Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Lirizmi emocionues
Publikuar më 05 prill, 2018 në orën 08:18 ( ) Prof. Dr. Eshref Ymeri | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Para do kohësh më ra në dorë përmbledhja me novela dhe me tregime e zonjës Mira Meksi, me titull Flutura mes gjinjve”. Çdo libër artistik zbulon universin e botës së shkrimtarit. Aty, në njërën ose tjetrën mënyrë, vinë e ravijëzohen tallazet e botës së tij të brendshme, gulshet e shpirtit të tij, moria e emocioneve të tij të fuqishme, të cilat janë pasqyrim i ndjenjave të tij të holla, të përjetuara gjatë përpjetave dhe tatëpjetave të jetës, plot me të papriturat e saj.

Shkrimtarja Mira Meksi, një personalitet i mirënjohur tashmë në botën e letrave shqipe, me këtë përmbledhje me novela dhe me tregime, e ka pasuruar më tej fondin e krijimtarisë së vet artistike.
Lirizmi, si njëri nga tiparet thelbësore të këtij libri, ndjek hullinë e përhershme të rrëfimtarisë së kësaj shkrimtareje, çka, në këndvështrimin tim, përbën boshtin e krijimtarisë së saj artistike. Prandaj skenat e jetës që pasqyrohen në këtë përmbledhje, përcillen përmes filtrit të jetës së autores, përmes përjetimeve të saj të fuqishme.
Autorja pikësynon dhe ia arrin të shprehë në një mënyrë mjeshtërore këndvështrimet dhe përfytyrimet e saj për normat socialetike që shpalosen në skenat e jetës së heronjve të tregimeve dhe të novelave. Ajo e përqendron vëmendjen në mendimet dhe në ndjenjat e tyre, në dialektikën e shpirtit të tyre. Prandaj në strukturën e veprave të natyrës lirike janë të mundshme lidhjet në raportin kohë dhe hapësirë. Kjo është edhe arsyeja që në këto novela dhe tregime janë aq të shpeshta kujtimet, retrospektivat, si edhe shtegtimet drejt një së ardhmeje të përfytyruar. Struktura e tyre, në një masë të konsiderueshme, përcaktohet nga funksionet e këndvështrimit të autores, e cila jo vetëm e organizon fabulën në një të tërë, por edhe kushtëzon ritmin e rrjedhës së ngjarjeve, duke e veshur përmbajtjen me një harmoni estetike.
Përmbajtja e kësaj përmbledhjeje zbulon lirizmin origjinal dhe të papërsëritshëm të autores. Shkrimtarja Mira Meksi, si mjeshtre e fjalës artistike, ka një këndvështrim të vetin për botën që na rrethon, ka mendimin e vet poetik që shpaloset në mënyrat e shtjellimit të temës. Lirizmi i saj e rrëmben lexuesin me natyrshmërinë e jashtëzakonshme të rrëfimtarisë. Kur lexon tregimin e parë, që shërben edhe si titull i kësaj përmbledhjeje, ai e ka të pamundur të mos emocionohet nga skenat që autorja përshkruan me aq ngohtësi shpirtërore për jetën e Violës, heroinës kryesore të tregimit.
Si një tipar mjaft i rëndësishëm i lirizmit të autores, vjen e ravijëzohet pikësynimi i saj për t’i përcjellë lexuesit ndjenjat dhe përjetimet individuale të heronjve të saj si emocione gjithpërfshirëse.
Mes tipareve që përcaktojnë thelbin e përmbajtjes së novelave dhe të tregimeve të kësaj përmbledhjeje, kam bindjen se më e rëndësishme është natyra çiltërore e “unit” lirik të autores.
Përshkrimet e mjedisit, ku zhvillohen ngjarjet dhe del në pah bota e heronjve të kësaj përmbledhjeje, qoftë në trojet amtare ose në botën ispanite apo italiane, janë modele të një lirizmi të mahnitshëm. Skenat e skalitura me aq art befasues, janë të lidhura ngushtë me jetën e heronjve, me përjetimet e tyre plot uljengritje shpirtërore. Ato mbartin në vetvete një ngarkesë të fuqishme, sa psikologjike aq edhe emocionale. Bukuria e atyre skenave, të cilat autorja i ka gdhendur me aq elegancë krijuese, janë dëshmi e erudiconit të saj të admirueshëm.
Mbresa të fuqishme më la tregimi me titull “Prifti i mallkuar dhe gjuha e shenjtë”, të cilin autorja ia ka kushtuar stërgjyshit të saj, priftit Isaia. Ky prift, me një formim të jashtëzakonshëm nacionalist, është modeli i shqiptarit atdhetar, i cili pati rënë pre e urrejtjes së kishës shoviniste greke, me përkrahjen e gjithanshme të agait të Stambollit. Idenë themelore të tregimit, të shtjelluar mjeshtërisht në vetën e parë, autorja, me një leksik të kursyer, e ka dhënë në një fjali me domethënie kuptimplote:
“Të gjithë ata që kanë dashur të zhbëjnë kombin e shqipes, janë vënë të zhbëjnë gjuhën e tij”.
Si edhe në veprat e tjera, edhe në këtë përmbledhje, tema e dashurisë zë kryet e vendit.
Dashuria është një ndjenjë hyjnore, e cila fsheh në vetvete një botë të mistershme. Ajo ka qenë dhe mbetet një enigmë joshëse deri në përjetësi. Por, çuditërisht, dashurive “të mëdha” Hyjnia u ka vënë përballë fatkeqësinë, prej nga burojnë trishtimet, vuajtjet, zhgënjimet, të cilat shpeshherë çojnë drejt ngjarjeve tragjike.
Kur arrita në faqen e fundit të këtij libri, me përshtypje ende të freskëta nga jeta dhe dashuritë e heronjve të tij, vetvetiu m’u kujtua Pol Valeri (Paul Valéry - 1871-1945), poet, eseist dhe filozof francez. Midis aforizmave që u ka lënë trashëgim brezave pasardhës, tepër domethënës është aforizmi në vijim:
“Në natyrë, rrënja e pemës zgjatet poshtë drejt vlagës, kurse maja e saj bën përpjetë drejt diellit. Dhe pema vjen e hedh shtat nga njëra mungesë kënaqësie te tjetra. Të jetosh, do të thotë që orë e çast të përjetosh pamjaftueshmëri në diçka: të ndryshosh për të arritur diçka dhe kësisoj të kalosh në gjendjen e një tjetër pamjaftueshmërie”.
Figuracioni në këtë vepër të shkrimtares Mira Meksi, i ngritur deri në nivelin e fantastikes, lind, si të thuash, në pikëtakimin e dukurive të realitetit dhe të pasqyrimeve të tyre në vetëdijen e autores, ku ato, duke ruajtur lirizmin, ngrohtësinë e shpirtit njerëzor, vijnë e shndërrohen në një realitet të dytë, hipotetik, të afërt dhe të kuptueshëm për një lexues me një diapazon të gjerë të rikuptësimit krijues të tekstit.

Tiranë, 03 prill 2018

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 323 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi