Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
TERROR... DHIMBJE... QËNDRESË… (11)
Publikuar më 07 qershor, 2019 në orën 00:11 ( ) Faridin Tafallari | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
PJESA E DYTË
DOKUMENTACION

ARMIKU NA KA NË DORË VETËM
AQ SA E LEJOJMË NE VETË
Disa udhëzime të përgjithshme për punën praktike revolucionare dhe për qëndrimin që duhet të mbajmë para policisë.

Eshtë koha e fundit që edhe në lëvizjen revolucionare të Kosovës të bëhet një kthesë rrënjësore. Kur themi kështu, mendjen e kemi në radhë të parë te lëvizja e organizuar, por pa e përjashtuar edhe lëvizjen spontane, të pavarur, gjysmëlegale, legale etj. Deri më sot, te ne, çdo organizim apo tentim që të organizohen masat në luftë për liri politike, nacionale e shoqërore, në një mënyrë ose në një tjetër, është zbuluar dhe shuar me gjak dhe për pasojë aktiviteti revolucionar ka pushuar për një kohë të gjatë. Për të qenë edhe më e madhe fatkeqësia, për aktivitetin e grupeve revolucionare në Kosovë - masat e gjera popullore kanë mësuar vetëm pas burgosjes apo gjykimit të këtyre grupeve dhe organizatave. (Përjashtim bën vetëm grupi organizues i Demonstratave të vitit 1968).

Ç'e kushtëzoi zbulimin e këtyre grupeve e të këtyre organizatave revolucionare?
Shkaqet janë të shumta dhe duan kohë të gjatë studimi. Por, ne do të përpiqemi t'i prekim këtu ato shkaqe që na duken nga kryesoret.
Një nga arsyet kryesore për zbulimin e tyre ka qenë botëkuptimi i organizatorëve, të cilët çështjen e luftës dhe të fitores e kanë parë si një fenomen të shkurtër e spontan dhe si një proces të gjatë, që mund të vazhdojë me dekada, që ka hopet e zigzaget e veta, që është një kompleks i gjerë e i thellë, i cili u përgjigjet parimeve leniniste që duhen peshuar shumë dhe nga të gjitha pikpamjet. "Revolucioni është vepër e masave, e jo e një grupi njerëzish, sado revolucionarë dhe të guximshëm që të jenë ata". Vetëm duke organizuar, duke mobilizuar dhe duke armatosur masat me armën e fuqishme ideologjike të marksizëm-leninizmit, mund të arrihet fitorja e revolucionit. Çdo iluzion për ndonjë rrugë tjetër të fitores, është i kotë.
Përveç kësaj, shokët "e vjetër" nuk i kanë kushtuar sa duhet kujdes ngritjes ideopolitike dhe krijimit të kuadrove të forta, që do të vepronin drejt dhe energjikisht në çdo situatë, duke iu kundërvënë armikut në të gjitha rrethanat, pa marrë parasysh sa janë ato të ndërlikuara.
Së treti, organizatorët e mëparshëm (për të cilët ne, natyrisht ushqejmë respekt të madh) kanë bërë një gabim të madh taktik, e kanë preferuar sasinë e jo cilinë, ndonëse kjo e dyta është kurdoherë primare. Për pasojë, në radhët e grupeve dhe të organizatave kanë depërtuar elemente armiqësore, që e kanë kushtëzuar dhe e kanë shpejtuar zbulimin, qysh në hapat e parë të veprimtarisë.
E katërta është konspiracioni i dobët që përvidhej nëpër radhët e grupeve revolucionare. Me mospërfilljen dhe moszotërimin e teknikës së konspiracionit, është shkelur një nga parimet themelore të punës politike në kushtet e legalitetit. Lenini, udhëheqësi i madh i proletariatit, theksonte: "Një parim, kryesori sa i përket organizimit, të cilit duhet t'i përmbahen të gjithë udhëheqësit dhe kuadrot e partisë së klasës punëtore, duhet të jetë konspiracioni më i thellë, i cili sigurohet në bazë të përvojës, mendimit dhe në bazë të përpjekjeve". Në këtë pikëpamje kanë çaluar shokët "e vjetër". Pas kësaj, nuk duhet harruar as qëndrimi i lig dhe qyqar i disave, në gjyq dhe gjatë hetimeve.
Duke u nisur nga ato që përmendëm më sipër, në radhë të parë nga parimi leninist që "nga pësimet të nxjerrim mësime", është koha e fundit të bëjmë një kthesë rrënjësore në punën tonën revolucionare, të trasojmë brenda radhëve tona një traditë të organizimit të hekurt, të konspiracionit të thellë dhe të veprimtarisë së gjallë revolucionare, që t'u përgjigjen detyrave dhe kërkesave të kohës.
Prandaj, pikërisht pse ndodhemi në prag të një lufte të gjatë e të vështirë, duhet të marrim qëndrim të prerë për t'ju përmbajtur me përpikmërinë më të madhe udhëzimeve të poshtëshënuara, duke i zhvilluar dhe duke i përsosur veprimet tona në mënyrë krijuese e revolucionare.

Udhëzime për konspiracion
Teknika e ruajtjes së fshehtësisë së punës revolucionare - konspiracioni, arrihet me respektimin e përvojave ekzistuese të punës politike në kushte të legalitetit dhe me krijimin e përvojës personale. Çdo sulm i policisë mbi radhët tona dhe mbi veprimtarinë tonë ilegale, çdo përcellje, marrje në pyetje nga ana e policisë etj., na japin dorë t'i kontrollojmë të metat dhe t'i përforcojmë anët e vlefshme të teknikës sonë konspirative; t'i perfeksionojmë ato, duke i zhvilluar dhe duke i përsosur në përputhje me kushtet tona. Nëse shfrytëzohet rregullisht përvoja, pa përjashtim dhe me ndërgjegje të lartë, atëherë s'ka kurrfarë dyshimi se sulmet e reja të policisë do ta dëmtojnë gjithnjë e më pak veprimtarinë tonë dhe radhët tona, ato sulme do të na shërbejnë për ta përsosur në shkallë edhe më të lartë teknikën e konspiracionit.
Celula revolucionare duhet të jetë e aftë, që përkundër gjithë përpjekjeve të policisë dhe të agjentëve të saj, të ruajë forcën dhe vitalitetin e vet revolucionar. Për ta arritur këtë qëllim, ajo duhet të veprojë me përpikmëri të madhe në punën e vet ilegale, shpirti i së cilës është konspiracioni. Ajo mund t'ia arrijë qëllimit të vet nëse u përmbahet udhëzimeve vijuese, që janë rezultat i përvojës sonë dhe i përvojës së shumë partive revolucionare në botë.

Sjellja e anëtarëve të celulës në përgjithësi
1. Anëtari i celulës revolucionare ilegale nuk guxon të dallohet nga rrethi i vet - me veshmbathje as me qëndrim. Ai nuk duhet të mbajë ngjyra karakteristike "revolucionare", "patriotike", me emblema të ndryshme etj. Ai nuk duhet të flasë kudo për organizim a për revolucion.
2. Si anëtar i një celule, nuk duhet t'u tregosh shokëve për lidhjet e tua brenda celulës me të cilën ke filluar të punosh. Për veprimtarinë tënde politike nuk duhet të dijë as familja, madje as shoqja jote e jetës.
3. Shokët e celulës që janë nën kontrollin e policisë (që kanë rënë në sy dhe i përcjell policia), mos i përshëndet në rrugë e mos rri me ta në vende ku mund t'ju shohë ndokush, sepse mund të biesh edhe ti në sy të policisë.
4. Shokët e punës (ilegale) nuk duhet t'ia zbulosh askujt. Takimet e panatyrshme me ta, qoftë edhe kur janë fare të afërta, ndalohen rreptësisht.
5. Mos mbaj me vete letra e adresa të njerëzve "të kompromentuar" para policisë. Mos mbaj shënime, ditarë lidhur me punën revolucionare. Adresat e nevojshme duhet t'i mbash mend , ose t'i shënosh me simbole të caktuara, por në atë mënyrë që simbolet të mund t'i interpretosh e t'i arsyetosh me ndonjë llogari tënden private etj. Adresat e rrugët që kanë të bëjnë me persona të celulës duhet të mbahen mend mirë, që të mos pyeten për to në rast nevoje njerëzit e panjohur.
6. Për bartjen e materialit ilegal (libra, afishe etj.), shërbehu me persona neutralë, por në çdo rast duhet të jesh i gatshëm ta zhdukësh atë material, sepse ai nuk duhet të bjerë kurrsesi në dorë të policisë. Kur ke me vete ndonjë letër, pusullë etj., dhe të kërcënohet rreziku, atë duhet të jesh i gatshëm ta asgjësosh patjetër, qoftë edhe duke e gëlltitur.
7. Në banesë e në shtëpi mos mbaj materiale kompromentuese: dokumenta, literaturë ilegale etj. Gjithmonë ta kesh parasysh bastisjen dhe arrestimin. Prandaj, vendbanimi yt duhet të jetë në çdo kohë "i pastër", sepse dihet që policia nuk lë vend pa i futur hundët. Materialet ilegale fshihen jashtë shtëpisë, atje ku s'ka rrezik të zbulohen.
8. Nëse para policisë nuk je zbuluar ende si revolucionar, atëherë në banesë mos mbaj as literaturë e sende legale që kanë ndonjë karakter revolucionar. Kështu, mundësia për t'u kompromentuar para policisë e personave të dyshimtë, do të jetë minimale.
9. Gjatë kryerjes së aksionit a të detyrës së caktuar, ose pas kryerjes së tyre, e ke të ndaluar t'i tregosh kujt se ke bërë këtë apo atë. Për detyrën apo aksionin e kryer, duhet të dinë vetëm shokët e punës. Edhe më pak vend ka për lëvdata.
10. Gjatë kryerjes së aksionit, gjatë ikjes etj., të kesh kujdes të madh mos është duke përgjuar njeri. Sjellja jote duhet të jetë shumë e natyrshme, të mos bjerë në sy as të kalimtarit të rastit.
11. Kur gjatë bastisjes apo arrestimit të jenë zbuluar gjurmë të punëve revolucionare (për shkak të pakujdesisë së cilitdo anëtar të celulës, që nuk ka qenë sa duhet konspirativ dhe e ka nënvlerësuar forcën e armikut), kjo gjë konsiderohet si një lloj tradhtie, dhe anëtari që ka vepruar kështu, kur të dalë nga duart e organeve shtetërore, do të merret në përgjegjësi për lëshimet e vete të çfarëdo natyre që të kenë qenë ato.

Mbajtja e takimeve
1. Për vendin e takimit duhet të dinë vetëm anëtarët e celulës. Vendi duhet të jetë i përshtatshëm dhe të mos ketë rënë në sy të policisë. Aty duhen vënë shenja të caktuara që shihen prej së largu dhe tregojnë a është i lirë vendi, apo ka dyshime. Shenjat e caktuara për vendin e takimit duhet të mbahen mirë në mend. Për çdo takim caktohen vendi, shenja dhe parulla e re.
2. Për arsyet objektive, që do të shihen në pikën e tretë, gjithmonë caktohet edhe vendi dhe termini rezerv i takimit.
3. Në takim shkohet absolutisht në kohën e caktuar - as më herët as më vonë. Nëse një shok nuk ka dalë me kohë, atëherë kalohet në takimin rezervë, sepse mund të merret me mend se mosdaljen e shokut në takimin e parë, e ka kushtëzuar ndonjë e papritur dhe, në këso rastesh, shokët e celulës vihen në gjendje gatishmërie. Prandaj, çdo vonesë e paarsyeshme, sado e vogël qoftë, dënohet rreptë në takimin vijues.
4. Për çdo takim duhet të bëhet arsyetimi i përshatshëm bindës para personave të jashtëm; ndeja duhet të maskohet, kinse pihet çaj e kafe, luhet shah, përgatiten provimet apo dëgjohet muzikë etj.
5. Në banesat konspirative shkohet vetëm kur është e domosdoshme.
6. Kur të shkosh në takim, shiko më mirë mos je i përcjellur prej ndonjë agjenti. Nëse ke hetuar gjë, ndërroje drejtimin. Shokët i njofton më vonë për arsyen. Kujdes të veçantë duhet të kenë sidomos shokët që janë në sy të policisë dhe ata që kanë qenë të burgosur. Këta të fundit, veçanërisht në kohën që sapo kanë dalë nga burgu, duhet të jenë më se të kujdesshëm.
7. Je nisur për në takim, ose kthehesh nga takimi. Gjithmonë duhet të jesh i gatshëm që pyetjeve të policisë, agjentëve apo provokatorëve t'u përgjigjesh pa ngurrim e belbëzime, kuptohet - duke ua fshehur natyrshëm të vërtetën lidhur me vendin ku je duke shkuar apo ku ke qenë dhe lidhur me arsyet që ke për të shkuar atje.
8. Takimet tona janë shumë të rëndësishme dhe për këtë arsye ato nuk duhet të zgjasin shumë dhe kështu të rrezikohen nga zbulimi. Ato duhet të jenë të thukta dhe me domethënie të thellë. Zgjatja e tyre e tepruar është e dëmshme, sepse ngjall dyshime.
9. Vendi i takimit duhet të ndërrohet sa më shpesh, se kështu zvogëlohet mundësia që t'i biem ndokujt në sy.
10. Celula duhet ta ketë bazën e vet të fshehtë, ku lihen mjetet dhe materialet ilegale.
11. Çdo anëtar i celulës duhet ta ketë bazën e strehimit (evakuimit), ku shkon kur rrezikohet nga policia. Për atë bazë duhet të dijë vetëm ai.
12. Organizata, e bashkë me të celulat, duhet të sigurojnë baza strehimi për anëtarët e rrezikuar, si dhe kanale të sigurta për kalimin e kufirit, kur rreziku të bëhet më i madh për ndonjë anëtar.

Shpërndarja e materialit, shtypit dhe literaturës ilegale.
1. Literatura dhe shtypi revolucionar, si dhe materialet e ndryshme propagandistike, shpërndahen dhe lexohen sipas planit të formuluar nga celula, të cilit duhet t'i përmbahemi rigorozisht. Literatura ilegale ka për ne rëndësi të jashtëzakonisht të madhe, prandaj duhet ta ruajmë që të mos bjerë në dorë të policisë, po edhe të kujdesemi që të mos qarkullojë kot - pa u lexuar dhe pa u përvetësuar nga anëtarët e celulës.
2. Literatura ilegale u jepet vetëm njerëzve të besueshëm. Duhet të kujdesemi vazhdimisht që në materiale të mos shënojmë emra, data e çkado tjetër, madje as në mbështjellësen e tyre prej gazete, sepse ndryshe i japim mundësi armikut për të na identifikuar. Libri jepet vetëm në katër sy, pa dëshmitarë.
3. Punimet, referatet dhe shënimet që përgatiten në radhët e celulës, duhet të ruhen me kujdesin më të madh. Të nevojshmet ndalen, të panevojshmet digjen dhe hiri i tyre asgjësohet edhe ai me kujdes. Në shënime të mos përmenden emra e data të rëndësishme.
4. Afishet shumëzohen e shpërndahen, rigorozisht, me dorëza plastike. Gjatë shpërndarjes është i domosdoshëm maskimi. Veçanërisht këpucët e mbathura në aksion, duhet të zhduken. Afishet shpërndahen absolutisht në kohën e caktuar. Ato i shpërndajnë vetëm anëtarët e celulës, pa praninë e njerëzve të tjerë.
5. Ngjitja dhe shpërndarja e afisheve bëhet zakonisht natën vonë. Më atë rast, gjithmonë, duhet të bëjnë roje së paku dy shokë, që të evitohet befasia. Vendi i ngjitjes caktohet me plan. Në aksion punohet shpejt e pa zhurmë. Terreni, tek shpërndahen traktet, duhet të njihet me hollësi.
6. Para aksionit, banesa e aksionistit pastrohet plotësisht nga literatura dhe materiali revolucionar. Kurse, aksionisti, duhet të ketë kujdes që të sigurojë patjetër para familjes dhe policisë një alibi të sigurtë, me të cilin arsyetohet sa më bindshëm mungesa e aksionistit gjatë kohës që ka qenë në aksion.
7. Kujdes të madh duhet të kemi, sidomos, kur blejmë material për shumëzimin e trakteve, afisheve etj. Shitoret ku blehet materiali i tillë janë nën mbikqyrjen e policisë. Prandaj, nevojat duhet t'i plotësojmë duke u furnizuar me kësi materiali nëpër shitore qytetesh të largëta dhe gjithmonë duke gënjyer se je nëpunës a daktilograf i kësaj apo asaj ndërmarrjeje.

Demonstratat dhe tubimet legale
1. Demonstratat kanë sukses vetëm kur përgatiten mirë, për një kohë të gjatë, pra, pasi të jenë studiuar mirë kushtet dhe disponimi i masave.
2. Demonstratat i udhëheq këshilli i caktuar, i cili është i vetmi që ka të drejtë të japë direktiva, ta mbrojë qëllimin e tyre para organeve të pushtetit, bile edhe brohoritjeve të masës t'ua japë kuptimin e shëndoshë politik.
3. Gjatë demonstratave duhet të ruhet disiplina e hekurt dhe çdo udhëzim i udhëheqjes së demonstratës duhet të zbatohet me përpikmërinë më të madhe. Të mos mbahen veshmbathje e emblema simbolike, sepse burgosjet në raste të tilla janë masive. Pjesëmarrjen tënde në demonstratë do ta arsyetosh si kalim rasti, apo në ndonjë mënyrë tjetër, të cilën do të jesh në gjendje ta mbrosh sa më natyrshëm.
4. Anëtarët e celulës nuk duhet të rrinë grumbull gjatë demonstratës, por të shpërndahen në pika të caktuara dhe të vigjëlojnë me symprehtësinë më të madhe dhe kurdo të jenë të gatshëm të ndërmarrin masa konkrete për drejtimin e mbarë të demonstratës kur ajo të ketë marrë drejtim të gabuar.
5. Pas demonstratës, celula merr masa për evakuimin në vende të sigurta të shokëve që janë rrezikuar.
6. Në mbledhjet legale, kur anëtari i celulës është edhe anëtar i ndonjë forumi shtetëror, duhet të jetë shumë i kujdesshëm e të mos zbulohet para kolegëve të tij si revolucionar, qoftë me ndonjë gjest apo fjalë. Në atë vend pune, ai vepron për nevojat dhe në emër të celulës, jo për të mirën e armikut, por për ta brejtur atë përbrenda, për t'i studiuar makinacionet e tij antipopullore.
7. Kudo që të punojë (ndërmarrje, shkollë, uzinë, forum etj.), anëtari i celulës duhet të jetë gjithmonë vigjilent për kurthet eventuale. Me sjelljen e militantit të mirë, ai do të ngjallë admirim te njerëzit e ndershëm, kështu që për armikun do të bëhet e pamundshme të kthejë masën kundër tij. Prandaj sjelljet e anëtarit të celulës nuk duhet ta lëkundin me asnjë gjest autoritetin e fituar njëherë te masa, përkundrazi, ai duhet të bëhet shembull i njeriut të edukuar, të kulturuar e të flijueshëm, shembull i njeriut me moral dhe karakter të çeliktë.
8. Mbaje mend: çfarëdo pozite që të kesh zënë në aparatin shtetëror titist, duhet të mbash gjithmonë parasysh se ti atje vepron në emër të një çështjeje të madhe e të drejtë. Prandaj, s'ka vend për sjellje sipas rastit dhe dëshirës, e aq më pak për mendjemadhësi të kotë që je duke mbajtur një pozitë sado të lartë.

Agjentët provokatorë
1. Mos e harro mendimin politik se ai që nuk është me ty, është kundër teje. Prandaj shmangiu takimeve me njerëz të dyshimtë dhe të panjohur. Personat e tillë duhet të studiohen mirë, që të hetohet qëllimi i tyre. Për dyshimin më të vogël duhet t'i njoftosh shokët, se me ndihmën e tyre do të marrësh informata më të sigurta se kush është, prej nga është ai dhe çfarë qëllimesh ka. Për çdo eventualitet, personi i panjohur a i dyshimtë duhet të jetë nën mbikqyrjen e përhershme të celulës. Mos harro parimin: Dyshoj për gjithçka!
2. Kujdesi i madh, si një nga kërkesat themelore në punën ilegale, mund të na bëjë të dyshojmë edhe për ndonjë anëtar të celulës: sesi është vënë në shërbim të policisë etj. Interesi i çështjes e do që ndaj tij të merren menjëherë masa, që të vërtetohet sa më parë a është me vend dyshimi apo nuk është. Por, dyshimin tonë, në asnjë mënyrë, nuk duhet t'ia shfaqim personit në të cilin kemi dyshuar. Lidhjet me të duhet t'i mbajmë edhe më tej, por vetëm ato më të domosdoshmet, që nuk e rrezikojnë çështjen tonë. Veprimi i kundërt - alarmimi para se të vërtetohet që është me vend dyshimi, është për dënimin më të rreptë, sepse fut konfuzion dhe i dezorienton radhët e celulës, e po kështu e humb edhe autoritetin tonë te masa.
3. Armiku bën çmos për të futur konfuzion në radhët tona, duke njollosur vetë njerëzit e celulës. Nëse edhe ne dyshojmë dhe përhapim fjalë pa e vërtetuar dyshimin tonë, atëherë e kemi ndihmuar armikun. Kjo gjë dënohet rreptësisht në lëvizjen revolucionare. Pos kësaj, alarmimi i celulës para se të vërtetohen dyshimet lidhur me anëtarin e celulës, jo vetëm që e pengon shumë zhvillimin normal të aktivitetit, por e bën të pamundur edhe zbulimin e armiqve dhe të provokatorëve të vërtetë, që u ka shkuar përdorësh të depërtojnë në radhët tona.
4. Depërtimi i agjentëve në radhët tona, nuk duhet të bëhet shkak për panik dhe për pezullimin e veprimtarisë sonë revolucionare. Përvoja ka treguar se një agjent të tillë mund ta zbulojmë vetëm në sajë të konspiracionit të thelluar dhe të organizimit të sforcuar. Prandaj, në këso rastesh, aktiviteti ynë jo vetëm që nuk duhet të bjerë, po përkundrazi duhet të bëhet edhe më intensiv.
5. Ndonjëherë, policia ka sukses ta bëjë për vete ndonjë nga njerëzit tanë të afërm. Këta kanë mundësi të zbulojnë shumëçka lidhur me ne. Në rrethin tënd, pra, duhet që shokët e celulës t'i prezantosh me emra e adresa të rrejshme, dizorientuese.
6. Gjithmonë duhet të jemi shumë të rezervuar nga njerëzit që hapen menjëherë, duke folur për politikë etj. Ata duhet t'i çorientojmë në mënyrë të natyrshme, deri sa të mos e kemi marrë vesh qëllimin e tyre të vërtetë.

Bastisjet, burgosjet, hetimet
Lufta politike në kushte të ilegalitetit nuk është punë e thjeshtë as e lehtë, po një rrugë plot kujdese, mundime, vuajtje e sakrifica. Që në fillim të punës sonë të organizuar në kuadër të celulës, ekziston mundësia të burgosemi, të torturohemi etj. Me një fjalë, i ekpozohemi një rreziku të madh, se dihet që kemi të bëjmë me një armik të rrezikshëm, i cili nuk ka lënë gjë pa bërë mbi popullin tonë. Prandaj, në çdo kohë duhet të jemi krejtësisht të vetëdijshëm se para kujt gjendemi dhe çfarë interesash mbrojmë. Edhe sjellja jonë para xhelatëve titistë, pra duhet të jetë sjellje e denjë deri në pikën e fundit për luftën e rreptë kundër një armiku jashtëzakonisht të egër: duhet të kemi zgjuarësi e qëndrueshmëri thuajse mbinjerëzore. Torturave dhe cinizmit të armikut, duhet t'i përgjigjemi flakë për flakë me qëndrimin tonë të palëkundshëm heroik dhe me gjuhën e fuqishme të drejtësisë dhe të qëllimeve e idealeve tona të larta.
1. Gjatë bastisjes e arrestimit, ne duhet ta ruajmë qetësinë dhe gjakftohtësinë. Policia do të dyshojë më shumë, sa më shumë që të shqetësohemi ne para saj. Kur të ka hyrë në shtëpi policia, duhet të marrësh masa që në familje të mos shkaktohet panik. Qetësoji anëtarët e familjes, kurse fëmijët largoji menjëherë, te fqinjët e gjetkë.
2. Gjatë bastisjes, mos u nxeh kurrsesi. Mos fol gjë, se policisë do t'i japësh dorë të të rrahë ndërsy të familjes, apo të të fyejë rëndë etj. Bëju shumë gjakftohtë!
3. Policia, posa të ka ndryrë në shpellën e vet, do të përpiqet të të thyejë së pari shpirtërisht. Këtë qëllim të saj, kryesor, policia përpiqet ta realizojë me presione të ndryshme psikologjike: të le në pritje me orë të tëra pa të pyetur gjë fare, të fut në birucën ku s'di kur është ditë e kur është natë, të merr me të mirë, pastaj të fyen, më në fund fillon me torturat e rënda fizike dhe me metoda të tjera të shumta, që kanë një qëllim të vetëm: që ti të pranosh çkado. Gjakftohtësia, maturia dhe pjekuria e madhe, kjo është arma e vetme po shumë e fuqishme, të cilën e përdor revolucionari i vërtetë më këtë rast.
4. Para hetuesve nuk guxon të pranosh asgjë, as cikërrimin më të vogël. Çdo fjalë, gjest a vepër e pranuar, jo vetëm nuk ta lehtëson pozitën, por bëhet shkas që hetuesit të presin edhe më shumë prej teje dhe t'i intensifikojnë hetimet e torturat.
5. Nga qëndrimi yt varet sa do të rrish në burg! Prandaj: sa më pak fjalë!
6. Pos që përdorin metoda të rrahjes e të mundimeve, hetuesit policorë ndërrojnë vazhdimisht taktikë. Të flasin ëmbël, të bëjnë vend të ulesh, të ofrojnë cigare, ushqime, të flasin gjoja me një intimitet krejtësisht njerëzor e privat për ardhmërinë, perspektivën tënde e të familjes etj. Fill pas hutimit tënd sado të vogël nga "mirësjellja" e tyre, ata shfrytëzojnë rastin për pyetje të papritura. Ruaju se bie në kurth. Përgjigju shkurt, seriozisht dhe vetëm për ato që të përkasin ty. Dhe gjithmonë ta kesh parasysh se ndodhesh jo para qengjit, po para armikut më të madh që ka pasur ndonjëherë populli ynë.
7. Një metodë tjetër çnjerëzore e UDB-së është ajo e përdorimit të grafologëve, imituesve të zërit dhe "detektorit të rrenave". Grafologu kopjon shkrimin e shokut tënd dhe policia përpiqet të të mashtrojë ty, gjoja shoku yt ka dhënë deklaratë me shkrim; ose e kopjojnë në shirit megnetofoni zërin tënd, të imituar mirë nga ekspertët e policisë, e të thonë se ti e ke kot që hesht, pasi shoku yt, ja, ka pranuar me gojë të vet; ose të marrin në pyetje në praninë e "detektorit" të rrenave, i cili për çkado që flet ti, të thotë se je duke gënjyer. Por, s'duhet t'u biesh në kurthet e rrezikshme e të paskrupulla, se ata s'dinë gjë për ty.
8. Në pyetje të marrin zakonisht në kohën më kritike, kur je i përgjumur. Duhet ta marrësh veten në dorë, të këndellesh dhe të marrësh qëndrim përkatës ndaj spekullimeve të tyre.
9. Sidomos ditët e para të arrestimit duhet të kesh kujdes të madh sa i përket gjellës: cigaret e tyre, bukën, pijet e ndryshme - mos gabo t'i marrësh! Për çdo eventualitet, nëse heton diçka, po gjithmonë përsëritja vetes: Unë nuk di gjë!
10. Duke parë se je i pamposhtur ndaj torturave, policia përpiqet të bëjë presion mbi ty edhe nëpërmjet familjes sate. Kurrë mos e harro një fakt: ata nuk dinë asgjë për ty dhe kurrë nuk mund të jenë të sigurt për asgjë, pos për ato, që pranon ti vetë. Ata vetëm dyshojnë, përpiqen të gjejnë një fije fakti, që pastaj të nxjerrin edhe gjëra të tjera. Mos harro, pra, se ata nuk dinë asgjë, asgjë fare!
11. Nëse të kanë torturuar, menjëherë kërkoje mjekun!
12. Kurrë mos jep kurrfarë deklarate me shkrim! Justifikohu se çka ke pasur të thuash, e ke thënë me gojë, e nëse ata duan të shkruajnë, le të shkruajnë vetë.
13. Gjatë mbajtjes së procesberbalit para gjyqtarit hetues, të kesh kujdes të madh, se edhe ai është polic! Prandaj, kur ta nënshkruash protokollin, nënshkrimi yt le të puqet plotësisht me rreshtin e fundit të protokollit, që ata të mos mund të shtojnë asnjë fjalë pos atyre që ke nënshkruar.
14. Nëse të ballafaqojnë me ndonjë shok, me të cilin s'ke pasur si të merresh vesh më parë, shikoje drejt në sy dhe thuaj, pa ngurim, se nuk e njeh fare. Natyrisht, mos gënje për qiell, nëse atë shok e ke të afër nëse ke mësuar apo ke punuar në një vend me të.
15. Nëse të del përpara ndonjë "shok", që e ka tradhtuar çështjen, dhe t'i numëron faktet, as atëherë mos prano asgjë. Çdo gjë që e rrezikon çështjen, duhet mohuar në mënyrë kategorike.
16. Deklarata jote e parë, duhet të jetë gjithmonë e njëjtë me ato të pastajmet. Në këtë drejtim të mbahen mend mirë hollësitë dhe për çdo pyetje të hetuesve përgjigja të jetë e gatshme, kategorike dhe e bindshme.
17. Nëse gjatë bastisjes të kanë gjetur edhe ndonjë material komprometues, duhet të jesh aq më vigjilent. Arsyetohu në mënyrë të natyrshme: sesi atë material e ke gjetur, ta kanë hedhur, ta kanë dërguar me postë etj. Ndërkaq, po qe se nuk kanë gjetur asgjë atëherë, me përgjigjet e tua, jepu të kuptojnë jo vetëm se je i pafajshëm, po edhe naiv e i urtë.
18. Për ndonjë libër që ta kanë gjetur, s'bën të deklarosh se e ke prej këtij apo atij shoku: sado i pafajshëm të jetë shoku yt me denoncimin tënd "të vogël" do t'i nxjerrësh shumë telashe.
19. Edhe pas pyetjeve më të thjeshta të policisë duhet të shohësh kurthet më të rrezikshme me prapaskena të tmerrshme.
Policia sekrete dhe përgjithësisht shteti policor jugosllav, si në planin teorik ashtu edhe në praktikë, ka investuar përpjekje të ethshme dhe mjete të mëdha materiale për ta zgjeruar rrjetin e bashkëpunëtorëve dhe për t'i prefeksionuar vazhdimisht metodat e fëlliqura fashiste për shuarjen e revolucionit dhe për torturimin e forcave revolucionare në çfarëdo shkalle të veprimit të tyre. Dhe, në këtë drejtim, ajo ka shkuar përpara aq sa t'ia kenë zili edhe sistemet më të egra antipopullore fashiste. Ky fakt te një pjesë e njerëzve tanë, ka krijuar përshtypjen e gabueshme dhe të rrezikshme se si UDB-ja ditka gjithçka, madje, edhe sa lugë keni në shtëpi. Përvoja e revolucionarëve dhe patriotëve tanë, të rysur me dekada në luftë të pakompromis me policimë jugosllave, ka nxjerrë konkluzione të kundërta. Policia jugosllave, sikundër i gjithë sistemi revizionist e social-shovinist i këtij vendi, është në kalbëzim. Sidomos kur ka të bëjë me luftën tonë, ky sistem tregon pika të qarta dobësie, që e kanë rrënjën te padrejtësia, qëndrimet e tyre përballë drejtësisë dhe shenjtërisë së luftës sonë. Ky fakt policinë jugosllave e bën edhe një herë më të ligë sesa është ajo në të vërtetë.
Përveç kësaj, megjithë rrjetin e zgjeruar të spiunazhit, megjithë kuadrin e rekrutuar nga radhët e popullsisë shqiptare, policia nuk ka pasur sukses, siç do të dëshironte të depërtojë në masë të rrezikshme në ambientin shoqëror e familjar të shqiptarëve, se populli, duke mos e njohur si mbrojtëse të interesave të tij, po përkundrazi pikërisht si armikun më të madh të këtyre interesave nuk ia ka hapur UDB-së shtigjet, nga do të depërtonte ajo në gji të këtij populli.
Prandaj, në ballafaqimin tonë me këtë polici, aq sa është i gabueshëm nënvleftësimi i forcave të saj, është gjithashtu i gabueshëm edhe mbivlerësimi i atyre forcave.
Prandaj, motoja kryesore, që duhet të na prijë në të gjitha ndeshjet me policinë, duhet të jetë se: Policia fashiste jugosllave di për punën tonë vetëm aq sa do të tregohemi ne të gatshëm, me dobësinë tonë, t'i tregojmë vetë...
(Ky punim është shpërndarë në radhët e organizuara në Kosovë më 1973).

TË LUFTOJMË PËR NJË KONSPIRACION MË TË THELLË DHE NJË KUALITET MË TË LARTË NË RADHËT TONA (l)

Situata në të cilën ndodhemi, burgosjet e njëpasnjëshme, rritja e terrorit nga ana e Udbës, kësaj vegle të devotshme serbomadhe, para gjithë militantëve të Lëvizjes sonë sokoleshë shtron detyra me rëndësi për t'i zgjidhur, detyra këto pa zgjidhjen e të cilave nuk mund të ecim përpara. Çdo bërthamë e Lëvizjes, duhet që në një afat sa më të shkurtër të analizojë gjendjen në të cilën ndodhet të analizojë punën e kaluar si dhe të nxjerrë detyrat për të ardhmen, duke luftuar pa mëshirë të metat dhe gabimet e shfaqura në të kaluarën. Të luftohet pa mëshirë kritika formale, shkelja e konspiracionit dhe lufta për sasi (kuantitet). Aktualisht duhet të luftojmë për rritjen e vazhdueshme të konspiracionit dhe të cilësisë së atyre që militojnë në radhët tona.

Ta thellojmë dhe çelnikosim konspiracionin!
Koha si gjykuesi më i mirë i ngjarjeve ka vërtetuar se në të kaluarën dhe në situatën më të re, aty ku janë bërë lëshime, ku puna ilegale ka anuar shumë kah ajo ilegale, ku konspiracioni i hekurt si armë shumë e fuqishme e luftës sonë është shkelur, pasojat nga çdo sulm i policisë kanë qenë shumë të rënda.
Ne sot mburremi se Kosova jonë martire, ka gjithë ata bijë e bija, gjithë ata luftëtarë të lirisë e barazisë së saj, me vetmohimin, sakrificat dhe heroizmin e treguar nga ana e tyre nëpër demonstrata, burgjeve e gjatë gjykimeve, ku ata tmerruan shovinizmin serbomadh, por nuk mund të jemi të kënaqur sa duhet me punën e tyre, me konspiracionin dhe metodat e përdorura në të kaluarën. Pra, ne nga pësimet duhet të nxjerrim mësime, duhet që t'i largojmë nga trupi ynë të gjitha ato metoda të vjetërurara të punës ilegale dhe të synojmë gjithnjë që ta çojmë tutje luftën.
Thellimi i punës ilegale dhe i konspiracionit nuk është mbyllje në vetvete, përkundrazi është ecje e sigurt përpara. E kaluara ka treguar se aty ku janë zbatuar me përpikmëri udhëzimet e Lëvizjes, aty ku janë respektuar sa dhe si duhet rregullat e konspiracionit, pasojat nga çdo sulm i policisë kanë qenë minimale. Janë me dhjetëra shokë të dënuar, për të cilët UDB-ja nuk ka arritur të dijë se janë të organizuar. Këta shokë kanë lënë me dhjetëra shokë të pazbuluar, të cilët vazhdojnë me besnikëri rrugën e luftës për të drejta e liri. Bëhet pyetja: si kanë arritur shokët një gjë të tillë? Si kanë arrituar ata që përkundër torturave mesjetare të UDB-ës, t'i mbajnë të pazbuluar para saj shokët? Natyrisht qëndresa e tyre ka qenë një faktor vendimtar në këtë rast, por këtë e ka ndihmuar konspiracioni i hekurt edhe para burgosjes; se shokët kanë qenë konspirativë edhe ndaj shokëve dhe nuk i kanë ngarkuar ata me gjëra, që s'ka qenë e nevojshme të ngarkohen dhe se ata edhe ndaj shokëve të tyre i kanë ruajtur shokët dhe punën e kaluar. Kjo ka kushtëzuar që UDB-ja të mos dijë për gjëra të tjera, pos atyre që i ka denoncuar denoncuesi.
Te disa rrethe shokësh dhe te disa grupe të pavarura ka mbretëruar ideja se para shokëve duhet dekonspiruar çdo gjë, sepse ndaj shokëve nuk kemi ç’ka të fshehim dhe se udhëheqësit duhet të dinë çdo gjë! Një mendim të tillë praktika e ka hedhur poshtë si të dëmshëm dhe të pavlerë. Nuk është mosbesim, mosdhënja e shokëve tuaj të drejtëpërdrejtë askujt, as shokëve! Kjo është besnikëri ndaj shokëve, është dashuri e zjarrtë për ta dhe çështjen, sepse shokët nuk frymëzohen duke u treguar gjëra konspirative, por me punë, aksione e konspiracion të lartë. Nëse shoku sheh se ti ruan shokë të tjerë ndaj tij, ai me siguri e di se edhe atë do ta ruash ndaj të tjerëve. Kështu forcohet besimi ndaj njëri-tjetrit, ndaj shoku-shokut. Shokët që kanë vepruar kështu, kanë vepruar drejt. Një gjë e tillë duhet bërë edhe në të ardhmen, duke u përpjekur që vazhdimisht të luftohet për një konspiracion më të madh. Konspiracioni duhet të çelnikoset sidomos ndaj shokëve të rinj, e të paprovuar sa duhet. Ndaj tyre jo vetëm shokët, por edhe punën dhe çdo aktivitet në të kaluarën duhet mbajtur konspirativ.
Kohët e fundit po dëgjohen zëra në shtypin dhe televizionin e vendit se: "armiku është tërhequr në ilegalitet të thellë" e të tjera bllofe të UDB-ës. Për këto "lavdërime" ajo e di cakun. Sigurisht këtë nuk e bën nga dashamirësia, por nga dëshira e saj që pikërisht në këtë drejtim të mos bëjmë hapa konkret, të vetëkënaqemi me konspiracionin ekzistues.
Por njëherit te disa individë, që dinë por nuk duan ta kuptojnë, të krijohet përshtypja se rritja e konspiracionit është "izolim" nga populli ashtu si shprehet edhe UDB-ja! Shokëve të tillë ua bëjmë një pyetje: -Pse i ka në dispozicion UDB-ja shtypin, radion dhe televizionin? Natyrisht jo për të na udhëzuar ne se si të veprojmë, por për të krijuar hutesë e pasiguri aty ku mundet.
Konspiracion të tepruar nuk ka, ashtu si nuk ka liri pa sakrifica e vetmohim, pa punë të palodhshme natë e ditë për të kontribuar në çështjen e shenjtë të popullit tonë.

Si të veprojmë me ilegalët?
Ecja e luftës sonë përpara si dhe intesifikimi i saj i vazhdueshëm, na i solli dhe do të na i sjellë edhe në të ardhmen në mesin tonë ilegalët. Në këto situata konspiracioni duhet të jetë në pikën më të lartë ndaj çdokujt. Një ilegal mund të veprojë me vite dhe UDB-ja të mos i bie as në gjurmë e të mos e zbulojë kurrë, vetëm nëse shokët që mbajnë lidhje me të dhe Baza ku ai strehohet, zbaton një konspiracion të thellë. Për ekzistimin e ilegalit duhet të dijnë vetëm shokët e tij më të sigurt vendi i strehimit dhe askush tjetër.
Kurse ilegali duhet t'i respektojë me rreptësi kushtet e reja duke mos u dukur asnjëherë në rrethet ku njihet ndër njëmijë vetë, si i thonë fjalës, por as në vende publike ku mund ta njohë dikush.
- Ai gjithashtu duhet të jetë shumë i kujdesshëm edhe në bazën ku ndodhet e sidomos ndaj të afërmve të saj, si dhe gjatë hyrjes dhe daljes nga baza.
- Vend i strehimit nuk guxon të jetë shtëpia e ndonjë të afërmi familjar, e as shtëpia e ndonjë shoku, për lidhjet e të cilit me ilegalin di UDB-ja ose ndonjë tjetër.
- Ilegali duhet ta përdorë pseudonimin e ri, si dhe të jetë i maskuar vazhdimisht.
- Takimet me shokët duhet t'i mbajë rreptësisht natën dhe me përpikmërinë më të madhe. Vendi i takimit duhet të jetë larg bazës.
- Nëse humbet lidhja në mes shokëve dhe ilegalit, Ilegali e as shokët nuk duhet të bëjnë ndonjë gabim, e kurrsesi të nxitojnë për të rivendosur lidhjen. Në këto situata duhet të jesh gjakftohtë dhe i durueshëm.
- Kurrsesi mos shko te ndonjë shok, i cili e njeh lidhjen tuaj dhe të kërkosh nga ai që të caktojë kohën e takimit me shokun, sepse do ta dekonspirosh lidhjen, dhe do të dëshmosh praninë tënde si ilegal.
- Baza ku je i vendosur, nuk duhet të dijë emrin dhe mbiemrin e ilegalit nëse këtë nuk e di.

Të luftojmë parreshtur për një kualitet në radhët tona!
Lenini i madh thotë: "ME MIRË PAK, POR SAKTË", e ky mësim gjenial i tij duhet të jetë busull në luftën tonë, që në radhët tona të kemi një kualitet të tillë me të cilin duhet të llogarisim ecjen e sigurt përpara. Në këtë rast duhet të cekim se në radhët tona të organizuara nuk kanë dhe nuk duhet të kenë vend, të gjithë ata, që nuk kanë shpirt revolucionari, me një vigjilencë të lartë, e gatishmëri për sakrificë dhe vetmohim të pashoq, të gjithë ata që nuk kanë iniciativë për veprim, por si zakonisht presin nga të tjerët.
Përsëri Lenini na mëson: "Duhet të vëmë si rregull: më mirë të kemi më pak si numër, por më shumë si cilësi. Duhet të vëmë si rregull: më mirë pas dy vitesh dhe bile pas tre vitesh se sa të ngutemi pa pasur asnjë shpresë të sigurojmë një material njerëzor të shëndoshë". A nuk duhet që edhe ne sot të veprojmë kështu? Sigurisht se vetëm kështu duhet të luftojmë e veprojmë natë e ditë, që në radhët tona të kemi pak njerëz të organizuar, por të kemi një kualitet, me të cilin do të kryhet shumë punë. Një kualitet e jo kuantitet duhet sot më shumë se kurrë që të jetë i pranishëm në radhët tona. Natyrisht një gjë e tillë nuk arrihet për një ditë e as për një vit, për t'u arritur kjo duhet punë e palodhshme, por edhe duhet kohë. Kjo nuk don të thotë, ashtu si u cek më lart, mbyllje në vetvete, por çelnikosje e radhëve tona. Hapin duhet ta qesim vazhdimisht, por hapi duhet të jetë i sigurt; hap i sigurt që vazhdimisht marshon përpara deri në fitoren përfundimtare.
KOMITETI QENDROR I LRSSHJ
1) Material i marrë nga S. Novosella më 1984

KËSHTU NA " URON UDB-ja VITIN E RI !

Si përvjet, edhe sivjet, shumë kurbetçarë u kthyen në vendlindje për t'u shlodhur nga hallet e mëdha të kurbetit dhe për t'u çmallur me njerzit e tyre. Takimi i tyre me familjet ka pëpr çdonjërin domethënie shumë të madhe, i ripërtërin dhe u jep forca të reja që, pas disa javë pushimi, të kthehen sërish atje tek i pret puna e vështirë dhe baraka e ftohtë.
Hysen Gegaj nga Sallagrazhda e Suharekës, ishte punëtor i mirë e shumë i dashur për shokët e vet, gjithnjë i gatshëm t'i ndihmojë pa kursim të tjerët. Edhe ai, me një gëzim të madh u nis për në vendlindje, ku arriti natën e Vitit të Ri. Në shtëpi e pritnin me mall babai i rrezbitur, nëna plakë, shoqja e vëllezërit, fëmijët e mitur. I harroi vuajtjet e përjetuara gjatë qëndrimit të tij në kurbet. Jeta po i dukej sërish e bukur. tjetër dhe ish ky, tjetër erë binte këtu athëtima e dimrit, rruga e përbaltur dhe gjerdhet e ulëta.
Si u përshëndet me prindërit e me fëmijët, sa u çmall pakëz, Hyseni doli në fshat te shokët e moçëm dhe ndenji me ta deri pak para mesnate.
Në shtëpi e pritnin me padurim. Druanin se do ta kalonin pa të edhe këtë Vit të Ri. E dinin se ai harrohej fare kur ishte me shokët. I tillë kish qenë qysh fëmijë, kur i ruante lopët e fshatit, për t'ia shtuar një kafshatë bukë familjes. I tillë kishte qenë edhe në kohën e rinisë së hershme, kur iu desh ta regjte shtatin e njomë me peshat e rënda të betonit e të tullave, në punishtet ndërtimore të Beogradit. Për shokë jepte gjithçka edhe tash. Veçse tash vinte pak më thatim e gjithnjë më hijerëndë. Dhe sikur kishte ca brenga të thella për moshën e tij.
Megjithatë, pak para mesnate, ai u kthye në shtëpi. Shtathedhur e hijerëndë. Mbase pak edhe në qejf. Nga pija. Por ç'ishte ajo brengë e re në rudhat e hershme, që s'po ia kuptonin dot prindërit as e shoqja? Po burrërohet si shpejt, tha me vete, jo pa njëfarë mburrjeje të druajtur, i ati, Qazim Gegaj. Ndërsa, vëllai i dytë i Hysenit, Danushi, e shikonte me një admirim të fshehtë, sa herë që puqnin gotat apo ia krisnin këngës së festës.
Kulminacioni arriti me mëngjesin e 1 janarit. Aty nga ora tre, shtëpia e Qazim Gegajt, qe rrethuar nga një tog policësh të armatosur deri në dhëmbë. Pasi policia kishte zënë mirë e mirë pozitat, udhëheqësi i saj trokiti fuqishëm në derën e shtëpisë dhe u çor egërsisht. Ai kërkoi t'ia dorëzonin Hysenin.
Me gjasë, policisë nuk i pëlqekan njerëzit e mirë dhe të dashur. Njerëzit e tillë i quajkan me një emër absurd: "armiq të popullit"! Armiqtë e popullit të jenë vallë ata që s'i bëjnë gjë të keqe popullit, pos që mendojnë ditë e natë për hallet e tij dhe të vetat?! Armiq kishin qenë dikur gjermanët, italianët, çetnikët... Shqiptari, që dërrmohet e robtohet për një kafshatë goje në rrugët e hidhura të kurbetit, ky shqiptar të jetë armik i popullit shqiptar?!? Armiku i popullit shqiptar ka qenë gjithmonë dikush tjetër. Armik i popullit shqiptar është polici që çirret, sikur i ka pikur nga qielli e drejta për të burgosur njerëzit e pafajshëm, për hir të gjakpirësve të Beogradit!
- Jeni të rrethuar! Dorëzojeni Hysenin, - i bërtiti përsëri babait, dhe shoqes së Hysenit, kryepolici, duke ua vënë grykën e automatikut në gjoks.
Hyseni, në krye të shkallëve, bërtiti si i shastisur, nga tmerri që e kapi kur i pa babanë dhe gruan para grykës së armës.
- Hiqe atë hekuraçe, or fatzi, ç'ke që u bie në qafë pleqve e grave?!
- Hysen Gegaj! Në emër të popullit, jeni i arrestuar!
- Cilit popull?!? Unë jam biri i këtij plaku, biri i këtij populli dhe i kësaj toke. Për ty ka ankime e mallkime populli, jo për mua.
- Mbaje gojën, - çirrej kryepolici, kur ia lidhën duart Hysenit. - Tash ec përpara, e kusurin do ta marrësh vesh në hetuesi...
- S'qe nevoja të më lidhni. Vij vetë.
Pa u ndarë mirë nata me ditë, Sallagrazhda u gjend në këmbë. I zgjoi zëri i fuqishëm i loparit, argatit dhe kurbetçarit Hysen Gegaj, që ndonëse po ia shtonin goditjet me kondak, me grushte e shkelma, bërtiste me gjithë gjoksin e tij të bëshëm:
- Poshtë titizmi, armiku i përbetuar i popullit shqiptar! Lavdi marksizëm-leninizmit! Poshtë klika tradhtare kosovare. Rroftë populli shqiptar, i lirë e i bashkuar! Rroftë Partia e Punës e Shqipërisë në krye me prijësin e madh Enver Hoxha!
- Rroftë e qoftë, sa malet me dëborë, - iu përgjigj që nga oborri i vëllai, Danush Gegaj dhe nuk pushoi as ky, deri sa ia vunë prangat dhe deri sa u nis kampanjolla e milicisë.
Në pejsazhin e mjegullt dimëror, mbi rrugën e përbaltur dhe gjerdhet e ulëta të Sallagrazhdës mbeti vetëm zhurma e thekshme e kampanjollës së milicisë, që u nis me turr, trishtimi dhe mpirja e plakut Qazim Gegaj, i cili s'e kishte kuptuar gjysmën e fjalëve që thoshin të bijtë... Mbeti zemra e ngrirë e nuses dhe vaji i fëmijëve...
- Rroftë populli shqiptar, i lirë e i bashkuar! - po të përgjigjemi edhe ne që këtej, o Hysen Gegaj, dhe ty Danush, dhe atyre mijëra djemve të këtij populli, që UDB-ja po i dergj pa kursim në burgjet e fëlliqura e mizore. Dhe që këtej po jua përcjellim dhe sihariqin, se populli po bëhet gati për t'jua marrë ju hakun!
Po bëhet gati populli për hakmarrjen e vet të madhe!

Tani mund të thuhet se është i rrallë ai fshat, ajo lagje qyteti, apo ajo shtëpi shqiptare ku UDB-ja të mos ketë burgosur së paku nga një njeri, ose të mos ketë bastisur egërsisht. Me një terbim shtazarak, që i kalon edhe kufijtë e terrorit të aksionit famëkeq të armëve të vitit 1956, revizionistët jugosllavë po orvaten të zhbijnë çdo filizë të rezistencës shqiptare ndaj shtypjes dhe shfrytëzimit të egër kapitalist e kolonialist nga ana e shovinistëve të Beogradit.
Me indinjatë të thellë i bëjmë me dije forcat tona revolucionare dhe mbarë popullin se, përveç vëllezërve Hysen dhe Danush Gegaj, kohëve të fundit u arrestuan për veprimtari "armiqësore kundër popullit e shtetit", do të thotë për veprimtari patriotike, edhe këta persona: Hasan Ukëhoxhaj, magjistër i gjuhës shqipe, profesor në gjimnazin e Deçanit, Musa Berisha, nga Duboviku, student i letërsisë shqipe, momentalisht në shërbimin ushtarak në Ptuj, si dhe një milic, të cilit ende s'ia dimë emrin e tij.

VËLLËZËR TË DASHUR!

Sa herë jemi nisur të kërkojmë të drejtat tona të Ligjshme nga armiku i egër jugosllav, ai gjithmonë na i ka ngërdheshur dhëmbët dhe ka treguar qartë se s'kemi pse t'i trokisnim në derë për ndonjë të mirë. Por, fytyrën e vërtetë të armikut po e shohim këto ditë, që studentët, rinia jonë përparimtare dhe gjithë populli shqiptar i Kosovës u ngrit në këmbë për të kërkuar me zë të lartë realizimin e atyre të drejtave, të cilat na i mohuan qe 40 vjet socialshovinistët jugosllavë në krye me bandën gjakatare titiste të Beogradit. Demonstratave paqësore të studentëve tanë për përmirësimin e kushteve të jetesës, ata iu përgjigjën me kërbaç e me burg.
Dhe kur studentëve këmbëngulës iu bashkua edhe populli ynë heroik, duke i treguar botës se ka ardhur përfundimisht koha për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi, armiku barbar derdhi mbi atdheun tonë të dashur, mbi Kosovën e shumëvuajtur, më se gjysmën e ushtrisë e të milicisë serbe, malazeze e maqedone. Tanket rrethuan gjithë Kosovën, reparte të mëdha ushtarësh zunë grykat e Ibrit, Kaçanikut dhe të Rugovës, u rrethuan veç e veç shumë qytete, kurse aeroplanët e helikopterët lëshuan pa pushim parashutistë dhe gaze lotsjellës. Njësitë speciale të milicisë bënë kërdinë mbi popullsinë tonë të paarmatosur. Këto njësi përdorën mbi rininë tonë armatime e mjete të atilla dhune, çfarë s'janë parë të përdoren gjetkë në botë.
Gjithë Kosovën e ka mbuluar zeheri. Sot në trojet tona sundon çizmja e xhandarit dhe bajoneta e ushtarit pushtues, kudo janë vënë patrulla policore ushtarake dhe të gjitha rrugët e qyteteve dhe të fshatrave tona janë në kontrollin e rreptë të patrullave ushtarake, me armatime të rënda, me tanke, aeroplanë dhe helikopterë. Popullsia shqiptare po vritet, po gjymtohet, po rrahet e poshtërohet dhe po mbyllet nëpër kazerma e burgje fashiste.
Kështu, me parrullën e "vëllazërim-bashkimit" dhe të "barazisë së kombeve e kombësive" në një anë, dhe në anën tjetër me forcën e xhandarit dhe të policit, Jugosllavia fashiste u nis për kushedi të satën herë për të shkelur vatrat dhe nderin e shqiptarit, duke vrarë, çnjerëzuar e torturuar pa mëshirë qindra shqiptarë, pa kursyer pleqtë, gratë dhe fëmijët.
Në këto kushte ne nuk na mbetet rrugë tjetër shpëtimi pos të bashkohemi edhe më fort - të gjithë shqiptarët si një trup i vetëm - të lidhemi me besa-besë e, me guximin e njohur shqiptar, t'i mbrojmë me këmbëngulje të drejtat tona të ligjshme, ta shpëtojmë njëherë e përgjithmonë vendin nga kasaphana e përgjakshme, që po përgatit për ne armiku mizor, të shpëtojmë nderin e nënave e të motrave tona, të shpëtojmë nderin e vatrave ku kemi lindur.
Të dashur vëllezër,
Sot, Kosova jonë e dashur, vëllezërit dhe motrat tona, që po shkelen nën zinxhirët e tankeve të ushtrisë fashiste jugosllave, na e kanë nevojën më shumë se kurrë. Prandaj është e domosdoshme që, si pjesë e pandashme e popullit tonë, edhe ne të ngrejmë lart zërin e protestës në mbrojtje të të drejtave tona të ligjshme, në mbrojtje të vëllezërve e të motrave tona, që s'e kursyen e s'po e kursejnë gjakun e tyre të shtrenjtë.
Për këtë qëllim, në vargun e manifestimeve të shumta të shqiptarëve anembanë botës, kemi vendosur të thërresim një miting protestues në Shtutgart të RF Gjermane. Tubimi bëhet të shtunën, më 25 prill 1981, ora 10,30 para Stacionit Hekurudhor të Shtutgartit.
Gjendja e krijuar në Kosovë na obligon që në miting të dalim në numër sa më të madh.
POPULLI YNË ËSHTË I PAMPOSHTUR DHE DO TË FITOJË!
(Autor i këtyre shkrimeve që u botuan më 1981 është Jusuf Gërvalla)

TEZA RRETH FRONTIT POPULLOR PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS

Kriza e rëndë që ka mbërthyer Jugosllavinë revizioniste, i ka sjellë masat punonjëse kudo në Jugosllavi në një gjendje shumë të vështirë. Por, veçanërisht e rëndë dhe e padurueshme është kjo gjendje në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, ku mbi masat punonjëse po ushtrohet një shtypje e shfrytëzim i egër e i shumëfishtë kolonial e kapitalist.
Populli shqiptar në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi ka luftuar në shekuj për lirinë, të cilën nuk e fitoi kurrë. Megjithë gjakun e shumtë që derdhi në Luftën Antifashiste Nacionlçlirimtare, ai nuk fitoi të drejtën e tij të ligjshme dhe të premtuar që të vendosë vetë për fatin e tij. Këtë të drejtë, që më parë e kishin proklamuar vetë shovinistët e rinj jugosllavë, pas përfundimit të luftës, e mbytën me gjak. Me anë të forcës e të tradhtisë, ata bënë që Kosova dhe tokat e tjera shqiptare, që fuqitë e mëdha i kishin shkëputur padrejtësisht nga shteti shqiptar, të pushtohen përsëri dhe të coptohen në mes të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Populli i robëruar shqiptar u bë objekt i një politike të egër shoviniste të shtypjes e shfrytëzimit të pamëshirshëm, objekt i dhunës dhe terrorit, shkombëtarizimit dhe gjenocidit të paparë. Çështja kombëtare e popullit tonë mbeti një problem i pazgjidhur, një plagë që kërkon shërim. Popullit shqiptar në Jugosllavi, dhe sidomos atij në Maqedoni e Mal të zi, i janë mohuar e shkelur të drejtat më elementare kombëtare.
Përveç marrëdhënieve kapitaliste në prodhim, gjendjen e masave punonjëse dhe të të gjithë popullit shqiptar në Jugosllavi e rëndon edhe shfrytëzimi i egër kolonial që ushtrohet mbi të. Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi janë shndërruar në koloni të vërteta të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, në burim të tyre, thjesht të lëndëve të para dhe të krahut të lirë të punës. Mbi supet e klasës sonë punëtore dhe masave të tjera punonjëse po hidhen jo vetëm pasojat e krizës që ka mbërthyer ekonominë kosovare, por edhe ato të krizës së ekonomisë të të gjithë Jugosllavisë. Kjo ka bërë që, megjithë pasuritë e shumta që kanë, Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi jo vetëm të jenë pjesa më e pazhvilluar në Jugosllavi, por që edhe prapambetja e tyre në krahasim me viset e tjera të Jugosllavisë të shtohet vazhdimisht. Kjo ka bërë që Kosova jonë e begatshme të mbetet "shtëpia e varfër e Evropës", vendi i prapambetjes, papunësisë, kurbetit, anafalbetizmit, errësirës, sëmundjeve, skamjes dhe mjerimit.
II
Populli ynë heroik ka luftuar në shekuj për lirinë dhe të drejtat e tij. Ashtu si dhe më parë, ai nuk u pajtua kurrë me zgjedhën e re të robërisë' revizioniste. Luftën e pandërprerë të populllit tonë kundër zaptuesve të rinj shovinistë nuk kanë mundur ta shuajnë as gjenocidi, dhuna e terrori i egër fashist dhe as premtimet,demagogjia, feja, shthurja e degjenerimi. Krahas ngritjes së vazhdueshme të ndërgjegjes kombëtare e klasore të popullit tonë të robëruar, u rrit dhe u intensifikua edhe lufta e tij për të drejta e liri.
Lëvizja revolucionare e pranverës së këtij vitit është vazhdim i drejtëpërdrejtë i luftës së pandërprerë të popullit tonë për liri, dëshmi e ngritjes së saj në një shkallë akoma më të lartë.
Grevat dhe demonstratat e mëdha të pranverës nuk kishin aspak karakter shovinist, irredentist, reaksionar e kundërevolucionar, siç po përpiqet t'i paraqesë ato propaganda jugosllave. Ato ishin pasojë e gjendjes së padurueshme në të cilën ndodhet populli ynë, e shtypjes dhe shfrytëzimi të egër kolonial e kapitalist që ushtrohet mbi masat tona punonjëse. Me anë të këtyre demonstratave dhe grevave, populli ynë kërkoi kushte më të mira jetese, kërkoi lirinë dhe të drejtat e mohuara kombëtare e demokratike, dhe në mënyrë të veçantë kërkoi që Krahinës Autonome të Kosovës t'i jepet statusi i Republikës brenda Federatës Jugosllave. Këto kërkesa qenë paqësore; të përgjakshme ato i bënë shovinistët serbomëdhenj dhe tradhtarët shqiptarë, që urdhëruan shuarjen e tyre me armë dhe me gjak, me milici speciale, tanke dhe ushtri. Ata janë përgjegjës për gjakun që u derdh në këto demonstrata popullore dhe për të gjitha dëmet që u shkaktuan.
Suksesi i demonstratave dhe grevave të këtij viti është i jashtëzakonshëm.
* U arrit një politizim, mobilizim dhe bashkim i paparë i popullit tonë;
* U ngrit në një shkallë akoma më të lartë fryma e tij luftarake, patriotike e klasore, u shtua edhe më shumë besimi i tij në forcat e veta të pashtershme;
* Politika antipopullore e udhëheqjes shoviniste të Jugosllavisë u demaskua e u diskretitua edhe më shumë jo vetëm në sytë e popullit tonë, por edhe në sytë e popujve jugosllave dhe të atyre të botës. Doli në shesh jo vetëm politika e shovinistëve serbomëdhenj për fashistizimin dhe rankoviçizimin e mëtejshëm të Jugosllavisë, por edhe plani i rrezikshëm që ata po kurdisin në bashkëpunim me socialimperialistët sovjetikë - kundër popujve të Jugosllavisë dhe të Ballkanit;
* Çështja e Kosovës u popullarizua edhe më shumë në të gjithë botën. Lufta jonë e drejtë fitoi simptatinë dhe përkrahjen e të gjitha forcave përparimtare në të gjithë botën...
III
Të tmerruar nga goditjet dërmuese që morën nga grushti i ngritur i popullit, shovinistët serbomëdhenj kanë shpërthyer tani një fushatë të tërbuar antishqiptare. Ata po përdorin të gjitha mjetet dhe metodat, me qëllim që ta shkatërrojnë lëvizjen komuniste e patriotike, që po rritet e forcohet vazhdimisht, ta nënshtrojnë popullin tonë të pamposhtur, ta mbysin luftën e tij çlirimtare, e madje edhe të na i rrëmbejnë ato pak liri e të drejta që i kemi fituar me gjak e sakrifica. Por, siç ka treguar historia jonë e lavdishme dhe siç po e tregon edhe lufta e gjithnjë në rritje që po bën populli ynë edhe në këto kushte, nuk ka forcë në botë që mund ta mposhtë popullin tonë të paepur, që ta ndalë marshimin e tij të pandalshëm drejt lirisë e socializmit.
* Në këto kushte, para gjithë lëvizjes komuniste, patriotike e revolucionare në Kosovë del detyrë e ngutshme bashkimi dhe organizimi më i mirë i gjithë popullit tonë dhe luftës së tij të drejtë.
* Organizata Marksiste - Leniniste e Kosovës mendon se në kushtet e tanishme kjo mund të arrihet më së miri duke organizuar FRONTIN POPULLOR PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS.
IV
* Qëllimi i Frontit për Republikën e Kosovës është që Krahina e Kosovës të çlirohet nga sundimi i Serbisë dhe të fitojë statusin e republikës brenda federatës jugosllave.
* Kërkesa për Republikën e Kosovës është e drejtë dhe përkrahet nga i gjithë populli shqiptar.
* Populli i Kosovës kurrë nuk ka vendosur për fatin e vet. Tokat e tij janë pushtuar me forcë, janë copëtuar dhe, në kundërshtim me vullnetin e tij, i janë aneksuar Serbisë. Në mbledhjen e AVNOJ-it ku u vunë themelet e pushtetit të sotëm jugosllav, nuk u fol fare për çështjen e popullit shqiptar në Jugosllavi dhe më të nuk mori pjesë asnjë delegat shqiptar.
* Populli shqiptar jeton në tokën e tij, ku ka jetuar brez pas brezi.
* Populli shqiptar në Kosovë i ka të gjitha karakteristikat që përbëjnë një popull dhe një komb. Ai nuk ësthë "pakicë kombëtare", nuk është "kombësi" dhe as "popullsi" ("norodnost"), siç e kanë cilësuar shovinistët jugosllavë. Ai përbën mbi 80 për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës.
* Për nga numri i banorëve, Krahina e Kosovës është rreth tri herë më e madhe se Mali i Zi, që ka republikën e vet.
* Republika e Kosovës do ta bëjë të mundshëm zhvillimin sa më të shpejtë ekonomik dhe kulturor të Kosovës si dhe afirmimin e mëtejshëm kombëtar të të gjithë popullit shqiptar në Jugosllavi.
* Republika e Kosovës do të jetë fitore e madhe edhe për popullin shqiptar në Maqedoni, në "Serbinë e ngushtë" dhe në Mal të Zi, prandaj edhe përkrahet prej tij.
* Republika e Kosovës nuk u sjell asnjë të keqe popujve jugosllavë dhe federatës së tyre; përkundrazi ajo është dhe në interes të tyre dhe e forcon Federatën jugosllave.
* Kërkesa për Republikën e Kosovës është një e drejtë që buron edhe nga Kushtetuta e Jugosllavisë, një e drejtë që e gëzojnë të gjithë popujt e tjerë në Jugosllavi. Dënimet që u jepen përkrahësve të kërkesës për Republikës janë të paligjshme.
* Kërkesa për Republikën e Kosovës nuk është kërkesë për ndryshimin e kufijve në Jugosllavi e Ballkan. Ajo nuk është në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara as me vendimin e Helsinkit dhe nuk sjell kurrfarë rreziku për paqen në Ballkan.
V
* Për t'ia arritur këtij qëllimi, Fronti duhet të bashkojë në luftë për Republikën të gjitha masat popullore, punëtorët, fshatarët, zejtarët, rininë, gratë, inteligjencën revolucionare dhe elemente përparimtare nga radhët e borgjezisë; të gjithë komunistët, patriotët dhe revolucionarët e vërtetë, pavarësisht nga bindjet politike e nga dallimet klasore, fetare e krahinore.
* Fronti Popullor për Republikën duhet të jetë jo një koalicion i paqëndrueshëm i krerëve të forcave të ndryshme politike, por një bashkim luftarak i pathyeshëm i të gjitha masave tona popullore; jo marrëveshje me fjalë në letër, por një bashkim në luftë e sipër; jo qëllim në vete, por një levë e rëndësishme për edukimin, mobilizimin dhe organizimin e masave popullore në luftë për të drejta e liri.
* Bazë e Frontit duhet të jetë aleanca e klasës punëtore me fshatarësinë, nën udhëheqjen e klasës punëtore dhe të pararojës marksiste - leniniste të vërtetë, që do të dalë nga lëvizja komuniste në Kosovë, e cila po rritet, bashkohet e forcohet çdo ditë.
* Në Frontin për Republikën do të bëjnë pjesë të gjitha organizatat dhe grupet ilegale komuniste, patriotike e revolucionare, pavarësisht nëse është Republika qëllimi i tyre i fundit ose jo, pavarësisht nëse janë ose jo për socializmin e vërtetë. Republika e Kosovës është në interes të të gjithë popullit të Kosovës, në interes të të sotmes dhe të së ardhmes së tij, prandaj në Front duhet të bëjnë pjesë të gjithë ata që janë për lirinë e Kosovës, për Republikën e saj.
* Në Frontin për Republikën mund të bëjnë pjesë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës, në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, në viset e tjera të Jugosllavisë apo kudo në botë. Fronti do të luftojë për lirinë dhe të drejtat e të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi.
* Republika e Kosovës është në interes edhe të popujve joshqiptarë në Kosovës, prandaj edhe ata duhet ta pëkrahin kërkesën për Republikë dhe të përfshihen në radhët e Frontit.
* Fronti Popullor për Republikën e Kosovës nuk do të ketë asgjë të përbashkët, por do të jetë kundër LKJ-së dhe organizatave tradhtare të masave si LSPP, LRS, LS, KKASHG etj., që janë vegla të shovinizmit serbomadh. Fronti do të luftojë për demaskimin dhe izolimin e udhëheqjeve të tyre tradhtare dhe për tërheqjen në anën e tij të masave të mashtruara e të manipuluara prej tyre.
* Në Frontin për Republikën nuk mund të bëjnë pjesë gjithashtu as grupet e organizatat fashiste e terroriste dhe agjenturat e ndryshme, që organizon reaksioni i jashtëm apo i brendshëm.
VI
* Krahas luftës për Republikën, Fronti do të punojë edhe për organizimin e luftës në çdo ndërmarrje, fshat, shkollë e fakultet, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, politike, ekonomike e shoqërore të klasës punëtore, fshatarësisë, rinisë, gruas, inteligjencës etj., për organizimin e rezistencës kundër plaçkitjes së pasurive të Kosovës, të luftës për mbrojtjen e kulturës materiale e shpirtërore të popullit tonë etj.
* Për realizimin e qëllimeve të tij, Fronti do të përdorë të gjitha format e luftës dhe organizimit, do t'i kombinojë e zëvendësojë ato në përputhje me kërkesat e situatës dhe të strategjisë së tij.
* Në veprimtarinë e tij, Fronti do t'i japë përparësi organizimit dhe luftës ilegale, por krahas kësaj ai do t'i shfrytëzojë gjerësisht edhe të gjitha format e mundshme legale.
* Fronti është kundër reformizmit dhe legalizmit borgjez dhe, nga ana tjetër, lufton kundër pikëpamjeve dhe metodave anarkiste e terroriste të luftës, të cilat e dëmtojnë rëndë dhe e komprometojnë luftën tonë të drejtë.
* Fronti do të luftojë kundër përpjekjeve për përçarjen e popullit tonë me anë të fesë, hakmarrjes, vëllavrasjes etj.
* Fronti do të luftojë kundër përpjekjeve për armiqësimin e popullit shqiptar në Jugosllavi me Shqipërinë socialiste. Ai do t'i popullarizojë sukset madhështore që po arrin në të gjitha fushat Shqipëria socialiste nën udhëheqjen e Partisë së Punës dhe të shokut Enver Hoxha. Fronti do të përpiqet për zhvillimin e marrëdhënieve sa më të ngushta e të gjithanshme mes popullit shqiptar në Jugosllavi dhe atij në Shqipëri.
* Fronti Popullor për Republikën e Kosovës do të luftojë gjithashtu edhe kundër përpjekjeve të shovinistëve serbomëdhenj për ta armiqësuar popullin shqiptar me popujt jugosllavë në Kosovë dhe në Jugosllavi. Fronti nuk i ngatërron popujt jugosllavë me krerët e tyre shovinistë. Luftën e tij ai jo vetëm që nuk e drejton kundër proletariatit dhe popujve jugosllavë, por përkundrazi, ai i konsideron ata si aleatë të tij në luftën për të drejta e liri.
* Duke ndjekur një politikë konsekuente internacionaliste, Fronti do ta lidhë luftën e tij me luftën që bëjnë popujt dhe proletariati i të gjithë botës për liri e socializëm dhe do të luftojë kundër imperializmit me atë amerikan në krye, kundër socialimperilizmit sovjetik, kundër fashizmit dhe reaksionit të të gjitha ngjyrave.
* * *
Këto janë tezat kryesore që Organizata Marksiste - Leniniste e Kosovës i propozon si bazë për organizimin e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës. Gjatë diskutimit ato me siguri që do të plotësohen, të përsosen e kristalizohen më tej dhe mbi këtë bazë do të përcaktohet vija politike, ideologjike e organizative e Frontit.
Organizata Marksite - Leniniste e Kosovës u bën thirrje të gjithë komunistëve, patriotëve e revolucionarëve të organizuar e të paorganizuar që t'i përgjigjen ashtu si duhet thirrjes së Atdheut për bashkimin e Frontit e përbashkët të luftës për të drejtat dhe lirinë tonë - për Republikën tonë.
Forca jonë qëndron në unitetin tonë. Sa herë që populli ynë ka bashkuar armët dhe zemrat në një front të vetëm, ai ka arritur të mposhtë dhe të mbulojë me turp armiq shumë më të mëdhenj e më të armatosur. Këtë e dëshmojnë luftrat legjendare të Skënderbeut, e dëshmon lufta e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e dëshmon epopeja e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, e dëshmojnë edhe grevat e demonstratat tona heroike.
Në luftë për të drejtat tona, ne, gjatë kësaj pranvere, pavarësisht se cilës organizate i takonim, u lidhëm sup më sup dhe, si shokë e vëllezër të vërtetë, luftuam, u përleshëm e gjakosëm me armiqtë dhe tradhtarët e urryer të popullit tonë. Tani para nesh shtrohet detyra që këtë bashkim të paparë që arritëm në luftën tonë, ta ruajmë e forcojmë më tej, ta bëjmë të organizuar, të qëndrueshëm, të pathyeshëm, të përjetshëm. Bashkimi bën fuqinë. Bashkimi është imperativ i kohës. Të bashkuar e të lidhur si vëllau me vëllanë, ne jemi më të fuqishëm se të gjithë armiqtë tanë, të bashkuar ne jemi të pamposhtur. Vetëm të bashkuar si grusht i vetëm në Frontin Popullor për Republikën e Kosovës, ne do të arrijmë fitoren tonë, lirinë tonë.
Rroftë Fronti Popullor për Republikën e Kosovës!
Organizata Marksiste - Leniniste e Kosovës

JEMI MË TË FORTË...!

Me 17 janar 1982, në orën 22.30, në Untergrupenbah (afër Shtutgartit) ranë për të mos vdekur kurrë, nga bandat kriminele të UDB-së titiste tre shokët tanë të pandarë në luftën tonë për të dreta e liri. Ishin këta shokë: 1) Jusuf Gërvalla - 36 vjeçar. 2) Kadri Zeka (ZEQA) - 28 vjeçar. 3) Bardhosh Gërvalla - 31 vjeçar.
UDB-ja titiste e Beogradit me terrorin e tyre për të mos lënë shqiptar mbi faqen e dheut tonë, edhe kësaj here vrau me dinakëri, siç e ka zakon, në mes të natës, këta tre shokë, të cilët deri në momentin e fundit të jetës së tyre nuk kursyen asgjë për çlirimin e popullit tonë nga zgjedha titiste e Beogradit.
Ju, të dashur bashkatdhetarë në mërgim, e keni parë punën e tyre të pakursyer gjatë demonstratave të vitit të kaluar. Ata i patëm në ballë të çdo detyre ku na prinin me flamurin e lirisë dhe me fjalët e tyre të arta. Në fjalët e tyre i dëgjonim me vemendje, të cilat na jepnin forcë në rezistencën e luftës kundër shovinistëve të tërbuar jugosllavë. Këta tre shokë u lindën bashkë me skamjen dhe mjerimin e popullit tonë. Por kur u rritën, i thanë atdheut: - Jo atdhe, ty nuk të lëmë në skamje e mjerim, që pasuritë e tua t'i shfrytëzojë Serbia; jo, populli ynë, ty duhet të të çlirojmë patjetër, sepse na linde e na rrite, dhe hallet tua do t'i marrim mbi supet tona. E morën këtë barrë mbi vete dhe me përpjekje e sakrifica të mëdha e mbajtën me nder, derisa rrodhi gjak në dejët e tyre!
Ata, të dashur bashkatdhetarë mërgimtarë, na treguan më së mirë kush ishin shovinistët e tradhtarët e cili ishte populli ynë, trim dhe i pamposhtur, ata na mësuan si ta donim e ta mbronim atdheun tonë të shtrenjtë. Por ata na treguan edhe rrugën drejt lirisë. Dhe ne mërgimtarëve na bënë me dije se paraja e kurbetit është e njomur me djersë e lot, është e idhtë si pelini.
Prandaj, të dashur vëllezër mërgimtarë, fjalët dhe porositë e tyre duhet çmuar dhe çuar në vend! Ata kanë rënë... por, kanë mbetur yje të pashuar!
Ne në këto momente nuk guxojmë të dëshpërohemi e të mposhtemi! (Armiku, i cili i vrau tradhtisht, dëshiron ligshtimin tonë). Prandaj gjëma dhe vajtimi nuk zënë vend, dhembjen duhet ta shndërrojmë në forcë! Trimat nuk qahen, po nderohen ashtu siç e meritojnë. Në këto momente duhet të forcohemi, të mposhtim dhembjen, të bashkohemi si një grusht i vetëm për të çuar idealet tona deri në realizimin e plotë të tyre.
As UDB-ja e Beogradit dhe as ndonjë fuqi tjetër çfarëdo qoftë në botë nuk mund ta zhdukë farën tonë, edhe shqiptari i fundit do ta kërkojë llogarinë për gjakun që u derdh, për njerëzit që u vranë. Vëllezër, lufta jonë do të fitojë mbi armët e banditëve kriminelë që po i zbrazin kundër nesh, pa menduar se këtë që po e mbjellin, do ta korrin një ditë, se gjarpërinjtë e helmuar të gjakut tonë, do të gjejnë vdekjen, në luftën tonë të drejtë.
Kosovë, qëndro krenare Kosovë, se bijtë e tu ranë dëshmorë, për të mos vdekur kurrë! Ne menduam se do të bashkohemi në Kosovën e lirë, pranë nënave, t'jau shërojmë plagët, por ja, në vend që t'i kthehemi Kosovës me grushtin lart, po kthehemi theror, me porosinë e fundit: Lufta duhet vazhduar...!

- POPULLI DO UA MARRË HAKUN!
- VDEKJE ARMIQVE - LIRI POPULLIT!
- LUFTA JONË ËSHTË E DREJTË DHE DO TË FITOJË!
- KOSOVA - REPUBLIKË!
Trakt i shpërndarë nga LNCKVSHJ me rastin e atentatit kundër vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës
Vijon...

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Faridin Tafallari
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 137 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi