Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
TERROR... DHIMBJE... QËNDRESË… (12)
Publikuar më 08 qershor, 2019 në orën 21:56 ( ) Faridin Tafallari | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
NEKROLOGJI

Jusuf Gërvalla u lind më 1945 në Dubovik afër Pejës. Shkolllën fillore e kreu në Pejë, ku vazhdoi mësimet në gjimnazin e qytetit. Studimet albanologjike i kreu në Prishtinë. Në universitetin e Kosovës kreu dhe shkallën e tretë, po për shkaqe që dihen nuk pati kohë t'i nënshtrohet edhe provimit të diplomës mbi studimin e veprës së Nolit.
Punoi si gazetar njëherë në "Flakën e Vëllazërimit" e më vonë në "Rilindje", më 1975 aktiviteti i tij patriotik bie në sy edhe më tepër, i cili kishte zanafillën edhe para demonstratave të vitit 1968. Në vitin 1975 pranohet anëtar i Lëvizjes Nacionaçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ).
Fushata e arrestimeve në vitin 1979, nuk e kurseu as Jusufin. Por kësaj here u shpëtoi kthetrave të UDB-së. Emigroi në Gjermaninë Federale ku i punonte edhe i vëllai. Në Gjermani aktivitetin e tij e zhvilloi me një hov të madh, hov i cili kaloi shumë caqe. Ishte drejtues i Komitetit të LNÇKVSHJ për Evropën Perëndimore. Me plot sukses redaktoi dhe udhëhoqi revistën patriotike "Lajmëtarin e Lirisë", e cila bëri aq jehonë tek shqiptarët e Kosovës. Ishte anëtar i KQ të LNÇKVSHJ. Aktivitet të bujshëm zhvillon sidomos pas demonstratave të pranverës 1981. Si anëtar i KQ, ai ishte edhe kryeredaktor i organit qendror të LNÇKVSHJ "Zëri i Kosovës", detyrë në të cilën ishte deri në çastin e vdekjes. Jusuf Gërvalla u vra në mbramjen e 17 Janarit të vitit 1982, afër banesës së tij në Untergrupenbah, por emri i tij do të jetojë përherë në zemrën e popullit dhe to dë shërbejë si frymëzim për të gjithë luftëtarët e lirisë.

Bardhosh Gërvalla, djali i tretë i familjes Gërvalla u lind në Dubovik më 1951. Si i ri së bashku me familjen, për të siguruar ekzistencën, shkoi në Jesenicë, ku edhe mori shkollimin fillor dhe të mesëm në gjuhën sllovene. Në universitetin e Kosovës studioi gjuhën angleze. Më 1974 shkon në Gjermani si punëtor social ku pati rastin të njihet me shumë mërgimtarë. Në këto kontakte erdhi në shprehje bujaria e tij, qëndrimi burrëror dhe i prerë para padrejtësive të ndryshme që iu bëhen punëtorëve tanë nga kapitalistët e ndryshëm.
U bë mbështetja më e fortë e vëllaut të madh në vazhdimin e punës patriotike jashtë atdheut. Anëtar i LNÇLVSHJ ishte nga viti 1977. Për meritat e mëdha dhe besnikërinë ndaj atdheut u zgjodh sekretar i degës së LNÇKVSHJ për Gjermaninë Perëndimore. Bardhosh Gërvalla si shumë bashkatdhetarë shkoi me mall të Kosovës, sepse pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi larg saj.
U vra më 17 Janar 1982 si luftëtar i pakompromis për të drejtat e popullir shqiptar në Jugosllavi. Bardhoshi (Besniku) do të jetojë përjetë në zemrën e popullit.
Kadri Zeka (Zeqa) u lind më 1953 në fshatin Içkë. U shkollua në Gjilan, ndërsa shkollimin e lartë e vazhdoi në Prishtinë ku edhe punoi si gazetar i Radio televizionit të Prishtinës. Aktiviteti i tij patriotik u hetua më 1978 kur ai largohet nga atdheu dhe shkon për në Zvicër, ku dhe merr azil politik. Ishte anëtar i një organizate motër. Atë mbrëmje ndodhej te vëllezërit Gërvalla për bisedime, të cilat bëhen në mes luftëtarëve, shokëve të idealit.
Kadri Zeka u vra si burrë që luftoi për lirinë e Kosovës. Edhe Kosova do ta çmojë punën e tij dhe do t'i japë vendin e merituar në mesin e bijve të saj.

17 shkurt 1982

Trakt i shpërndarë nga redaksia e gazetës "Liria" me rastin e vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës

DOKUMENT
NGA MBLEDHJA E PËRBASHKËT NË NIVEL TË PËRFAQËSUESVE E KQ TË LNÇKVSHJ DHE PKMLSHJ -


Në orën 2110 të datës 17.II.1982 filluan bisedimet për bashkimin e organizatave motra, LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ, gjegjësisht për shkrirjen e këtyre dy organizatave në një të vetme.
Organizatën e LNÇKVSHJ e përfaqësojnë anëtarët e KQ Mërgimi dhe Shpendi.
Organizatën e PKMLSHJ e përfaqësojnë Kushtrimi dhe Halimi, anëtarë të KQ. Në këtë mbledhje merr pjesë edhe anëtari i KQ të PKMLSHJ Qemali si përfaqësues i këtyre bisedimeve.
Pas afër tre muajsh bisedime dolëm me propozime konkrete.
Përfaqësuesi i PMLSHKJ Halimi doli me këtë propozim; të bëhet shkrirja e dy organizatave në një të vetme me emrin "LEVIZJA PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI" (LRSHJ).
LRSHJ të ketë një platformë, program e statut të vetëm, një KQ, një organ qendror.
LRSHJ të informojë organizatat e veta të brendshme; të gjitha organizatat që i ka një Republikë në Federatën Jugosllave.
Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Shpendi deklaroi:
- Pajtohem që organizata në fjalë (LRSHJ) të ekzistojë si e tillë deri në momentin kur të realizohet kërkesa për formimin e Republikës.
Përfaqësuesi i PKMLSHJ Kushtrimi deklaroi:
- Pajtohem me propozimin e dhënë për bashkimin e organizatave tona dhe për mënyrën e organizimit të cilën e parashef ky propozim. Gjithashtu jam i mendimit që organizata në fjalë (LRSHJ) të ekzistojë deri te arritja e kërkesës së klasës punëtore dhe popullit shqipar në Jugosllavi, për konstituimin e Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi.
Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ deklaroi (Mërgimi):
- Duke pasur parasysh që propozimi i bërë nga Halimi dhe i përkrahur nga Shpendi e Kushtrimi, kam bindjen se i plotëson kërkesat e forcave patriotiko-revolucionare dhe të popullit shqiptar që jeton në Jugosllavi; pajtohem plotësisht me këtë propozim dhe shtoj; që dy komitetet e organizatave të mëparshme të përbëjnë komitetin e LRSHJ kurse udhëheqsja e komitetit qëndrorë të zgjidhet në një mbledhje të ardhshme.
Të formohet një komision nga anëtarët e këtij komiteti për përpilimin e programit dhe statutit të LRSHJ.
Pasi qe deri në momentet e fundit të jetës së tij që ra nga plumbat e shovinistëve serbomëdhenj e redaktoi dhe e udhëhoqi me plot sukses edhe pas tashit do të punohet në atë teknikë të përsosur të Jusuf Gërvallës, propozoi që organi i LRSHJ të mbajë emrin "ZËRI I KOSOVËS".

V E N D I M - I MBLEDHJES SË PËRBASHKËT TË PËRFAQËSUESVE
TË DY ORGANIZATAVE MOTRA PATRIOTIKE REVOLUCIONARE
LNÇKVSHJ DHE PKMLSHJ -

1. Organizata e LNÇKVSHJ e formuar nga dy organizatat e mëparshme LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ të quhet Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ).
2. Organizatat e brendshme do të organizohen simbas shembullit të republikave të tjera të Federatës Jugosllave.
3. Më vonë të formohet komisioni nga anëtarët e KQ për përpilimin e tezave të programit dhe statutit të LRSHJ.
4. Në KQ të hyjnë anëtarët e dy KQ të mëparshme në përbërje të plotë.
5. Udhëheqja e KQ të zgjidhet në mbledhjen e ardhshme të KQ.
6. Organi i LRSHJ të jetë "ZERI I KOSOVËS" pasi ky emër shpreh zërin e Kosovës, kurse organi i Rinisë së LRSHJ të quhet "REPUBLIKA".
Qemajli (Faton Topalli Halimi (Osman Osmani)
Shpendi (Xhafer Durmishi) Kushtrimi (Abdullah Prapashtica) Mërgimi (Sabri Novosella)

Shkurt 1982.

STATUT I LEVIZJËS PËR REPUBLIKËN SOCIALISTE SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI
(LRSSHJ)
LEVIZJA

Lëvizja për Republikën Shqiptare në Juvosllavi është përfaqësuesja e vërtetë e interesave të popullit shqiptar në Jugosllavi. Aktualisht ajo është luftëtarja më e denjë për interesat e tij.
Lëvizja është një bashkim luftarak vullnetar i të gjithë patriotëve e revolucionarëve të popullit shqiptar që jeton në Jugosllavi dhe asaj pjese të tij që fati historik e detyroi të mërgojë nëpër shtete të ndryshme të botës, të cilët përpara interesit kombëtar i kanë sakrifikuar të gjitha interesat e tjera.
Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi është vazhdim i organizatave, LNÇKVSHJ, OMLK, FKP dhe PKMLSHJ.
"Zëri i Kosovës" është vazhdim i denjë, i përshtatur, për aq sa kanë lejuar të gjitha rrethanat që të përshtatet, i "Bashkimit", "Lajmëtarit të lirisë", "Lirisë" dhe i ndonjë botimi tjetër që nuk ka çuar shumë peshë në jetën politike të popullit shqiptar në Jugosllavi.
Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi, të tillë siç e njohin sot të gjithë shqiptarët, u themelua më 15 maj 1982, nga revolucionarët kosovarë, mbi bazën e lëvizjes patriotiko-revolucionare të organizatave patriotike.
Qëllimi i Lëvizjes është që të grumbullojë aq forca rreth vetes, sa me atë forcë të grumbulluar t'i bëjë presion udhëheqjes federative në mënyrë që me anë të këtij presioni t'ia imponojë kësaj të fundit një situatë të atillë në të cilën, ajo do të detyrohet që populli shqiptar në Jugosllavi t'ia njohë të drejtën për formimin e një republike, siç janë gjashtë të tjerat në RSFJ.
Për të arritur gjer te ky qëllim, Lëvizja para vetes shtron detyra të mëdha. Ajo do të shërbehet me metoda të ndryshme të luftës që janë të njohura në praktikën e luftërave të popujve për liri.

II
ANËTARËT E LEVIZJËS, DETYRAT DHE TË DREJTAT E TYRE

1) Anëtarë të Lëvizjes mund të bëhen të gjithë shqiptarët në Jugosllavi dhe pjesa e tyre në botën e jashtme që kanë kaluar moshën 18 vjeçare dhe që pranojnë programin politik dhe Statutin e Lëvizjes për Republikë.
2) Anëtari i Lëvizjes ka për detyrë;
a) të ruajë dhe të luftojë për unitetin e Lëvizjes. Lëvizja nuk lejon qënien e fraksioneve në gjirin e vet;
b) të zbatojë vendimet e Lëvizjes, të respektojë statutin e saj, të propagandojë traditat patriotike të popullit tonë. Ai gjithmonë duhet të veprojë nga pozita revolucionare;
c) të ngrihet teorikisht, të mendojë, punojë e jetojë si revolucionar dhe luftën për formimin e republikës shqiptare ta verë në plan të parë në të gjithë veprimtarinë e tij;
ç) të forcojë lidhjet me masat, të jetë i drejtë, i ndershëm, i dashur për popullin, të jetë armik i mendjemadhësisë, karrierizmit, indiferentizmit dhe i frymës së komandimit kundrejt njerëzve;
d) të jetë propagandist, agjitator dhe mbrojtës i flaktë i qëllimit të Lëvizjes;
e) t'i verë interesat e popullit mbi të vetat;
f) të jetë kritik dhe autokritik dhe të luftojë vetëkënaqësinë.
3) Anëtari i Lëvizjes ka të drejtë:
a) të marrë pjesë në diskutimin e problemeve të luftës së Lëvizjes;
b) të kritikojë sjelljet e anëtarëve dhe veprimet e padrejta;
c) të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet udhëheqëse;
ç) t'u drejtohet për çështje të ndryshme me pyetje, kërkesë dhe propozim organeve udhëheqëse të Lëvizjes.

4) Pranimi në Lëvizje bëhet vetëm në mënyrë individuale, pas një njohjeje të gjatë dhe të hollësishme.
Me rastin e pranimit kryhen disa rregulla.
5) Lëvizja anëtarëve të vet nuk u shpërndan libreza.
6) Anëtari i Lëvizjes ka përgjegjësi të madhe për njerëzit që pranon në Lëvizje.
7) Kalimi i anëtarëve prej një celule në një celulë tjetër bëhet sipas rastit me udhëzime të organeve udhëheqëse të Lëvizjes.
8) Kur anëtari tre muaj rresht nuk merr pjesë në mbledhje ose nuk paguan kuotizacionin e anëtarësisë, celula duhet ta shqyrtojë qëndrimin e tij në mbledhjen e vet.
9) Për faje të rënda anëtarët dënohen me përjashtim nga Lëvizja dhe me dënime të tjera.
10) Nëse përjashtimi është jo i drejtë, kthimin mund ta bëjë vetëm celula që ka miratuar përjashtimin.
11) Vijën e Lëvizjes tek masat, në masë të madhe e përcjellin simpatizantët prej radhëve të të cilëve Lëvizja fuqizohet me anëtarë të rinj.

III
NDËRTIMI I LEVIZJËS

12) Parimi udhëheqës i ndërtimit organizativ të Lëvizjes është centralizmi demokratik. Kjo do të thotë:
a) të gjitha organet zgjidhen nga poshtë lart nëpër tubime të ndryshme, në forma të ndryshme, ashtu siç na i imponon veprimtaria në ilegalitet.
b) organet udhëheqëse janë të detyruara të japin llogari kohë pas kohe para celulave të tyre të Lëvizjes;
c) organet më të ulëta japin llogari para organeve më të larta të Lëvizjes.
13) Lëvizja ndërtohet në bazë të territorit, (lagje, qytete e fshatra), në bazë prodhimi (fabrika e kombinate), në institucione të ndryshme (fakultete, shkolla të mesme, shoqëri të ndryshme etj), dhe nëpër koloni të ndryshme shqiptare në mërgim.
14) Të gjitha celulat problemet lokale i zgjedhin vetë, por me kusht, që zgjedhja e tyre të jetë në vijën e Lëvizjes.
15) Lëvizjen e udhëheq Komiteti Qendror nën vartësinë e të cilit veprojnë të gjitha komitetet e degëve të Lëvizjes si në atdhe ashtu edhe në mërgim.
16) Organet e Lëvizjes janë: Komiteti Qendror, Komitetet e degëve dhe celulat e Lëvizjes.

IV
CELULAT E LEVIZJËS

Themel i Lëvizjes janë celulat e saj të cilat, siç thuhet në nenin "13", ngrihen në të gjitha vendet.
17) Celulat lidhin masat e qytetit dhe të fshatit me organet udhëheqëse të Lëvizjes.
Detyrat e celulave janë:
a) të zhvillojnë punë politike, ideologjike dhe organizative për zbatimin e programit të Lëvizjes, të vendimeve dhe të direktivave të saj;
b) të bëjnë shpërndarjen e shtypit të Lëvizjes, ta zbërthejnë atë, të forcojnë influencën e Lëvizjes;
c) të raportojnë për punën e tyre para organeve më të larta;
ç) të ngrihen ideologjikisht dhe të ndihmojnë në ngritjen e rrethit ku veprojnë;
d) të zhvillojnë kritikën dhe autokritikën.

V
MJETET FINANCIARE TË LEVIZJËS

18) Të ardhurat financiare të Lëvizjes përbëhen nga kuotizacionet e anëtarësisë.
19) Kuotizacionet mujore për një anëtar janë 5 për qind të të ardhurave mujore të anëtarit.
20) Anëtarët që nuk kanë rrogë të caktuar apo janë të papunë, ndihmojnë sipas mundësive dhe u ndihmohet sipas mundësive.
21) Nga të ardhurat e veta çdo celulë në qendrën ku bëhet tubimi i ndihmave për Kosovën, dërgon 30 për qind të të ardhurave.
22) Qarkullimi i pjesës tjetër bëhet sipas rregulloreve të veçanta që përpunon Lëvizja për raste të veçanta.
23) Lëvizja pranon ndihma morale dhe materiale nëse ato janë të pakushtëzuara.

ZËRI I KOSOVËS
Në ballë të këtij popullli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s'do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme.
Jusuf Gërvalla

VËLLËZËR DHE MOTRA NË MËRGIM!
Kjo është thirrja e njëmbëdhjetë, e cila u drejtohet punëtorëve kosovarë në mërgim. E njëjta thirrje nga i njëjti vend për të njëjtin qëllim. Ndryshimi i vetëm është ai se kjo thirrje po bëhet nga dita në ditë më e fuqishme dhe me zë më të lartë. Na thërret tanë Kosova, e cila përsëri po mbulohet në tym.
Çfarë t'ju themi ne me këtë thirrje tjetër përveç t'jua përsërisim ato që jua kemi thënë edhe më parë. Pra të njëjtat halle. Na mbet ky amanet brez pas brezi, prej shpatës së Skënderbeut e deri tek pena e Jusuf Gërvallës e zëri i Kadri Zekës. Iu përgjegj shqiptari vendlindjes kudo që u ndodh, gjatë gjithë historisë së tij në mënyrë që brezit tjetër të ri t'i krijojë një vend për të jetuar i lirë me pjesën e tokës dhe të diellit që na takon. U derdh gjaku lumë derisa u fitua një tokë e lirë shqiptare. Edhe në pjesët e tjera të copëtuara të cilave u ra të ndërrojnë vetëm zgjedhat, nuk u kursyen sakrificat deri në atë supreme.
Përkundër këtyre të gjithave deri më 11 Mars 1981 liria nuk u fitua, përkundër disa lëshimeve që u bënë hap pas hapi dhe dalngadalë nga serbomëdhenjtë, të cilat na kushtuan shumë. Populli ynë shfrytëzoi me kujdes dhe në mënyrë efektive këto hapësira që të ngrejë vetëdijen e tij deri në atë shkallë të cilën po e shohim nga 11 Marsi e deri më sot, e që në mënyrë edhe më madhështore do ta shohim nesër.
Dhe siç thoshte njëri nga udhëheqësit e lartë të Lëvizjes Revolucionare të Kosovës, Jusuf Gërvalla se: "NJË POPULL PUSHON TË JETË I ROBËRUAR NGA AI MOMENT QË NGRITET KUNDËR ROBËRISË, I VENDOSUR QË TË LUFTOJË DERI NË FUND DHE MË BINDJE TË PALËKUNDUR NË FITOREN E TIJ". Kjo ndodh tani edhe me popullin tonë, i cili u ngrit në këtë luftë të cilën armiku e quajti kundërrevolucion e në fakt këto janë vetëm fillet e një REVOLUCIONI, nëse zgjedhja e çështjes klasore dhe nacioanle e shqiptarëve në Jugosllavi nuk zgjidhet në mënyrë demokratike. Dhe pikërisht ky citat i marrur nga vepra e teoricienit tonë të madh është shkruar duke u bazuar në luftën e popullit të Kosovës nga 11 Marsi e këtej.
Këto vlime në këto përmasa flasin aq qartë sa janë të detyruar t'i pranojnë me plotë gojën edhe kundërshtarët tanë. Përmasat dhe vazhdimësia flasin në mënyrën më serioze se kjo punë kërkon zgjidhje të drejtë, e jo me vrasjet nga kriminelë të ushtruar për terror.
Në planin e brendshëm po duket se kjo luftë nuk mund të pushojë përkundër burgosjeve e vrasjeve masive. E njëjta u vërtetua edhe sa i përket planit të jashtëm, siç u pa në demonstratën e Bonit. Në qoftëse Beogradi ka menduar se me vrasjet e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit ka arritë të bëjë shumë punë, dhe për të parë se si do të shkojë puna ka dërguar edhe ndonjë kriminel të dëgjojë anash me aparat nën sqetull, ka patur rastin ta shohë dhe ta dëgjojë se sa i kanë ngritë Jusufin, Kadriun e Bardhoshin. E panë se ata kanë hyrë në zemrën e popullit, se vepra dhe kujtimi i tyre ishin një mobilizim i madh që të paraqiteshim sa ma shumë në demonstratë dhe kjo të kalojë në mënyrë sa më shembullore.
Merita për këtë, dalja jonë në numër të madh, na takon të gjithëve, i takon gatishmërisë sonë të madhe. Kështu ka qenë edhe më parë, natyrisht në një masë më të vogël, sepse nuk dinim se si e qysh të veprojmë në këto dhera të huaja. Sot rrugën e kemi të trasuar, të shtruar mirë edhe me gjak, prandaj, kush guxon të na ndalë në këtë rrugë, pa mëshirë do ta shkelim.
Në këto demonstrata që po zhvillojmë këtë vit po duket se është shtuar parulla kuptimplote; Jusuf-Kadri-Bardhosh!
Le ta shohë Evropa edhe një herë se kush janë shqiptarët dhe çfarë sjelljesh kanë e pastaj le t'i krahasojnë këto me gënjeshtrat e shplara të Beogradit.

NJOFTIM
Njoftojmë bashkatdhetarët se kjo demonstratë thirret nga punëtorët kosovarë me punë në Evropën Perëndimore, si pjesë e pandashme e popullit të Kosovës.
Kësaj radhe demonstrata do të bëhet në qytetin e VJENËS më datën 24.04.1982.
Tubimi do të bëhet në stacionin hekurudhor Vestbanhof të Vjenës, në orën 1100 ditën e Shtunë.
Pas demonstratës është organizuar vizita masovike në grupe në muzeun e armëve të Vjenës, që të shohim edhe armët e Skënderbeut.
Pas kësaj vizite do t'i shijojmë edhe më shumë fjalët e bilbilit të gjuhën shqipe, Naim Frashërit, i cili para shumë viteve tha:
"Lum ti mos Shqipëri thashë
armët e tij kur pashë
Në Belvedere në Vjenë
sikur pashë Skënderbenë"

KOSOVA - REPUBLIKË!
RROFTË POPULLI HEROIK SHQIPTAR!
RROFTË REPUBLIKA SOCIALISTE
E SHQIPTARËVE NË JUGOSLLAVI!

THIRRJE
Të dashur bashkatdhetarë!
Punëtorë e mërgimtarë patriotë!
Vëllezër e motra!
Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi pas një kohe të gjatë sërish lëshon thirrjen:
TA SHPALOSIM FLAMURIN E LIRISË EDHE NË NJË DEMONSTRATË!
Po bëhet gati një vit që zëri ynë s'e ka tundur Evropën, që grushtet tanë nuk janë ngritur shesheve të metropoleve të ndryshme si ushtat e luftëtarëve të lirisë, prandaj prapë erdhi koha që t'i tregojmë botës, t'i tregojmë ashtu si gjithnjë gjer më tash, se ne jemi një grusht i fortë i një dore të një populli, i qitur përmes telave gjemborë e grilave që e kanë mbërthyer nënloken tonë Kosovën, për t'i treguar botës se çka po bëhet atje, për t'i bindur të gjithë se vala e terrorit në Kosovë ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, burgjet janë përplot dhe ata njerëz që po kalben në to për të mirën e përgjithshme dhe që po heqin një mijë e një të zeza nga udba katileshë, edhe në çastet më të vështira mendjen dhe shpresat i kanë te ne mërgimtarët që nuk i hoqëm kurrë nga mendja.
Mjerim i madh është lëshuar në Kosovë, krahas ulurimave tmerruese të maricave të udbës, që në çdo çast djegin e përvëlojnë zemra nënash, me mungesën e plotë të mjeteve elementare për jetesë, janë lëshuar edhe morrat e tërë botës taman si në kohë lufte, edhe sëmundje të ndryshme, ndërsa në anën tjetër nuk gjendet kund bar për ilaç. Aspirinë e barna të tjera mund të gjenden në treg kah i shesin romët, por jo në apoteka, sepse pushteti jugosllav, kjo kulçedër e poshtër që gjithnjë u udhqye me gjakun tonë, ka të holla për varrime të shtrenjta të xhelatëve të kalibrit të Rankoviçit, ka të holla për të blerë gas litsjellës, pranga e kërbaçë, por jo ilaçe për fëmijë e për popull. Pushtuesit jugosllaveë kanë shkuar aq larg me terrorin e tyre, sa që pos nëpërkëmbjes së kulturës dhe flamurit tonë, i kanë hapur dyert drejt shkretëtirave të Anadollit, me qëllimin e vetëm që të na i lënë vatrat bosh, dhe të sjellin aty egejca të Greqisë apo edhe serbë të Serbisë. Për këtë gjenocid ne duhet ta ngremë zërin e protestës, sepse heshtja ose nënshtrimi sjellin zhdukjen, ndërsa lufta dhe vetëm lufta sjell lirinë.
Prandaj të mblidhemi të gjithë si një trup i vetëm, të mblidhemi nga jemi e nga s'jemi me gra, me pleq, me burra e me fëmijë të organizohemi sa më mirë dhe më 28 tetor 1983, ditën e premtë, në ora 13 (trembëdhjetë) të mblidhemi në zemër të Evropës - në Strasburg të Francës, mu para Parlamentit evropian, në kohën e mbajtjes së një mbledhjeje të rëndësishme dhe aty ta tregojmë unitetin dhe vendosmërinë tonë për ta fituar atë që na takon. T'ua bëjmë me dije përmënjëherë të gjitha qeverive të Evropës plakë, që s'na kurseu kurrë, se regjimi që ata mbajnë në Beograd është një regjim despotësh e tiranësh që s'ti zë kund syri dhe në këtë mënyrë ta qesim Jugosllavinë në bankë të zezë dhe t'ia çjerrim maskën e saj duke ia qitur në shesh para tërë botës surratin e saj vrastar.
Mu pse është në ditë pune, kjo demonstratë, që do të jetë një nga më të mëdhatë që janë mbajtur ndonjëherë në Perëndim, do të jetë një reprezentim i pashoq i tërë popullit shqiptar nën Jugosllavi, i cili përmes mija demonstrantëve-ambasadorëve të vet, do t'ia bëjë mirë e qartë me dije tërë Evropës se populli shqiptar nën Jugosllavi nuk do të qetësohet kurrë përderisa të mos fitojë atë që i takon, prandaj t'i vërë gishtin kokës Evropa dhe më në fund shërbëtorëve të saj në Beograd t'ua tërheqë veshin se me veprimet e veta terroriste do t'i harxhojnë edhe rezervat e fundit të durimit tonë. Vëllezër dhe motra, ne duhet ta zgjerojmë sa më shumë frontin e luftës duke i dhënë armikut goditje të përqendruara nga të gjitha anët, prandaj të gjithë në demonstratë, të gjithë në sheshin e luftës, atje ku e kanë vendin djemtë e vërtetë të Kosovës.
Vendtakimi është në qendër të Strasburgut, në PLACE KLEBER
Demonstrata është, po e përsërisim edhe njëherë, më 28 tetor 1983, në ora 13.
Lufta jonë është e drejtë dhe gjithsesi do të triumfojë!
Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi

PROGRAM AKSIONAL I BASHKËSISË SË KLUBEVE
TË PUNËTORËVE SHQIPTARË NGA JUGOSLLAVIA
NË EVROPËN PËRENDIMORE


Njëra prej plagëve më të rënda të një populli, të një shoqërie është fenomeni i kurbetit, i cili në të njëjtën kohë është edhe një tregues shumë i saktë që vlen për të pasqyruar gjendjen shpirtërore të atij populli apo shoqërie.
Fenomenin e kurbetit me të gjithë të këqijat e tij e hasim edhe te populli shqiptar për të cilin dihet sidomos nga Lidhja e Shqiptare e Prizrenit e gjer në ditët tona. Gjaku i derdhur dhe lufta e pakursyer e shqiptarëve të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore u jepte të shpresonin se përveç shërimit të plagëve të vjetra do të shërohej edhe nga plaga e kurbetit. Por robëria e re përveç metodave të tjera të shtypjes dhe asimilimit, nxorri edhe kurbetin në përmasa shumë më të mëdha se në të kaluarën, dhe tendencat e rritjes së mërgimit janë vazhdimisht në rritje. E vetmja pengesë në këtë drejtim është rritja e madhe e krizës në Evropën e Perëndimit.
Ne dimë shumë për emigrimin e krahut të punës të Kosovës nëpër të gjitha viset e Jugosllavisë për të bërë punët më të rënda dhe më denigruese, në kushtet tejet të jashtëzakonshme të jetesës. Pos te tjerëve periudhën e kësaj kohe në punimet e tyre më së miri e kanë paraqitur edhe poetët Esat Mekuli dhe Agim Gjakova. Një periudhë me material mjaft të pasur është ajo që ka të bëjë me trajtimin e mërgimtarëve kosovarë nëpër viset e ndryshme të Jugosllavisë. Përpjekjet tona për progres përfshijnë edhe qëllimin për arritjen e atyre kushteve në të cilat kjo periudhë do të qitet në dritë me tërë vërtetësinë e vet.
Gjysma e dytë e viteve 60-të dhe gjysma e parë e viteve 70-të përbëjnë periudhën e një migrimi masiv të popujve të Jugosllavisë në përgjithësi, dhe të shqiptarëve në veçanti në botën e jashtme, e sidomos në Evropën e Perëndimit. Demagogjia titiste është munduar me të gjitha mjetet që këto migrime t'i shpjegojë me frazeologji të ndryshme si: pjesmarrje në ndarjen ndërkombëtare të punës e me mjaft bllofe të tjera, të cilave u ka dalë boja sidomos në ditët e sotme. Një demagogji e tillë bëhet qesharake sidomos në krizën e madhe që e ka kapluar vendin, e gjithashtu edhe rritja e vazhdueshme e papunësisë në vendet e Perëndimit. Për të përballuar më lehtë ndërrimin e madh të mënyrës së jetesës, presionet e gjithanshme në çdo hap në jetën e përditshme, punën e rëndë te manjakët e kapitalit me shumicë shqiptarë u formuan të ashtuquajturat, "Klube të punëtorëve shqiptarë nga Jugosllavia".
Për qëllimet dhe interesat e tyre në fillim iniciativën për hapjen e klubeve shqiptare e përkrahën edhe policët e sigurimit jugosllav të veshur me petkun e diplomatit. Ata ushqenin shpresat se me ndihmën e klubeve do ta kryenin më lehtë misionin e tyre të spiunazhit. Shikuar realisht, po të nisej nga qëllime të mira, krejt puna në këtë drejtim do të duhej të kryhej nga ana e përfaqësuesve të RSFJ, të cilët këtë punë edhe e bëjnë kur janë në pyetje klubet e kombeve dhe kombësive të tjera nga Jugosllavia, të cilave pos ndihmës së ndryshme administrative u ofrohen edhe ndihma, të mëdha materiale.
Kur planet djallëzore me shqiptarët u dështuan, atëhere edhe çjerrja e maskës dhe zbulimi i vërtetë i planeve të tyre nuk ka vonuar të duket. Disponimi i përgjithshëm antishqiptar i shovinistëve të Beogradit dhe sidomos i politikës së tyre të jashtme antishqiptare, erdhi në shprehje edhe në qëndrimin e tyre ndaj shqiptarëve të mërguar nga Jugosllavia, si thonë në mënyrë ironike "me punë të përkohshme". Të përkohshëm neve këtu mund të jemi vetëm në sajë të krizës së madhe të papunësisë së shteteve ku gjendemi, por kurrë në bazë të asaj se mos do të na vijë ndonjë thirrje për inkuadrim dhe sigurimin e ekzistencës brenda në kushte të tilla të zhvillimit. Duke u nisur nga ky qëndrim ku më herët e ku më vonë filluan presionet ndaj aktivistëve të ndryshëm që kishin kontribuar më së shumti për tubimin e shqiptarëve të shkapërderdhur, duke i etiketuar si elementë armiqësorë dhe ndaj pjesës dërmuese të tyre u morën masa të ndryshme; prej marrjes së pasaportave e deri te burgimet e rënda. Këto fërkime në mes punëtorëve e aktivistëve të ndryshëm në njërën anë dhe konsullatave jugosllave në anën tjetër arritën kulmin në momentet pas shpërthimit të demonstratave në Kosovë, të cilat pos të tjerash çuan edhe tek tubimet e shumta nëpër klubet shqiptare të organizuara nga përfaqësitë jugosllave, të cilat nga punëtorët shqiptarë në mërgim në këto momente kërkonin të dënonin vëllezërit dhe motrat e tyre në Kosovë. Nga disa klube u dërguan disa telegrame sipas kërkesës së konsullatave që u nënshkruan nga disa tradhtarë e shërbëtorë të të huajve, të cilët për një kohë të shkurtër u diferencuan dhe u izoluan.
Telegrame të tilla u denoncuan në mënyrën më kuptimlote me anën e tetë demonstratave që u organizuan vetëm në pranverën dhe verën e vitit 1981 e që do të vazhdonin edhe në vitin 1982.
Nga ngjarjet më të ndryshme të të gjitha llojeve në këtë kohë nuk u kursyen as klubet e shqiptarëve. Sot është fakt me rëndësi, se këto klube dita ditës po grumbullojnë rreth vetes sa më shumë anëtarë të rinj dhe në përgjithësi po konsolidohen. Kjo i dedikohet më së shumti faktit se mërgimtarët po e kuptojnë se një prej detyrave të para për ta, është edhe kjo, që ata në këto momente të jenë sa më të bashkuar.
Që kjo punë të intesifikohet edhe më shumë, deri në atë shkallë që e kërkojnë interesat e kohës, më 9.07.1983, nga përfaqësuesit e shumicës së klubeve dhe rretheve të dalluara të shqiptarëve në Evropën Perëndimore u vendos që të themelohet, BASHKËSIA E KLUBEVE DHE RRETHEVE SHQIPTARE NË EVROPËN PËRENDIMORE.
Bashkësia e klubeve shqiptare në punën e saj ka për moto parullën e njohur të shqiptarëve: "TË GJITHË PËR NJË, E NJË PËR TË GJITHË".
Bashkësia me punën e vet ka për qëllim:
- Të koordinojë punën e të gjitha klubeve shqiptare në perëndim, duke aplikuar përvojën e përparuar të ndonjë klubi në një tjetër; të bëjë njohjen e tyre reciproke, të organizojë mbrëmje të përbashkëta në mes klubeve fqinje dhe të atyre më larg të cilat do të shkojnë në interesin e mërgimtarëve.
- Të ndihmojë me të gjitha forcat, me njerëz, me mjete materiale dhe me ndihmë morale në hapjen e sa më shumë klubeve, duke organizuar sa më shumë mërgimtarë që të tubohen rreth tyre.
- Edhe pse përfaqësitë diplomatike dhe të gjithë mekanizmat e tjera të RSFJ-së, që kanë kontakte më të shpeshta me ne, duke u nisur prej një diplomati e deri te një polic i thjeshtë në autostradë apo tren, po sillen ndaj nesh tejet armiqësisht; ne do të vazhdojmë të respektojmë simbolet e RSFJ, ashtu si veprojnë edhe klubet e kombeve e kombësive të tjera të RSFJ, megjithëse trajtimi i tyre në krahasim me ne është diametralisht i kundërt.
- Bashkësia do të përkrahë dhe mbështet kërkesën e popullit shqiptar në Jugosllavi që "Kosova të bëhet Republikë" dhe në këtë drejtim ajo e shikon me simpati punën e Lëvizjes për Republikën Shqiptare në Jugosllavi. Konsiderata e lartë e Bashkësisë ndaj Lëvizjes i vjen sidomos kur të kihet parasysh fakti se Lëvizja u ngrit lart duke pasur në themelet e saj edhe gjakun e freskët të tre heronjve që ranë afër Shtutgartit.
Bashkësia me këtë punë, me koordinim të aktivitetit, ka për qëllim që në kushtet e ashpërsimit të krizës t'i ndihmojë mërgimtarët tanë në mundësitë e veta që problemet e tyre të cilat po shtohen dita ditës, t'i përballojnë më lehtë.
- Bashkësia është e vetëdijshme për situatën e rëndë të popullit të Kosovës dhe këtë situatë ajo e vlerëson si të jashtëzakonshme, situatë që u afrohet kushteteve të luftës, andaj ajo me ndihmën e mërgimtarëve do të ndërmarrë hapa të atillë që i kalojnë kufijtë e aktivitetit të Bashkësisë në kushte normale. Kjo do të thotë se pos të tjerash, Bashkësia pjesën më të goditur të popullit të Kosovës aq sa i lejojnë mundësitë, do ta ndihmojë edhe materialisht.

LETËR DËRGUAR DELEGATËVE TË BASHKËSISË
SË KLUBEVE DHE RRETHEVE SHQIPTARE
NË EVROPËN PËRENDIMORE


mbledhjes sa më shumë të materialit të filmit. Me të gjitha vendimet që do të merrni njoftoni me to Bashkësinë, së cilës, sipas një vendimi në fund të mbledhjes, u vendos që vazhdimisht t'i dërgohen raporte mbi punën e klubeve dhe mbi ndonjë çështje diskutabile ku t'u nevojitet mendimi i Bashkësisë. Në bazë të planprogrameve të secilit klub, KDP do të përpunojë planin njëvjeçar të Bashkësisë në tërësi, në mbledhjen e vet, më 14 janar 1984.
Të dashur shokë delegatë, të dashur shokë të udhëheqësive të klubeve! T'i përvishemi punës me të gjitha forcat, të shkundemi nga përtacia e të mos humbasim asnjë minutë të na shkojë kot.
Bashkësia e klubeve i shikon me sy jo të mirë disa dukuri në ndonjë klub të ri për të cilët u angazhuam me sa e sa mundime që t'i krijojmë, kur as pa u konsoliduar mirë klubi, ngrihen thirrje të ndryshme nga individë të ndryshëm që të mos ndërrohen udhëheqësit e ndonjë klubi, apo edhe ndonjë anëtar i kryesisë, thuajse klubet tona na kanë munguar pse nuk kemi pasur njerëz për me i caktuar kryetarë. Të dashur shokë, klubet në disa vende na kanë munguar dhe na janë minuar nga shovinistë të ndryshëm dhe vegla të tyre që janë armiq të përbetuar të popullit tonë, që nuk kanë dëshirë t'i shohin edhe dy shqiptarë së bashku. Në të gjithë veprimtarinë tonë, në të mirën e popullit, duhet të udhëhiqemi që t'i shfrytëzojmë në maksimum mundësitë legale dhe t'i bashkojmë njerëzit, sepse për të gjithë kemi nevojë, andaj në këtë drejtim të udhëhiqemi e jo të ngrejmë çështje që nuk shkojnë në interesin e përgjithshëm. Pa sakrifikuar nuk mund t'i ndihmojmë interesit të përgjithshëm e në grupin e sakrificave hyn edhe ajo ndjenjë e durimit për zgjidhjen e problemeve.
Deri në rregullimin e çështjes së adresës së përhershme të Bashkësisë të cilën së shpejti do ta zgjedhim dhe për këtë do t'ju njoftojmë raportet i dërgoni në adresën e kryetarit të Bashkësisë. Ju dëshirojmë punë të mbarë!
Bashkësia e klubeve dhe e rretheve shqiptare në Europën Perëndimore

THIRRJE
Të dashur bashkatdhetarë!
Punëtorë e mërgimtarë patriotë!
Vëllezër e motra në dhe të huaj!

Komiteti i Kosovës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, që u formua dhe vepron në gjirin e të vetmes përfaqësuese të popullit shqiptar në Jugosllavi - LRSHJ, lëshon thirrjen:

MË 10 DHJËTOR, NË DITËN NDËRKOMBTARE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT, TË MBLIDHEN DHE NJËHERË NËN FLAMURIN TONË DHE MË VALVITJET E TIJ DHE ZËRIN TONË TË FUQISHËM TA BËJMË TË DRIDHET EDHE NJË METROPOL EVROPIAN!

Po bëhen gati tri vjet që Nënlokja jonë, Kosova jehonëmadhe po përjeton në trupin e saj të shenjtë violencën më barbare dhe ngjarjet më të trishtuara në tërë historinë e popullit tonë. Prandaj ne që na kanë dëbuar nga vatrat tona, nga toka e qielli ynë, ne që na kanë shitur në tregun e krahut për një grusht parash të huaja, ne që mizorisht na kanë hedhur rrugëve e strehëve të botës, me qëllimin e vetëm që t'i kenë duart e lira për të bërë në Kosovë ç't'ju dojë qejfi, ne pra, duhet të jemi të gatshëm që si gjithnjë edhe kësaj radhe t'i përgjigjemi thirrjes së Lëvizjes dhe në Bruksel të Belgjikës, para institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, t'ua bëjmë me dije qeverive të ndryshme të botës si dhe organizatave të ndryshme humanitare dhe partive të shumta politike e njerëzve liridashës të të gjitha meridianeve, se në Juglindje të Evropës është gati gjysma e një populli të tërë që edhe se më i vjetri i këtij kontinenti, po përjeton satrapitë më rrënqethëse që mbi të po ushtron regjimi totalitar e shovinist i Beogradit.
Në këtë ditë simbolike ndërkombëtare, kur e tërë bota demokratike e liridashëse kujton me pieteta që duke djegur shpirtin e tyre të madh burgjeve e kampeve, duan ta ndrisin njerëzinë, edhe ne që kemi lulen e popullit burgjeve, ata të munçurit e më trimat, duhet të ngrisim zërin e tyre që ta dëgjojë bota, sepse tërë Evropa s'ka të burgosur politikë aq sa ka Kosova. E ata, mbi trupin e të cilëve ushtrohen 1001 të zeza, askujt nuk i dolën në rrugë, askujt s'i morën nderin nëpër këmbë, s'i përlyen duart me gjakun e askujt, ata vetëm kërkuan pak dritë pal liri e pak drejtësi, bile nuk e kërkuan as gjysmën e asaj që u takon...
Për Republikë në kuadrin e Federatës ne përjetuam e derdhëm gjak sa shumë popuj të tjerë për Pavarësi të plotë. Ne po na i mbysin me rrymë e droga njerëzit nëpër burgje, ne po na e masakrojnë rininë në armatën jugosllave, ne po na i mbyllin njomakët kampeve serbomëdhenjtë e fëlliqur, vetëm pse kërkuan njëzëri Republikën! Kjo nuk durohet, për këtë dheu po gjëmon, për këtë zemrat po pëlcasin. Prandaj edhe ne mërgimtarët e përvëlimtarët të bëhemi bashkë, t'i ngrohim zemrat me afërsinë e dhembjen e njëri-tjetrit, t'i shtrëngojmë të gjitha duart në një grusht dhe t'i mëshojmë me tërë forcën e mllefit tonë ndërgjegjes së shurdhët të Evropës, sepse vetëm ashtu do ta mësojë mirë se ne që s'i shkelem kurrë djallëzisht prakun tjetrit, i pëlqeu dikujt e s'i pëlqeu, do ta tundim e do ta dredhim dheun për të jetuar si njerëz në votrat tona.

Banues shqiptarë të Bruxellit!
Ju anëtarë të më të madhes diasporë shqiptare në Evropën Perëndimore e keni për obligim patriotik, që si kurrë më parë t'i mobilizoni forcat tuaja, atë rezervë të pashtershme që po e bren koha, dhe të gjithë me të mëdhenj e me të vegjël, të sëmurë e të shëruar të dilni në logun që po e tregon Lëvizja, sepse ai është vend që ju bën nder, ai është vend që ju bën ta ndieni veten shqiptarë, ai është front ku kaliten e bekohen luftëtarët e lirisë, ai është vend ku dërrmohet e turpërohet armiku, prandaj pranojeni vëllazërisht dorën që ua shtriu Lëvizja dhe në ballë me të, duke i lënë e varrosur njëherë e mirë të gjitha përpjekjet që nuk çojnë në të mirën e Kombit e Atdheut, të marshojmë përpara në luftë të shenjtë për t'i çliruar trojet që gjithmonë kanë qenë tonat.
Kësaj radhe, si asnjëherë më parë, porositen të gjithë bashkatdhetarët, që të tregohen në nivel të përgjegjësisë patriotike; t'u ruhen kurtheve që do përpiqet të thurë armiku gjakatar , t'u ruhemi provokimeve të ulëta të veglave të tij, që s'e kanë as dinjitetin e zagarit, të tregohemi dhe me sjelljen tonë ta bindim çdokënd se përfaqësojmë një popull me tradita të lashta kulturore, një popull të civilizuar, të mençur e të guximshëm që ka vendosur ose ta fitojë atë që i takon ose të vdesë e të zhduket i tëri.
Pra mirupafshim në Bruxelles të Belgjikës, të cilin do ta skuqin flamujt kombëtarë dhe do ta dredhim me brohoritjet tona.
Rrofshin mërgimtarët tanë patriotë!
Rroftë populli heroik e i pamposhtur shqiptar!
Lavdi të gjithë atyre që luftojnë e përpiqen për liri, drejtësi e barazi!
Rroftë Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi!

KOMITETI I KOSOVËS PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË NJERIUT
Sqarim: Demonstrata, pra do të mbahet të shtunën më 10 Dhjetor 1983, në Bruxelles të Belgjikës. Atë ditë në ora 12 duhet të jemi të gjithë në Place RAYMOND BLYCKAERTS. Në vendtakim mund të shkohet me tramvajin nr. 93 dhe autobusët 38,95 e 56.

Q A R K O R E ( l )
Më 17 shkurt të vitit 1984, po bëhen dy vite nga formimi i LEVIZJËS PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI. Dy vite lufte në frontin e bashkuar, ku gjetëm veten të gjitha forcat patriotike-revolucionare në ballë të popullit shqiptar, i cili ka vendosur njëherë e përgjithmonë me e zhdukur zgjedhën e shovenistëve serbomëdhenj nga qafa dhe me e formuar Republikën e vet në kuadrin e RSFJ.
U kryen shumë aksione patriotike-revolucionare, shumë demonstrata në shumë qytete të viseve tona në Jugosllavi. Demonstratat u shpërndanë në shumë qytete, shtete e kontinente të botës, ku u dëgjua zëri i tërë Kosovës, zëri i të gjithë shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta në Jugosllavi dhe në të gjitha vendet e botës ku punojnë e jetojnë shumë shqiptarë si mërgimtarë dhe presin ditën t'ju kthehen votrave të veta të lindjes.
Militantët e LRSHJ-së, gjatë këtyre dy viteve kaluan shumë netë pa gjumë, duke kryer aksione të ndryshme pacifiste, në të cilat kërkohej e demaskohet terrori serbomadh, që zbatohet ndaj popullit liridashës shqiptar, e sidomos ndaj lules së rinisë, e cila kurrë nuk pyet për çmimin e LIRISE dhe e bën vdekjen si me lind. Kalojmë rrugëve të qyteteve e të fshatrave, kahdo që shkojmë, shohim dëshirën e vullnetin e popullit; rrugët e muret e ndërtesave janë plot parulla të fshira nga milicia, të thara e freskëta të cilave ende nuk iu është tharë ngjyra, që do thotë, janë shkruar gjatë natës e gjatë ditës, shihen dhe lexohen nga populli i shumëvuajtur, i cili nuk e lajmëron milicinë. Punët e tilla nuk kryhen vetëm natën. Kemi rast kur në mesditë kalojmë në një rrugë, kurse pas dy orësh nëse kthehemi në të njëjtën rrugë, pos parullave të shkruara në rrugë e në mure, shohim edhe shumë njerëz, të ri e të rritur të grumbulluar para ndonjë shtylle elektrike dhe lexojnë Traktin, të cilën e vënë militantët në mes të ditës. Qytetarët e lexojnë dhe largohen me buzë në gas, i harrojnë brengat që ua kanë rënduar jetën, ju ringjallen shpresat se po afrohen ditët e fitores definitive. Lexohet Trakti me orë të tëra e askush nga qytetarët nuk e lajmëron milicinë e tërbuar, e kur aty-pari kalon ndonjë patrullë e milicië, ata me forcë e me dhunë e shpërndarjnë popullin e njëherit e zbresin Traktin nga shtylla që t'ua dërgojnë padronëve të tyre.
"Zëri i Kosovës" shpërndahet dorë pas dore, ndodh që një ekzemplar të lexohet nga qindra individë. Ky Organ i LRSHJ-së është bërë i dashur për çdo shqiptar e shqiptare, kurse materialet e LRSHJ-së, lexohen, shumëzohen dhe shpërndahen me intensitet e vrull vërtetë rinor.
Populli shqiptar luftën e vazhdon që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, por me formimin e LRSHJ-së, lufta mori dimensione të reja. Ajo që u mboll gjatë decenieve të tëra, po e jep frytin e vet. Dilemat u zhdukën një herë e përgjithmonë. Tani, çdo zemër shqiptare thërret: KOSOVA - REPUBLIKË. Serbomëdhenjtë dhe veglat e tyre çirren deri në kupë të qiellit, se: "parulla më e rrezikshme është - Kosova Republikë". Vihet pyetja: pse na qenka kjo parullë aq e rrezikshme? Përgjigja është e thjeshtë: Kjo parullë flen në zemrat e tërë popullit shqiptar në Jugosllavi, që nga voglushi, i cili po sa ka filluar të shqiptojë fjalët e para - dëgjohet: "Plot' Kosova djem e çika - për hajr t'koftë Republika", e deri te plaka që u numron ditët e fundit të jetës, por ja, edhe ajo shprehet: "mos më daltë shpirti pa e pa Kosovën Republikë".
Gjëja që po i tmerron edhe më tepër serbomëdhenjtë, është përkrahja që po i bën kësaj kërkese pjesa dërmuese e popujve të RSFJ-së (tani më shumë persona kalben burgjeve të Jugosllavisë vetëm pse e përkrahën këtë kërkesë të drejtë të shqiptarëve, sidomos popujt në republikën e Bosnjes e Hercegovinës). Por përkrahja e opinionit botëror që po ua luan mendët serbomëdhenjëve, (ku deri më sot askush në botë nuk doli kundër kësaj kërkese të drejtë të popullit shqiptar në Jugosllavi), është fakti më i mirë që e bind çdo mendje të shëndoshë se po afrohet dita e kësaj fitoreje të populit shqiptar.
Gjatë këtyre dy viteve - lufte, shumë luftëtarë të Lirisë përfunduan në burgje. Qëndrimi i tyre heroik para hetuesve xhelatë, para gjyqeve e gjyqtarëve injorantë, gjatë vuajtjes së dënimeve në qelitë e errëta e në kazerma si ato të mesjetës, i bindën serbomëdhenjtë se ky popull është i pathyeshëm dhe se nuk ka fuqi që e pengon në realizimin e aspiratave të rij për LIRI.
Pas demonstratave heroike, serbomëdhenjtë dhe veglat e tyre u çorrën deri në kupë të qiellit, se armikun e shkatërruan, ia thyen kurrizin, e zhdukën një herë e përgjithmonë...
Sot na dalin po ata serbomëdhenjë, po ato vegla të tyre dhe thonë: Armiku është tërhequr në ilegalitet të thellë.
Edhe ky fakt tregon se serbomëdhenjtë janë bindur se LRSHJ-ja është konsoliduar, ka përfituar nga gabimet e mëparshme që janë bërë në grupet e organizatat me përvojë jo të duhur dhe të gjitha ato gabime e pësime janë shndërruar në mësime e përvojë e cila sot po iu shërben Luftëtarëve të Lirisë, që u shtuan e po shtohen radhët e tyre me kuadro e forca të reja.
Pa u bërë plot një vit nga ngjarjet e mëdha të vitit 1981, kur populli shqiptar u gjakos, i mbuluar në tanke e helikopterë, i mbuluar në tym e flakë, kur dhuna e terrori i milicisë speciale bënin ligjin, kur serbomëdhenjtë menduan se, grushti kaq i fortë që iu dha popullit shqiptar që jeton në trojet e veta në RSFJ do t'i pashitë - asgjësojë për vite me radhë Bijtë e këtij populli.
Një natë pa hënë, natë e errët, ashtu si është e errët edhe jeta e vetë shqiptarëvet që jetojnë në trojet e veta në RSFJ, u mblodhën bijtë më të mirë të këtij populli në unitet të plotë mendimi dhe morën vendime historike për formimin e LEVIZJËS PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI.
KOMUNIKATA me të cilën shpallej bashkimi i ish-organizatave dhe formimi i LRSHJ-së, jehoi në të gjitha viset shqiptare dhe vetëm brenda një muaji u përhap Kushtrimi, i cili thërret për në luftë, për në aksione të reja, për fitore të reja, i mobilizoj të gjitha forcat potenciale, i ringjalli dëshirat e popullit shqipar për ditë më të mira, dëshira që kurrë nuk u shuan dhe nuk do të shuhen deri në fitoren përfundimtare.
Shokë e shoqe, vëllezër e motra, punëtorë e patriotë të dashur, me anën e kësaj Qarkoreje Ju bëjmë të me dije, se dy vjetori i formimit të LRSHJ-së dhe trevjetori i demonstratave patriotike-revolucionare do të kremtohen e do të përkujtohen ashtu si e meritojnë.
Dyvjetori i rënjes së Tre heronjve të mërgimit; JUSUFIT, KADRIUT dhe BARDHOSHIT, do të shënohet jo vetëm te varrezat e tyre, të cilat janë bërë vend i shenjtë për mërgimtarët tanë, por në të gjitha viset shqiptare në RSFJ dhe në të gjitha komunitetet e shqiptarëve të ndershëm në botë.
Shënimet e këtyre përvjetorëve nuk do të jenë tubime me shtruarje gostish, por aksione konkrete patriotike-revolucionare, njëlloj si në viset shqiptare në RSFJ, ashtu edhe në të gjitha anët e botës ku militojnë pjestarët e LRSHJ-së.

RROFTË LEVIZJA PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË RSFJ!
RROFTË REPUBLIKA SHQIPTARE NË RSFJ!
RROFSHIN POPUJT E RSFJ!

KOMITETI QENDROR I LRSHJ
SHUMËZOJE, SHPËRNDAJE

1) Kjo qarkore që më erdhi nga S. Novosella është pa datë

ANËTARËVE TË KQ NË BJ

12. 3. 84
DISA VËREJTJE NË PIKA TË SHKURTËRA NË LIDHJE ME NUMRIN
E FUNDIT TË "ZËRIT TË KOSOVËS"

Nuk do të ndalem gjatë në analizimin e këtij numri të ZK, duke shpresuar se do të jetë numri i fundit me lëshime kaq të rënda, por po i cek vetëm disa nga më karakteristiket:
- Edhe ky numër i ZK është fletushkë e një personi e jo Organ i LRSSHJ pasi asgjë nuk ka në të që e bën një Organ që të jetë Organ i një Organizate të caktuar, përveç disa përkrahjeve sipërfaqësore që ia bën Organizatës Organ i së cilës është.
- Ky numër është i ngarkuar me gënjeshtra që e bëjnë të turpërohet çdo patriot të ndershëm që ka aftësi për me vlerësuar një Organ ashtu si duhet. Në të flitet për dhjetëra mijra traktet që i paska shpërndarë Heroi Rexhep dhe se i vetmi njeri i organizuar paska qenë Heroi Rexhep që qenka dënuar në vitin 1976, gjegjësisht, burgosur në vitin 1975 kur u burgosën rreth 40 (katërdhjetë) patriotë e revolucionarë, në ball me Heroin Adem Demaçi! Po të ishte gjallë Heroi Rexhep, do t'ia shqyente gojën autorit të kësaj gënjeshtre të turpshme, kurse dihet me fakte se të gjithë ata persona u burgosën dhe u dënuan si njerëz që kanë vepruar në kuadrin e Organizatës patriotike-revolucionare /LEVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS/, kurse nga ana tjetër, vet Uka e ka dokumentin në dorë (Aktakuzën e Heroit Adem Demaçi në ball të 19 të akuzuarve që u dënuan në vitin 1976) në të cilën thuhet se "kan tentuar me formuar organizatën armiqësore LEVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS". Kjo rrethanë nuk e nderon askënd, por tregon dobësinë e personit që ka për qëllim me varrosë edhe veprimtarinë e Heroit Adem e të dhjetëra e dhjetëra të tjerëve dhe me i shpallë si "viktima" të okupatorit, kurse nga ana tjetër me nxjerrë vetin se gjoja paska qenë i "vetmi" njeri që paska punuar pranë tij, ndonjë Rexhep dhe ndojë Kadri.
Këtyre marifetllëqeve po ju hyn Uka në stilin e A. Prapashticës dhe po i tregon qëllimet e veta edhe më mirë prandaj nuk kanë si me përfundue pa pasoja të rënda.
Për hir të së vërtetës, duka pasur bindjen se ka ndokush nga anëtarët e lartpërmendur që, nuk e din këtë të vërtetë, po japim një sqarim shkurtimisht: UDB-ja kishte fakte në dorë për aktivitetin e LEVIZJËS NACIONAL ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, por nuk kishte kurrë një fakt për asnjë anëtar të saj. Kishte supozime se edhe kjo Organizatë është vazhdim i Organizatës LRBSH të formuar në vitin 1962 nga Heroi Adem Demaçi, por gjithnjë pa pasur mundësi t'u bjerë në gjurmë, pasi në të vepronin njerëzit me përvojë të duhur dhe nuk bënin gabime. Në vitin 1975 u burgosën në bazë të supozimeve shumë luftëtarë të Lirisë, sidomos të aktivistëve të viteve 1968, pasi që UDB-ja kishte indikacione se LRBSH po në atë vit u riorganizua në LNQK (më vonë e zgjeroj emrin me kërkesën e aktivistëve jashtë Kosovës në LNÇKVSHJ) në LNQKVSHJ. Për këtë arsye u burgosën shumë prej tyre në ball me Heroin Adem Demaçi i cili nuk qenka marrë me aktivitet patriotik gjatë 16 muajve që qëndroi në Kosovë dhe jashtë Kosovës, por ia paska vjedhë kungujt e arave të Tomocit, ashtu si po del nga filozofimet e Ukës. Ndoshta për atë e paskan burgosur! Shkurt, për këtë ekzistojnë dokumentet: Gjatë tërë gjykimit që u mbajt në fillim të vitit 1976 ku u dënua Heroi Adem Demaqi vetë i nëndëmbëdhjetë absolutisht nuk u bë fjalë për GRUPIN REVOLUCIONAR të Ukës, por u bë fjalë për LEVIZJËN NACIONA ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS. Në atë gjykim nuk është dënuar i vetmi, Heroi Rexhep, si i riorganizuar ashtu si gënjen Uka, po përveç të tjerëve është dënuar edhe Celula e Rexhepit, janë dënuar shumë të tjerë të..., ka pasur ndonë viktimë. Çdo nder e respekt shokëve të GRUPIT REVOLUCIONAR, por gënjeshtra askënd nuk e nderon e më së pakut autorin e gënjeshtrës. Eshtë fakt se është ndjerë aktiviteti i Ukës në atë periodë, por disa herë është biseduar në mesin e kuadrove çështja e tij dhe të gjithë jemi habitur se si nuk po burgoset, pasi që aktiviteti i tij ka qenë thuajse legal, pasi që shkonte në Universitet dhe ua tregonte revolen studentëve duke e çelur pallton e duke i dalur revolja në brez. Këtë ia kam thënë Ukës, kurse kuadri i lartëpërmendur që e pat shtruar këtë çështje të Ukës atëhere, ende është gjallë e nuk ka vdekur. Të gjithë shokët kanë qenë të bindur se është fjala për një spiun, ashtu si u bë edhe shoku i tij, me të cilin ra në burg në vitin 1969, Islam Blakaj, për të cilin tash po shkruan në ZK për ta demaskuar. I vetmi person që e kam mbrojtur, kam qenë unë dhe me këmbënguljen time është caktuar aktivisti për me e këshillue dhe me udhëzue dhe pasi e mori në dorë ai person edhe Uka ndryshoi qëndrimin. Por ishte bërë vonë, pasi që Uka me veprimet e veta ishte zbuluar qysh në atë kohë, por UDB-ja mundohej që nëpërmes tij me ra në udhëheqësit e LNQK. Kur e pa se nuk po mundet me ia arritë qëllimit, u burgos vet i pesti. Uka gjatë hetimeve, çka është e vërteta nuk e qiti aktivistin e lartëpërmendur edhe se në atë kohë, me vendimin e Beogradit ka qenë ndaluar tortura (kjo ka qenë një kohë e shkurtër, pasi që në atë kohë u dënua edhe partia e Dr. Boskoviqit. Kemi supozuar se ky fakt ka ndikuar që ndaj këtij grupi në atë kohë nuk është bërë tortura). Këta ma ka thënë edhe një shok i Ukës, po sa doli prej burgut dhe erdhi e më vizitoi, pasi që unë kisha mundësi me shkue te Ai.
Edhe një vërejtje: Pa marrë parasysh mendimet dhe bindjet tona për Shaban Polluzhën, çka e ndihmon luftën për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, aktualizimi i tij dhe i luftërave të tij në këtë etapë, deri sa dihet se kundër tij kanë luftuar të gjithë ata që po i quajmë heronj; Gjeladin Hana, Rifat Berisha, por ashtu si na tha me një rast Profesori mua dhe Skënderit: "Të gjithë ata që e përkrahin veprimtarinë e Shaban Polluzhës, shkojnë me të, pasi ne kemi luftuar kundër tij dhe kundër atij që kemi luftuar, ne e kemi armik përgjithmonë". Ne i thamë se Shabani përmendet edhe në librin SHOTA DHE AZEM GALICA, ai na u përgjegj: "Kjo ka qenë gabim".
Kurse thirrja që të vazhdohet epopeja e Shaban Polluzhës, e cila paska filluar me krismat e armëve të Rexhepit e të Nuhiut, ashtu si shprehet Uka në këtë numër të ZK, tregojnë më së miri se Uka jo vetëm i shkel vendimet e bashkimit të shpallura në Komunikatë, por tregon se është armik i përbetuar i LRSSHJ dhe se kjo thirrje e tij, përputhet plotësisht me akuzat që po na i bën Nikolla Lubiqiqi dhe serbomëdhenjë të tjerë dhe zagarët e tyre. Ju lutem shokë, sidomos këtë analizoni sa më mirë se kjo është ajo që po kapemi më së tepërmi dhe kjo duhet të ndërpritet sa më parë, ose do të ndodhë më e keqja në qoftë se vazhdon edhe pas tashit. Në fund po e cek edhe një rast që e tregon dobësinë e Ukës, i cili me këtë tregon dëshirën, jo vetëm që të lihet në harresë një person, por të lihet në harresë edhe një fazë e aktivitetit të luftës së forcave patriotike-revolucionare në ballë me Heroin Adem Demaqi: - Para gjashtë muajve ju dërgua një material i gjatë për dëshmorin Hilmi Rakovica në të cilën bëhej fjalë për veprimtarinë e Dëshmorit dhe njëkohësisht të vetë Organizatës në të cilën ka milituar. Këtë material e vlerësoi një person që i ka shkruar 12 vepra të gjinive të ndryshme dhe e quajti, shumë të mirë dhe të shkruar në një stil të lartë. Kurse Uka e botoi një shkrim të vetin me llapa-llupa të zakonshme të tij, kurse materalin e përgatitur me shumë kujdes ashtu si shumë materiale të tjera, e hodhi në shportën e mbeturinave, kurse nga ana tjetër edhe se nuk tha kurgjë faktikisht për Dëshmorin në krahasim me ato që ishte dashtë të thuhet në materialin e përgatitur, por shkrimi i Ukës ishte ngarkuar me gënjeshtra naive. Në shkrimin e Ukës mes të tjerash thuhet se, Hilmi Rakovica ka qenë shok i ngushtë i Shaban Shalës, kurse Hilmiu as që ka qenë duke vepruar, por as që e ka njoftuar personalisht edhe se, në materialin e lartëpërmendur përmendet edhe dëshmori Shaban Shala, por jo si shok i ngushtë i Hilmiut, por si një Dëshmor i mëparshëm që e ka dhënë jetën heroikisht!
Mbetem me shpresë se ma nuk do të përsëriten këto gjëra dhe ZK do të jetë me plot kuptimin e fjalës Organ i LRSSHJ.

Përshëndetje vëllazërore e revolucionare,
Mërgimi
12.03.1984

Vijon...

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Faridin Tafallari
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 220 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi