Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Tomorrica nëpër shekuj dhe tomorricarët që apelojnë….
Publikuar më 13 mars, 2019 në orën 12:04 ( ) Të ndryshme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Reportazh

Kush ka udhëtuar drejt skraparit, duke lënë pas qytetin Çorovodë e merr rrugën majtas që të çon për në Qafën e Dëvririt, para syve të shpaloset si në ekran tomorrica me gjithë fshatrat e saj të cilët janë vendosur si në dy krahët e ‘’Pëllumbit’’ ku në mes tyre i ndahen lumi me të njëjtin emër: Lumi Tomorricë. Theksojmë se dikur ky lum me një gjatësi prej 60 km, thonë se quhej ‘’Dodona’’’ e ‘’Puthet me lumin Devoll nën këmbët e fshatit Nartë. Natyra i ka dhënë bukurinë hyjnore kësaj lugine piktoreske, saqë miku apo vizitorin e magjepsin dhe i thonë ‘’bujrum’’ në vatrat tona. Dhe kjo është mëse e vërtetë , e tomorricarët me të drtejtë kanë seç të tregojnë edhe sot në shekullin e 21-të. Tomorrica deri në vitet’90 të shekullit që lam pas kishte rreth 15 mijë banorë.

Transformimet gjeoplolitike dhe socialshoqërore sollën atë ndryshim befasues, një heshtje e trishtueshme ka rënë në gjithë fshatrat e kësaj zone, por ajo heshtje e ‘’frikshme’’ pas 28 vitesh po zgjon e thërret ndjenjat e tomorricarëve për t’u kthyer në vendlindjen e tyre. Porta e vetme hyrse që lidh me rrugë automobilistike me zonën e tomorricës është gryka e Dëvrisë,. Pëllëmbë e histori gjen në çdo kohë në këtë trevë perlë që gjendet në kërthizë të Shqipërisë së jugut. Tomorrica e Zezë përbëhet nga fshatrat: Grëmshi historik i kryearkitektit të Perandorisë Osmane, Mimar Kasëmit; Gjokovica, fshati i mjaltit, Kuçi, Barçi, Floqi, Rehova, Vishanji, Straficka, Greva, Kovaçanji, Postena, Leskova, Zhepa, Çerrica, Gurrazezi, Çorotati, Burranji, Dobrenji, dhe vazhdon … Simani, Lemnusha, Vidhani, Kotka, Ermenji, Shërmbëdhenji, Bletza, Kullolli, Narta. Ndërsa Tomorrica e Bardhë: Përrenjasi, Mëlova, Zaloshnja, Davidhi, Gjerbësi, Ujaniku, Gradeci,Luadhi, Shpatanji, Trebla, Duncka, Rromasi Tërrovë…Kërpicë, Bregas.

Vendndodhja e luginës,vështrim I shkurtër historik…
Gjeografikisht Tomorrica ndodhet në Shqipërinë e jugut. Ka një shtrirje gjeografike dhe entografike midis malit Tomorr (nga ku ka marë edhe emrin), Qafa e Kulmakut, Qafa e Dardhës, në jugperndim, Koshnica, Qafa e Gjarprit në veri, Ostrovica në lindje, Qafa e Dëvririt në jug. Për zonën e Tomorricës, gryka e Dëvririt është nyja lidhse dhe porta e vetme që lidh atë me qytetin e Çorovodës dhe zonën tjetër, Skrapar. Bën pjesë në rrethin Skrapar. Është nëprefekturë e Beratit. Kufizohet me rrethin Gramsh, Korçë e Berat. Tomorrica formon një luginë të gjerë që përshkrohet nga lumi me të njëjtin emër, lumi i Tomorricës. Ky lum e ndan në dy pjesë: pjesa e Tomorrit nga njëra anë, dhe Qafa e Gjarprit nga ana tjetër. Përbëhet tërësishtë nga shkëmbenjë flishorë të butë të bardhë e në gri, të cilët janë të gërryeshëm në punim. Relievi i Tomorricës është kodrinor- malor i thyer, me një numër përrenjësh e përroskash me brazda gërryerjesh në vazhdim. Lugina e Tomorricës ka qënë e populluar qysh në lashtësi. Ajo ka në rregjistrat e kohëve të rregjistruar 39 fshatra. Fshati Grëmsh dikur ka qënë qytet. Ka patur 400 shtëpi, 18 dyqane e një xhami. Nga Grëmshi i Tomorricës është edhe origjina e patriotëve dhe rilindsave tanë të Frashllinjëve.
Toka e bukës është e pakët; por prodhuese. Bimësia është natyrale, por edhe e kultivuar nga vetë dora e njerzëve punëdashës të Tomorricarëve. Tomorrica njihet qysh në lashtësi për zhvillimin e jetës. Në zonën e Tomorricës janë vërtetuar disa pika arkeologjike. Nëpërmjet ekspeditave të kryera nga studuesi Lutfim Ylli në luginën e Tomorricës. Dëshmitë më të hershme arkologjike i takojnë periudhës së hershme të hekurit në shekujt XII - V p .e . r. Gjurmë të kësaj periudhe janë gjetur në fshatrat Strafickë, Çerricë, Përrenjas e Leskovë, Davidh. Në këtë zonë vihen re edhe kultura e qytetrimit Ilir. Të cilat i përkasin shekullit V - I p . e .r . Për këtë dëshmon gjetjet në shpellën e Tërrovës dhe kalaja e Vidhanit me pozicionin e saj gjeografik. Në teknikën e ndërtimit dhe materialin arkeologjik që gjendet në të, përbën një ndërtim të realizuar në periudhën e antikitetit të vonë. Prania e saj dëshmon edhe për një arter tregtar në luginën e Tomorricës. Ajo merte anën e majtë të lumit Tomorricë. Rr uga djathtas Osumit ndiqte interarin e mëposhtëm: Berat, Vodic, Karkanjos, Tomorr, Qafa e Dardhës, Dunckë, Dobrenj, Qafa e Gurit të Prerë, Qafa e Kumbllës, Dushar, Protopapë, Voskopjë, Turan, Korçë. Kjo rrugë përmendet në shumë dokumente mesjetare. Në një burim të muajit janar 1700 -ës thuhet: "Banorët e Voskopojës, Vithkuqit e Shipkës ankohen se kur po kalonin në vendin quajtur Guri i M’pretë në kazananë e Tomorricës, disa vetë u kanë marë mallin që e çonin për tregëti në Berat".
Vështrimi historik i saj të bën të ndalesh pak për të kuptuar më shumë e të njihesh sado pak me rrebeshet e shekujve të cilat janë të dukshme edhe sot. Krahina e Tomorricës duke qenë një vend trategjik, ajo ka njohur mbi trupin e saj disa lulëzimesh qytetrimi e kulture; megjithatë tomorricarët kanë ruajtur të paprekur dinjitetin e tyre. Jo vetëm brenda teritorit gjeografik, por edhe jashtë saj. Dokumentat na flasin qartazi për çdo kohë të cilat gjenden në arkivat e ndryshme. Ato vijnë si dëshmi të gjala e flasin për tomorricarët e tomorricën edhe sot e kësaj dite.sipas shënimeve të Gjon Muzakës, para 500 vjetësh Tomorrica përbëhej prej 80 fshatrash, që përfshinte luginën e lumit Devoll, deri në Maliq të Korçës. Por pas vdekjes së Skënderbeut, shumë familje emigruan në Greqi dhe Itali. Sipas Çabejt emrat Gjerbës (Jerbës), Barç, Zhupë (Zhepë) të Kalabrisë e kanë origjinën prej këtej.Deri në ’12-ën nën administrimin turk, Tomorrica ka qenë kaza (nënprefekturë-rreth), e ndarë nga Skrapari. Dy Shëmbërdhenjtë, Narta, Kullolli, Sotira, Kushova, Dardha, Sulova, Jança, Delvëni, Patozi, Tunja, Duzha, Bregasi e të tjera fshatra të rrethit të Gramshit deri në vitin 1923 kanë qenë me Tomorricën dhe Skraparin. Fshatrat Kërpicë, Ermënj, Vidhan, Lemnushë, Kotkë dhe Sqimar (Siman) kaluan me rrethin e Gramshit në vitin 1949.

Çfarë kanë thënë për tomorricën?
Janë të shumtë ata njerëz të cilët kanë dhënë vlerësimet e tyre për luginën e tomorricës dhe tomorricarët, njerëz të thjeshtë e personalitet të fushave të ndryshme të të gjithave shkencave, vendas apo të huaj. Nuk është rastësi por realitet se para 300 vjetësh Evliah Çelebiu thotë se ‘’nga Evropa mjekët e atëhershëm dërgonin pacientët e tyre në Tomorr, sepse barnat e këtij mali ishin shëruese…’’, por edhe piktori i madh anglez Eduart Lir, para 160 vjet pikturon malin e shenjtë Tomorr e zonave përreth, dhe kjo vepër arti ngeli kryevepra e tij. Mal i shenjtë i tomorrit ka tërhequr shumë studiues e shkencarë qysh nga lashtësia e deri më sot nga e gjithë bota, një nga këta ka qenë Martin Lik Margaret Halcuk e Antiono Baldaci etj.

(Një fotopamje e pjesshme nga tomorrica)

….Nga veprimtaria patriotike atdhetare
Veprimtaria patriotike e atdhetare e njerëzve tomorricarë janë një galeri mbushur me plot thesare të cilat flakadojnë nëpër shekuj , e si rrjedhojë ato janë pjesë e kultures historike e atdhetare e kombit tonë. Por ne do sjellim vetëm disa pika kulmore historike në këtë reportazh, për ti thënë lexuesit se duhet të njihemi sa më shumë me vlerat tona historike të popullit tonë. Konaku ka qenë qendra e zonës së tomorricës. Aty janë zhvilluar shumë kuvende të cilat kishin lidhje me fatet e kombit tonë. Jo më kot Sali Butka kishte dy çeta në Tomorricë që komandoheshin nga Dostllarët e Zaloshnjes, Serveti dhe Mahmuti. Edhe sot e kësaj dite këndohet ajo këngë që kambetur në memorien e popullit të kësaj zone: “Në Konak thërret tellalli,/ thërret Sali Kapedani”…
Fakte janë të shumta e domethënës që i shtohen masakrave barbare që grekërit kanë kryer edhe në zonën tomorricës e skrapar, me djegien, plaçkitjen deri në vrasjen e banorëve të kësaj krahine.Në luftën kundër andartëve grekë për mbrojtjen e trojeve shqiptare, në vitin 1914 mbetet i vrarë te Tre Urat e Përmetit edhe patrioti Razim Shabani nga Leskova e Tomorricës së Skraparit. Në vitin 1915 në Konak të Tomorricës u mbajt Kuvendi që i cili mori vendime të rëndësishme për të luftuar kundër shovinistëve grekë që masakronin popullin në fshatrat e zonës së Korçës e të Kolonjës. Në këtë Kuvend mori pjesë edhe patrioti Sali Butka. Pas këtij Kuvendi u krijuan dy çeta komitësh: Njëra në Kuç me komandant Nebi Alimadhi, që veproi me luftimet e saj në Panarit të Korçës, dhe tjetra në Vidhan me komandant Zenel Braçi, që operonte në mbrojtjen e Voskopojës.
...Ishte viti 1923, ku Fan Noli qëndron një natë në tomorricë, pikërisht në fshatin Dobrenj. Pasi kthehet në Tiranë, ai bën këtë debat në Parlamentin shqiptar të asaj kohe:“Sa për Shqipërinë e këtushme, kam parë rasën të udhëtoj nga Dobreja në Voskopojë 25 orë me kalë dhe kudo kam parë katunde të prishura…Patriotizmi dhe sakrifica e këtij populli nuk është kursyer aspak”.Është për t’u theksuar se fshati Shërmbërdhenj, sot Skënderbegas, e ka marrë ngaqë aty ka qenë me luftëtarët heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Çeta e plakut të maleve Mestan Ujaniku
…. bashkë me shumë patriotë të tjerë nga Berati dhe Skrapari krijon një çetë me 15 vetë, ku merr edhe djemtë dhe kushërinjtë e tij. Kjo çetë e vogël e krijuar që në vitin 1941 është bërthama e çetës së madhe që u krijua më 14 mars të vitit 1942, që u quajt Çeta Plakë e Skraparit dhe ku komandant u caktua Mestan Ujaniku. Në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare në çetën morën pjesë edhe dy luftëtarë të shquar me përmasa kombëtare, Heroin e Popullit Ramiz Aranitasin nga Mallakastra dhe Gjin Markun nga Mirëdita, të cilët populli i Skraparit dhe i Tomorricës i deshi dhe i nderon si bijtë e tij. Populli i kësaj ane shquhet për besnikëri e trimëri.

Poetët Dritëro Agolli e Ali Podrimja….
…Ishte muaji gusht i vitit 1994,poeti Ali Podrimja vinte nga Prishtina si pelegrin ai u befasua, thuajse mbeti pa gojë, kur dëgjoi vargjet e tij të recituara nga një mësuese atje, në Tomorr !
….Me atë famë që mori në vitet ‘70-‘80 me zërin e tij brilant, Artisti i Popullit Demir Zyko, domosdo që do të kishte miq të shumtë, gazetarë, shkrimtarë, regjisorë, skenaristë, por më i veçanti, që bujti disa herë në shtëpinë e tij dhe që u bënë miq të vërtetë, ishte Dritëro Agolli.

Tomorrica e tomorricarët e shekullit 21-të apelojnë!....
Sot krahina e tomorricës përbëhet nga 31 fshatra, e cila ndahet në dy pjesë: veri- juglindje nga lumi Tomorricë. Ka dy qëndra Administrative: Gjerbës e Zhepë. Nga reth 15 mijë banorë që kishte deri në vitet ’90, sot është rrudhur në 2250 banorë. Lugina e tomorricës shtrihet në gjërsinë gjeografike duke filluar nga 12 m mbi nivelin e detit e ngjitet deri në 2480 m lartësi. (mali tomorr). Ka një bimës shumë degëshe që fillon nga shkurret mesdhetare si mareja, ilqe, shkoza, frashëri, arra e lajthia, lisi, pisha e zezë, ahu, etj, deri në skajin alpin. Rriten gjithë bimët bujqësore, gruri, misëri, thekra etj. Por edhe pemtaria,vreshtaria, blegtoria e bletaria. (Theksojmë se në mesjetë sipas dokumentave të kohës në tomorricë ishin 66 dy vresht ) Kushtet gjeografike natyrore i kanë dhënë mundësi jetese në shekuj banorëve të kësaj lugine, të cilët kanë përballuar me dinjitet rrebeshet e armiqëve e të natyrës. Para viteve ’90, kishte spital, 4 shkolla të mesme, çdo fshat shkollë fillore, 7 shkolla 8 vjeçare, 4 SMT. 4 qendra shëndetsore, Linjë autobusi për udhëtarët, etj. Kurse sot në shekullin e 21 -të të gjitha këto kanë ‘’avulluar’’ bashkë me shpërbërjen e disa fshatrave që u ka mbetur vetëm emiri i tyre! Migrimi dhe emigrimi e tkurri këtë zonë me shumë vlera si në gjithë Shqipërinë, saqë shtëpitë e fshatrave ‘’heshtin e rënkojnë’ për njerëzit e tyre që morën arratinë. Ka shumë për të thënë……ndaj tomorricarët duke filluar nga Gjogovica e Narta, Përrenjasi e Kërpica bëjnë apel ndaj qeverisë që të kthejnë sytë që të investohet edhe për luginën e vlerave kombëtare të tomorricës. Duke mbajtur mbi shpatull parkun kombëtar të malit Tomorr, Ujvarat e Kërpicës, Shpella ilire në Tërrovë, Guri i Prerë (monument kulture), Kalaja e Vidhanit, Qafa e Gjarpërit, Grëmshi,origjina e vëllezërve Abdyl, Sami, Naim Frashëri, apo kultet fetare …Teqja e Kulmakut etj, Janë të shumtë tomorricarë e skraparasë që jatojnë në qytete Durrës, Tiranë, Korçë, Lushnje, Vlorë Berat, Kuçovë etj.Ka ardhur koha se duhet investuar për lidhjen me rrugë automobilistike qyteti Gramsh, qyteti Maliq në Korçë me qytetin Çorovodë, duke kaluar rruga nëpër luginën e tomorricës.Jo vetëm kaq, por edhe lidhjen nga Qafa e Dardhës rruga të ço shkurt për në Berat. Janë të shumtë njerëzit e kësaj zonë, pavarsisht se ku banojnë sot, në shqipëri apo jashtë në vendet e tjera si Baki e Neim Zhuri, Yda Ismaili, Vjollca e Sajmir Ajasllari, Dritëro, Ilir e Fatmir Ajasllari,Neritan Hajdari, Idari Carkanji, Nsibi Çipi, Skënder Bako, Luan Mollaj, Riza Nuhu, Bashkim Hysi, Kujtim Kajo etj, thonë se infrastruktura rrugore na pengon, po të kemi rrugë, do kthehemi në vendlindjen tonë për të investuar atje. Ndërtimi lidhëse i dy rrugëve në dy krahët e lumit që lidh fshatrat e gjithë zonës së tomorricës; do sillte zhvillim e progress për banorët e dy Qëndrave Administrative Gjerbës e Zhepë. Nyjet lidhëse me rrugë automobilistike drejt qyteteve Gramsh, Maliq, Korçë, Berat, është një apel i zërit të fuqishëm qytetar i gjithë banorëve të zonave Tomorricë, Sulovë, Vërçë, Opar, Gorë, Nahije të Beratit, Poliçanit e Skraparit, sepse kështu vendlindja na pret në gjirin e saj. Këtë kërkon edhe shoqata ‘’Zaloshnja’’ e cila duhet falnderuar e përkrahur nga ne të gjithë sepse ajo na bën thirrjen sublime për t’u kthyer te vendlindja jonë.

Xhevahir Cirongu

Durrës, 24 Shkurt 2019

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 2 vizitorë
Lexuar: 991 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Duam Përgjegjësi
E mart, 23 mars 2021 - 21:08
Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le...
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ...
E diel, 21 mars 2021 - 15:45
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit Poliklinika 3L, hist...
NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q...
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04
JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA...
NJË FOTO-KUJTIM ME SHOKËT E MI TË IDEALIT ...
E premt, 12 mars 2021 - 23:55
Mërgimi është një plagë e rëndë, e hidhur, tepër e përmallueshme! Mërgimtari ka mall të pashlyer për vendlindjen, për tokën, ku u lind e u rr...
NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE...
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01
Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda! Profesorin e nderuar, pata fatin që t...
më shumë nga - Të ndryshme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi