Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
THIRRJE PËR TA SHPALLUR SHKRIMTARIN DHE PUBLICISTIN RAMIZ KELMENDI, ANËTAR NDERI TË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS (POST MORTEM)
Publikuar më 25 shkurt, 2018 në orën 21:25 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
PJESA E DYTE

III. THIRRJE

Pikërisht duke u nisur nga pikëpamja e argumenteve të parashtruara si më lart, bëjmë THIRRJE që në 10-të vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, shkrimtari dhe publicisti Ramiz Kelmendi:
I.Të nderohet me Medaljen Presidenciale Jubilare për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
II. Të shpallet me ceromoni zyrtare Post Mortem: Anëtar Nderi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
III. Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës, të formojë Çmimin Letrar Gjithëkombëtar “Ramiz Kelmendi” (Talenti i Tij Epik dhe Pena e Tij e Artë).

IV. Teatri Kombëtar i Kosovës ta vë Bustin e Ramiz Kelmendit në foajeun e tij - pikërisht sipas mendimit të Viktor Hygosë, mendim të cilin Ramiz Kelmendi e citonte shpesh: “Artisti, thonë, krijon me gjallje bazamentin e përmendores së vet, ndërsa ardhmëria është ajo, që ia vë (ose jo) bustin.” Gjithashtu, Teatri Kombëtar i Kosovës t’i përfshijë në reportoarin e tij dramat e Ramiz Kelmendit, në mënyrë të veçantë njërën nga kryeveprat dramaturgjike: “Dantes s’ka kush t’i shkruajë!”
V. Ringsi, vendi prej ku së fundi ai e kundroi dhe e shijoi jetën aq shumë, dëshmoi një akt të denjë fisnikërie dhe bujarie, duke vu portretin e shkrimtarit në vendin ku ulej ai. Aty e gjenim dhe e takonim gjithmonë duke shfletuar faqet e gazetave dhe duke kujtuar fjalët e Ernest Koliqit: “Më ka marrë malli i stampës”…Ky ogur i bardhë e ky shembull i lartë nderimi dhe qytetërimi, urojmë dhe shpresojmë shumë se do të pasohet edhe nga Restoranti “Pishat” në Prishtinë, duke vënë mbishkrimin: Tavolina e shkrimtarit Ramiz Kelmendi, vend ky ku do të mblidheshin shkrimtarët në ditëlindjen e tij në çdo 20-të dhjetor, për të shtruar sofrën e fund-vitit dhe, në shenjë kujtimi e nderimi për shkrimtarin e dhuntisë së rrallë krijuese, kjo sofër e shtruar të pagëzohet: Dreka e Ramizit…Ringsi nderoi Ramizin me një simbolikë sa të veçantë po aq edhe domethënëse, dhe në këtë nderim u mishërua sërish: Rilindja, e Ulqini-vendlindja e tij letrare, nëpërmjet profesorit të nderuar Mehmet Bardhi, e dha fjalën për ta shpallur Ramiz Kelmendin: Qytetar Nderi…
VI.Të formohet një Komision i udhëhequr nga Dr. Zymer Ujkan Neziri dhe studiuesi Prend Buzhala, për botimin e plotë të veprës letrare dhe publicsitike të Ramiz Kelmendit, dhe se ky botim duhet të bëhet në mënyrë institucionale…
Pra, në njëvjetorin e shkuarjes në amshim të Ramiz Kelmendit, sërish e përsërisim THIRRJEN që të botohet E PLOTË vepra letrare dhe publicistike e tij, sepse me përkushtimin e tij të veçantë, Ramiz Kelmendi përveç tjerash, ka përpiluar veprën letrare të Josip Relës - në dy vëllime, veprën letrare të Fran Anton Santorit - në dy vëllime, veprën e Shtjefën Konstantin Gjeçovit - në katër vëllime, veprat e plota të Sterjo Spasses - në tetë vëllime; veprën e Marin Barletit “Historia e Skëndërbeut”, veprën e ilirologut Aleksandër Stipçeviq “Ilirët”, veprën e shkrimtarit Ali Harshova “Bashkëluftëtarët e Skëndërbeut”, serinë e botimeve Biblioteka e Xhepit - në 20-të vëllime, serinë Romani Shqiptar - në 10-të vëllime, si dhe kompletin e veprave të shkrimtarit të madh anglez Uilliam Shekspirit - në 10-të vëllime...
Mjaftojnë këto fakte për të dëshmuar se Ramiz Kelmendit i kemi borxh. Kosova ia ka borxh Ramiz Kelmendit nderimin e plotë. Republika e Kosovës ia ka borxh Republikës së Letrave Shqipe, ku pa dyshim se Ramiz Kelmendi zë një vend meritor. Prandaj, BOTIMI I PLOTË i veprës letrare dhe publicistike të Ramiz Kelmendit është domosdoshmëri, sepse kjo vepër paraqet një thesar të madh letrar e kulturor, një thesar të rrallë mendor dhe shpirtëror, dhe se duke shpresuar në përkrahjen institucionale për këtë nismë, kjo VEPËR E PLOTË do të mund të botohej, përafërsisht me këtë renditje:

I

Vepra letrare dhe publicsitike e Ramiz Kelmendit
1. Vija e vrragë & Dy rrëfime
2. Ahmet Koshutani & Njerëzit dhe kërmijtë
3. Heshtja e armëve
4. Shtatë persona ndjekin autorin
5. Kapuç me mëngë
6. Letra prej Ulqini & Suzana
& Tregimi ynë humoristiko-satirik
7. Kokrra kripe
8. Fytyra dhe turinj (Polemika në letrat shqipe)
9. Kritikë letrare
10. Publicistikë & Kolumne
11. Këshhtu foli Kadareja
12. Fejtonistikë (Rilindja Kombëtare Shqiptare)
13. Rrugët
14. Shtegtimet e mia
15. Shqipëria e Marie Shllakut
16. Radiodrama & Drama televizive
17. Kulturë shkrimi dhe të foluri shqip (I-II)
18. Antologji (Përkthime, Përpilime, Parathënie)
19. Intervista
20. Nga ditari im (Kujtime)

II

Vepra të përkthyera nga Ramiz Kelmendi

Vëllime me tregime

21. Ernest Heminguej: Plaku e deti dhe tregime të tjera
22. Tregime moderne amerikane
23. Xhejms M. Bari: Pjetër Pani
24. Prezhihov Voranc: Mundqarët
25. Xhek London: Jehu i egërsisrës
26. Juri Kazakov: Adami dhe Eva
27. Danillo Kish: Enciklopedia e të vdekurve

Romane
28. Franc Kafka: Procesi
29. Mihail Sadoveanu: Dega e artë
30. Gabriel Garsia Markes: Njëqind vjet vetmi
31. Milan Kundera: Shakaja
32. Xhorxh Oruell: 1984
33. Gynter Gras: Daullja e llamarintë I-II
34. Oskar Daviço: Fshehtësitë
35. Karlos Kastaneda: Dhuntia e shqiponjës
36. Ernesto Sabato: Mbi heronjtë dhe varrezat
37. Hana Dalipi: Një fundjavë te nëna
38. Natali Sarot: Portreti i të panjohuri

Drama
39. Zhan-Pol Sartër: Duart e ndyta
40. Zhan-Pol Sartër: Katër drama
41. Albert Kamy: Kaligula
42. Domenik Smole: Antigona

Publicistikë
43. Karlo Shtajner: Kthimi nga Gulagu

Përpilime
44. Tregime të sotme shqiptare
45. Femrat shkruajnë
46. Adelina Mamaqi: Ëndrra vashërie
47. Ismail Kadare: Qyteti i jugut
48. Teodor Laço: Tregime
49. Thoma Kacorri: Tregimet e jugut
50. Anastas Kondo: Kio
51. Josip V. Rela: Vepra I-II
52. Frano Anton Santori: Emira & Lekë Dugagjini

III

Studime për veprën letrare dhe publicistike të Ramiz Kelmendit
53. Prend Buzhala: Klasiku modern i tekstit

(Letërsia e Ramiz Kelmendit)
54. Hashim Baftiari: Ramiz Kelmendi (humorist dhe satirik)
55. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi-Sokol Halili i letrave shqipe
56. Xhemail Peci: E bukura dhe e madhërishmja në penën e Ramiz Kelmendit
57. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi dhe Sibila e Ulqinit
58. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi dhe porosia e tij e madhe (Faik Konica)
59. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi për shkrimin dhe shkrimtarët
60. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi dhe pagëzimi më i bukur në letrat shqipe
61. Ramiz Kelmendi: Një shekull dije dhe drite
62. Nga nëntori në nëntor. Një përvjetor arbëror
63. Ramiz Kelmendi dhe Rugova
64. Shkrimtari dhe sytë e Mona Lizës
65. Ahmet Koshutani: (Vështrim krahasimtar: Konica, Koliqi, Kuteli, Kadare, Kafka, Kavabata, Kelmendi)
66. Biografi dhe bibliografi

Pas zhvillimeve demokratike në Shqipëri, pra pas vitit 1992, ashtu sikurse edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999, janë botuar e ribotuar kompletet e veprave të një numri të konsiderueshëm të poetëve dhe shkrimtarëve të traditës, ashtu sikurse janë botuar edhe ato të poetëve, të shkrimtarëve e të akademikëve të periudhës moderne të letërsisë e të kulturës sonë. Prandaj, rrjedhimisht shtrohet pyetja: pse të mos botohet edhe krijimtaria e plotë e Ramiz Kelmendit?!

IV. RAMIZ KELMENDI-QYTETAR I BOTËS

Titulli më i bukur, pas atij të mbretit të Francës
Lidhur me fjalën e rastit për shkrimtarin e madh, Viktor Hygo në mes tjerash ka mbajtur këto shënime, titulluar “Vdekja e Balzakut”:
“Kishim diskutuar mjaft për politikë. Ai më qortonte “demoragogjinë time”. Ishte legjitimist. Më thoshte: “Si keni mundur të hiqni dorë me aq qetësi ndaj titullit të të parit të Francës, më i bukuri pas atij të mbretit të Francës!”
***
Infermerja më tha: “Do të vdesë në agim”.
Zbrita përsëri, duke e mbajtur të ngulitur në mendje atë figurë të murrëlyer. Duke përshkuar sallonin e pritjes, pashë përsëri bustin e palëvizshëm, të patundur, kryelartë, fisnikë e të ndriçuar vagëllimthi dhe krahasova vdekjen me pavdekshmërinë.
***
Ndërsa flisja, dielli po perëndonte. Krejt Parisi m’u shfaq në largësi, në mjegullën e shëndritshme të muzgut…
***
Ministri i Brendshëm, Barosh, mori pjesë në varrim. Ishte në kishë, pranë meje, përapara katafalkut dhe herë pas here më drejtonte fjalën. Më tha:
-Ishte një njeri i rëndësishëm.
Unë iu përgjigja:
-Ishte një gjeni.
Kortezhi përshkoi Parisin dhe arriti, nga bulearded, tek Per Lazhes. Binin pika shiu, qoftë kur u nisëm nga kisha, qoftë kur mbërritëm në varrezë. Ishte një prej atyre ditëve kur duket sikur qielli derdh lot.
E bëmë në këmbë të gjithë rrugën. Unë ecja në të djathtë, në krye të arkivolit, duke mbrojtur njërën prej lëndëve të argjendta të baldakinit, Aleksandër Dymaja nga ana tjetër.
***
E pashë në profil: i ngjante perandorit…Nga ky çast, sytë do të kthehen jo më nga pushtetarët, por nga dijetarët…”

Një Urti e Lartë
Ramiz Kelmendi, ishte dhe mbeti një shkrimtar i rëndësishëm. Ai ishte njeri i kryeqyteteve, siç tha me aq pietet shkrimtarja Natasha Lako. Gjithsesi, ai ishte: Një Urti e Lartë!
Ky Nestor i urtë e “njeriu i letrave përballë përbuzjes” (siç e kanë quajtur me të drejtë), kërkoi kronikat e shpalosura në ballin e kohës. Kërkoi dhe i gjeti në thellësinë e shekujve letrarë.
Poeti i madh Rainer Maria Rilke në esenë e tij për August Rodinin, ka shkruar se skulptori i famshëm nëpër rrugët e Brukselit ecte gjithmonë me libër në dorë. Edhe Ramiz Kelmendi ishte gjithmonë me libër në dorë dhe se kjo dorë e cila e mbajti aq shumë dhe në mënyrë aq të denjë penën e tij të hirshme sa dhe vigane, gërshetoi aq mirë thellësinë e mendimit letrar e publicistik me atë të bukurisë akademike: pa dyshim manifestim i personalitetit të tij prej shkrimtari dhe intelektuali, mishërim i një individualiteti të veçantë krijues me dhuntinë e lindur për fjalën e shkruar.
Harold Nikolson me të drejtë ka vërejtur se Sent Bevi e konsideronte Paskalin si mjeshtër të prozës franceze, kurse Rasinin si mjeshtër të poezisë. Megjithatë, ai ka theksuar se Sent Bevi ishte kundër shijeve të ngurta letrare në të cilat frëngjishtja mëtohej të ngritej në stadin e muzikalitetit të një violine dhe jo të një painoje.
Edhe Ramiz Kelmendi, ky mjeshtër i prozës shqipe e ky stilist i rrallë, ishte kundër shijeve të ngurta e pro prirjeve moderne. Tek ky magjistar i rrallë i fjalës shqipe, të cilën e pat gdhendur me durim shenjtori e me qëndismë filigrani, ka gjithmonë diçka nga madhështia që ia falë profecia e mendimit dhe përjetësia e veprës së tij prej një kolosi të heshtur.
Për të jeta me valët e saj të shumta, me vijat dhe vragat, ishte sa një det në vete, po aq edhe një minierë në vete.
Kundruar nga ky prizëm, kujtojmë se Zhan Pol Sartër ka vënë në pah se për Sharl Bodlerin mineralet kanë pasqyruar imazhin e mendjes njerëzore. Në ndieshmërinë e tij poetike për detin, shkruan Sartër, Bodleri ka parë mineralet lëvizëse, mu për faktin se deti për të ishte një mineral i gjallë sa dhe brilant, prandaj në një valëzim të tillë, deti për Bodlerin, thekson Sartër, nuk ishte gjë tjetër veçse imazhi më adekuat i shpirtit.
Po në këtë vepër, mbase nga më të bukurat dhe më domethënëset që ka shkruar dikush në zbërthimin e poetikës së Sharl Bodlerit, Zhan Pol Sartër ka përkujtuar se Gustav Floberi në veçanti dhe, elita e mirëfilltë e shkrimtarëve francezë, në përgjithësi: “Nuk kanë shkruar për t’u bërë shkrimtarë; ata kanë shkruar sepse ata veç kanë qenë shkrimtarë…dhe se nëpërmjet Floberit, Virgjili, Fransua Rable dhe Miguel De Servantesi kanë ardhur sërish në jetë dhe se kanë vazhduar të shkruajnë me penën e tij.”
As Ramiz Kelmendi nuk ka shkruar për t’u bërë shkrimtar. Dhuntia e tij letrare dëshmon mjaft qartë se ai ka lindur shkrimtar. Ai shkoi dhe u përkul përpara varrit të Jeronim De Radës në Maki, shkoi dhe u përkul edhe përpara varreve të Faik Konicës dhe të Fan Nolit në Boston, ashtu siç do të përkulej vetëm përpara varrit të babait të vet: Jakup Brahimit.
Rilindas të tjerë shkruan sërish nëpërmjet penës së Ramiz Kelmendit, kurse Darling Ismail Vlora, stërnip i Ismail Qemal Vlorës, ka dëshmuar se Ramiz Kelmendi ishte ndër të rrallët i cili ka pohuar me shumë bujari, se do t’i jipte të gjitha vitet e jetës së tij, vetëm e vetëm që njerëzit si Anton Çetta e Nënë Tereza të jetonin ende…
Për Faik Konicën është thënë se jetoi mes librash dhe që s’e kuptoi jetën pa libra. E për Ramiz Kelmendin: “Të lexosh, do të thotë në fakt, të zbërthesh të vërtetën. Çfarëdo që kam arritur ne jetë, lidhet me librin dhe i kam nga libri, per librin e me librin.”

Përsosmëria e fjalës dhe përjetësia e veprës
Gëte ka thënë se imagjinata është një dhuratë hyjnore, se përjetësia arrihet përmes artit, sepse natyra është pikëpyetje e arti është përgjigje. Cvajg shkruante se vetëm duke u matur me të përjetshmen, njerëzimi kupton thelbin e tij të vërtetë, kurse Kafka theksonte se çastet e veta të fundit të pavdekshmit i kalojnë nëpër libra leximi.
Ndërkaq, për Romen Rolanin, të krijosh don të thotë të mundësh vdekjen. Don të thotë të hysh në përjetësi. Për Hegelin arti është Mbretëri e Lirisë, e për Niçen aty ku mbaron jeta, fillon Mbretëria e Zotit!
Rilke ka thenë për Rodinin se ai punonte çdo ditë dhe jeta e tij kaloi si një ditë e vetme. Stefan Cvajgu në biografinë letrare për Balzakun ka shkruar me të drejtë se Balzakut nuk i kaloi as edhe një ditë e vetme pa shkruar. Harold Nikloson në monografinë për kritikun e madh francez Sent-Bevin, ka theksuar se Bevi çmonte tej mase përkthyesin frëng Olivier Patrun-në, i cili kishte shpenzuar plot katër vite për të përsosur një varg të vetëm të Virgjilit në gjuhën frënge!
Njësoj është edhe për Ramiz Kelmendin, i cili vërtet ka bërë shumë. Ai ka pasur sy të bukurën dhe shije për të madhërishmen. Ai ka shkruar dhe ka përkthyer, duke pasur parim të vetin krijues gjakimin e përhershëm për të bukurën dhe të madhërishmen, për të përsosurën. Prandaj, të shkruash, të botosh, të redaktosh, të përkthesh me aq mund por edhe me aq zell gjithë ato vepra e kryevepra, për një njeri që erdhi në këtë jetë në dhjetor dhe shkoi nga kjo jetë në janar, është vërtetë shumë, andaj nuk kemi sesi të mos citjomë Borhesin:
Lavdi atij që nuk vdes!

Drita e mendimit të kulluar dhe frymëzimi i shpirtave
Si krijues zhanresh letrare, ai ishte i pajisur me një erudicion të veçantë si dhe me dhunti të rralla letrare. Përmasa e studimit dhe variacioni i talentit, ia mundësoi atij që të kishte një qasje të drejtë ndaj figurave që në kulturën kombëtare shqiptare bënë emër me përmasat e tyre të veçanta mendore dhe shpirtërore. Si i tillë që herët ai u vu në mbrojtje të traditës letrare. Ai ishte njeri i bulevardit dhe jo i fushës, i metropoleve dhe jo i provincës; njeri i cili i dha përparësi dhuntisë së lindur, gjykimit të drejtë, arsyes në jetë dhe në veprën letrare, ashtu sikurse edhe shijes ideo-estetike…
E tek e kujtoj kështu – jo pa një ndjenjë të theksuar dhembjeje dhe mallëngjimi (duke përshpëritur shpesh, shumë shpesh: Ramiz, pse shkove?!); tek ai vetë më pyet kështu, për të satën herë: “Dhe çke që kërkon të më hysh në shpirt, të më bredhërisësh nëpër mend, të më çapitësh nëpër copëza jete?”, as sot e as mot nuk kam tjetër përgjigje, përveç asaj që tha poeti Gjergji Komnino për Jeronim De Radën:
Ndaj o Shembëll’ e së Mirës, shpirt’ i-yt le të shkëlqejë,
Sepse t’arthmet gjenerata, vallë kush do t’i ushqejë?
Vetëm hov’ i këngës s’ate me një tingull të malluar
E në vargjet shekullore do të mbetet si pasqyrë,
Se, një vlerë që s’mohohet, aq të lartë njerëzore,
Pati frym’ e punës s’ate, nga fuqija besimtare,
Sa në zemrat e të rinjve, t’është ngritur përmendore.

Pra, me dritën e mendimit të kulluar që Ti pate,
Frymëzo shpirtat e njoma pas të shenjtës gjurmës s’ate!

Kujtesa si bekim
Përvjetori i dhjetë i Pavarësisë së Kosovës, nuk do të duhej ta gjente Kosovën, përkatësisht kryeqendrën e Republikës së Kosovës - Prishtinën, pa Shtatoren e Komandantit Legjendar Adem Jashari, e as pa Shtatoren e njërit prej Kryekalorësve të Gjergj-Kastriotit-Skëndërbeut, të burrit të fortë e të profesorit largpamës Anton Çetta!

A mund të ndodhë dhe si mund të ndodhë kjo, në 550-të vjetorin e vdekjes së Kryeheroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut, në 106 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në 110-të vjetorin e Kongresit të Manastirit, në prag të 30-të vjetorit të Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve?!…
Që në vitin e largët 1555, pra këtu e 463 vjet më parë, Gjon Buzuku na la një porosi që peshon flori e shkuar floririt: Harresa është mallkim, kujtesa është bekim!
Ndërkaq, Miltoni në vitin 1644 u drejtonte anglezëve zemër-klithjen e tij të njohur: “E madje, edhe pas vdekjes të vijojmë e të kryejmë një tradhti kaq mashtruese ndaj eshtrave jetim të njerëzve më të denjë?!”
Sent-Bevi, nga dashuria që kishte për atdheun e tij, lëshonte zemër-klithjen e tij të njohur: “Oh Francë! Gjithmonë e kënaqur me veten tënde, gjithmonë duke i thënë vetes se gjyqet tuaja janë më të pakorruptueshmet, ushtria jote më trimja, e madje qoftë edhe priftërinjtë tuaj më të dlirët dhe se gjykimi yt në shije dhe dije, nuk lë asgjë për të dëshiruar.”
E Stefan Cvajgu në një nga kryeveprat e tij, të titulluar “Zhozef Fushe” (Portreti i një njeriu politik), përkujtonte të vërtetat e hidhura se: “Politika e qeveris botën me një pabarazi të mistershme, por kur realiteti e kalon në llahtari ëndrrën, historia - kjo avokate e përjetësisë, ka dëshmuar se sa të çuditshme janë kontraditat e fatit: shpirtat e nënshtruar nuk e durojnë dot lirinë! “
Pra, a mund të harrohen ata që vendin e tyre e kanë jo nën hije, por pikërisht nën diell?!
A mund të harrohen e të mos kujtohen në mënyrë të denjë, sikur të mos kishin qenë kurrë, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë, sikur të mos kishin luftuar e punuar kurrë?!
Fjala vjen, a mund të harrohet dhe si mund të harrohet një burrë vigan me emrin Anton Çetta, një profesor erudit si Hasan Mekuli (pa dyshim Faik Konica i dytë i kritikës letrare shqipe, me mbi 40.000 faqe të shkruara lidhur me letërsinë shqipe dhe atë botërore), një prej ikonave aq të paharruara të gazetarisë televizive si Qazim Kelmendi, një prej figurave emblematike të kulturës sonë kombëtare si Ramiz Kelmendi (me përmbi 20.000 faqe të shkruara)?!...
Pra, si mund të harrohen, a mund të harrohen dhe a do të mund të harrohen të gjithë këta!
Këta dhe ata!
Gjithsesi!
Por vetëm me një kusht, dhe se ky kusht është thënë aq bukur në “Kokrra kripe” të Ramiz Kelmendit:
A ka Zot që i harron këta?!
Ky kusht njëkohësisht përbën thelbin e përjetësisë së tyre, pikërisht ashtu siç është thënë për poetin e madh lirik Lasgush Poradeci (“Ai që përcëlloi drejt shqipes zjarrin drithërues të ilirishtes.”), se do të harrohet edhe ai:
Por vetëm në qoftë se harrohet gjuha shqipe!

Nderimi si shenjë e lashtë qytetërimi
Në fletrorazimën shqiptare, familjet Qiriazi (Gjerasim, Gjergj, Parashqevi, Sevasti Qiriazi-Dako), Siliqi (Risto, Drago, Llazar, Drita, Laura Siliqi-Konda), dhe Kelmendi (Qazim, Ramiz, Migjen, Nahire, Adriatik, Lumira, Arbresha, Sara, Tefta) janë emblema të gazetarisë dhe kulturës shqiptare.

Historia e publicistikës shqiptare nuk mund të shkruhet pa këto firma të këtyre familjeve kaq emblematike në kulturën shqiptare. Historia e përkthimeve shqiptare nuk mund të shkruhet pa emrin e Ramiz Kelmendit. Historia e letërsisë moderne shqipe, në mënyrë të veçantë historia e romanit shqiptar, historia e publicistikës shqiptare nuk mund të shkruhet pa perlat e penës së tij; historia e reportazhit dhe e fejtonit shqip, historia e polemikës shqipe, ashtu sikundër edhe studimet për Faik Konicën, apo edhe biografitë për Jeronim De Radën, Zef Seremben, Ernest Koliqin, Mithat Frashërin, nuk mund të shkruhen pa emrin e tij, nuk mund të shkruhen duke anashkaluar emrin e tij, nuk mund të shkruhen duke injoruar kontributin e veçantë të Ramiz Kelmendit.
Nderimi është një shenjë e lashtë dhe e lartë qytetërimi, prandaj e thënë me fjalët e Viktor Hygosë, le të shpresojmë se Engjëlli i Drejtësisë do t’i jep krahun Akademisë, sepse e shkruar në prizmin e stilit të Kafkës, Akademia është kulla kryesore e kështjellës, duke kujtuar më tej edhe zemër-thirrjen e tij aq domethënëse dhe aq aktuale: “Ju jeni me mua, unë jam me mu, ne jemi të bashkuar. Kush mund të na mposhtë ne?” (në Strofka), prandaj shtonte Kafka: “Ajo që është e mundur do të ndodhë me siguri, por vetëm ajo që ndodh është e mundur. “
Nuk ka dyshim pra, se firma e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke pasur në gjirjn e saj një Hasan Mekul dhe një Ramiz Kelmend, ka më shumë peshë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, sepse është i njohur mendimi se atë vlerësim që ia jep vetes, po atë vlerësim ta dhënë edhe të tjerët.

Universi ka një kujtesë
Princi tragjik i poezisë dhe i dashurisë, Zef Zerembe me të drejtë ka klithur: Sa të trishta janë kujtimet e Shqipërisë! Ndërkaq, Borhesi ka përkujtuar se universi ka një kujtesë. Edhe kombi shqiptar ka një kujesë. Gjithsesi, edhe Akademia, duhet të ketë një kujtesë, dhe kjo kujtesë dëshmon se jo vetëm ushtria e diplomacia, jo vetëm informacioni dhe aviacioni, por edhe Akademia, në mënyrë të veçantë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të një kombi, janë rrufepritësit e tij.
Prandaj, duke përkujtuar thënien e njohur të njërit prej shkrimtarëve të veçantë botëror Stefan Cvajgut, se nëse do të harronim të shprehnim nderimin për Volterin, nuk do të ishim të denjë për liri, u bëjmë THIRRJE lexuesve dhe adhuruesve të veprës së tij, studentëve dhe gazetarëve të dalë nga mëngët e duarve të tij, atyre që sot mbajnë mbajnë mbi shpatuillat e tyre një mision kaq fisnik dhe kaq jetik për Kosovën – informimin; pra u bëjmë THIRRJE gazetarëve të mediave të shkruara dhe elektronike, u bëjmë THIRRJE institucioneve shtetërore dhe kulturore të Republikës së Kosovës, pra u bëjmë THIRRJE të gjithë atyre që më 12 janar 2017 janë përkulur në shenjë nderimi përpara arkivolit të Ramiz Kelmendit, le të përkulen sërish edhe përpara veprës së tij.
Në mënyrë të veçantë u bëjmë THIRRJE breznive orëmira që në këtë vit jubilar të Pavarësisë së Kosovës, të përkrahim THIRRJEN për ta shpallur shkrimtarin dhe publicistin Ramiz Kelmendi, Post Mortem:

ANËTAR NDERI, TË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS.
Historia e letërsisë njeh jo pak shembuj përjashtues të penave të shquara. Ndërkaq, kur është fjala tek Akademia, ka ndodhur jo rrallë që një Akademi e njohur zyrtarisht të mos pranojë në gjirin e saj as kolosët e një kulturë. Megjithatë, praktika ka dëshmuar se kur personalitete të tilla krijuese - sa emblematike po aq edhe eminente, për arsye dhe shkaqe shpesh të papranueshme sa dhe të paktupueshme lihen jashtë Akademisë, këto personalitete me jetën dhe me veprën e tyre vetvetiu janë bërë pjesë e një Akademie që gjithmonë ka moshën e urtisë dhe të lashtësisë. Duke u bërë pra kështu, edhe pse të përjashtuar, pjesë e panadshme e Akademisë Mendore dhe Shpirtërore të një kombi, këto personalitetete janë bërë pjesë e vetë përjetësisë!

Republika e Lirisë dhe Republika e Letërsisë
Shpresojmë se në vitin jubilar, në vitin e festës së 10-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Republika e Lirisë do të dijë ta nderojë Republikën e Letërsisë. Jo vetëm për hir të faktit se kundruar në prizmin e historisë - në rrugëtimin e gjatë dhe të mundimshëm të formimit si shtet të Republikës së Shqipërisë, jo rrallë ka pri po kjo Republikë - Republika e Letrave Shqipe, por gjithsesi edhe për hir të shpresës dhe të besimit se sa herë që Republika e Lirisë ka ditur dhe ka arritur të nderojë Republikën e Letërsisë, ato kanë ecur dhe do të ecin së bashku, si dy lule të një kurore, jo vetëm për këto 10-të vjet, por edhe për 100 vitet e ardhshme, ashtu siç ka shkruar kolosi i mendimit romantik europian, Viktor Hygo: “Nuk është natë por dritë. Nuk është fundi, por fillimi. Nuk është zbrazëtia, por përjetësia.”
Pra, pikërisht ashtu siç ka shkruar edhe shkrimtari tjetër i madh francez Romen Rolan, në thirrjen e tij të famshme, në Deklaratën e Pavarësisë së Mendjes, (botuar më 26 qershor 1919 në “L’Humanite”) duke theksuar sesi në të kaluarën universale ashtu sikurse edhe në të ardhmen universale, republika e padukshme e shpirtit është një atdhe universal.
Shprehim shpresën se Republika e Lirisë dhe Republika e Letërsisë, do të ecin kështu krenare dhe madhështore, dorë për dore si dy lule të një kurore, sot e mot, drejt: PËRJETËSISË!

Një Testament i rrallë, i shkruar në mermerin më monumental të perëndive ilire
Në këtë rrugëtim të pandalshëm, një prej emrave të nderuar të kësaj Republike, ka shkruar një Testament tepër të rrallë për breznitë orëmira. Në këtë Testament në të vërtetë rrejdh gjaku i një populli të tërë, sepse në të shpaloset aq bukur dhe aq madhërishëm, aq hijshëm dhe në mënyrë aq kuptimplote vetë historia, kultura, arti dhe qytetërimi i një kombi, etja mijëravjeçare e këtij kombi për liri dhe pavarësi, për dije dhe dritë.
Janë të rrallë, jashtëzakonisht të rrallë ata njerëz që kanë një dhunti të tillë për të lënë një Testament të tillë përjetësie. Janë të privilegjuara ata popuj që në gjirin e tyre kanë pishtarë të tillë. Janë me fat ato brezni që kanë përpara tyre një mermer të tillë fjalësh lapidare.
Prandaj, cila Akademi e Shkencave dhe Arteve, cili institucion kulturor nuk do të lakmonte mermerin monumental të një ligjërimi të tillë fjollor, drejtuar breznive orëmira të një populli të tërë?
Cili teatër nuk do të dëshironte të kishte bustin e Zhan Pokëlen Lily Molierit në foajeun e tij, së bashku me thënien e famshme se fama e tij nuk ka nevojë për ne, por ne kemi nevojë për famën e tij? Cili teatër nuk do të denjonte të kishte fjalët e një qëndisme aq poetike për Ofelinë e rrethuar me lulet më të përzgjedhura si rozmarina, vjollca, borzilokë e manushaqe?
Cila bibilotekë nuk do të dëshironte të përjetësonte të skalitura në sfondin e vet, fjalët lapidare për librin dhe për tempullin e dijes?
Rrjedhimisht, është fakt i dhimbshëm që Ramiz Kelmendi, as për të gjallë të tij, e as pas shkuarjes së tij në amshim, nuk ishte dhe nuk është ende anëtar i Akademisë, i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës! Por natyra është treguar shumë më zemërgjërë sesa Akademia. Ndërkaq, as vetë përjetësia nuk është kujtuar aq shumë sa Akademia, sepse në yllësinë e fjalës shqipe, përmasa e përjetësisë është mishëruar aq thellë tek fakti i pamohueshëm se Rugova është shamibardha e Shqipërisë.
Së këndejmi, shpresojmë dhe urojmë se si anëtarësia, ashtu edhe Kryesia që ka sot Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, më në fund do ta dëgjojë dhe do ta kuptojë zërin e arsyes, ashtu sikurse edhe zërin e breznive orëmira, pikërisht për shkak të dijes, për shkak të dritës së librit, ashtu siç e pat thenë aq bukur Franc Kafka, se libri duhet të jetë një sopatë për detin e akullt mes nesh.
Shpresojmë, se Akademia më në fund do të gjykojë sipas porosisë që na la dora vetë Ramiz Kelmendi: “Me akullin e arsyes dhe jo me zjarrin e emocioneve!”…
Nuk do mend se është i nderuar një komb që ka një Ramiz Kelmend, prandaj ky komb edhe duhet nderuar Ramiz Kelmendin.
Shpresojmë, urojmë dhe besojmë që Kosova të ketë gjithmonë festë, dhe se festat do t’i kremtojë gjithmonë e në mënyrë më të denjë, me krenari dhe gëzime, me suksese dhe fitore te reja. Pra, njëlloj shpresojmë se edhe fjalët e një ligjërimi kaq fjollor të njërës prej figurave më emblematike të kulturës në Kosovë - në mos në 10-të vjetorin jubilar të Pavarësisë së saj, gjithsesi në 100 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës - do të shkëlqejnë të shkruara me shkronja ari, jo vetëm në Teatrin Kombëtar të Kosovës, jo vetëm në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” të Kosovës, por gjithsesi, edhe në hyrje të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pikërisht ashtu sikurse shkëlqejnë edhe vetë fjalët e Naim Frashërit në sfondet e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë:
“Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë!”
Shpresojmë, urojmë dhe priremi fare natyrshëm të besojmë kështu, sepse duke pasur një dhunti të tillë të rrallë krijuese, dhe njëkohësisht duke pasur edhe një bekim të tillë tepër të rrallë, sa të shamibardhave po aq edhe të kresdhtabardhave të Rugovës kreshnike, Ramiz Kelmendi ka shkruar Testamentin e tij me dorën në zemër e me zemrën në letër.
Nuk ka dyshim se Ramiz Kelmendi e ka shkruar Testamentin e tij lënë breznive orëmira, në një prej sfondeve më të denja mbi të cilat ngrihet jo vetëm Akademia e mirëfilltë e një kombi, por edhe vetë madhështia e tij, vetë krenaria e tij e ligjshme, vetë dashuria e tij proverbiale për lirinë dhe librin, për artin, për kulturën, për letërsinë si dhe për vetë shenjtërinë e dritës.
Ramiz Kelmendi, në gjakimin e vet krijues e ka shkruar Tetstamentin e tij në mermerin më monumental të perëndive ilire, sepse një gjë të tillë ia ka mundësuar “talenti i tij epik” dhe “pena e tij e artë”. Madje, ai ka shkruar, ashtu siç thoshte Cvajgu: “drejt hapësirave të amshueshme të përjetësisë”, dhe se në këtë shteg e në një ligjërim të tillë fjollor është vetë Gjaku i Arbërit, është vetë shpresa që ruajti toka bujare e gjakut, është ëndrra shekullore e gjirit të prerë me thika; është vetë thjeshtësia, mirësia dhe bardhësia e një shpirti engjëllor me emrin Zake Zhuji; është shamia e bardhë e lokemadheve të Rugovës kreshnike, është bekimi i tyre i shenjtë shpalosur si mesazh paqeje dhe shprese, është vetëdija më e artikuluar për identitetin kombëtar shpalosur nga një shkrimtar, është më në fund vetë drita e syve të një kombi në penën e shkrimtarit të tij të madh, është - në parafrazim të Romen Rolanit, shpirti i një kombi të tërë për atdheun universal, të përbashkët, është një Testament sa Ramizian po aq edhe Nobelian:
“Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha -nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet, i ngre përmendore vetvetes.”
fund

Xhemail Peci

Janar, 2018

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 433 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi