiz Klemendin dhe sa më shumë që e kundrojmë portretin e tij intelektual, nuk ka sesi të mos na ngjall admirim forca e tij krijuese, dhuntia e tij letrare, pena e tij e ndritur dhe e lëmuar nga e cila doli gjithmonë një shqipe e lëruar aq bukur, me aq dashuri dhe me aq elegancë, një shqipe e qëruar hithrash dhe ferrash.
Tek Ramiz Kelmendi gjithmonë të lë përshtypje energjia krijuese, kthjelltësia e mendimit, thellësia e gjykimit, pesha e fjalës. Gjithsesi, ai mbeti një lexues i përjetshëm, një shpirt i lirë, i cili me jetën dhe me veprën e tij u bë një shembëlltyrë prej shkrimtari duke gërmuar nëpër minierat e pafundshme të dijes njerëzore, prej nga në majë të penës së tij brilante nxori fjalën e tij të bukur shqipe, të stolisur me urtësi, me bukuri, e me mirësi.
Nuk është pra rastësi pse pena e tij u bë kështu emblemë e shkrimeve me ylbere fjalësh, të cilat në stilin e të shkruarit ramizian, flatrojnë gjithmonë të ëmbla dhe, duke qenë të gdhendura aq bukur e me durim, të latuara me aq përkushtim e të përzgjedhura në rrjedhën e ligjërimit të tij me aq shije, i bënë për vete lexuesit dhe adhuruesit e tij të shumtë.

Në mënyrë të veçantë, nuk ka sesi të mos ngjall admirimin tonë të përjetshëm forca e tij krijuese, me të cilën ai ishte dhënë i tëri pas shkrimeve aq elegante, duke pasur gjithmonë për qëllim sa dritë-hijet e vijave dhe vragëve të shumta të jetës, po aq edhe imazhin e së vërtetës:
“Mendimet më flakrojnë në kalesë të afërm e të largët. Kujtimet më vlojnë…Vijnë e më ravizohen para sysh qindra përjetime të vogla e të mëdha të luftës në fëmininë time, ngjarje që më poqën para kohe, më rrëmbyen fëmininë, gazin, gëzimin.” (Xhita në Qiell)

Ramiz Kelmendi ishte dhe mbeti njeri që gjithmonë sublimonte në vete dashurinë dhe pasionin e tij për letërsinë dhe gazetarinë, madje deri në ato përmasa sa nuk ka sesi me shembullin e tij të mos na e kujtojë krtitikun e madh francez Sent-Bevin, për të cilin është thënë se letërsia ishte më e rëndësishme se jeta.

Gjithsesi, tek Ramiz Kelmendi kishte diçka nga ajo dashuria e famshme borhesiane për librin. Për Borhesin është thënë se ta takoje atë ishte njëlloj sikur ta lexoje atë. Kështu ngjante edhe me Ramizin: sa herë e takoje ai ishte një libër i gjallë, gjithmonë i hapur e përplot mençuri dhe thellësi, i gatshëm për të folur për tema dhe çështje nga më të ndryshmet, i gatshëm që të udhëzonte drejt me këshillën e tij të urtë si dhe gjithmonë i prirur për të trasuar rrugë e hapur shtigje me peshën e fjalës së tij.

Dielli, dashuria dhe bukuria si frymëzim

Poeti i madh francez Sharl Bodleri, ka shkruar se ndjenja e përjetshme për të bukurën është korrespondencë prej qiellit. Ndërkaq, për një personazh siç ishte Ahmet Koshutani, përkatësisht për autorin e këtij personazhi të gdhendur me aq mjeshtëri (Vdekja e Poetit. Ahmet Koshutani), kjo korrespondencë që në fillim të krijimeve të tij letrare, vinte përmes një ligjërimi të veçantë poetik e nën simbolikën e diellit, mishëruar më tej me dashurinë dhe bukurinë si frymëzim i përjetshëm i tij:
“U vesh, doli nga dhoma e vet, u nis për në shkollë. Jashtë e këndelli përnjëherë një fllad i këndshëm, e atje, lart në horizont, kishte filluar rrugën e vet: DIELLI.

Ahmet Koshutani: Sa bukuri ka dielli, sa fort e dua diellin unë, dëshiroja të jetë gjithmonë ditë. Dritë...Frymëzim dashurie kërkon, bukurinë ka frymëzim...
Nëntori është më i bukuri muaj i fëmijërisë sime. E Bjeshkët e Nemuna nemin ata që u dhanë këtë emër.
Në trup kam plagë që s’mundet me i zhdukë lëkura, e në ndiesi-vrragë...Oh sa shumë e due jetën me njerëz, në rrethin e tyre.
Nuk u dhashë!...Zbulova gurra të pafundme, të reja, eliksire, për ta ringjallur e këndellur sërish BUZQESHJEN time...Tema do të jetë: DIELLI.”

Zake Zhuji, atdheu dhe gjuha shqipe

Ramiz Kelmendi u takon atyre shkrimtarëve për të cilët atdheu fillon tek zemra e nënës, prandaj i brumosur që në fëmijëri me një dashuri të tillë ai do shkruante e do të përkujtonte se:
“S’ka fjalë më të dashur dhe më të ëmbël se fjala “atdhe”, ndaj e duan edhe vetë perënditë. Atdheu do konsideruar si nëna e përbashkët për të gjithë.
Atdheu është gjuha vetë. Mendoj dhe shkruaj shqip. Gjuha është shpirti i një kombi…GJITHË SA JEMI DHE KUDO QË JEMI. DUHET T’I BLATOHEMI ME MISH E ME SHPIRT KOMBIT...”

Ai, me të drejtë do të shtronte pyetjen aq domethënëse sa dhe aktuale: “Deri ku shtrihet Atdheu ynë? Deri ku arrin kënga e djepit shqip? Apo deri ku arrin vajtimi shqip?”
E tek kthehej të kujtonte trajektoren e krijimtarisë së tij, me elegancën e stilit të tij, do të radhiste një varg emrash jo me pak ndikim në kulturën kombëtare shqiptare:

“Më përvetësoi, që të mos them më magjepsi, më i pari Migjeni. Sidomos me prozat e tij. Pastaj Nonda Bulka. Pastaj Naimi. Pastaj Lasgushi. Se më Fishta! E Mjedja. E Ernest Koliqi. E Lumo Skëndo. E Vinçenc Prenushi, vjershën e tij aq të bukur “Am’e bijë” e kam të vetmen që e di përmendësh sot e kësaj dite. E kështu me radhë…Pse, ç’shpjegim i veçantë u dashka për të dëshmuar dashurinë ndaj gjuhës amtare, ndaj gjuhës së nënës?!”

Ndërkaq, duke iu kthyer çështjes së gjuhës, ai do të linte mendimin aq aktual se gjuha e dhunuar krijon përbindësha. Pastaj citoi Humboltin: Gjuha është atdheu i njeriut, dhe tha sërish se gjuha është atdheu vetë. Ngriti lart mendimin e Mitrush Kutelit tek çmonte gjuhën e Faikut: Një shqipe të pastërt si hoji i mjaltit. Një përzgjedhje e tillë e fjalëve të Kutelit nga ana e Ramiz Kelmendit nuk qe rastësi, sepse ishte pikërisht Mitrush Kuteli ai që në poemën e tij “Rrrjedhin lumenjtë”, kishte shkruar një nga pjesët më të bukura kushtuar gjuhës shqipe:

“Në gjithë skajet e vendit të lumtur,
Anembanë kumbonte një e folme,
E vetëme: ilirishtja e strallët -
Vigmë barinjsh dhe kushtrim luftëtarësh,
Farkuar në kudhra mijëvjeçarësh.
…Gjuhë e fortë, vlugmadhe, e ëmbël,
E mbrujtur para se të ishin mbrujtur
Tufët e hyjnive të lashtësive…”

Por Ramiz Kelmendi, kur ishte në pyetje dashuria për gjuhën dhe çështja e gjuhës shqipe, nuk ndalej me kaq. Ai nënvizoi më tej mendimin tjetër tepër të lartësuar: “Konica e quante gjuhën shqipe si lule e bekuar, që e ujiti djersa e Frangut Bardhë, pastaj Veqilharxhi, Kristoforidhi, Naimi e sa e sa të tjerë.”
Është pra e kuptueshme përse pena e tij shumë shpesh ka shkruar, ashtu siç ia ka ndier zemra e tij e madhe:

“Nëna gjithmonë dëshirohet…Nëna, gjithmonë duhet dashur. Këtë nënë, pra këtë atdhe, unë e kam dashur gjithmonë.”

Nëna.
Zake Zhuji dhe bardhësia e shamisë së Rugovës. Shpalosur si një bekim i bardhë drejt qiellit. Herë si zemër-thirrje e herë si zemër-klithje.
Zake Zhuji dhe mermeri monumental i perëndive ilire!
Shamia e bardhë shpalosur si vetë zemra e saj, përmbi Bjeshkët e Rugovës.

Një bekim epik. Pastaj një krua që rrjedh në këngë e ligjërime. Më tej, një penë e bardhë. Zake Zhuji. Një thjeshtësi prej shpirtit engjëllor. Zake Zhuji. Zemërbardhë e zemërdjegur. Zake Zhuji dhe bekimi i shamisë së bardhë shpalosur viteve, ardhur moteve, vetë pena ramiziane që lartësoi dhe përjetësoi bardhësinë e fjalëve:

“Pejën, qytetin tim të lindjes, dhe Rugovën, vendlindjen e prindërve të mi (Drelajt e babait tim dhe Haxhajt e nënës sime) i kam dashur dhe do të vijoj t’i dua sa të jem gjallë.
Edhe sot, në këtë moshë të shtyrë që kam, nuk kam pushuar ta dua atdheun me gjithë fuqinë e zemrës e të shpirtit. Atdheu është nëna jonë, është mëmëdheu...nëna gjithmonë mbetet nënë.”

Gjuha dhe gjaku. Atdheu dhe nëna. Po me gjuhën e gjakut ai foli edhe për nënën, e edhe për atdheun kur shkoi në Maki e i përshpëriti Jeronim De Radës për një Rilindje, të cilën ai e deshti aq shumë dhe në ballë të cilës vuri armën më të fortë të dijes, librin shqip.
Nuk ka dyshim se në një “bashkëbisedim” që bëri me De Radën, Ramiz Kelmendi gjakonte për një Rilindje të Dytë. Prandaj, e thënë simbolikisht, Ramizi e nisi aty ku e la De Rada: Gjaku ynë i shprishur tha De Rada. E Ramizi i foli Da Radës, duke lëshuar zemër-thirrjen e tij të njohur:
“Gjaku i Arbërit po vlon. Ndër arbëreshët, po zien, po vlon, po gurgullon...
Të përmend më parë lotët e gëzimit, apo këngët e vallet arbëreshe?…Ndër arbëreshët vërtet po zien. Gjaku i Arbërit, këto ditë, po vlon…Gojë më gojë. Zemër më zemër. Përqafime me mall të ushqyer pesëqind vjet.

Ndonj pikë loti në faqe të irnosura. Ndër rudha. Pikë loti që nuk fshihet, por shtyhet me gëzim. Me harenë. Me uratën: të na rroni sa malet!”

Poema për Rugovën

Duke shkruar për Rugovën, në majën e një pene që ngritet aq e hirshme në lartësitë e kreshtabardhave të Rugovës kreshnike, Ramiz Kelmendi aq sa dëshmoi prirjen e tij poetike, po aq thuri edhe një himn të papërsëristshëm për dashurinë e tij të madhe, për frymëzimin e tij të madh:
“E gëzoi me lot Rugova sot dasmën e vet të madhe: nguljen solemne të shtyllës së parë, që do të sjellë dritë edhe në ato bjeshkë krenare.

Pashë koshutanasin në Haxhaj, edhe plakun e Drelajve, edhe shoqin e tij të Rekës s’Allagës, me të vetmet mburroja të kokës së tyre dinjitoze e të mustaqeve burrërore - shallat karakteristike - tek u shkonin lotët çurg n’ato ditë shiu e dasme mes pishash e rugovasish që preknin qiellin.


Derdhi lot gëzimi sot Rugova. Edhe qielli me të bashkë. Lot e gaz. E puthje. E lojë Rugove. E këngë të reja për rrugën e re të dritës, prej rugovasish të rinj kënduar. E fytyra të rrudhura që gazmojnë. E shkollare Rugove që shpërthejnë, që çojnë përpara.

Dasmë të madhe ka sot Rugova - u çel rruga e dritës…

E mbi të gjitha këto, mu ashtu edhe siç duket në të vërtetë: të josh Rugova aty sipër, me tërë atë diç të mahnitshme dhe të madhërishme që ndryn në bjeshkët e veta të larta, me atë mitin dhe misterin e vet, me ato doke e zakone (jehonën e ndonjërës syresh e ndjen edhe në vetvete, përmes gjakut të babait tënd të Drelajve dhe të nënës sate të Haxhajve), me gjithë atë dukjen ataviste të vet, me shtatin bjeshkë dhe me paraqitjen burrërore, me atë natyrë të virgjër, që shëmbëllehet aq bukur në sytë e tyre, me ato këngët e lahutave, të cilave ua thoshte aq melankolisht dhe aq bukur, daja yt, Arif Zhuji, nga i cili të zuri veshi së pari Gjeto Basho Mujin e Halilin, Gjergj Elez Alinë e Zukë Bajraktarin, si dhe ato dy femra, më të parat femra që i regjistroi veshi yt nga kënga e dajës në lahutë - Ajkuna e Dezdar Osman Agës dhe Dylbere Gjelina.” (Dashuria për Pejën).

Ramiz Kelmendi për Bibliotekën Kombëtare

Në fillet e krijimtarisë së tij, ai kishte shkruar: “Nëntori është muaji më i bukur i fëmijërisë sime”. Ndërkaq, si në një rastësi mitesh dhe legjendash, po ky muaj, kaq i bardhë dhe kaq i shumëpritur ndër shqiptarë, do të rishfaqej sërish në penën e tij me bardhësinë e shekujve sipër.
Më 25 nëntor 1982, duke përuruar Bibliotekën Kombëtare të Kosovës si “vatër mbi vatra të cilës do t’i gëzohen fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë”, ai ka cituar Kafkën: “Literatura eshte ditari i një populli.”
Nuk ka dyshim se një përkushtim i tillë, një himnizim i tillë i librit, një adhurim i tillë ndaj dijes dhe kulturës, të çon vetvetiu tek konsideratat që kishin për librin kolosët e letërsisë botërore.
Fjala vjen, poeti i madh anglez Xhon Miltoni, në vepërn e tij “Aeropagjitika” (Mbi politikën e brendshme - Fjalim i Z. Xhon Milton për lirinë e shtypit, drejtuar Parlamentit të Anglisë, në Londër më 1644), ka vënë në pah se kush përballet me mundin e të shkruarit, vë në fjalët e tij më të mirën e vetvetes. Kurse për librat, ai ka theksuar:
“Librat, në fakt, nuk janë aspak gjëra të vdekura, përkundrazi përmbajnë në vetvete një fuqi jetësore, që i bën po aq aktive sa veç shpirti, pjellë e të cilit janë; për më tepër ata ruajnë, si në një ampulë, forcën dhe esencën më të kulluar të atij intelekti të gjallë që u dha jetë…është pothuja e njëjta gjë, si të vrasësh një njeri, si të vrasësh një libër të mirë. Kush vret një njeri, vret një krijesë të arsyeshme, imazh të Zotit; po kush shkatërron një libër të mirë, vret vetë arsyen, vret imazhin e Zotit në vetë thelbin e tij. Shumë njerëz i rëndojnë kot tokës, ndërsa një libër i mirë është gjaku i çmuar jetësor i një shpirti kulmor, i ruajtur posaçërisht e i mbrojtur me xhelozi për një jetë përtej jetës.”
Ndërkaq, për censurën e shtypit, Miltoni theksonte:
“Mbase, siç shpresoj unë, sepse anglishtja jonë, gjuhë njerëzish të famshëm gjithnjë në pararojë të arritjeve të lirisë, nuk do të gjendte lehtësisht shkronja të mjaftueshme servile, për të rrokjezuar një gjykim të tillë tiranik.”
Xhon Miltoni ngriste lart gjithashtu edhe: “Sërën e lirë dhe të sinqertë të atyre që përnjimend kan lindur për studimin dhe dashurojnë dijen për atë çka është në vetvete, jo për përfitime ose ndonjë tjetër qëllim, po për shërbim ndaj Zotit dhe ndaj së vërtetës - e ndoshta fama e qëndrueshme në kohë e lavdërimi i përhershëm, janë çmimet me të cilat Zoti dhe njerëzit lejuan të nderohej dikush, që me shkrimet e veta çoi drejt progresit të mirën e njerëzimit…Kur një njeri i shkruan botës, ai thërret në ndihmë tërë arsyen dhe reflektimin e vet: kërkon, mediton, punon pa u lodhur…”
Kundruar po nga ky prizëm, në esenë tjetër “Falenderim librave”, shkrimtari i madh Stefan Cvajg u kushtonte nuseve të mendimit (epitet të cilin ua ka dhënë që në lashtësi poeti i madh persian Saadiu) një poemë në vete:

“O pjesëza të pafundësisë! Kurdoherë prisni të rreshtuara në raftet e mbështetura pas mureve. Kurdoherë modeste dhe kokulur prisni që të vijnë t’ju marrin. Por me t’ju prekur dora e njeriut, zemra e tij u përpinë dhe ngazëllehet, si qerre e zjarrtë hyjnore e lartësoni shpirtin e njeriut, e nxirrni nga ngushticat e rëndomësisë, e çoni drejt hapësirave të amshuara të përjetësisë.”

Kaq bukur, me kaq adhurim, me kaq dashuri dhe me kaq hyjnizim për librin dhe bibliotekën, ka shkruar edhe Borhesi, duke u shprehur në esenë e tij të njohur “Biblioteka e Babelit”, se:
“Universi është Biblioteka Hyjnore dhe se universi me pikëtakimet e veta elegante, mund të jenë vetëm puna e dorës së Zotit.”
Gjithsesi, himni që Horhe Louis Borhesi i ka kushtuar librit, në vetvete ngërthen përmasat e një përjetësie, në radhë të parë për shkak të aktualitetit që përfaqëson mendimi i tij i madh:
“Popullsinë e kanë dhjetuar epidemitë, grindjet heretike, peligrinazhet që pashmangshmërisht katandisen në fushata grabitqare. Besoj se i kam përmendur vetëvrasjet, të cilat po bëhen më të shumta për çdo vit. Ndoshta më çojnë në rrugë të gabuar mosha e thyer dhe frika, por kam dyshime se lloji njerëzor, i vetmi lloj po luhatet në prag të shfarosjes, por gjithsesi Biblioteka, e ndriçuar, e vetmuar, e pafundme, përsosmërisht e palëvizshme, e pajisur me vëllime të çmueshme, të pakorruptueshme dhe të fshehta, do të mbijetojë.
Sapo shkrova fjalën ‘e pafundshme’. Nuk e kam sjellë këtë mbiemër thjesht për shkak të shprehive të gojtarisë; por e deklaroj se nuk është e palogjikshme të mendosh, se bota është e pafundshme…
Nëse një udhëtar i përjetshëm do të udhëtonte në cilindo drejtim, pas një numri të parrëfyer shekujsh, ai do të gjendte se po ato vëllime përsëriten, me të njëjtat parregullsi, e cila duke u përsëritur, kthehet në rregull: Rendi. Vetmia ime gjen gëzim në këtë shpresë elegante.” (Biblioteka e Babelit)
Duke krahasuar konisderatat e tilla të shprehura nëpër shekuj për librin, nuk ka dyshim se sa herë që do të kalojmë pranë Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, sa herë që do të ulemi të lexojmë e të shfletojmë librat, të cilat Ramiz Kelmendi i deshti aq shumë, gjithmonë do të kujtojmë atë mermerin monumental të ligjërimit të tij, kur foli aq bukur dhe aq madhërishëm, më 25 nëntorin e vitit 1982: “Datë mbi data në historikun tonë shpirtëror, “tempull mbi tempuj”, “vatër mbi vatra është Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës”, të cilën me të drejtë e pat pagëzuar edhe vetë: “si zëdhënës krenar i mija e mija të gëzuarve e të përgëzuarve si unë”.

Për Ofelinë e Teatrit Kombëtar

Gjithashtu, nuk duhet harruar as një fakt tjetër të pamohueshëm, se Teatri Kombëtar i Kosovës i ka shumë borxh Ramiz Kelmendit. Teatri i Kosovës i detyrohet atij shumë për shkëlqimin e papërsëritshëm që pati kur ai ishte në krye të këtij Teatri. Shkëlqimi që ia dha Ramiz Kelmendi këtij Teatri, në të vërtetë ishte vetë adhurimi që kishte ai për mendimin e Faik Konicës që nëpërmes kulturës, artit, dhe letërsisë, Shqipërisë t’i kthehej shkëlqimi që kishte dikur, pra shkëlqimi që kishte në kohët e Ilirisë. Prandaj, Teatri Kombëtar i Kosovës e ka për nder ta vë Bustin e Ramiz Kelmendit në foajeun e tij, ashtu siç e ka për nder që të gdhendë fjalët e tij në këtë Teatër, për Ofelinë:
“Ajo fali sonte rozmarina në skenë.
Fali vjollca e krizantema. Borzilokë e manushaqe.
Ca nga këto i fali për kujtim.
Ca i fali për mejtim.
E unë po i fal, ja, një kurorë me dafina lavdie për Ofelinë.
Një kurorë me dafina për të parin hap të saj.
Një kurorë me dafina për natën e bukur që na fali.
Një kurorë me dafina për të nesërmën e saj.
Paç nder, prandaj, moj Ofeli, e mirë se na erdhe!
Edhe - mirë ardhësh!”

Debolesa e Ramiz Kelmendit për shkronjën L

Sa më shumë që e lexon dhe e studion njeriu veprën e tij, aq më shumë fitohet përshtypja se ai kishte një debolesë të veçantë për shkronjën L: Liria (nuk është rastësi që edhe pseudonimi i tij i parë ishte Hija e Lirisë), letrat, letërsia, Lulja e Kujtimit, Lypsat në lulishtë, lotët, apo edhe Lumo Skëndo: “Emri shumë i shenjtë i kombit shqiptar.” Pastaj Luvri, Lulja, Lumnija, dhe emri që e donte më së shumti, siç e ka pohuar vetë në një intervistë, emri: Liridon...

Pikërisht ashtu siç shkruante vetë, me atë stilin e tij sa origjinal po aq edhe brilant:

“L - si Lumturitë. L - si Lukiani. - si Libri. L - si Lulemollët.
L - si Lukiani: S’ka fjalë më të dashur dhe më të ëmbël se fjala “atdhe”, ndaj e duan edhe vetë perënditë. Atdheu do konsideruar si nëna e përbashkët për të gjithë.”

Edhe kujtimet me arvanitasit:
“M’u ul në prehër çupulina me emrin aq të bukur “Elefteri”, të parën fjalë që e mësova nga Ksenofoni arvanit. Çupulina quhej Liri.”

Për Ramiz Kelmendin fjala letrare çmohet vetëm po të jetë e fisnikëruar me ndjenja, kurse ndjenja për të bukurën sikurse edhe për të madhërishmen, mbeten gjakim i tij i përhershëm, frymëzim i tij i pashterrshëm, e ku shkronja L zë një vend ballor.
Për Ramiz Kelmendi, shkronja L sa është letërsi, po aq është edhe bekimi e pagëzimi më i bukur në jetë, në art, e në përjetësi:

“Pastaj Muzeu i Luvrit. Mona Liza. Më joshin mbi të gjitha, sytë e saj, një palë sy, që mbeten enigmë në shekuj. Sy që qeshin…Luvri është muze muzesh…Luvri është parajsa.” (Letra nga Parisi: Udhëpërshkrime).

II. AKADEMIA E NJË KOMBI

Elena Gjika: Akademia duhet të jetë shpirti i një kombi
Ismail Kadare: Akademia - më e fortë se Franca


Duke shkruar për betejat e tij akademike, shkrimtari i madh francez Viktor Hygo, më 1 dhjetor 1846, mbante shënime lidhur me atë se çfarë kishte ndodhur, “Në Akademi”:
“Në sallën e re të senacave private të Akademisë, statuja e Rasinit ishte vendosur në një qoshe, dhe statuja e Kornejit në qendër, prapa kolltukut të kryetarit.
Më parë ishte Rasini në qendër e Korneji në qoshe. Është tashmë një hap. Akoma edhe një shembje muresh, akoma edhe një rikonstruksion, akoma edhe një hap, dhe Molieri do të jetë vënë në vendin e nderit.”
Ndërkaq, më 14 janar 1850, Hygo shkruante:
“Sot Alfred de Vinjija dhe unë bëmë të dështonin zgjedhjet në Akademi.
Nga njëra anë mbanin Empisin, nga ana tjetër Viktor Leklerkun. Ne nuk duam as njërin, as tjetrin. Kemi futur në kuti fletë të bardha.
Ishin tridhjetë e katër votues: shumica: tetëmbëdhjetë vota. U bënë pesë votime. Empiri mori deri pesëmbëdhjetë vota, Viktor Leklerku deri gjashtëmbëdhjetë. Pati vota të dhëna, në votime të ndryshme, Emil Deshampsit, Lamenaisit, Alfred de Mysesë dhe Beranzhesë. Me dy votat tona mund ta kishim bërë zgjedhjen. Qëndruam fort. Ishte e nevojshme të shtyhej dhe e shtynë një muaj.
Radhën e parë, kur njoftuan dy fletët e bardha, Flourensi tha: “Ja dy vota të humbura”.
Iu përgjigja: “Të humbura? Thoni të vëna në shfrytëzim! Qëllimi im është ta çoj njërën prej dy partive të merret vesh me ne, në mënyrë që t’i shtojë votat tona dhe me ato të bëhet e vlefshme dhe e mundur emërimi i Balzakut, ose i Dymasë. Pikërisht me këtë lloj sistemi dy vjet më pare bëra të mundur të emërohet Alfred de Vinjija. “
Me të drejtë iu përgjigja majë më majë Dypënit në lidhje me Balzakun. Ai më ndërpreu:
“-Djall! Djall! Ju do të dëshironit që Balzaku të hynte në Akademi menjëherë, me të shtënën e parë, kështu! Ju citoni ca shembuj: Petinin, Sen-Mark-Zhiradënin, Brifonë; por ata nuk provojnë asgjë. Mendoni, pra! Balzaku me të parën në Akademi! Nuk keni reflektuar. Kjo, është ndoshta e mundur? O pastaj nuk mendoni për një gjë, që e meriton!”
Viktor Hygo është zgjedhur anëtar i Akademisë së Francës në janarin e vitit 1840. Ndërkaq, lidhur me propozimet përkatëse, kritiku i madh francez Sent-Bevi, ka theksuar se po të vihej kandidatura e tij për anëtarësim - në raport me ta, Hygo ishte hapur në favor të Alfred De Vinjit, Aleksandër Dymasë dhe Balzakut.
Sent-Bevi nuk u pranua në zgjedhjet e 8 shkurtit të vitin 1842, por më 8 shkurt 1844, u votua që ai të pranohej anëtar i Akademisë së Francës, ndërsa uniformën e gjelbërt të Akademisë do ta veshte vetëm një vit më pas, më 27 shkurt 1845.
Viktor Hygo kishte kohë që nuk fliste me të dhe ishte një nga kundërshtarët më të rreptë të Sent-Bevit, i cili jo vetëm që nuk besonte se Hygo do të thoshte ndonjë fjalë për të, por që njëlloj nuk besonte fare dot se ai do të vinte.
Përkundrazi, Viktor Hygo mbajti një fjalim tejet afirmativ për Sent-Bevin, në mënyrë të veçantë duke folur në fjalimin inagurues me aludime tejet pozitive për prirjet poetike të Bevit, pa çka se që të dy kishin kundërshti mjaft të thella mes tyre.
Pra, Viktor Hygoi (për të cilin Sent Bevi theksonte se ishte “fenomeni më i madh letrar në Francën moderne”) veproi ashtu siç do të shprehej më vonë Gjergj Fishta, i cili sa bukur ka thënë, që pastë bekimin aty ku ka rënë: Kija inatin, po ama jepja hakun!
Duke bërë fjalë për betejat e tilla akademike, diplomati dhe historian anglez Harold Nikolson, në monografinë e tij për kritikun dhe historianin e madh të letërsisë franceze, thekson se Sent Bevi u ngrit dhe kritikoi ashpër kolegët e Aoeropagut të Akademisë Franceze, kur ata mëtonin të zgjidhnin Littre-në për anëtarë të Akademisë. Nikolson vë në pah se ai ua tha hapur se shumica e tyre ishin plakur e të dhënë pas pedantizmit, dhe se dyzet të pavdekshmit e kishin humbur qoftë kontaktin, qoftë realitetin me gjeneratën e re.
Sipas Harold Nikolsonit, Sent-Bevi natyrisht që i gëzohej prestigjit të Akademisë, por me të drejtë ishte kundër intrigave dhe thashethemeve që shoqëronin propozimet dhe zgjedhjet e reja në Akademinë e Francës…
Ndërkaq, shkrimtari Ismail Kadare në librin e tij “Mëngjeset në Kafe Rostand - Motive nga Parisi”, ka vënë në dukje mes tjerash, se: “Akademia kishte vetëm dymbëdhjetë anëtarë të huaj nga gjithë bota, një nga anëtarët ishte mbreti i Spanjës, unë po zëvendësoja Karl Popper-in, që sapo kishte lënë këtë jetë, pra Shqipëria zëvendësonte Gjermaninë, ky ishte një nder kaq i madh…Atëherë cili ishte shkaku që presidenti i Shqipërisë nuk i përgjigjej ftesës? Ishin rregulla shkencore, mbreti ose presidenti i shtetit që fitonte vendin në Akademi, merrte pjesë në ceromoninë e pranimit…Mos kujtonte presidenti juaj se do të çnjihej, do të anulohej ceromonia, pra pranimi yt, nga mosardhja e tij? Apo se mund të ndërhyhej te Franca që ta bënte këtë? A e dinte ky president se Akademia, në raste të tilla ishte më e fortë se Franca?”
Duke shkruar kështu dhe duke lëshuar zemër-klithjen e tij, shkrimtari më i madh shqiptar Ismail Kadare, nuk ka dyshim se ka aluduar në rolin që duhet të ketë Akademia, misionin dhe vizionin e së cilës Elena Gjika e pat shpalosur aq bukur dhe në mënyrë aq domethënëse, që në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, duke i shkruar Jeronim De Radës, në një nga letrat e saj se: “Akademia duhet të jetë shpirti i një kombi.”

Elena Gjika:
Duhet vendosur interesin e atdheut përmbi të gjitha farët e konsideratave.


Duke shpalosur me një adhurim të veçantë letërkëmbimet e shkrimtarëve tanë ndër shekuj, duke shfletuar me një përkushtim të rrallë epistolarin e tyre të begatë, Ramiz Kelmendi lexoi me laps në dorë. Jo rastësisht ai u ndal tek mendimi aq i madh e aq aktual që na la Elena Gjika:

“Ata që do të kryejnë këtë vepër uniteti: unitetin e tyre intelektual, shkencor dhe moral-bazë e unitetit politik, ata që do ta kryejnë këtë vepër do të kenë vënë themelet e pashkatërrueshme të Shqipërisë së ardhshme.

Çdo lëvizje e madhe përtëritjeje politike, duhet të jetë e prirë, doemos, nga një lëvizje letrare.”

Nuk ishte rastësi, pse pas pranverës së përgjakshme të Motit të Madh 1981, Ramiz Kelmendi po riaktualizonte mendimet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, duke përkujtuar më tej se Elena Gjika, Dora D’Istria vetë, i kishte shkruar arbëreshit të madh, Jeronim De Radës:



“Ne do të jetojmë mjaft gjatë, besoj, për të ngulur flamurin e Shqipërisë mbi Kullat e Rozafës. Le të mund të jetojmë mjaft për të kremtuar në Shkodër festën e madhe të përtëritjes së një kombi shpirtbardhë.

Ky popull trim do të tregohet i denjë për vetveten.”

Më tej, Ramiz Kelmendi do të nënvizonte edhe atë që Zef Jubani kishte shkruar në shkrimin e tij “Thirrje Arbëreshëve”:

“Midis jush...që jeni gjithashtu shqiptarë si edhe ne, mund të kenë dalur njerëz të pajisur me dashurinë për atdhe, sepse janë të mësuar dhe të edukuar në lirinë e ndërgjegjës së tyre.”

Ramiz Kelmendi na kujtoi kështu më tutje se çka na la Hamit Kokalarin bashkë me Vasvi Samim Visokën. Nga ky i fundit, me atë shijen e tij aq të hollë të përzgjedhjes nga të lexuarit me laps në dorë, ai ka cituar:

“E ai, këtu e mbi gjysmë shekulli më parë, jo vetëm ndjeu, por edhe na e la të shkruar në libër mendimin për Kosovën tek u shpreh: “Bukuria e Kosovës është bukuria e së drejtës. Zëri i Kosovës është zëri i historisë dhe shkëlqimi i saj është drita e së vërtetës…Aty s’ka gjak e tym, grabitje e sundim dhe vajtim e gjamë; por ka vetëm drejtësi e vërtetësi. Ajo është mbi çdo gjë.”

Madje, ai shtroi edhe një pyetje e cila mbetet gjthmonë aktuale, sot e mot:

“Do pyetur gjithmonë: Ç’qe e kaluara jonë, edhe se ç’jemi në fakt, edhe se ç’gjak na rrjedh ndër dej, po edhe ama se ç’duhet të jemi për jetë të jetëve.

Sepse, ka mendim Anton Harapi, superioritetin tregohet me fisnikërinë e ndjenjave, me lartësinë e jetës, me zemërgjërësinë dhe zotësinë për ta mundë të keqen me të mirë.”

Shkrimtari dhe publicisti, profesori dhe veprimtari Ramiz Kelmendi shprushi kështu ndërgjegjën kombëtare tek i solli në kujtesën tonë fjalët e njeriut tjetër erudit e të atdhetarit zemërzjarrtë, Mithat Frashërit: “A pandeh se do të rrosh dot ti, në qoftë se vdes kjo Shqipëri? Mithat Frashëri, (1924): Altruizmi dhe solidariteti i ka munguar këtij populli. Jeta e njeriut s’ka pasur ndonjë vlerë. Pushka kërcet vetvetiu. Ai që e shuan jetën e tjetrit, mburret, hiqet krenar. Unin e vet e vë përpara çdo sendi! Punën e shikon si një mëkat, një mallkim, një përbuzje.”

Citoi edhe Fishtën duke përkujtuar fjalët e tij me peshë dhe gjithmonë aktuale sa herë që punët nuk vihen në vi siç duhet: “S’ka si prin kah e mbara!” Shtoi paskëtaj ca fjalë si margaritarë: “Do peshuar dhe do gjykuar punët: Me akullin e arsyes dhe me mendje të shëndoshë. Jo me zjarrin e emocioneve.” Foli gjithë kurajo e na dha shpresë: “Por pas marsit kobzi, vjen prilli heroik.” Na e kujtoi Anton Harapin: “Të huajt kurrë nuk e kanë dëshiru bashkimin tonë.”

Përkujtoi me dhembje dhe admirim, poetin e krahut të thyer të shqiponjës, e tha për Bilal Xhaferin: “Çam me prejardhje. U bë poet i dhimbjeve. Qau për çamët, por qau edhe për Kosovën.”

Nuk do mend se me shpalosjen e mendimeve të tilla, Ramiz Kelmendi u vu në shërbim të një misioni dhe një vizioni prej Rilindasi të vërtetë, mision dhe vizion i cili e përshkon gjithë qenien shqiptare që në zanafillën e vet: liria dhe pavarësia e një kombi, përpaqrimi dhe qytetërimi i tij.

Mospranimi i Ramiz Kelmendit në Akademi!

Në njërën prej intervistave të tij, të titulluar “Letërsia ime është pjellë e padrejtësive të sistemit totalitar”, pyetjes: “Jeni pedagog me shumë vjet përvojë pune. Tash a ndjeni mall dhe dëshirë që të ligjëroni para studentëve?”, Ramiz Kelmendi i është përgjigjur se një gjë e tillë është një mall i përjetësisë. Por, të hysh në botën letrare dhe intelektuale të një kombi si figurë emblematike, të jesh në botën mendore, kulturore dhe shpirtërore të një kombi klasik i gjallë; të rrezatosh dritë, dije, kulturë, paqe, vëllazëri dhe pajtim; të jesh rilindas i kombit të cilit ke krenarinë t’i takosh, të ligjërosh me pasion dhe me përkushtim lëndën kombëtare “Histori e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”, të jesh një nga hartuesit e Apelit të 215-të intelektualëve, të jesh bashkorganizator i Kuvendit për Bashkimin e Pajtimit Kombëtar; të jesh pjesë e një rrugëtimi biblik për tek tubimi historik në Verrat e Llukës, të themelosh dhe të pagëzosh Fakultetin e Gazetarisë me emrin e Princit të gjuhës shqipe Faik Konica, të jesh me shkrimet dhe udhëpërshkrimet, me reportazhet dhe margjinat, me çapitjet dhe kristalet e mendimeve, i pranishëm për më shumë se 60-të vjet rrjesht, nëpër gazeta, revista, libra, monografi e krijimtari letrare të vazhdueshme; të mbledhësh kokrra kripe arbërore e rreze drite - të cilat lexuesi do t’i kërkojë me aq kureshtje, t’ia bësh lexuesit faqet e gazetave dhe të revistave dritare prej kah ai e sheh jetën dhe prej ku e kupton botën më bukur, të ngritesh me aq dinjitet kundër plagëve të shumta e kundër sëmundjes së mendjemadhësisë, kundër kompleksit të kryelartësisë duke i bërë thirrje arsyes dhe modestisë; të bëhesh pjesë e mendimit të përditshëm dhe pjesë e pandarë e ndikimit të përditshëm në jetën dhe në kulturën e kombit të cilit i takon, dhe për të cilin gjakon në mënyrën më të përkryer, do të thotë të ligjërosh përjetësisht.
Pra, të hysh përjetësisht në memorien kulturore të një kombi në njërën anë, dhe në anën tjetër të mos pranohesh për së gjalli e madje as pas shkuarjes në amshim, të mos lejohesh të hysh në portat e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, don të thotë se në vend të mbishkrimit Përjetësisht (i vënë aq denjësisht në Akademinë e Francës), është shkruar aq fatalisht vendimi: Padrejtësisht!
Pa pikën e dyshimi, një vendim i tillë është sa i pakuptueshëm po aq edhe i pajustifukueshëm. Pra, është e papranueshme, është e paimagjinueshme që një krijues i përmasave të tilla të mos pranohet për të gjallë të tij, e mjerisht edhe një vit pas shkuarjes së tij në amshim, anëtar i kësaj Akademie: i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës?!
Prandaj, është e vështirë, tepër e vështirë, jashtëzakonisht e vështirë e gati-gati e pamundur për të kuptuar sesi ka mundësi që një shkrimtar një njeri, një intelektual, një publicist, një pedagog, një shkrimtar, një përkthyes, një veprimtar, një pajtimtar dhe një personalitet i tillë përmasash poliedrike si Ramiz Kelmendi të mos pranohet as dje, e mjerisht as deri sot, në Akademi: në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës?!
Është e vështirë, tepër e vështirë, jashtëzakonisht e vështirë e gati-gati e pamundur për të kuptuar sesi ka mundësi që Njeriu-Libër, Njeriu-Bibliotekë, Njeriu-Institucion, Njeriu-Akademi, të mos jetë pjesë e kësaj Akademie, të mos pranohet në Akademi: në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës?!
Nuk është pranuar!
Nuk është pranuar dhe nuk po pranohet ende, mjerisht as deri më sot, shkrimtari dhe intelektuali, për të cilin studiuesi i përkushtuar i veprës së tij Prend Buzhala, në librin e tij “Klasiku Modern i Tekstit - Letërsia e Ramiz Kelmendit”, me të drejtë ka theksuar:
“Barleti na shfaqet si sinonim i epokës kastriotiane. Kështu është edhe me kronistin Ramiz Kelmendi. Kosova e kaq e kaq kthesave historike, nuk mund të përfytyrohet pa kronikën e tij të gjallë e nëpër dekada.
Nuk themi asgjë të tepruar, po qe se pohojmë se Ramiz Kelmendi është ndër veteranët e rrallë të gjallë të letërsisë shqipe në lëmin e kritikës letrare…gjatë viteve ’90 ai do të publikojë shkrime për autorë të panjohur e të anatemuar në letrat shqipe, për Faik Konicën, Ernest Koliqin, për letërsinë arbëreshe, Lumo Skëndon…

Pse të mos e themi: krijuesi më i mirëfilltë dhe më i plotë i letërsisë shqipe në Kosovë, i veprave dhe i studimeve me frymë humoristike, është pikërisht Ramiz Kelmendi. Gjithsesi, Ramiz Kelmendi është ndër autorët më në zë e më të suksesshëm të satirës dhe të humorit në letërsinë tonë.
Ramiz Kelmendi është ndër të parët prozatorë shqiptarë që thyen skemat e zhanrit të pastër tradicional, ku projekti i tij letrar, na shfaqet mjaft origjinal.
Le të themi se për letërsinë tonë, emri i Ramiz Kelmendit-është i rëndësishëm pikërisht ashtu sikundër janë të rëndësishëm emrat e Servantesit, Rablesë, Erazmit të Roterdamit, Suiftit, Didërosë, Volterit apo Bokaçios për letërsinë europiane; dhe ashtu sikundër janë të rëndësishëm për letërsinë shqipe emrat e Çajupit me komeditë e tij satirike, i Gjergj Fishtës me poemat e tij satirike, i Faik Konicës me “Doktor Gjilpërën…”, i Kristo Floqit me komeditë e tij satirike, Dritëro Agollit me romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, apo i Kolë Jakovës me romanin “Fshati midis ujërave”, e deri te Qamil Buxheli me romanet e tij.”
Ju lutem!
Pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot, përpos për Ismail Kadarenë, për cilin shkrimtar tjetër shqiptar është folur me kaq pietet dhe është thënë kaq shumë në një hapësirë si kjo e fisnikut të fjalës shqipe, profesorit Prend Buzhala?
Ju lutem, cila Akademi e Shkencave dhe Arteve, nuk do të denjonte të ëndërronte që në vitin jubilar të 10-të vjetorit të shtetit të pavarur të Republikës së vet, ta nderonte një kolos të tillë, me fjalë të këtilla monumentale, sa fisnike po aq edhe bujare, të studiuesit Prend Buzhala?!

Kohëve të fundit është folur dhe shkruar shumë, me të vërtetë shumë për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ashtu siç po flitet dhe po shkruhet së fundmi edhe për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë. Megjithatë, të hapësh portat e Akademisë për një krijues vlerash sa origjinale po aq edhe estetiko-letrare e publicistike si Ramiz Kelmendi, ta pranosh atë në gjirin e Akademisë-aty ku e ka pasur dhe ku e ka vendin e merituar, don të thotë të shfaqësh një ndjenjë dhe një vetëdije të lartë qytetërimi, don të thotë të pranosh mendimin monumental të Elena Gjikës se lëvizja politike duhet të priret nga lëvizja kulturore, don të thotë të pranosh me shpirtgjerësi se festës shtetërore i prinë festa kulturore, don të thotë të ngresh në piadestalin e Kosovës-në vitin jubilar të shtetësisë së saj, vargun e artë të Pjetër Bogdanit: “Veshur me diell, mbathur me hënë.”
E them jo pa modesti, e them me kënaqësi si dhe me krenari të ligjshme se të lexosh në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në një solemnitet kulturor fjalët e gdhendura aq bukur dhe po aq domethënëse të shkrimtarit dhe studiuesit të letërsisë Prend Buzhala-për Ramiz Kelmendin, me rastin e shpalljes së mundshme Ramiz Kelmendit Post Mortem: Anëtar Nderi të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, don të thotë sipas fjalëve të Viktor Hygosë “të krahasosh vdekjen me pavdekësinë: sepse në kujtimet tona vdekja gjen lindjen”; don të thotë sipas shkrimtarit Ismail Kadare të përjetosh rilindjen: “Çdo rilindje është gjë e bukur, siç është rilindja e natyrës në pranverë. Kushedi sa e bukur do të ish rilindja e njerëzve pas vdekjes!” (në romanin “Mjergullat e Tiranës”), don të thotë që Kolosit të Heshtur-Ramiz Kelmendit, t’i japësh përmasën që meriton, don të thotë ta gjykosh drejt dhe ta vësh në piadestalin prej ku ai e ka nderuar dhe nderon kombin të cilit i takon.
Njeriu, shkrimtari, publicisti dhe intelektuali për të cilin bashkëkohanikët dhe studiuesit e veprës së tij, janë shprehur me aq respekt dhe admirim, si fjala vjen: “E Përshtypjen e ngjarjes ta len t’gdhendun në shpirt” (Ernest Koliqi), “Ramiz Kelmendi-talenti i tij epik, është gjithsesi, një fizionomi e veçantë letrare, një krijues i formuar dhe me prirje që gëzon një vend të veçantë dhe një emër nderi prej shkrimtari” (Hasan Mekuli), “Pena e tij e Artë! Njëri nga gazetarët e rrallë. Njëri prej prozatorëve të parë të shquar. Njeri dhe Artist. Publicist i shkathët. Militant i të vërtetës. Njëri ndër gazetarët më të mirë shqiptarë në përgjithësi. Dëshmitar historik i popullit të vet. Figurë emblematike e letërsisë shqipe…si njëri prej gazetarëve më të mirë të Kosovës.” (Rexhep Qosja. Dëshmitar në kohë historike (1996-1974), Ditari I, Tiranë, Toena, 2014, fq. 437), “Ky njeri e ka mendjen e kthjellët, e ka penën e artë dhe vullnetin për të punuar. E njoh shumë moti, kam bashkëpunuar me të, sidomos në pajtimin e gjaqeve, edhe kam mësuar shumë prej këtij njeriu të madh e të mirë.” (Dom Lush Gjergji në 80-të vjetorin e lindjes së Ramiz Kelmendit), “Ramiz Kelmendi është edhe mjeshtër, edhe artist, edhe poet, edhe psikolog. Është shkrimtari më i popullarizuar në letrat tona, më i lehtë e më i afrueshëm për të gjitha shtresat e lexuesve. Bir i Rugovës kreshnike, i lindur dhe i rritur në Pejën e Alpeve shqiptare” (kritiku letrar Vehap Shita), “Takimi me këtë shkrimtar mund të thuhet se është një përjetim” (Dr. Agim Vinca), “Ramizi ka Rrënjë të Lisit të Gjakut” (Dr. Zymer Neziri: “Ramiz Kelmendi, 80 vjet jetë të shkrimtarit të madh”), “Ramiz Kelmendi e deshti kombin shqiptar në rrjedhat e kohës moderne.” (Dr. Eqrem Zenelaj), “Unë nga Ramiz Kelmendi kam parë se sa e hirshme është gjuha shqipe. Sa e hyjnueshme. Nga Ai, nga Ti Ramiz Kelmendi mësova se fjala e lirë, e bukur dhe e guximshme rrëzon diktatura e then censura” (Salih Kabashi: “Së paku një dekadë me të shtunat e Ramiz Kelmendit”), “Kelmend nuk u dorëzove!” (Aktori Çun Lajçi), “Diçka është e sigurt: lexuesi s’do të mërzitet kurrë me këtë shtegtar udhëpërshkrues. Dashamir i shtegtimeve në realitet e në imagjinatë. E cili prej nesh s’është i tillë?” (Dr. Abdullah Karajgadiu); “Pjekuria e tregimit tonë.” (Dr. Agim Vinca), “Pjekuri e prozë shqipe” - për tregimet Ahmet Koshutani (Beqir Musliu), “Pasqyrë ngjarjesh dinamike.” (Ali D. Jasiqi për librin Letra prej Ulqini), “Satira e Ramiz Kelmendit është satirë e cila fshikullon me zjarrin e saj përcëllues.” (studiuesi Hashim Baftiari), “Ramiz Kelmendi mbetet një prej figurave kryesore të letërsisë shqipe.” (Alfred Beka), “Një fytyrë shumë e madhe, e ndritur, udhërrëfyese, jep mendimin e tij për të gjithë, na tregon edhe njëherë vijën e duhur të jetës” (INFOPOST), “Gjithë ai mund për të ngritur në këmbë kulturën tonë kombëtare”, krijues për të cilin më në fund është thënë aq bukur dhe në mënyrë aq përmbledhëse, se: “Fjalët çelës të shkrimeve diskursive të autorit, të vështrimeve kritike dhe të studimeve letrare, të botimeve të realizuara në shenjë vlerësimi dhe nderimi për këtë figurë poliedrike të artit letrar, të albanologjisë, të arsimit, të kulturës dhe të gazetarisë shqiptare, të cilat spikaten krahas emrit dhe mbimemrit të autorit, Ramiz Kelmendi, përveç tjerash, janë: shkrimar, letërsi shqipe, prozator, tragimtar, romansier, studiues i letërsisë, kluturë letrare, kritik letrar, gazetar, humourist, satirik, dramaturg, teatër, skenarist, biograf, udhëpërshkrues, hartues e përpilues, panoramist, fejtonist, polemist, publicist, përkthyes, redaktor, etj.” (Dr. Isak Shema: “Homazh për shkrimtarin Ramiz Kelmendi”), pa dyshim një personalitet përmasash të veçanta, i cili meriton epitetet nga më të rrallat: “Një urti e lartë, një kolos i letrave shqipe, figurë poliedrike e pishtar i gjallë i kulturës kombëtare shqiptare, Rilindës i kombit të vet, Tirte i cili me zjarrin e fjalës shqipe ka gjakuar për një atdhe të lirë e të bashkuar, Alberto Moravia i letrave shqipe, Luigji Pirandelo i romanit satirik shqiptar, Balzaku shqiptar-me më shumë libra të shkruara e të përkthyera sesa vite jete mbi supet e tij;Sokol Halili i Letrave Shqipe” (Xhemail Peci)…
Këto mendime dhe këto citime mendimesh e vlerësmesh të përzgjedhura, mjaftojnë për të dëshmuar se romansieri, udhëpërshkruesi e bukurshkruesi i tyre, pena elegante e fejtonistikës shqiptare, e reportazhit dhe e kronikës, e dramës, melodramës dhe radiodramës, na la veprën e tij të madhe letrare dhe publicistike si një trashëgimi përjetësie prej visaresh e thesaresh të kulturës sonë kombëtare, të kulturës sonë mendore dhe shpirtërore.

E ai as për të gjallë të tij, e mjerisht as pas shkruarjes së tij në amshim një vit më parë, nuk ka qenë dhe nuk është ende, anëtar i Akademisë: i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës?!
Sinqerisht, është e pakuptueshme, është e pajustifukueshme, është e patolerueshme, është e tmerrshme, është e mnershme, është e errshme që një individualitet i tillë krijues dhe një personalitet i tillë poliedrik, të mos jetë pjesë e Akademisë, ashtu siç është njëlloj pakuptueshme, është e pajustifukueshme, është e patolerueshme, e tmerrshme, e mnershme dhe e errshme, ndalesa përkatësisht përjashtimi që u bëhet personalitetetve të kulturës në Kosovë, me kodin kufizues sa dhe të përçudshëm të moshës 65 vjeçare, kur dihet mirëfilli se fjala vjen, Gëte apo edhe De Rada shkruan kryeveprat e tyre edhe përtej të 80-tave. Pra, mendja intelektuale punon edhe pas moshës 65 vjeçare, kurse misioni dhe vizioni të cilin koha dhe epoka ua ka ngarkuar njerëzve të kulturës, nuk e njohin një përjashtim të tillë tërësisht të papranueshëm, ashtu siç nuk e kanë njohur historikisht dhe nuk e njohin as aktualisht atë institucion i cili quhet: pension!
Në letrat shqipe, është e njohur zemër-klithja: “Kur e dënuam me 80 vjet burg Vinçenc Prenushin, ai ishte 76 vjeç!”
E tillë është edhe zemër-klithja tjetër: Kur nuk e pranuam Ramiz Kelmendin në Akademi, ai ishte 86 vjeç!
Njësoj e pakuptueshme, e pajustifukueshme, e patolerueshme e tmerrshme, e mnershme dhe e errshme është edhe shuma mujore prej 75 eurove, me të cilën janë flakur në pension intelektualët dhe personalitetet e mirëfillta krijuese, të cilët Kosovës ia kanë falur djersën e ballit dhe mundin e tyre për dekada të tëra.
Akademia dhe shoqëria e Kosovës, duhet që sa më parë ta shfuqizojnë ligjin për moshën 65 vjeçare, si dhe shumën mujore të pensionit prej 75 eurove!

Nuk ka dyshim se gjëra si këto, për të cilat Gogoli në fund të Revizorit të tij do të shkruante: “S’ka skenë!”, nuk i shkojnë as Kosovës vigane e as Kosovës sovrane, sepse zhvillimi dhe përparimi gjithmonë janë të udhëhequra nga motivimi dhe jo nga përjashtimi, jo nga ndalimi, jo nga injorimi, jo nga përbuzja…
Këto gjëra, të cilat vetvetiu janë të papranueshme, po dëshmojnë se Kosovës së pasluftës po i mungon kaq shumë, një nga shtyllat e shoqërive të qytetëruara, Kontrata Sociale, përkatësisht barazia shoqërore, e proklamuar aq shumë nga Zhan Zhak Ruso: Të gjithë njerëzit duhet të jenë të barabartë! E rrjedhimisht, edhe shqiptarët! Sepse mjerimi ekonomik e pamundëson faktorizimin politik të shqiptarëve. Varfëria e shkallmon dhe e skllavëron njeriun, e degradon atë skajshmërisht. Varfëria njeriut ia rrëmben aq padrejtësisht gëzimin e të qenunin i lirë, dhe si e tillë varfëria (sidomos ajo e skajshme) është e papranueshme sepse njeriun e kthen në një kufomë të gjallë…
Është e papranueshme, sepse të gjitha luftërat e parreshtura që ka bërë kombi shqiptar në përpjekjet e tij titanike për çlirim, i ka bërë për liri kombëtare dhe barazi e mirëqenie shoqërore. Në mbretërinë e fjalës së shkruar, ka thënë Miltoni, e vërteta është një burim në rrjedhje. Le të jetë pra, edhe mirëqenia në mbretërinë e kësaj fjale, një burim në rrjedhje. Le të ketë pra për të gjithë, sepse edhe ata që privohen nga një e drejtë themelore sa e natyrshme po aq edhe shoqërore, janë mish nga mishi ynë, janë gjak nga gjaku ynë!...
***
Në mënyrë që “Republika e Letrave” të mos molepset, kombet e qytetëruara janë kujtuar me kohë, për të vlerësuar drejt dhe lart figurat e tyre eminenete.

Ramiz Kelmendi mbetet një kolos i heshtur. Prandaj, sërish shtrojmë pyetjen: Cila Akademi nuk do ta kishte lakmi për ta pasur një kolos të tillë në gjrin e saj? Ndonëse me shumë vonesë, atij më në fund duhet t’i hapen dhe patjetër që do t’i hapen portat e Akademisë: jo pse Ramiz Kelmendi ka nevojë për Akademinë, por pse Akademia ka nevojë për Ramiz Kelmendin.
Pra, jo pse Ramiz Kelmendi ka nevojë për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, por pse kultura shqiptare ka nevojë për Ramiz Kelmendin në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Ramiz Kelmendi do të duhej të pranohej në Akademi, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për veprat e tij të veçanta letrare, më të cilat ai dëshmoi prirje dhe prurje të reja moderne, si romani “Heshtja e armëve” (porosia e së cilës është aktuale edhe sot, sepse ai qe një ndër shkrimtarët e rrallë i cili porosinë e tij të madhe nga vepra e tij letrare për të heshtur armët e për të falur zemrat - në mënyrë që të flasin librat dhe jo krismat e pushkëve vëllavrasëse, e nxori nga romani në praktikë, gjithandej në Aksionin Gjithëkombëtar të Pajtimit të Gjaqeve - të cilin me të drejtë e pagëzoi si një UÇK në vete: brenda dhe jashtë Kosovës që nga tubimi madhështor tek Verrat e Llukës); për romanin satirik “Shtatë persona ndjekin autorin”, për një ndër kryeveprat që ka të bëjë me luftën e penave “Fytyra dhe turinj: Polemika në letrat shqipe”, për satirën e famshme “Letra prej Ulqini” (aq aktuale edhe sot për shkak të mohimit të vazhdueshëm që po i bëhet gjuhës shqipe në Mal të Zi e në Maqedoni) për veprën tjetër “Kokrra kripe”, për dramën “Dantes nuk ka kush t’i shkruajë”, për fejtonet e tij si perla të papërsëritshme të publicistikës shqiptare, e në mënyrë të veçantë për përkthimet e tij.
Në rast se do të kërkohej një parashtresë e veçantë për propozimin në Akademi-në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, atëherë do të mjaftonte vetëm ky fragment nga studiuesi Prend Buzhala, për të arsyetuar pranimin e Ramiz Kelmendit në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, qoftë edhe vetëm si përkthyes i jashtëzakonshëm e me fuqi titanike:
“Me këtë rast do veçuar prirjen tjetër të Ramiz Kelmendit: që të përkthejë autorë e vepra që kanë vlera të shquara letrare, si dhe vepra publicistike që kanë rëndësi për të vërtetën shqiptare. Po qe se ndalojmë për një çast dhe bëjmë një përqasje kohësh, dje dhe sot, do thënë se veprimi i këtyre autorëve e veprave lexuesit shqiptar, nga ana e Ramiz Kelmendit, e ka luajtur rolin e vet të jashtëzakonshëm e të shumëfishtë kulturor dhe historiko-letrar. Nëse tek mbas viteve ’90 e këndej përkthyes të shumtë nga Shqipëria ia ofrojnë publikut tonë veprat e autorëve botërorë, këto vlera estetike e letrare lexuesi shqiptar i Kosovës i kishte përjetuar disa dekada më parë. Së këndejmi, edhe një emancipim estetik. Dhe një histori e receptimit letrar, nesër, nuk do të mund të shkruhej, pa evidentimin dhe zbërthimin e kësaj pune, pse jo, edhe titanike, të Ramiz Kelmendit. Mirëpo, ndryshe, nga përkthyesit e shumtë të sotëm që i hasim në institucione me peshë, që kanë mbushur qarqet e autoritetshme me të huaj, apo që përkthejnë çfarëdo materiali politik, apo duke përkthyer ligje, dokumente, shkresa, me përmbajtje qytetare, demokratike, apo kulturore, politike etj.etj; Ramiz Kelmendi ka lëshuar që moti thirrmën e tij për njohjen e shqipes standarde, për vjeljen e pasurisë frazeologjike të saj, për pasurimin e frazës me regjistra të pasur leksikorë. Sado që të gjitha veprat e autorët janë përkthyer nga gjuhët kroate e serbe, megjithatë, lexuesi do të vërejë prirjen e Ramiz Kelmendit për t’i dhënë veprës artin e tij të thënies; e ku gjuha fiton në dinamikë, me forcën e komunikimit artistik. Ndryshe, Ramiz Kelmendi nuk do t’ia kishte arritur kësaj krijimtarie kaq të përgjegjshme, sikur të mos e kishte kultivuar me aq kujdes njohjen e kulturës, psikologjisë, historisë e trashëgimisë së atij populli, prej nga vjen vepra me autroin e saj. Ndërkëmbimi, në këso rastesh, arrihet i plotë, i ndërmjetvetshëm: së andejmi merr kodet e fshehta të vlerave gjuhësore, së këndejmi ato mveshen me shpirtin e filozofisë gjuhësore të kombit tonë. Nuk është e habtishme, prandaj, përse Heminguej, apo tregimtarët amerikanë, autorë të shuqar botërorë si Xhek London, Danillo Kish, Franc Kafka, Gabriel Garsia Markez, Milan Kundera, Ranko Marinkoviq (shkrimtar kroat), Gynter Grass, Ernesto Sabato, Karlos Kastaneda, Mesha Selimoviq (shkrimtar boshnjak), Natali Sarrot, Zhan Pol Sartër, Miroslav Kërlezha, Albert Kamy etj., ligjërojnë e flasin shqip me qartësi, me finesë, me kthjelltësi, me thellësi përshkrimi, e meditimi, me nuancat aq të ndjeshme stilistike që mund të hasen tek vepra origjinale. Kësisoji, veprat e autorëve të shquar europianë, amerikanë, jugosllavë e të regjioneve të tjera gjuhësore, sado që vinin nëpërmes përkthimit të një gjuhe të dytë, ato po sillnin tek lexuesi ynë vlerën dinamike të shqipes, në një anë, ndikimin jashtëzakonisht produktiv tek krijuesit letrar për të njohur vlera të epërme artistike, nga ana tjetër. Shqipja po gjallërohej, po hynte në radhët e vlerave të përbotshme!...Në tryezën e lexuesit shqiptar bota po komunikonte lirshëm dhe natyrshëm, me ato shtrëngesa e pengesa të kohës: mungonte përkthyesi i specializuar nga gjuhët europerëndimore apo orientale…
Këtë mungesë institucionale, po e mbushullonte me punën e tij titanike në lëmin e përkthimeve, kush tjetër - pos vetë shkrimtarit tonë Ramiz Kelmendi!” (Prend Buzhala: “Klasiku modern i tekstit. Letërsia e Ramiz Kelmendit”, Rozafa, Prishtinë, 2013, f. 21-24)
Pra, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, nuk e ka parë të arsyeshme, nuk e ka parë të udhës, nuk e ka marrë në konsideratë një krijues kaq të gjithanshëm!
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, nuk e ka pranuar në gjrin e saj, as dje e as deri sot, krijuesin e dhuntisë së rrallë, i cili në jetën e tij ka pasur shumë më shumë vepra të shkruara dhe të përkthyera sesa që ka pasur vite jete përmbi supet e tij!
Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, sikur nuk i ka bërë përshtypje as cilësia e madje as sasia e veprës së këtij kolosit të heshtur; as shifrat dhe as faktet e veprave të botuara, madje nuk i ka bërë përshtypje as sa ka qenë gjallë Ramiz Kelmendi, e madje as pas shkuarjes së tij në amshim!
Sinqerisht, për asnjë arsye dhe në asnjë rrethanë, nuk do të dëshironim që veçmas në Kosovën e pasluftës, të na ri-shfaqej sërish ajo zemër-klithja e njohur e Mitrush Kutelit në Testamentin e tij: “Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi.”
Në Akademi - dhe jo vetëm në Akademi, nuk duhet të ketë as zili e as xhelozi, nuk duhet kurrsesi që kriteret akademike t’u nënshtrohen kritereve politike, sepse siç ka shkruar Harold Nikolson për betejat e Sent-Bevit në Akademinë e Francës: “acidi i xhelozisë shndërohet në një helm aktiv!”
Fatkeqësisht, në Akademi duket sikur ka më shumë melankoli për të kaluarën sesa simpati për të tashmen, pra sikur ka më shumë nostalgji për normat e ngurta të nomenklaturës të së kaluarës moniste sesa gatishmëri për ripërtëritjen e radhëve me emra të rinj, me vrull të ri, me energji të reja dhe të denja krijuese, shkencore, letrare, artistike, kulturore dhe akademike.
Sinqerisht, mospranimi në Akademi-në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i një numri intelektualësh të shquar të Kosovës të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyera në kulturën tonë, është sa një çudi e pabesueshme po aq edhe e paspjegueshme, e cila më shumë se një letargji apo kllapi e habitshme, sikur më shumë ka të bëjë me një katandi të hedhjes fall për të zgjedhur anëtarët sesa për t’i ripërtërirë denjësisht radhët, sepse siç ka shkruar Cvajgu: “Natyrat despotike nuk i durojnë këshilltarët, dhe se çdo institucion merr gjithmonë atë formë që ia jep njëri apo tjetri, kurse veprat e mëdha dhe fisnike gjithmonë i bashkojnë njerëzit.”

Mjerisht, siç duket edhe me meritat akademike ndodh ashtu si me vetë fatin e librave, për të cilat Xhon Miltoni ka thënë aq bukur “Librat janë monumentet e mendjes dhe të dijes njerëzore, por nuk duhet të na bëjë habi fakti se heshtja u është imponuar më shpesh librave të mirë sesa atyre të këqinj.”
Ndërkaq, vetë fakti shqetësues për një qëndrim thellësisht përjashtues nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për mendjet e mirëfillta akademike të Kosovës, vetvetiu e shtron një pyetje akoma më shqetësuese se me të vërtetë, a mund të jetë kështu Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në mënyrë të mirëfilltë dhe të denjë: Akademi e Shkencave dhe Arteve të Kosovës?!
Sidoqoftë, sipas të dhënave që ka ofruar studiuesi Prend Buzhala në fund të librit të tij kushtuar krijimtarisë së Ramiz Kelmendit (e botuar kryesisht në Prishtinë), vëllimet e përkthyera me tregime ngërthejnë një numër të konsiderueshëm faqesh.
Tregimet. Ernest Heminguej: Plaku e deti dhe tregime të tjera (336 faqe), Tregime moderne amerikane (336 faqe), Xhejms M. Bari: Pjetër Pani (100 faqe), Prezhihov Voranc, Mundqarët. (210 faqe), Ranko Marinkoviq: Duart (264 faqe), Mishko Kranjac: Novela (269 faqe), Antonije Isakoviq: Fieri dhe zjarri (265 faqe), Juri Kazakov: Adami dhe Eva (221 faqe), Danillo Kish: Enciklopedia e të vdekurve (180 faqe). Gjithsej 2181 faqe.
Romanet e përkthyera ngërthejnë gjithashtu një numër të madh faqesh. Franc Kafka: Procesi (236 faqe), Mihail Sadovenau: Dega e Artë (213 faqe), Gabriel Garsai Markez: Njëqind vjet vetmi (437 faqe), Milan Kundera: Shakaja (357 faqe), Xhorxh Oruel: 1984 (341 faqe), Ranko Marinkoviq: Banja e përbashkët (190 faqe), Gynter Grass: Daullja e llamarintë I-II (I-391 faqe & II-343 faqe), Oskar Daviço: Fshehtësitë (495 faqe), Karlos Kastaneda: Dhuntia e shqiponjës (321 faqe), Ernesto Sabato: Mbi heronjtë dhe varrezat (613 faqe). Gjithsej 3937 faqe.
Drama. Zhan-Pol Sartër: Duart e ndyta (261 faqe), Zhan-Pol Sartër: Katër drama (bashkë me Eqrem Bashën)-308 faqe, Mirolsav Kërlezha: Golgota (156 faqe). Gjithsej 725 faqe.
Publicistika. Svetozar Markoviq: Serbia në Lindje (142 faqe), Karlo Shtajner: Kthimi nga Gulagu (364 faqe). Gjithsej 506 faqe.
Vepra letrare e Ramiz Kelmendit përfshinë vëllimet me tregime: Vija e vrragë (160 faqe), Dy rrëfime (97 faqe), Ahmet Koshutani (110 faqe), Abrakadabra (277 faqe). Gjithsej 644 faqe; Letra prej Ulqini (satira)-100 faqe, Njerëzit dhe kërmijtë (94 faqe), Suzana (120 faqe). Gjithejt: 314 faqe; Romanet: Heshtja e armëve (195 faqe), Shtatë persona ndjekin autorin (257 faqe). Gjithsej 452 faqe; Udhëpërshkrime: Rrugët (212 faqe), Shtegtimet e mia (276 faqe). Gjithsej 488 faqe; Lojëra skenike: Kapuç me mëngë (339 faqe); Monografi: Tregimi ynë humoristiko-satirik (1944-1974)-134 faqe; Nga ditari im (kujtime) - 310 faqe. Gjithsej 783 faqe.
Përpilimet përfshijnë: Tregime të sotme shqiptare (755 faqe), Josip V. Rela: Vepra I-II (I-551 faqe & II-289 faqe), Femrat shkruajnë (246 faqe) Adelina Mamaqi: Ëndrra vashërie (109 faqe), Ismail Kadare: Qyteti i jugut (165 faqe), Teodor Laço: Tregime (174 faqe), Thoma Kacorri: Tregimet e jugut (165 faqe). Gjithsej 2454 faqe; Redaktura: Strejo Spasse: Vepra të Plota, 8-të vëllime, mbi 2.000 faqe. Pra, kemi gjithsejt: 14,484 faqe, duke shtuar edhe redaktimet e tjera, si: Marin Barleti: Historia e Skëndërbeut & Aleksandër Stipqeviq: Ilirët; Ali Harshova: Bashkëluftëtarët e Skënderbeut, Dimitrije Tucoviq: Serbia dhe shqiptarët; Biblioteka e Xhepit (në 20-të vëllime), Romani shqiptar (në 10-të vëllime); Shekspiri, kompleti i veprave në 10-të vëllime; Bashkautor në botimin e veprave të Shtjefën Gjeqovit-Kryeziu: Vepra I-IV, Prishtinë 1985: I-188, II-306, III-308, IV-332…
Pra, pa përmendur shkrimet e ndryshme dhe punën si bashkautor në hartimin e teksteve shkollore apo përpilime të ndryshme të antologjive letrare, pa përmendur vështrimet, artikujt, esetë, opinionet, kritikat dhe recesnsionet, reportazhet, radio-dramat dhe dramat televizive, skenarët për filmat artistik, tekstet shkollore, fejtonet Femrat tona prijatare: në 10-të vazhdime, “Kosovarja”, Pr. 1983/84; Polemika në letrat shqipe, “Rilindja”, Prishtinë, 6 korrik 1983-26 gusht 1983; Letërkëmbimi ynë në shekuj, 18-të vazhdime, “Zëri i rinisë”, Prishtinë, tetor 1983-shkurt 1984; Letra autografe, 13-të vazhdime, “Fjala”, Prishtinë prill-tetor 1985; Amazona shqiptare Marije Shllaku, 16-të vazhdime, “Zëri”, Prishtinë: 21 nëntor 2009 deri më 10 dhjetor 2009; Dosja SH (rreth 30-të vazhdime, dosje për shkrimtarët shqiptarë, nga vjeshta 1996 deri në pranverë 1997); kolumnet e shumta (si Reflekse, Margjina, Çapitjet midis rreshtave, Çapitje të reja, apo edhe Në majë të penës - seri kolumnesh gjatë vitit 1999-2000 në gazetën “Kosova Sot”; Fletëza të shkëputura, “Epoka e Re” tetor-nëntor 2010; Shkrimtarët, tek “Epoka e Re” maj-qershor 2011)…për vite të tëra në gazetat “Rilindja” dhe “Shkëndija”, intervistat e shumta…
Nuk do mend se një faktografi e tillë e vërteton epitetin e studiuesit të tij të përkushtuar Prend Buzhala, për Ramiz Kelmendit si titan i përkthimeve. Ndërkaq, vetë Ramiz Kelemndi me prirjen dhe zellin e tij prej përkthyesi na kujton thënien e njohur se historia e qytetërimit është histori e përkthimit. Me dhuntinë e letrare ai na e përkujton faktin e pranuar botërisht se letërsia është princesha e qytetërimeve, kurse vetë fakti se një njeri ka shkruar me dorën e tij përmbi 20,000 faqe, vetvetiu flet për një kolos të mirëfilltë.
Pra, nuk ka dyshim se Ramiz Kelmendi është vetë vizioni i një mendjeje të kthjellët e të një njeriu plot pasion. Falë talentit të tij dhe energjisë krijuese, ne kemi një thesar të tërë shkrimesh nga pena e tij e mprehtë e me një shkathtësi plot ironi magjepëse, plot sarkazëm therrëse.


Si alkimistët, të cilët me artin e tyre fisnik çdo gjë e shndërojnë në ar, edhe shkrimtari është vetë magjistari i fjalës, kurse në mënyrë të veçantë tek Ramiz Kelmendi qartësia e arsyes shkoi deri në një përkryerje prej diamanti.
Ishte dora e tij e sigurt ajo që diti të mbante një penë elegante, e cila mblodhi si një bletë e kujdesshme e gjithë zell, hoje mjalte në stilin e tij të rrallë dhe që shpalosi një vetëdije të re, sa kombëtare po aq edhe shoqërore.
Ramiz Kelmendi e ka ditur shumë mirë se pushteti të jep ekstazë kurse arti frymëzim, prandaj është e kuptueshme pse nuk ia ka varur shumë politikës dhe nuk ka vrapuar pas saj.
Nuk është pra rastësi që ai rendi pas artit sepse nëpër shekujt letrarë ai gjeti bashkudhëtarët e tij të përjetshëm.
Ramiz Kelmendi nuk është dhënë pas politikës sepse ai e ka ditur se shkëlqimi i politikës, shpesh është i rrejshëm dhe, si i tillë i përkohshëm, kurse dhuntia letrare është një shkëlqim i hirshëm dhe i përjetshëm.
Me një etje të pashuar dhe me një gjakim të rrallë ai u fut në thellësitë e shekujve letrarë, por edhe u vu në kërkim të gurrave të frymëzimit. Letrat dhe arti i bukur e magjik i të shkruarit, për të mbeten, siç e tha aq bukur “kroje galdimi”, dhe se një krijues përmasash të tilla, u fali atyre një vesk të veçantë e gjithë rreshk bukurie.
Pa dyshim, një dhunti e rrallë me një zell gati-gati të shenjtë, por ja që Akademia i ka bërë dhe i bën një përjashtim tepër të pavend, edhe pse ai mbeti i tillë - pikërisht ashtu siç do të shkruante Franc Kafka në Ditarët e tij:
“Unë jam kujtesa e gjallë prandaj nuk mundem të përgjumem kurrë…”
Kujtesë e gjallë e klasiku modern i letërsisë shqipe, për të cilin mund të thuhet njëlloj siç ka thënë edhe Dora Diamanti (dashuria e fundit e Kafkës) për shkrimtarin e madh:
“Për Francin letërsia ishte diçka e shenjtë, absolute, e pakorruptueshme, diçka e madhërishme, e dëlirë… Ai nuk dëshironte vetëm të futej në thellësi. Ai ishte në thellësi.”
Dhe sërish thirrja është po nga Ditarët që na la Kafka:
“Shkëlqimi përgjithmonë qëndron në pritë në lidhje me secilin prej nesh në të gjithë plotninë e tij, por i mbuluar nga pikëpamje të thella, të padukshme. Ai është atje, jo armiqësor, jo ngurrues, i gatshëm. Në qoftë se ju e thërrisni atë me fjalën e duhur, me emrin e tij të drejtë, ai do të vijë. Kjo është esenca e magjisë, e cila nuk krijon, por fton.”
(vazhdon...)

Xhemail Peci

Janar, 2018

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 421 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi