Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Familja Lleshi dhe lufta shekullore për liri
Publikuar më 09 gusht, 2018 në orën 16:56 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
(Në 20 vjetorin e rënies së Dëshmorëve të Kombit të Familjes Lleshi)

Dikur heronjtë i kemi kërkuar nëpër arkiva, nëpër histori, nëpër legjenda,sot heronjtë i kemi në mesin tonë - do të thoshte Prof. dr. Dom Lush Gjergji. E unë do të thosha: Shumë luftëtarë e luftëtare, heronjë e heroina i kemi edhe nga Familja e madhe Lleshi, disa prej të cilëve i kemi edhe sot, në këtë Amfiteatër të bukur të Bibliotekës Kombëtare "Pjetër Bogdani".

Lleshi, Marku, Martini, Dritoni, Kola, Gjoni, Pashkja, Dranja, Zoja, Kastrioti,
Agimi, Dila, Prena, Hana, Zefi, Gega, Nika, Mema, Toma, Deda, Gjoka, Martini, Doda, Preka, Pjetri, Pali, Nikolla, Iliri, Vjollca dhe Lulja - për betejat e tyre të suksesshme në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, meritojnë respekt të përjetshëm, e pse jo edhe një duartrokitje të veçantë tani edhe nga Ju?!!

Përkufizimi

Në jetën historike të popullit shqiptar, familjet atdhetare kanë luajtur rol të rëndësishëm, në të gjitha kohët dhe në të gjitha ngjarjet që lidhen me luftërat për ruajtjen e identiteti kombëtar dhe me të gjitha luftërat për lirinë e atdheut.
Do të thotë, falë përpjekjeve me vetëdije kombëtare të këtyre familjeve, ngjarjet më të mëdha në historinë e kombit shqiptar, lidhen me veprimtarinë e tyre, siç lidhen edhe me gatishmërinë e tyre që të vihen në shërbim të atdheut.
Një familje e këtillë e madhe, shumë e lashtë, e cila në tetë apo më shumë brezat e saj, ka dhënë luftëtarë e veprimtarë në shërbim të lirisë dhe të ruajtjes së tërësisë së atdheut, është edhe familja Lleshi e Vraniqit të Gjakovës.

Hyrje

Në historikun e familjes Lleshi, kur bëhet përpjekje për të kapur fillin e dashurisë ndaj lirisë së atdheut të Dëshmorëve të Kombit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kësaj familjeje, del se breza të tërë të saj, që nga koha kur kishin mbiemrin Legisi e deri te trashëgimtarët e sotëm me mbiemrin Lleshi, dalin më shumë se pesë breza, që kanë vënë në shërbim të lirisë dhe të tërësisë së atdheut çdo gjë, deri edhe jetën e tyre.
Periudhat kohore nëpër të cilat kanë dhënë provat e atdhedashurisë, pjesëtarë të kësaj familje, nuk janë fort me rëndësi, ngase këtu nuk po merremi me jetën e secilit brez veç e veç. Por, aq sa na lejojnë mundësitë dhe dija, po trajtojmë veprimtarinë e tyre, sidomos të Dëshmorëve të Kombit të Luftës së UÇK-së, të cilët edukatën për dashurinë ndaj atdheut e kishin edhe edukatë familjare, e kishin shkollë të madhe të jetës së familjes, e kishin, në fund të fundit, amanet të të gjithë atyre veprimtarëve të brezave të kësaj familjeje, që nuk kishin pasur mundësi të përjetojnë lirinë, të cilën sot e gëzon kjo pjesë e atdheut, që quhet Kosovë, falë Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Dëshmorëve të Kombit që janë bërë pjesë e përjetësisë së jetës sonë historike.
Atdheu i shqiptarëve, Shqipëria, qoftë edhe mbi shembullin e veprimtarisë së brezave të familjes Lleshi, del se ka kaluar nëpër periudha shumë të rëndësishme historike. Ndonjëherë është rrezikuar deri edhe zhdukja fizike e këtij atdheu.
Sepse, kur një vend mbetet pa banorët e tij, me përkatësi të caktuar etnike, atëherë vendi është vetëm shenjë gjeografike. Kështu është thënë njëherë e një kohë, në Kongresin e Berlinit, kur krahu i armatosur i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kërkonte ruajtjen e tërësisë së gjeografisë së atdheut.

Lufta dhe jeta shekullore e një familje në shërbim të lirisë së atdheut

Veprimtarët atdhetarë të kësaj familje, e cila historisë sonë më të re dhe lirisë së kësaj pjese të atdheut tonë, ia ka dhënë katër Dëshmorë të Kombit, kishin ngritur zërin dhe kishin rrokur armët kundër çdo pushtuesi. Ngase, siç i kishte mësuar historia e të parëve, çdo i huaj që vjen me armë, që vjen me ushtri, është pushtues.
Andaj, ata kishin marrë armët dhe kishin dalë malit, edhe kundër Perandorisë Osmane, edhe kundër pushtuesve grek, bullgarë e sllavë, edhe kundër pushtimit tragjik që kishte sjellë sistemi ideologjik i komunizmit. Të parët e Dëshmorëve të Kombit Mark Tunë Lleshi, 72 vjeçar dhe Kolë Gjon Lleshi, 31 vjeçar, të cilët kanë rënë më 7 gusht të vitit 1998, si dhe të Dëshmorëve të Kombit, vëllezërit Pren e Memë Lleshi, të cilët kanë rënë më 28 janar të vitit 1999, në kufirin që ndante në mënyrë tragjike tokat shqiptare. Padrejtësitë e mëdha historike që kishin përcjellë fatin e tokave shqiptare, në një mënyrë a në një tjetër, kishin përcjellë edhe fatin e familjes Lleshi gjatë gjithë historisë së saj shekullore.
Që kur kishte rënë në altarin e atdheut Dedë Pashk Lleshi, më 1944, duke luftuar Serbinë dhe komunizmin, brezat e ardhshëm të familjes Lleshi përherë ishin në thumb të pushtetit.
Secila kohë dhe secili pushtet që vinte, ishte më i rëndë dhe më gjakpirës për familjen Lleshi. E këtillë ishte edhe periudha kohore, që njihet si pushteti i Rankoviqit, me urdhërin e të cilit ishte zbatuar Aksioni i mbledhjes së armëve, ku shqiptarët, sidomos familjet me shenjë për veprimtarinë e tyre atdhetare, jo vetëm keqtrajtoheshin, por edhe vriteshin.
Dihet, shqiptari e kishte bërë pjesë të jetës armën, jo nga mendja e madhe, apo ndonjë atavizëm trashëgues, siç del ndonjëherë në analizat që bëjnë të huajt dhe shqiptarët, për praninë e armës në jetën tonë, por si nevojë historike për ta mbrojtur ekzistencën e tij, jo vetëm pragun e shtëpisë, por tërësinë gjeografike që njihej si tokë e atdheut.
Andaj, jo kot, historia jonë shënon shembuj të tillë edhe të luftës së atdhetarëve të vetmuar, herë në një pjesë të gjeografisë së atdheut, herë në një tjetër, që nga Mujo Ulqinaku, që i bën ballë pushtimit italian, thuajse fill i vetëm, që nga Vojo Kushi e luftëtarët trima të Shkodrës, e deri te Adem Jashari dhe familja e tij, e deri te Zahir Pajaziti dhe dy bashkëluftëtarët e tij Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu.

Luftëtarët e familjes Lleshi që ju bën krahë çlirimit të Kosovës

Brezi më i ri i familjes Lleshi, duke pasur për edukatë familjare dashurinë ndaj atdheut dhe gatishmërinë që të jenë në shërbim të lirisë së tij, kur i thirri lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata ishin në radhët e saj.
Prandaj, të gjithë vëllezërit Lleshi, që nga Preni që ka rënë dëshmorë më 28 janar të vitit 1999, Gegën, Nikën, Mëmën, po ashtu Dëshmorë i Kombit, i cili ka rënë në pjesët e kufirit që pushtuesi i kishte vënë për të ndarë tokat shqiptare, më 28 janar të vitit 1999, Tomën dhe Dedën, që të gjithë luftëtarë të lirisë.
Ata ishin kudo ku kishte nevojë lufta për liri dhe çlirim kombëtar. Sa i gjeje duke organizuar kolonat e luftëtarëve për të sjellë armë për frontet e luftës, herë tjetër duke siguruar ushqime dhe veshmbathje për luftëtarët e lirisë, herë duke i prirë kolonës së gjatë të luftëtarëve që shkonin për t’u furnizuar me armë në pjesën tjetër të atdheut tonë, Shqipërisë.
Në një çast tjetër, ata i gjeje duke i përcjellë kolonat e familjeve të zhvendosura nga gjenocidi serb i fundshekullit që shkoi, pastaj duke u kujdesur për strehimin familjeve të cilat pushtuesi, jo vetëm ju rrënonte dhe digjte shtëpitë, por edhe i vriste kudo që i gjente, pa pyetur ishin pleq, fëmijë, gra, apo plaka të mbetura.
Luftëtarët e lirisë të familjes Lleshi, të cilët lirisë së kësaj pjese të atdheut ia falën jetën katër prej tyre, dy në gusht të vitit 1998, kurse dy të tjerë në janar të vitit 1999, ishin në të gjitha frontet ku zhvilloheshin luftime për lirinë e Kosovës.
Kur po përballeshin me forcat pushtuese, në gusht të vitit 1998, armët për ta mbrojtur lirinë dhe dinjitetin kombëtar, i kishin marrë edhe nënë Hana e babai Zefi, jo vetëm duke ju bërë krahë djemve dhe vajzave të familjes, por edhe duke luftuar me forcat pushtuese policore e ushtarake të okupatorit serb.
Janë të shumta luftimet ku ata kanë marrë pjesë, herë së bashku, si luftëtarë të familjes Lleshi, herë ndaras, atje ku duheshin dhe atje ku i kërkonte lufta për liri.
Nuk mund të numërohen të gjitha betejat, ku ata ishin me armë në dorë, si ajo e Gllogjanit, e Shqiponjës, ish- Jabllanicës, e Dashinofcit, beteja e Ana Drinit e 12 majit të vitit 1998, ajo kur rrethohet familja Lleshi, më 7 gusht të vitit 1998, betejat e Zhabelit, e Ratishit, si dhe shumë e shumë të tjera, që këtu nuk do të përmenden, edhe për faktin se luftëtarin e lirisë, nuk e bëjnë Dëshmorë të Kombit, numri i betejave, por gatishmëria për ta vënë jetën në shërbim të lirisë së atdheut.
Kjo gatishmëri, te vëllezërit Lleshi ishte supreme. Dihet se Dëshmori i Kombit Memë Lleshi, djalë 25 vjeçar, kur bie në altarin e lirisë së kësaj pjese të atdheut, ishte shumë i lidhur me Dëshmorin e Kombit Shkëlzen Haradinaj. Kudo ku bëhej luftë aty ishte Shkëlzen Haradinaj, por aty ishte edhe Memë Lleshi.
Po ashtu, dihet se Dëshmori i Kombit Memë Lleshi ishte i fejuar me Shqipe Kabashin nga Gllogjani i Pejës. Por në vend të dasmës së tij, ai bëhet krushk i dasmës së madhe të atdheut, bëhet krushk i Lirisë.
Në vend që të martohet me të fejuarën e tij, ai martohet me Luftën për çlirimin e Kosovës. Në vend që të bëhet dhëndër duke marrë bekimin e nënës dhe të babait, ai bëhet dhëndër i përjetësisë së lirisë së Kosovës. Do të thotë, luftëtari i lirisë Memë Lleshi, në vend të dasmës së tij, bëhet krushk i dasmës së madhe të lirisë së Kosovës, kësaj pjese të atdheut, që fuqitë e mëdha të Evropës ia kishin dhënë Serbisë, përkundër gjakut të derdhur, edhe të brezave të familjes Lleshi, për të mbrojtur tërësinë e gjeografisë së atdheut.

Përfundim

Historia e popullit shqiptar, kanë thënë edhe të ditur të tjerë, të huaj e shqiptarë, është shumë tragjike. Por, në të njëjtën kohë edhe shumë krenare, sepse dihet, e madhërishmja është pjesë e tragjikes.
Luftëtarët e lirisë të familjes Lleshi, thuajse të të gjithë brezave të kësaj familje, kanë pasur histori tragjike, sepse përherë janë përballur me pushtuesin e tokave shqiptare, por edhe krenare, sepse përkundër humbjeve, edhe të familjarëve të tyre, nga më të moshuarit e deri te më i riu, Memë Lleshi, janë bërë pjesë e kujtesës sonë historike, sepse qoftë edhe si individ, ai në vend që të martohej me nusen e tij e të bëhej dhëndër, ai martohet me luftën për liri dhe bëhet dhëndër i çlirimit të Kosovës.
Mesazhi i kësaj kumtese në fund do të ishte: "Nuk ka fe, nuk ka Parti që e përçan këtë Shqiptari".
Lavdi Dëshmorëve të Kombit të Familjes së Madhe Lleshi!
Lavdi të gjithë Dëshmorëve të Kombit që kanë rënë për lirinë tonë!

Prof. dr. Nusret Pllana
Universiteti ‘‘Hasan Prishtina’’
Prishtinë

Prishtinë, më 6 gusht 2018

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 1,181 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi