Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Lamtumirë Heroinë e Kosovës, Fetnete Ramosaj!
Publikuar më 07 prill, 2019 në orën 02:17 ( ) Prof. Dr. Mehdi Hyseni | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Luftëtarja e UÇK-së nga Deçani, Fetnete Ramosaj me ndërgjegjen më të lartë, me trimëri dhe me heroizëm e valviti flamurin e UÇK-së për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës.
Vdekja e saj e hershme (5 prill 2019) na befasoi dhe na pikëlloi të gjithëve anembanë Shqipërisë Etnike.
-I lehtë i qoftë dheu i Kosovëss për të cilën nuk kurseu asgjë, ashtu sikurse Shotë Galica dhe Xhevë Lladrofci, që së bashku jetën ia falën lirisë së Kosovës.

Pa dyshim se këto janë faqja më e ndritshme e historisë dhe e krenarisë së kombit dhe e atdheut shqiptar. Me emrin dhe me veprën e tyre heroike liridashëse, mburremi ne sot, si dhe të gjithë gjithë brezat e nesërm shqiptarë të Shqipërisë Etnike.

Vajtimi postmortem i vlerave është hipokrizi dhe djallëzi sui generis
-Reagimin e prekshëm, të dhembshëm mbresëlënës dhe shumë domethënës të deputetit tonë të nderuar dhe të çmuar Milaim Zeka për vdekjen e Fetnetes Ramosaj po e citoj në origjinal, pa asnjë ndërhyrje: “Kur ikin njerezit ne ate boten tjeter, te gjithe flasim fjale te mira. Ndoshta jemi i vetmi popull qe vetem xhenazet i nderojme dhe i respektojme. Sa ishte e gjalle Fitnetja, pak kush nga ne e kemi dashte, nderu dhe respektu. Fitnetja ka qene sinonim i femres te mire shqipetare. Ajo ka qene yrnneki i Xheve Krasniqit Lladrovci. Po asnje post nuk i dhame. Nejse... Fitnete Ramosaj do mbetet tregimi me i mire per kater vajzat e mia.” (https://www.kosova-sot.info/lajme/368662/zeka-ne-vetem-xhenazet-i-nderojme-fetnetes-asnje-post-nuk-ia-dhame/, 5 prill 2019).

Si të mos ia pranoj për së gjalli këtë të vërtetë të pohuar të Milaim Zekës, i cili gjithmonë e ka folur dhe e ka shkruar të vërtetën për ngjarjet dhe për fenomenet e caktuara të shoqërisë shqiptare, jo vetëm për Kosovën para, gjatë dhe pasluftës (1989-2019). Ndaj, nuk heshti as me rastin e dhembshëm të vdekjes së hershme të luftëtares së dalluar të UÇK-së, Fetnete Ramosaj, më 5 prill 2019, duke pohuar një të vërtetë të madhe se ne “vetëm kufomat i nderojmë dhe i respektojnë pas vdekjes së tyre”. Kjo e vërtetë është e pakundërshtueshme (hiq pa “ndoshta” siç është shprehur M.Zeka). Kjo është fatkeqësi njerëzore dhe kombëtare, por është më se e vërtetë se ne vlerat i “vajtojmë” vetëm pas shuarjes së tyre, duke mos ua njohur meritat, duke mos i respektuar dhe duke mos i nderuar derisa janë të gjallë në këtë botë.

Mirëpo, kjo “formë vajtimi” post-mortem është hipokrizia më e rafinuar ndaj njerëzve të merituar-vlerave tona njerëzore, humane, kombëtare, patriotike dhe atdhetare shqiptare. Me një fjalë ky është grafiku më i lartë i barometrit të fshehjes dhe të justifikimit të hipokrizisë, të djallëzisë, të egocentrizmit, të padrejtësisë dhe të antihumanizmit.

Fetnetja ishte VLERË e margjinalizuar si shumë vlera të tjera në kohë paqeje (2000-2019)!
Këtë kosntatim tonin e provon katërcipërisht edhe ky vlerësim i ekuilibruar i deputetit Milaim Zeka, kur thotë se; “Sa ishte e gjalle Fitnetja, pak kush nga ne e kemi dashte, nderu dhe respektu. Fitnetja ka qene sinonim i femres te mire shqiptare. Ajo ka qene yrrnneku i Xheve Krasniqit Lladrovci. Po asnje post nuk i dhame. Nejse... Fitnete Ramosaj do mbetet tregimi me i mire per kater vajzat e mia”. (Po aty, “Kosova Sot”, 5, prill 2019).

-E pabesueshme dhe e dhimbshme kjo e vërtetë e margjinalizimit të Fetnete Ramosaj (luftëtare dhe veprimtare e dalluar e UÇK-së), sepse vendin e saj në qeverinë, në parlamentin , në institucionet dhe në organet e larta shtetërore të Kosovës e kanë rrëmbyer “maskarenjtë dhe horrat” e Fan S. Nolit dhe vrasësit çetniko-fashistë të UÇK-së, të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës (2000-2019), të cilët, edhe në kohë paqeje nuk e njohin Kosovën si shtet të tyre, por vetëm Serbinë gjenocidale, e cila dogji dhe shkrumoi Kosovën, duke vrarë dhe masakruar mbi 12 mijë shqiptarë dhe, duke dhunuar mbi 20 mijë femra shqiptare. Ky është shkaku pse u margjinalizua heroina e UÇK-së , Fetnete Ramosaj; pse nuk pati asnjë post në pushtetin shtetëror të Kosovës për Fetnete Ramosaj.

Pra, siç ka pohuar me të drejtë deputeti Milaim Zeka për Fetnete Ramosajn “nuk pati asnjë post për të”, edhe pse ajo luftën e bëri dhe kishte meritat, që të ishte në ballë të qeverisë dhe të parlamentit të Kosovës, por ja që, siç thotë Rilindësi ynë eurudit dhe patriot Fan S. Noli: “Luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe përfitojnë horrat”. Kjo ishte lufta gllabëruese bajraktariste, nepotiste dhe sektariste për pushtet dhe për para në kohë paqeje në Kosovë, e cila e margjinalizoi dhe e harroi heroinën e merituar të UÇK-së, Fetnete Ramosaj nga Deçani dhe, në vend të saj përqafuan si aleat në qeverinë dhe në kuvendin e Kosovës, “Srpska Listën”, pjesëtarët e së cilës në kohë lufte e vranë UÇK-në, kurse në kohë paqeje nga foltoret e parlamentit dhe të qeverisë së Kosovës, UÇK-në e quajnë hiq mëndryshe sesa “terroriste”. Ky është turpi, tradhtia, pabesia, padrejtësia dhe mohimi i gjakut të heronjve dhe të dëshmorëve-vlerave të UÇK-së siç ishte edhe Fetnete Ramosaj me motrat dhe me vëllezërit e saj nën flamurin e UÇK-së, por në paqe plotësisht të harruar dhe të margjinalizuar nga “maskarenjtë dhe horrat” në pushtet të Fan S. Nolit.

Ngushëllime të sinqerta familjes Ramosaj dhe UÇK-së së ditëve të luftës
Me këtë rast, së bashku me ju ndaj pikëllimin dhe dhembjen e madhe për vdekjen e bijës së juaj të dashur faqebardhë, luftëtares së UÇK-së-HEROINËN e Kosovës , Fetnete Ramosaj.- I lehtë i qoftë dheu i Shqipërisë Etnike dhe, kujtimi i saj qoftë i përjetshëm në zemrat dhe në historinë e lavdishme të gjithë kombit shqiptar, sot, nesër dhe për jetë të jetëve. –Pushka dhe pena e saj gjithmonë do të jenë abetarja e pavdekshme e kombit dhe e atdheut shqiptar.

Që nga vitet e 90-ta të shellit XX e derisa më 5 prill 2019, kur mbylli sytë përjetësisht, Fetnete Ramosaj ishte ndër zërat më të guximshëm të penës edhe të pushkës kundër hordhive pushtuese çetniko-fashiste serbe dhe kundër padrejtësive, vrasjes, torturave, burgosjes, arrestimeve, masakrave, plojës së popullit shqiptar në Kosovë.
Edhe pas mbarimit të luftës, në kohë paqeje, Fitnete Ramosaj nuk pushoi së vepruari në shërbim të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, duke botuar shumë vepra për betejat e lavdishme të UÇK-së kundër okupatorit barbar serb.

Kush ishte “Amazona” e Deçanit, heorina e Kosovës?
Për portretin e luftëtares, intelektuales (Mr. e Shkencave të Sigurisë) dhe patriotes dhe atdhetares Fitnete Ramosaj flasin këto fakte dhe argumente të përmbledhura në https://sq.wikipedia.org/wiki/Fetnete_Ramosaj:

“Fitnete Ramosaj, u lind më 1972, në Deçan. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Deçan. Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, Fakultetin dhe studimet pasuniversitare në Prishtinë. Ka magjistruar në shkencat e sigurisë.
Që nga viti 1989 ishte pjesëtare aktive e lëvizjes ilegale dhe asaj gjithëpopullore në Kosovë. Ka qenë pjesëmarrëse aktive në luftën çlirimtare, si pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), veç tjerash, ka kryer detyrën e Zëdhënëses së UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit. Njëkohësisht ka raportuar edhe për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve të Kosovës "KosovaPress", Radion "Kosova e Lirë", Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), etj. Ka bashkëpunuar me agjencitë ndërkombëtare të lajmeve "Zëri i Amerikës", "Deutsche Welle", "BBC" dhe me shtypin shqiptar të kohës në Kosovë, Shqipëri e diasporë.

Ka qenë bashkëthemeluese dhe redaktore e revistës "Zgjimi", Deçan (1991-1997); bashkëpunëtore dhe anëtare e redaksisë së gazetës "Zëri i Kosovës", Zvicër/Prishtinë (1995-2001); bashkëthemeluese dhe redaktore e revistës së parë ushtarake në Kosovë "Ardhmëria" - Organ i Zonës së Tretë të Mbrojtjes (1999-2001); redaktore në gazetën javore "Fokus", Prishtinë (2003-2007), etj.

Është autore e disa fejtoneve e dhjetëra shkrimeve publicistike, të botuar në shtypin legal e ilegal të kohës që nga viti 1991 e këndej; recensuese, lektore dhe redaktore e disa librave publicistikë, historikë e të çështjeve të sigurisë; pjesëmarrëse me kumtesa shkencore në disa simpoziume e konferenca shkencore ndërkombëtare, etj.

Është autore e librave:

· DEÇANI (Monografi), në bashkautorësi me Faton Mehmetaj, botoi "Zgjimi", Deçan, nëntor 1997, 528 f.

· "Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI - Me fakte kundër shpifjeve" / "Serbian crimes in Kosova - WITHOUT APOLOGY - Facts Against Defamations" (Vëllimi i Parë, shqip/anglisht), botoi "Fokusi", Prishtinë, 2005. Ribotuar në të njëjtin vit në 10 mijë kopje, 350 f.

· "Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve", (Vëllimi i Dytë), botoi "Anatema", Prishtinë, 2008, 442 f.

· "Serbian crimes in Kosova – Without Apology – Facts Against Defamations", (The Second Volume), botoi "Anatema", Prishtinë, 2008, 446 f.

· "Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë", botoi ISGJS, Prishtinë, 2013, 183f.

· "Serbian extremist organizations in Kosova", botoi ISGJS, Prishtinë, 2015.” (Burimi: https://sq.wikipedia.org/wiki/Fetnete_Ramosaj).

Fetnete Ramosaj, heroinë në luftë, viktimë e NEPOTIZMIT në paqe!?
E gjithë kjo veprimtari e gjerë dhe e begatë në shërbim të diturisë, të lirisë, të kombit dhe të atdheut, “nuk kanë mjaftuar”, që Mr. Fetnete Ramosaj të gëzonte ndonjë POST zyrtar qoftë në qeverinë, qoftë në Presidencën, qoftë në Kuvendin e Kosovës etj.!?

-Sigurisht se ka merituar të jetë në ballë të Kosovës së lirë dhe të pavarur, ashtu siç ishte në ballë të UÇK-së, gjatë Luftës kundër pushtuesit të huaj serb.

Mirëpo, kjo nuk ndodhi në kohë paqeje, sepse të gjitha pozitat dhe postet udhëheqëse i uzurpuan liderët politikë NEPOTISTË dhe karrieristë me familjet e tyre, me miqtë, me bashkëpartiakët, me bashkëkorrupcionistët, me bashkëkolltukofagët dhe me bashkëfeudalët e tyre sipas mahallave, provincave dhe rajoneve të ndryshme të Kosovës. Si rrjedhojë, Fetnete Ramosaj diskriminohet dhe margjinalizohet, duke mbetur pa asnjë POST në shtetin e saj thënçin demokratik dhe të lirë për të cilin tri dekada kishte flijuar çdo gjë si luftëtare e UÇK-së (1989-2019).

Çfarë të thuhet për këtë nonsens, padrejtësi, margjinalizim, diskriminim dhe mohim të VLERËS-Fetnete Ramosaj, kush është fajtori dhe armiku në këtë rast, Serbia, Greqia dhe Rusia, JO asnjëra prej tyre, por jemi ne-antivlerat-armiqtë e brendshëm , siç thoshte dikur rilindësi i njohur Faik Konica se “ARMIKU I SHQIPTARIT ËSHTË VETË SHQIPTARI”.

Ky është problemi ynë numër 1, jo as Serbia, as Rusia, as Greqia e as Bullgaria etj. –Pa davaritjen e këtij problemi të vjetër shekullur, e vështirë është të mbrohen vlerat kombëtare shqiptare sikurse Fetnete Ramosaj, si dhe të bashkohen “copat e shkyera” të kombit dhe të Shqipërisë Etnike.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Mehdi Hyseni
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 276 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi