Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Kritika bashkëkohore e Vladimir Muçës “Unë mendoj…”
Publikuar më 18 prill, 2018 në orën 00:52 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
“…Letërsia me artin që të jenë të suksesshëm dhe të luajnë rolin e tyre nxitës për emancipimin e individit, komunitetit e të rrisin ndërgjegjen kombëtare, duhet të jenë jashtë politikës dhe demogogjisë, larg shkopit magjik të partive politike. Si domosdoshmëri, letërsia dhe arti në tërësi duhet të prekin problemet sociale, varfërinë, mjerimin, tjetërsimin e vlerave njerëzore, diferencimin social, si dhe papunësinë apo emigracionin. Letërsia duhet të ketë si synim humanizmin e strukturuar përmes dashurisë njerëzore, aspekt që mjerisht, shoqërisë së ditëve tona i mungon…”Vivra.

“Shkrimtarët janë hyjnitë që shenjtërojnë dhe përjetësojnë shpirtërat njerëzorë!”
Vivra
Letërsia është shkenca që evoluon një shoqëri e një komb, por pa sitën e kritikës, është si uji që ende nuk e ka krijuar shtratin e tij dhe nuk dihet se ç’është, një rrëke, një përrua apo një lumë ?! Madje askush nuk e di, ndaj pyet“ç’drejtim do të marrë uji vallë?”
Kam lexuar shpesh se, në letërsinë shqipe mungon kritika, ose ka pseudokritikë të lëbyrtë që i thurin lavde atij krijuesi që paguan. Personalisht për shpifje apo thashetheme të tilla, nuk jam e një mendjeje me ta. Thëniet e tyre do t’i quaja thashetheme ambicioze, të cilat jo pa qëllim sensibilizojnë përshtypjen se, përballë një letërsie të mirfilltë kombëtare, qëndron mediokriteti dhe meritokracia, sëmundje epidemike e të paaftëve.
*Hesiodi, lidhur me sa theksova, na mëson: “Vesi mund të ushtrohet me shumicë fare lehtë: Rruga që të çon tek ai është e shtruar dhe ai banon afër, por përpara virtytit, Perënditë kanë vënë djersë, rruga që të çon atje është e gjatë dhe e thepisur.” Edhe rruga e të bërit letërsi është një udhëtim që shtrihet në kohë dhe hapësirë, ndaj është i lodhshëm. Por letërsia do të jetojë gjatë nëse përputhet me kriteret që kërkon një krijimtari e mirë bashkëkohore. Ndaj çdo vepër letrare ka nevojë për kritikë të mirfilltë.

Kritika tek ne ekziston, madje kemi një kritikë të re, me një botkuptim të ri, një kritikë e mirfilltë bashkëkohore, diametralisht e kundërt me kritikën e realizmit socialist. Do të përmendja “Kritika Ndryshe” të Dr.Fatmir Terziut “Mjeshtër i Madh i Penës”, ku në dy volume përfshihen kritikat e veprave të mbi 250 autorëve shqiptarë. Madje Oksfordi e ka përzgjedhur dhe vlerësuar Dr.Fatmir Terziun si një ndër 3 kritikët më të mirë bashkëkohor modern të këtij fillim shekulli (një anglez, një amerikan dhe një shqiptar). Vlen të falënderoj z.Fatmir Minguli, shumë i spikatur në kritikë bashkëkohore, i cili, në kritikat e tij, mbart një bagazh të pasur letrar. Nuk duhen harruar, si: kritiku i shquar i ndjeri Prof.Dr.Adriatik Kallulli, kritiku i artit Mexhit Prençi, Kadri Ujka, Loredan Bubani, Fisnik Sina etje…
Konkretisht para pak ditësh për shkrimtarët e lexuesin, doli nga botimi një libër i vyer i kritikut bashkëkohor, Vladimir Muça, me analiza dhe kritika moderne dhe jo pak, por me 57 autorë që përfaqësohen me libra të botuara në kohë të ndryshme. E keqja tek ne është se, duke mos e vlerësuar letërsinë dhe artin në tërësi, mungon institucionalizimi i kësaj fushe tejet të rëndësishme, kritikës letrare. Për të përftuar një letërsi bashkëkohore, modern, si dhe që letërsia shqipe të mos përbuzet më dhe të mos quhet provinciale, duhet të funksionojë kritika e mir’organizuar nga institucionet shtetërore.
Si lindi kritika tek ne?
Kritika, ndoshta si shkencë jo, por lindi si kundërshti e asaj vepre letrare që nuk pranohej nga smira, nga padija, mosnjohja apo për shkak mentaliteti kundërshtohej, gjë që bëri të lindin elementët e parë të kritikës.Por ai që solli në letërsi frymën kritike tek ne ka qenë i madhi Faik Konica ose, siç e ka quajtur Apolinieri:“enciklopedia shëtitëse”.
“Faik Konica, mjeshtri më i skalitur i prozës dhe krijuesi i parë i prozës moderne shqipe”, - kështu e quan Fan Noli. Konceptimi i tij, ka lidhje me hopin cilësor që bëri Konica në letërsinë shqipe. Ai ishte i pari që i dha letërsisë frymë kritike. Duke dhënë një letërsi të afërt me modelet e letërsisë moderne evropiane të shek. XX-të, ai u quajt shkrimtar modern. Për Konicën proza artistike që ka art brenda saj, duhet të pasqyrojë tri aspekte: art, kritikë dhe estetikë. Nëse letërsia trajtohet kështu, ngulmohet drejt një shijeje të re. Kjo risi e re do të jetë një art i ri i shkrimtarit, i cili kërkon të renë, kërkon përsosmëri në stilin dhe artin e vet.
“Problemet e letërsisë dhe te arteve janë sikurse problemet e jetës”.- shprehet Prof.Dr. A. Kallulli.

Nëse jeta merret me probleme ekonomike, ndërsa letërsia paraqet jetën njerëzore, të kaluarën dhe të ardhmen, imagjinatën dhe fantazinë njerëzore, si dhe shpërfaq në letër shpirtin e pasur apo të varfër njerëzor. Për fat të keq në Shqipëri çështja e letërsisë dhe arteve, është çështje dytësore, madje e papërfillshme. Që letërsia me artin të jenë të suksesshëm dhe të luajnë rolin e tyre nxitës për emancipimin e njeriut, komunitetit dhe rritjen e ndërgjegjes kombëtare, duhet të jenë jashtë politikës e demogogjisë, larg shkopit magjik të partive politike. Si domosdoshmëri letërsia dhe arti në tërësi duhet të prekin problemet sociale, varfërinë, mjerimin, tjetërsimin e vlerave njerëzore, diferencimin social, si dhe papunësinë apo emigracionin. Letërsia duhet të ketë si synim humanizmin e strukturuar përmes dashurisë njerëzore. “Shkrimtari është doktori i shpirtrave të kohës së tij dhe i mpaket jeta kur shikon padrejtësitë shoqërore” ”- thotë (A. Kallulli).

Vladimir Muça në këtë libër e sheh letërsinë si bashkëudhëtare të pandarë të filozofisë. Testi që ka bërë autori, kritikat letrare i ka ndërtuar dhe zhvilluar duke u bazuar në përshtypjet individuale të çdo vepre të lexuar dhe mbresave që i ka lënë secila. Duke ditur se detyra e kritikës letrare është të shpjegojë atë më të fshehtën dhe më të ndërlikuarën në libër, Vladimir Muça ka arritur të përshfaq mendimet dhe idetë e autorit përmes një radiografie dhe autopsie profesionale. Ai ka analizuar rrethanat e zhvillimit të ngjarjeve dhe kushtet shoqërore në të cilat bazohen idetë e shfaqura në libër të shkrimatrit. Si kritik i hollë, ai ka arritur të spjegojë më së miri se ç’risi të letërsisë bashkëkohore ka sjellë secili autor me veprën e tij. Gjithashtu Ai me shumë takt, vë në dukje se puna krijuese, ashtu siç është e lodhshme dhe e vështirë, e cila të merr një kohë të gjatë mundi, djerse si dhe sakrifice, ashtu të jep edhe kënaqësinë e botimit. Çdo botim libri është një risi, por botimi i një vëllimi voluminoz me kritika, ku përfshihen 57 autorë, që autori ynë i nderuar i quan”Vëzhgime të një tranzicioni letrar”, ku përfshihen 57 tipe vlerash botëkuptimore të para nga këndvështrime të ndryshme sipas inteligjencës dhe psikologjisë së çdo shkrimtari.
Pasi e mora librin në dorë, që Ladi pati mirësinë të ma dërgonte, më bëri përshtypje titulli “Unë mendoj…”, përcaktim i gjetur, shumë i goditur dhe tejet intrigues. E falënderoj Ladin që më ka përfshirë me kritikat e dy romaneve të mi, natyrisht të bëra pas botimit të tyre, duke më vendosur krahas autorëve me stazh në letërsi dhe të dëgjuar në fushën e letrave,si dhe autorëve bashkëkohor të këtij tranzicioni tejet të zgjatur. Është kurajo dhe vullnet që të arrish të dalësh me një vlerë të tillë studimore, pasi kritika e ngre në piedestal një vepër letrare duke e bërë të pavdekshme ose në të kundërt e fundos autorin, kurse librin e varros në humnerat e kohës. Por Ladi i ka ngritur drejt majave autorët, që veprat e analizuara prej tij të jenë të kërkuara dhe të lakmuara, duke ia rritur njëkohësisht edhe famën apo emrin e kritikut me një nivel të lartë analitik. Një kritik letrar që merr përsipër një mision kaq fisnik, vetëm se nga shpirti i tij buron mirësi dhe e do të bukurën, të mirën, që shërbejnë si balsam për të shëruar plagët që hap koha e mbrapsht, është i kulturuar. Kritiku duhet të njohë si degë më vehte të shkencës: stilistikën, estetikën dhe impresionizmin, veç njohjes gjerësisht të autorëve më të shquar në botë, të njoh rrymat e ndryshme letrare sipas epokave, lidhjet e letërsisë me shkencat e tjera, bashkëveprimin e autorit me problemet sociale, lidhjet me fije të padukshme që ekzistojnë mes autorit dhe personazheve, ose mes personazheve dhe problemeve sociale, nga njëra anë dhe lexuesit nga ana tjetër. Në vartësi të të gjitha këtye kritereve, autori ka vendosur një lidhje të tillë me autorët dhe veprat e tyre që ka analizuar. Ladi pas një pune studimore të gjatë dhe me përgjegjësi morale, qytetare dhe profesionale, që në titull “Unë mendoj…” -i thotë lexuesit, se nuk jam unë ai që vendos, por jeni ju që do të gjykoni, sipas këndvështrimit, shijeve, logjikës dhe arsyes suaj, por gjithmonë pasi t’i keni lexuar dhe të keni thelluar në këto vepra. Këtu qëndron dhe sekreti intrigues i kopertinës, titullit dhe fjalëkalimit që mbart libri. Ladi tejet modest, me krijimtarinë e tij të pasur dhe me këtë libër analitiko- studimor, me vlera të mëdha në kolanën e kritikës letrare shqiptare, qëndron krenar me autoritetin e shkrimtarit dhe kritikut ashtu siç i ka hije përballë paradoksit të disa pseudokritikëve që vetëquhen kritikë të famshëm, estet, studiues etje… Urime Ladi për këtë vepër që për ne të 57 autorët është dhurata më e bukur që na ke bërë! Suksese për punë të tjera të mëdhanë letërsi dhe kritikë. Të faleminderit miku i shkrimtarëve!

Me konsideratë të veçantë!
Vilhelme Vrana Haxhiraj

Vlorë- 23-2-2018

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 244 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi