Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
DËSHMORI I KOMBIT RASIM KIÇINA ËSHTË PJESË E LIRISË SË ATDHEUT
Publikuar më 04 qershor, 2018 në orën 05:29 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
(KUMTESË)
Përkufizimi

Jo vetëm në nderim të Dëshmorit të Kombit Rasim Kiçina, dhe bashkëluftëtarit të tij të përjetshëm, Ragip Halilajt, sepse kanë organizuar lëvizjen çlirimtare së bashku, kanë formuar njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku, kanë luftuar së bashku, kudo që kishte nevojë lufta për liri, kanë rënë së bashku, kur i thirri atdheu të sakrifikohen për lirinë e tij, tashti jetojnë përjetësisht së bashku. Por, edhe për të gjithë Dëshmorët e Kombit, kudo dhe kurdo që kanë rënë për lirinë e atdheut, më thotë mendja, asgjë nuk e përkufizon më qartë idealin e tyre për liri, se sa fjala e Hasan Prishtinës, mbajtur në Kuvendin e Junikut më 1912, ku janë vënë bazat e luftës çlirimtare për pavarësinë e Shqipërisë, fjalë që ju drejtonte jo vetëm shqiptarëve liridashës, por edhe botës së qytetëruar:
"Shqiptarëve liridashës dhe botës së qytetëruar”! Pas përpjekjesh të pafrytshme për sigurimin e të drejtave kombëtare me mjete ligjore, përmes zbatimit të kushtetutës, shqiptarëve nuk u mbeti rrugë tjetër veç asaj të rrëmbimit të armëve. Është momenti kur vendoset fati i Shqipërisë: vdekja ose liria e saj”!

Hyrje
Në luftën e Rasim Kiçinës dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tij, andaj, edhe të shokut të tij të armëve dhe të përjetësisë, Ragip Halilajt, jo vetëm ishte dëshmuar se ishin shtjerrë të gjitha mundësitë, që liria e kësaj pjese të tokave të Atdheut të bëhej me mjete paqësore, por, po ashtu, shkolla e madhe e historisë së luftërave për liri, i kishte mësuar se vetëm pushka e largon pushtuesin nga trojet e robëruara, siç ishte e pushtuar dhe e robëruar pjesa më e madhe e tokave shqiptare.
Rasim Kiçina u lind në vitin 1972 në Lugdrin (ish-Baincë) dhe ka rënë në fushën e nderit, bashkë me bashkëluftëtarin e tij, Ragip Halilajn, më 30 maj të vitit 1999, pra, sot e 19 më parë, në Orllat të Drenicës.
Në të dhënat jetësore të tij, që janë botuar edhe te Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 2018, thuhet se shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, kurse të mesmen në gjimnazin ‘‘Skënderbeu’’ në Drenas.
Një djalë i shëndetshëm dhe shumë i fuqishëm, që sa duket jeta e kishte përgatitur për veprime të rëndësishme, jo vetëm për jetën e tij personale dhe për jetën e familjes, por edhe për jetën historike të atdheut. Kur ishte nxënës i vitit të katërt të gjimnazit, ishte përleshur me policinë pushtuese serbe, duke i lënë dy të shtrirë në dyshemenë e vagonëve të trenit që kalonte nëpër fshatin e tij.
Historinë që mësonte në shkollën që kishte përfunduar, jo vetëm nuk ia plotësonte kërshërinë e tij, kureshtjen që të dinte sa më shumë, por ajo, historia ideologjike, pra, shpesh herë, nuk i jepte të dhëna elementare për figurat e mëdha të historisë sonë kombëtare, për të cilat ai kishte interesim të veçantë.
Shumë i ri, ishte pjesëtarë i lëvizjes së fshehtë shqiptare, e cila bënte rezistencë kundër pushtuesit të tokave të atdheut të Dëshmorit të Kombit Rasim Kiçina. Në këtë lëvizje, pjesëtar ishte edhe i vëllai i tij më i madh, Dastan Kiçina.

Luftëtar i luftës për liri dhe bashkim kombëtar
Rasim Kiçina ishte i zgjuar dhe trim. Lufta e tij për lirinë e pjesëve të pushtuara të atdheut dhe për bashkimin e tokave shqiptare, nuk kishte filluar, siç është bërë zakon të thuhet, nga viti 1997, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës del publikisht, por pjesëmarrja e tij në aksionet kundër forcave pushtuese, kishte filluar që në vitin 1995, bashkë me anëtarë të tjerë të luftës së UÇK-së. Së bashku me bashkëluftëtarin e tij të pandashëm, ushtarin e lirisë, Ragip Halilajn, janë ndër pjesëtarët e hershëm të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së cilës i printe Komandanti Legjendar Adem Jashari.
Po ashtu, së bashku me Ragip Halilajn dhe luftëtarë të tjerë, Rasim Kiçina kishte parë nga afër kazermën e parë të mirëfilltë ushtarake në Shqiponjë (ish-Jabllanicë), në Dukagjinin bukëdhënës, ku luftëtarët e lirisë jo vetëm ushqeheshin dhe flinin, por edhe bënin ushtrime të mirëfillta ushtarake, që nga mëngjesi kur këndohej Himni dhe ngrihej Flamuri kombëtar, e deri në orët e vona të natës, kur ata kaliteshin fizikisht dhe ushtarakisht për t’i bërë ballë pushtuesit shekullor të tokave shqiptare.
Kush ishte luftëtari i lirisë, Rasim Kiçina në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Ai dhe bashkëluftëtarët e tij, ishin ushtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari. Familjarët kanë treguar se në odën e prindërve të Dëshmorit të Kombit, që po e përkujtojmë sot, Rasim Kiçinës, kishte bërë konak Komandanti Legjendar, Adem Jashari, bashkë me të vëllanë, Hamzën dhe kishte biseduar me familjen dhe me luftëtarin e lirisë Rasim Kiçina, se a ishte i gatshëm të përballej me armikun shekullor të atdheut. Rasim Kiçina ishte anëtarë i lëvizjes së fshehtë çlirimtare bashkë me të vëllanë. Rasim Kiçina ishte ndër të parët që ishte organizuar në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rasim Kiçina ishte ndër të parët që së bashku me Ragip Halilajn dhe bashkëluftëtarë të tjerë, kishte shkuar për të bërë ushtrime dhe për të sjellë armë nga shteti amë, Shqipëria. Rasim Kiçina betejën e parë të madhe e zhvillon te Gjashtë Lisat në Likoshan, ku vriten disa pjesëtarë të forcave pushtuese serbe.
Dëshmorët e Kombit, Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, andaj jo rastësisht, jo vetëm ishin bashkë kudo, por edhe kishin rënë bashkë, që të bëhen të përjetshëm në kujtesën tonë kombëtare, që të bëhen edhe shkollë e madhe e jetës sonë: se asnjë vend nuk çlirohet pa grykën e pushkës çlirimtare.

Betejat e luftëtarit të lirisë Rasim Kiçina për çlirimin e Kosovës
Luftëtari i lirisë, Rasim Kiçina e dinte mirë, kishte mësuar aq histori kombëtare, se të jesh në radhët e luftës për liri, pra të jesh luftëtar i lirisë, ishte edhe nderë i madh, e kur luftëtari bie në altarin e lirisë, rënja e tij ishte shenjë e përjetshme e kujtesës sonë historike, ngase ajo ishte luftë çlirimtare. Prandaj, nuk është gjë gand dhe e rastit, se edhe kur luftonin, ata ishin bashkë, Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, edhe kur ranë, ishin bashkë, por edhe në përjetësinë e tyre ata janë bashkë, për të dëshmuar se vetëm sakrifica për lirinë e atdheut, është akti më hyjnor, që bëhet pjesë e jetës së pavdekshme të Dëshmorëve të Kombit.
Mençuria jonë, e këtij populli të lashtë dhe të vuajtur, deri edhe me atdhe të copëtuar, kurse pjesë të tij, edhe të pushtuara, thotë se nuk ka dasëm pa gjak. Pra, me gjuhën e historisë, thuhet se nuk ka liri pa derdhur gjak. Liria vjen, atëherë kur djalëria e një vendi nuk i pranon më prangat e robërisë. Njëri nga këta trima të djalërisë shqiptare, që me idealin për çlirimin e Kosovës dhe të bashkimit të trojeve shqiptare, kishte marrë pjesë në shumë beteja nëpër të gjitha frontet e luftimeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte edhe Rasim Kiçina. Kudo ku kishte nevojë lufta për liri, ishte edhe pushka e Rasim Kiçinës, ishte edhe pushka, gjoksi dhe jeta edhe e bashkëluftëtarëve të tij, e ndër me të veçantit, edhe e bashkëluftëtarit të tij të përjetshëm, Ragip Halilajt.
Prandaj, nuk është asgjë e rastit se Dëshmori i Kombit Rasim Kiçina, që nga viti 1995, kur ishte organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e deri më 30 maj të vitit 1999, kur bëhet i përjetshëm me rënien e tij, kishte marrë pjesë në shumë aksione luftarake. Kishte marrë pjesë, herë duke sulmuar stacionet e policisë dhe eshalonet e ushtrisë serbe që lëviznin nëpër Kosovë, kishte marrë pjesë në organizimin e njësiteve të UÇK-së, duke i stërvitur për luftime dhe për përdorimin e armëve, kishte marrë pjesë në furnizimin e radhëve të luftëtarëve të lirisë me armatim nga atdheu amë, Shqipëria.
Më 28 shkurt të vitit 1998, kur forcat pushtuese serbe, pasi kishin pësuar humbje në përballje me luftëtarët e lirisë, gjithë urrejtjen e hakmarrjes shekullore e zbraznin në popullatën civile, e cila nuk ishte e armatosur. Njësiti i luftëtarëve të Komandantiti Legjendar, Adem Jashari, ku ishte edhe dëshmori i kombit, që po e përkujtojmë sot, Rasim Kiçina, shkon në mbrojtje të popullatës së Likoshanit dhe Qirezit. Marrë në përgjithësi, ky ishte njëri nga aksionet e mëdha, që ishte kryer te Gjashtë Lisat e Likoshanit, ku kishin mbetur të vrarë edhe katër policë të armikut.
Luftëtarët e lirisë, Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, me bashkëluftëtarët e tjerë, e kishin të qartë se lufta për çlirimin e këtyre pjesëve të atdheut kishte marrë përmasa të një lufteje në mes dy vendeve - në njërën anë, Serbia pushtuese dhe, në anën tjetër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që luftonte për çlirim, për liri dhe për bashkim kombëtar.
Dëshmori i Kombit, Rasim Kiçina e dinte se aty, në Likoshan dhe në Qirez, kishte filluar përshkallëzimi i luftës çlirimtare, jo vetëm në Drenicë, por në gjithë territorin e tokave të pushtuara shqiptare, të cilat, qendrat e vendosjes evropiane, ia kishin dhënë Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, duke filluar me Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913 e deri në Konferencën e Paqes në Paris, më 1920. Luftëtarin e lirisë, Rasim Kiçinën dhe shokun e tij, edhe të përjetësisë, siç thuhet, krahun e djathtë të tij, Ragip Halilajn, i gjeje kudo ku luftohej. Ishin ushtarë të lirisë në të gjitha luftimet që ishin zhvilluar për marrjen dhe mbajtjen e Grykës së Llapushnikut. Ishte në ballë të luftëtarëve të lirisë në luftimet në Dollc, siç ishte edhe në Gllarevë të Klinës. Për idealin e tij, për angazhimin e tij, për trimërinë e tij, ai ishte caktuar zëvendëskomandant i Pikës Luftarake “Guri”. Por, ai ishte edhe epror i lartë i Zonës Operative të Drenicës. Nëse mund të thuhet kështu, e doemos se mund të thuhet, Dëshmori i Kombit që po e përkujtojmë sot, Rasim Kiçina, ishte edhe bashkëluftëtar i pandashëm me luftëtarët e Brigadës 111 “Adem Jashari”. Ai ishte arma kryesore e Njësisë speciale të kësaj Brigade, e cila, marrë në përgjithësi, qoftë edhe vetëm për pjesëmarrjen e saj në betejat e luftimeve, ishte Brigada më e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndër më të dalluarit ishte luftëtari i lirisë, Rasim Kiçina. Ai ishte ndër ata luftëtarë që u dallua në betejen e Rezallës, por edhe në mbrojtjen e Likofcit. Kur bëhet fjalë për vendlindjen e tij, për Lugdrinin e tij (ish-Baincën), aksionet ushtarake të tij ishin të veçanta, ashtu siç ishin të veçanta aksionet e Brigadës 111, jo vetëm në një betejë, apo në shumë beteja, por në të gjitha luftimet gjatë viteve 1998 dhe 1999.
Luftëtari i lirisë, Rasim Kiçina, si dhe bashkëluftëtari i tij, Ragip Halilaj, duke udhëhequr njësinë ushtarake, në beteja të shumta dhe në udhëtime të gjata, qoftë për të sjellë armë për frontet e luftës, qoftë për të shkuar në ndihmë ku kishin nevojë njësite të ndryshme të UÇK-së, përherë ishin të gatshëm t’ia falin jetën lirisë së kësaj pjese të atdheut që quhet Kosovë. Në një betejë të këtillë, në Orllat të Drenicës, bien së bashku, për të mos vdekur kurrë, më 30 maj të vitit 1999.

Përfundim
Liria e Kosovës sot është realitet historik, deshën apo nuk deshën armiqtë tanë, deshën apo nuk deshën, pushtuesit shekullor të tokave shqiptare. Pjesë e kësaj lirie që është bërë realitet historik, në jetën historike të popullit shqiptar, janë edhe Dëshmori i Kombit, Rasim Kiçina dhe bashkëluftëtari më i ngushtë i tij, Dëshmori i Kombit, Ragip Halilaj.
Qoftë vetëm për këtë fakt të vogël, në rrjedhën e madhe të historisë, se liria e Kosovës është realitet historik, sepse në themelet e saj është gjaku i Dëshmorëve të Kombit, rënia e Rasim Kiçinës dhe e Ragip Halilajt, është bërë pjesë edhe e procesit të madh historik të bashkimit kombëtar.
Pa këto dy ideale, idealin e lirisë së pjesëve të pushtuara të atdheut dhe hapjen e procesit të madh historik të bashkimit kombëtar, nuk mund të kuptohet drejtë as lufta e luftëtarit të lirisë, Dëshmorit të Kombit, Rasim Kiçina dhe bashkëluftëtarit të tij të përjetshëm, Dëshmorit të Kombit, Ragip Halilaj, por as e gjithë lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Njësoj si lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe rënia e dëshmorit të kombit, që po e përkujtojmë sot, Rasim Kiçina, janë bërë pjesë e edukimit tonë kombëtar, se lirinë nuk ta falë askush, por ajo fitohet me luftë ku derdhet gjaku për liri, janë bërë pjesë e kujtesës sonë historike, se pa luftë çlirimtare nuk çlirohen pjesë të pushtuara të atdheut.
Lavdi Dëshmorit të Kombit, Rasim Kiçina!
Lavdi Dëshmorit të Kombit, Ragip Halilaj!
Lavdi të gjithë Dëshmorëve të Kombit kurdo që kanë rënë për lirinë tonë!

Prof. dr. Nusret Pllana

Prishtinë, më 30 maj 2018

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 1 vizitorë
Lexuar: 1,061 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi