Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
TERROR... DHIMBJE... QËNDRESË… (14)
Publikuar më 13 qershor, 2019 në orën 00:33 ( ) Faridin Tafallari | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
T R A K T
Duhet të kuptohet drejt vija politike e LRSHJ-së

Që të shkohet përpara nga fitorja në fitore, duhet të kuptohet drejt vija politike e LRSHJ dhe të zbatohet me përpikmëri ajo vijë. Derisa zbatohet në mënyrë të drejtë vija e saj, lufta zhvillohet në mënyrë të mirfilltë dhe korren fitore të njëpasnjëshme.
Duke pasur parasysh se vetëm zbatimi i vijës së drejtë të politikës së LRSHJ e çon luftën përpara, shovinistët serbomëdhenj tentojnë që me çdo kusht të dezorientojnë këtë vijë.

Cila është vija e drejtë politike e LRSHJ-së

LRSHJ lufton për formimin e Republikës Shqiptare në kuadrin e RSFJ në të gjitha viset ku jetojnë apo ku janë të banuara me shumicë pjesëtarët e popullit shqiptar.
Republika Shqiptare në kuadrin e RSFJ do të jetë ashtu si janë republikat e tjera që e përbëjnë këtë federatë.
LRSHJ për t'i realizuar qëllimet e veta zbaton luftë vetëm me mjete demokratike, pa lejuar në asnjë mënyrë dhunën, forcën apo violencën, gjëra e metoda terrosite që rreptësisht ndalohen dhe gjykohen nga vetë LRSHJ. Duke e zhvilluar këtë luftë, LRSHJ nuk rrezikon integritetin dhe sovranitetin e Federatës, dhe me realizimin e kësaj kërkese të drejtë të popullit shqiptar në RSFJ, jo se nuk cënohet ky integritet e sovranitet, por përkundrazi, integriteti dhe sovraniteti i RSFJ sigurohet shumë më tepër, forcohet nga çdo aspekt e drejtim. Këtë e vërtetojnë këto fakte:
- Me formimin e Republikës Shqiptare në kuadrin e RSFJ nuk do të bëhet asnjë ndryshim i kufijve si tërësi shtetërore;
- Nuk do të kërkohet ndryshimi i politikës shtetërore në përgjithësi;
- Nuk do të ketë popuj shtypës dhe popuj të shtypur, siç është rasti i popullit serb (e disa të tjerë), që sot kanë pozita të popullit shtypës dhe popull të shtypur, siç është rasti i popullit shqiptar në kuadrin e RSFJ, popull që ka qenë dhe është i shtypur nga çdo aspekt jetësor;

- Do të vdesin synimet e shovinistëve serbomëdhenj për dominim dhe jo vetëm mbi popullin shqiptar, por edhe mbi të gjithë popujt e tjerë që e përbëjnë RSFJ, pasi që populli serb do ta ketë republikën e vet ashtu si e kanë të gjithë popujt e tjerë të kësaj Federate, pa kurnjë mundësi që të kenë pretendime për dominim mbi popujt e tjerë si gjatë këtyre viteve të kaluara;
- Populli shqiptar në RSFJ, i cili është populli i tretë përkah numri i banorëve, do ta ndjejë vedin të barabartë me popujt e tjerë të Federatës e jo ashtu si sot, që nuk ka të drejtë ta quajë vedin komb por kombësi, e si rezultat i kësaj, i mohohen të gjitha të drejtat kushtetare që u garantohen kombeve të Federatës.

Kjo luftë që po bën populli shqiptar në Jugosllavi, në ballë me pararojën e saj - LRSHJ - e gjeti përkrahjen e shumicës dërrmuese të popujve të vet RSFJ-së dhe të të gjithë opinionit ndërkombëtar, fakt që e vërtetoi vijën e drejtë politike të LRSHJ-së, por shovenistët serbomëdhenj i bëri të luajnë menç. Burgosjet, torturat, gjykimet dhe dënimet drakoniane që zbatohen ndaj luftëtarëve të Lirisë që me nder e krenari militojnë në radhët e LRSHJ apo veprojnë në platformën e vijës së drejtë politike të saj, nuk po i arrijnë dot qëllimet që i dëshirojnë këta shovenistë të tërbuar.
Vetëdija kombëtare ka arritur në atë nivel te të gjithë populli, sa që, jo që nuk sjell kurrë një demoralizim apo frikë e tmerr çdo burgosje dhe dënim sado i rëndë të jetë, por të gjitha këto elemente kalitëse po e arrijnë qëllimin e kundërt nga ai që e dëshirojnë shovenistët serbomëdhenj.
Në shembullin e Luftëtarëve të Lirisë, po ngrihen për çdo ditë luftëtarë të rinj dhe jo vetëm që po i zëvendësojnë ata që po përfundojnë nëpër burgje, por po i përtërijnë dhe po i shtojnë radhët e LRSHJ-së për çdo ditë e më shumë, pra si me luftëtarë të lirisë ashtu edhe me kuadro të afta e të pregatitura nga çdo drejtim.
Shovinistët serbomëdhenj kanë krijuar bindjen se tani atyre iu ka mbetur vetëm një "zgjidhje" e çështjes, pra devijimi i vijës së drejtë të LRSHJ-së.
Për t'ia arritur këtij qëllimi, shovinistët nuk lanë metodë e mënyrë pa përdorur. Ata nuk kursyen asnjë gënjeshtër duke u munduar që së pari të bindin opinionin vendas e pastaj atë ndërkombëtar, se gjoja populli shqiptar në Jugosllavi nuk po lufton për formimin e Republikës së vet në kuadrin e Federatës, por për shkatërrimin e kësaj Federate, të "shtyrë" nga shteti amë. Në këtë drejtim shovinistët serbomëdhenj futën edhe provokatorë të ndryshëm të urdhëruar që të flasin në gjuhën "tonë" e të LRSHJ. Provokatorët, të nxitur nga shovenistët serbomëdhenj, që kinse të flasin me gjuhën tonë, na dalin "patriotë" shumë të mëdhenj dhe me tërë gojën thërrasin për shkatërrimin e Jugosllavisë dhe sulmojnë çdo gjë e çdo popull të Federatës. Ata brohorasin për Partinë e për E. Hoxhën e nga ana tjetër përdorin edhe parulla fashiste, në ç'aspekt ia tejkalojnë edhe vetë Mustafa Krujës.
Naivët e ata që nuk janë në gjendje për t'i gjykuar gjërat drejt, do të bëjnë pyetje, se si qenka e mundur të jetë provokator e agjent i serbomëdhenjve një njeri që thërret me tërë qenjen e tij kundër Jugosllavisë dhe e kërkon shkatërrimin e saj? Si qenka e mundur që një njeri të jetë negativ kur brohoret për Enver Hoxhën e kundër Stane Dollancit?
Përgjigja është e thjeshtë dhe e kjartë:
Serbomëdhenjtë, duke dashur të dizorientojnë vijën e drejtë politike të LRSHJ, nuk duan që shqiptarët të dalin me kërkesa të drejta e të arsyeshme, ata nuk duan të dëgjohen parullat: "Duam Republikë", "Duam punë", "Duam të drejta të barabarta me popujt tjerë të Federatës", "Duam lirimin e shokëve nga burgjet", etj, por shovinistët serbomëdhenj duan që populli shqiptar të kërkojë ato gjëra që e komprometojnë, që popullin shqiptar e qesin në pozita të padëshiruara, që opinioni vendas dhe ai botëror, të fitojë urrejtje ndaj popullit dhe kërkesave legjitime.
Këtu po ndalemi vetëm te një parullë që mundohen të na e mveshin serbomëdhenjtë dhe shovenistët: "Kosova etnikisht e pastër".
Kjo parullë armiqsore, asnjëherë, absolutisht asnjëherë, nuk u dëgjua nga goja e ndonjë militanti të LRSHJ, e lene më, të duket e shkruar në materialet apo organin e saj. Në realitet, u dëgjua dhe u shkrua parulla: "Nuk kanë pse të largohen serbët e malazezët nga Kosova!”
Shovenistët serbomëdhenj e brohorasin dhe e trumpetojnë pandërprerë parullën e trilluar prej tyre për "Kosovën etnikisht të pastër", kurse parulla jonë në lidhje apo në kundërshtim me këtë as që përmendet nga serbomëdhenjtë!
A mos po dëshirokan shovenistët serbomëdhenj që Kosova të jetë vetëm shqiptare, që qenkan të interesuar të brohoritet parulla për Kosovën e pastër etnike?!!!
A mos qenkan shovenistët serbomëdhenj të interesuar që mos të dëgjohet parulla: "S'kanë pse të largohen serbo-malazezët nga Kosova” dhe kjo parullë të mos ndikojë në moslargimin e serbo-malazezëve nga Kosova?!!!
Shovenistët serbomëdhenj i kanë qëllimet që me këto parulla të arrihen qëllime të kundërta: Duke brohoritur shqiptarët për atë që mos të largohen serbomalazezët nga Kosova, me ç'rast po vërtetohet e kundërta e asaj që serbomëdhenjtë mundohen me ua mveshur shqiptarëvet.
Shqiptarin kurrë nuk e ka penguar prezenca e serbo-malazezëve në Kosovë. Serbomëdhenjtë janë ata që i ka penguar prezenca e shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e veta në vende tjera të Jugosllavisë. Serbomëdhenjtë janë ata që kanë luftuar e vepruar për "KOSOVËN E PASTËR SERBE", por jo vetëm për Kosovën e pastër serbe, por edhe për tërë Jugosllavinë, që në një ditë të ardhshme e gjitha të bëhet Serbi. Këtë e vërtetojnë dokumentet historike që nga koha kur u formua shteti i Jugosllavisë e deri në ditët e sotme.
Kjo tregon, se kërkesa për "shkatërrimin e Jugosllavisë", kërkesa për "Kosovën e pastër etnike" etj, janë parulla të shpifura e të lansuara nga shovenistët serbomëdhenj, të cilat duan t'i thonë nëpërmjet gojës së shqiptarëve e sidomos nëpërmjet gojës së militantëve të LRSHJ, që të arrihet qëllimi; të dizorientohet vija e drejtë politike e LRSHJ-së dhe të arrihen qëllimet e serbomëdhenjëve antishqiptarë.
Eshtë punë e huaj kur serbomëdhenjtë duan t'i nxisin militantët e LRSHJ-së të brohorasin parulla për PPSH e për E. Hoxhën, për të vetmen arsye që të bindin opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar se gjoja "shqiptarët që jetojnë në trojet e veta në Jugosllavi janë "të nxitur nga Shqipëria", e jo se kërkesat e njohura kanë lindur nga dëshira dhe nevoja e popullit shqiptar në Jugosllavi.
Serbomëdhenjtë i akuzojnë shikuesit e ndeshjeve futbollistike edhe në mes të Beogradit pse po brohoritkan EHO. Këtë shprehje sportive mundohen ta shpjegojnë si njerëz të nxitur prej tij e jo si njerëz që e adhurojnë një njeri të tillë, pse është ai që është.
Edhe në këtë drejtim, shovenistët serbomëdhenj duan ta dizorientojnë vijën e drejtë politike të LRSSHJ-së. Sa më tepër që nxiten militantët që të brohorasin për një personalitet të tillë, jo pse e adhurojnë për arsye, e përkrahin në bazë të normave ndërkombëtare kërkesën e drejtë të shqiptarëve në Jugosllavi për formimin e Republikës së vet në kuadrin e saj - ashtu si janë edhe Republikat e tjera, por kinse ato qenkan nxitëse të asaj kërkese!
Edhe ata persona që flasin me gojën tonë e i thonë ato që dëshirojnë dhe si i dëshirojnë shovenistët serbomëdhenj, ata e bëjnë punën e tyre, punë që është në kundërshtim të thellë me interesat vitale e kapitale të LRSHJ-së.
Çdo anëtar i organizuar, çdo simpatizues apo adhurues i LRSHJ-së duhet ta ketë të kjartë se vija e drejtë politike mund të shkelet vetëm nga provokatorët dhe agjentët e serbomëdhenjve, andaj çdo person që shihet duke vepruar nga pozita të tilla, duhet demaskuar dhe duhet me ia dhënë atë që e meriton - emrin që i takon, pa marrë parasysh se cili është.
Vija e drejtë politike e LRSHJ-së duhet të ruhet si sytë e ballit. Duke u ruajtur vija e drejtë e saj, njëherit ruhet e mbrohet vet LRSHJ-ja nga çdo e ligë dhe e papritur.
Shovenistët serbomëdhenj, detyrë kryesore i kanë dhënë vetes që me çdo kusht ta dizorientojnë vijën e drejtë të LRSHJ-së, që LRSHJ-në ta fusin në qorrsokak nga nuk mund të dalë kurrë më!
Populli shqiptar në Jugosllavi, në ballë me LRSHJ-në, e ka kuptuar qëllimin e çdo trillimi, shpifjeje e gënjeshtre të serbomëdhenjëve dhe të gjitha ato gjëra të ulta ua hedh në fytyra, ua zbulon qëllimet me kohë dhe ua hedh në vendin e mbeturinave, fakte që po i gjunjëzojnë planet dhe synimet e shovenistëve në Jugosllavi. Po këta serbomëdhenj, nëpërmjet veglave të tyre qorre duan të flasin me gjuhën tonë, që LRSHJ-në ta "hedhin" në pozita të padëshiruara të tyre, që ne të mos kapemi me çështjet më qenësore, por të mirremi me gjëra me më pak interes.
Pararoja e popullit shqiptar në Jugosllavi e ka kapur gjedhin për brinash e ka gjunjëzuar dhe më kot tentojnë që gjedhit t'ia lëshojmë brirët, mirëpo, nëse i lëshojmë brirët e gjedhit, në duar na mbetet bishti ose vetëm disa qime të bishtit.?
Jo, gjedhin nuk do ta lëshojmë nga brirët, por do t'i japim të gjitha forcat dhe brirët do t'ua shtrëngojmë akoma më tepër, se kjo është e vetmja mundësi që ta detyrojmë gjedhin të futet në ahur dhe të sillet më mirë e më drejtë edhe me ne.
Do ta fitojmë Republikën shqiptare që na takon, ashtu si e kanë edhe popujt e tjerë në RSFJ.
Gjedhi (nënkupto serbomëdhenjtë), ose do të jetë i detyruar të bëhet më i disiplinuar ose do të ngordhë.
Populli shqiptar në Jugosllavi, në ballë me pararojën e saj - LRSHJ nuk do të qetësohet pa e realizuar këtë të drejtë të ligjshme, kurse vija e drejtë politike e LRSHJ, e drejtë ka qenë dhe e drejtë do të mbetet. Nuk ka forcë që t'ia shtrembërojë kahet, qëndrimet dhe synimet e saj.
KOMITETI QENDROR I LRSHJ

SHUMËZOJE - SHPËRNDAJE

T H I R R J E

BASHKATDHËTARË!
PUNËTORË MËRGIMTARË!
VËLLËZËR DHE MOTRA!
TË PËRSEKUTUAR E TË ARRATISUR NGA KOSOVA!
Më 18 janar në Shtutgart, LEVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN
E KOSOVËS organizon

MARSHIM PROTESTUES

Në përvjetorin e rënies së shokëve, bijëve të popullit: JUSUFIT, KADRIUT, BARDHOSHIT - të cilët UDB i vrau më 17 janar 1982 në Untergrupenbah afër Shtutgartit në Gjermani; përvjetorin e REXHEPIT dhe NUHIUT - të cilët më 12 janar 1984 ranë heroikisht duke luftuar me policinë speciale në Prishtinë; përvjetorin e BAJRAMIT, i cili ra heroikisht në luftë me shovinistët serbë dhe tradhtarët, më 8 shkurt 1984 në Prishtinë dhe përvjetorin e ZIJAHUT, të cilin e vrau mizorisht UDB më 4 maj 1985 në "CZ" burgun famëkeq të Beogradit.
Shembëlltyra e Tyre është e pavdekshme. Ata, me jetën e Tyre veprën dhe rënien heroike, i treguan armikut të përbetuar shovinistëve serbomëdhenj dhe tradhtarëve, se populli i Kosovës është i pamposhtur dhe s'ka forcë që mund ta ndalë drejt fitores së lirisë, e në anën tjetër, na dhanë forcë, na dhanë zemër e guxim për të luftuar edhe më me hov e revolucionaritet për lirinë e Kosovës së robëruar, e cila po rënkon nën thundrën e pushtuesve serbo-maqedono-malazezomëdhenj dhe popullit i shtuan forcë e kurajo për të realizuar kërkesën për Republikë.
E gjithë veprimtaria e Tyre ishte revolucionare - është shembulli dhe rruga më e mirë për të gjithë ne se si duhet të jetojmë, punojmë, krijojmë e luftojmë për çlirimin e popullit tonë. Ata janë edhe krenaria jonë, janë bijtë, vëllezërit dhe shokët tanë; është krenar i gjithë populli shqiptar për këta bij që i lindi e i rrit me zemër të madhe dhe i brumosi me idealet më fisnike e më të larta njerëzore, e Ata dijtën aq denjësisht t'i shërbejnë atij.
Bashkatdhetarë!
Të mblidhemi grusht bashkuar dhe të përkujtojmë në mënyrë revolucionare gjakun e Tyre të derdhur, këta emra lirie, duke protestuar e demonstruar kundër regjimit shtypës e vrasës të pushtetmbajtësve të Beogradit.
Bashkatdhetarë!
Të përkujtojmë Jusufin, "personalitetin e Kosovës", siç thotë Ismail Kadare, Jusufin që diti aq mirë të na i qajë hallet tona, që aq guximshëm na foli për vuajtjet, mjerimet tona dhe po me aq guxim e qartësi na tregoi perspektivën tonë duke na udhëzuar të jemi gjithmonë: "Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli".
Të përkujtojmë KADRIUN, që me punën e tij revolucionare na ndriti mendjet tona duke na bërë të qartë kurdoherë se vetëm me rrugë marksiste-leniniste do të fitojmë lirinë e vërtetë, se vetëm duke punuar ditë e natë, populli dhe bijtë e tij më të mirë, do ta çlirojnë Kosovën nga pushtuesit serbë. Ai që atëherë ngriti zërin botërisht se: "Sot është bërë e qartë për të gjithë botën situata në Kosovë, jo vetëm që nuk ka për t'u normalizuar, por ajo po ndërlikohet për ditë e më shumë. Përgjegjësinë për këtë e mban qeveria shoviniste e Beogradit".
Të përkujtojmë BARDHOSHIN, shokun e urtë e të thjeshtë, punëtorin e palodhur për çështjen e madhe të popullit, për lirinë e tij. Ato që na i thoshte ne punëtorëve mërgimtarë, i mbrojti dhe i vulosi me gjakun e tij: "Kurbetçinjtë i detyroi skamja e mjerimi nën robëri që të marrin botën në sy për të fituar bukën e gojës. Tani kur vrasësit e Beogradit po shkelin e therin me tanka e bajoneta motrat dhe vëllezërit tanë, që po kërkojnë Republikë dhe kthimin tonë në atdhe, duhet t'i mbështesim. Ndryshe, shkelim mbi gjakun që po derdhin ata në Kosovë".
Të përkujtojmë REXHEPIN, revolucionarin e paepur, që s'u përkul kurrë para torturave të UDB-së kriminale nëpër burgjet dhe kampet jugosllave; të përkujtojmë veprën e tij të pavdekshme që e shkroi dhe e vulosi me gjak duke rënë në fushën e nderit së bashku me Nuhiun. Rexhepi armiqve dhe tradhtarëve iu thoshte hapur: "Nuk ka më marrëveshje me ju; jemi dy palë të kundërta, të papajtueshme, pasi që kupën e keni mbushur që moti. Durim nuk ka, pasi kaherë ju keni humbur çdo ndjenjë humane".
Të përkujtojmë NUHIUN, i cili me konsekuencë realizoi të gjitha detyrat dhe deri në fund të jetës së tij qëndroi me frymën lart, duke rënë heroikisht aty ku e nxori detyra së bashku me Rexhepin dhe në përleshje me armikun serbomadh ra në fushën e nderit. Ai thoshte: "Armiku duhet qëlluar vazhdimisht në pikat më të dobta, ashtu siç mundohet edhe ai të na qëllojë ne".
Të përkujtojmë BAJRAMIN, të riun komunist, i cili armiqve dhe tradhtarëve u dha plumbat e popullit. Duke luftuar i rrethuar nga njësitë speciale ra heroikisht, duke thënë: "S'i dorëzohem për së gjalli të huajit! Nga vatrat tona armiqtë gjithmonë do të marrin plumbat e patriotëve shqiptarë - luftëtarëve të lirisë!"
Të përkujtojmë ZIJAHUN, patriotin e flaktë, që e kuptoi aq lart padrejtësitë që i bëhen popullit tonë të robëruar dhe me vullnet e guxim u inkuadrua në luftë për liri. Zijahun, shokun tonë të halleve e vuajtjeve të kurbetit, mësuesin pa ditar, i cili me vetmohim zbatoi të gjitha detyrat që iu shtruan përpara për çështjen e Republikës së Kosovës, e vranë në tortura e sipër kriminelët e UDB-së, vetëm e vetëm se mbrojti parime e konstatime të këtilla të drejta si këto: "Kosova Republikë" nuk është drejtuar as kundër popujve të Jugosllavisë dhe as kundër federatës së tyre. Ajo jo vetëm që nuk rrezikon Federatën jugosllave, por përkundrazi do ta forcojë atë. Rreziku për shkatërrimin e një shteti vjen jo nga liria e barazia e popujve e qytetarëve të tij, por përkundrazi, vjen nga pabarazia, shtypja e shfrytëzimi i tyre."
Bashkatdhetarë!
Në kët marsh Protestues, të shprehim fuqishëm indinjatën tonë për krimet e UDB-së mbi bijtë e popullit; Jusufin, Kadriun, Bardhoshin, Rexhepin, Nuhiun, Bajramin, Zijahun si dhe për të gjitha ato krime, burgosje e tortura që bëri e po bënë armiku dhe tradhtarët mbi rininë tonë heroike e mbi gjithë popullin shqiptar në Jugosllavi.
T'i vizitojmë e mbulojmë varret e shokëve me lule e kurora të freskëta, siç i mbulon, çdoherë, populli ynë varret e heronjve dhe dëshmorëve që ranë për lirinë e tij.
Pas Marshimit Protestues do të mblidhemi të gjithë në një sallë dhe në atë Mbrëmje Përkujtuese, këta yje të lirisë do t'i përkujtojmë me fjalime, recitime e këngë.

POSHTË TERRORI E DHUNA QË PO USHTROHET MBI POPULLIN SHQIPTAR NË JUGOSLLAVI!
POSHTË SHOVINIZMI SERBO-MAQEDONO-MALAZEZOMADH!
LAVDI TË RËNËVE PËR LIRI!
LAVDI VEPRËS SË PAVDEKSHME TË JUSUFIT, KADRIUT, BARDHOSHIT, REXHEPIT, NUHIUT, BAJRAMIT DHE ZIJAHUT!
RROFTË POPULLI YNE HEROIK!
RROFSHIN TË BURGOSURIT POLITIKË!
RROFTË LEVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS!
KOSOVA REPUBLIKË!

LEVIZJA POPULLORE
PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS
(Sqarim: Vendtakimi prej ku fillon Marshimi Protestues: SCHLOSPLATIC - afër stacionit - Haupthanbof. Marshimi fillon në orën 11)

NJOFTIM INTERN PËR ANËTARËT DHE AKTIVISTËT E LEVIZJES
MBI DISA NDRYSHIME QË DO TË BËHËN NË ORGANIZATËN E MASAVE
LRSSHJ SI DHË NË ORGANIN E SAJ "ZËRIN E KOSOVËS"


Shokë dhe shoqe!
Duke pasur parasysh se më 17 shkurt 1982, gjatë bashkimit të organzatave, u bënë gabime si në emërimin e organizatës së re ashtu dhe në fizonominë e saj:
Duke pasur parasysh, veçanërisht se duhet të përcaktohet qartë karakteri i organizatës, punë që nuk u bë më 17 shkurt e as më 15 maj, 1982;
Duke pasur parasysh oshilimet që u bënë në karakterin, vijën dhe fizionominë e organizatës dhe të organit të saj "Zëri i Kosovës", që nga 17 shkurti e gjer më sot, si dhe rrymimet ideologjike, politike dhe organizative brenda dhe jashtë;
Duke pasur parasysh se pasojat e këtyre lëshimeve dhe gabimeve në të kaluarën do të frenojnë ecjen përpara drejt Republikës së Kosovës;
Duke pasur parasysh edhe situatën që u krijua në ndërkohë nga veprimtaria e regjimit serbomadh të Beogradit kundër Lëvizjes: Patriotët, komunistët dhe të gjithë liridashësit që veprojnë jashtë Kosove, vlerësuan drejt gjendjen jo të mirë të unitetit dhe të bashkimit, të kurbetçinjve dhe të të arratisurve dhe, përgjithësisht të Lëvizjes; vlerësuan drejt nevojën e bashkimit të të gjitha forcave të shëndosha patriotike e komuniste dhe që janë për Republikën e Kosovës, si dhe në anën tjetër, dëshirën e flaktë dhe kërkesat e parreshtura që të kapërcehen të gjitha vështirësitë në luftën tonë të drejtë për Republikë në kuadër të RSFJ-së.
Në konsultime të dobishme sqaruese dhe parimore me të gjithë ata që donin bashkimin e vërtetë rreth parullës famëmadhe "KOSOVA REPUBLIKË" si dhe orientimet e shokëve nga Kosova, u arrit një bashkim dhe unitet mendimi dhe veprimi. Kështu, pjesa më e vetëdijshme e patriotëve dhe e komunistëve të Kosovës që veprojnë jashtë, në muajin shtator të këtij viti, mbajtën MBLEDHJËN E PARË RIORGANIZUESE TË KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM, në të cilën morën pjesë edhe shokë të rinj në përbërjen e udhëheqësisë së organizatës dhe u vendos:

I
Organizata "Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi" tash e tutje të emërtohet "LEVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS".
Termi LEVIZJE POPULLORE shpreh më së mirë karakterin e organizatës sonë të të gjitha masave popullore, formën e organizmit të tyre. Ky emërtim përban emërtimin e drejtë politik e organizativ në luftën për Republikën e Kosovës, ku duhet të përfshihen të gjitha masat popullore pa dallim klase, bindjeje politike, feje e krahine, ndërsa më parë lihej vend për shumë interpretime.
Të hiqet termi SOCIALISTE, sepse vetë fakti se detyrë e drejtëpërdrejtë kërkesë e jona është Konstituimi i Republikës në kuadrin e RSFJ-së, pra në të njëjtin sistem ekonomiko-shoqëror, e përjashton këtë term në emërtimin e organizatës gjithëpopullore. Në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës, do të bëjnë pjesë të gjitha organizatat dhe grupet ilegale komuniste, patriotike e revolucionare, pavarësisht nëse është Republika qëllimi i tyre i fundit ose jo, pavarësisht nëse janë ose jo për socializmin e vërtetë.
Në vend të SHQIPTARË duhet të thuhet e KOSOVËS, pasi termi SHQIPTAR nuk është i saktë, për emërtimin politik e administrativ të Republikës së Kosovës dhe si emërtim nuk paraqet drejt ekskluzivitetin e përbërjes nacionale të republikës së ardhshme të Kosovës, njëkohësisht i jep material armikut të akuzojë se populli shqiptar në Jugosllavi po kërkon të shpërngulen të gjitha pakicat kombëtare nga trojet e banuara me shqiptarë. Përkundrazi, Republika e Kosovës do të jetë edhe e pakicave kombëtare që jetojnë në të dhe nga e cila do të kenë dobi. Pra, për emërtim më të saktë politik, administrativ e gjeografik të trojeve shqiptare të coptuara e të sunduara nga tri republikat: e Serbisë, e Maqedonisë dhe e Malit të Zi, duhet të përdorim termin REPUBLIKA E KOSOVËS.
Të hiqet termi NË JUGOSLLAVI, sepse kuptohet qartë se Republika e Kosoves kërkohet në kuadrin e RSFJ-së.

II
Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës ta udhëheqë KËSHILLI I PËRGJITHSHËM, KRYESIA E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM,
sepse:
Emërtimet për udhëheqjen e LRSSHJ-së: KOMITET DREJTUESE, KOMITET QËNDOR, nuk ishin adekuat për një organizatë me tipare të organizatës së masave. Kështu, këto emërtime për udhëheqjen e LRSSHJ-së nuk shprehnin rolin e njëmendshëm për një organizatë të masave.
Termi KËSHILLI I PËRGJITHSHËM, për përbërjen e gjërë të udhëheqësisë së LEVIZJËS POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS (LPRK) është adekuat me rolin që do të luajë në drejtimin e organizatës, ndërsa përbërja e ngushtë e kësaj udhëheqësie, KRYESIA E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM, do të kryejë detyrat praktike për orientimin, zbatimin dhe kontrollimin e punëve dhe rrjedhës së tyre në organizatë.
LRSSHJ, pavarësisht oshilimeve politike dhe organizatave, megjithatë luajti rol të rëndësishëm në mobilizimin e masave, i bëri ato edhe më të vetëdijshëm për rolin e tyre në bashkimin e forcave për t'i dalë krah për të luftuar për Republikën e Kosovës. Ajo dha kontribut sidomos në organizimin e demonstratave anekënd Evropës Perëndimore, edhe më gjërë si dhe në organizimin e tubimeve përkujtimore për shokët e rënë e të burgosur nga terrori shovinist serbo-maqedona-malazez. Prandaj, në këtë drejtim roli i LRSSHJ-së ishte i madh.
Këto ndryshime që po bëhen, Lëvizjen do ta ngrejnë edhe më lartë në aspektin e vijës politike e organizative.

III
Gazeta "ZËRI I KOSOVËS", organ i organizatës së masave të vazhdojë të dalë me të njëjtin titull,
sepse:
Si emërtim të një organizate të tillë shpreh më së miri, edhe me titullin e vet, zërin e vërtetë të popullit shqiptar në Jugosllavi.

IV
Parulla "PROLETARË TË TË GJITHA VENDEVE DHE POPUJ TË SHTYPUR, BASHKOHUNI" të hiqet nga ballina e gazetës dhe të mos vihet kurrfarë parulle,
sepse:
Heqja e saj do të shkonte në dobi të përfshirjes dhe të bashkimit të të gjitha klasave e individëve me bindje të ndryshme politike e fetare, dhe nga ana tjetër nuk ka nevojë të vihet kurrfarë parulle, sepse vetë emërtimi i organizatës "Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës" shpreh më së miri qëllimin e kërkesës së popullit tonë.

V
Gjithashtu, nga ballina e gazetës të hiqet pushka-shtizë në Flamurin Kombëtar dhe ky të vihet në një shtizë të zakonshme, mbajtur në dorë,
sepse:
Kërkesa e popullit tonë KOSOVA REPUBLIKË nuk e nënkupton në vete dhe nuk është një kërkesë për ndërrimin rrënjësor revolucionar me armë në dorë. Konstituimi i Republikës së Kosovës, edhe pse është një hap përpara, progresiv, një hap revolucionar (në mënyrë revolucionare e kërkoi populli), por nuk është edhe vetë revolucioni. Ajo mbetet si qëllim, detyrë dhe si kërkesë demokratike e kombëtare që hap perspektivën e zhvillimit kombëtar dhe shoqëror të popullit shqiptar në Jugosllavi.

VI
Gazeta "ZËRI I KOSOVËS" të dalë si organ i organizatës "LEVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS".
Organi i LRSSHJ-së "Zëri i Kosovës" si gazetë që dalëngadalë mori tiparet e një gazete politike-informative për masat e gjëra është bërë një tribunë ku masat e gjëra popullore gjejnë veten, ku ato informohen për situatën aktuale, një tribunë ku qartë del domosdoshmëria e formimit të Republikës së Kosovës në kuadër të RSFJ-së.
Oshilimet që kishte, sidomos në formën e tij, ishin përpjekje për të gjetur me këmbëngulje vijën e drejtë e të qartë të detyrës që kishte mbi vete si organ për informim e mobilizim të të gjitha masave. Të metat që kishte në këtë drejtim, nuk mund ta zbusin rolin e madh që luajti deri tash "Zëri i Kosovës".
Me ndryshimet që po bëhen "Zëri i Kosovës" edhe më mirë do ta kryejë detyrën në propagandimin e drejtë e të qartë të vijës politike e organizative të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës.
* * *
Këto ndryshime janë rezultat logjik i fazës më të pjekur të luftës sonë dhe i kërkesës këmbëngulëse të popullit tonë që Kosovës t'i njihet statusi i Republikës në kuadër të RSFJ-së.
Të gjitha këto ndryshime që po bëhen në organizatën tonë dhe organin e saj "Zërin e Kosovës", shprehin realisht si asnjëherë më parë thelbin dhe karakterin e vërtetë të luftës sonë, të kërkesave të drejta gjithëpopullore të popullit shqiptar në Jugosllavi për Republikën e Kosovës në kuadrin e RSFJ-së.
Eshtë e qartë se vetëm bashkimi, uniteti i popullit rreth parullës "KOSOVA REPUBLIKË", vetëm fryma vëllazërore e organizimit rreth saj janë vendimtare në realizimin e statutit të Republikës në kuadrin e Federatës.
Thirren të gjithë ata, të cilët vërtet duan të luftojnë për të mirën e Kosovës, për lirinë e saj, që të lënë mëritë, t'i flakin mënjanë urrejtjet e hasmëritë e tjera dhe pa dallim bindjeje politike, feje e krahine, t'i bashkohen luftës për Republikën e Kosovës.

RROFTË LEVIZJA POPULLORE
PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS!
RROFTË "ZËRI I KOSOVËS"!
KOSOVA REPUBLIKË!

KËSHILLI I PËRGJITHSHËM I LEVIZJËS POPULLORE
PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS
Shtator, 1985)
Procesverbal i Mbledhjes së Bashkësisë së Klubeve Shqiptare
në Mërgim
17.05.1986 SK, Hamburg.

Rendi i ditës


1. Riorganizimi i BKSHM (BASHKËSIA E KLUBEVE TË SHQIPTARËVE NË MËRGIM) dhe shqyrtimi i statusit të saj (pika e tretë në vazhdim prej mbledhjes të kaluar).
Fjalën e mori kryetari i BKSHM-së dhe tha se, sot jemi tubuar që të bëjmë riorganizimin e BKSHM, të bëjmë zgjedhjen e delegatëve të klubeve dhe, nëse e shihni të arsyeshme, edhe këshilltarët e rretheve.
Shoku nga klubi "Ibe Palikuqi" thotë se, do të ishte mirë që të sqarohet roli i BKSHM dhe të dihet vija politike dhe ideore e saj. Për ndryshe është vështirë edhe të punohet dhe të arrihen rezultate.
Shoku nga shoqëria "DRITA" tha se çdo gjë që është në dobi të çështjes kombëtare, është e drejtë dhe e ka rolin e vet shumë të rëndësishëm.
Shoku nga Malmo tha se me të vërtetë nëse i zbatojmë rregullat dhe kemi rend e disiplinë, edhe puna do të na shkojë mbarë dhe sukseset nuk do të mungojnë. Roli i BKSHM u cek edhe në mbledhjet e mëparshme. Bashkëpunimi në mes të klubeve dhe shoqërive kemi thënë se është më se i domosdoshëm. P.sh. ne në Malmo i kemi disa mundësi, që rrethet e tjera nuk i kanë, por edhe ne nuk i kemi disa mundësi që i kanë rrethet e tjera, kur është fjala konkretisht për kuadrot e shkolluar. - Shoku nga klubi "Ibe Palikuqi" kërkon ta dijë se a është iniciativa e formimit BKSHM iniciativë e lëvizjes?
Shoku nga klubi "Emin Duraku" nga Dusseldorfi e mori fjalën dhe tha se është më se e vërtetë se BKSHM ka qenë iniciativë e kahershme edhe prej shokëve që janë flijuar për liri. Do të thotë se me shpërthimin e demonstratave u pa e arsyeshme që të krijohen mundësi për tubime, për mundësi me u takue në mes veti, me u ngritë në mënyrë ideologjike dhe kulturore; do të thotë në një mënyrë apo në një tjetër jemi në shërbim të atdheut dhe është shumë përparimtare. Me fjalë të tjera nëse jemi aktivë, vetëvetiu jemi në veprim në aksion të drejtëpërdrejtë.
Shoku nga klubi "Ibe Palikuqi" thotë se, në fillim nuk dinin anëtarët e klubit se ekziston BKSHM, por më vonë u larguan shumë anëtarë, nga disa persona gjoja si të deleguar nga BKSHM.
Shoku nga Shoqëria e Bresmenit thotë se, me vetëdije të plotë e dimë se bashkimi bënë fuqinë, dhe vullneti ynë i përgjithshëm është të bëhet një bahkim i shëndoshë dhe shtrohet pyetja sa janë arritur rezultate dhe nëse nuk janë arritur, përse nuk janë arritur.
Kryetari i BKSHM thotë se, puna e jonë është pikërisht kjo: të tubohemi, t'i shqyrtojmë hallet tona të përbashkëta. Kjo është punë kur tubohemi dhe shijojmë programe të videokasetave me motive kulturore, politike dhe ideore. Ta brumosim qendresën dhe vetëdijën tonë për qëndrim patriotik dhe revolucionar.
Shoku nga klubi "Emin Duraku" thotë se, BKSHM është formuar në fund të vitit 1983. Dhe fraksioni lindi në vitin 1984.
Me fjalë të tjera BKSHM nuk pati afat të gjatë për aktivitet sepse fraksioni e pat penguar aktivitetin (gjegjësisht disa persona). Tani e tutje BKSHM mund të bëjë një punë shumë të frytshme, por kjo varet edhe prej nesh, ne duhet ta bëjmë një bashkim të shëndoshë dhe të lidhemi me njëri-tjetrin dhe ta bëjmë një atmosferë pune dhe aktiviteti.
Shoku nga klubi "Emin Duraku" (H) thotë se, ne duhet ta bashkojmë masën, masa nuk ka nevojë për përçarje.
Shoku nga Malmo, që ka për ta mbajtur rendin kërkoi, edhe njëherë që të mbahet rregulli dhe qetësia.
Shoku nga Hamburgu thotë se: "thamë që bashkimi është fuqia jonë". Një shok tjetër i po të njëjtit klub thotë se, duhet të kalojmë në mendime konkrete, se si e shohim fizionominë e BKSHM.
Mendime konkrete:
1. Shoku nga Malmo thotë se, do të ishte konkrete p.sh. nëse Shoqëria jonë nga Malmo, i përgjigjet në thirrje Shoqërisë nga Bremeni, me të gjitha mundësitë që posedon (me këngëtarët, futbollistët, recituesit etj).
Shoku nga klubi "Emin Duraku" thotë se, ne kemi pasë dhe kemi një etje për shkollim. Kemi një masë të mrekullueshme, nuk ka fuqi që e degjeneron. Pra, me kohë, u shtrua nevoja të hapen klube dhe të përhapet kultura e mrekullueshme dhe ndërgjegja e pastër. Meqë u hapën shumë klube, u pa e arsyeshme të formohet edhe BKSHM, për arsye që të mos i bjerë e tërë barra një rrethi apo një tjetri. Pra është shumë e drejtë dhe përparimtare.
Shoku i rrethit të Achenit, thotë se që në fillim pat vështirësi, por me aktivitet të pandalshëm filloi një bashkim i vrullshëm. Jam për atë që të funksionojë BKSHM dhe të na ndihmojë në aktivitetin tonë në bazë të statusit të saj, por edhe pikërisht aty ku shtrohet nevoja.
Shoku nga Berlini thotë se edhe unë jam për funksionimin e BKSHM dhe të punojmë konkretisht me një program dhe rregullore. Njerëzit duhet ta marrin detyrën me përgjegjësi dhe me ndërgjegje të pastër të kontribuojnë në këtë drejtim. Të kalojmë në hapa konkretë sa më parë.
Shoku nga klubi "Isa Boletini" thotë se shoku nga Hamburgu pohon se, BKSHM duhet ta ketë programin e vet. Kjo duhet të jetë një organizëm që e njeh punën e klubeve dhe duhet të ketë të kjartë vijën e saj politike që të përputhet me kërkesën e popullit tonë.
Shoku nga klubi "Emin Duraku" thotë se detyrë e jona është që me mençuri të depërtojmë nëpër masa ku ka shqiptarë, dhe sipas mesit ta zgjedhin metodën e veprimit (në bazë të filmave me domethënje kombëtare; me artikuj të zgjedhur qoftë edhe nga Rilindja). Shoku thotë se, është më së e domosdoshme që grupeve qëllimkëqia t'ua mbyllim rrugët.
Kryetari BKSHM thotë se, është më e se e domosdoshme që ta zgjedhim metodën se si ta bindim masën që të i bashkëngjitet aktivitetit tonë.
Sot jam në gjendje të veproj në këtë drejtim, pa pyetur fare për rrezikimin e pasaportës.
Historia na ka treguar se masa e shëndoshë nuk është mashtruar kurrë dhe çdo herë ka dalë fitimtare. Sot shtrohet nevoja për ta bashkuar masën, duke i lënë anash afërsitë familjare; aty ku të vrejmë se shoku gabon, t'i bëjmë kritikë shoqërore dhe nëse nuk ka qëllime të këqia vërtetë do të përmirësohet. Përndryshe nëse heshtim vetëm se e kemi të afërt apo mik, mund të gabojmë edhe vetë. Vetëm tubimi ynë është grusht i fortë për armikun.
Shoku nga Malmo thotë se këtu jemi në një vend të huaj ku është një lloj demokracie, dhe është një liri e tepërt veprimi, ku nganjëherë veprohet edhe mbrapsht. Ndërsa vatra e veprimit është pikërisht brenda në Kosovë, atje ku ka sa e sa doktorë shkencash. Andaj fuqia jonë është pikërisht bashkimi dhe aktiviteti. Vetë jeta është politikë. Nuk ndahet kultura nga politika. Të jemi të besës; të mos i bëjmë keq askujt. T'i analizojmë gjërat. Ne nëse jemi të bashkuar e gjejmë edhe rrugën tonë të drejtë.
Shoku nga Hamburgu, thotë se deri më tani u biseduan shumë gjëra të mira. Përvojë kemi mjaft, vetëm ai që nuk do. Në se nuk bëjmë punë intensive, do të na humbin edhe shumë anëtarë. Na duhen dijetarë, por ata duhet t'i ngasim dhe ta çmojmë punën e tyre. Ne të gjithë jemi ushtarë, por po ta kishim një ekspert të lëvizjes, kishte me i nxjerrë shumë gjëra të vlefshme prej nesh këtu.
Shoku nga shoqëria "Drita" tha se në përgjithësi më pëlqyen diskutimet, e veçmas më pëlqeu diskutimi i shokut nga klubi "Emin Duraku" të Dusseldorfit dhe diskutimi i shokut nga shoqëria "KOSOVA" në Malmo. Ne kemi nevojë për funksionimin e BKSHM dhe ta zgjedhim një program të përbashkët, i cili është i përshtatshëm për veprim. Pra, ne njohim vetëm një armik, nuk kemi shokë të humbim, e thash e thënat po bëjnë ende punë të dëmshme. Çdo shqiptar ka mundësi t'i kontribuojë popullit të vet., por luftën duhet ta orientojmë vetëm kundër armikut.
Shoku nga Goteborgu (Suedi) thotë se më pëlqen funksionimi BKSHM dhe kurrsesi nuk duhet të shuhet, por shpresoj që do të bëhet një riorganizim i drejtë dhe të krijohen marrëdhënie për bashkëpunim në mes të klubeve dhe shoqërive.
Konkluzion: Të gjithë njerëzit jemi të mendimit që të bëhet riogranizimi i BKSHM-së dhe shqyrtimi i statusit të saj.

II
Riorganizimi i BKSHM dhe shqyrtimi i statusit.
Statusin e lexoi shoku nga klubi "Emin Duraku". Gjatë leximit u vërejt se duhet të bëhen disa ndryshime të vogla (sidomos sa i përket riorganizimit).
Shoku kryetar i BKSHM-së propozon që bashkësia të emërtohet: Bashkësia e Klubeve Shqiptare nga Jugosllavia në Evropën Perëndimore (BKSHJEP). Ai thotë se, që në fillim Bashkësia e nisi punën në formën e statusit të lexuar, ndërkohë disa anëtarë të kryesisë u larguan, dhe tani kanë mbetur vetëm tre anëtarë.
Propozohet të zgjidhet kryesia prej pesë anëtarëve.
Nën A) 1. Kryetari - Faridin Tafallari
2. Nënkryetari - Hyzri Rekaj
3. Sekretari - Sulejman Thaqi
4. Arkatari - Shaip Zeqiri
5. Një anëtar - Qamil Salihu (Zvicër)
Kjo u vendos njëzëri.
B. Këshilli drejtues propozohet që të ketë nga një këshilltar të shteteve
të Evropës Perëndimore.
1. Këshilltar për Gjermani propozohet - Bajram Mula
2. Këshilltar për Suedi propozohet - Xhemajl Duraku
3. Këshilltar për Zvicër propozohet -Xhemil Beqiri
4. Këshilltar për Francë propozohet - Ibush Bytyqi
5. Këshilltar për Belgjikë propozohet - Xhema
- Propozohet që të formohet fondi i Bashkësisë
- Propozohet që trakat të na i sigurojnë shoku këshilltar.
Do të thotë se u miratuan propozimet.
Shoku këshilltar për Gjermani propozon që delegatët t'u bëjnë vizitë
klubeve dhe të shohin situatën se si jetojnë bashkatdhetarët tanë.
Kryetari propozon që të respektohen rregullat dhe çdo njeri ta marrë me
përgjegjësi punën konkrete.
Vijojnë nënshkrimet.

STATUT I BASHKËSISË SË KLUBEVE
TË PUNËTORËVE SHQIPTARË NGA JUGOSLLAVIA
PËRKOHËSISHT NË MËRGIM


Përfaqësuesit e klubeve dhe të shoqërive propozuan që koordinimi i punës së tyre të bëhet përmes organizimit të tillë që u vendos të quhet "Bashkësia e klubeve të punëtorëve shqiptarë nga Jugosllavia përkohësisht në mërgim".
a) Bashkësia e ka selinë e saj në Bern të Zvicrës.
b) Duke e pasë parasysh territorin e gjerë që përfshin, ajo ka mundësi, që Bashkësia sipas rastit të organizojë tubimet e veta edhe në qytete të tjera.
2.
Bashkësia u formua me qëllim që t'i japë shtytje aktivitetit dhe mbarëvajtjes së klubeve, ta koordinojë punën e tyre dhe të organizojë ndihmën e tyre reciproke, e cila është e domodshoshme.
Ajo punën e vet do ta orientojë edhe në atë drejtim që rrethet e ndryshme të aktivizuara, t'i organizojë në nivel të klubeve.
3.
Klubet dhe rrethet e ndryshme në Bashkësi dërgojnë nga një delegat. Me rastin e thirrjes së tubimit të Bashkësisë, nëse delegati i ndonjë klubi apo shoqërie nuk ka mundësi të shkojë në atë tubim, çështja zgjidhet në atë mënyrë që klubi në fjalë dërgon për atë tubim një tjetër të deleguar vetëm për atë rast, i cili zgjidhet me pëlqimin e udhëheqësit të klubit dhe të delegatëve të tij.
4.
Bashkësia do të koordinojë të gjitha aktivitetet e lira në nivel të Bashkësive të klubeve.
Kjo do të realizohet përmes organit më të lartë të Bashkësisë, i cili quhet, Këshilli Drejtues i Punës, i cili përbëhet prej tre deri pesë vetave.
a) Këshilli Drejtues i Punës (KDP) në përbërjen e vet ka Kryetarin, nën Kryetarin, Sekretarin, Arkatarin dhe një anëtar për çështje të propagandës.
b) KDP ka edhe ndihmësat që u vendos të quhen "Këshilltarë", të cilët janë nga një nëpër vende të ndryshme në mërgim.
c) Përfaqësimi i vendeve të tjera që ende nuk janë të përfaqësuara me Këshilltar pranë KDP-së, do të bëhet në të ardhmen në raport me aktivitetin që do të organizohet nëpër ato vende.
d) Tubimet e rregullta KDP së bashku me Këshilltarët do t'i mbajë në çdo tre muaj, ndërsa tubimet me të gjithë Këshilltarët e delegatët e të gjitha klubeve në çdo gjashtë muaj një herë.
e) Tubimet zgjedhore për KDP do të mbahen për çdo vit njëherë.
f) KDP në raste të nevojshme mund të thërresë tubim të jashtëzakonshëm të Bashkësisë.
5.
Në kuadrin e Bashkësisë dhe nën udhëheqjen e KDP do të funksionojnë edhe këto grupe punuese;
- grupi punues për aktivitete rreth organizimit të turnireve të shahut dhe sporteve në përgjithësi,
- grupi punues për aktivitetin e grupeve muzikore, të valleve dhe recitimeve,
- grupi punues për shpërndarjen e programeve televizive dhe të filmit,
- grupi punues i cili do të mbajë evidencën për të gjithë inventarin e të gjitha klubeve.
6.
Të punojë për grumbullimin e shënimeve dhe të shpeshtojë kontaktet.:
a) me të gjithë punëtorët socialë dhe përkthyesit e ndryshëm.
b) me përfaqësues aktivistë të sindikatave të vendit dhe me aktivistë të tjerë vendas që merren me problemet e të huajve, të cilët do të mund t'u vinin në ndihmë punëtorëve tanë.
7.
Bashkësia, lidhur me çështjet materiale do të përpunojë një politikë të atillë që përveç nivelizimeve dhe ndihmave për iniciativa do të ketë orientime të qarta lidhur me detyrimet e veta ndaj popullit të Kosovës. Bashkësia materialisht do të ndihmohet nga të gjitha klubet duke u mbështetur në kushtet e secilit klub dhe rreth.
Ky Statut u miratua në mbledhjen e parë të Bashkësisë së klubeve dhe rretheve që u mbajt më 16.10.1983.
Me disa ndryshime që bëri në mbledhjen e gjerë më 17.05.1986 në Hamburg.

HISTORIKU I SHKURTËR I ORGANIZATËS
MARKSISTE-LENINISTE TË KOSOVËS
DHE VEPRIMTARISË SË SAJ REVOLUCIONARE


Bërthama Revolucionare, paraardhëse e OMLK-së, më 1969 u muar me organizimin e demostratave të 27 nëntorit 1968, por realizimi i tyre për shumë shkaqe dështoi.
Ky dështim për bërthamën revolucionare ishte një mësim i mirë për luftën e mëtutjeshme. Kështu që posa dolën nga burgu ata më parë u morën drejtëpërdrejt me organizim duke formuar më 1972 "Grupin Revolucionar" (GR).
GR-ja duke aplikuar metodat marksiste-leniniste të veprimtarisë ilegale si dhe duke u bazuar dhe mbështetur fuqimisht në mësimet e klasikëve të marksizëm-leninizmit arriti që të krijojë një rrjetë të fortë dhe të qëndrueshme organizative, e cila jepte shpresa se më në fund do të sigurohej një vazhdimësi e sigurt e veprimtarisë revolucionare në Kosovë.
Me konsolidimin e radhëve dhe me sprovimin e anëtarëve në aksionet masive të shpërndarjes së trakteve dhe shkuarjes së parullave gjatë viteve 1973 dhe 1974, GR-ja u muar edhe më me intensitet në forcimin e propagandës së shkruar, duke nxjerrë edhe Organin e vet "Zërin e Kosovës".
GR-ja si e tillë arriti të nxjerrë vetëm një numër të Organit "Zëri i Kosovës", pasi që bërthama udhëheqëse revolucionare burgoset në maj të vitit 1974.
Pasi që GR-ja kishte aplikuar katërcipërisht metodat dhe mësimet marksiste-leniniste të veprimtarisë revolucionare ilegale, në këtë mënyrë edhe u ruajt kontinuiteti i veprimtarisë.
Për një kohë të shkurtër, shokët e mbetur ia arritën të rivendosnin lidhjet dhe të konsolidohen radhët dhe të hidhen në aksione të pandërprera. Një ndër këto aksione ishte edhe aksioni i madh i shpërndarjes së trakteve dhe shkrimit të parullave më 24 dhjetor 1974, në prag të gjykimit të Bërthamës Revolucionare të GR-së.
Edhe burgosjet e disa shokëve më 1975 nuk shkaktuan ndërprerjen e veprimtarisë, pasi që shokët e GR-së duke u mbështetur fuqimisht në mësimet marksiste-leniniste dhe në vijën e përcaktuar politike, ideologjike, strategjike e taktikën e GR-së që më 1972, shkuan më tej në intesifikimin e luftës, në përsosjen e teknikës konspirative dhe organizative. Duke arritur që më 1976 GR-ja, me zgjerimin e radhëve dhe me ngritjen e kalitjen e anëtarëve, të shndërrohet në "GRUP MARKSIST-LENINIST TË KOSOVËS" (GMLK).
Gjatë viteve 1976-'78 GMLK-ja merret me përpilimin e materialeve për ngritjen teorike, ideologjike, politike dhe organizative të anëtarëve të vet. Ndër këto materiale ishin edhe: "Për zgjerim të radhëve", "Udhëzime për konspiracion", "Takimet", "Mbledhjet", "Disiplina" etj.
Më 1978, me shtimin e vëllimit të detyrave dhe me zgjerimin e mëtutjeshëm të radhëve të GMLK-së, u paraqit nevoja e domosdoshme e organizimit në nivel më të lartë organizativ dhe e shndërrimit të GMLK-së në "ORGANIZATË MARKSISTE-LENINISTE TË KOSOVËS" (OMLK), pasi që Grupi, si grup, nuk ishte në gjendje të përthekojë e të kryejë me sukses të gjitha detyrat që i dilnin përpara dhe që i parashtronte koha.
Komiteti drejtues i OMLK-së, duke e ndier nevojën për ngritjen teorike, ideologjike e organizative të anëtarëve, në fund të vitit 1978 nxori numrin e 1 të "Pararojës", Organ për radhët e saja të brendshme.
Për punën e drejtëpërdrejtë me masat e gjera popullore të shtresave të ndryshme, para OMLK-së u shtrua si nevojë e domosdoshme edhe nxjerrja e Organit të masave, gjë të cilën OMLK e bëri në vitin 1980, kur edhe nxori numra 1 dhe 2 të "Lirisë".
Ishte pikërisht "Liria", Organ i OMLK-së për masat e gjera, e cila bëri ndikim të madh te masat, duke e ngritur në një shkallë edhe më të lartë vetëdijen kombëtare e klasore të popullit. "Liria" ndikimin më të madh e bëri në mesin e rinisë shkollore e studenteske, pasi që edhe ishte shpërndarë, lexuar dhe kërkuar më së shumti nga kjo shtresë e popullsisë.
OMLK gjer në janar të vitit 1982 nxori gjashtë numra të "Lirisë", kur edhe bëhen burgosjet masive në Kosovë, viktimë e të cilave ishin edhe shumë shokë të OMLK-së. Po në janar UDB-ka organizoi edhe likuidimin fizik të komunistit Kadri Zeka me vëllezërit Gërvalla, gjë të cilën e realizoi më 17 janar 1982 në Gjermani.
Pas vrasjes së shokut Kadri Zeka dhe burgosjes së shumë shokëve të OMLK-së në Kosovë bëhet edhe shkëputja e shumë lidhjeve gjë që shkaktoi ngecjen e aktivitetit intensiv.
Në kohën kur shokët brenda merreshin me rivendosjen e lidhjeve, një shok i Grupit Revolucionar ia arriti të arratiset nga burgu dhe të dalë në Perëndim. Shokët e Degës së OMLK-së në Botën e Jashtme e autorizuan shokun e arratisur nga Kosova që t'i përfaqësonte në bisedime për bashkimin e forcave me LNÇKVSHJ-në dhe PKMLSHJ-në të cilat më 17 shkurt '82 kishin formuar LRSHJ-në.
Edhe pse shokët e Degës së OMLK-së ia parashtruan pikëpamjet, qëndrimet dhe propozimet lidhur me bashkimin, shoku i autorizuar shkeli mbi qëndrimet e shokëve që e kishin autorizuar dhe ra nën ndikimin e imponuar të krerëve të LNÇKVSHJ-së dhe PKMLSHJ-së, duke devijuar kësisoji vijën politike, ideologjike dhe organizative të OMLK-së.
Por, ky "bashkim", që u imponua më 15 maj '82, nuk ishte edhe bashkim i organizatave në fjalë, por vetëm bashkim krerësh, dhe si i tillë nuk mund të ishte i shëndoshë e i qëndrueshëm. Ky "bashkim" me LNÇKVSHJ-në dhe PKMLSHJ-në do të ketë pastaj pasoja të mëdha për Degën e OMLK-së në Botën e Jashtme, e cila ra nën ndikimin dhe manipulimet e shokut të porsaarratisur nga burgu.
Duke pasur besim të tepruar në aftësitë e tij, shokët e Degës së OMLK-së ranë në pozita oportuniste dhe toleruan për dy vjet me radhë manipulimet dhe manovrimet antimarksiste të këtij shoku. Kësisoji edhe u dezorientuan në veprimtarinë e tyre e në këtë mënyrë edhe ndikuan tek shokët brenda. Dizorientimi dhe dizinformimi i shokëve si brenda edhe jashtë, solli amulli në mendime dhe veprime.
Duke e parë një devijim të tillë të vijës politike, ideologjike e organizative, shokët e Grupit Revolucionar që dolën nga burgu në vitin 1983, u muorën me riorganizimin, konsolidimin dhe bashkimin e grupeve komuniste të mbështetur në parimet marksiste-leniniste. Duke u marrë me këtë detyrë mjaft të rëndë për kushtet e krijuara në Kosovë pas burgosjeve të mëdha, që ishin bërë pas demonstratave të Pranverës së vitit '81 ata synuan formimin e një pararoje udhëheqëse të luftës duke u mbështetur në vijën politike, ideologjike dhe organizative të përcaktuar nga OMLK, si dhe formimin e "Frontit Antirevizionist", si front të gjerë të masave. Për një kohë shumë të shkurtër ata arritën të bashkonin një numër të konsiderueshëm grupesh komuniste dhe ishin në prag të realizimit të pikësynimeve organizative të pararojës dhe frontit, por arrestimet masive të dhjetorit '83, vrasja e shokëve Rexhep Malaj e Nuhi Berisha më 11 janar '84 si dhe burgosjet e shokëve me Kadri Osmanin që pasuan në janar e në shkurt 1984, shkaktuan ngecjen e veprimtarisë në këtë drejtim. Njëkohësisht me shpartallimin e lidhjeve të grupeve, celulave dhe individëve iu mundësua disa individëve në Perëndim të dizinformonin dhe të manipulonin me shokët brenda. Sidomos dizinformimi që u bë shkaktoi një mosbesim te grupet dhe individët dhe u bë pengesë e një bashkimi të vërtetë komunist, bashkim i cili kishte gjasa të vendoste sërish një vazhdimësi kontinuale të veprimtarisë revolucionare ilegale në Kosovë dhe degëve jashtë.
Duke mos u arritur një bashkim i tillë komunist që edhe synohej nga grupet, celulat dhe individët, grupet, celulat dhe individët e OMLK-së u morën me riorganizimin dhe konsolidimin e radhëve të OMLK-së. Pas vetes ata kishin një mori aksionesh të suksesshme të kryera para vitit 1984, gjatë vitit 1984 dhe sidomos gjatë vitit 1985 e në fillim të 1986-ës.
Në vitin 1984 deri në maj '85 shokët e OMLK-së pos aksioneve konkrete u morën edhe me përhapjen aktive të literaturës maksiste-leniniste dhe Organit të LRSSHJ-së (tani LPRK), "Zërit të Kosovës".
Nga maji 1985, kur edhe bëhet riorganizimi i OMLK-së pos aksioneve të drejtëpërdrejta me shpërndarjen e trakteve dhe shkruarjes së parullave, shokët u morën edhe me përhapjen masive të literaturës marksiste-leniniste, "Zërit të Kosovës" dhe sidomos të botimeve të shumta të OMLK-së të vitit 1985, botime të cilat tani në Kosovë janë me qindra në qarkullim.
Edhe pranë devijimit të vijës politike, ideologjike e organizative të OMLK-së nga përfaqësuesi i OMLK-së në bisedime me LNÇKVSHJ-në dhe PKMLSHJ-në, LRSSHJ e formuar faktikisht udhëhiqej nga Dega e OMLK-së në Botën e Jashtme.
Fakti se përfaqësuesit e LNÇKVSHJ-së dhe PKMLSHJ-së dolën nga LRSSHJ tregon se Dega e OMLK-së kishte qenë dhe ka mbetur bërthama udhëheqëse e LRSSHJ-së (LPRK).
Në shkurt të vitit 1985 shokët e OMLK-së ishin ata që e përjashtuan shokun e tyre nga forumet e LRSSHJ-së për shkak të veprimtarisë së tij antimarksiste-leniniste dhe antilëvizje si dhe për shkak të përçarjeve të mëdha që shkaktoi me veprimtarinë e tij. Me përjashtimin e tij OMLK-ja u rikthye në pozitat e përcaktuara politike, ideologjike dhe organizative të përcaktuara qysh para vitit '82.
Proletarë të të gjitha vendeve dhe popuj të shtypur, bashkohuni!

P A R A R O J A
ORGAN TEORIK DHE POLITIK I ORGANIZATËS
MARKSISTE-LENINISTE TË KOSOVËS.
Nr.2.1986

QËLLIMI I DALJES SË "PARAROJËS"


Komiteti Drejtues i OMLK-së duke e parë domosdoshmërinë e një organi të brendshëm, për ngritjen teorike, ideologjike dhe organizative të radhëve të organizuara, në vjeshtë të vitit 1985 vendosi të vazhdojë nxjerrjen e Organit të ONLK-së "Pararoja", numri i parë i të cilit u nxor në fund të vitit 1978 po për të njëjtat qëllime.
"Pararoja" do të bëhet udhërrëfyese e denjë e luftës sonë në të gjitha lëmitë e veprimtarisë revolucionare. Ajo mbështetet fuqimisht në mësimet marksiste-leniniste dhe do t'u qëndrojë besnike deri në fund. Ajo do të ndihmojë në ngritjen ideo-politike të anëtarëve dhe kalitjen revolucionare të luftëtarëve të lirisë.
"Pararoja" do të jetë mburojë e sigurt e mësimeve marksiste-leniniste dhe do të luftojë pa mëshirë çdo devijim dhe çdo ideologji të huaj për marksizëm-leninizmin.
"Pararoja" do të përkrahë dhe propagandojë çdo lëvizje marksiste-leniniste nëpër botë, çdo sukses të tyre në luftë kundër imperializmit e socialimparializmit.
Me anë të "Pararojës" luftëtarët e lirisë në Kosovë do të njihen më për së afërmi me luftën e popujve të ndryshëm për çlirimin kombëtar e klasor; me luftën e proletariatit anë e kënd botës kundër shtypjes e shfrytëzimit kapitalisto-revizionist.
OMLK e mbështet fuqimisht politikën e brendshme dhe të jashtme të PPSH-së, si politikën më të drejtë dhe më parimore, prandaj "Pararoja" do të mbështesë dhe përkrah çdo iniciativë të PPSH-së në lëmi të ndryshme brenda shtetit shqiptar ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Për këtë arsye organi ynë do të botojë rregullisht edhe materiale të rëndësishme të politikës së saj të brendshme dhe të jashtme. Me anë të këtyre materialeve anëtarët e OMLK-së do të ngrihen ideo-politikisht për rezonimin e ngjarjeve dhe ndodhive të ndryshme me përmasa botërore.
Ftohen të gjithë anëtarët, kandidatët dhe simpatizantët e OMLK-së që të marrin pjesë me shkrime në ngritjen cilësore të Organit "Pararoja". Orientimi në shkrime të jetë në fushat e veprimtarisë revolucionare dhe atë sidomos në çështje teorike-ideologjike, çështje organizative, propagandistike etj. Këto shkrime duhet të bazohen dhe mbështeten fuqimisht në mësimet e marksizëm-leninizmit.
Organi "Pararoja" do të dalë në çdo tre muaj.
REDAKSIA

L E T Ë R
KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM TË LEVIZJËS POPULLORE
PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS


Në mbledhjen e Zgjeruar, më 18 maj 1986, Redaksia e "Zërit të Kosovës", organ i LEVIZJËS POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS, vendosi që të kërkojë nga KËSHILLI I PËRGJITHSHËM I LPRK-së:
I. Shpjegime dhe arsyetime me shkrim mbi gjendjen në KËSHILLIN E PËRGJITHSHËM.
II. Të tregohet urgjentisht baza e strehimit të RADHITJES së "Zërit të Kosovës" për të vazhduar dalja e numrit të këtij organi dhe,
III. T'i jipet Redaksisë MATERIALI që u lexua në mbledhjen e 3 majit 1986 të Këshillit të Përgjithshëm.

A R S Y E T I M

1. Pasi që 5 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm nuk kishin pranuar ftesën me shkrim të dy shokëve, që të vazhdohet puna si më parë në Këshillin e Përgjithshëm të LPRK-së, duke qenë në gjendje që të kapërcehet ajo çka kishte ndodhur në mbledhjen e 3 majit të Këshillit të Përgjithshëm, dy shokët e Këshillit të Përgjithshëm, (njëri në detyrën e nënkryetarit e tjetri të anëtarit, gjithashtu që të dy dhe në përbërjen e KRYESISË SË KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM), që njëherit janë anëtarë të Redaksisë së "Zërit të Kosovës", (njëri në detyrën e kryeradaktorit e tjetri në detyrën e redaktorit) njoftuan anëtarët dhe bashkëpunëtorët e "Zërit të Kosovës" për gjendjen e krijuar në Këshillin e Përgjithshëm, respektivisht se 4 anëtarë të Këshilllit të Përgjithshëm kanë deklaruar se përjashtojnë dy anëtarë të saj nga Këshilli i Përgjithshëm, si dhe pasi që nga ana e Këshillit të Përgjithshëm u pengua dalja e numrit në vazhdim të "Zërit të Kosovës", (sepse Redaksia nuk e di se ku është vendosur RADHITSJA e Redaksisë), u pa e arsyeshme të mbahej Mbledhja e Zgjeruar e Redaksisë së "Zërit të Kosovës".
2. Në mbledhje, Redaksia analizoi gjerësisht gjendjen faktike të rrjedhës së punëve dhe situatave:
- u shqyrtua procesverbali i mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të datës 3 maj 1986.
- u shqyrtua materiali me titull: "Vetëm me organizim të mirfilltë e parimor të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës do të fitojmë statutin e Republikës", që e kishin propozuar shokët në Këshillin e Përgjithshëm për t'u lëshuar në bazë ose për t'u mos u lëshuar, pas diskutimit në Këshillin e Përgjithshëm dhe,
- u lexua letra e dy shokëve (Gjonit dhe Veliut) që ua kishin dërguar shokëve të Këshillit të Përgjithshëm, për të mos mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm më 11 maj 1986. Pas analizave dhe diskutimeve të gjithanshme të shokëve veç e veç, Radaksia përkrah fuqimisht iniciativën e dy anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm për të lëshuar atë meterial intern në radhët e aktivistëve të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Redaksia mendon e ato vërejtje që mund të kenë patur anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, kanë mundur t'i bëjmë materialit, të plotësohet, shkurtohet, apo të ndryshohet ku do të ishte e dobishme dhe në fund të lëshohet në bazë. Materiali "Vetëm me organizim të mirëfilltë parimor të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës" është në vijën e LPRK-së që e shtruam së bashku në shtator-tetor 1985, dhe është pikërisht në mbrojtje të vijës së saj, kundër shtrembërimeve që po përpiqen t'ia bëjnë ish-krerët e LRSSHJ-së. Për këtë arsye Redaksia konsideron të padrejtë deklarimin e 4 anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm për largimin e këtyre dy shokëve (Gjonit dhe Veliut) nga Këshilli i Përgjithshëm.
Një veprim i këtillë i Këshillit të Përgjithshëm Redaksia e vlerëson se është në kundërshtim me shprehjen e lirë të mendimeve, të iniciativës revolucionare dhe frymën popullore që duhet ta karakterizojë organizatën tonë.
Gjithashtu Redaksia e konsideron plotësisht të gabuar metodën dhe procedurën e deklarimit për përjashtim të dy anëtarëve nga Këshilli i Përgjithshëm, që pa asnjë vërejtje të mëparshme, pa diskutim të gjerë dhe pa marrë mendimin e Redaksisë për këta dy shokë (ku bëjnë pjesë), pra, pa përfillur aspak këtë organ të LPRK-së. Deklarimin për përjashtimin e dy shokëve nga Këshilli i Përgjithshëm, Redaksia e vlerëson si deklarim të atypëratyshëm, arbitrar, të nxituar, jashtë çdo rregulle dhe procedure normale.
3. Materiali që u lexua në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të datës 3 maj 1986 duhej që më parë t'u jepej gjithë anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, ashtu sikurse iu dha gjithë anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm materiali "Vetëm me organizim të mirfilltë..." që të analizohej ngadalë. Redaksia kërkon që këtë material të lexuar në mbledhjen e 3 majit, t'i dorëzohet anëtarëve të Redaksisë së "Zërit të Kosovës".
4. Redaksia e "Zërit të Kosovës" vlerëson se dy anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm (Gjoni dhe Veliu), pra njëkohësisht anëtarë të Redaksisë së "Zërit të Kosovës" kanë vepruar drejt kur ju kanë ftuar me shkrim që të mbani mbledhje së bashku dhe pa pasoja të vazhdohet puna. Redaksia "Zëri i Kosovës" vlerëson se nuk ishin në nivel anëtarët e tjerë të Këshillit të Përgjithshëm kur nuk iu përgjigjën thirrjes që shkonte në dobi të unitetit të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës dhe përgjithësisht në lëvizjen revolucionare të Kosovës.
5. Redaksia e organit të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, duke vlerësuar punën e deritanishme të dy shokëve, konsideron se anëtarët në fjalë e meritojnë të jenë ende në Këshillin e Përgjithshëm, përkundër deklarimit që bënë katër anëtarët e tjerë. Këta dy shokë janë aktivë në punët praktike të LPRK-së e veçanërisht në nxjerrjen e organit të LPRK-së, "Zërit të Kosovës". Ishin dhe janë aktivë edhe në mbrojtjen e vijës së LPRK-së që u shtrua në shtator-tetor 1986 dhe u saktësua në NJOFTIMIN INTERN, çka flet qartë edhe materiali "Vetëm me organizim të mirfilltë parimor...".
6. Redaksia e "Zërit të Kosovës", kërkon nga Këshilli i Përgjithshëm që me shkrim të jepen shkaqet e vërteta që shtyjnë të deklaroheni në këtë mënyrë ndaj dy anëtarëve të KP-së, që janë njëherit edhe anëtarë të Redaksisë sonë. Nëse faktet që ofron Këshilli i Përgjithshëm tregojnë se këta dy anëtarë ishin në pozita antilëvizje, antipopullore apo nëse nuk kishin aftësi e nuk mundën t'i kuptonin detyrat, që të bindet Redaksia, atëherë duhet t'i largojmë edhe nga organi i LPRK-së "Zëri i Kosovës".
7. "Zëri i Kosovës" nuk është organ i Këshillit të Përgjithshëm, por është organ i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës dhe Redaksia e saj u forum i këtij organi ideologjik, propagandistik dhe agjitativ. Redaksia përmes organit të "Lëvizjes të Kosovës" do të mbrojë e ndjek fuqishëm vijën e shtruar në shtator-tetor të vitit 1985 e të saktësuar në Njoftimin intern të fundit të vitit të kaluar dhe si organ i organizatës sonë të masave LPRK-së do të dalë menjëherë dhe pandërprerje.
8. Redaksia e "Zërit të Kosovës" ka vërejtje ndaj 4 anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, të cilët nuk u treguan korrekt që ta njoftojnë këtë organ të LPRK-së mbi gjendjen e krijuar në Këshillin e Përgjithshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për dy anëtarë të Redaksisë.
9. Redaksia e "Zërit të Kosovës" ka vërejtje ndaj një anëtari të Këshillit të Përgjithshëm që është njëherit edhe në detyrën e zëvendëskryeredaktorit për mospjesëmarrje në Mbledhjen e Zgjeruar të Redaksisë, megjithëse është thirrur me shkrim për këtë mbledhje.
10. Radhitësja t'i jepet menjëherë Redaksisë, pasi nëse nuk veprohet kështu do të shkaktojë vonesën e numrit të ri të organit. Kjo është hera e dytë që me intervenimin e Këshillit të Përgjithshëm izolohet teknika e Redaksisë së "Zërit të Kosovës".
11. T'i kthehen Redaksisë urgjentisht të gjitha materialet për botim që janë të sistemuara në fasikla të veçanta si dhe arkivi i Redaksisë së "Zërit të Kosovës". Këto veprime të fundit ndaj Redaksisë së "Zërit të Kosovës" nga ana e Këshillit të Përgjithshëm nuk janë aspak korrekte, prandaj kërkojmë që Këshilli i Përgjithshëm t'i kryejë menjëherë dhe t'i zbatojë në praktikë kërkesat e Redaksisë së "Zërit të Kosovës". Ftojmë anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që të tregojnë gatishmëri dhe korrektesë dhe të njoftojnë sa më parë Redaksinë e "Zërit të Kosovës" për çështjet që po trajtohen dhe me kërkesat e Redaksisë të paraqitura në fillim. Të gjitha sqarimet, njoftimet dhe kërkesat Këshilli i Përgjithshëm t'ia bëjë me shkrim Redaksisë së "Zërit të Kosovës".
Rroftë Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës!
Kosova Republikë!
Vijon...

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Faridin Tafallari
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 165 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi