Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
DHIMBJE KRENARE (19)
Publikuar më 17 gusht, 2019 në orën 21:58 ( ) Faridin Tafallari | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
DOKUMENT 7
Letrat për përshtypje të librit „Terror“

„Republika”, e mërkurë, 24 qershor 1998
“Terror, dhimbje, qëndresë” nga Tafallari

“Terror, dhimbje, qëndresë” është botimi më i fundit, i cili përmbledh kujtime, dokumentacione, korrespondencë. Autori Faridin Tafallari në këtë libër ka hedhur kujtimet e viteve të tij të mërgimit, të cilat janë pasuria më vetiake e tij. I përfshirë qysh prej gati 20 vitesh në vatrat e lëvizjes patriotike të mërgimit në Gjermani, Tafallari është vetvetiu pjesëmarrës dhe dëshmitar i shumë ngjarjeve të rëndësishme, i shumë shqiptarëve që kanë luajtur rol të ndryshëm në këto vatra patriotizmi dhe qëndrese. Struktura e këtij libri përbëhet prej tre pjesësh themelore, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, ku pjesa e parë titullohet “Kujtimet” dhe është vendosur në krye të librit, pjesa e dytë është “Dokumentacioni”, ndërsa pjesa e tretë e titulluar “Letërkëmbimi” (Korrespondenca) përfshin vetëm një pjesë të korrespondencës shumëvjeçare që ka patur autori në rrjedhën e viteve.

18. 01. 1997

Fjala rreth veprës “Terror, dhimbje, qëndresë” të autorit Faridin Tafallari
me rastin e promovimit në Muzeun Historik Kombëtar.
Kjo vepër është një përshkrim ngjarjesh dhe përjetimesh tepër realë, që shtrihet në mbi dy dekada dhe kalon kufijtë e vendlindjes së tij, Prizrenit me rrethinë, Kosovës martire dhe shkrihet në një rrafsh veprimi deri në qytetet e largëta të Evropës.
Autori përshkruan me dhimbje mënyrën se si detyrohet t’i kthejë shpinën vendlindjes dhe të gjejë punë në perëndim, për të siguruar ekzistencën larg familjes, larg prej njerëzve të tij më të dashur dhe më të afërt, por në anën tjetër, kudo që ndodhet, i duket sikur e thërret Struzha e tij, e cila e lindi për t’i qëndruar besnik djepit që e përkundi.
Pikërisht zëri i vendlindjes e bën Faridinin që të ketë një aktivitet shumë vital në shërbim të atdheut dhe çështjes sonë kombëtare. Më së miri për këtë flasin kontaktet e tij të drejtpërdrejta me vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekën, si dhe Hysen Gegën, Sabri Novoselën, Ibrahim Kelmendin dhe aktivistë e veprimtarë të tjerë. Autori është kudo në aktivitet në Shtutgart, Dyseldorf, Gjenevë, Bruksel, Vjenë etj. Prej kudo mban shënime dhe na i sjell të kompletuara në veprën e lartpërmendur.
Shpresojmë që kjo vepër të jetë edhe një mesazh bashkimi për të gjithë shqiptarët, pa dallim bindjesh ideologjike, besimesh fetare dhe dallimesh krahinore.
Shaip Zeqiri

Tiranë, 5. 12. 1997
Pasqyra, Rubrika kulturore e javës, “Terror, dhimbje, qëndresë”
U promovua në Sallën e Bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë libri i autorit kosovar Faridin Tafallari “Terror, dhimbje, qëndresë”. Në faqet e librit, përmes informacionit dokumentar, fotografive, kujtimeve, meditimeve me vlerë, shpaloset dimensioni i plotë shqiptar i së vërtetës. Gjatë 20 viteve lexuesi ndjek jetën e një galerie të tërë personazhesh heroike, luftëtarëve për çështjen e madhe kosovare e kombëtare. Figurat e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e mjaft njerëzve të tjerë rriten e piqen përmes njerëzve të ndërthurur realisht në libër.
Diskutimet e D. Agollit, M. Bicajt, R. Bedos, N. Brahos, M. Zeqos, I. Ganit, Sh. Zeqirit, A. Krasniqit evidentuan rëndësinë e këtij botimi, që shpreh bukur vazhdimin e palëkundur të luftës për liri e ideal kombëtar, pavarësisht nga sakrificat në Kosovën martire.
Në përurimin e librit “Terror, dhimbje, qëndresë” më 2. 12. 1997 në Muzeun Historik Kombëtar u prononcuan edhe shkrimtarë e poetë si Dritëro Agolli, Moikom Zeqo etj.

Fjala e Dritëro Agolit në TVSH me satelit ishte kjo:
“Për mendimin tim ky libër është shkruar me një vërtetësi të rrallë dhe, nëpërmjet kësaj vërtetësie, ai mbetet si një dokument historik. Këtu e vërteta del jo duke u përkëdhelur, por do të thoja, një e vërtetë e pamëshirshme, ku autori, nëpërmjet ditarit të tij, tregon ngjarje të dhimbshme, por tregon edhe ngjarje historike të forta, nëpërmjet një rruge tepër të vështirë, nëpërmjet rrugës së terrorit serb, por edhe nëpërmjet rrugës së atyre njerëzve të lëkundur dhe të përçarë të kësaj lufte, njerëzve që nuk e dëshironin këtë luftë. Autori nuk ka asnjë lloj mëshire për t’i paraqitur këta njerëz siç janë dhe ngjarjet siç kanë qenë. Në këtë libër bën përshtypje edhe ana tjetër se si rriten heronjtë. Që nga shtatëdhjetë e treshi, që Faridini mban shënime në ditar dhe deri në nëntëdhjetë e katrën, shikon se si heronjtë ngjiten nga një shkallë në tjetrën, derisa ata piqen, formohen në mendimet e tyre, në luftën e në përpjekjet e tyre dhe kjo ngjall optimizëm, se thuhet se lufta për çështjen tonë kombëtare, për bashkimin tonë kombëtar nuk ka mbaruar ende. Në këtë libër tregohet se kjo vjen duke u rritur, pavarësisht nga tragjeditë, nga dështimet, nga rëniet dhe ngritjet. Nga ana tjetër, në këtë libër nuk tregohet vetëm rritja e heronjve dhe personaliteteve të vërteta historike, por tregohet edhe rritja, formimi dhe pjekuria e vetë autorit. ”

(Këto fjalë i mora në videokasetë nga TVSH me satelit - shënim i autorit).

Nga fjala e Moikom Zeqos:
“Ne organizuam në Muzeun Historik Kombëtar përurimin e librit të Faridin Tafallarit “Terror, dhimbje, qëndresë”, trefish titull, me tre metafora të mbledhura e të lidhura me njëra-tjetrën. Terror, sepse është historia e terrorit, histori e cila vazhdon sërish dhe sot, madje përmasat e vërteta të këtij terrori ende nuk i kemi konstatuar e vetëm mund t’i parafytyrojmë, por brezat e ardhshëm do t’i faktojnë më mirë. Si pasojë e terrorit është dhimbja. Dhimbja është e pafundme, e jashtëzakonshme, është një dhimbje që e ka telendisur, e ka dërrmuar, e ka cfilitur kombin, por nuk e ka mposhtur dot, se ky është një komb i pamposhtur, si një kuptim i thellë i relaitetit, jo vetëm i terrorit e dhimbjes. Por është edhe qëndresa. Qëndresa është gjithçka. Mandej qëndresa parakupton dhimbjen dhe terrorin, por edhe triumfin nën terror. Ne duhet të dimë si qëndrojmë, të dimë të organizohemi shpirtërisht, të jemi të lirë vetë si luftëtarë, dhe pastaj edhe si popull i tërë i lirë. Domethënë ideja e Naim Frashërit se “duhet të kemi ndërgjegjen kombëtare, për të qenë të lirë” është ide themelore. Libri për të cilin fola është një libër tejet tronditës, është një pjesë nga tragjedia e kombit tonë, që e mbajmë në duar. Aty shkëlqejnë emra si ai i Jusuf Gërvallës, e nuk është pak të kesh një Jusuf Gërvallë. Jusuf Gërvalla është një metaforë e madhe trimërie dhe mençurie. Koleksioni i dokumentave të botuara në këtë libër është pjesë e tërë atij dokumentacioni të madh, por që për fat të keq nuk po publikohet qysh duhet dhe atëherë kur duhet.
Fjala e Xhafer Shatrit:
“Librin “Terror, dhimbje, qëndresë” e lexova me shumë kujdes dhe me vëmendje të veçantë. Libri është një realitet dhe i paanshëm. Ky libër është si një lis i natyrshëm. Edhe po të kishte qenë një shkrimtar i rangut më të lartë, kurrë nuk do të mund ta nxirrte kështu. Ai vërtet do të zbukuronte, por, sado që ta zbukuronte e ta ndërtonte, nuk do të mund t’i jepte këtë që ti, Faridin, ia ke dhënë. Andaj, të lumtë dhe të uroj nga zemra suksese që iu kushtove këtij libri madhor të kohës dhe që do t’i shërbejë shumë çështjes dhe historisë. ”
Fjala e Sabri Novoselës:
“Faridin! Librin e kam marrë dhe e kam lexuar. Nuk kam ditur se do ta nxjerrësh. Aty janë pikërisht ato gjëra ashtu si kanë qenë. Nuk ka gjëra të shtuara dhe as të ndryshuara. Kishe botuar edhe letrat e Jusufit, letrat që kemi komunikuar unë me Jusufin. Mirë ke bërë, se duhen botuar që të gjitha letrat që ka shkruar Jusufi. Është mirë të dimë gjithçka të tij. Në komunikatën që boton dhe që është e nënshkruar nga unë, në fakt ajo nuk është nënshkruar nga unë, se komunikatat nuk nënshkruhen, pasi ato bëhen me shokë. Vetëm aty është bërë një gabim, se në fakt ka qenë e shkruar nga ti, që i shumëfishoje dhe i shpërndaje dokumentet. E s’duhet të jetë as nënshkrimi yt. Po Faridin, atë unë vetëm e kam postuar dhe jam diku në mesin e tyre. ”

Fjala e Hasan Malajt:
“Faridin! Librin e mora dhe e lexova me shumë interesim dhe me vëmendje. Andaj nga zemra të uroj shumë sinqerisht dhe sukses, se është shkruar ashtu si është, si ka qenë. Të lumtë, të lumtë për punën dhe mundin që i ke kushtuar tërë asaj periudhe. Nuk mund të të akuzojë askush, se aty është e vërteta dhe vetëm e vërteta. Tirazhin shumoje, se ky libër ka rëndësi dhe vlerë të madhe përherë. Edhe njëherë të uroj shëndet dhe sukses!”

Fjala e Ibrahim Kelmendit:
“Librin nuk e kam marrë, por një shok ma ka përshkruar e lexuar nëpërmjet telefonit. Kishe zbuluar gjëra që nuk të kanë takuar vetëm ty, edhe pse nuk e kam lexuar, por për ato do të përgjigjesh dhe do t’i paguash shtrenjtë, bile mund të hash edhe plb.”

Fjala e Nami Ramadanit:
Namiu është i vetmi shok që e ka lexuar librin pa e dërguar në botim. Përgjigja e tij ishte se nuk bën për botim, se është para kohe dhe se rrezikohen përsonat që janë në libër, pra ata që përmenden. “Këtu janë të prekur në sedër personat në fjalë dhe ty, Faridin, mund të të ndodhë diçka e keqe. Andaj unë të them mos e boto, se i bën keq vetvetes. Po ti pate kurajo, e botove dhe tani libri ka rrugën e vet. ”

Kemajl Çollaku:
“Faridin! Të lumtë dhe paç sukses edhe në librat e tjera që, me siguri do t’i shkruash. Libri yt është një libër që flet dhe tregon realitetin tonë. Është një libër që do të ishte mirë të lexohej nga shumë lexues. Andaj shëndet e sukses dhe presim edhe librin tjetër sa më shpejt, se është i mirëpritur, të lumtë!”
Fjala e Sebastian Nujiqi:
“Ore Faridin! A e di se ç’më ke bërë me këtë librin tënd? Po më ke lënë pa punë more! Telefonat kërcasin në të katër anët e byrosë së agjensisë dhe unë nuk ndahem dot nga libri, derisa më japin vërejtje të tjerët me të cilët bashkëpunoj. Më ka lënë përshtypje të madhe. Por në disa pjesë sikur nuk janë qartësuar mirë gjërat, do të mundohem që të jap ndonjë pjesë që nuk është e qartësuar. Sidoqoftë urime dhe suksese në të ardhmen!”

Fjala e Fiqiri Haxhiut:
“Librin e lexova me shumë kujdes dhe vëmendje. Ti ke bërë një punë të madhe në shërbim të kombit dhe të kohës. Libri është vlerësuar. Ai është udhëzues për lëvizjen patriotike që është në vazhdim. ”

Presidenti i Shqipërisë Prof. Dr. Rexhep Mejdani:
Më datë 3. 12. 1998 ai me dëshirë pranoi kërkesën time për një takim në kabinetin e tij. Pas një bisede vëllazërore dhe tepër të ngrohtë, më uroi dhe përgëzoi edhe për librin që i kisha dhuruar ditë më parë. Më përshëndeti dhe më tha se përurimin e librit e kishte përcjellë përmes televizorit. “Libri më ka pëlqyer dhe ke shkruar një vepër të madhe, andaj të vazhdosh e të shkruash atë që është në shërbim të atdheut dhe të kombit. Suksese e të mira edhe më tej!”

Fjala e Iljaz Ramajlit, përfaqësues në zyrën e Kosovës në Tiranë:
“Faridin! Librin tënd e kam lexuar dhe të uroj suksese edhe më tej. Ai është një libër i fortë dhe të vazhdosh e mos ta lesh me kaq. ”

Fjala e Besa Çekut: gazetare dhe folëse në RTSH me satelit në Tiranë:
“Faridin! Librin tënd e kam lexuar dhe, kur mendoj se shqiptarët nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët, jam shumë e shqetësuar. E marr librin tënd në dorë dhe aty i gjej të gjitha. Andaj urime e suksese të mëtejshme. ”

Fjala e Hajdarit dhe bashkëshortes së tij, Leftere Thaqi, me banim në Fushë-Krujë:
Na pritën me dyer e zemër të hapur. Lefterja, pasi mori vesh se unë isha autori i librit “Terror, dhimbje, qëndresë”, u befasua. Ajo e kishte lexuar atë me shumë kujdes dhe me vëmendje dhe filloi të më tregonte përshtypjet dhe ngjarjet e të kaluarës. Ajo sikur e shfletonte librin aty për aty dhe ashtu radhazi m’i rikujtonte ngjarjet me aq emocion, saqë edhe unë isha tepër i emocionuar, meqë po më kthente në ato pak gëzime e në ato mori hidhërimesh që kemi kaluar. Pas pritjes dhe bujarisë shqiptare, kur unë po ngrihesha, Lefterja më tha të përshëndesja Zaden por edhe ta falenderoja, se ajo i kishte pritur shumë mirë shokët. “Ajo më ka mësuar që edhe unë t’i pres miqtë dhe shokët si ajo. Andaj po erdhe me Zaden në Shqipëri e nuk u ktheve te ne, më të mos na flasësh. Përshëndete përzemërsisht dhe ju uroj shëndet e të mira. Librin tjetër e presim me padurim. ” U ndava shumë i kënaqur, por edhe i emocionuar nga kjo familje patriote e atdhetare, me traditë dhe kulturë të lartë familjare. Ata kishin ardhur para 35 vjetëve nga Prizreni në Fushë-Krujë. (Korrik 1998)

Fjala e Tefik Ramadanit:
“Të uroj për punën që i ke kushtuar kësaj vepre të madhe. Aty gjeta shumëçka ishin të nevojshme, jo vetëm për kohën e sotme, por ky do t’iu vlejë edhe brezave të ardhshëm, edhe atyre që do të shkruajnë për lëvizjen patriotike në mërgim. ”

Fjala e Abdulla Zhegrovës:
“Nuk pata ndërmend të flas, por pas diskutuesve vendosa. Sot jemi mbledhur këtu për përurimin e librit dhe duhet të orientohemi për këtë përurim e jo vetëm si një tubim informativ, nga e cila përfitojmë sidoqoftë. Unë mendoj se libri ka një rëndësi të madhe, për arsye se në shqip i kemi apo nuk i kemi tri-katër libra të kësaj natyre. Kemi librin e Kadri Rexhës, i cili i dedikohet Jusuf Gërvallës për veprimtari, pastaj librin e Xhafer Shatrit për Adem Demaçin. Pastaj unë mendoj se libri i Faridinit është një kontribut modest dhe i dedikuar në këtë drejtim. Andaj kam përshtypjen se libri është për shqiptarët dhe nuk është i dedikuar për një grup ose grupacion politik, por është për çdo shqiptar. Duke anashkaluar apo lënë anash bindjet politike-ideologjike, të cilat na dëmtojnë e na kanë dëmtuar për një kohë relativisht të gjatë edhe sot e kësaj dite, autori ka dhënë sidomos fakte. Prandaj ky libër përbën një nismë që, vetëm duke e lexuar dhe duke i njohur dëshmorët dhe njerëzit tanë, mund të ecim përpara. E tha zotëria që diskutoi më parë se ne kemi dëgjuar epope e këngë kreshnike, mirëpo derisa mos të ulemi e t’i analizojmë ato figura me gjithë të mirat, por edhe me të metat, ne nuk mund të ecim përpara dhe nuk mund të krijohen personalitete të cilat janë vërtet të gatshëm, por edhe të aftë për ta çuar çështjen tonë përpara.

Fjala e Mejdi Rexhës:
“Ju përshëndes të gjithëve. Unë, si dikush, turpërohem ta quaj veten si bashkëveprimtar i atij apo i këtij. Mirëpo dikush nuk turpërohet dhe e bën të vetën dhe e qet në shesh atë çka ka punuar, çka ka vepruar. Është e drejtë e tij. Unë si shok i hershëm i Faridinit po them, fjala vjen, se Jusufin ne e kemi pasur shok, por sa shokë na ka pasur ai neve, nuk e di. Sa kemi mund ne me ba që ai të na kishte shokë? Po, shok i Faridinit kam qenë sa kohë dhe e përgëzoj për librin apo ditarin që ka shkruar. Faridini e ka qitë në botim dhe ia ka dhanë lexuesve në dorë ta shohin, të shohin shumë gjëra që shumëkush nuk i di ashtu si kanë qenë. Ata mund ta lexojnë dhe të gjejnë pika kritike, të gjejnë gabime në të dhe kjo është normale për Faridinin. Tash them se nuk dua ta nënçmoj në atë drejtim, por këtu u përmend Ismail Kadare e shkrimtarë të tjerë të mëdhenj. Por unë e kam një katër vjeçare, Faridini një shkollë të thyeme të mesme e, të dalim ne para një mase e të flasim gjëra të ndryshme, është pak anomali. Kurse ato që na kanë ngjarë po, se janë gjëra të vërteta që kemi pasur fatin t’i njohim, të shkojmë pas heronjve. Dikush e merr edhe atë guxim, edhe atë mundim të shkruajë edhe atë libër. Kritika është me vend, sepse është përmirësim që duhet të bëhet. Faridinin e përshëndes për librin që ka qitur, dëshiroj të nxjerrë edhe të tjerë. Kush nuk përton, qet. Se kam qenë unë dembel, është gjë tjetër. Se ato dokumente në mos i paça që të gjitha, gjysmën e kam, se kam qenë dembel me i qitë në libër, askush nuk më ka faj. Edhe tash dikush indinjohet apo na vjen inat, apo nuk don të na dëgjojë dhe çohet e kritikon Faridinin, pse e ka shkruar librin. Kështu e ashtu. Ka pasur kohë, i ka kushtuar kohë, ndoshta ka ndenjur me netë të tëra derisa ka bërë këtë. Nëse s’i qet gjërat e vërteta apo ka edhe diçka jashtë dokumentave, i ka dalë nga kujtesa apo ndoshta ka harruar dhe e thotë ndryshe, është njëra anë. Do të dalë dikush që ka qenë më aktivist, ndoshta më në lidhje me heronjtë dhe, nuk po them se do ta demaskojë atë çka është shkruar këtu, por do ta përmirësojë. Ndoshta gabimet që ka ba do të shmangen, se përmirësime ka gjithmonë.

Fjala e Arban Hoxhës:
“Një vlerësim laik për librin, një konstatim të shkurtër edhe një pyetje për autorin... Libri për mua si libër është shumë interesant. Me shokë na ka ngjallur diskutime të shumta. E kemi diskutuar dhe ka pasur vlerësime të ndryshme. Për mua është jo vetëm interesante, por prej tij edhe kam mësuar shumë. Ky ishte vlerësimi im. Një konstatim: Nuk jam i sigurt nëse kam të drejtë, prandaj ma thoni nëse gaboj. E kemi ndjekur apo s’e kemi ndjekur rrugën e Jusuf Gërvallës, ne mund të themi se e kemi ndjekur qëllimin e tij. Qëllimi i tij është njësoj me atë të shumicës së shqiptarëve, është bashkimi i trojeve shqiptare, pavarësia, me një fjalë liria. Mirëpo rruga e tij cila ishte? Cilën rrugë do të ndiqte Jusufi sikur të ishte gjallë? Ne mund të flasim kushtimisht. Jo vetëm Jusufi, por edhe Kadriu e Bardhoshi, a do të kalonin ata në Lidhjen Demokratike të Kosovës, apo do të mbanin Lëvizjen? Këtë nuk e dimë! Shumë shokë të Kadri Zekës rastësisht i njoh pak më mirë, i kam shokë, por ata janë një gjeneratë tjetër. Shumë shokë të Kadri Zekës janë anëtarë të LDK-së, disa të tjerë kanë vazhduar rrugën e Lëvizjes. Unë nuk ia mohoj as njërës, as tjetrës palë të drejtën për të bërë përpjekje drejt qëllimit final, qëllimit të Jusufit dhe të Kadriut. Qëllimi është i përbashkët. Po çfarë rruge nuk e di, them unë, çfarë rruge do të ndiqte Jusuf Gërvalla, këtë nuk e dimë. Por ky ishte konstatimi im. Autorit i uroj sukses dhe presim të na japë edhe libra të tjerë me kaq pasuri dokumentesh dhe kujtimesh. ”

Fjala e Gani Kryeziut:
“Përshëndes këshillin iniciator për përurimin e librit dhe pjesëmarrësit, si dhe autorin. Falenderoj autorin i cili e gjeti si vend për ta bërë këtë përurim në shoqatën shqiptare “Jusuf Gërvalla” në Heilbron. Unë desha të them diçka në pika të shkurtra. Dëgjova se këtu po flitet se është herët të botohet ky libër. Vallë kisha pritur pas tetëmbëdhjetë vjetëve të botohet një libër dhe të flitet se është herët!!! Mua më duket shumë pa vend ky mendim, ndërsa të tjerët pas një apo dy javësh shkruajnë e pas 18 vjetëve ta kemi një libër në dorë dhe kjo të thuhet herët! Kjo për mendimin tim është shumë shumë dëm i madh. Çështja tjetër: unë këtu jetoj që prej afro katër vitesh dhe më ka brengosur një gjë e tillë, ka qenë shumë vështirë këtu në Heilbron të shëtisësh duke u takuar me njerëz që thonë se “unë kam qenë bashkëveprimtar i Jusufit, kam qenë ushtar i Jusuf Gërvallës”. Atëherë thosha: vëlla këtu qenka shumë vështirë të jetosh! Ky libër ua ka shkurtuar rrugën pak a shumë disa të tillëve, ata kanë filluar të tërhiqen. Mandej ky libër nuk është përfundimtar. Shumë mirë e ceku zotëria, është burimor, por ky do të vazhdojë të jetë udhërrëfyes që të studiohet më tepër, sepse çdokush që nis të shkruajë duhet të vazhdojë dhe ai tjetri që do të shkruajë ka disa raste që do t’i marrë këtu, pse libri ka anën e vet pozitive. Por çka do kisha propozuar nëqoftëse kemi të drejtë, do kisha propozuar që të mundohemi të gjejmë po ashtu një këshill që do të përkthente librin e Faridinit, ta shpinim në bibliotekën e Heilbronit dhe t’i tregojmë palës gjermane se kush ka qenë Jusuf Gërvalla dhe çka ka bërë ai. Nëqoftëse kam të drejtë me dhënë propozime, dëshiroj të them se këtu është bërë një punë e madhe për vëllezërit Gërvalla. Por do të bëhet edhe më shumë, nëqoftëse mundohemi që t’ua ngremë lapidarin vëllezërve Gërvalla, të shkojmë e t’i vizitojmë kur kemi dëshirë e jo të caktojmë vetëm një ditë dhe atë ditë të shkojmë 4-5 grupe e mos të dimë se kush po shkon. Kjo është punë që mund të bëhet me unitet. ”

Fjala e Ramadan Morinës:
“Dua ta lidh me përgjigjen e autorit për të cilin kam respekt, se librin të cilin e kam lexuar në tërësi, ka shumë të mira. Po them një rast e le ta lëmë anën e kritikës. Është mirë që të flasim me shkrimtarët, ta kritikojmë njëri-tjetrin, mirëpo mos të harrojmë atë frymën e tolerancës. Ndërkohë, edhe këta vëllezërit tanë, që e kanë lexuar librin më parë, e kanë vërejtur shpirtin e gjerë të Jusuf Gërvallës, që ishte aq tolerant. Unë jam një nxënës i thjeshtë dhe natyrisht që mund të gaboj shumë shpejt. Andaj është mirë që të kemi sa më shumë njerëz të tillë që të botojnë kësi librash. Fjala se duhet t’i fshehim shumë sende nga UDB-ja nuk qëndron. Është koha që të dalin gjërat në lëndinë, se nuk mund të fshihemi më vëllau nga vëllau. Është fjala që të flasim drejt për ato që po përjeton edhe populli. Por të lesh anash punën dhe kontributin e vëllezërve Gërvalla, të lihet anash historia dhe vetëm të dëgjohet e mos të shkruhet, do të ishte e padrejtë. Ne që kemi mundësi ta lexojmë librin, e shohim se sa fakte të rëndësishme ka aty. Unë si lexues i thjeshtë nuk e shoh të padrejtë këtë libër... ”

Tiranë, 17. 1. 1998
Vëllaut Faridin Tafallari
(me punë të përkohshme në Gjermani)
Kemi dëshirë e besojmë që jeni mirë. Ndaj mirë e më mirë qofshi. Letrën tuaj dërguar z. Sh. e morëm. Ju falenderojmë shumë. Por ka nevojë edhe për ca mësime.
Po të dërgoj një artikull që është botuar për ju i nderuar e besoj se do t’ju nevojitet si sot, si nesër.
Të njoftoj për gjendjen time të ligë shëndetësore, do të thotë të rëndë dhe shumë të rënduar, por edhe shqetësuese. Por s’ka problem, mjaft kam jetuar.
Pranoni urimet më të ngrohta nga unë i vrari. Të fala nga unë personalisht dhe shokët, ata qëi njeh dhe ata që nuk i njeh, por ata ju njohin. U njoh vepra-libër si libër me vlerë që pushtoi Tiranën dhe në përgjithësi botën shqiptare në shërbim të letërsisë, kohës, publicistikës dhe demokracisë që nuk e kemi, por do ta fitojmë, deshi apo s’deshi dikush nga bota shovene apo edhe rryma të tjera partiake në Kosovë. Shumëkujt jehona e këtij libri i shkoi në vesh të shurdhër, sepse preferojnë rezistencën paqësore. E vërteta megjithatë është pronë e të gjithëve.
Urimet tona, shëndet e plot suksese
I juaji Abdyl Krasniqi

QYTETI I TROJEVE
(Troja e Re)
Një i vdekur projektoi një qytet. I vdekuri ndërtoi edhe Kala,
Kala mbi një shkëmb mbetur shkretë. Ngriti qytet-Kështjellën Troja.

Një lis ishte, tani qytet Galica. U ngrit përmendore, u mboll krenari.
Pyll ishte, tani shtet: Drenica. Qytet Kala, e jona Arbëri.

I vdekuri ndër të vdekur:Abdyl Krasniqi quhet.
Troja zjarr e hekur, për liri luftohet!

Projektuesi i qytetit u vra. U vra: Një, dhjetë, tridhjetë.....herë.
U vra nën hijen e lisave, përse ngriti Kala. I vdekuri u vra në netët plot tmerr.

I vdekuri mbeti skelet mbi tokë. Tani ku është ai qytet Kala?
Veç gurët e shpellës janë shokë për të vdekurin që u vra.

Ku është tani ai njeri i vdekur?! E vranë. Nuk ka as varr.
Nga viti 1971 i përndjekur. Tani e hodhën në zjarr.

Ndërtuesi i qytetit Galicë vdiq. Galica - Kala pret e përcjell për vite
vizitorë me mijra njerëz: shokë e miq. Përmendorja - Kala buron rreze drite.

Vizitat në Galicë, në qytetin përmendorejanë të përditshme nga Trevat tona.
Vizitorë edhe nga diaspora, grupe grupe, për qytetin Galicë, për kështjellën Troja. Autori: Qarr e Bung-Bajram Curr!

B. Curr, më 01.01.1998

“Fokusi”, 29. 01. 1998
Doli në qarkullim libri “Terror, dhimbje, qëndresë”
Këto ditë doli në qarkullim libri “Terror, dhimbje, qëndresë” i autorit Faridin Tafallari, të cilën e botoi vitin e kaluar shtypshkronja “Eurorilindja” në Tiranë. Ky libër përbëhet prej tre kapitujsh themelorë: 1. Kujtime, 2. Dokumentacioni dhe 3. Letërkëmbimi (korrespondenca) dhe janë të lidhura njëra me tjetrën. Kapitulli i parë i librit përmban fillimisht kujtime mbi ngjarjet personale, familjare dhe shoqërore të F. Tafallarit prej viteve 70 e deri në vitin 1995. Më pas, pjesa më e madhe e kujtimeve përfshin veprimtarinë patriotike të organizatave politike dhe të shoqatave që kanë vepruar nga vitet 80 në mërgim, duke u ndalur veçanërisht në jetën dhe aktivitetin politik e kombëtar të dëshmorëve Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla dhe të shokëve të tyre. Gjithashtu një pjesë të kujtimeve i zënë përshkrimet e veprimtarive organizative, demonstratave, tubimeve, mbledhjeve dhe takimeve të shumta, të mbajtura në disa shtete perëndimore. Autori, meqë ka qenë bashkëpunëtor i drejtuesve të lëvizjes së atëhershme kombëtare, gjatë shtjellimit të ngjarjeve, përshkruan vetitë, veprimet burrërore dhe sakrificat e panumërta të tyre. Njëherazi z. Tafallari, sipas gjykimit të vet, jep hollësi edhe për shumë veprime dhe sjellje të shokëve të organizuar në organizatat politike LNÇKVSHJ, OMLK, PKMLSHJ, LPRK, të cilat i vlerëson se kanë qenë të nxituara dhe të gabuara në disa momente, ku edhe i kanë sjellë dëm të madh çështjes organizative dhe luftës së mëtejshme për liri. Kapitulli i dytë përfshin materiale të ndryshme, artikuj të shtypit patriotik ilegal në mërgim si “Zëri i Kosovës”, “Liria”, “Lajmëtari i lirisë” etj. , shkrime publicistike të Jusuf Gërvallës, dokumente të shumta të organizatave ilegale si procesverbale, programe, statute, letra e qarkore të rëndësishme etj. Ky dokumentacion i përzgjedhur plotëson pjesën e parë të librit dhe u jep një pasqyrim të gjerë zhvillimeve organizative në mërgim, duke përfshirë bashkëpunimin e organizatave me njëra-tjetrën, pa i përjashtuar këtu as problemet personale, keqkuptimet, grindjet, polemikat, madje deri në akuza dhe shpifje. Autori, në parathënien e librit, thotë se “ky material është paraqitur i pareduktuar, pa ndryshime, pa shtesa, pa shkurtime, pra është dokumentacion autentik dhe si të tillë ta gjykojnë studiuesit e sotëm dhe të ardhshëm të lëvizjes patriotike kosovare të mërgimit”. Ndërkaq, në kapitullin e tretë të librit të librit përfshihet korrespondenca e drejtuesve kryesorë të lëvizjes, letrat që këmbyen njëri me tjetrin si Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Faridin Tafallari, Sabri Novosela, Ibrahim Kelmendi, Saime Isufi-Zeka, Xhafer Shatri, Hasan Mala etj. , të cilat në shumë aspekte ndriçojnë anë të rëndësishme të veprimtarëve politike e kombëtare gjatë viteve 1980-1995. Ky libër është i ilustruar edhe me fotografi që pasqyrojnë pjesë të veprimtarisë konkrete të lëvizjes kombëtare, atë kohë në mërgim. Sheradin Berisha

Shkodër, 29. 07. 1998
I dashur vëllau im Faridin!
Lexova me kënaqësi librin tënd “Terror, dhimbje, qëndresë” dhe po të shkruaj ty, i dashur mik dhe vëlla, për përshtypjet dhe mendimet e mia për veprën tënde dhe dhuratën e çmuar, që sapo mbarova së lexuari.
I dashur mik!
Të njoha në rrethana rastësore si një kosovar shqiptar, vëlla e mik, pa ditur asgjë për jetën tënde, vuajtjet, sakrificat, patriotizmin dhe kontributin tënd për liri dhe pavarësi të atdheut tonë, Kosovës martire. I dashur mik, për diçka të jesh i sigurt se, edhe pse u prezantuam rastësisht, në sytë e tu dita të lexoj mirësinë dhe kjo mjaftonte për t’u bërë miq dhe për të ditur për jetën tënde.
I dashur mik!
Më vjen mirë dhe uroj që ti të mos ndalesh së shkruari dëshmi për historinë e qëndresës, luftës dhe sakrificave të popullit tënd për liri dhe pavarësi, të miqve dhe shokëve të tu, të cilët falën edhe jetën e tyre që Kosova martire të jetë e lirë dhe e pavarur. Libri yt është një kryevepër në të cilën penda jote ka gdhendur fakte dhe dëshmi tronditëse, ke pasqyruar terrorin në të cilin jeton populli juaj dhe ju e shokët e miqtë tuaj edhe në emigracion. Keni hedhur në letër kujtimet tuaja, duke i dhënë lexuesit në dorë fakte për terrorizmin që ka ushtruar dhe po ushtron shovinizmi serb mbi popullin e Kosovës.
Saliko Muçaj

UNIVERSITETI I SHKODRES“LUIGJ GURAKUQI
Biblioteka
z. Faridin Tafallari
Duke ju falenderuar shumë për dhuratën tepër të çmuar për bibliotekën tonë, vlerësojmë punën shumë serioze të bërë nga ana e juaj dhe ju sigurojmë se ajo do të jetë një pasuri e çmuar për studiuesit, profesorët e studentët tanë.
Ju njoftojmë se 2 kopjet e librave tuaj me titull:“Terror, Dhimbje, Qëndresë, janë të regjistruar në rregjistrin A2, me numër inventari 9737 e 9738.

Drejtori i Bibliotekës

Shkodër më, 01. 09. 1998 Gjovalin Çuni

Tiranë, 3. 09. 1998

Z. Faridin Tafallari!
Ju i përkushtuari, ju luftëtar i paepur për liri, pavarësi e bashkim kombëtar të trojeve etnike arbërore, të vaditura me lumenj gjaku nga bijtë e bijat e këtyre trojeve!
Unë, në librin tënd “Terror, dhimbje, qëndresë” gjeta shumëçka dhe kam një përshtypje shumë të mirë. E kam lexuar dhe ty të lumtë për gjithë atë veprimtari që ia ke kushtuar atdheut. Suksese edhe më tutje, të botoni edhe libra të tjerë.
Me dashuri vëllazërore
Myftar Memia, Tiranë

Faridin Tafallari
më 9. 1. 1998
Lekë Preçi
Albstadt

I nderuari Zoti Tafallari!
Me këtë letër po ju njoftoj se, gjatë këtyre pushimeve dimërore lexova librin tuaj “Terror, dhimbje, qëndresë” fillim e mbarim.
Populli ynë, fatkeqësisht, gjer më tani, më shumë ka histori gojore se sa të shkruar. Ju i nderuari zotëri, me këtë libër, keni shkruar një pjesë të historisë së popullit tonë. Nëse ndonjëherë do të studiohet veprimtaria patriotike e mërgimtarëve tanë në këtë pjesë të Evropës, për çka nuk dyshoj, atëherë libri juaj do të jetë një prej burimeve kryesore të këtyre studimeve.
Kam përjetuar gjatë leximit shumë momente prekëse, vuajtje, qëndrese që vetëm me një moral të lartë dhe burrëri të fortë i keni kapërcyer. Ua kam lakmi për këtë punë të mirë që keni bërë, duke dëshiruar që edhe në të ardhmen të vazhdoni me vepra të tilla.

Me përshëndetje atdhetare

Rottweil, më 6. 1. 1998
I nderuar Faridin!
Nga Televizioni Shqiptar, kohë më parë, kuptova për botimin e librit “Terror, dhimbje, qëndresë”.
Të uroj nga zemra për këtë, duke të dëshiruar ty dhe familjes shëndet, gëzime dhe energji të mëtejshme për të vazhduar me krijimtari.
Mërgimit dhe mërgimtarëve tanë në veçanti u janë kushtuar shumë këngë. Akoma më kujtohen këngët që nënat dhe motrat e fshatrave tona i këndonin për bijtë dhe më të dashurit në kurbet, kurse folklori ynë, edhe i ditëve aktuale, është i përshkuar nga këngët e shumta të motivuara në të.
Ndërkaq, material të shkruar për mërgimtarët nuk ka fare. Çfarë ironie! Sikur të mos kishim pasur njerëz që të mund të shkruanin! Përshtypja ime është se individët këtë çështje e kanë lënë anash, ndoshta duke menduar që këtë le ta bëjë dikush tjetër. E kush tjetër mund të shkruajë më mirë e më qartë për mërgatën dhe historikun e saj se sa vetë mërgimtarët? Kush më mirë mund të informojë për punën dhe aktivitetin kombëtar të zhvilluar jashtë atdheut, se sa vetë pjesëmarrësit në të? Ose ka munguar guximi për t’iu futur kësaj pune të madhe, të mundimshme, por edhe me përgjegjësi.
Prandaj, librin në fjalë, e konsideroj si vepër tejet të rëndësishme të botuar gjatë vitit, që me siguri ka rëndësi shkencore. Shpejt do të fillojë një studim për mërgatën tonë, bazë e të cilit do të jetë ky libër. Edhe artikujt e ardhshëm shkencorë do ta kenë këtë botim si mbështetje. Jam i bindur se ju e keni punuar atë me përkushtim, ndaj pres me kënaqësinë më të madhe që ta lexoj.

Të pëshëndes vëllazërisht
Ç. Bytyçi

* * *
Po japim këtu të shkurtuara disa mendime dhe vlerësime të luftëtarit konsekuent Kadri Osmani për librin “Terror, dhimbje, qëndresë”, dërguar autorit si shenjë respekti dhe vlerësimi. Letra për të cilën i jemi shumë mirënjohës, është në fakt një recension dhe analizë shumë e vëmendshme e librit, me së paku 15 faqe të ngjeshura, të kompjuterizuara. Autori i saj, luftëtari dhe patrioti i martirizuar Kadri Osmani, krahas vlerësimeve të shumta bën edhe një varg sugjerimesh e saktësimesh që ne i çmojmë fort dhe do t’i kemi parasysh në një ribotim apo plotësim të librit. Pikërisht, pse edhe kishin karakter të tillë, ne po i paraqesim këtu të ngjeshura, me besimin se autori do të na mirëkuptojë.

Një libër me vlerë për diasporën
(botoi Eurorilindja Tiranë 1997 f. 480)

Rebelimi i kujtimeve
Kujtimet : Nuk jemi vetëm të tuat. Përse të rrimë të mbyllura e të heshtura dhe të shuhemi bashkë me ty që na mban! Janë me të vërtetë kujtimet e tua, por janë njëkohësisht edhe dëshmi e përjetimeve dhe e lidhjeve që ti ke patur me të tjerët, me ata që janë, por edhe me ata që s’janë më dhe që duhet të dëshmohen ashtu siç i ruan kujtesa jote. Ku shkel këmba, është edhe mendja dhe thithat e kujtesës i mbushin hojet e veta gjithandej.
Faridin Tafallari
Vatra patriotizmi dhe qëndrese, gëzime dhe gjëma
Shkrimtari patriot, i çiltër, zoti Faridin Tafallari, në moshën e tij prej burri mustaqesh 45-vjeçar, na e dhuron librin e vet voluminoz enciklopedik krejt befasisht, tamam si profeti Muhamed që në moshën dyzet vjeçare i erdhi pejgamerllëku.
Struzhë-Nagold, Prizren-Shtutgart, atje në vendlindje mbaron shkollën fillore, këtu në diasporë mbaron shkollën e mesme pa shkëputje nga puna, në vitin e vlimeve ilegale 1973 e lëshon vendlindjen, në vitin e kryengritjes 1981 jep provimet private në gjuhën gjermane, duke vrapuar njëkohësisht nëpër Evropë. Dhe mos të lodhemi ta pyesim shkrimtarin se nga është, se as vetë nuk e di! Dhe pas një hutimi e një qeshjeje guguritëse, nis e kujton prindërit e farefisin dhe vendlindjen, rilindjen kombëtare përgjithësisht, e në veçanti Lidhjen Shqiptare të Prizrenit... Të gjitha këto në kurmin e shkrimtarit janë njësuar e shtresuar tok me visoret bleroshe të jetës bukolike me Zaden, të fejuarën e tij të devotshme, por pa rini të jetuar në mënyrë normale në atdhe. Ky libër përmban arkivin personal në banesën e shkrimtarit dhe arkivin personal në vetëdijen e tij prej veprimtari veteran. Tok me zonjën Zade presin e përcjellin mysafirë, ua kthejnë vizitat, vizita pune me mbrehje lektitëse për suksese tëreja, për liri e pavarësi. Duke qenë i lidhur me familjen, shkrimtari është i lidhur përjetësisht me popullin e vet, për të cilin nuk do ta kursejë as mundin, as mallin, as gjakun, as jetën. Këto provon libri që lexuesit e kanë në dorë, por edhe libra të tjerë në vijimësi, që na premton autori-bletë e autori-amë; burim, afsh e forcë dhe hojet janë plot me mjaltë nga nektari i luleve të tabanit kombëtar, që na i ëmbëlson buzët dhe shpirtin për të kryer edhe ne vepra të tilla gjigande, për ta ngritur në zenit imazhin që i takon shqiptarit në Ballkan, në Evropë dhe në botë.
Në pjesën e III-të (367-391) ky libër i bukur voluminoz është pajisur me fotografi dëshmorësh e veprimtarësh, demonstrata e protesta në njërën anë, e në anën tjetër policia e ushtria çetnike neofashiste serbe, të pajisura me rroba panciri e të zhveshura skrupujsh njerëzie. Shoqe e shokë të përqafuar dje në betim e të hasmuar sot në përçarje dhe, në fund të fotove, vjen harta e 4 vilajeteve të Shqipërisë, të periudhës së Lidhjes së Prizrenit 1878-1978 me konstatimin “Kështu plotësohen aspiratat e shqiptarëve”, po harta e varur në mur do duhej skicuar e thadruar në kokë dhe në zemër.
Në pjesën e IV-t vijon letërkëmbimi, pasqyrë e gjallë faktografike për mburrje e për qortim.
Libri është pasqyrë besnike e një kohe me porosinë “Bashkimi bën fuqinë”. “Jo!”, - krrokasin sorrat krrokatëse e bretkosat kukurike, “nuk është dashtë të shkruhet libri në këto momente, sepse nxit përçarje dhe librin duhet ta kishte shkruar dikush tjetër, me shkollë më të lartë!!! Ne vërtetë nuk e kemi lexuar atë libër, por na e merr mendja se nuk është i mirë”. “Jo”, - u them unë. “Faridini është i shkolluar barabar me shkrimtarin e madh gjerman Tomas Manin, po ju përse i mbani ato dokumentet tuaja, për turshi?” Por ata me pipëtha prej kaçamillësh të përjargur thonë se ende s’ka ardhur koha e se kur të vijë koha ata (dembelat) do të paraqiten me proçkat e tyre...

Autorit i urojmë suksese të reja për librat e rinj.
Kadri Osmani (Mani), Bern

Vijon...

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Faridin Tafallari
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 254 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi