Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
BERANA, LIDERSHIP TË TEPRUAR MBI PLAVË E GUCI…?!
Publikuar më 15 gusht, 2018 në orën 00:18 ( ) Të ndryshme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Komuna e Plavës në Malin e Zi u bá këto ditë me kryetar të ri. Mirsad Bajraktaroviq, i thonë. 32 vjeç. Arsimin fillor e gjimnazin në Plavë e të lartin universitar në Podgoricë. Jurist, avokat- në Plavë-Guci. Ec shpejt e mirë në rrugëtimin e tij politik. Një politikan i ri, i një partie të re. Ai është sekretar i degës së SD (Social-Demokrate) për komunën e Plavës. Njëherash, dhe antar i Kryesisë së kësaj partie të re, e themelueme ligjrisht në Podgoricë, më 31 korrik 2015, dhe si një kundëralternativë e SDP të Ranko Krivokapiqit, mbi të gjitha për ta mbajt ma fort e ma gjatë në pushtet të gjithëpushtetshmin Milo Gjukanoviq e partinë e tij DPS.

Tue vështrue CV e kryekomunarit Bajraktaroviq pashë se kishte lind në komunën fqinjë të Beranës, më 15 të janarit 1986. Pra, në vendorigjinë: “i beranas”. Vllaznia (fisi) Bajraktaroviq në Beranë janë të njohur në figura të kohës së sodit. Veçojmë: artisten, kangtaren 37 vjeçare Jadranka Bajraktaroviq, e cila tashti jeton në Beograd; sportisten 32 vjeçare, Sonja Bajraktaroviq, e ekipit kombëtar malazez të hendbollit për femra, me pjesmarrje e vlerësime në disa veprimtari ndërkombëtare, etj.

Mbasandej, tue lexue me përkthim në shtypin malazez të gushtit 2018 mësova se dhe nënkryetari i ri i komunës së Plavës, dr. Blazo Stijoviq, i partisë SD, i diplomuar për mjekësi në Beograd, është një mjek kirurg në spitalin e përgjithshëm në komunën Beranë.

Kjo më shtoi kureshtje për ma tej, ma shumë.

Vërej se dhe një tjetër figurë politike, një nga emblemat e partisë SD, dr. Damir Shahoviq, i shkolluar në Plavë, krye universitetin në Beograd, kishte lind në Beranë, më 22 qershor 1981. Ky, ish-sekretar i Ministrisë së Financave (2008-’09) e ish-deputet në Kuvendin e MZ (2009-‘16), aktualisht– prej nëntorit 2016, është ministër i Arsimit dhe nënkryetar i Partisë SD në Malin e Zi, ka rol e ndikim të madh në rritjen e madhe elektorale të SD në Plavë dhe për zgjedhjen kryekomunar të bashkvendasit e bashkudhëtarit të tij partiak, Mirsad Bajraktaroviq.

Partia 3-vjeçare Social-Demokrate (SD) është parti në pushtet, në koalicion qeverisës, (me PDS, BS, BS, LP, Forca, HGI), me peshë politike në Malin e Zi. Kryetari i saj, Ivan Brajoviq është kryetar i Parlamentit të Malit të Zi dhe ka dy ministra në Qeveri: dr. Damir Sehoviq–ministër i Arsimit dhe dr. Kenan Hraspoviq –ministër i Shëndetësisë. Po të ikin nga koalicioni qeverisës SD me dy deputetët e saj bie menjëherë Qeveria e Dushko Markoviqit në Malin e Zi. Partia SD, si parti në pushtet, është më e fuqishme dhe se koalicioni i tre partive shqiptare: Forca, UDSH e ASH, që kanë një nënkryetar të Parlamentit-Genci Nimanbegu (i vetmi deputet shqiptar) dhe Mehmet Zenken–ministër i Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicat në Malin e Zi.

Kjo fuqi politike elektorale e SD më bani të shoh dhe për emrat drejtues të kësaj partie në dy komunat Plavë dhe Guci, tokë etnike shqiptare ndër shekuj historie.

Kryetari i sotëm i degës së SD në komunën e Plavës është Omer Mehmetoviq. Dhe ky, i lindur në Beranë, me 13 mars 1981. Përndryshe: politikani Mehmetoviq ka qënë i zgjedhur dhe nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi (2012-’16) e, prej 2016-tës e këndej, po e kryen detyrën e Sekretarit të Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi. Pra, ky rast flet për një lidhje të trefishtë: Mehmetoviqi, kryetari i degës së partisë SD në Plavë e ka sekretar të degës së SD në Plavë kryekomunarin i ri, Bajraktaroviq dhe, vet, është sekretar në Ministrinë e dr. Damir Shahoviqi - nënkryetarit të SD në Malin e Zi. Të tre, me vendlindje të tyre në Beranë dhe me kulla-troje në Plavë.

Edhe kryetari i partisë SD në komunën e Gucisë, Džeko Radončiq, qenka i lindur më 30 janar 1981 në komunën Beranë, i cili u arsimua në Mitrovicë e Beograd dhe menaxhon një firmë biznesi D.O.O. ''Dženo & Bros''.

Kqyra dhe ma tej: edhe nënkryetari i komunës së re të Gucisë, Huso (Beli) Brdakiq, i zgjedhur në këtë detyrë prej 23 qershorit 2017, thuhet se paska lindur në Beranë. Ai ka ndjek studimet e larta në Sanxhak e në Beograd, me specializime e vlerësime dhe në shtete të tjera, ish zyrtar dhe në komunën e Plavës. Ky rast më ban të ngré një çështje: komuna e re e Gucisë ka mbi 40 për qind të popullsisë së saj shqiptare, po ende nuk e ka një nënkryetar të etnisë shqiptare (i deklaruar i etnisë shqiptare), çka tregon shumçka për politikat e Malit të Zi ndaj shqiptarëve trojenik dhe në Guci.

Natyrisht, askush në këtë botë, në jetën e vet, nuk mundet ta zgjedhin vendlindjen e tij, as kohën e lindjes, ndaj nuk ka dhe nuk merr asnji përgjegjësi për vendorigjinën e tij. Përkundrazi, për gjithkë, për të gjithë njerëzit mbi globin tokësor, vendlindja e tyre është ma e mira se asnjë vend tjetër në botë. Kështu them dhe unë për Tropojën time. Dashuria për vendlindjen është dhe një nga “sëmundjet profesionale” të njeriut, sepse edhe po të ketë lindur në një fshat të prapambetur e të izoluar i duket ma i mirë edhe se vet Neë Yorku, Parisi, Londra, Tokio; paçka se nuk është realisht i tillë për të tjerët. Njeriu aty ku lind i merr bio-tiparet sipas relievit të vendit, sipas kushteve historike-shoqërore të vendit dhe ngado që ecejakë e ngulmon për jetesë përté vendlindjes së vet i mbart me vete ato, e ka me vete aromen e tokës të vendlindjes, i ka deri në frymën e fundit mallin, nostalgjinë e përkushtimet për vendlindjen e tij, për historinë, kulturen e njerëzit e saj.

Çështja shtrohet ndryshe: përté asaj që ndokush mund ta marrin si rastësi, them se është e tepërt që të kemi në Plavë-Guci kaq shumë kuadro të nivelit të lartë shtetëror e partiak “të lindur në Beranë”, ndërkohë që krahina e Plavë-Gucisë ka mjaft personalitete lokale të saj nga të gjitha etnitë e besimet të lindur aty, në Plavë dhe në Guci. Ky vend, historikisht, është një “industri e randë” e “prodhimit” bio-historik të një kalibri të lartë të shqiptarëve të pushkës e të mendjes kombëtare.

Çështja shtrohet dhe kësisoj: të gjithë këta kuadro shtetërore e partiake nivele larta të pushtetit (të zgjedhur apo emëruar) në krahinën e Plavë-Gucisë, në dy komunat e saj, të cilët janë të lindur në komunën fqinjë të Beranës, si këto 6 raste/shembuj: Bajraktaroviq, Shahoviq, Stijoviq, Memhmetoviq, Radoniqi, Brdakiqi, rrezikon të krijojnë (nëse nuk ka ndodh tashma kjo!) një “klan beranas”(!), një “klan të ri beranas” në krahinën e Plavë-Gucisë, që nuk do t’i bajnë mirë as Plavë-Gucisë, as vet Beranës, as Malit të Zi, antar në NATO dhe në ecje drejt BE-së.

Historikisht, Berana, me territor e popullsi ma të madhe se Plavë-Gucia, me mbështetje të përhershme ma të fuqishme nga Kotorri e Podgorica, si njësi administrative në veriun e Malit të Zi, si me disa personalitete të saj çetnikë sllavë dhe me këta bashkëkohorë euro-atlantikë, gjithnji e gjithmonë ka desht’ kohë pas kohe dhe ka ushtrue hera-herës një pushtet të msheftë e të hapët, gjithnji të pritshëm e gjithmonë të rrezikshëm, ndaj krahinës së Plavë-Gucisë.

Në përgjithësi e vazhdimësi, shumçka nga kompetencat shtetërore e shërbimet e ndryshme qytetare të komunave në Plavë-Guci shteti i Malit të Zi përgjatë dy shekujve të fundit ia ka dhanë e lanë Beranës fqinjë, ma shumë në kohë të djehit dhe jo pak në ditët e sodit.

Shteti i Malit të Zi ka ngritur në Martinaj të komunës së Gucisë, në kodër Jerinë, një Deponi të mbeturinave gjithfarësh (edhe mjekësore, shtazore, elektrike, etj.) edhe për ato të komunës së Plavës e prej kahmos. Ndoshta vijnë “kondrabandë” dhe prej Berane?! Kjo Deponi në Martinaj u ngrit në kundërshti me nënshkrimin enga Mali i Zi të Deklaratës të vitit 1991 për “shtet ekologjik” dhe të Kushtetutës të Çetinës të 19 tetorit 2007, tue shkelë Bibël e Kuran, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut (nenet 1 & 9), etj. E, tashti, aty, në 6 vite, u krijue aty një “Vaso Vode” Berane! Prej kohësh flitej për një çek mbi 30 milionë euro për ngritjen e një minihidrocentrali për prodhim energjie nga mbeturnat e deponisë së madhe të Beranës, çka ndoshta do të ketë mbishtesë dhe “Deponia e Jerinës” në Martinaj, e cila po u rrezikon jetën vendasve çdo ditë dhe poi u sjell vdekjen nga toka e ajri, po i detyron me marrë spitalet dhe rrugët e mërgimit pakthim.

Prej vitesh, gati nji dekadë kohe, Metropoliti i Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi, Amfillohije Radoviq, po don me e ndërtue në trojet e Prelvukajve, në Martinaj të Gucisë, një kishë ortodokse, ndërkohë që ky fshat i madh etnik shqiptar, sipas rregjistrimit të v. 2011, nga 532 banorë i ka 501 shqiptarë etnik, 13 muslimanë (etiketim sllav me ulë popullsinë shqiptare) dhe 7 boshnjakë muslimanë (disa sish shqiptarë të boshnjakëzuar), etj. Kjo kishë kërkohet me u themelengritë dhe me dhunë policore. Nuk është e rastit që shpeshtas forca policore kanë ardhë, jo vetëm nga Plavë-Gucia, por dhe nga Berana fqinjë duke iu bá terror psikologjik e prangash banorëve shqiptarë të fshatit Martinaj në Guci. Shpjegimi është i vjetër sa vet historia e sllavizimit të Beranës së sotme!

Prej dekadash po duan të hapet Rruga Ndërkombëtare Plavë-Deçan, e cila i lidh e zhvillon ma shumë e ma mirë shumanshmërisht dy shtetet ballkanike: Mali i Zi e Kosovë dhe krijon një “Unazë të Alpeve”, që e lidh me Vermoshin e deri në Podgoricë-Shkodër e brigjeve të Drinit të Bashkuar deri Gjakovë-Deçan. Kjo rrugë thirret ndryshe dhe si “Korridori 8”. Ka një “konkurencë” për dy rrugët që çojnë Grykës së Deçanit e Grykës së Rugovës (Pejë). Te dyja janë marrëveshje të hapura të dy qeverive ndërkufitare Mali i Zi e Kosovë. Sivjet, në Buxhetin e vitit 2018 Parlamenti i Malit të Zi e ka miratue dhe fondin për punimin e studimit të fizibilitetit për ndërtimin e rrugës dhe të pikës kufitare Plavë–Deçan (Kosovë), i cili është i vetmi investim infrastrukturor i vitit në komunat me shqiptarë në veriun e Malit të Zi. Komuna e Beranës është në mes tyre. Me sa po duket Rruga Plavë-Deçan po shtyhet me vonesa të qëllimshme…, po kryekomunari i ri i Plavës Bajraktaroviq duhet të prononcohet nëse është i të njejtit mendim e veprim si paraardhësi i tij, Shahmanoviq, për ndërtimin e saj të shpejtë.

Prandaj, kryetari i ri i komunës së Plavës, Mirsad Bajraktaroviq e zëvendësit e tij, ekipi i tij, partia e tij SD me nënkryetarin e saj e ministër i Arsimit të Malit të Zi, partitë në pushtet në Plavë si dhe në komunën e Gucisë, kryetari i Këshillit Komunar të Plavës, Shefket Jevriq i partisë DPS të Gjukanoviqit, kryetari i këshillit komunal në Guci, Xhenadin Radoniqi-i partisë SD duhet të prononcohen edhe për Parkun Nacional (që përfshin e dëmton interesat jetike të shqiptarëve, pronat e tyre në vendbanimet e veta si në Vuthaj, Kukaj, Hakaj, Hot i Vendit, Martinaj, etj.), për mos funksionimin e derisotëm të pikës kufitare në Qafë Vranicë; etj, po mbi të gjitha, në se “klani beranas” (i vjetri apo ky ”i riu”) nuk përban asnjë rrezikshmëri për krahinën e Plavë-Gucisë, për shqiptarët e saj, se nuk do të kemi një lidership të tepruar të Beranës mbi Plavë e Guci.

Ramiz LUSHAJ

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 293 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Duam Përgjegjësi
E mart, 23 mars 2021 - 21:08
Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le...
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ...
E diel, 21 mars 2021 - 15:45
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit Poliklinika 3L, hist...
NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q...
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04
JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA...
NJË FOTO-KUJTIM ME SHOKËT E MI TË IDEALIT ...
E premt, 12 mars 2021 - 23:55
Mërgimi është një plagë e rëndë, e hidhur, tepër e përmallueshme! Mërgimtari ka mall të pashlyer për vendlindjen, për tokën, ku u lind e u rr...
NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE...
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01
Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda! Profesorin e nderuar, pata fatin që t...
më shumë nga - Të ndryshme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi