Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
TERROR... DHIMBJE... QËNDRESË… (13)
Publikuar më 10 qershor, 2019 në orën 21:59 ( ) Faridin Tafallari | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave

TË DASHUR SHOKË!
Kjo veprimtari e ndyrë antilëvizje dhe antishqiptare e Xhafer Shatrit dhe Ibrahim Kelmendit nuk duhet të shërbejë si shkas për të krijuar hutim e dizorientim, sepse edhe qëllimi i armiqve është i tillë. Përkundrazi, duhet qëndruar të fortë e të patundur, duke mobilizuar të gjitha forcat rreth LRSSHJ dhe Komitetit të saj Qëndror, për ta vazhduar edhe më me vendosmëri rrugën e shokëve tanë të pavdekshëm: JUSUFIT, KADRIUT dhe BARDHOSHIT.
Të forcojmë lidhjet me njëri-tjetrin, duke luftuar pa mëshirë të gjithë armiqtë dhe provokatorët të cilët kanë një mision të ndyrë - përçarjen tonë. Por ne s'do të ecim ashtu si duan armiqtë, por ashtu si e do interesi i popullit tonë. Çdo përpjekje e agjentëve të ndryshëm për të na përçarë dhe shtrembëruar rrugën tonë do të dështojë me turp, përballë forcave revolucionare që kanë mbështetjen e popullit.
Ata (armiqtë) do të përpiqen me të gjitha mënyrat që t'i shantazhojnë të gjithë ata njerëz që nuk janë në gjendje t'i kuptojnë qëllimet e tyre të errëta dhe kurthet e tyre djallëzore. Prandaj ne duhet që të bëjmë të gjitha përpjekjet tona, që njerëzve të ndershëm t'ua tregojmë realitetin, në mënyrë që të mos bien viktimë e provokatorëve dhe akrobatëve politikë, të cilët i kanë vu vetit detyrë të dizorientojnë luftën tonë të drejtë.

Kur është fjala për situata të ngjashme, Lenini me plot të drejtë thekson: "Njerëzit... kurdoherë do të jenë viktima naive të mashtrimit dhe të vetëmashtrimit në politikë derisa të mësohen që prapa frazave, deklaratave dhe premtimeve të ndryshme morale, fetare, politike dhe sociale të shohin INTERESAT e këtyre ose atyre klasave", (V. I. Lenin, Vepra, Vëllimi 19, faqe 9).
Qëllimi i "patriotëve" të tillë, është që të çorientojnë Lëvizjen dhe luftën e saj të drejtë. Për këtë qëllim u përpoq t'i pezullojnë materialet e KQ të LESSHJ nga masa, të cilat sqaronin vijën politike të Lëvizjes, gjë që është në kundërshtim me interesin e serbomëdhenjëve dhe të akrobatëve politikë, të cilët në mënyrë perfide bëjnë punën e Udbës.
Të dashur shokë! Këtë Qarkore që po ua dërgojmë, e lexoni me të gjithë shokët e ndershëm, që kësthu të kemi të qartë situatën në të cilën gjindemi dhe të marrim hapat e menjëhershëm kundër këtyre renegatëve që kanë shkelur mbi gjakun e heronjëve, shokëve tanë më të mirë, kundër këtyre që sot historinë përpiqen ta kthejnë prapa, duke i servuar masës ide të mbrapshta dhe reaksionare, dielli i të cilave ka perënduar kaherë tek populli shqiptar.
Pra shokë, ndaj këtyre armiqëve nuk guxojmë të kemi fijen e mëshirës; tek ne nuk guxon të zërë vend dilema, oportumizmi e indiferentizmi, që do të ishte tradhti ndaj çështjes sonë të shenjtë dhe ndaj pososisë së fundit të shokut Jusuf, dhe gjakut të derdhur për liri.
Armiqtë duhet dhe to t'i luftojmë pa mëshirë me guxim dhe vetmohim revolucionar.

LUFTA E POPULLIT SHQIPTAR ËSHTË E DREJTË DHE DO TË TRIUMFOJË ME SIGURI.ARMIQTË DHE PROVOKATORËT DO TË PËRFUNDOJNË ME TURP PERBALLË FORCËS SË POPULLIT SHQIPTAR.
PËRSHENDETJE REVOLUCIONARE
POSHTË TRADHTARËT!

Mërgimi (Sabri NOVOSELLA)

SHOKËVE TË KOMITETIT
VËLLËZËRIT GËRVALLA / KVG

Shokë të dashur
Po ju drejtohem me këtë letër, me shpresë se, sado pak do t'ju ndihmoj me ringjallë KVG, i cili pas ramjes së shokëve Sokol dhe Besnik. Si vazhdon?
Eshtë e ditur se, KVG u minua nga Nuhiu dhe Osmani, po është gabim të shkapërderdhet dhe të punohet në mënyrë stihike, secili sipas dëshirës së vet, apo të shndërrohen njerzit në vegla qorre të ndonjë personi dhe të manipulojë dikush me ta, ashtu si paska tentuar Uka duke vepruar me njerëzit. Një gjë e tillë është anti-Lëvizje dhe anti-kombëtare. Uka paska punuar t'i ndërrojë njerëzit në vegla qorre dhe në atë mënyrë të formojë në agjenturë prej njerëzve veç e veç dhe t'i përdorë ashtu si i teket atij, apo si e urdhëron dikush që gjendet prapa tij.
Një gjë e tillë me siguri ka përfunduar, pasi që i hasi sharra në gozhdë dhe puna nuk i pati sukses. Këtë e vërtetoi në mbledhjen e fundit, për të cilën mbledhje ju ka njoftuar shoku F. dhe pas tashit nuk ka me pasur guxim me veprue në atë mënyrë, por dhe nuk ka me pasë mundësi, pasi qëllimet e tij janë zbuluar dhe nuk kanë me lejuar shokët me veprue ashtu. Ne vazhdimisht kemi kërkuar që të punohet ashtu si duhet, duke u organizuar në Komitete të Degëve, ku secili Komitet i degës me i pasur nga disa për rreth, ashtu që puna me shku në mënyrë të mirfilltë e jo në mënyrë stihike. Për çdo gjë me pasë mundësi shokët e Komitetit të Degës me u tubuar dhe me marrur vendim e qëndrim si forum i caktuar e jo me u bisedue për ndonjë çështje gojë më gojë dhe analizimi i asaj çështje me marrë kahjen e thashethemeve ku marrin hov intrigat e gjithëllojshme dhe i sillet dëm i madh Lëvizjes.
Që të mos ndalemi më tepër në të kaluarën, jam i mendimit t'i përvishemi punës në të ardhmen dhe nga kjo bazë shumë e mirë të shkohet përpara me hapa sa më të sigurt. Ashtu si u formuan në shumë vende komitetet e degëve të LRSSHJ, si në Zvicër - Komiteti i Degës: Rafi Halili, në Belgjikë - Komiteti i Degës: Murat Mehmeti, në Suedi - Komiteti i Degës: Nuhi Berisha, i cili është duke u kompletuar dhe në shumë vende të botës, ashtu si edhe në viset shqiptare në Jugosllavi ku kemi qenë dhe po shtohen për çdo ditë e më tepër, edhe te ju është mirë të riorganizohet KVG dhe të fillojë nga funksionimi i mirëfilltë. Propozoj: Të tubohen shokët F., H., Bashkimi, kurse dy të tjerët t'i zgjidhni ju të tre, në konsultim me shokun S., i cili nuk duhet të jetë në atë Komitet, pasi që është i ngarkuar me punë të tjera, por duhet të konsultoheni me të vazhdimisht.
Ju i njihni më së miri shokët më të mirë që i keni në atë mes aty ku jeni duke vepruar dhe, ashtu si e ceka, i zgjidhni edhe dy shokë prej më të mirëve dhe e formoni KVG. E zgjidhni Kryetarin dhe 4 Sekretarë ku secili vendoset me punë të caktuar dhe secili punon me i përmbushë detyrat që i ngarkohen.
Jam i mendimit që shoku H., të zgjidhet Kryetar, kurse shoku F. edhe se është i ngarkuar edhe në Forumin më të lartë, duke pasur parasysh përvojën e tij, të zgjidhet edhe në këtë forum-arkatar. Eshtë e vërtetë se shoku F., është mjaft i ngarkuar me punë në KQ dhe me klube, por duke pasur parasysh energjitë e tij të pashtershme, besoj se ka me i përballue edhe kësaj detyre me nder, ashtu si i ka përballuar të gjitha të tjerat deri më tani. Pasi të formoni KVG, atëhere t'i lidhni të gjithë shokët me këtë Komitet në atë mes. Secili, ashtu si i ka lidhjet dhe të formohen celulat prej nga tre anëtarë dhe të punohet në konspiracionin më të thellë. T'i mbani lidhjet e rregullta, së paku një herë në muaj dhe të lexoni materialin që duhet t'ju vijë për çdo mbledhje, ashtu si duhet t'ju shkojë të gjitha komiteteve të degëve dhe të analizohet, të studjohet dhe të përvetësohet ai material; të analizohet puna që është zhvilluar në të kaluarën dhe të merren vendime për punën që është përpara dhe të caktohet detyra për secilin anëtar. Pasi të mbahet mbledhja e KVG të shumëzohet ai material dhe t'ju jepet celulave, ashtu që edhe ato t'i mbajnë mbledhjet e veta të rregullta. të përpunojnë materialin ashtu si ju dhe të marrin vendime për punën në zhvillim, të japin propozime, të bëjnë kritikë për çdo gjë që e shohin të arsyeshme se meriton kritikë dhe me shkrim t'u dorëzohet juve, gjegjësisht KVG dhe ju bashkë me propozimet dhe kritikat e tuaja ua dorëzoni shokëve të KQ nëpër mes shokut F., i cili është anëtar i atij forumi.
Materialet e KQ që ju vijnë Komiteteve të Degëve, nuk duhet me u shpërndarë masovikisht, ashtu si vepruan disa shokë, duke mos ditur se nuk duhet, por ato materiale janë vetëm për anëtarët direkt të Lëvizjes, kurse "ZK" duhet të shpërndahet ashtu si është shpërndarë deri më tani, por edhe shpërndarja e "ZK" duhet të jetë në mënyrë të rregullt, nga Redaksia duhet t'u shkojë Komiteteve të Degëve; kurse Komitetet e Degëve t'ua shpërndajnë Celulave, kurse anëtarët e celulave ta shpërndajnë masovikisht. Kështu të bëhet edhe tubimi i kontributeve dhe i pagesës për "ZK". Tjetër është dërgesa me postë që ju bëhet shumë mjediseve dhe individëve.
Në mbledhjen e parë që do të mbani, e përpunoni këtë letër dhe materialin që do t'jua dërgoj me këtë letër dhe të vazhdoni punën në mënyrë të mirfilltë e të drejtë.
Ju lutem mos e merrni këtë propozim timin si urdhër, apo si imponim, por si këshillë e një shoku tuaj dhe të Sokolit.
14.04.1984
Të fala vëllazërore dhe revolucionare
Mërgimi (Sabri Novosella)

K O M U N I K A T E
Të dashur vëllezër dhe motra,
Po kalon një vit që Xhafer Shatri po hedh baltë mbi luftën e popullit shqiptar; po kalon një vit që ai po tallet me "copat e republikës nën klikën revizioniste të Beligradit"; ka një vit që ai po mashtron dhe shantazhon shokë të ndershëm e patriotë; ka një vit që me kokën e tij të tymosur ka hedhur dhjetëra shokë nëpër burgje; ka një vit që nuk po kursen gurmazin dhe bojën, dhe duke mos zgjedhur mjetet, kohëve të fundit po organizon edhe atentate kundër shokëve tanë, në kohën kur vëllezërit dhe motrat tona po dënohen me burgje të përjetshme.
Duke e parë veten të lakuriqosur përpara masës dhe shokëve, i detyruar të mbajë radhët që po e braktisin dhe mjetet, tani ka qitur për fushë tërë patologjinë e tij. Përmes këtij trakti po duam t'ju njoftojmë vetëm rreth disa provokimeve e veprimeve që janë në natyrën e kriminelëve të tipit më të ulët. Po numërojmë disa raste nga notesi i tij i pasur në krime e poshtërsi nga më të ndryshmet:
1. Qysh në hapin e parë në emigracion, në muajt shkurt-mars 1982 (d.m.th. pak ditë pas vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës në Untergrupenbah, fshat afër Hajlbronit në Gjermaninë Federale), në kampin "Latina" të Italisë kishte nxitur shumë konflikte në mes të rinjve shqiptarë të arratisur nga Kosova, të cilët i kishte kërcënuar në forma të ndryshme sa menjëherë shumë të rinj u kanë shkruar shokëve të tyre se janë takuar me njeri shumë të dyshimtë e rrugaç të rrallë.
2. Rasti i mbrëmjes së demonstratës në Gjenevë, më 2 mars 1984, në të cilën e tregoi fytyrën e tij në sy të katërqind shqiptarëve të ardhur nga qytete të ndryshme të Evropës, kur organizoi sulm fizik para publikut, sulm me të cilin ia mori mikrofonin nga dora një të riu, i cili e kishte udhëhequr demonstratën e 10 dhjetorit 1982 në Gjenevë,
3. Rasti i mbrëmjes së 7 prillit 1984 në Dyseldorf, ku përmes telefonit kishte kurdisur skenarin se kush duhej të fliste e kush jo, edhe pse i kishin arritur me dhjetëra vërejtje për mbrëmjen e 2 marsit në Gjenevë, si për një rast i cili nuk duhet të përsëritet, pasi ishte një rast që i kishte fyer shumë rëndë në mënyrën më të poshtër të cilën ata nuk kishin qenë në gjendje ta merrnin me mend. Kur jemi tek kjo mbrëmje po themi edhe këtë: Xhafer Shatri shkroi shumë për mbrëmjen e 7 prillit të Dyseldorfit duke u munduar ta lerë në heshjte të plotë krimin e tij në mbrëmjen e 2 marsit në Gjenevë. Kur janë në pyetje kriminelët profesionistë, kjo edhe nuk të çudit, pasi të tillët për të mbuluar gjurmët gjithmonë druhen t'i bien asaj rruge në të cilën kanë bërë krimin e fundit kur bëhen gati për krime të reja,
4. Rasti kur me porosi të tij, një punëtor në St. Galen ia drejton revolen një bashkëvendasi të tij në lokalet e Klubit të punëtorëve shqiptarë nga Jugosllavia "Xheladin Zeçiri" në St. Galen,
5. Rasti kur me porosi të tij, një punëtor në rrethin e Bernit, sulmoi me një shufër metalike një të ri nga Kosova, që jeton si i ikur politik nga Jugosllavi në St. Galen, se gjoja e paska "tradhtuar çështjen". E vërteta qëndron se ky i ri i sulmuar nuk i paska aprovuar pikëpamjet e Xhafer Shatrit.
Të dy rastet, katër dhe pesë ndodhën në fund të muajit maj 1984.
6. Rasti i fundit, më flagranti dhe i paparë, kur më 13 tetor të këtij viti, rreth orës 17 e 30 minuta shkaktoi një gjakderdhje të re, duke nxitur dy punëtorë shqiptarë (njëri prej tyre është ai të cilin e kishte nxitur të nxjerrë revolen në lokalet e klubit "Xheladin Zeçiri" për të cilin folëm në rastin 4) e sulmojnë një të ri (është në pyetje i njëjti i ri për të cilin folëm në rastin 5) kundër një shoku në St. Galen, me motive të ngjashme siç kishte vepruar gjatë përgatitjes së sulmit me shufër metalike, për ndryshim se tani sulmi ishte përgatitur me revole e thika duke i futur në përdorim që të dyjat.
Shtrohet pyetja: Çka e shtyn Xhafer Shatrin në këto krime? Pse ai po përpiqet të shkaktojë diçka tepër të poshtër në mesin e emigrantëve shqiptarë në Evropë? Pse ai i bën këto krime dhe ku qëndron shkaku se këto krime shënojnë disa ngritje në muajin maj dhe tetor të këtij viti? Ngjarjet janë të shumta, faktet nuk është vështirë për t'i gjetur.
- Në muajin maj të këtij viti, pas mbrëmjeve të Gjenevës dhe Dyseldorfit, të paralajmëruar se për shkak të natyrës së tij terroriste e kriminele, e vetmja mënyrë për t'u vazhduar lufta në vijë të drejtë mbetet vazhdimi i botimit të "Zërit të Kosovës", i cili do të ndjekë vijën e përcaktuar më 17 shkurt 1982, punëtorët aktivistë të rrethit të Shtutgartit bënë përpjekjen e tyre për të organizuar një tubim kah fundi i majit 1984 në të cilin do të merrnin pjesë njëzetë aktivistët më të dalluar në mërgim nga radhët e punëtorëve, si dhe disa të tjerë nga të cilët ishte i thirrur edhe shkak të thirrjes së tillë ne u përgjegjëm pozitivisht dhe për këtë pezulluam nxjerrjen e "Zërit të Kosovës" për një muaj. Xh. Shatri, në kundërshtim me shokët te të cilët kishte një përkrahje, u mundua të sabotojë mbledhjen duke organizuar të dy provakacionet e muajit maj, që për nga radha janë rastet katër dhe pesë. Pasi nuk pati sukses atëherë iu përgjegj iniciativës për mbledhje nga ana e punëtorëve me jo.
- Paaftësia që t'i ulet karrigës, dhe me penën e tij të shtrembër të bindë njeri. Me përpjekjet e bëra vetëm çka u detyrua të demaskojë veten edhe më shumë.
- Pamundësia që në punën e tij të ulët kundër popullit e "Kosovës-Republikë" të angazhojë qoftë edhe një njeri të vetëm me logjikë të shëndoshë.
- Dalja e duçave të tij të bashkëpunimit me reaksionarë të nivelit më të ulët, siç është rasti i Enver Hadrit, i cili del me fakte nga të cilat kuptohet se kush ka kolaboruar me reaksionarë të mykur në emër të luftës e të popullit të Kosovës.
- Frika nga propozimi i fundit i punëtorëve aktivistë të rrethit të Shtutgartit, të bërë para disa javësh, në të cilin propozohet të krijohet udhëheqja e Lëvizjes pa disa persona të cilët janë eksponuar më shumë kohëve të fundit duke e përfshirë edhe Xhafer Shatrin. Krimi i tij i fundit ka për objektiv prishjen e një inisiative të tillë, e cila për të është shumë e rrezikshme, sepse siç duket kundër një ideje të tillë nuk janë edhe ata të cilët mendon se i ka me vete.
- Pamundësia të manipulojë si më parë me njerëz të rinj, të cilët pasi ia kanë parë fytyrën e vërtetë, po e braktisin. këto janë shkaqet kryesore, ky është realiteti i zymtë para syve të Xhafer Shatrit, i cili e bën të humbë mendjen, të xhindoset dhe të bëhet kriminel.

Konkluzion:
Në bazë të këtyre veprimeve të Xh. Shatrit shihet se kemi të bëjmë me një kriminel të atij niveli sa që edhe Udba sot mund të pendohet pse një kriminel i tillë nuk ia ka hapur dyert shumë më herët që t'ia kryejë shumë punë të cilat ajo nuk do të mund t'i kryente në asnjë mënyrë tjetër;
- se klubet e punëtorëve shqiptarë nga Jugosllavia në Zvicrën Perëndimore duhet të shtojnë vigjilencën ndaj veprimeve të një krimineli të tillë i cili udhëhiqet nga parimi (në lidhje me klubet) se ai klub i cili nuk bëhet han i rrugaçve, duhet shkatërruar;
- se punëtorët e Klubit "Emin Duraku" të Dyseldorfit, patën rastin të binden se kush është autori i krimit në mbrëmjen e 7 prillit në Dyseldorf, dhe kush është ai i cili bëri të gjitha përpjekjet të pengojë pajtimin e tyre, anipse krimineli në shkarravinat e tij kishte premtuar se "po iu besuan votat e erdhi në pushtet, do t'i pajtojë menjëherë gjaqet";
- Se prej një tipi të tillë, i cili e ka zhytur veten në krime, i cili me mendjemadhësinë dhe papërgjegjësinë e tij ka dhënë shkas për burgosjen e rrugshme të dhjetëra shqiptarëve, se prej një tipi të tillë u thur lajka njerëzve me autoritet, siç është rasti me Kadri Osmanin, ndërsa nëpër biseda me njerëz e quan "qyqar i cili nuk ka guxuar t'i shprazë bombat të cilat ia kam dërguar", mund të pritet gjithçka.
Edhe pak fjalë për zotin Xhafer i cili e gjuan gurin përpiqet të mfshehë dorën:
Ti mund të kërcënohesh ende, mund të vjellësh nga goja sa të duash kundër "Zërit të falsifikuar", mund të shantazhosh njerëz të padjallëzuar duke i yshtur kundër shokëve e vëllezërve të tyre, mund të shtjerrësh gishtërinjtë e duarve dhe të këmbëve duke shkruar, mund të paguash edhe doras të tjerë për t'u dalur njerëzve në rrugë me revole e thika, mjaft që nuk i nis me ndonjë kilogram eksploziv për Kosovë; mund t'i caktosh vetes grada sa të duash, por kot e ke, sepse populli nuk largohet nga rruga e tij: sado pengesa që t'i qiten në rrugë, ai do të vazhdojë gjersa të heqë nga qafa edhe kriminelët me duar të zhytyra në gjakun e tij siç je ti. Duhet ta kuptosh se popullit mund t'i marrësh diçka me dhunë, por nuk mund t'i japësh. Populli i lexon, i shikon dhe i krahason të gjitha që sillen rreth tij dhe që kanë të bëjnë me të, dhe në fund zgjedh vetëm atë rrugë e cila është në interesin e tij.
Sabri Novosella
Tetor 1984

PROBLEME TË ORGANIZIMIT JASHTË
Eshtë koha e fundit që anarkisë në organizimin e Lëvizjes jashtë t'i themi njëherë e mirë STOP. Dhe po qe se këtë nuk e bëjmë sa më shpejt, pasojat do të jenë shumë të rënda. Dalja e dy fraksioneve shumë të rrezikshme vetëm për dy vite, lufta përçarëse e grupeve, që qenka shumë e vështirë të zhduket, na bëjnë ta marrim situatën-gjendjen si shumë të alarmueshme. Dhe për t'i dhënë fund kësaj është e domosdoshme që ta bëjmë një revolucion të vërtetë në organizim, të vëmë më në fund rregull në të. Në këtë kuptim na del si e domosdoshme çështja e forumit të një Komiteti Organizativ, i cili do të udhëhiqte tërë punën praktike të Lëvizjes jashtë, duke përfshirë këtu të gjitha shtetet e kontinentet. Meqë në këtë situatë formimi i një Komiteti të tillë, nëse duam që ai të arsyetojë qënien e tij me punë, është i vështirë, atëherë formimi i Komiteteve të forta Drejtuese në Gjermani e Zvicër është i domosdoshëm. Bile kjo duhet të bëhet sa më parë.
Komitetet ekzistuese duhen riorganizuar, duke përfshirë në to kuadro të reja, që kanë dëshmuar besnikërinë dhe përkushtimin ndaj çështjes. Por edhe nëse nuk kanë ndonjë përvojë të madhe, megjithatë ne duhet t'i përfshijmë njerëzit e rinj, duke ua falur besimin e duke i kontrolluar vazhdimisht; duke i mësuar e duke i këshilluar ata do t'i japim luftës sonë invencion e hov të ri.
Një Komitet Drejtues duhet t'i ketë së pakut 5 anëtarë, të cilët merren me këtë çështje në mënyrë profesionale. Aktiviteti i këtyre shokëve duhet të orientohet menjëherë në formimin e Komiteteve Lokale, prej së pakut tre shokësh, të cilët udhëheqin tërë punën e Lëvizjes në një qytet apo në një mjedis ku ka së pakut 200-300 punëtorë tanët.
Në kuadër të çdo Komiteti Drejtues është e domosdoshëm të formohen disa grupe të specializuara që duhet të udhëhiqen drejtëpërsëdrejti (çdonjëri) nga në antëar i KD.
Grupi organizativ
duhet të merret vetëm me çështjet organizative, çështjen e zgjerimit të radhëve, të disiplinës, të konspiracionit etj. Këtë detyrë G.O. e kryen duke udhëhequr punën e Komiteteve Lokale. Ky Grup vepron në ilegalitetin më të thellë, duke i ndarë njerëzit në ata që janë të rrezikuar, pra që s'mund të shkojnë në shtëpi, dhe në ata që janë të parrezikuar dhe konform pozitës së tyre i ngarkon çdonjërit detyrë të caktuar. Me një fjalë G.O udhëheq punën e komiteteve lokale drejtëpërsëdrejti me këshilla, udhëzime, urdhëra etj. Ata mbajnë evidencë të rregullt për zgjerimin e radhëve, për karakteristikat e anëtarëve të rinj, për vetitë dhe të metat e tyre.
G.O duhet ta përbëjnë tre shokë të përvojshëm në organizim, të cilët mbajnë takime së pakut njëherë në muaj dhe pas çdo takimi informojnë KD me një raport të gjerë të tërë veprimtarisë së tyre.
Grupi i agjitatorëve
ka për detyrë që në tërë shtetin ku vepron, të organizojë çështjen e agjitacionit dhe të propagandimit verbal të ideve të Lëvizjes. Detyrë konkrete e këtij Grupi po ashtu është që në bashkëpunim me Komitetin Lokal të LRSSHJ-së të caktojë agjitatorët lokalë, për të cilët organizon kurse të veçanta, i udhëzon, u jep direktiva e i kontrollon duke i cytur vazhdimisht se në cilën kohë dhe në cilin vend duhet dhënë rëndësi të dorës së parë kësaj apo asaj çështjeje në agjitacion. Agjitatorët duhet të jenë të përgatitur mirë, të dalin para masës në manifestime, në shfaqjen e filmave, në mbrëmje të ndryshme si dhe në mese e dhoma ku grumbullohet një numër i caktuar punëtorësh. Që pa shkuar në mjedisin ku duhet të agjitojnë shokët e këtij Grupi apo vartësit e tyre duhet të përgatiten mirë, duhet të zgjedhin tema aktuale, të cilat punëtorët do t'i dëgjojnë me endje. Agjitatorët duhet të përshpejtojnë para çdo auditoriumi organin e Lëvizjes, "Zërin e Kosovës", kuptohet duke analizuar artikuj ku bëhet fjalë për vijën politike të Lëvizjes, shkrimet programatike etj. Çdo ligjërim i agjitatorit duhet të jetë që më parë i përgatitur me shkrim. Ai duhet të jetë konkret dhe me fjalët më të zakonshme të tregojë esencën e çdo problemi. Këto ligjërata, që do të botoheshin në "Zërin e Kosovës" duhet t'i përshkojë një frymë e gjallë e tërë vijës politike të Lëvizjes, një frymë e një patos i fuqishëm revolucionar e patriotik që do t'i çonte peshë dëgjuesit.
Një Grup i organizuar mirë agjitatorësh prej së pakut tre vetash është në gjendje të bëjë punë sa edhe vetë organi i Lëvizjes në një shtet, sepse punëtorët tanë janë të lodhur, shumë prej tyre edhe po qe se duan, nuk mund ta përcjellin me rregull shtypin dhe jetën politike në Jugosllavi, nuk mund t'i lexojnë botimet e reja etj. Ndërsa agjitatori profesionist të gjitha këto me gjuhën e thjeshtë të popullit do t'ia sqaronte fare mirë, do t'ia qitte në tavolinë masës. Me një fjalë agjitatorët janë Lëvizja e gjallë në sytë e masave, forca, aftësia dhe perspektiva e saj. Mu për këtë prandaj shokët duhet të jenë të përgatitur fort mirë intelektualisht, ta njohin mirë mentalitetin e popullit tonë dhe të kenë shumë kujdes në çdo sjellje të tyre, në veshje, në bisedë etj., sepse ata janë, siç thamë më lart, pasqyra e Lëvizjes. Pjestarët e këtij Grupi duhet të udhëheqin edhe me manifestimet e ndryshme si demonstratat, mbrëmjet, festat e ndryshme etj., sepse në këtë mënyrë ata popullarizohen si kuadro të Lëvizjes në sytë e punëtorve dhe fitojnë besimin e tyre.
Takimet e G/A poashtu duhet të jenë të rregullta dhe raportet për KD të hollësishme, sepse përmes raportimit të tillë mësohet se ç’ka po thotë dhe ç’ka po mendon populli, ku dhe si duhet intensifikuar aktivitetin tonë, kënd dhe si mund të organizojë etj.
Grupi i Klubeve
është dora e djathtë e Bashkësisë së Klubeve Shqiptare në Mërgim. AI merret kryesisht me aktivitetin e klubeve, me forcimin e atyre ekzistuese dhe hapjen e të rejave, me centralizimin e shfaqjes së filmave, me formimin e grupeve letrare, dramatike, të këngëve e të valleve në kuadrë të çdo klubi; si dhe formimin e domosdoshëm të dy grupeve qendrore për në shtet: Grupin Dramatik dhe atë të Këngëve dhe Valleve.
Në këto grupe duhet të përfshihen aktivistë të dëshmuar, kryesisht nga radhët e shokëve që janë rrezikuar, ngaqë ky aktivitet është e pamundur të kamuflohet apo të arsyetohet me çfardo pune legale. Përmes këtyre grupeve kryesisht klubet tona do të bëhen vërtetë vatra të mirëfillta të lirisë, vend ku tubohen masa e madhe e kurbetqarëve shqiptarë, të cilët në klube mësojnë për politikën dhe luftën e drejtë të Lëvizjes, lexojnë organin e saj, shohin filma revolucionarë shqiptarë, furnizohen me libra të ndryshëm, dëgjojnë fjalimet e agjitatorëve tanë. Aty fitojnë besimin e patundur në fitoren e sigurt të luftës sonë dhe përgatiten për t'u bërë nesër anëtarë të denjë të LRSSHJ-së.
GK ka të bëjë me masat, me organizimin e jetës së tyre kulturore artistike, me revolucionarizimin e punëtorëve tanë. Ky Grup në klubet duhet të krijojë një klimë të përhershme entuziasmi revolucionar, një atmosferë e cila tërheq sa më shumë njerëz, pavarësisht se me ndonjërin prej tyre ne nuk mund të pajtohemi. Në klubet çdo gjë duhet të jetë e programuar, aty duhet të ketë orar e rregull dhe kjo arrihet po qe se aty militon një Kryesi monolite, me të cilën GK punon vazhdimisht.
Me recitime, me referate aktuale e të thukta, me shfaqje dramash e organizim koncertesh çdo klub arrin të bëhet vend ku njerëzit e lodhur nga jeta e rëndë e mërgimit do ta kenë një kënd qetësie, prehjeje e ushqimi shpirtëror. Por po qe se klubeve nuk iu qasemi me seriozitetin më të madh, po qe se ato me aktivitetin e tyre nuk do ta meritojnë emrin e nderuar Klube Shqiptare, ne do ta lënim Lëvizjen pa fidanishten e saj në mërgim, do ta zhveshim nga masa e punëtorëve do t'ia mbysnim shpirtin dhe misionet e saj.
Me politikën tonë ndaj klubeve ne duhet të tregohemi tejet elastikë; aktivistët që militojnë aty duhet të jenë shumë të durueshëm, sepse njerëzit e këtushëm janë të stërlodhur nga jeta e rëndë, janë njerëz që shpejtazi janë zgjuar nga kllapia e robërisë, prandaj duhet të punojmë me ngulm e durim për t'i bërë ushtarë të Lëvizjes, për t'i bërë revolucionarë.
Duhet t'i kushtohet rëndësi e posaçme se kush zgjidhet në kryesi klubesh dhe ata shokë të mos i lejojmë të merren me ndonjë aktivitet tjetër që mund t'i rrezikojë, sepse me aktivistë të tillë ne mund ta përfshijmë masën. Kryesitë e klubeve duhet të mbajnë takime të rregullta dhe para anëtarëve të referojnë për aktivitetin, për planet dhe për gjendjen materiale duke dalur para mbledhjeve të përgjithshme me dokumente e vërtetime se ku ka shkuar qoftë edhe një qindarkë e vetme. Në kuadër të çdo klubi duhet të ekzistojë një ekip prej 3 shokësh që merret vetëm me shfaqjen e filmave jashtë rrethit ku gravitojnë anëtarët e klubit. Me këso shfaqje e aktivitetesh ndihmohet hapja e klubeve të tjera, mundësohet përfshirja sa më e madhe e masës në aktivitetin e Lëvizjes. Me klubet, në fakt, udhëheq Komiteti Lokal.
Grupi i Lidhjeve
përbëhet prej shokësh shumë të besueshëm e të sprovuar një kohë të gjatë, të cilët kanë për detyrë kryesore lidhjen me shokët brenda. Këtë mund ta arrijnë me organizimin e një vistre postierësh të Lëvizjes, njerëz gjithsesi të parënë në sy, të mësuar e të stërvitur enkas për këtë çështje, të cilët do të bartin material të rëndësishëm brenda-jashtë, jashtë-brenda. Ky Grup duhet të gjejë format e futjes së materialit me shumicë, të mjeteve të ndryshme teknike, të shtypshkrimit, të mbrojtjes, të lidhjeve radiofonike. Pastaj të nxjerrjes së shokëve jashtë, të përgatitjes së dokumenteve të ndryshme të udhëtimit si pasaporta, leje të njoftimit, sigurimin e hartave të ndryshme ushtarake për kufijtë, kontaktimin me të huajt, të cilët janë shumë të përshtatshëm për futjen e materialit të ndryshëm të thuash pa rrezikuar fare. Pastaj sigurimin e sa më shumë adresave të sigurta në Perëndim, në të cilat me emra serbësh do të mund të shkruanin shokët vazhdimisht nga brenda etj.
Për këtë Grup mund të dijë vetëm KD e askush tjetër, apo vetëm njëri prej anëtarëve të tij për çështje sigurie, sepse vetëm me gabimin më të vogël këtu mund të rrezikojmë me qindra shokë brenda. Sidomos te ky Grup ligjet e konspiracionit duhet të respektohen më shumë se kudo tjetër.
Grupi i Zbulimit
Intensifikimi i veprimtarisë agjenturore të UDB-së në të gjitha sferat e veprimtarisë sonë, na detyron ta marrim fort seriozisht çështjen e themelimit të këtij Grupi, i cili do ta ketë për detyrë të vërë themelet dhe degët e shërbimit informativ të Lëvizjes. Ky grup duhet të veprojë në sistemin një me një, të ketë një disiplinë ushtarake dhe të mos lerë vend pa i pasur sytë dhe veshët e vet G.Z. Duhet të formojë dosjet në principin e komunave, të republikave (brenda) dhe të shteteve (jashtë). Dhe në dosje të shënojë gjer në imtësi se kush punon në UDB, në administratë, në sektorin e armatës, të mbrojtes territoriale, në Komitet, kush përbën skeletin e regjimit nëpër fshatra dhe lokalitete, kush janë veglat e UDB-së, kush prej udbashëve vjen jashtë (në çdo UDB është një person i caktuar që merret vetëm e vetëm me këtë veprimtari) ku i ka ai jatakët e vet, kush janë të afërmit, miqtë e tij etj, te cilët vjen dhe merr informata.
Anëtarët e këtij Grupi duhet të lexojnë literaturë përkatëse, të mësojnë nga përvoja e organizatave të tjera revolucionare, të zbulojnë forma të reja të veprimit zbulues, t'i perfeksionojnë ato dhe të bëhen mbrojtës të urtë e të patrembshëm të Lëvizjes dhe të interesave të popullit. Ata duhet t'i mësojnë të gjitha format e mundshme të maskimit, të përgatitjes së shokëve tanë që futen brenda pa vënë kontakte me të afërmit e tyre që punojnë në organet e pushtetit, të krijojnë mundësisht edhe atje informatorë profesionistë, t'u japin atyre detyra konkrete dhe adresa e alfabete të sigurta, ku dhe si do mund t'i dërgonin sa më shpejt informatat e tyre. Njerëzit që ngarkohen me këso detyrash speciale nuk guxojnë të marrin pjesë në asnjë manifestim apo veprimtari legale të Lëvizjes. Për anëtarët e këtij shërbimi mund të dijë vetëm anëtari i KD që merret me këtë Grup.
GZ duhet të përpilojë raporte të hollësishme të mendimit të masave dhe të individëve të caktuar, të aksioneve që po ndërmerr armiku kundër nesh, pastaj format dhe metodat që ne t'i kundërvihemi. Në kompetencat e këtij Grupi duhet të veprojë edhe një njësit special prej së pakut tre vetësh të zgjedhur, të përgatitur fort mirë edhe për aksionet më të komplikuara konkrete, për dhënien e dënimit të merituar tradhtarëve dhe provokatorëve e armiqve të ndryshëm.
Grupi për marrëdhëniet me të huajt
Opinioni ndërkombëtar në luftën e një populli është një faktor me shumë rëndësi. Pa e njohur drejt për përpjekjet dhe vuajtet tona, ne nuk mund të presim përkrahjen e tij. Bile mund të themi se me organizimin e mirë të bashkëpunimit me të huajt ne do t'i shkaktonim Jugosllavisë dëme shumë të mëdha sepse ajo mvaret shumë nga shtetet e Perëndimit dhe ne, përmes manifestimeve të ndryshme, përmes ndikimit në shtypin e huaj dhe të mjeteve të tjera të informimit po qe se arrijmë ta shtrojmë drejt çështjen e Kosovës dhe tërë atë politikë shtypëse të regjimit serbomadh që ushtron kundër popullit tonë, atëherë do t'ia presim bile ndonjë kanal kreditimi regjimit vrasës të Beogradit. Për këtë qëllim në shkallë të një shteti në Evropë e gjetkë, ne duhet ta formojmë Grupin e fortë të shokëve që e njohin gjuhën e vendit, që kanë kontakt me njerëz të të gjitha kategorive të mjedisit ku jetojnë, që njohin mirë politikën e vendit që përcjellin shtypin etj. Dhe ky Grup duhet të formojë degët e veta nëpër çdo qytet të madh, të kontaktojë me individë përparimtarë, me revolucionarë (që këtu janë fort me grat), me gazetarë, me organizata sindikale, me përfaqësues të partive të ndryshme demokratike, me Degë të posaçme të Amnestisë Internacionale etj., të cilëve u dorëzojnë materiale të Lëvizjes të përkthyera në gjuhë të huaja.
Ky Grup duhet të praktikojë që herë pas here t’i shkruajë memorandume qeverisë së vendit, përfaqësive të ndryshme diplomatike, OKB-së etj., lidhur me situatën në Jugosllavi dhe posaçërisht me pozitën e popullit tonë, me gjendjen ekonomike të Kosovës etj. Por një gjë duhet ta kemi vazhdimisht parasysh se në informimin e opinionit ndërkombëtar ne duhet të mbështetemi ekskluzivisht në forcën e fakteve dhe të dokumenteve. Kurrfarë ndjenjash tonat nuk mund ta bindin, për shembull, një evropianoperëndimor në drejtësinë e luftës sonë. Ndërsa me fakte, dokumente, dëshmi etj., ne mund të bëjmë shumëçka.
GMH duhet t'i sigurojë adresat e të gjitha institucioneve ndërkombëtare, të organizatave të ndryshme humanitare ndërkombëtare, të asociacioneve të kulturës e të artit, të partive të ndryshme politike etj., dhe bile njëherë në dy muaj në të gjitha anët e botës ta shpërndajmë mesazhin e Kosovës së shqetësuar. Në këto memorandume të shkurtëra e të thukta duhet të kërkojmë lirimin e domosdoshëm të të burgosurve politikë, ndihmën dhe përkrahjen e opinionit ndërkombëtar etj.
Me organizimin e mirë të një Grupi në çdo shtet, që ka nëngrupet e tjera nëpër lokalitete, ne do të mund të përfitonim një pjesë të opinionit vendas për të ndihmuar luftën e drejtë të popullit tonë. Me një fjalë mërgimtarët kosovarë do të arrinin të bëhen ambasadorë të popullit të vet. Në nëngrupet do të mund të përfshihej, më së miri individualisht, edhe ndonjë mërgimtar kosovar që ndoshta politikisht nuk është i qartë, por e don popullin dhe me lidhje që ka krijuar mund ta japë kontributin e tij.
Në detyrat e këtij Grupi hyn edhe obligimi që të përkthejë pjesë nga shtypi i huaj, ku bëhet fjalë për Kosovën, të organizojë mbrërmje me të huajt dhe për të gjitha këto të shkruajë në organin e Lëvizjes, sepse me shkrime të tilla nxisim një aktivitet të tillë me përmasa edhe më të gjëra.
Grupi i shpërndarësve
Sa i përket ndarjes së detyrave më së miri qëndrojnë me shpërndarjen e "Zërit", por shokët që merren me këtë çështje munden dhe duhet të organizohen edhe shumë më mirë. Mu për këtë me shpërndarjen e rregullt e të suksesshme të organit të Lëvizjes dhe të botimeve tona përgjithësisht. Që pa dalur gazeta G.Sh duhet ta ketë të gatshëm planin e shpërndarjes. Njëri prej tyre duhet të merret me postimin, ndërsa dy të tjerët me dërgimin në punktet shpërndarëse, siç janë klubet dhe grupet e caktuara nëpër qytete që merren me këtë çështje. Pa angazhimin e drejtëpërdrejtë të përgjegjësve lokalë të shpërndarjes së "ZK", organi ynë kurrë nuk do të arrijë të depërtojë në çdo mjedis ku ka mërgimtarë. Me këtë çështje duhet të merren 5-6 shokë në rrethe të mëdha siç është Munihu, Shtugarti, Dyseldorfi, Frankfurti, Gjeneva, Zyrihu, Lozana etj. Ditën që arrin organi, përgjegjësi lokal thërret shokët në takim, i ndanë detyrat çdonjërit, rajonin dhe afatin e shpërndarjes dhe ua ndan gazetën në numra përkatës për çdo rajon. Kurrsesi nuk lejohet që dy vetë të shpërndajnë gazetën te të njëjtit individë. Shpërndarësit gjithashtu duhet të mbledhin sa më shumë adresa të bashkatdhetarëve, i njohën ata e s'i njohën, njëherit të angazhohen që në bisedë me lexuesit të përpiqen të mbledhin sa më shumë mendime punëtorësh për kualitetin e "ZK", për të metat dhe veçanërisht për atë se si e shohin ata se duhet të jetë një gazetë e lirisë, duke nxitur vazhdimisht punëtorët që të dërgojnë korrespendenca për jetën dhe aktivitetin e tyre. Shpërndarësit duhet të jenë shokë shumë të ndërgjegjshëm, ata nuk duhet të qetësohen pa mos e shpërndarë qoftë edhe numrin e fundit të organit. Shpërndarja duhet të bëhet edhe ilegalisht në meset punëtore ku ne akoma nuk kemi arritur të kemi shokë, duke ua lënë "ZK"-në në kuti postash, te dera etj., apo edhe t'u dërgohet përmes postës.
Në tubime e manifestime të ndryshme, shpërndarësit gjithësesi duhet të marrin përsipër shpërnarjen e gazetave që kanë mbetur, sepse në tubime mund të vijnë lloj-lloj vizitorësh, që ndoshta s'kanë pasur rastin ta kenë ndonjë numër të vjetër të oranit.
Grupi për çështjet materiale
Jeta për çdo ditë po na mëson për rëndësinë e jashtëzakonshme të çështjes materiale në luftën tonë. Për të na shkuar puna mbarë në këtë drejtim, është e domosdoshme që të gjitha mundësitë e financimit të Lëvizjes, prej anëtarësie e gjer te ndihmat e ndryshme që mblidhen nëpër fushata, të centralizohen sa më mirë, sepse pa të holla s'mund ta nxjerrin me rregull as gazetën, s'mund t'i ndihmojnë shokët brenda dhe s'mund të zhvillojnë aktivitet të madh këndej.
Këtë punë jetike mund ta kryejë vetëm një Grup i organizuar shumë mirë, i cili nuk mbetet vetëm në burimet vullnetare të të ardhurave, por organizon hapjen e ndonjë ndërmarrjeje të vogël me dy-tre punëtorë ndërtimtarë, ngjyrtarë ndërtesash etj. Kjo do të ishte punë me leverdi të madhe, të cilën po qe se e organizojmë si duhet, po qe se në të fusim elementë të dëshmuar patriotë e revolucionarë që i udhëheq një shok i pjekur politikisht e që punojnë në konspiracion më të thellë, atëherë kjo ndërmarrje, në dukje të parë shumë e vogël, do të bëhet financuese e rregullt e të gjitha aktiviteteve të Lëvizjes. Dhe nuk duhet të ndalet GÇM vetëm në këtë lloj ndërmarrjesh, por të gjejë të gjitha format e mundshme (të ndershme) të vetëfinancimit. Veç kësaj është e nevojshme që në çdo mjedis ku ndikimi i Lëvizjes është i fortë, të formohet një nëngrup shokësh autoritativë, mundësisht të rrezikuar, dhe bile në çdo tre muaj të ndërmarrin mes punëtorësh fushata të mbledhjes së ndihmave për familjet e të burgosurve. Këta shokë më së miri do të ishte sikur të formonin grupet prej 10 apo më shumë simpatizantësh të cilët vendosin që për çdo muaj ta ndihmojnë bashkërisht Lëvizjen me një shumë simbolike, p.sh. dhjetë frangë në muaj. Kjo nuk do të ishte shumë as për më të varfërin prej nesh. Kjo formë e përfshirjes së njerëzve në luftë do të kishte rëndësi të madhe politike parasëgjithash, sepse ata njerëz lidhen me luftën, janë të vetëdijshëm se edhe ata po japin diçka për lirinë e fëmijëve të vet.
Me një fjalë çështjen materiale duhet ta qesim në binarë të sigurt, në mënyrë që çfardo rrethanash që të krijohen, ne të kemi mjete të bollshme për ta çuar luftën përpara.
Përfundim
Punën e të gjitha këtyre grupeve duhet ta koordinojë Komiteti Drejtues, anëtarë të të cilit duhet të jenë edhe disa udhëheqës grupesh. Në ditën e caktuar të muajit Grupet mbajnë takime të rregullta, ku shoshisin mirë tërë aktivitetin mujor dhe bëjnë planin për muajin tjetër. Në takim formulohet raporti i gjërë i punës, i cili bashkë me procesverbalin i dorëzohet KD. Komiteti drejtues pastaj cakton mbledhjen e vet, ku shqyrton raportet me radhë dhe në sajë të tyre merre vendime e qëndrime përkatëse për çdo grup veç e veç. Duke u bazuar në këto raporte KD duhet që për çdo muaj t'u drejtohet Grupeve, Komiteteve Lokale dhe celulave me qarkore interne, me të cilat i njofon anëtarët dhe militantët e Lëvizjes për gjendjen përgjithësisht, për të metat, për sukseset dhe për kahet që duhet t'i japim luftës fhe aktivitetit në tërësi.
Me një ndarje të tillë të punës Komiteti Drejtues do t'i lehtësonte barrën vetes, do t'i jepte luftës një shtytje shumë të fuqishme. Fundi i fundit, pa e vënë organizimin në kësi themelesh të shëndosha, pa i ndarë detyrat për çdonjërin, do ta kemi të vështirë, të mos themi të pamundur, t'i përballojmë sulmit të koordinuar të armikut dhe të ndihmësve të tij të pakursyeshëm fraksionistëve e likuidatorëve.
Eshtë koha e fundit ta kuptojnë të gjithë se lufta mund të çohet përpara e të fitohet veëm me një organizim të mirëfilltë revolucionar, vetëm me në përfshirje sa më masive të revolucionarëve konsekuentë në të gjitha sferat e veprimtarisë së Lëvizjes.

Xhafer SHATRI

Komitetit Qendror të Lëvizjes për
Republikën Shqiptare në Jugosllavi


Të dashur shokë,
po ju shkruaj fare përngut, sepse ndoshta do të më duhet që së shpejti ta lëshoj këtë shtet e pastaj ku me dijtë se a do të kem mundësi t'ju lajmërohem apo jo.
Siç e dinë anëtarët e KQ në Redaksi, mbrëmë unë u largova nga Redaksia e "Zërit të Kosovës", kjo nënkupton se unë nuk mund të jem më as anëtar i Komitetit Qendror. Atë që e bëra mbrëmë në Redaksi kam dashur ta bëj në takimin e Komitetit Qendror, por rrethanat ishin të tilla sa që kjo nuk bënte të zgjatej më.
Natyrisht në këtë hap më ka shtyrë klima që është krijuar, një klimë aq e padurueshme, një klimë aq pak revolucionare. Unë me shembullin tim konkret, ndoshta për dikënd kjo do të duket sërisht metodë kristiane, desha t'ju bind se nuk jam njeri i ofiqeve e i kolltuqeve, por luftëtar i thjeshtë i Kosovës me të mirat dhe me të metat e mia, që s'i kam fshehur kurrë para shokëve të mi. Në këtë ndarje pak si të jashtëzakomshme por edhe të pritur nga unë, të paralajmëruar para shumë muajsh e shoh të nevojshme t'ju them diçka, por koha s'po lejon ndaj po ndalem si vijon:
Pavarësisht nga kundërthëniet që kemi pasur në luftë e sipër, unë gjithnjë do t'ju konsideroj si shokë të mirë dhe kurrë para askujt nuk do të lejoj që të mohohet e të nëpërkëmbet atdhedashuria juaj dhe çdo përpjekje që do të bëni për të mirën e popullit tonë.
Kudo që të më qesë jeta, unë do t'u mbetem besnik gjer në vdekje idealeve tona të përbashkëta, për të cilat kanë derdhur gjakun e tyre të shenjtë shokët tanë të vuajtjeve e të përpjekjeve.
Te të gjithë ata njerëz që më ka rënë rasti t'i njoh e t'i takoj në jetë, kurdoherë do të ngjall, do të nxis dashurinë ndaj Lëvizjes dhe respektin ndaj udhëheqësisë së saj.
Si njeri që merrem ngapak me shkrime gjithmonë do të përpiqem t'i mbetem besnik frymës revolucionare, sipas së cilës vepruam e luftuam së bashku për disa vjet me radhë.
Të jeni të sigurt se në çfarëdo rrethanash të vështira që të më qesë jeta, unë në çdo moment do t'i mbetem besnik betimit që e kemi dhënë së bashku, pra çdo sekret i Lëvizjes, çdo veprimtari e saj për mua janë dhe do të mbeten të shenjta. Në këtë kurrë të mos keni as dyshimin më të vogël.
Jam i sigurt se veç kërkesës së popullit edhe ky akt i imi do të kontribuojë që mes jush të ketë unitet të plotë mendimi e veprimi, se do të ketë harmoni revolucionare.
Ju përshëndes luftarakish, shokë, dhe nga zemra ju dëshiroj sukses!

Xhafer SHATRI
31 janar 1985

N J O F T I M
Njoftohen shokët Xhafer Shatri dhe Ibrahim Kelmendi për mbledhjen e fundit të KQ të LESSHJ.
Më 10.2.1985 KQ mbajti mbledhjen e vet të rregullt. Rendi i ditës ishte:
1. Analiza e Organit Qendror dhe shqyrtimi i propozimeve të Redaksisë për ndryshimet e "Zërit".
2. Raportimi për punën e forcave të organizuara në Kosovë.
3. Shqyrtimi kritik lidhur me sjelljet dhe punën e Xhafer Shatrit dhe Ibrahim Kelmendit.
Në mbledhje nuk ishin prezentë shokët Xhafer Shatri e Ibrahim Kelmendi.
Duke pasur parasysh situatën e krijuar në KQ të cilin e ka kapluar fryma e grupeve, frymë e cila është e reflektuar edhe te forcat e tjera të organizuara jashtë dhe në Kosovë, andaj është e domosdoshme të bëjmë spastrimin e radhëve nga shokët të cilët janë të ngarkuar me këtë frymë përçarëse dhe të cilët po i shkaktojnë dëme luftës sonë.
Shoku Xhafer Shatri pas ardhjes në Zvicër i hyri punës në të madhe, duke kontribuar shumë në nxjerrjen e Organit qendror "Zëri i Kosovës". Vazhdimësia e daljes së "ZK" është e lidhur drejtëpërdrejt me Xhafer Shatrin. Puna organizative e forcave të organizuara në Kosovë dhe fryti që del prej tyre është i lidhur edhe me Xhaferin. Por, në punën e tij Xhaferi bërë edhe mjaft gabime e lëshime politike, duke krijuar edhe frymën e mosbesimit ndaj njerëzve. Duke parë situatën e krijuar, Xhaferi dha dorëheqje me shkrim.
Derisa shoku Xhafer në punën e tij që bëri e përcollën edhe gabimet, në anën tjetër shoku Ibrahim Kelmendi nuk punoi fare, por u muar drejtpërdrejt me përcjelljen e punës dhe gabimeve të Xhaferit; u muar me thashë e thëna në mesin e punëtorëve. Bëri edhe dekonspirime të sekreteve të KQ të LRSSHJ-së. Keqpërdori ndihmat për Kosovën, duke mos sjellur në fond asnjë qindarkë. P.sh. të përmendim vetëm rastin e Suedisë në praninë e katër vetave një familje shqiptare i dha ndihmë luftës sonë prej 50.000 korona, prej të cilave nuk solli asnjë qindarkë, si dhe ndihmat që dhanë familjet e tjera në Suedi; mbjellja e frymës përçarëse në vetë KQ; mospërgjegjësia ndaj punës; prishja me miq zviceranë; mosaktiviteti me të huaj dhe krijimi i ftohjes së tyre ndaj luftës sonë dhe organizatës sonë; qëllimi pretendues i formulimit të fjalisë: "Vërejtjet, sugjerimet e propozimet që do të vinë pas fillimit të dhjetorit të këtij viti do të kenë vlerën e vet, por nuk do të mund të merren parasysh, pasi në ndërkohë KQ dhe Komitetet e rrtheve do të mbajnë mbledhjen për të aprovuar Programin e Statutin e LRESHJ-së" me të vetmin qëllim që të sabotojnë punën e diskutimit dhe shqyrtimit të PP dhe PS dhe në anën tjetër për të shfrytëzuar tubimin e zgjeruar për diskreditimin e Xhaferit me gabimet që ka bërë. Në KQ nuk qe vendosur të thirrej tubimi i KQ me komitetet e retheve të cilën gjë shoku Ibrahim Kelmendi e bëri pa dijen e shokëve duke u thirrur se gjoja qenka vendosur në mbledhjen e KQ, gjë e cila nuk ishte e vërtetë. Qëllimi i gjithë kësaj ishte ai që cekëm më lart, diskreditimi i Xhaferit para një tubimi më të gjerë. Kjo tregon se si disa njerëz veprojnë pas shpine pa u konsultuar me shokë, e këtë e bëri shoku Ibrahim Kelmendi.
Për shkak të krijimit të mosbesimit ndaj njerëzve, lëshimeve dhe gabimeve politike si dhe mbjelljes së frymës përçarëse KQ vendosi që të ndërmarrë masa për nxjerrjen e KQ nga situata e krijuar dhe të bëjë spastrimin e radhëve nga mospunëtorët dhe përçarësit.
Kështuqë KQ i LRSSHJ me shumicë votash 4:1 (katër me një) vendosi që shokët Xhafer Shatri dhe Ibrahim Kelmendi përjashtohen nga KQ i LRSSHJ-së, përderisa të mos e vërtetojnë të kundërtën me aktivitetin e tyre.
10.2.1985, Zvicër
KQ i LRSSHJ-së

KOMITETEVE DREJTUESE DHE KOMITETEVE
TË RRETHEVE TË LRSSHJ-së


Shokë dhe shoqe,
Kohëve të fundit, në KQ të LRSSHJ-së, nga grupe individësh në botën e jashtme kanë ardhur kërkesa (gojore e me shkrim), me dëshirën për të ardhmen deri te një bashkim.
Këto grupe gjatë viteve 1982 e 1984 dolën nga LRSSHJ dhe një pjesë e tyre nxori organin "Punëtorët" e një pjesë tjetër nxori në Suedi gazetën me të njejtën emër si të organit të LRSSHJ-së - "Zëri i Kosovës" duke formuar një "Lëvizje" të re për Republikën e Kosovës.
Të gjithë ata që po kërkojnë bashkim nuk kanë shtruar asnjë kusht.
Duke e ditur dëshirën dhe vullnetin e mirë të elementëve dhe kuadrove të shëndoshë, patriotëve dhe revolucionarëve, posaçërisht nga radhët e klasës punëtore që punon dhe vepron këtej, si dhe duke e parë të nevojshme dhe parimore që secilit që dëshiron për të luftuar në një front të përbashkët për realizimin e kërkesave të popullit të Kosovës, t'i krijohet mundësia për t'u bashkuar në organizatën gjithëpopullore - LRSSHJ, KQ është i mendimit që t'i marrë parasysh këto kërkesa që janë bërë dhe, juve, shokë e shoqe, po ua paraqesim si PROPOZIM për diskutim këto KUSHTE që do t'u parashtronim këtyre grupeve për BISEDIME rreth bashkimit:
1. Grupet që kanë kërkuar bashkimin, a janë grupe me celula apo pa celula. Nëse janë grupe pa celula atëherë nuk mund të shtrohemi për bisedime si me palë.
2. Nëse këto grupe me celula, e konsiderojnë veten organizata (pavarësisht se këto dikur qenë ndarë nga gjiri i LRSSHJ-së), le ta dëshmojnë ekzistencën dhe punën e tyre si organizata duke treguar rrjetin e tyre organizativ, si jashtë ashtu dhe brenda.
(Këtë punë verifikimi duhet ta kryejë një komision i posaçëm i LRSSHJ-së dhe pastaj të shtrohemi apo të mos shtrohemi për bisedime).
Gjatë bisedimeve rreth bashkimit si kushte do t'u paraqesim këto:
1. Të dënohet bashkimi i 17 shkurtit dhe 15 majit 1982, i cili ishte një bashkim krerësh e jo organizatash dhe nuk ishte aspak bashkim e organizim i masave.
Një bashkim dhe organizim i masave, si jashtë ashtu edhe brenda, e patën shtruar drejt në verën e vitit 1981 OMLK në "Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës" dhe në përpjekje e sipër për t'i vënë në jetë ranë shokët: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Këto "Teza..." u shkelën pikërisht një muaj pas rënies së tyre, në bashkimin e 17 shkurtit 1982.
2. Të definohet se çfarë organizate po ndërtojmë: Parti a organizatë të masave apo front popullor i gjithë masave.
3. Të ndërpritet agjitacioni e propaganda si dhe veprimet kundër marksizëm-leninizmit - veprime këto që shkojnë në dëm të unitetit dhe luftës sonë për Republikë.
4. Në bisedime të marrim pjesë nga tre përfaqësues prej secilës palë.
5. Në bisedime nuk mund të marrin pjesë krerët e bashkimeve të 17 shkurtit dhe 15 majit 1982.
6. Ndonjë bashkim eventual mund të bëhet dhe shpallet vetëm si bashkim i emigracionit përparimtar jashtë Kosovës dhe i organizuar në kuadër të një dege të jashtme të LRSSHJ-së që duhet të ndërtohet, zgjerohet dhe funksionojë brenda në Kosovë.
Nëse këto kushte, që do t'u vihen për bisedime atyre që po kërkojnë bashkimin do të diskutohen, plotësohen dhe të bëhen vërejtje dhe orientimet e nevojshme edhe nga ju (që të aprovojmë unanimisht), ne do t'u hymë bisedimeve për bashkim; në të kundërtën duhet t'u themi qartë përse nuk duam as bisedime, as bashkim!
Përshëndetje revolucionare

KQ i LRSSHJ
Prill, 1985
Komiteteve të rretheve,
celulave e të gjithë militantëve të LRSSHJ-së
(letër interne)
3/4 nëntor 1984


Statusin e LRSSHJ-së.
Gjatë diskutimeve duhet të mbretërojë fryma e lartë e patriotizmit përparimtar dhe revolucionaritetit, pjekuria e lartë ideologjike e politike, niveli i përgjegjësisë dhe demokracia e vërtetë revolucionare. Diskutimet duhet të bëhen të peshuara e të shtruara, kurse vërejtjet, sugjerimet e propozimet të jenë të përmbledhura, të thukta e konçize, tamam siç i takon nivelit të përgjegjësisë që duhet ta ketë çdo militant e militante e Lëvizjes. Ai që provon të ndrydhë frymën e demokracisë revolucionare gjatë diskutimeve, ai që provon që të tjerët të mos i lejojnë t'i shprehin lirisht mendimet, vërejtjet, sugjerimet e propozimet, do të shkelë një nga parimet themelore që ka Lëvizja jonë - demokracinë revolucionare brenda radhëve të organizuara të LRSSHJ-së.
Diskutimet rreth aprovimit të PP e PS të LRSSHJ-së janë të një rëndësie të madhe, pasi nga to do të dalin PROGRAMI e STATUTI i LRSSHJ-së, që do të thotë, do të dalë Programi i luftës, ideologjisë, politikës e taktikës që duhet të ndjekë Lëvizja jonë për të arritur qëllimin e vet të fundit - fitimin e Statusit të Republikës për Kosovën dhe të drejtat e tjera shoqëruese që do të parashohë PROGRAMI.

- Rroftë populli ynë heroik liridashës!
- Lavdi heronjve e dëshmorëve të rënë për liri e të drejta të
popullit!
- Rrofshin popujt liridashës të mbarë botës!
- KOSOVA - REPUBLIKË!
- Rroftë LRSSHJ!

Përshëndetje revolucionare
Komiteti Qëndror i LRSSHJ-së

Anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm
të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës

Në mbledhjen e KP të LPRK-së të datës 3.V.1986, Këshilli i përgjithshëm neve, anëtarëve të këtij Këshilli, Gjonin dhe Veliun, na deklaroi të larguar nga ky organ në mënyrë arbitrare. Ky deklarim është i shpejtuar, i paarsyetuar, jashtë çdo procedure dhe në kundërshtim me frymën shoqërore, demokracinë e brendshme të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Ne edhe në mbledhje e treguam se nuk e pranojmë këtë deklarim arbitrar, prandaj ju ftojmë që edhe një herë ta rishikojmë këtë çështje, Pasi që: në mbledhjen e KP të LPRK-së të datës 16.III.1986, ne u dhamë materialin "Vetëm me organizim të mirfilltë parimor të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës do të fitojmë statusin e Republikës", u propozuam që të shqyrtohet nga anëtarët e KP-së, të diskutohet nga KP dhe pastaj të vendoset në mbledhjen që pason për t'u lëshuar ose për t'u mos u lëshuar te aktivistët e Lëvizjes, ashtu siç ka vepruar Këshilli me çdo inisiativë që ka buruar nga anëtarët e KP-së.
Në mbledhjen që pasoi, të datës 3.V.1986 u propozua dhe u pranua ky rend i rregullt i punës:
1. Leximi i letrës që ka të bëjë me materialin që është propozuar për shqyrtim në mbledhjen e datës 16.III.1986.
2. Analizë e punës së KP të LPRK-së me masa në vise të huaja (Demonstrata e Gjenevës, Një Maji).
3. Kontributi ynë si anëtarë dhe kolegjiumi për çështjen tonë, për detyrat e kryera, përgjegjësia, uniteti.
4. Përgatitja dhe mbajtja e demonstratës së qershorit në prag të Kongresit të XIII-të të LKJ-së.
5. Rezyme e Mbledhjes Vjetore të Redaksisë të "Zërit të Kosovës", të propozuar për shqyrtim, në mënyrë arbitrare na u deklarua përjashtimi ynë nga KP, pa bërë analizë paraprake lidhur me këtë hap, dhe demonstrativisht e lëshuat mbledhjen. Siç doli nga kjo mbledhje ju nuk u pajtuat me materialin që u dha në diskutim në kuadër të organit tonë KP, gjë që është e drejt e çdo anëtari të veçantë të shprehë mendimin e vet lirisht, po aq sa ishte e drejtë e jona që propozuam atë material për diskutim në KP. Pra, çdo gjë deri këtu është normale, don të thotë edhe mosaprovimi i këtij materiali, por është jo e drejtë nga ana juaj, që për këto mendime të lira që u shprehën në material dhe që nuk kërkuam t'i imponojmë në kuadër të organit ku bëjmë pjesë, të ndërmirren hapa të gabueshëm.
Veprimi i juaj i këtillë, po të mendohet gjakftohtë, do të kuptohet lehtë nga të gjithë se do të sjellë thyerje të unitetit, përçarje dhe ndarje forcash në përmasa të mëdha në popullin tonë dhe LPRK-në, përçarje jashtë dhe brenda. Kjo do të ishte e pashmangshme pasi ne ishim në nivel të punëve në KP dhe LPRK dhe veprimet që u morën ndaj nesh nuk lidhen me punën në KP të LPRK-së, por këto veprime u ndërmorën për përkatësinë tonë në OMLK. Siç dihet, kaherë, OMLK ruan pavarësinë organizative, politike, ideologjike, të agjitacionit dhe të propagandës dhe vepron në kuadër të LPRK-së dhe nuk shkel, por mbron parimet të përcaktuara në tetor të vitit 1985 në Njoftimin Intern të LPRK-së.
Ende nuk është vonë që të mos lejohet kjo gjë pasi deklarimi ishte i nxituar dhe i njëanshëm; ende nuk është vonë që të përmirësohet ky deklarim dhe kjo të mbetet çështje e brendshme vetëm në kuadër të KP-së dhe të mos përsëriten praktika të tilla të gabueshme; ende nuk është vonë të përmirësohet ky gabim dhe të bashkuar të vazhdojmë luftën kundër armikut të përbashkët në kuadër të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Armiqtë e popullit tonë po të ndodhin ndarje mes nesh do të përpiqen që të mashtrojnë popullin tonë me tezën e tyre se ne gjoja nuk jemi në gjendje të ruajmë bashkimin në një front të përbashkët. Duke pas këto parasysh, sa u tha deri këtu, u thërrasim që të dielën, më 11 maj 1986, të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LPRK-së, me këtë rend pune: Të rishqyrtohet deklarimi për përjashtimin tonin - Gjonit dhe Veliut nga Këshilli i Përgjithshëm dhe të vazhdojmë me pikat e tjera të rendit të punës që aprovuam në mbledhjen e datës 2 maj 1986. Mbledhja mbahet në Bazel. (Takimi bëhet në stacionin e trenit në orën 9).

KOSOVA REPUBLIKË!
Më, 4 maj 1986
Gjoni (Nënkryetar i KP të LPRK-së)
Veliu (Emri i vërtetë) (Anëtar i KP të LPRK-së)
Kjo letër është shkruar nga Mustafë Xhemaili dhe Fazli Veliu

T H I R R J E
Shokë dhe shoqe!
Bashkatdhetarë të nderuar!
Vëllezër dhe motra!
Po bëhet një muaj nga vrasja e shokut dhe vëllaut tonë të shtrenjtë, Zijah Shemsiut, në burgun e Beogradit. Andaj, për të përkujtuar veprën e ndritshme të Zijahut si dhe qëndresën heroike deri në frymën e fundit, Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi organizon Tubim Komemorativ.
Vëllezër e motra, të mblidhemi këtë herë që së bashku të kujtojmë, jetën, punën dhe rënien e shokut dhe vëllait tonë Zijah Shemsiut, të atij që e patëm gjithmonë pranë, në çdo tubim proteste e demonstratë, atë që për çështjen e Kosovës dha gjithçka - edhe jetën.
Zijah Shemsiu nuk u përul edhe atëherë kur xhelatët e UDB-së ia vunë thikën në fyt, por trimëria dhe guximi i tij i rrallë sfidoi armiqtë: Mua mund të më vrisni, por idealin tim nuk mund ta mposhtni dot, ai nuk vritet as me thikë, as me plumb!
Bashkatdhetarë,
Të tubohemi, të përkujtojmë shokun Zijah Shemsiu, që kur shkonte në Kosovë për të shpërndarë frymën e lirisë, Kosova gjallërohej, populli i saj frymonte më lehtë; të përkujtojmë shokun Zijah, që kur e çuan në arkivol për ta varrosur në vendlindje, fshatarët, miqtë dhe populli i Kosovës, u betuan mbi varrin e tij: Ty të vranë por ne u ngritëm njëmijë!
Vrasja e shokut dhe vëllaut tonë të shtrenjtë u përgatit gjatë, që nga muajt e parë të arrestimit, deri kur u likuidua. Fillimisht, Beogradi bëri një propagandë të shfrenuar për të komprementuar veprën e lavdishme të Zijahut. Gjithë mjetet e informimit, Zijahun me shokë u munduan t'i paraqesin si terroristë e kriminelë se gjoja ata nuk zgjedhin metodat e luftës e të punës. "Politika" shkroi fejton të tërë. Gjykimi zgjati më tepër se rëndom kur regjimi i dënon patriotët dhe revolucinarët shqiptarë. Pasi menduan se në opinion kishin arritur të krijonin përshtypjen se ai ishte "terrorist," rezonuan se ishte përgatitur mjaft terren për të kaluar në fazë tjetër, për të bërë krimin dhe për të mos u dënuar nga opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar, pasi bota alergjike ndaj terrorizmit nuk do të reagonte "po të vritnin një terrorist". Nga ana tjetër u ndërmorën të gjitha masat që krimi të mbahet në heshtje. Nëse nuk arrihet ky qëllim atëherë vrasja e Zijahut do të paraqitej si vrasje në çast apo vetëvrasje, siç gënjyen çetnikët kur vranë Rexhep Malajn, Nuhi Berishën e Bajram Bahtirin.
Mirëpo, këto gënjeshtra dhe shpifje të paskrupullta të armikut serbomadh nuk kanë munduar ta gënjejnë popullin tonë asnjëherë. Të vërtetën për vrasjen e shokut Zijah, birit të popullit të Kosovës, e mori vesh i madh e i vogël. Ky krim i pashembullt i UDB-së u dënua nga opinioni i brendshëm dhe i jashtëm dhe indinjoi gjithë popullin e Kosovës. Emrin dhe veprën e Zijah Shemsiut populli i Kosovës nuk do ta harrojë kurrë.
Lavdi kujtimit të Zijah Shemsiut!

LEVIZJA PËR REPUBLIKËN SOCIALISTE SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI!
Tubimi Komemorativ mbahet më 1 qershor 1985, në fshatin Gëmlingen afër Bernit. Vendtakimi është në stacionin e trenit të fshatit Gëmlingen. Tubimi fillon në orën 18.

Letër e hapur:
TRI GRUPEVE, RESPEKTIVISHT ORGANIZATAVE
QË LUFTOJNË NËN EMRIN E LRSSHJ-së.

Që në fillim e shoh të udhës të theksoj se propozimi i parashtruar më poshtë, është mendim i lirë, mbështetur në qëllimet më të sinqerta, të cilat ia ka imponuar koha dhe momenti çdo njeriut të ndershëm të popullit tonë e që jam i bindur se i ka parasysh edhe secili prej jush.
Parasëgjithash, mendoj se të tri grupet duhet ta studiojnë këtë propozim në mënyrë sa më objektive, të paanshme e pa pasione dhe të marrin qëndrim, duke patur parasyshë gjithnjë interesin e përgjithshëm dhe rrugën, e cila na shpie drejt qëllimit për realizimin e kërkesës së popullit tonë - konstituimin e Republikës së Kosovës në kuadrin e Federatës Jugosllave.
Ashtu siç është e ditur, duke filluar nga data 17.02.1982, u bashkuan LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ; respektivisht, më 15.05.1982, këtij uniteti iu bashkangjit edhe OMLK-ja. Këto grupe formuan organizatën e vetme, e cila veproi nën emrin LRSSHJ.
Duke u mbështetur në këto fakte, krijohet bindja se ky bashkim ishte vetëm formal e jo esencial. Këtë e dëshmojnë edhe ngjarjet të cilat pasuan dhe sollën deri te shpartallimi i Lëvizjes.
Mirëpo, siç thotë Lenini, bëhet një bashkim i cili dështon për të ardhur deri te një bashkim i fuqishëm (duhet të ndahemi që të bashkohemi!)
Prandaj është e domosdoshme që të bëhet një bashkim i vërtetë dhe esencial i tri grupeve, respektivisht organizatave të lartëpërmendura.
Madje, edhe nëse ekziston ndonjë grup apo organizatë tjetër me orientime dhe qëllime të drejta, mendojmë se është e udhës t'i bashkohet Lëvizjes së përgjithshme.
Përvoja historike e popullit tonë dhe lëvizjet e shumta të popujve të tjerë, kanë dëshmuar se bashkimi bën fuqinë, garanton fitoren dhe sjell deri te shpëtimi kombëtar, kurse shkapërdershja e distribuimi i forcave çon në dështim, në zvetnim dhe në katandisje të lëvizjes.
Në bazë të të gjitha këtyre dal me këtë propozim:
- që të tri grupet t'i autorizojnë përfaqësuesit e vet me të gjitha kompetencat e duhura, prej tre - pesë veta.
- bashkimi të bëhet pa asnjë kusht nga të tri grupet ekzistuese, repsektivisht organizatat. (Po deshëm të arrihet mirëkuptimi, duhet t'i hedhim poshtë të gjitha pretendimet se njëra është e drejtë, se tjetra është më e fortë, apo se akcila është "koka" e kombit shqiptar; pretendime këto megalomane, tendencioze, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi shkojnë në dobi të armikut e që pengojnë bashkimin e lakmueshëm).
Edhe pse nuk mund të mohohen anët pozitive të luftës që është zhvilluar nga këto tri grupe, lufta e zhvilluar që nga koha e bashkimit formal, ka qenë më tepër luftë në mes grupesh dhe individësh se sa luftë kundër armikut.
Që të shkohet përpara dhe të eliminohen të gjitha anët negative të këtyre grupeve është e domosdoshme të arrihet bashkimi i tyre në një organizatë të vetme dhe të njësuar, në mënyrë që tërë aktivitetin e vet ta drejtojë kundër armikut - shovinistëve serbomëdhenj dhe të tjerëve që na bëjnë pengesa në realizimin e kërkesës së popullit shqiptar për formimin e Republikës Socialiste të Kosovës në kuadrin e Federatës.
Mendoj se kjo do të arrihet:
1. - me shkrirjen e tri grupeve në një organizatë e cila do të emrohet: Lëvizja për Republikën Socialiste të Kosovës në Jugosllavi.
Arsyetmi:
Republikat ekzistuese në Jugosllavi emërohen sipas emrit të territorit, p.sh.: RS e Sllovenisë, RS e Kroacisë etj. Prandaj e shoh të arsyeshme që të emërohet kështu edhe RS e Kosovës, në mënyrë që mos t'i mbetet rrugë dhe mundësi askujt të na sulmojë gjoja se kërkojmë Republikë "të pastër etnike".
2. - duke pasur parasysh se "Zëri i Kosovës" është Zëri i tërë popullit shqiptar në Jugosllavi dhe i atyre në mërgim, që thërret për një Republikë në kuadrin e Federatës, e shoh të arsyeshme që të mbetet emri i organit "Zëri i Kosovës".
3. - Simbolet e gjertanishme siç janë stemat dhe pushka me flamur duhet të hiqen, pasi për këto simbole duhet ta japë fjalën vet populli i Kosovës dhe ta përcaktojë vetë stemën për Republikën e tij.
- Arsyetimi:
Pushka me flamur nuk përputhet me platformën e kërkesës së popullit tonë në luftën e tij për Republikë pa përdorimin e dhunës.
Do të ishte mirë që simbol i organit të jetë libri dhe pena, të cilat në këtë moment dhe në këto rrethana specifike do të simbolizonin luftën tonë me libër e me penë dhe me mjete të tjera demokratike pa u përdorur dhuna.
Lëvizja përfundimisht duhet të distancohet nga të gjitha format e luftës që mbajnë erë baroti, njëherit mendoj se është me vend mos t'i imponojë Jugosllavisë asgjë tjetër, përveç realizimit të kërkesëse për konstituimin e Republikës së Kosovës, respektivisht LRSKJ-në. Jugosllavia nuk duhet të luftohet as si shtet, as në pikëpamjet e sistemit shoqëror dhe kam bindjen se me konstituimin e kësaj Republike, populli shqiptar në Jugosllavi do të jetë i barabartë me të gjithë popujt e tjerë të Federatës dhe të menjanohet rreziku i ndonjë konflikti më të gjerë në përmasa Jugosllave e Ballkanike. Për deri sa populli shqiptar është i persekutuar dhe pa të drejta, nuk mund të ketë paqe dhe qetësi as për popujt e tjerë që e përbëjnë Federatën.
Këto që u cekën edhe shumë të tjera që mund të nënkuptohen, na bindin se ndihma jonë po qe se është e drejtë, do të jetë shumë e madhe, po të mos jetë e drejtë - kontributi ynë do të jetë i vogël, sepse populli e di mirë rrugën e vet. Pra, bashkimi do të reflektohet si besëlidhje në vazhdimësinë e fitoreve tona dhe do të tregojë qartësinë e pjekurinë e pregatitjes sonë për luftë. Besëlidhja e fortë ka qenë gjithnjë kushti i parë, i cili ka shpënë në fitoret e pareshtura dhe përfundimtare. Na kanë mësuar rrugët e gjata dhe të hidhura se vetëm të bashkuar mund të luftojmë drejt, se gabimet e bëra gjatë luftrave të kaluara duhet të na shërbejnë si mësime të shtrenjta. Nga ana tjetër luftrat mes grupesh gjithnjë janë paraqitur në momente kur na ka humbur qartësia, por atë - qartësinë - e kemi gjetur së shpejti, jemi bashkuar pa pengesa, duke i eliminuar gabimet e vogla, kurse të mëdhatë i kemi zvogëluar dhe kështu ka ecur shqiptari nëpër rrugën e historisë, i munduar, por kurrë i thyer, kurrë i asgjësuar. Kjo qëndresë u arrit përherë duke u mbajtur për njëri-tjetrin dhe duke i bërë pushkët strumbullarë në duart e bashkuara dhe të fuqishme.
Po qe se ky bashkim nuk arrihet, do të vërtetohet edhe njëherë se në mesin tonë ka njerëz që punojnë për armikun, do të vërtetohet papjekuria jonë në çështjen e madhe, e cila duhet të qëndrojë mbi çdo interes personal dhe mbi çdo tendencë individuale dhe subjektive. Duhet t'ua theksojmë shokëve të ndershëm që të marrin drejtqëndrimin dhe ta thonë fjalën e vet, çdonjeri në emër të kësaj çështjeje të madhe, të distancohet secili pa ngurrim, pa humbur kohë dhe pa luhatje prej grupeve, prej dinastive, familjarizimit, bajraktarizmit, përkatësive primitive fisnore e të odës dhe mbi të gjitha prej "Krerëve" që pengojnë bashkimin; ta thotë secili fjalën e vet haptas, mendimin e vet të lirë e konstruktiv, sepse siç ka theksuar Ismail Qemali, çdo shqiptar i ndershëm ka të drejtë të flasë në të mirë të kombit dhe atdheut.
Nder i madh është të përcaktohesh në shërbim të atdheut, ndërsa tradhti të vihesh në shërbim të individëve destruktivë, sepse forca qëndron në masë e jo në grupe as në individë.

Delëmondt - Zvicër, me 12.07.1985.
Hysen Gërvalla

Vijon...

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Faridin Tafallari
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 146 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi