Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
TERROR... DHIMBJE... QËNDRESË… (15)
Publikuar më 15 qershor, 2019 në orën 00:05 ( ) Faridin Tafallari | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
REDAKSIA E "ZËRIT TË KOSOVËS"
ORGAN I LPRK-së

P.S. Na e ktheni përgjigjen sa më parë në njërën nga adresat e anëtarëve të Redaksisë (të cilat i dini).

MËNYRA ORGANIZATIVE DHE VEPRIMTARIA
NË KUSHTET E KRIJUARA NË KOSOVË

Çdo komunist m-l, çdo revolucionar dhe patriot të flaktë sot e preokupon një çështje me rëndësi të madhe dhe jetike për çështjen e revolucionit: veprimtaria në kushtet e krijuara në Kosovë; si të veprohet, ku të veprohet, lëmia e veprimtarisë, mjetet e luftës etj.
Kjo është një çështje shumë me rëndësi, komplekse, dhe po aq me rëndësi për çështjen dhe sigurimin e vazhdimësisë revolucionare dhe patriotike në Kosovë.
Situata e krijuar pas Revolucionit të Pranverës së vitit 1981 ndryshoi rrënjësisht edhe kushtet e veprimtarisë revolucionare në Kosovë. Policia sekrete e UDB-së u shtua numerikisht dhe u aktivizua sa kurrë më parë. Shtohet numri i milicëve dhe i stacioneve të milicisë. Intesifikohet rekrutimi i spiunëve dhe i informatorëve të policisë. Vetë organet e policisë u furnizuan me mjete më moderne të luftës kundër grupeve dhe organizatave revolucionare, mjete të cilat paguhen nga vet djersa dhe gjaku i popullit shqiptar të Kosovës.
Terrori, diskriminimi dhe maltratimi i popullit më nuk mbahen të fshehta, por po bëhen haptazi dhe në pikë të ditës, tërë populli gjendet nën presionin e terrorit të hapët udbesk, me qëllim të mbjelljes së frikës dhe panikut.
Të rralla janë familjet që nuk e përjetuan mbi lëkurë kërbaçin e fashistëve jugosllavë. Të pakta janë familjet që s'kanë dikë në një nga burgjet-kampe të shumta të fashistëve jugosllavë, ndonjë të ikur nga Atdheu prej terrorit e genocidit fashist, apo edhe të vrarë e të mbytur mizorisht nga UDB-ja famëkeqe jugosllave.
Krahas terrorit dhe genocidit të paparë UDB-ja po përdor mjetet më moderne të përgjimit, përcjelljes dhe gjurmimit të revolucionarëve dhe patriotëve shqiptarë. Burgosjet janë bërë dukuri e zakonshme dhe të përditshme, s'ka ditë që të mos burgoset ndonjë person apo grup. Torturat që po përdor UDB-ja gjatë hetimeve janë të kohës së inkuzicionit të mesjetës e të përcjella me mjetet më moderne për tortura.

Dihet se edhe pranë organizimit shumë të mirë të grupeve dhe organizatave revolucionare ato nuk arritëm t'i bëjnë ballë pasioneve të shumta policore gjatë vitit 1981-'85, dhe nuk mundën të siguronin vazhdimësinë e veprimtarisë revolucionare.
Prandaj para grupeve dhe organizatave të ndryshme revolucionare ilegale shtrohet si detyrë e ngutshme dhe kryesore organizimi dhe mënyra e veprimtarisë në kushtet e krijuara në Kosovë.
Për të arritur që të sigurohet vazhdimësia e veprimtarisë revolucionare dhe patriotike edhe pranë racioneve të shpeshta policore, ne duhet që të aplikojmë formën organizative të dyshit dhe duke bërë ndarjen rigoroze të detyrave, ndarje që do ta na mundësonte specializimin në profile të ndryshme të veprimtarisë revolucionare. Specializimi (apo profesionalizimi) i profileve të ndryshme do t'i mundësojë organizatës ndërmarrjen e aksioneve sa më të ndërlikuara dhe të rrezikshme.
Kur çdonjëri e di detyrën dhe vendin ku duhet të jetë, atëherë do të jemi të gatshëm që në çdo kohë dhe vend të ndërmarrim aksione të suksesshme dhe pa pasoja.
Pra, kur forma organizative nga treshi kthehet në dysh dhe kur bëhet ndarja e tërësishme e detyrave atëherë ne do të mund ta ruajmë më mirë konspiracionin dhe do të mund të veprojmë si një mekanizëm i vetëm. Duke pasur parasysh se mënyra organizative nga lart - poshtë nuk është e qëndrueshme dhe nuk mund t'u përballojë racioneve të shpeshta policore, të cilat në të shumtën e rasteve sollën shkëputjen e shokëve dhe ndërprerjen e aktivitetit revolucionar, ne duhet që tërë veprimtarinë ta organizojmë nga poshtë - lart. Kudo të organizohen grupe lokale të cilat të organizojnë masat për luftë në territorin e tyre.
Nëpër lagjet e qyteteve, fshatra, institucione, fabrika, ku ka më tepër anëtarë, kandidatë dhe simpatizantë, të organizohen dhe të formohen Nënkomitete Lokale të cilat t'i parashtrojnë vetes për detyrë formimin e Komiteteve Lokale të pavarura.
Njëkohësisht ne duhet të caktojmë taktikën dhe strategjinë e luftës kundër regjimit titist jugosllav. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se kemi të bëjmë me një armik të fortë policor e ushtarak. Prandaj edhe duhet të jemi të matur mirë e mirë në përcaktimin e taktikës dhe strategjisë së luftës. Lenini na mëson se "kryengritja s'është lojë". Në kushtet tona të gjithë jemi të vetëdijshëm se kryengritja në Kosovë sot për sot është iluzion. Por edhe pse është iluzion s'do të thotë se ne nuk duhet të përgatitemi edhe për një kryengritje gjithëpopullore. Ne këtë duhet ta bëjmë nëse me mjete të tjera nuk arrihet realizimi i aspiratave të OMLK-ës.
Por, ta fusësh popullin dhe Kosovën në një gjakderdhje të panevojshme në kohën kur s'je fare i përgatitur, kur fare s'e ke përgatitur popullin për një gjë të tillë, kjo s'është gjë tjetër pos aventurizëm, lojë me çështjen e Atdheut, është tradhti ndaj Atdheut.
Rrethanat dhe situatat e brendshme na mundësojnë ndërmarrjen e shumë aksioneve, edhe atyre të armatosura. Pse? Sepse kriza e rëndë ekonomike, sociale dhe politike e ka lodhur popullin dhe ne fare lehtë do t'ia arrinim të ngrinim në këmbë me qindra e me mijëra. Të vdesësh nga plumbi është më lehtë se të vdesësh për bukën e gojës.
Por, situata ndërkombëtare s'është fare në favor të luftës sonë, dhe po qe se nuk do të jemi të matur dhe lejojmë veten të lëshojmë kushtrimin në kushte të tilla, ajo është e destinuar të pësojë disfatë, ndërsa ne do të jemi përgjegjës para popullit dhe historisë. Jugosllavia është një shtet i udhëhequr prej një regjimi të tillë, çfarë u shkon për interes të dy superfuqive, andaj ato me çdo kusht e ruajnë statuskuonë e saj. Me një Jugosllavi të tillë ato mund të bëjnë çfarëdo pazarllëqesh në kurriz të popujve jugosllavë dhe ballkanikë.
Në anën tjetër, ne nuk guxojmë të implikojmë edhe Atdheun tonë Shqipërinë socialiste. Që të dy superfuqitë janë duke bërë një presion të madh mbi Shqipërinë dhe vetëm shkasi u duhet që të intervenojnë edhe ushtarakisht për të shkatërruar fanarin e socializmit, mbrojtësin konsekuent të marksizëm-leninizmit. Pra, ne nuk guxojmë në asnjë mënyrë të cënojmë integritetin e Shqipërisë Mëmë. Çështja e Kosovës është pikësëpari çështje e vet popullit të Kosovës është piksëpari çështje e vet popullit të Kosovës dhe ai duhet ta zgjidhë vet problemin.
Në rrethanat e krijuara ne duhet të veprojmë në drejtim të zgjerimit të radhëve me anëtarë të shtresave të ndryshme të popullsisë pa dallim moshe e gjinie. Të krijojmë punket tona në çdo qytet, fshat e lagje, në çdo fabrikë, shkollë e institucion. T'i edukojmë dhe kalitim anëtarët, t'i bëjmë komunistë të vërtetë.
Tani kushtet i kemi shumë më të volitshme se shokët tanë në vitet e shtatëdhjeta (1970-'75), andaj edhe duhet t'i shfrytëzojmë deri në maksimum. Politizimi i popullit kurrë nuk ka qenë sa sot. Atë e brengos edhe sigurimi i ekzistencës fizike. Prandaj ne duhet të shfrytëzojmë një disponim të tillë antirevizionist të popullit.
Por në këtë nuk guxon të na përfshijë stihia dhe të zvogëlojmë vigjilencën ndaj armikut i cili mund të depërtojë në radhët tona. Sot mund të na shiten si patriotë të flaktë shumëkush, por ne duhet të jemi syçelë dhe të jemi të kujdesshëm sa po dekonspirojmë para të tjerëve.
Lufta jonë do të jetë e gjatë dhe e mundimshme, e vështirë dhe me shumë sakrifica. Andaj ne duhet të përgatitemi për një luftë të tillë e jo të na përfshijë stihia e iluzioni se lufta jonë do të zgjasë pak, disa muaj apo disa vite. Jo! Lufta jonë ndoshta do të zgjasë me decenie. Dhe pikërisht për të tillë luftë duhet të përgatitemi.
Pa marrë parasysh detyrën me të cilën është ngarkuar çdo anëtar (pos atyre që kanë detyra specifike) duhet që të merren edhe me krijimin e rrethit të vet të simpatizantëve në mesin e shokëve, farefisit dhe miqve, te të cilët kurrë nuk do të zbulohen para tyre se janë anëtarë të ndonjë grupi ilegal. Në raste të tilla duhet të paraqiten edhe vetë si simpatizantë, duke u arsyetuar se kanë pasur kontakte me ndonjë të burgosur apo në emigrim, apo edhe të vrarë ose të vdekur, dhe një shok i tij herë pas here i sjell material për të lexuar dhe se këtë njeri fare s'e njeh. Ose ka gjetur material të cilin e disponon dhe se duhet bërë diçka për të kontribuar në luftën e popullit për të drejta. Duke punuar me simpatizantë ne do të kemi mundësi që nga ata të rekrutojmë kandidatë dhe anëtarë të organizatës.
Të gjithë anëtarët (pos atyre që bëjnë përjashtim për shkak të detyrave specifike) duhet të vënë kontakte me njerëz të ngritur dhe të vendosur nga radhët e inteligjencies përparimtare, me profesorë, shkrimtarë, poetë, shkencëtarë të lëmive të ndryshme, të cilët të ngarkohen me punën e materialeve të ndryshme propagandistike dhe agjitative.
Duke organizuar celula dhe grupe, ne duhet që të shkojmë në drejtim të ngritjes dhe kalitjes së Pararojës marksiste-leniniste, e cila duhet të udhëheqë popullin në luftë për pavarësinë kombëtare. Sepse pa një Pararojë të vërtetë komuniste marksiste-leniniste, ne nuk do të jemi në gjendje ta mobilizojmë e organizojmë dhe udhëheqim popullin në luftën e tij të drejtë. Pa një Pararojë populli nuk do të jetë në gjendje të realizojë aspiratat e tij në luftë për pavarësi.
Vija politike e OMLK-së është e përcaktuar për luftë për pavarësi kombëtare të popullit shqiptar nën Jugosllavi. Për të realizuar këtë vijë politike që i ka përcaktuar vetes OMLK-ja duhet që krahas veprimtarisë në drejtim të përgatitjes së anëtarëve të saj dhe masave popullore për një kryengritje gjithëpopullore, për një kryengritje gjithëpopullore si armë të vetme për realizimin e vijës së saj politike, të përkrahë dhe të marrë pjesë aktive në kërkesat e drejta të popullit për kërkesën e njohjes së statusit të Republikës për Kosovën (me të cilën kuptojmë bashkimin e të gjithë trojeve shqiptare në Jugosllavi për një njësi të vetme territoriale).
Për të realizuar strategjinë e luftës së OMLK-së dhe vijën e saj politike ne duhet që tërë veprimtarinë ta ngrejmë nga baza, nga celula, gjer tek instancat më të larta drejtuese. Aq sa do të jenë të forta celulat për aq do të jenë më të forta instancat më të larta drejtuese, aq do të ketë sukses veprimtaria e OMLK-së në tërësi.
Parulla "Kosova Republikë" u tregua e rrezikshme për armikun tonë, andaj parullë dite duhet të mbahet pikërisht kjo. Republika, tek e fundit është një hap drejt pavarësisë. Andaj rreth kësaj parulle ne duhet të organizojmë edhe frontin e masave të gjera popullore, pa dallim klase e bindjeje politike. OMLK-ja në verë të vitit 1981 lëshoi në diskutim "Tezat rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës", teza të cilat kishin për qëllim formimin e një fronti të përbashkët gjithëpopullor, rreth kësaj parulle. Edhe sot e kësaj dite tezat janë aktuale dhe ne duhet të shkojmë drejt realizimit të tyre. Një front i tillë është formuar, ky front është "Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës", dhe ne na takon që atë ta rrisim, ta zgjerojmë dhe forcojmë vazhdimisht.
Por, me frontin dhe në ballë të tij duhet të jenë komunistë,t marksistë-leninistët e Kosovës, sepse ata duhet të jenë udhërrëfyes të luftës. Marksistë-leninistët duhet të jenë ata që duhet t'ua japin shembull të tjerëve për sakrifica, besnikëri dhe pathyeshmëri.

KAHET E VEPRIMTARISË
SË MARKSIST-LENINISTËVE

Marksist-leninistëve të Kosovës, si në qytet ashtu edhe në fshat, u ka rënë një barrë e rëndë mbi supe, lufta e vazhdueshme dhe e gjithanshme kundër pushtuesve revizionistë serbo-jugosllavë. Atyre u takon detyra që të organizojnë populllin, e posaçërisht klasën punëtore, në një luftë të vazhdueshme dhe këmbëngulëse deri në realizimin e aspiratave të popullit.
Klasa punëtore, është e vetmja luftëtare e cila mundet dhe do ta çojë deri në fund revolucionin proletar, deri në fitoren përfundimtare të proletariatit. Kjo është shtresa më e ndërgjegjshme e popullsisë dhe më e kalitura për revolucion, pasi ajo drejtëpërsëdrejti e ndien mbi kurriz barrën e shtypjes, shfrytëzimit dhe poshtërimit. Kjo shtresë e popullsisë më së lehti dhe më së miri përvetëson idetë revolucionare marksiste-leniniste sepse te kjo ideologji ata shohin një armë të fortë në duart e veta në luftën e tyre për përmbysjen e shtypjes e të shfrytëzimit, për çlirimin e tyre nga zgjedha e robërisë skllavëruese. Para marksistë-leninistëve të Kosovës shtrohet detyre revolucionare që të rrënjosin idetë e marksizëm-leninizmit në mesin e punëtorëve, të depërtojnë në mesin e tyre dhe t'ua sqarojnë esencën e regjimit shtypës serbo-jugosllav dhe esencën e gjendjes së tyre ku i ka sjellë regjimi si dhe mënyrën më të drejtë, drejt zgjidhjes së problemeve dhe daljes nga kjo situatë. Ata duhet t'ua sqarojnë esencën e ideologjisë marksiste-leniniste si e vetmja ideologji-revolucionare e klasës punëtore dhe e popujve të shtypur, si një armë e fortë në rrugën drejt çlirimit kombëtar e social. Marksistë-leninistët e Kosovës në demaskimin e regjimit revizionisto-borgjezo serbo-jugosllav duhet të shërbehen vetëm në parimet e marksizëm-leninizmit duke ia çjerrur maskën këtij regjimi fashist, i cili fshihet pas termave socialiste dhe para të ashtuquajturit "vetadministrim", i cili s'është gjë tjetër pos teori dhe praktikë kapitaliste, sistem të cilin imperializmi e ka përpunuar tanimë deri në përsosmëri. Maskën regjimit duhet t'ia çjerrim në çdo pore të jetës shoqërore, ekonomike, politike, social e kulturore.
Lufta e marksistë-leninistëve të Kosovës do të ketë sukses për aq sa do të arrijmë të demaskojmë regjimin revizionisto-borgjez të titistëve jugosllavë, për aq sa do të arrijmë ta ngrejmë vetëdijen kombëtare e klasore të popullit tonë.
Kjo luftë s'është e lehtë, përkundrazi është një luftë shumë e vështirë me rreziqe e peripeci, me sakrifica të mëdha. Kësaj lufte do t'i qëndrojnë vetëm ata më të vendosurit, më revolucionarët, më atdhetarët dhe më liridashësit, të cilët me shembullin e tyre vetëmohues dhe të sakrificës do të bëhen pishtarë të luftës sonë të drejtë e legjitime drejt realizimit të aspiratave shekullore për pavarësi kombëtare dhe çlirim klasor nga shtypja e shfrytëzimi.
Luftën për çlirim nuk mund ta masim me ditë, javë, muaj apo vite, aq më tepër s'mund ta kufizojmë në kufij kohorë. Këtë gjë mund ta bëjë vetëm ndonjë prepotent e megaloman. Sepse lufta jonë është e gjatë si në kohë ashtu edhe në hapësirë, luftë e mundimshme, luftë e cila është duke vazhduar me shekuj e në kohën më të re që nga viti 1945.
Marksistë-leninistët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të nuhasin në çdo moment situatën, të dijnë të masin pulsin e regjimit dhe njëkohësisht të popullit. Ata duhet të jenë në gjendje që çdo herë të parashohin zhvillimin e ngjarjeve, e këtë mund ta bëjnë vetëm nëse nisen nga parimet e shëndosha marksiste-leniniste.
Tani regjimi serbo-jugosllav ka paralajmëruar një fushatë antishqiptare me përmasa të gjera, duke pretenduar të rivendosin administratën ushtarake sikur më 1944--'45. Marksistë-Leninistët e Kosovës duhet t'ua sqarojnë esencën dhe karakterin e hapave që ka ndërmend të ndërmarrë regjimi, të gjitha shtresave të popullsisë, sepse kjo ka të bëjë me tërë popullin. Ne duhet të jemi ata që kurdoherë ta paralajmërojmë popullin për rrezikun që i kanoset, të ngrisin atë nëse duhet (e kjo është e domosdoshme) edhe në kryengritje të armatosur gjithëpopullore.
Por, këto gjëra kurrë nuk mund t'i bëjmë nëse ne vetë nuk jemi të disiplinuar, dhe nuk i kryejmë punët me të cilat ngarkohemi dhe nëse nuk iu përmbahemi rregullave të punës.

SI NDAHEN DETYRAT NËPËR RRETHE

Parimi leninist i veprimtarisë revolucionare ilegale konsiston me ndarjen rigoroze të detyrave dhe specializimin e profileve të ndryshme të veprimtarisë ilegale.
Aktiviteti dhe veprimtaria revolucionare është një lloj zinxhiri i përbërë nga shumë hallka, pa të cilat është vështirë të krijohet një vazhdimësi e veprimtarisë. Ka punë aq të imta në dukje sa nuk mund të bëjnë fare përshtypje, por rëndësia e tyre është e madhe ngaqë pikërisht kjo imtësi na bën të mundshme që ta vëmë në lëvizje tërë aparatin organizativ.
Këtu ne do të parashtrojmë disa nga detyrat dhe profilet më të rëndësishme dhe më kryesore, detyra të cilat janë të domosdoshme në zbatimin praktik të luftës sonë.
Duhet pasur parasysh se ndarja e detyrave duhet të caktohet që në formimin e celulës, grupit etj., ashtu që një shok duhet ta dijë se me se do të merret dhe do të punojë në atë drejtim që profilin e detyrës së ngarkuar ta specializojë gjer në përsosmëri. Menjëherë pas formimit të celulës dhe ndarjes së detyrave veç e veç apo si profil të njëjtë të veprimtarisë, përgjegjësi i saj e ka për detyrë që të njoftojë lidhjen për detyrat që i merr përsipër celula konkrete. Nëse brenda celulës janë ndarë detyrat e veçanta për çdo anëtar, përgjegjësi duhet të raportojë se për çfarë detyrash është fjala, por ai s'guxon të dekonspirojë as para lidhjes direkte se kush me çka është ngarkuar. Çdo dekonspirim i tillë është i dënueshëm dhe s'duhet pasur mëshirë në gjykimin e dënimin e shokut për çështje të tilla. Për detyrat konkrete të ngarkuara duhet të dijë absolutisht vetëm një person i ngarkuar për ruajtjen e lidhjeve, person i cili duhet të jetë i siguruar larg syrit dhe dorës së armikut.
Çfarë profilesh të detyrave revolucionare na duhen?
Grupi për çështje organizative - Me organizim të merren shokët që kanë rreth të gjerë shokësh, fjala e të cilëve dëgjohet dhe respektohet nga ai rreth. Mundësisht shokët që merren me organizim të jenë të pakomprometuar para policisë. Por edhe të komprometuarit mund të merren me organizim, por duhet të jenë shumë më të kujdesshëm sepse ata përcillen nga policia. Organizimi duhet të bëhet me të gjitha shtresat e popullsisë pa dallim moshe e gjinie. Shokët e komprometuar para policisë mund të merren me organizim vetëm derisa t'i krijojnë kushtet për t'ua dorëzuar detyrat shokëve të pakomprometueshëm. Me organizim në rrethe mund të caktohen nga një treshe shokësh të ngritur ideologjikisht, të cilët do të specializohen vetëm për këtë detyrë. Pas angazhimit të ndonjë shoku në celulat e shokëve që merren me organizim, atij duhet menjëherë t'i caktohet detyra me të cilin do të merret. Pas sprovimit të shokut të posaangazhuar, ai duhet t'i dorëzohet rrethit të shokëve që merret me detyra të ngjashme. Detyrat duhet të ndahen varësisht nga aftësitë psikofizike të shokut: sa është i ngritur dhe i pjekur ideopolitikisht, sa është i aftë fizikisht, sa është konspirativ, çfarë aftësish propaganduese dhe agjitative disponon, sa është tolerant ndaj shokëve, sa është i vendosur, trim apo frikacak, a është gjakftohtë, sa shokë ka në rreth, a pi alkool, si qëndron materialisht etj. Kjo detyrë mjaft e vështirë i takon grupit për çështje të organizimit.
Shokët e këtij grupi duhet ta mësojnë fare mirë Programin dhe Statutin, sepse duhet të dijnë t'ua shpjegojnë që të dyja shokëve të sapoangazhuar. Organizatorët duhet të lexojnë më shumë dhe të bëhen oratorë të mirë, të dijnë të sillen mirë me njerëz, të dijnë si të flasin me njerëz të ndryshëm të moshës, gjinisë dhe shtresës shoqërore të popullsisë.
Grupi propagandues - Një shok i aftë në shkrime dhe propagandë të ngarkohet të formojë një dysh në rreth, dysh i cili do të merrej drejtëpërdrejt me propagandë. Puna e tyre konsiston në atë se duhet vazhdimisht të lexojnë veprat e klasikëve të marksizëm-leninizmit dhe të përcjellin lajmet mbi zhvillimin ekonomik, politik, kulturor, social të regjimit, për t'u aftësuar që t'u kundërvihen armikut me vetë faktet që ai do t'ua japë nëpërmjet shtypit dhe mjeteve të tjera të informimit. Këtij grupi i takon të merret me ngritjen ideopolitike të anëtarëve të tjerë me anë të punimeve të ndryshme, të bazuara vetëm në mësimet e marksizëm-leninizmit. Këta shokë do të jenë ata që do të mbrojnë organizatën nga devijimet e ndryshme ideopolitike si dhe nga depërtimet e ideve të huaja për Marksistë-Leninistët e Kosovës.
Grupet shpërndarëse të literaturës ilegale. - Në çdo rreth duhet të formohen nga dy dyshe shpërndarësish të specializuar për trakte, gazeta dhe literaturë tjetër ilegale. Çdo celulë (dysh) shpërndarësish duhet të ketë terrenin e caktuar për shpërndarje dhe pa lejen e shokëve të mos guxojë të veprojë jashtë territorit që u është caktuar për shpërndarje.
Shpërndarësit duhet të jenë të shkathët fizikisht, të jenë gjakftohtë dhe konspirativë të rreptë, sepse detyra e tyre është një nga më të rrezikuarat. Ata duhet të merren me sigurimin e materialave që do të shpërndajnë. Ky vend, shpërndarësit, i duhet për dy deri gjashtë ditë, sepse menjëherë pas shpërndarjes, çdo ekzemplar i mbetur duhet të asgjesohet menjëherë. Ata duhet të furnizohen me dorëza plastike dhe në asnjë mënyrë s'guxohet të veprohet pa dorëza.
Çdo dysh shpërndarësish duhet të furnizohet me më së paku një revole dhe municion të mjaftueshëm. Pa revole e municion asnjë shok nuk duhet të shkojë në aksion të shpërndarjes.
Grupi i shkruarjes së parullave - Në çdo rreth të formohet nga një dysh për shkruarjen e parullave. Atyre duhet çdo herë për t'ua caktuar vendin e shkrimit si dhe parullat që do t'i shkruajnë. Asnjë parullë s'guxon të shkruhet nëse nuk është dhënë pëlqimi për të dhe s'guxohet të shkruhen të tjera parulla nga ato që janë dhënë për shkrim.
Edhe shkruesit e parullave duhet të jenë fizikisht të shkathët, gjakftohtë dhe konspirativë të rreptë. Edhe shkruesit e parullave duhet të furnizohen me dorëza plastike dhe me nga një armë. Atyre u duhen siguruar edhe mjete për material: për ngjyrë, brusha, në raste të aksioneve të rrezikshme edhe transportin.
Shkruesit e parullave duhet të kujdesen edhe për moslënien e gjurmëve pas aksionit si dhe t'i asgjesojnë në tërësi rrobat, këpucët dhe mjetet e tjera për shkruarjen e parullave. Preferohet që ato të digjen.
Daktilografia - Çdo rreth duhet të caktojë një shok i cili duhet të merret me detyrën e daktilografistit revolucionar për rrethin përkatës. Ai duhet të jetë i pakomprometuar para organeve të policisë, ose mundësisht sa më pak. Kjo për arsye se personi i pakomprometuar ka mundësi më të mëdha të mbajë makinë shkrimi të rrethit në shtëpi, të punojë me makinë si dhe të mbajë një sasi materiali. Kjo edhe do të ketë atë përparësi që çfarëdo shkrimi të rrethit të mund të shkruhet me makinë, ndërsa dorëshkrimet do të mund të asgjësoheshin dhe kësisoji do të mund të zvogëlojmë rrezikun e identifikimit të materialeve që mund të bien në dorë të armikut.
Por, edhe pse shoku që caktohet për detyrën e daktilografimit është i pakomprometuar, kjo s'do të thotë që vigjilenca duhet të jetë më e vogël, përkundrazi, vigjilenca duhet të jetë rregullisht dhe atë duhet ta ngrejmë gjithnjë e më lart. Prandaj, daktilografisti revolucionar duhet të kujdeset që në afërsi të shtëpisë (apo nëse i ka kushtet edhe në shtëpi) të ndërtojë bazë të vogël për makinë dhe materiale. Materialet e shokëve në dorëshkrim nuk guxojnë të bien në dorë të armikut. Prandaj, gjatë shtypjes së materialit daktilografisti duhet të mbajë pranë makinën dhe mjetet e gatshme për asgjesim.
Informatorët - Në çdo rreth të caktohet nga një shok, e nëse mundësitë janë më të mëdha, bën edhe nga dy, për detyrën informative. Këta shokë duhet t'i kenë mundësitë objektive që të merren me informim, sidomos ata që punojnë nëpër kafene, dyqane, si zejtarë (rrobaqepës, berberë etj.), në vende pune ku kanë kontakte të shumta me njerëz të shtresave të ndryshme. Këta informatorë, apo siç i quan Lenini, "agjentë revolucionarë", duhet t'i përcjellin policët kur t'i shohin, se kë takojnë, ku rrijnë më së shumti, në cilat shtëpi hyjnë më së shpeshti, çfarë veturash ngasin dhe numrat e tyre, adresat e tyre të sakta; pastaj, të gjurmojnë dhe të marrim informata për spiunët dhe bashkëpunëtorët e UDB-së. Të sigurojnë emrat dhe adresat e sakta të sa më shumë policëve dhe milicëve, të funksionarëve të ndryshëm të regjimit.
Shokët që merren me shërbimin e informimit nuk guxojnë të krijojnë celula dhe të merren me veprimtari të tjera revolucionare pos në rastet kur veç e kanë celulën shokët e së cilës janë të përshtatshëm pikërisht për çështjet e informimit. Këta shokë mund të krijojnë një rreth informatorësh nga të cilët vjelin informata për të cilat kurrë mos të dijnë se mund të përdoren për ndonjë qëllim. Çdo informatë duhet të shkruhet dhe si e tillë (pra me shkrim) t'i përcillen lidhjes të drejtëpërdrejtë.
Fotografistët - Në çdo rreth duhet të caktohet një shok të merret me detyrën e fotografistit revolucionar, i cili të merret me fotografimin e objekteve, personave të ndryshëm, ngjarjeve të ndryshme, patrullave të policisë, "maricat", rreshtat e njerëzve para dyqaneve, të papunët, lypësit, njerëzit e varfër, etj. Sipas mundësive këtij shoku t'i bëhet e mundshme të marrë si profesion fotografimin dhe t'i sigurohet edhe një laborator për fotografi.
Eshtë e preferueshme që informatori revolucionar dhe fotografisti të jenë anëtarë të një celule, kështu që do të kenë më shumë mundësi bashkëpunimi dhe bashkëveprimi.
Agjitatorët - Shokët që gjenden në marrëdhënie pune në sektorin shtetëror, nëpër fabrika dhe ndërmarrje, duhet të ngarkohen me detyrë të formimit të celulave revolucionare në mesin e punëtorëve. Detyrë e parë e shokëve punëtorë, apo e celulave punëtore, është sigurimi i emrave dhe mbiemrave të punëtorëve në fabrika e ndërmarrje ku punojnë, reparti në të cilin punojnë si dhe sa mundësisht sa më shumë adresa të sakta të punëtorëve. Shokët tanë punëtorë nuk duhet t'i ngarkojmë me shpërndarje të literaturës dhe shkrimit të parullave, por duhet t'i orientojmë të bëhen agjitatorë profesionistë dhe organizatorë të mirë. Të bëhen asi agjitatorë, siç na mëson Lenini, që të dijnë ta thonë a-në dhe të tjerët të vazhdojnë të thonë b e c e dhe kështu me radhë. Pra, të dijnë të orientojnë bisedën e punëtorëve në hallet e jetës, në vështirësitë, në shtrenjtimet e mëdha, në padrejtësitë e mëdha që u bëhen punëtorëve, etj. Por kurrë nuk duhet që vetë ta nisin dhe ta përfundojnë bisedën. Pra, këta punëtorë tanët do të bëhen agjitatorë profesionistë dhe të mësohen të flasin në atë mënyrë që të mos mund t'i kapë ligji në asnjë mënyrë.
Ndërtuesit e bazave të ndryshme - Në çdo rreth të caktohet nga një shok për krijimin e bazave nëntokësore të madhësive të ndryshme dhe për qëllime të ndryshme: për mjetet teknike, makina shkrimi, mjete shumëzimi, armë, municion, literaturë si dhe për strehimin e ilegalëve. Këto baza duhet të bëhen larg shtëpive të aktivistëve dhe për këto nuk guxon të dijë askush, pra as lidhja direkte që e ngarkon drejtëpërdrejt për këtë veprimtari.
Njerëzit e tillë nuk guxojnë të merren me veprimtari revolucionare, as me agjitacion, as me shpërndarje të literaturës, si dhe nuk guxojnë të zgjerojnë rrethin për shkak të konspiracionit.
Bazat e teknikës - Në çdo rreth të caktohet nga një shok i cili do të merret me krijimin e një baze të sigurt për teknikën lokale, ose dhe eventualisht për teknikën qendrore. Ky shok duhet të jetë i pakomprometuar para policisë dhe nuk duhet të mbajë kurrfarë kontakti pos me lidhjen direkte që i caktohet. Ai duhet të mësojë punën me atë teknikë që i dorëzohet dhe pos saj nuk guxon të merret me asnjë veprimtari tjetër që do t'i rrezikonte çështjen me të cilën është ngarkuar.

SI DHE ÇFARË DUHET TË VEPROJË CELULA

Në numrin një të "Zërit të Kosovës" të vitit 1984, shoku Rexhep Malaj kishte puninim "Çështja organizative", në të cilin shqyrtonte çështjen e formimit të celulës, marrëdhëniet brenda celulës. Për punët e celulës mund të shkruhet shumë, por një artikull gazete nuk mundëson që të përfshihen të gjitha, andaj edhe shoku Rexhep ishte kufizuar në çështjen e formimit të celulës, çështje e cila ka rëndësi të dorës së parë.
Ne tani po përpiqemi ta shtjellojmë një anë tjetër të veprimtarisë së celulës: si dhe çfarë duhet të veprojë celula dhe atë që në zanafillën e formimit të saj.
Çdo celulë pas formimit të saj (është e preferueshme që të bazohet në sistemin e dyshit) duhet që lidhjet e veta t'i dërgojë në Qendër. Ka persona që do ta sjellin në pyetje këtë gjë për shkaqe konspirative, por nëse nisemi nga mësimet e Leninit kjo çështje (dërgimi i lidhjeve) le që është e mundur po është e domosdoshme për sigurimin e vazhdimësisë së aktivitetit revolucionar të organizatës në përgjithësi.
Çdo celulë kur t'i dërgojë lidhjet e veta në Qendër, duhet të merret vesh me të (me Qendrën) për mënyrën e njohjes në rast të arrestimit të ndërlidhjes. Në Qendër të dërgohen edhe pseudonimet për secilin aktivist, kështu që në të ardhmen Qendra do ta ketë të lehtë të bëjë identifikimin e shkrimeve dhe raporteve të ndryshme. Pastaj, për secilin aktivist duhet të dërgohen karakteristikat kryesore në pika të shkurtëra, si ato pozitive dhe negative, si aftësitë ashtu edhe mosaftësitë etj.
Në gjirin e vet celula duhet ta bëjë ndarjen rigoroze të detyrave. Pra, çdo aktivist të merret me veprimtari të veçantë. Një aktivist kryen detyra të posaçme të aktivitetit revolucionar të organizatës. Kësisoji edhe do të ngrihet vetë, edhe do të perfeksionojë profilin e tij të veçantë, edhe nuk do të bjerë lehtë në sy të policisë dhe organeve të ndjekjes, edhe detyrën të cilën e kryen, do ta kryejë shumë më mirë se sa në rast se merret me më shumë punë.
Për punën me të cilën caktohet të merret çdo aktivist, duhet njoftuar edhe Qendrën. Kështu që Qendra do të disponojë me pasqyrën organizative të organizatës, ku dhe me se merret çdo aktivist. Kështu në rast se në rajonin e një celule, paraqitet edhe një celulë tjetër me detyra të njëjta të ngarkuara atëherë Qendra shumë lehtë mund ta orientojë në drejtim tjetër punën e celulës tjetër.
Pra, kësisoji Qendra ka mundësi të bëjë edhe ndarjen sekondare të detyrës. Në dy celula të ndryshme ka për shembull nga një aktivist që merret me shkruarjen e parullave apo me shpërndarjen e trakteve. Këta dy aktivistë, kuptohet nuk do ta njohin njëri-tjetrin, por fare lehtë mund të rregullohet që në aksione të shkojnë bashkë. Pra aktivisti (ta zemë shkruesi i parullave) punon në celulën e tij ndërsa në aksion mund të shkojë me një shok tjetër të një celule tjetër. Kësisoji edhe aksioni mund të kryhet në fshehtësi të madhe, edhe aktivistët mësohen me këtë mënyrë veprimi, edhe policisë i bëhet më i vështirë gjurmimi i militantëve të organizatës. E këtë mund ta rregullojë vetëm Qendra dhe vetëm atëherë kur do të disponojë me pasqyrën organizative të organizatës, ku dhe me se merret çdo aktivist.
Pra, çdo aktivist me nga një detyrë të veçantë të aktivitetit revolucionar të organizatës, sado i vogël të duket, do të japë kontributin e vet dhe do të ndihmojë në vazhdimësinë e aktivitetit edhe në kushtet më të vështira.
Ka detyra kur kërkohet nga aktivisti që të mos merret absolutisht me asgjë tjetër. P.sh., aktivisti tek i cili është e fshehur ndonjë makinë, shaptilograf apo shumëzues, pra mjetet teknike. Për të detyra kryesore dhe e vetmja do të jetë ruajtja dhe disponimi me mjete teknike. Pastaj, postjerët e organizatës, ose brenda, ose edhe për lidhje me Degën Jashtë, por sidomos postierë me Degën Jashtë duhet ndaluar çdo aktivist tjetër. Ata nuk guxojnë të merren me agjitacion, as të marrin pjesë në demonstrata, as të shkruanë parulla etj. Pra, njerëz të tillë duhet izoluar nga veprimtaria tjetër revolucionare në mënyrë që të ruhen nga syri i policisë.
Kur një rajon, gjegjësisht Instancat udhëheqëse rajonale, do të ndërlidhin punën e celulave, kësisoj atëherë do ta ketë shumë vështirë të bëjë gjurmimin e aktivistëve, militantëve dhe revolucionarëve të organizatës.

DISIPLINA

Për nga karakteri i saj, disiplina mund të jetë: e imponuar dhe e ndërgjegjshme. Ai që detyrohet të jetë nën regjimin e të parës, është i nënshtruar ndaj dikujt, shtrëngohet në mënyrë të dhunshme, të zbatojë kërkesat e disiplinës dhe e rëndon ajo. Demokracia shtypet dhe vendin e saj e zë diktati burokratik. Si e tillë, disiplina e imponuar, në radhët tona nuk ka vend.
Edhe ne i nënshtrohemi disiplinës, edhe ne zbatojmë të gjitha kërkesat e disiplinës, por të gjitha këto i bëjmë në mënyrë të ndërgjegjshme. Ne, duhet në rend të parë të kuptojmë mirë rëndësinë, nevojën e disiplinës dhe ta përcaktojmë drejt atë.
Qëllimi i disiplinës sonë është që secili nga ne të bëjë punë serioze edhe vetmohuese në edukim, kalitje politike e ideologjike, të kritikojë hapur të metat e veta dhe të shokëve posa t'i hetojë ato, të diskutohen gjatë e mirë (pa përjashtuar luftën e mendimeve) të gjitha çështjet para se të merret vendimi. Unitet vullneti në mendime, unitet në veprim. Detyrat që dalin nga vendimet duhet të kryhen shpejt e me përpikmëri. Disiplina jonë nuk duron qetësinë, rehatinë mikroborgjeze e rutinën, ngecjen në vend, pasivitetin, indiferentizmin, dembelllëkun, zvarritjen dhe përcjelljen e detyrave të pakryera nga mbledhja në mbledhje. Secili duhet të ndjejë përgjegjësi personale. Nga ana tjetër kjo disiplinë jo vetëm e duron diskutimin e lirë dhe kritikën e hapët, por e presupozon atë. Por edhe kritika ka përmbajtjen e saj, nuk mund të ekzistojë liria e kritikës tendencioze dhe të paargumentuar.
Lenini e ka përcaktuar qartë disiplinën me këto fjalë:
"Unitet veprimi, liri diskutimi dhe kritikë".
Duke forcuar disiplinën forcohet edhe uniteti dhe me shthurjen e disiplinës prishet edhe uniteti. Vetëm me një unitet të plotë të radhëve tona të mbështetur në vijën e drejtë politike, e cila shpreh interesat e klasës punëtore dhe masave të tjera popullore, mund të bëhet fjalë për unitetin tonë me masat.
Ne mbrojmë lirinë e diskutimit dhe të kritikës, vetë demokracia jonë e brendshme e presupozon këtë. Por, mbrojmë dhe zhvillojmë lirinë e diskutimit të çështjeve të diskutueshme. Nëse dikush përpiqet të përdorë autoritetin, "përvojën e madhe", "idetë e tij të paprekshme" dhe të "nxjerrë" e të trillojë gjithfarë "rregullash" nga "aftësitë" e tij "teorike", duke vënë në dyshim apo duke shtrembëruar e hedhur poshtë parimet themelore të marksizëm-leninizmit dhe të bëjë për vete ndonjë nga shokët për të formuar grupe fraksioniste brenda radhëve tona, ne nuk do të lejojmë një "liri" të tillë. Çdo lëshim në këtë drejtim, gjoja në emër të unitetit, çon përpara dhe dëshmon rëndë veprimtarinë tonë. Ai është pajtim dhe unitet me armikun. Shfaqjet e këtilla duhet t'i shohim me kohë, t'i kritikojmë me kohë dhe t'i zhdukim me kohë. Çdo vonesë në këtë drejtim sjell pasoja katastrofale. Detyrën e mbrojtjes së parimeve tona dhe pastërtinë e radhëve tona duhet ta konsiderojmë si një nga çështjet tona kryesore. Kjo nuk është çështje e njërit apo e disave prej nesh por e të gjithëve njësoj.
Liri diskutimi do të thotë, liri e shfaqjes së mendimit të çdonjërit prej nesh për çështjet që dalin në veprimtarinë tonë. Eshtë i domosdoshëm mendimi i çdonjërit që të nxirret mendimi i shumicës. Vetëm si i tillë ai është i drejtë. Kështu i mbyllet rruga çdo tendence të shfaqjeve të huaja, të përfaqësuara nga individi ose nga pakica, të cilët sipas parimeve tona duhet patjetër t'i nënshtrohen vullnetit të shumicës. Kjo është baza e disiplinës sonë.
Disiplinës së hekurt, të ndërgjegjshme duhet t'i nënshtrohemi vullnetarisht. Këtu nuk duhet bërë përjashtim, të gjithë të jemi të gatshëm, kudoqoftë dhe kurdoqoftë, ta bëjmë atë që e kërkon interesi i popullit. Disiplina e rreptë është detyrë e çdo pjesëtari të radhëve tona, ajo është e njëllojtë për të gjithë. Nga ana tjetër dobësimi i disiplinës, qoftë edhe për një kohë të shkurtër sjell pasoja të mëdha. Mospërfillja e disiplinës çon në shkeljen e vendimeve, në shthurje e çorganizim, prishje të unitetit. Shthurja jo vetëm i hap shteg qetësisë mikroborgjeze, arrogancës, burokratizmit dhe anarshisë, por edhe liberalizimit e shfaqjeve të rrymave oportuniste dhe futjes së armikut brenda në radhët tona, shkurt na shpie në shkatërrim të plotë.
Prandaj, duhet forcuar pareshtur disiplina, duhet forcuar kontrolli në zbatimin e vendimeve në përgjithësi dhe duhet siguruar një kontroll i vazhdueshëm shoqëror i veprimtarisë së çdo pjesëtari të radhëve në veçanti. Disiplina jo vetëm nuk duhet dobësuar, por ajo duhet forcuar vazhdimisht, sepse pa një disiplinë të çeliktë nuk mund të ecim përpara.

Hekurani (Agim Sulejmani)

PROGRAMI I LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS (LDK)
I APROVUAR NË KUVENDIN THEMELUES
MË 23 DHJETOR 1989.

Kriza e thellë shoqërore, ekonomike dhe politike, në të cilën gjendemi tash sa kohë, para bashkësisë shumëkombshe hapi shumë dileme që kanë të bëjnë me ekzistencën e saj të mëtutjeshme. Në opcion tashmë janë shumë programe dhe projekte që mtojnë të fitojnë legjitimitet në Jugosllavi. Kjo larmi idesh, propozimesh e deri te programet me profile të qarta politike tregon më së mirë se për fatin e Jugosllavisë janë të brengosur dhe të preokupuar të gjithë, dhe se, e ardhmja e saj mund të garantohet poqese për të angazhohen të gjitha subjektet e saj, pa ju rezervuar askujt e drejta që të flasë apo të vendosë në emër të të tjerëve. Pra, Jugosllavia duhet kuptuar si interes i secilit, ngase ajo është themeluar me vullnetin e lirë të të gjithëve, edhe me vullnetin e popullatës së Kosovës dhe se për çdo rregullim të ri të Federatës është e drejtë imanente që për të të vendosin lirisht edhe qytetarët e Kosovës. Fakti se kriza e thellë dhe e gjithanshme që po e rëndon vendin dhe që më fuqimisht e me pasoja të rënda po shprehet në Kosovë, kërkon kthesa radikale në fushën ekonomike, shoqërore e politike, se ajo mund të përballohet e të tejkalohet vetëm me angazhimin dhe veprimin e të gjitha forcave subjektive e potenciale krijuese dhe se ky angazhim nuk është i mundur në kuadër të monizmit politik dhe të monopolit njëpartiak, ne të nënshkruarit, morën iniciativën që të formojmë:

Lidhjen Demokratike të Kosovës
si shoqatë për veprim shoqëror-politik e kulturor të të gjithë atyre që aprovojnë orientimet programore të Lidhjes Demokratike dhe intencat e saj.

1.
Lidhja Demokratike e Kosovës (në tekstin e mëtutjeshëm LDK) angazhohet për reformat ekonomike shoqërore që synojnë daljen sa më të shpejtë nga kriza dhe zhvillimin më të shpejtë ekonomik të vendit. Për këtë qëllim LDK angazhohet për ekonomi të tregut, forma të ndryshme të pronësisë, për treg modern dhe për përjashtimin e ndërhyrjes jokompetente të politikës në çështjet ekonomike (nga orientimi i pa kriter i investimeve e deri te caktimi i kuadrit drejtues në ekonomi), gjë që kishte dhe ka pasoja të dëmshme. Kosova, përkundër potencialeve njerëzore dhe natyrore, është krahina ekonomikisht më e prapambetur e me papunësi më të madhe. Prapambetja ekonomike dhe papunësia janë forma permanente të krizës. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se pikërisht prapambetja ekonomike dhe papunësia janë problemet kryesore të Kosovës dhe përpiqet për përballimin dhe tejkalimin e tyre. LDK-ja përpiqet për stimulimin e iniciativave dhe të angazhimeve intensive, për racionalizimin dhe modernizimin e prodhimit, për rekonstruksione e orientime prodhuese dhe jo për falimentime dhe shuarje të nxituara të organizatave ekonomike; dhe jo për falimentime dhe shuarje të nxituara të organizatave ekonomike; angazhohet për të drejtën e barabartë të secilit në punë varësisht nga aftësitë, angazhohet kundër privilegjeve në këtë lëmë në baza regjionale, kombëtare ose të tjera. Lidhja Demokratike e Kosovës angazhohet për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve dhe mundësive të brendshme për zhvillimin ekonomik të Krahinës; angazhohet për politikë sociale, siç ndodh në të gjitha shtetet moderne dhe për solidaritet të të zhvilluarve ndaj të pazhvilluarve.

2.
Lidhja Demokratike e Kosovës angazhohet për Jugosllavi demokratike, federative, socialiste dhe për reformën e sistemit politik në këtë drejtim.
LDK angazhohet për demokraci që do të sigurojë barazinë e plotë juridike e politike të të gjithë qytetarëve, të individit, të dinjitetit dhe të pronës së tij pavarësisht nga përkatësia kombëtare, gjinore apo konfensionale; angazhohet për shtetin juridik, që respekton kushtetutën dhe ligjin dhe përjashton arbitraritetin politik e pushtetmbajtës. Angazhohet për pluralizëm politik që shpreh strukturat dhe interesat e ndryshme dhe për sistem shumëpartiak, angazhohet për mbrojtjen e plotë dhe zgjerimin e lirive të njeriut dhe të qytetarit, për të drejtën e mendimit dhe të shprehjes së lirë, për lirinë e fjalës, së shtypit e të organizimit politik; angazhohet për heqjen e çfarëdo censure, sidomos cenzurës së fshehur, angazhohet për gjyqet e pavarura dhe për përjashtimin e varësisë së individit, të ndjekjes dhe të ndëshkimit politik të gjyqtarëve. Lidhja Demokratike e Kosovës angazhohet për zhvillimin e raporteve demokratike në Federatë, duke e kuptuar Federatën si bashkësi të subjekteve të barabarta të republikave dhe të krahinave, si bashkësi e qytetarëve dhe të nacionaliteteve të barabarta. Pra, angazhohet për një federatë moderne, e cila do të mundësojë barazinë e nacionaliteteve, të republikave dhe të krahinave, për sistemin parlamentar në bazë të së drejtës së votimit të lirë, direkt e të përgjithshëm; për Kuvend Federativ të përbërë nga Dhoma e Republikave dhe e Krahinave, si dhe nga Dhoma e Qytetarëve. Angazhohet për vendosjen me konsensus për të gjitha çështjet e rëndësishme të vendit.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të angazhohet për zgjerimin e kanaleve demokratike institucionale, në drejtim të riafirmimit dhe afirmimit të mëtetjeshëm të indivudualitetit të Kosovës dhe të pozitës kushtetuese, duke kuptuar Kosovën gjithherë si bashkësi të qytetarëve dhe të nacionaliteteve të barabarta. Lidhja Demokratike e Kosovës angazhohet për afirmimin e subjektivitetit shoqëror, politik e kulturor të shqiptarëve dhe për të drejtën e tyre që, varësisht nga mundësitë që u ofrojnë numri, përqëndrimi e shkalla e zhvillimit, në marrëveshje me popujt me të cilët jetojnë bashkarisht, të shfrytëzojnë format e konstituimit politik e juridik që do të afirmonin barazinë e tyre.

3.
E vetëdijshme për faktin që bashkëpunimi, mirëkuptimi, miqësia dhe solidariteti i popujve janë rezultat dhe frytet më të rëndësishme të civilizimit, kurse grindjet dhe armiqësitë janë fatkeqësi e tyre e madhe, LDK do të angazhohet vendosmërisht për zhvillimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit të gjithanshëm të të gjithë popujve më Kosovë, në Jugosllavi dhe në botë.
Barazia e plotë përbën edhe parakushtin qenësor të miqësisë dhe të bashkëpunimit të popujve. Prandaj, LDK përpiqet për barazi të plotë kombëtare në Jugosllavi e në Kosovë. Ajo do të punojë për afirmimin e vetëdijes se Kosova është e gjithë atyre që jetojnë në të:
- se shqiptarët, serbët, malazezët, turqit dhe të tjerët historikisht dhe aktualisht e kanë Kosovën të tyre dhe bashkarisht duhet ta zhvillojnë dhe ta përparojnë;
- se jeta në miqësi është bazë e mirqenjes dhe e lumturisë së popujve;
- se shumica e kulturave dhe e traditave, e kuptuar drejt është pasuri;
- se bashkëpunimi e miqësia e popujve janë të pamundshme pa njohjen, mirëkuptimin dhe respektimin e kulturave dhe të traditave të qenieve dhe të interesave të njëri-tjetrit.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të luftojë kundër çdo qëndrimi ose pikpamjeje të pabarazisë. Ajo veçmas do të angazhohet:
- kundër çdo privilegji ose diskriminimi kombëtar;
- kundër koncepteve mbi popujt autoktonë e shtetformues dhe popujve të prezencës së rastësishme e margjinale;
- kundër çdo shovinizmi dhe hegjemonizmi;
- kundër manipulimeve nacionaliste e burokratike me çështjet kombëtare.
Lidhja Demokratike e Kosovës përpiqet për barazinë e plotë të nacionaliteteve në Jugosllavi. Ajo angazhohet për zhvillimin e gjithanshëm kulturor të të gjithëve, për arsimim të plotë në gjuhën amtare në të gjitha shkallët e shkollimit; për ruajtjen e pozitës dhe të dinjitetit moral e material të shkollës; për kultivimin e gjuhës amtare dhe barazinë e saj në komunikimin publik dhe në administratë, angazhohet për kultivimin e lirë e të barabartë të traditave kulturore e historike, për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare dhe të kremtimit me dinjitet të festave kombëtare; për të drejtën dhe mundësinë që çdo popull të shfrytëzojë rezultatet pozitive të krijimtarisë së vet kulturore dhe shpirtërore kudo që krijohen. Në këtë drejtim duhet zhvilluar edhe më tutje institucionet që merren me studimin dhe kultivimin e kulturës, të traditës dhe të shprehjes së lirë të individualitetit kombëtar të të gjithëve në Kosovë dhe në Jugosllavi.

4.
Lidhja Demokratike e Kosovës përpiqet për të vërtetën për Kosovën, duke luftuar kundër dizinformimit e shpifjeve, kundër përpjekjeve që çështjet e sotme të Kosovës të paraqiten e për to të flitet vetëm në terma diskualifikuese, pa u parë ato në tërësinë dhe komplesitetin e tyre. Ajo është kundër imponimit të pseudoproblemeve për t'u mbyllur problemet e veta, është kundër grindjeve dhe masave të jashtëzakonshme, kundër izolimeve e kundër proceseve politike si dhe angazhohet për lirimin e të burgosurve politikë. Angazhohet, pra, për dialog konstruktiv e mirëkuptim të ndërsjelltë dhe kundër diskualifikimit dhe etiketimeve të çdo mendimi ose kërkese që ndryshon nga ajo zyrtare e një partie.

5.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të angazhohet për ruajtjen e ambientit të natyrës dhe të resurseve natyrore. Asnjë gjeneratë nuk ka të drejtë që pa nikoqirllëk t'i shfrytëzojë ato që duhet t'u takojnë edhe gjeneratave të tjera.

Në Prishtinë, më 23 dhjetor 1989.

Kryesisë së Degës së LDK-së për Gjermani
Të dashur shokë!
Nuk e pashë të drejtë, që të shohësh veprime të tilla e të heshtësh. Kështu është në programin e LDK-së? Veprimet të tilla janë shumë të padrejta: isha i ftuar, i ulur së bashku me ta e nuk dija përse kisha ardhur. Zgjedhjet, propozimet dhe detyrat i qitët të gatshme në tavolinë (fjala është për zgjedhjet e këshillit të përkohshëm të degës së LDK-së në Shtutgart). Aty nuk kishte vend as për ndryshime, as për kundërshtime. Në mesin e 14-15 vetave të veprohet ashtu është një gjë shumë e shëmtuar.
Të veprohet në mënyrë të njëanshme në një mes të një rrethi të ngushtë shokësh është jo e drejtë, (po përsëritet e njëjta kohë burokratike, gjë që demokracia nuk e lejon). Por ndonjëherë edhe heshtja e ka domethënjen e vet e të arsyeshme.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë hov të madh në Kosovë e viset e tjera ; edhe tek mërgimtarët tanë u mirëprit dhe u shpreh gatishmëri që të përkrahet dhe të ndihmohet në çdo pikëpamje.
Anton Çetta me burra të fjalës e të penës, me rininë në ballë, po i falin gjaqet, mbyllin plagët e vjetra që me shekuj na i kanë lënë armiqtë e përbetuar të popullit shqiptar. Po shtrihet dora e pajtimit, prandaj, o shokë, edhe ne të marrim shembuj, mësime dhe të veprojmë? Mjaft me ndarje e anash si deri tani, mos ta shikojmë shokun, vëllaun që e ke pranë si të huaj. Ne nuk deshëm të ndërhyjmë si në propozime, zgjedhje dhe ndarje të detyrave, sepse ato na kanë sjellë përçarje. Namiu, Faridini dhe Mejdiu nuk jemi të dëshiruar se jemi të ramë në sy (ishin këto fjalët e Mejdi Rexhës). Po vallë nga cili sy? Çfarë të keqe kemi bërë dhe kujt i bëjmë? Bashkatdhetarëve tanë që saherë që është dashur ngritëm zërin për të padrejtat e popullit tonë, vëllezërve e motrave tona e të tyre, që kërkuam ne më shumë se ç'po kërkohet. Kundërevolucioni më në fund nga vetë banda Jugosllave u hoq. E tani përse ne qenkemi të rrezikshëm? Po shokët dhe vetë kryetari Hafiz, që u propozuan dhe u zgjodhën vetë, a nuk qenkan të ramë në sy, po bile hiç më pak se ata të lartëpërmendurit? Nga shokët që u zgjodhëm as nuk kisha diçka kundra dhe as që kam, edhe pse disa shokë i takova për herë të parë, bile kryetarit ia shtrova pyetjen: Cilët janë këta shokë që u zgjodhën!
LDK u formua në situatën më të nevojshme dhe ajo u vulos me gjakun e pastër të bijave dhe bijve, me gjakun e të riut, të plakut që nuk kursyen as jetën për liri e Republikë. Por edhe ne këtu në mërgim me aq sa na krijoheshin mundësitë dhe kushtet e përkrahëm dhe e ndihmuam luftën e popullit nga jashtë për liri. Po nëse duhet që t'i mshohet vizë (shlyen) e gjithë veprimtaria (kontributi) i lëvizjeve që janë bërë e do të bëhen deri në fitoren e plotë, atëherë le t'i mshojë vizë tjetërkush. Çdo gjë që është fituar është bërë me sakrifica e me gjak.
Pyetjen që e shtroi bashkatdhetari në sallë, dr. Aliu, ishte shumë me vend: se çka do të bëhet me ata që deri dje e kanë spiunuar shokun, mikun, vëllaun. Dikujt iu është vrarë e burgosur nga familja, shumica kanë mbetur me vite të tëra pa u takuar me familjen dhe të afërmit. Kjo pyetje i ka detyruar që ata të cilët i kanë bërë ato tradhti e marrina tani i detyron që t'i vënë gishtin kokës e të mendojnë mirë. Mos të ndodhë që deri dje ka bërë punën e armikut dhe sot mundohet të dalë në skenë si njeri "i popullit".
Me këtë letër dua të dëshmoj se nuk kam qenë kundra asnjë shoku që u zgjodh, se kam qenë i bindur se detyrat që i kanë marrë përsipër do t'i kryejnë pa ju mbetur asgjë mangut. E ndjeva si obligim se ato që nuk i thashë aty për aty vendosa, t'i qes në letër dhe t'i jap vërejtjet e mia. Po se si do t'i vlerësoni ju, ajo është puna juaj. Për vërejtje, kritikë, e autokritikë kemi nevojë të gjithë. Më mirë është t'ja thuash shokut e ta thotë, se sa e din e ta marrë mendja se ka qenë për kritikë e nuk ja thua. Më mirë vonë se hiç.
Mbetem me shpresë se vërejtjet apo kritikat do të m'i thoni si shokë dhe pa ngurrim. Edhe unë do t'ju jem mirënjohës dhe shokë përherë i juaj?
Ju përshëndes dhe uroj punë të mbarë dhe sukes!

Maj 1990, Nagold
Faridin Tafallari

NE JEMI ME KOSOVËN!
K O M U N I K A T Ë


Popull shqiptar!
Mërgimtarë jashtë Atdheut!
Sot kur mbarë populli ynë, i madh e i vogël, pa përjashtim gjinie, moshe dhe arsimi, pa dallim krahine e ideje, si një grusht monolit është ngritur dhe po qëndron si përmendore e pangjashme dhe e papërsëritshme kundër dhunës dhe terrorit shovinist;
Sot kur u rrafshuan dhe u shkrinë në një: fshatari e punëtori, shkollari e intelektuali, profesori e tekniku, femra dhe mashkulli;
Sot kur të gjithë iu përgjigjën rënkimit të të rënëve ndër shekuj, thirrjes së truallit të përgjakur, djepave që po na nëpërkëmben, varreve që po u kanoset poshtërimi, vetëqënies, jetës që po i kanoset asgjësimi;
Sot kur gjithë populli ynë është i bashkuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës për një grimcë demokraci, për një grimcë liri, për një grimcë jetë, Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës vendos t'i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.
LPRK për nëntë vite rresht luftoi pandërprerë për konstituimin e Republikës së Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, e cila u bë realitet më 2 korrik të këtij viti, prandaj Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës pushon aktivitetin e saj dhe vendos të bashkohet në Lidhjen Demokratike të Kosovës për të bërë të mundshëm funksionimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës.
Vëllezër dhe motra!
Atdheu ynë i përbashkët - Kosova jonë martire, po përjeton çastet më të vështira në historinë e saj, prandaj bashkimi ynë shtrohet si detyrë mbi detyrat.
Të bashkuar dhe vetëm të bashkuar ne do të ndihmojmë popullin tonë të shumëvuajtur.
Të bashkuar dhe vetëm të bashkuar ne do të kemi të drejtë ta quajmë veten pjesë e pandarë e popullit tonë.
Të bashkuar dhe vetëm të bashkuar ne do të kryejmë me nder detyrën që na takon.
Të bashkuar dhe vetëm të bashkuar ne do të arrijmë të shporrim nga vatrat tona xhandarët e Serbisë dhe të vëmë në jetë: Kushtetutën e Republikës së Kosovës
Rroftë Lidhja Demokratike e Kosovës me Ibrahim Rugovën në krye
Rrofshin bashkatdhetarët që i përgjigjen thirrjes së Atdheut!
Rroftë populli ynë trim dhe i pamposhtur!
Rroftë bashkimi!!
Rroftë Kuvendi i Kosovës!
Rroftë Republika e Kosovës!

1 tetor 1990

LPRK - Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës
Të dashur shokë!

Në Mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm u vendos që ne të bashkohemi në Lidhjen Demokratike të Kosovës, nëse për këtë janë të mendimit edhe shokët brenda. Siç thashë në mbledhjen e lartëpërmendur, siç thanë edhe të tjerët, me përjashtim të shoqes Bule, shokët janë të mendimit që ne të bashkohemi në LDK. Por më mirë po ua lëmë fjalën vetë atyre. Ja teksti i përbashkët që ata hartuan dhe për të qenë më i plotfuqishëm këtë tekst në telefon ia lexoi shoqes Bule vëllau i vet. Teksti është ky: "Ne jemi anëtarë të LDK-së. Ju duhet të bashkoheni dhe të veproni sipas programit të LDK-së. LDK është më masivja dhe i mbron interesat e popullit. Në planin kombëtar pajtohemi plotësisht me LDK-në gjë që është primare sot. Ky është mendimi ynë".

Shpresoj se për këtë nuk ka nevojë për kurrëfarë komenti. Teksti është shumë i qartë dhe nuk lë vend për asnjë luhatje. S'ka dyshim se megalomanët, karrieristët dhe prepotentët edhe këtë tekst do të përpiqen ta ndryshojnë dhe ta interpretojnë sipas dëshirave të tyre. Fundja kjo s'ka rëndësi, kur mbarë populli ynë është bashkuar në LDK-në, nuk prish punë a bashkohet dikush apo jo. Dhinë që ndahet nga tufa e ha ukju, thotë populli. Rrugët i kemi të qarta. Ose me popullin (populli është në LDK) ose kundër tij. Alternativë tjetër nuk ka. Mjerë ata që në këso situata kaq të vështira nuk e kuptojnë këtë dhe dalin kundër interesave të popullit.
Në fund shfrytëzoj rastin t'ju informoj edhe për bisedimet që i zhvilluam me Komisionin e LPRK pa adresë, më 7 tetor në Zyrih. (Për këtë arsye u vonua edhe dalja me komunikatë). Gjatë biedimeve sapo ne e përmendëm LDK-në u nxehën gjakrat, ata u revoltuan dhe na thanë se bashkimi me LDK-në nuk është në rend të ditës, megjithëse ne insistuam se kjo ishte porosia e shokëve brenda bisedimet u ndërprenë.
Neve nuk na mbetet tjetër, pos të gjejmë mënyrat dhe format dhe të futemi në LDK, në degët dhe nëndegët e saj në rrethet ku punojmë e jetojmë.
Punë të mbarë dhe suksese të reja!

Ali Malaj
Kryetari i Kryesisë së KP-së të ish-LPRK-së

11 tetor, 1990 - Fribourg

RASTI GËRVALLA?!
Marrë nga "Bota e Re", 1991

Kaluan 9 vite nga vrasja në Untergrupenbah. Para nëntë vitesh vrasja misterioze gjeti vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën. Sot e kësaj dite çalojnë dyshimet se këtë e bënë UDB-ja jugosllave apo njerëzit e paguar të gardës gjermane. Sidoqoftë, ata më nuk janë në mesin tonë. Kurse ne, tash pas nëntë vitesh, nxjerrim "parashikimin fitues juridik" për veprën kriminale të dorasit. Ne do të pyesnim të gjithë ata të cilët dinë dhe i njohin rrethanat për këtë rast, por edhe vetë do të angazhohemi, që të zbulohet e vërteta rreth këtij rasti. Kësaj radhe konsultuam Bashkim Hisarin, për shkakun se ky u gjend atë kohë konsull në konsullatën jugosllave në Shtutgart të RFGJ-së.
- Bashkim Hisari i lindur në Prizren shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Prizren - Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd dhe kursin diplomatik gjithashtu në Beograd. Bashkim Hisari u gjet në detyrën e konsullit jugosllav në Shtutgart prej vitit '81 dhe në vitin '82 kur u krye vrasja. Në fokus të interesimit tonë u gjet për shkak të rrethanave të pasqyruera mirë rreth rastit në shqyrtim, në të cili shpesh manipulohet edhe me emrin e tij.
* Si funksionar konsullar, sa punonit në Gjermani, a e keni njohur Kadri Zekën dhe vëllezërit Gërvalla?
- Po, e kam njohur vetëm Jusufin, kurse me Bardhoshin dhe Kadriun nuk jam takuar asnjëherë. E di se aktivitetet e tyre ishin në fuksion të rezistencës kombëtare për shkak të rrethanave në të cilat u gjend kombi ynë. Përveç kësaj, aktiviteti i tyre nuk rezimohet vetëm në këtë drejtim, por ata angazhoheshin edhe për pozitën e punëtorëve në RFGJ. Dihet se Jusufi, për shkak të raporteve të vështira ndërnacionale që mbretëronin në Kosovë, atëherë si gazetar i Rilindjes, shfaqi pakënaqësinë duke ra në konflikt me pushtetin e atëhershëm. I ndjekur, vendosi që të mos bjerë në duart e policisë serbe, vendosi që më 1979 të kërkojë azil politik në RFGJ. Atje e vazhdoi veprimtarinë e vet politike dhe atdhetare që edhe në ato rrethana të kontribuojë për mirëqënien shqiptare. Pas buntit studentor të vitit 1981, dhe demonstratave, ku ishte i angazhuar edhe ky në një mënyrë, dhe mundohej që më të gjitha mënyrat të internacionalizojë problemin kosovar, u ra në sy anëtarëve të sigurimit të konsullatës jugosllave në RFGJ.
* Në vitin '81 dhe '82 ishit konsull jugosllav në RFGJ. Mos keni shkuar në detyrë të caktuar?
- Prej vitit '81 isha konsull në RFGJ dhe kisha resorin e kulturës. Mirëpo shpesh isha i angazhuar edhe në resoret e tjera. Mund të them se nuk kam arsye ta fsheh të vërtetën për atë që ndodhi. Në RFGJ gjatë kohës kur isha konsull në RFGJ kam pasur kontakte të shumta me shqiptarë dhe më njohin si mbrojtës të interesave të tyre. Ata të cilët dyshojnë në punën time, ose kanë qenë në pozitë konfliktore me mua ose mundohen të ma mveshin rastin Untergrupenbah. Në të vërtetë unë nuk jam i njoftuar detajisht për hierarkinë organizative të këtij rasti. Mirëpo e di se në konsullatë shpesh është biseduar për shqiptarët, e në këtë kontekst edhe për Gërvallën, si cënues të interesave jugosllave në RFGJ.
- Megjithatë, asnjëherë nuk kam qenë i pëzier në montimet dhe tentimet diversante të UDB-së jugosllave, në llogari të kombit tim. Tekefundit, ata as që më kanë besuar në këto sekrete shtetërore.
* Mirëpo në nëntor të vitit '81 ju keni qenë të sulmuar nga shqiptarë, për shkak se i keni fotografuar demonstruesit në Shtutgart.
- Po, është e vërtetë. Këtu nuk jam sulmuar vetëm unë, por të gjithë anëtarët e konsullatës që kishin dalur për këtë çështje. Atëbotë një grup prej tyre, hyjnë në një ndërtesë dhe u vërsulën mbi ne. Aty na shpëtuan policët gjermanë.
Pas këtij rasti u shkaktuan pakënaqësi në konsullatën jugosllave. E di se atë kohë na pat thirrur konsulli i përgjithshëm Dimitrijeviq (emri nuk më kujtohet) dhe Voja Llapiçiq - konsull për resorin e sigurimit. Të hidhëruar për ndodhinë, ata me fjalë të rënda fyen gjithçka shqiptare. Si duket prej aty në marrëveshje me organet e larta shtetërore në Jugosllavi, vendosën që organizatorët e këtyre demonstratave, që i shkaktonin dëm prestigjit jugosllav të likuidohen.
* Mirëpo në listën e organizatorëve për rastin Gërvalla ishit edhe ju.
- Unë nuk e kam të njohur atë listë, por e di se aty kanë qenë të përziera organet federative, të Serbisë dhe të Kosovës konkretisht: Stane Dolanci, Rrahman Morina, Dimitrijeviq, Voja Llapiçiq, dhe njëri prej shqiptarëve, thonin se ishte shok lufte i Jusufit dhe vinte shpesh në ambasadë (unë njëherë e pata përzënë) por, prapë po them se më detajisht nuk jam njohur me planin misterioz të kësaj vrasjeje. Tekefundit duhet të kërkoni përgjegje edhe nga disa shqiptarë që atëherë punonin në konsullatën jugosllave. Si, Neziri, (mbiemri nuk më kujtohet) shofer i konsullit të përgjithshëm, Omer Aqifi dhe Rrahim Rapçani. Një kohë të gjatë unë isha izoluar nga mbledhjet sekrete. madje kur bisedohej diçka e tillë, as që merrja pjesë në konsultime.
* Thuhet se para vrasjes keni pasur edhe një konflikt me shqiptarët?
- Po kam rënë në konflikt me Xhafer Shatrin, në një koncert, kur ne ishin ulur në rendin e parë të sallës me konsullin jugosllav, kur Xhaferi hodhi ujë mbi ne. Po edhe ky ishte një rast kur unë reagova shumë ashpër.
* Po ku ndodheshit ju kur u krye vrasja?
Së pari t'ju them se unë nuk kam qenë në atë kohë në Republikën Federale Gjermane. E kam marrë pushimin diku para vitit të ri. Shkuarja ime me pushim, ndoshta ka qenë fshehje e të vërtetës nga ana e konsullatës jugosllave për rastin Gërvalla. Sidoqoftë, deri më datën 20 kam qenë në pushim (është vërtetuar në pasaportë) dhe për vrasjen e kam kuptuar në një sallë koncerti nga disa bashkatdhetarë. Bëhuni të bindur se po të disha diçka më detajisht do të bëja gjithçka që të pengohet vrasja e tyre. Sidoqoftë edhe atëherë kur e kam kuptuar rastin se si janë vra, kam shprehur indinjatë për këta tre atdhetarë të vyeshëm. Lista e organizatorëve në të cilën gjendet edhe emri im, lidhur me rastin Gërvalla, është diskredituese për personalitetin tim. Unë kam qenë gati edhe të reagoj në një intervistë të gazetës suaj me Mustafë Xhemajlin, i cili për rastin Gërvalla si njëri prej organizatorëve e përmend edhe emrin tim. Mund t'ju them me përgjegjësi se për këtë rast mund të flasin edhe punëtorët e ambasadës ku unë kam punuar. Pra urdhëroni e dëshmojeni.
Baton HAXHIU

Letër drejtuar.

Kryesisë së LDK-së, dega në Gjermani.
Kryesive të nëndegëve të LDK-së në Gjermani.
Kryesive të aktiveve të LDK-së në Gjermani.

Të nderuar zonja dhe zotërinj.
Në këtë letër i kam mbledhur disa nga pikat më me rëndësi dhe më shkurtimisht. Këtë e kam bërë që mos t'ju marrë shumë kohë duke e ditur se shumë nga ju jeni pregatitur për të diskutuar dhe kjo është e drejtë e çdonjërit.
Në mbledhje të këtij niveli sa herë që janë mbajtur, zotërinjtë e kryesisë së Degës na kanë ardhur me vonesë dhe jo më pak se nga dy orë. Këto vonesa nuk kanë qenë të arsyeshme. Por kanë qenë vonesa me qëllim. Pritjet e gjata në sallë bëhen të mërzitura e monotone dhe kur dihet se i kemi me orare të caktuara sallat. Shumë nga pjesëmarrësit vinë të përgatitur dhe kthehen ndoshta edhe pa marrë fjalën asnjëherë.
Kur hapet mbledhja, fillon me pika të caktuara, me pika që nuk çojnë aq peshë dhe aty përqendrohen, kurse pikat që janë më me rëndësi, ngelen. Ato po i mbeten Kryesisë që të vendosë vetë, ose po vendoset bashkarisht, por duke u ngutur, pa i bërë mirë analizë dhe pa e diskutuar mirë. Me një fjalë, hajde ta kryejmë shpejt e të shkojmë nëpër shtëpitë tona se boll më, se na u ça koka, na u bë monotone. Ka apo nuk ka sukses, vetë po e shohim.
Dega e LDK-së në Gjermani është nisur me vetpropozime e me vetzgjedhje, propozohu e zgjidhu. Më 1 maj 1990 isha i ftuar për të marrë pjesë në formimin e këshillit iniciues për LDK-në, dega në Gjermani, por zoti Hafiz Gagica si e kishte vendosur, ashtu dhe u bë; por më gjerë këtu nuk po ndalem, po ja lëmë kohës...
Në Esslingen - Zell më 5 maj '90 u bënë zgjedhjet e para të përkohshme, por edhe aty u bë ashtu si e kishin paraparë disa individë-persona. Dhe ç'është më e dobëta për ne, kur Kuvendi i mbajti zgjedhjet e para më 5.10.1991 po në të njëjtën sallë të lartpërmendur, edhe aty u veprua si më parë, si pas planit të tyre. Ani, edhe pse e bënë gjoja me vota, por ajo shkoi si pas dëshirave dhe jo si pas rregullave e si pas parullës së demokracisë. Por as sipas aftësisë.
Zoti Hafiz Gagica me vota kishte më pak se zoti Hazir Krasniqi e i barabartë me zotin Marjan Tunaj. Disa nga delegatët e morën fjalën dhe kundërshtuan, por ajo ishte e kotë, se ata e kishin vendosur dhe nuk zhvendosej. U suall e mbështuall, por ngeli e tyrja, më në fund. Zotit Hafiz Gagica kisha me i shtru këtë pyetje thjesht si shok, se a ka aq zotësi e aftësi për ta udhëhequr këtë popullsi kaq të madhe të diasporës ?! Unë them se nuk e ka; kjo është një përgjegjësi që duhet të jesh shumë i përgatitur për këtë mision e këto detyra. Mua nuk po më besohet se Kosova nuk ka burra të ditur për të cilët sot e ka nevojën më së shumti. Sot kur është në pyetje fati i tre milionë shqiptarëve në ish Jugosllavinë serbo-sllaviste, që me shekuj na kanë robëruar e coptuar në katër pjesë të jugosllavizmit, që sa e kompletuar është zgjidhja e shqiptarëve(Fjalia nuk ka kuptim). Prandaj këtu duhet një diplomaci dhe njerëz të aftë për t'i dalë në krye e për të fituar, se mjaft me fjalë boshe. Populli po vuan për të gjitha gjërat që i takojnë. Populli po duron nga të gjitha shkeljet e shtypjet brutale, nga armiqtë e përbetuar me shekuj. Populli me gjithë këto që po u bën armiku po i qëndron i pathyer, por edhe me shpresë se do të fitojë. Por zoti Hafiz Gagica këto i pranon se e ka dëshirën që t'i dëgjohet emri, kështu ja do karriera e tij. Ne, disa nga shokët e rrethit të Shtutgartit e njohim më mirë Hafizin se ju. Ne e njohim që në kohën kur UDB-ja, na i vrau tre shokët e jo zotërinjtë, tre yje të pashuar dhe u bënë 10 vjet që ata janë në dhe të huaj. Ne e njohim mirë zotin Hafiz, ose po e them fjalën e Sabri Novosellës që e bëri të lindur e të rritur në luftë. Por edhe Sabri Novosella kur ne ishim në momentet më të vështira, pas rënjes së shokëve, rrinte në Adapazar të Turqisë dhe vonë doli në Gjermani e në Zvicër vetëm me na përça dhe ata pak që kishim mbetur. Dhe për ta vazhduar atë përçarje gjeti zotin Hafiz për t'i qenë besnik; ky e vazhdoi atë rrugë me të gjitha mundësitë që kishte. Në demonstratat që mbaheshin në Perëndim, Hafizi ishte ai që nëpërmes telefonave, mundohej që mos t'i linte me dalë me marrë pjesë, duke iu thënë: "Mos shko atje se e ka organizuar ajo, apo kjo lëvizje". Por kur nuk arrinte nëpërmes telefonit, i shpërndante Qarkoret ose komunikatat.
Kam edhe shumë për të thënë, të dashur vëllezër, por mos t'ju marr shumë kohë. Kisha me ju lutur ju të gjithëve që mos t'i duartrokisni cilitdo, mos të kemi hatër e shokë, mos të kemi miq e jarana kur është në pyetje çështja e atdheut; kur është në pyetje fati i popullit. Njerëzit që e meritojnë si me aftësi, si me ndershmëri, si me diplomaci, t'i zgjedhim e t'i qesim që të na prijnë. Por edhe vetë ta dijmë se sa kena mundësi dhe aftësi për t'i marrë detyrat. Ta gjejmë vendin se ku na takon dhe për aty ku kemi mundësi mos të kursejmë asgjë e as jetën. Sot po e lëshuam këtë kohë të na ikë, atëherë mjerë për ne. Ju kisha lutur edhe atyre që e kanë në qejf karrierën, mos të shkojnë për karrierë, mos ta shfrytëzojnë situatën, se sot kudo dëgjohet fjala “hajt leje sot e leje nesër”. Por neve koha po na ikën dhe ajo që sot ikën është vështirë me e zënë nesër.
Edhe unë kam qenë shok shumë i afërt i Jusufit e Kadriut, por nuk jam as Jusuf e as Kadri. Kam qenë dhe mbetem një aktivist, kam qenë e mbetem një ushtar i popullit. Por jo një ministër apo një diplomat.
Sot jam anëtar i LDK-së dhe e përfaqsoj një aktiv, por ama po kontribuoj sa po kam aftësi. Ju lutem që të më kritikoni e të më largoni në se nuk jam për aty.
Ç'ka ka bërë Dega në Gjermani?
1. Ka tubuar ndihma në konton e hapur në Achen.
2. Ka mbledhur të holla për vetëmbrojtje. E tjetër ç'bëri? Disa tubime.
Po rezultati ku është? Vijnë të rinjtë, familje të tëra ikin nga Kosova; Ankohen kur i takon, thonë se nuk merr askush ndihma. Të tjerët tregojnë që kanë marrë familje me i mbajtë për bukë e të tjera.
Zoti Hafiz sot i ka disa detyra në kryesi të Degës (Kryetar) dhe kryetar i Kolegjiumit (diaspor) për Evropë, Amerikë dhe Australi.
Të ndalemi këtu në Gjermani. A është formuar ndonjë këshill koordinues me partitë e tjera? Jo. Po marrëdhënjet apo bashkëpunimi me partitë e tjera si është? As ajo nuk ekziston. Thuhet se me PPD-në janë si parti motra, por as me këtë jo. Kjo është vetëm sa për të mos mbetur vetëm, LDK-ja, Dega në Gjermani. Në Zvicër (Gjenevë) u mbajt një protestë një javë ditshe nga të gjitha partitë e atjeshme. As dega dhe as nëndegët e Gjermanisë nuk ju dërguan asnjë përkrahje dhe as një përshëndetje.
Sipas fjalëve që dëgjohen, ka filluar një përçarje në mes partive dhe individëve. Kjo nuk është në interesin tonë, por në interes të armikut.
Por para se ta përfundoj, ju uroj shëndet të mirë, bashkim me njëri-tjetrin. Të jemi të bashkuar e të shtrënguar si kurrë më parë, pa marrë parasysh se ç'partie i takojmë. Për një Kosovë e Shqipëri të bashkuar.
Ju faleminderit për dëgjimin e letrës.
Faridin Tafallari

Vijon...

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Faridin Tafallari
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 127 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi