Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
NINA SMIRNOVA, HISTORIANIA E SHQUAR RUSE QË THA TË VËRTETËN PËR SHQIPTARËT
Publikuar më 27 gusht, 2019 në orën 04:39 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Në korrik 2001 u nda nga jeta historiania e shquar ruse Nina Smirnova.
Në ceremoninë e varrimit të saj, në fjalën time, ndërmjet të tjerave fola për kontributin e veçantë të N. Smirnovës për historinë e popullit tonë, ku theksova se ajo shkruante mbi bazën e fakteve e të vërtetës historike, pa mbajtur anën e askujt, pavarësisht se i binte ndesh kolegëve të vet apo politikës zyrtare. Aty hodha idenë e krijimit të një fondi të posaçëm me këtë trashëgimi, që ne shqiptarët, do të ishim të gatshëm ta merrnim e ta ruanim në arkivat tona. Kjo duket bëri efektin e vet, sepse mbas dy ditësh Akademia e Shkencave e Rusisë mori gjithë materialet e saj, dorëshkrime, artikuj të ndryshëm etj.

Ndërmjet materialeve të lëna në dorëshkrim ishte dhe “Historia e Shqipërisë në shekullin XX”, për hartimin e së cilës e kisha nxitur edhe unë N. Smirnovën dhe, së bashku me përfaqësuesin e Firmës Mabeteks në Moskë, i kishim premtuar mbështetje për botim. Pr. dr.A. Zadohin, shef i katedrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Akademinë Diplomatike të Moskës shkruan: “Duhet pranuar se qëndrimi i Rusisë ndaj çështjes shqiptare ka qenë tepër proserb….”( A.G. Zadohin. A.J .Nizovski. Fuçia e barotit e Evropës. Luftërat ballkanike në shekullin XX. Moskë, 2000. fq. 385).

Dëshmia më e mirë e këtij pohimi është qëndrimi i Rusisë ndaj problemit të Kosovës, veçanërisht ato ditë të vështira të vitit 1999. Pikërisht në këtë periudhë, kur shumë politikanë, ushtarakë, përfaqësues të shkencave të ndryshme shoqërore e, veçanërisht të atyre historike, analistë e gazetarë, me qëndrimet e shkrimet e tyre, duke ecur në gjurmët tradicionale proserbe, kishin krijuar një psikozë të tillë, sa të ngrije zërin në mbrojtje të kërkesave të drejta të shqiptarëve, duhej guxim e kurajo e fortë qytetare, por edhe njohuri e kulturë e gjerë.
E, ndërmjet atyre intelektualëve rusë, që folën e shkruan realisht, u shqua Nina Smirnova, e cila doli para opinionit rus e atij ndërkombëtar në mbrojtje të shqiptarëve, në mbrojtje të të drejtave të tyre në Kosovë e më gjerë, në mbrojtje të së vërtetës.

Për të kisha dëgjuar shumë vite më parë, atëherë kur dy popujt e vendet tona, për arsye që tani duken absurde, ishin ndarë me një perde të hekurt. Pavarësisht se ç’flisnin e shkruanin propagandat zyrtare të të dy vendeve, ajo punonte e shkruante për shqiptarët, për historinë tonë. E, kryesorja, si një shkencëtare e vërtetë, duke u bazuar në fakte e dokumente, shkruante të vërtetën për ne, duke na mbrojtur me të gjitha mënyrat. Madje duke iu kundërvënë, shumë herë kolegëve e shokëve të saj të punës e jo, rrallë herë, politikës zyrtare të Moskës.

Për herë të parë jam takuar me të në vitin 1998, kur kam filluar punën në Ambasadën tonë në Moskë. Shumë shpejt pashë se tek kjo grua me shtat të vogël fshihej një karakter i fortë, një studiuese skrupuloze që nuk i bënte lëshime askujt, një analiste e thellë, një natyrë krenare, por tepër e drejtë.

Pak muaj para se të ndërronte jetë, në një letër drejtuar kryetarit të Bashkisë së Moskës, midis tjerash, shkruante: “ Unë jam marrë me historinë e Shqipërisë gjate gjithë jetës sime shkencore, që në vitet 50-të. Këtë vit mbush 73 vjeç. Dhe sot, unë jam i vetmi historian “klasik” që merrem me këtë vend”.
Dhe kur merrej me historinë e Shqipërisë, ajo nuk e ndante Kosovën e viset e tjera shqiptare, “të shkëputura padrejtësisht nga trungu i vet”, siç e përsëriste shpesh ajo, nga kjo histori.
Veprimtaria e saj përfshin dhjetëra e dhjetëra artikuj, referate, intervista, broshura, monografi e deri vëllime të plota për historinë tonë.

Duke studiuar me kujdes veprimtarinë e saj, në periudhën 1990-2000, shihet se një vëmendje të posaçme ajo i ka kushtuar Kosovës dhe zhvillimeve atje. Dhe kjo ka shpjegimin e vet. Pikërisht në këtë periudhë, historiografia ruse sikur ishte rizgjuar dhe autorë të ndryshëm filluan të merren me këtë problem të “harruar”, duke shtuar shkrimet e tyre në raport me intensifikimin e ngjarjeve në Kosovë e ndërkombëtarizimin e këtij problemi, aq sa sot mund të flitet për një bibliotekë të tërë me referate, artikuj, studime, broshura, intervista e dhjetëra libra të tërë vetëm për Kosovën e problemet rreth saj. Dhe në këtë larmi shkrimesh me autorë historianë, politikanë, ushtarakë, diplomatë, analistë, gazetarë etj, me disa përjashtime, shihet qarte “qëndrimi tepër proserb i Rusisë ndaj çështjes shqiptare”.

Ishte Nina Smirnova, pothuajse e vetmja nga historianët rusë, që mori përsipër detyrën e vështirë, tepër të vështirë, që me fakte e dokumente, nga njëra anë t’i kundërvihej gjithë këtij vreri antishqiptar që, sa vinte e rritej e, nga ana tjetër, t’i bënte të qartë publikut të gjerë rus të vërtetën e asaj që po ndodhte në Kosovë dhe shumë të vërteta të tjera për ne si komb e për historinë tonë. Në mënyrë tepër të saktë ajo i bënte të qartë publikut të gjerë rus se këta autorë (autorët rusë – shënimi im) “praktikisht nuk marrin parasysh palën shqiptare, nuk marrin parasysh interesat dhe pikëpamjen e vetë popullsisë shqiptare të Kosovës (kosovarëve), mendimet e tyre për atë që po ndodh aty” (Libri – Kosova, Aspekte ndërkombëtare të krizës. Moskë, .1999. fq. 79).

Shumica e historianëve e politikanëve rusë, duke u mbështetur në tezat serbe, gjithmonë kanë shkruar e folur se “ Kosova është toke e shenjtë serbe”, se “ajo është djepi i serbizmit” se “ajo për serbët është si Jeruzalemi për çifutët” etj. etj. (Me gjëra të kësaj natyre jenë të mbushura libra, artikuj, referate, e deri citate politikanësh rusë, përfshi edhe ata më kryesorët).

Nina Smirnova në shume studime, artikuj e intervista i është kundërvënë haptazi këtyre pretendimeve serbe, të përsëritura me shumice në Rusi, duke shkruar se “Kosova për herë të parë ka hyrë në përbërje të Serbisë mbas Luftës Ballkanike 1912-1913” dhe se “Përcaktimi për Kosovën si krahinë serbe, e banuar kryesisht me shqiptarë, i përhapur gjerësisht në literaturën publike (ruse – shenimi im) më e pakta është i gabuar” (Po aty fq.116).

Në të gjithë veprimtarinë e vet shkencore, ajo nuk e shkëpuste luftën e shqiptarëve për liri e pavarësi. Për të, ajo vazhdimisht ka qenë një e tërë, e pandarshme, pavarësisht se në ç’krahinë a në ç’periudhë bëhej. Duke dashur t’i kundërvihej disa kolegëve të vet dhe të shpjegonte shkaqet e vërteta për atë që po ndodhte në Kosovë në vitet 90-të, ajo shkruante se “ Shkaqet e konfliktit në Kosovë shkojnë thellë në shekuj dhe i kanë rrënjët në historinë e luftës së popullit shqiptar për pavarësi kundër pushtuesve të huaj”.

Literatura publike ruse është e mbushur me legjendat serbe për Betejën e Fushë Kosovës të vitit 1389, ku gjithçka paraqitet si luftë midis serbëve dhe turqve. Dhe kjo është e kuptueshme, mbasi për ta ajo “është tokë e shenjtë serbe”. Nina Smirnova, duke e konsideruar këtë si një moment të rëndësishëm për historinë dhe autoktoninë e shqiptarëve në Kosovë, është marrë shumë herë me këtë temë, duke e trajtuar në shumë artikuj e studime. Në të gjitha këto materiale, ajo ka mbrojtur tezën se lufta a Fushë – Kosovës ka qenë një betejë e koalicionit ballkanik (serbë, shqiptarë, boshnjakë, bullgarë etj.) kundër turqve. Madje, duke u bazuar në fakte e dokumenta të nxjerra nga arkivat serbe, ajo shkruan se “ heroi i kësaj beteje, Millosh Kopiliqi, ai që vrau Sulltan Muratin, ka qenë shqiptar”. Është tepër interesant pohimi i saj, se “mbasi serbët ia mbathën nga fusha e betejës, shqiptarët luftuan deri në fund…”(Letër drejtuar kryetarit të Bashkisë së Moskës. datë 24. 3. 2001).

Duke u bazuar në materiale të arkivave serbe (ku ajo ka punuar shumë herë), në vazhdim të tezës së luftërave të përbashkëta të serbëve dhe shqiptarëve kundër të njëjtit armik, disa herë ajo ka shkruar për pjesëmarrjen në to si aleate në luftërat midis Austrisë dhe Turqisë në vitin 1689-1690 dhe 1737-1739.

Kosovën ajo e cilëson si “Qendër të lëvizjes çlirimtare shqiptare” (Broshurë. Çështja shqiptare: Ku qëndron thelbi i saj. Moskë, 1998. fq. 38). Në këtë kuadër një rëndësi të posaçme i ka kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si një lidhje mbarëshqiptare. Ajo ngrihet në mbrojtje të veprimtarisë së Lidhjes, duke e trajtuar disa herë në materialet e veta edhe për një arsye tjetër. Shumë autorë rusë të fushave të ndryshme, në shkrimet e kohëve të fundit kanë hedhur baltë mbi Lidhjen e Prizrenit, duke e cilësuar atë si një organizëm të krijuar nga Porta, si një lëvizje që kishte si qëllim t’i kundërvihej luftërave çlirimtare të popujve të Ballkanit etj. Tërheq vëmendjen një fakt interesant. Për të argumentuar më mirë veprimtarinë e Lidhjes së Prizrenit, ajo në disa shkrime flet për kontributin e shkencëtares sovjetike I. Senkeviç, e cila, siç shkruan N. Smirnova, “është e para në historiografinë botërore që ka shkruar një monografi për Lidhjen e Prizrenit, të dokumentuar, kryesisht, mbi bazën e materialeve të arkivave ruse dhe austriake”.

Në këtë vazhdë, një vend të rëndësishëm ajo i ka kushtuar kryengritjeve shqiptare të vitit 1910-1912 në Kosovë, të cilën ajo e quan “Vatra e luftrave çlirimtare të popullit shqiptar”.
Disa herë në shkrimet e saj ajo ka pohuar në mënyrë të prerë e kategorike se “Pothuajse gjysma e tokave shqiptare u përfshinë në përbërje të Jugosllavisë… Çështja shqiptare përmblodhi të gjitha problemet e të ashtuquajturve popuj të ndarë” (Broshurë e përmendur më lart fq.38)

Prej kohësh në letrat ruse ka zënë vend teza se shqiptarët janë të ardhur në Kosovë, madje vonë. Shkruhen e thuhen lloj-lloj gjërash, sikur shqiptarët kanë ardhur aty nga Shqipëria në shek. XVII – XVIII, gjatë Luftës së Dytë Botërore e mbas kësaj lufte. Madje ndonjë politikan arrin deri aty sa të thotë se ata i solli aty Tito, siç është rasti i kryetarit të Bashkisë së Moskës, J. Llushkov, i cili në artikullin e botuar në gazetën Izvestia të datës 24 mars 2001, ndërmjet tjerave shkruan “Krahina e Kosovës nuk u ka takuar asnjëherë shqiptarëve. Ata i solli aty Tito, në kuadrin e planit të krijimit të Federatës Ballkanike”.

Në punimet e veta shkencore, N. Smirnova i ka kushtuar një vëmendje të posaçme problemeve demografike të Kosovës, duke vërtetuar me fakte e dokumente autoktoninë e shqiptarëve aty. Duke operuar në këtë temë, në shumë studime, ajo konkludon se shqiptarët në Kosovë janë autoktonë dhe se numri i tyre nuk është rritur nga dyndjet e tyre nga Shqipëria apo trevat e tjera shqiptare, por vetëm në sajë të ripërtëritjes së tyre.

Duke iu kundërvënë historiografisë serbe e shumë autorëve rusë, ajo është marrë gjate me politikën shkombëtarizuese të Beogradit, i cili, nga njëra anë, krahas shfarosjes dhe shpërnguljes masive të shqiptarëve, ndiqte aty një politikë tipike kolonizuese. Në shumë shkrime të N. Smirnovës flitet me shifra e fakte për ligjet kolonizuese të rajoneve jugore të Jugosllavisë (Kosovës) të viteve 1920 dhe 1931 të nxjerra nga Beogradi dhe për valët kolonizuese të viteve 1922-1929 dhe 1933-1938, mbi bazën e të cilave në Kosove u vendosën dhjetëra mijëra familje serbe e malazeze, duke u dhënë atyre mbi 120 mijë hektarë tokë të marra shqiptarëve me dhunë. Për të bërë sa më bindëse për lexuesin rus e më gjerë, veprimtarinë kolonizuese të Beogradit ajo shpesh herë i është referuar kryetarit të Komisionit Agrar Jugosllav, X. Kristiq, përgjegjës për kolonizimin e Kosovës, i cili “me kënaqësi vinte në dukje se në disa rajone të Veriut (të Kosovës), përbërja etnike ka ndryshuar dhe se tani kemi popullsi serbe edhe atje ku në vitin 1913 nuk ka patur asnjë serb” (Rrënjët historike të konfliktit kosovar, fq. 2).

Një vend të posaçëm në punimet e veta ajo i ka kushtuar shpërnguljes me dhunë e forma të tjera të shqiptarëve për në Turqi. Me fakte e shifra të nxjerra nga arkivat e Beogradit e të vendeve të tjera ka dokumentuar politikën e ndjekur nga Beogradi për serbizimin e Kosovës.

Ajo, e para në Rusi, ka demaskuar veprimtarinë e V. Çubrilloviçit e idetë antishqiptare e antinjerëzore të shprehura prej tij në Klubin e Beogradit në vitin 1938 në leksionin “Shpërngulja e shqiptarëve”. Ajo, shkruan se ky akademik që “u pranua në vitin 1976 anëtar i Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjtik”, veprimtarinë e vet antishqiptare e ka vazhduar edhe më vonë dhe në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, V. Çubrilloviçi paraqiti një variant të ri, “për domosdoshmërinë e ndryshimit të përbërjes etnike të Kosovës”. Në nëntor të vitit .1944, shkruan N. Smirnova, V. Çubrilloviçi iu drejtua me një letër J.B. Titos, E. Kardelit dhe M. Gjilasit. Në të ai numëron të gjithë ata që duheshin përzënë nga teritoret që ishin të rëndësishme “nga pikëpamja strategjike” për Jugosllavinë. Mbasi përmend gjermanët dhe hungarezët, vëmendje të posaçme ai i kushton shqiptarëve. Ai, ndërmjet të tjerave, shkruante: “Kosova dhe Metohia ka zënë gjithmonë pozicione kyçe në Ballkan Të ndodhura në pjesën qendrore tq Ballkanit, këto rajone e ndajnë Malin e Zi nga Serbia dhe, të dyja, nga Maqedonia. Këto toka të Jugosllavisë Federative nuk kanë lidhje të sigurtë mes tyre, për deri sa të mos kenë një kufi të përbashkët etnik” (Konflikti në Kosovë, si pjesë e “çështjes shqiptare” fq. 85). Kjo do të thoshte që të gjithë shqiptarët duhej të përziheshin nga Kosova.

“Në Jugosllavinë e re – shkruan ajo – fituan idetë e Çubrilloviçit, që, në thelb, shprehnin domosdoshmërinë e ndryshimit të përbërjes etnike të popullsisë nëpërmjet deportimit dhe nxitjes së largimit të shqiptarëve për në Turqi… Megjithatë, të gjitha këto masa nuk dhanë rezultatin e dëshiruar : nga viti 1948 deri në vitet 90-të, në sajë të rritjes natyrale të popullsisë, ndodhi rritje e ngadalshme absolute dhe relative e numrit të popullsisë shqiptare në Kosovë… Sipas regjistrimit të vitit 1991, të cilin shqiptarët e bojkotuan, gjë që ul mjaft vërtetësinë e shifrave, shqiptarët përbënin mbi 82% të popullsisë, ndërsa serbët vetëm 10%”.

Shumë herë është folur e shkruar për largimin e serbëve nga Kosova “të detyruar nga dhuna e shqiptarëve”. Temë tepër e rrahur dhe e përsëritur në letrat ruse nga përfaqësues të fushave të ndryshme politike, ushtarake, historike etj. Mjafton një shembull. Studjuesja ruse M.Martinova, në librin “Kriza ballkanike. popujt dhe politika”, botuar në Moskë në vitin 1998, shkruan: “Faktor tepër i rëndësishëm i ndryshimit të raportit të përbërjes etnike në Kosovë ka qenë largimi i detyruar i serbëve dhe malazezëve nga Kosova. Në periudhën 1946 deri në vitin 1998, nga Kosova janë larguar 140 mijë vetë të kombësisë joshqiptare” (fq 121). Shifra të tilla, nganjëherë edhe më të fryra (që arrijnë deri në 400 mijë vetë) gjen me bollëk në botime të autorëve rusë.

Smirnova, duke iu kundërvënë edhe kolegëve të vet (siç është rasti i autores së sipërpërmendur), në qershor të vitit 1999 shkruante se “Largimi i serbëve nga Kosova ka qenë relativisht i ulët, sidomos po të krahasohet me largimin e shqiptarëve, që iknin për bukën e gojës. Për periudhën 1981-1991 (sipas të dhënave të arkivave serbe, kjo periudhë shënon largimin më të madh të serbëve nga Kosova), janë larguar 18 763 serbë, ndërsa vetëm për në Gjermani janë larguar 45 mijë shqiptarë” dhe, më poshtë, vazhdon “Largimi i serbëve nga Kosova nuk është asgjë në krahasim me largimin e serbëve nga Bosnja (111 828 vetë) nga Kroacia (110 704 vetë), nga Maqedonia (50 011 vetë)” etj.

Duke iu kundërvënë pretendimeve serbe, të përsëritura shumë herë në Rusi, se serbet jane larguar nga dhuna e shqiptarëve, ajo, mbi bazën e materialeve të nxjerra nga arkivat serbe, shkruan se, siç pohojnë vetë serbë të larguar prej aty, “95% e serbëve të larguar nga Kosova, janë larguar për shkaqe ekonomike dhe vetëm 5% e tyre janë larguar nga dhuna apo kërcënimi i mundshëm”. “Edhe për nivelin e krimeve seksuale – shkruan ajo – Kosova ka qenë në një nga vendet e fundit në Jugosllavi” (Novoje Vremja. Nr.22. datë 6.6.1999)

Në pikun e ngjarjeve të Kosovës, e shqetësuar nga rruga pa krye ku mund të futej çështja e Kosovës, ajo i kujtonte Moskës dhe shteteve të tjera të mëdha se “Në shekullin XX Kosova ka qenë monedhë shkëmbimi në pazarllëqet e fuqive të mëdha dhe populli i saj nuk ka patur të drejtë dhe mundësi të percaktonte fatin e vet. Madje edhe në Jugosllavine socialiste, që propagandonte barazinë midis të gjithë popujve, të drejtat e shqiptarëve janë shkelur dhe ata janë konsideruar si shtetas të shkallës së dytë”.(Evropa dhe Rusia: Probleme të drejtimit jugor. Moskë, 1999,. fq. 232).

Duke iu kundërvënë adhuruesve të Titos, që në Rusi nuk janë të pakët e, sidomos politikës së tij e sistemit që ai ndërtoi në fushën e problemeve nacionale, ajo jo pak vend i ka kushtuar qëndrimit të Partisë Komuniste Jugosllave ndaj shqiptarëve në Jugosllavi e, veçanërisht, në Kosovë. Siç shkruan ajo, PKJ ka ndryshuar disa herë qëndrimin ndaj këtij problemi, duke përdorur të gjitha mënyrat që Kosova të mbetej brenda Serbisë.

Në shkrimet e veta, në funksion të çështjes së shqiptarëve të Jugosllavisë, ajo është marrë disa herë me marrëdhëniet midis Partisë Komuniste Shqiptare dhe Partisë Komuniste Jugosllave. Lidhur me qëndrimin e PKSH, ajo shkruan se komunistët shqiptarë nuk e pranonin variantin fashist të bashkimit të shqiptarëve në një shtet. Të njëjtin qëndrim, vë në dukje ajo, mbanin dhe ata nacionalistë që u përfshinë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Të dyja palët, sipas saj, si komunistët ashtu dhe nacionalistët, parullën e Luftës Nacionalçlirimtare e kuptonin si luftë jo vetëm kundër pushtuesve italo-gjermanë, por edhe kundër shovinistëve serbomëdhenj. Por, sipas saj, ndryshimi midis tyre ishte se “komunistët i fshihnin aspiratat e tyre irredentiste nën parullat internacionaliste”.

PKSH, shkruan ajo, ia ka ngritur disa herë këto probleme PKJ. Ndërmjet tjerave, ajo përmend kërkesën e PKSH që Organizata e Partisë Komuniste të Kosovës dhe njësitë partizane të saj të bashkoheshin me ato të Shqipërisë, kërkesë që nuk u pranua nga Tito. Duke folur për vendimet e Konferencës së Bujanit, ajo shkruan se “ato ishin konkluzion logjik, ku përfaqësues të shqiptarëve dhe të pakicave serbe dhe malazeze që jetonin në Kosovë, shpreheshin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duke realizuar kështu aspiratat e kosovarëve” (Kosova ….fq. 84).

Duke trajtuar problemin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, N. Smirnova arrin në një konkluzion interesant që nuk ndeshet tek autorë të tjerë rusë. Ajo shkruan se “Pikërisht problemi i Kosovës, dëshira e shqiptarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë, i ka detyruar ideologët jugosllavë të asaj kohe E. Kardel dhe M. Piade të arrijnë në përfundimin se problemi i Kosovës mund të zgjidhet nëpërmjet krijimit të lidhjeve federative midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë” (Po aty).

Duke dashur të bënte sa më bindëse thëniet e saj se Kosova është shqiptare dhe i takon Shqipërisë, në shumë artikuj, studime, referate, intervista e leksione ajo vazhdimisht i është referuar pohimit të Titos gjatë takimit me E. Hoxhën, në verën e vitit 1946, kur Tito ka thënë se: “Kjo krahinë e banuar në shumicën e saj nga shqiptarë, pa diskutim, në kohën e vet do të bashkohet me Shqipërinë…” Tërheq vëmendjen fakti se vazhdimisht ajo i është referuar arkivave ruse, qoftë atyre të Ministrisë së Jashtme, qoftë atyre të Presidencës (të pahapura deri tani).

Me që kisha krijuar lidhje të afërta me të, njëherë e pyeta se përse e thekson kaq shumë takimin e E. Hoxhës me Titon dhe pohimin e këtij të fundit, kur dihet se kjo çështje ka krijuar kaq shumë polemika e komente. (Dua të theksoj se shumica e autorëve rusë që janë marrë me këtë çështje e përsërisin këtë pohim të Titos dhe në çdo rast i referohen arkivave ruse). Ajo, pasi u mendua pak m’u përgjigj thjeshtë: sepse kjo është e vërteta. Ti e di, më tha, se unë kam punuar në shumë arkiva të botës, në ato të Moskës, Beogradit, Romës, Athinës, Sofjes, Uashingtonit e ku nuk kam punuar. Unë që e përmend kaq shpesh, pohoj vetëm një të vërtetë, duke iu referuar dokumenteve, sidomos atyre të Moskës dhe Beogradit. Ti e di – vazhdoi ajo më poshtë – se unë nuk e kam dashur E. Hoxhën dhe këtë e kam shprehur në disa materiale, duke shkruar kundër politikës së tij diktatoriale, kundër metodave staliniste qe ai përdori për afro dyzet vjet etj. Nuk e kuptoj, vazhdoi ajo, se përse disa politikanë e studiues në Shqipëri e sulmojnë aq shumë qëndrimin e tij për Kosovën. Kanë fusha të tjera ku mund ta shajnë e ta kritikojnë, por këtu nuk kanë të drejtë, madje, siç bëjnë disa që arrijnë deri aty sa të shkruajnë se “Kosovën ai e kishte të bashkuar me Shqipërinë dhe E. Hoxha ia la Jugosllavisë”. Këta, vazhdoi ajo, qofshin profesorë a çfarëdo qofshin në Shqipëri, janë sharlatanë në shkencë dhe sahanlëpirës në politikë.

Nuk e mora vesh se për kë e kishte fjalën ….
Unë them me bindje – vazhdoi ajo – mbështetur në dokumente, se ai e ka dashur Kosovën dhe është përpjekur për të, sigurisht siç e kuptonte ai, në kushtet e rrethanat e asaj kohe. E. Hoxha ka qenë një komunist nacionalist që për hir të Kosovës ishte gati t’i vinte flakën Jugosllavisë e më gjerë. Letra e tij drejtuar Stalinit në vitin 1949 është dëshmia më e qartë për qëndrimin e tij ndaj Kosovës. Por ka dhe materiale të tjera të pabotuara që e vërtetojnë më së miri këtë… Sot – përfundoi ajo – tek ne në Rusi E. Hoxha kritikohet kaq shumë, krahas tjerave, pikërisht për nacionalizmin e tij e, madje, këtu në Rusi, arrijnë deri aty sa ta cilësojnë atë si shkaktarin kryesor të prishjes së marrëdhënieve të B. Sovjetik me Jugosllavinë e kjo, kryesisht, për ambiciet e tij për Kosovën e tokat e tjera shqiptare në Jugosllavinë e asaj kohe…

Në punën e saj N. Smirnova nuk është shquar për kritika ndaj Titos e sistemit politik e ekonomik që ai ndërtoi në Jugosllavi, për të mos thënë që në forma të ndryshme shprehte një farë simpatie për të. Por, lidhur me qëndrimin e tij dhe të atij sistemi që ai krijoi, për shqiptarët e Kosovës e, në përgjithësi të ish – Jugosllavisë, ajo ka qenë tepër e ashpër. Ajo, ndoshta, është e vetmja autore në Rusi qe ka shkruar për dhunën, burgosjet e masakrat kundër shqiptarëve, duke filluar nga viti 1945 e deri në vitin 1966, apo, siç ka hyrë në histori, “gjatë kohës së Rankoviçit”.

Në ndryshim me shumë autorë të tjerë rusë, ajo ka shkruar për gjendjen reale të Kosovës e për prapambetjen e saj deri në fund, deri në shpërbërjen e plotë të Jugosllavisë. Ajo shkruante për Kosovën “Megjithëse ndër rajonet më të pasura, ka mbetur deri në fund pjesa më e prapambetur e Jugosllavisë dhe Serbisë, ku shqiptarët përbënin vetëm krahun e punës së rëndë, ndërsa administratën serbët…. Industrializimi i Jugosllavisë nuk u ndie në Kosovë. Ajo mbeti një krahinë e mbyllur, me veçoritë e veta ekonomike dhe etnokulturore”.

Një vend të dukshëm zënë analizat, shkrimet e intervistat e N. Smirnovës për zhvillimet në Kosovë mbas ardhjes në pushtet të S. Millosheviçit. Që në vitin 1991, pa u shpërbërë akoma B. Sovjetik, ajo, duke iu kundërvënë propagandës zyrtare sovjetike, shkruante “Për ne, ngjarjet e Jugosllavisë kanë filluar nga Kosova. Duke ecur në gjurmët e shtypit jugosllav, gazetat tona njoftojnë për “veprimtarinë subversive të separatistëve shqiptarë” (Komsomolskaja Pravda. 5.11.1991).

Që në atë kohë ajo shkruante për masat e egra të marra nga Beogradi në Kosovë, për heqjen e autonomisë, mbylljen e shkollave në gjuhën shqipe, ndalimin e gazetave, televizionit etj në gjuhën shqipe, pushimin masiv të shqiptarëve nga puna etj “duke e kthyer Kosovën në gjendjen e para vitit 1966, kur autoriteti policor bënte kërdinë”.
Tingëllojnë tepër aktuale fjalët e saj nw atë vit, kur ajo i drejtohej opinionit ndërkombëtar: “Evropa, si fajtore për copëtimin e kombit shqiptar në vitin 1913, tani duhet të shlyejë fajin e vet dhe të mbështesë të drejtën” (Po aty).
Në vitin 1996 ajo shkruante “Populli shqiptar dy milionësh në Kosovë jeton në kushtet e Aparteidit” dhe, më poshtë, duke demaskuar politikën e Millosheviçit e bashkëpunëtorëve të tij për kolonizimin e ri të Kosovës, shkruante se “ata kanë çuar aty dhjetëra e dhjetëra mijëra serbë nga krahina e Bosnjës dhe, sipas planeve të hartuara, deri në fund të vitit parashikohet të çohen rreth 150 mijë serbë” (Novoje Vremja. Nr. 37. 1996.).

Që atëherë ajo i bënte thirrje qeverisw ruse që të angazhohej më shumë për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës. Njëkohësisht i bënte të njohur opinionit të gjerë rus se problemi i Kosovës, tashmë, po ndërkombëtarizohet dhe se udhëheqësit e vendeve të mëdha kanë filluar të lëvizin për këtë problem. Ajo shkruante se kancelari i RFGj, H. Kol ka thënë se “Ajo që po ngjet në Kosovë është turpi i Evropës”, ndërsa presidenti amerikan Klinton ka thënë se Kosova bënte pjesë në platformën e tij elektorale.

Si një analiste e mprehtë që i ishte futur në thellësi çështjeve shqiptare, ajo i drejtohej kancelarive të botës me thirrjen: “Çështja shqiptare, si pjesë integrale e krizës së sotme ballkanike, nuk do të hiqet nga rendi i ditës dhe pret zgjidhjen e vet”.
Në pranverën e vitit 1998 situata u acarua shumë. Millosheviçi futi në Kosovë forca të shumta ushtarake, policore e lloj-lloj grupesh kriminale për të shtypur rezistencën e shqiptarëve. Komuniteti ndërkombëtar kërkoi nga Rusia ndërhyrjen e ndikimin e saj tek Beogradi për të gjetur një rrugë të pranueshme nga palët për zgjidhjen e konfliktit.

Në këto kushte, në qershor të vitit 1998 me ftesë të presidentit rus B. Jelcin, S. Millosheviçi bëri një vizitë pune në Moskë. Në fund të bisedimeve të dy presidentët dolën me një deklaratë të përbashkët, ku, që në krye thuhej se “Presidentët ritheksojnë pozitën e tyre parimore për domosdoshmërinë e ruajtjes së tërësisë territoriale dhe respektimin e sovranitetit të RFJ…”. Pikërisht në këtë kohë N. Smirnova, e pakënaqur me deklarata të tilla, nxirrte konkluzionin dhe e bënte publik se “Serbia e ka humbur Kosovën me kohë. Dhe sido që të përfundojë kjo masakër e përgjakshme, atë nuk mund ta kthejë më. Beogradi nuk ka mundur dhe nuk do të mund ta zgjidhë këtë problem me mjetet e veta …”(Novoje Vremja Nr.30. 1998.).

Viti 1999 shënon një aktivitet tepër të dendur të N. Smirnovës, në mbrojtje të kërkesave të shqiptarëve të Kosovës. Nëpërmjet artikujve, studimeve, referateve, intervistave etj, duke iu kundërvënë frymës proserbe që sundonte në atë kohë në Rusi, ajo përpiqej t’i tregonte opinionit të gjerë rus se shqiptarët janë autoktonë në Kosovw, se ajo nuk ka qenë kurrë pjesë e Serbisë dhe se për herë të parë ajo u përfshi në përbërjen e saj në kohën e luftërave ballkanike, se aty Beogradi ka ndjekur vazhdimisht një politikë tepër të egër antishqiptare, duke synuar shkombëtarizimin e saj, se ai është përpjekur e ka bërë plane pas planesh për kolonizimin e serbizimin e saj, etj etj.

Në një shkrim për Konferencën e Rambujesë, duke iu kundërpërgjigjur shkrimeve proserbe të disa kolegëve të saj, lajmeve e komenteve të disa mjeteve të informacionit rus, që përpiqeshin të bindnin opinionin se në Kosovë zhvillohet luftë fetare, se shqiptarët synojnë krijimin e Shqipërisë së Madhe e të një shteti islamik në zemër të Evropës etj., ajo shkruante “Jugosllavët nuk kanë një plan për rregullimin e problemit të Kosovës. Ata tani nuk kujdesen as për djepin e serbizmit, ku prej shumë kohësh rritet femija shqiptar, por për humbjen e njërit prej rajoneve më të pasura të Jugosllavisë… Ajo që po ndodh sot në Kosovë nuk është as konflikt ndëretnik, nuk është as përplasje e dy ideve të mëdha, por luftë ekonomike. Interesi i serbëve është që gjithçka të lihet siç është, do me thënë të ruhet i gjithë sundimi politik dhe ekonomik në krahinë”. (Njezavisimaja Gazeta. Datë 14. 2.1999.).

Moska reagoi ashpër ndaj aksionit ushtarak të NATO-s kundër Jugosllavisë. Deklaratat e politikanëve kryesorë të Rusisë ishin tepër kërcënuese. Bëheshin thirrje për përgatitje për luftë, për furnizimin e Jugosllavisë me armatimet më moderne, për vendosjen e raketave bërthamore e të avionëve bombardues rusë me rreze të largët veprimi në Bjellorusi. Pothuajse e gjithë flota ushtarako-detare ruse doli ato ditë në ujwra të hapura, ndërsa një pjesë e flotës së Detit të Zi u përgatit të nisej për në ujërat e Adriatikut. Në të gjitha qytetet e Rusisë u organizuan protesta masive kundër NATO-s e vendeve anëtare të saj. Ditë të tëra turma të irrituara mbajtën të rrethuara ambasadat e disa vendeve anëtare të NATO-s, veçanërisht atë të SHBA, me dhjetëra mijëra vetë u regjistruan vullnetarë për të shkuar në Jugosllavi për të luftuar përkrah serbëve kundër NATO-s dhe shqiptarëve (Shtypi i atyre ditëve shkruante për rreth 70 mijë vetë të regjistruar si vullnetarë). Duma Shtetërore (Parlamenti), në prill, aprovoi krijimin e Aleancës ushtarako-politike Rusi – Bjellorusi – Jugosllavi, u ndërprenë të gjitha marrëdhëniet me NATO-n etj. etj.

Zhvillimet në Jugosllavi ato ditë paraqiteshin vetëm sipas njoftimeve e të dhënave të Beogradit. Shtypi, media elektronike sikur ishin vënë nën një censurë të fortë. Asgjë nuk thuhej ditët e para se ç’ndodhte në Kosovë. Asnjë fjalë për krimet, masakrat, dhunën, spastrimet e gjenocidin që ushtronin serbët e Millosheviçit kundër shqiptarëve. Jo vetëm kaq, por një pjesë e mjeteve të propagandës dhe disa prej politikanëve me peshë në Rusi u lëshuan kundër shqiptarëve me akuza nga më të pabesueshmet. Në një intervistë, ministri i jashtëm Ivanov tha se “Flitet shumë për gjenocid nga ana e serbëve në Kosovë, por këto janë më shumë sjellje teatrale të shqiptarëve për të bindur botën se aty po bëhet gjenocid (Intervistë e botuar në gazetën Sevodnja datë. 30. 3. 1999).

Në një intervistë që dha kryeministri Primakov, në aeroportin e Moskës, mbas kthimit nga Beogradi ku ishte për vizitë, pyetjes së një gazetari për gjenocidin në Kosovë iu përgjigj i çuditur “Çfarë gjenocidi?. Atje nuk ka gjenocid”.
Psikoza e krijuar ato ditë kishte mpirë edhe ata politikanë, gazetarë, analistë apo të tjerë që deri në atë kohë, kishin mbajtur qëndrime më realiste për zhvillimet në Kosovë. Edhe ndonjë që donte të fliste a të shkruante, si Nina Smirnova a ndonjë tjetër, i gjente shtigjet të mbyllura….

Sigurisht ky izolim i opinionit rus nuk mund të vazhdonte gjatë. E vërteta do të gjente rrugën e vet. Me tekniken e sotme nuk mund të izolohej një vend i madh si Rusia. Do të dilnin edhe atje njerëz që do të thonin të vërtetën për atë që po ndodhte në Kosovë, siç bënë fillimisht kanali televiziv televiziv NTV, gazeta Sevodnja e ndonjë tjetër. Do të shkruanin realisht disa gazetarë, analistë e vëzhgues. Të vërtetën, siç e panë me sytë e tyre dhe siç e regjistruan me telekamerat e tyre, do të paraqisnin edhe disa gazetarë e operatorë rusë që me insistimin e ndihmën tone si ambasadë, shkuan ato ditë në Shqipëri, Maqedoni e, ndonjë deri në Kosovë.

Por mbi të gjithë do të shquhej Nina Smirnova. Pak ditë para sulmit të NATO-s, kur makina ushtarake serbe bënte kërdinë mbi shqiptarët, ajo paralajmëronte “Përdorimi i metodave të dhunës me qëllim mbajtjen e Kosovës në përbërje të Jugosllavisë praktikisht do të sjellë humbjen e kësaj krahine nga Serbia. Mbas gjakderdhjes masive dhe spastrimeve etnike bashkëjetesa e mëtejshme e serbëve dhe shqiptarëve në përbërje të Serbisë, madje të Jugosllavisë, paraqitet e pabesueshme” (Konflikti në Kosovë si pjesë e “çështjes shqiptare”. fq. 27.).

Në artikullin “Kosovarët janë refugjatë apo të dëbuar”, botuar në revistën Novoje Vremja, mbasi përshkruante futjen e ushtrisë jugosllave në Kosovë, ajo me shifra e fakte shkruante për masakrat, dhunën e gjenocidin e ushtruar mbi shqiptarët. Duke iu kundërvënë edhe politikës zyrtare të Moskës ajo shkruante se “Në mars të vitit 1999 Millosheviçi e provokoi NATO-n të ndërmerrte veprime force, duke ndjekur dy qëllime: nga njëra anë, në valën e hovit nacionalist të forconte pushtetin personal, kurse, nga ana tjetër, të zgjidhte përfundimisht çështjen kosovare (shqiptare)”.

Më poshtë, shkruante se “mjetet ruse të informimit kanë transmetuar protestat antiamerikane në vendin tonë, por nuk kanë thënë asgjë për kosovarët e dëbuar”. Kur Primakovi – shkruante më poshtë ajo – mohonte gjenocidin në Kosovë, atje ishin vrarë mbi dy mijë vetë, plagosur – disa mijëra dhe ishin përzënë nga Kosova mbi 125 mijë vetë (Deri me datën 29 mars). Ajo nuk la pa përmendur ministrin e jashtëm Ivanov dhe disa të tjerë “që nuk i vinin re prapësitë e vëllezërve serbë në Kosovë” dhe se “Çështja është se problemi i Kosovës është privatizuar nga pseudopatriotët dhe predikuesit tanë të unitetit sllav”.

Ato ditë në Rusi, pothuajse nga të gjithë, thuhej se largimi i shqiptarëve nga Kosova është pasojë e bombardimeve të NATO-s. Ajo, duke iu kundërvënë këtyre thënieve pa baza, duke iu referuar të dhënave të Komisariatit të OKB-së për refugjatët, mbasi përmendte largimin e 400 mijë shqiptarëve nga Kosova para fillimit të bombardimeve të NATO-s, shkruante se “Dëbimi i popullsisë shqiptare të Kosovës nga atdheu i tyre historik, për nga egërsia është i pa precedent në historinë moderne të Evropës”. (Novoje Vremja. Nr. 15. datë. 25. 4.1999).

Në shumë materiale ajo herë pas here i kthehej genocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë, veçanërisht planeve e programeve të Millosheviçit e bashkëmendimtarëve të tij, të përgatitura me kohë e që po viheshin në jetë pranverën e vitit .1999…. Ajo i kundërpërgjigjej edhe zyrtarëve të Moskës, të cilët e mohonin një gjë të tillë. E jo vetëm kaq, por që prisnin me nderime e pompë nacioanaliste serbe, që shprehnin publikisht mendime e ide të tilla .

Disa herë ajo ka shkruar e folur për ultranacionalistin serb V. Sheshel, i cili, siç shkruan ajo, propozonte që çështja e shqiptarëve të Kosovës mund të zgjidhej shumë lehtë “Duke vrarë një milion shqiptarë dhe një milion të tjerë, duke i përzënë nga Kosova” (Po aty). Ishte pikërisht ky Sheshel që në Moskë pritej me nderime të mëdha dhe ishte ai i pari, që në muajin tetor 1998, gjatë vizitës në Moskë, u propozoi rusëve krijimin e Aleancës Rusi – Bjellorusi – Jugosllavi e qe me vonë, në prill të vitit 1999 Duma Shtetërore do ta aprovonte….

Aktiviteti i saj në këtë periudhë është tepër i dendur. Ajo shkruan, jep rregullisht intervista, pergatiste referate e studime e, në të njëjtën kohë, punonte intensivisht për hartimin e “Historisë së Shqipërisë në shekullin XX”. Në shumë raste asaj i kundërviheshin edhe bashkëbisedues nepër studio. Jo rrallë ndodhte që i ndërprisnin fjalën ose i gjymtonin mendimin, por ajo nuk tërhiqej. Përpiqej të gjente përsëri hapësira e dritë jeshile në kanale televizive a në radio, në gazeta e revista. Pavarësisht se shumë nga kolegët e saj i kundërviheshin, të gjthë e pranonin autoritetin e saj në fushën e çështjeve shqiptare. (Siç ndodh fatkeqësisht shpesh, mbas vdekjes së saj, disa herë, edhe kolegë te saj që kishin mendime të ndryshme me të, e kanë cilësuar atë si autoriteti më i madh i çështjeve shqiptare, në historiografinë ruse).

Është folur e shkruar shumë herë për mundësinë e ndarjes së Kosovës. Jo pak herë kjo temë është trajtuar edhe në Rusi e, sipas shumë burimeve ruse, edhe në qarqet e larta politike. Janë hedhur mendime e ide të ndryshme për të “mbyllur” këtë plagë, por, kryesisht, mbi bazën e ideve e mendimeve të përpunuara në Beograd. Kjo u bë më e dukshme kur u pa se lufta në Kosovë po përfundonte. Insistimi i Moskës që trupat paqeruajtëse ruse, qe përgatiteshin të merrnin pjesë në operacionin paqeruajtës në Kosovë, të vendoseshin në zonat në kufi me Serbinë e ku kishte më shumë serbë e, kryesorja, insistimi që këto trupa të mos ishin nën komandën e përbashkët të NATO-s, praktikisht do të thoshte ndarje e Kosovës. (Çka më vonë e pranuan edhe vetë ata politikanë rusë që insistonin për një veprim të tillë). Pikërisht në këtë periudhë N. Smirnova, si një vëzhguese e kujdesshme, botoi në Novoje Vremja artikullin “Piemonti shqiptar”.

Mbasi fliste për studimet e bëra nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë për mënyrën e ndarjes së Kosovës e angazhimin e politikanëve serbë, “krahu i fortë i të cilëve – siç shkruante ajo – “kishte çuar në krijimin e aparteidit në Kosovë”, ajo përmendte edhe variantin e “ndarjes së kulturuar”, do me thënë dhënien e pavarësisë Kosovës, “por me kusht shkëputjen paraprake në favor të Serbisë të rajoneve industriale veriore”.

Pikërisht ky variant u hodh për konsum në Rusi në disa shkrime e emisione televizive. Edhe disllokimi i trupave paqeruajtëse ruse pikërisht në këto rajone veriore, vetëm nën komandën ruse e jo atë të NATO-s, ato ditë komentohej si përkrahje e mbështetje e këtij varianti. Pikërisht këtyre qëndrimeve e varianteve, që thuhej se përpunoheshin në Moskë, iu kundërvu me forcë N. Smirnova, e cila, ndërmjet tjerave, shkruante “Pjesëmarrësit e diskutimit nuk i ka shqetësuar, ashtu siç nuk i turbullon edhe sot përkrahësit rusë të ndarjes fakti, se një kombinim i tillë është venë një herë në jetë nga okupatorët italo – gjermanë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore”.

Smirnova kishte mendimin e vet për çështjen shqiptare. Ajo e shprehte haptazi se çështja shqiptare ekziston, se ajo mbetet e hapur dhe është një problem i shtruar për zgjidhje e që duhet zgjidhur. Në artikullin e sipërpërmendur ajo shkruan “Po ç’u bë me formulën Kosova – Piemonti shqiptar?. Ajo e ka shteruar veten qysh në fillim të shekullit 20. Për më tepër që, si rezultat i pazarllëqeve midis fuqive të mëdha në vititn.1913, Kosova nuk u përfshi në përbërjen e shtetit shqiptar. Madje dhe bashkimi me Shqipërinë në planin politik nuk është ngritur më mbas vitit 1949, kur Stalini hodhi poshtë idenë e Enver Hoxhës për organizimin e një kryengritjeje atje”. (Novoje Vremja. Nr. 22, datë. 6. 6.1999).
Më ka mbetur në kujtesë një diskutim me të, lidhur me këtë problem. Në atë kohë një nga politikanët shqiptarë kishte thënë se “nuk ekziston çështje shqiptare”. Ajo që ndiqte me vemendje zhvillimet në Shqipëri e kishte dëgjuar dhe mbas dy-tri ditësh tepër e nervozuar më tha “Ç’i keni ata politikanë në Shqipëri që flasin si kalamaj edhe për çështje të tilla madhore. Mos kujtojnë ata se do t’i hyjnë në qejf Amerikës e Evropës duke mohuar çështjen më madhore për shqiptarët. Kështu ata bëhen të neveriteshëm edhe për të mëdhejtë. Çështja shqiptare ekziston.dhe ajo pret zgjidhje dhe duhet zgjidhur. Problemi sot shtrohet si duhet zgjidhur. Jo duke kërkuar kufij të ri. Kosova nuk ka punë më me Serbinë, ajo duhet të fitojë pavarësinë. Shqiptaret në Maqedoni duhet të fitojnë të gjitha të drejtat që u takojnë. Çështja shqiptare duhet të zgjidhet vetëm duke shkuar drejt Evropës, të bashkuar si komb, jo politikisht, por me një gjuhë, me një kulturë, me një arsim, me një ekonomi të integruar etj”. Kishte një logjikë tepër të fortë në mbrojtje të asaj që thoshte….

Që para lufte e, veçanërisht, gjatë lufës në Kosovë, politikanë, zyrtarë, ushtarakë, analistë e gazetarë rusë kanë hedhur shumë baltë mbi UÇK-në e luftetarët e saj, duke i quajtur terroristë, të shitur tek SHBA, fondamentalistë, kriminelë, trafikantë e ç’nuk i kanë quajtur. Çfarë nuk është thënë për UÇK-në. Mjafton vetëm një pasazh nga një artikull i drejtorit të Institutit të Sllavjanistikës pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë, Prof. dr V. Vollkov “Qysh në fillim UÇK-ja e ka treguar veten si një organizatë terroriste me qellime politike. Burimet e formimit të saj janë tepër të dyshimta: në të ka patur edhe mercenarë, edhe të ashtuquajtur vullnetarë të huaj – moxhahidinë nga vendet arabe. Kurse problemi i financimit të UÇK-së është edhe më i turbullt: para droge, të dërguara nga diaspora shqiptare në Evropë, si dhe disa burime të tjera të huaja…..”(Gazeta “Sevodnja” datë 22. 6. 1999)

Ndërsa ajo, me pak fjalë, duke iu kundërvënë të gjithë kesaj propagande, shkruante “Në etapën e tanishme UÇK-ja gëzon mbështetjen e shumicës së kosovarëve, të cilët janë të bindur se njësitë e saj i mbrojnë ata nga dhuna e njësive speciale të ushtrisë serbe. Në radhët e saj luftojnë ata shqiptarë që në të kaluarën janë cilësuar si luftëtarët më të mirë (krahas malazezëve) të Ushtrisë Popullore Jugosllave….UÇK-ja de-facto është pranuar nga komuniteti ndërkombëtar si organizatë, e cila përfaqëson një forcë reale” (Kosova… vepër e cituar fq.109).

Siç kam përsëritur disa herë, në fushatën antishqiptare të asaj periudhe u përfshinë kategori të ndryshme njerëzish, të fushave nga më të ndryshmet. Pavarësisht nga balta që u hodh, kjo periudhë pati edhe anë pozitive.

Pavarësisht nga trajtimi proserb i problemit të Kosovës, lajmet e përditshme me këtë temë, shkrimet e gazetave etj. tek opinioni i gjerë rus shtuan kurjozitetin e dëshirën për të mësuar edhe më shumë se ato që i servireshin nga media e politikanët e vet. Kështu ai mësoi se ekziston një çështje shqiptare, që në një pjesë të Ballkanit, në Kosovë, shqiptarët paskan jetuar gati një shekull nën sundimin serb e se tani Millosheviçi kërkonte ta serbizonte krejtësisht, prandaj edhe shqiptarët u ngritën në mbrojtje të të drejtave të tyre. Duke ndjekur ditë për ditë këto probleme, shihej qartë se në fund të luftës në Kosov e, më vonë pati një rritje të dukshme të mendimit pozitiv për shqiptarët e Kosovës, për kërkesat e luftën e drejtë të tryre. Në këtë periudhë u shfaqën disa autorë të paanshëm që me shkrimet e komentet e tyre bënë që të ndryshonte mjaft opinioni për zhvillimet në Kosovë, e, në përgjithësi, për ne shqiptarët.

Mirëpo kjo nuk mund të pranohej nga ata që përcaktonin qëndrimin ndaj çështjes shqiptare e që nuk mund të ishte ndryshe përveçse “pro serb”, siç thotë, Prof. Zadohin (pohime të kësaj natyre gjen edhe në punimet e ndonjë autori tjetër rus). Prandaj kjo kategori politikanësh, studjuesish, analistësh etj. vazhdonte të fliste e të shkruante kundër kërkesave të shqiptarëve të Kosovës, të komunitetit ndërkombëtar, kundër zhvillimeve pozitive në Kosovë mbas lufte etj. Me qindra e qindra shkrime e materiale (pa folur për libra të tërë) janë botuar mbas përfundimit të luftës në Kosovë, ku, në shumë prej tyre, ruhet e njëjta linjë proserbe, në trajtimin e problemeve.

Duke u kthyer te profesoresha e nderuar Nina Smirnova, do të permend qëndrimin e saj ndaj një shkrimi tepër antishqiptar të shkruar nga kryetari i bashkisë së Moskës, J. Llushkov në gazetën “Izvestia“ të datës 24. 3. 2001, në kuadrin e dyvjetorit të fillimit të bomardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë. Do të permend vetëm disa pasazhe.. Ndërmjet tjerave ai shkruan: “Shenjat e para të “çeçenizimit” të Kosovës duken sheshit. Si dhe në Çeçeni, duke u nisur nga parimi etnik, po merren masivisht njerëz peng. Duket haptazi intolerance fetare. Në vitin. 1998, edhe shqiptarët katolikë qenë të detyruar të braktisnin vendin për shkak të përndjekjeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…Monumentet historike të kulturës janë shkatërruar pothuajse krejtësisht”. Më poshtë ai shkruan “Dy vjet më parë ne kemi paralajmëruar lexuesin perëndimor se Maqedonia mund të jetë viktima e radhës dhe se kjo provokohet nga Tirana…. Ka mundësi që ndokujt ne NATO akoma t’i duket se të përkëdhelurit shqiptarë mund të qetësohen lehtë. Mjafton vetëm të lejohen të bashkojnë me Shqipërinë të gjitha tokat ku dikur ka banuar qoftë edhe një shqiptar i vetëm. Dhe para nesh, sipas mendimit të disa strategëve bombardues, do të dalë Shqiperia e Madhe, një shtet, qofte edhe i rritur me gjak, por që, gjthësesi, do të mbetet në kuadrin e normave të së drejtës ndërkombëtare të shteteve, anëtar i OKB-së. O zot, por puna s’mbaron me kaq. Një shumicë madhe shqiptarësh rebelë zor se mund të inkuadrohet në suaza paqesore. Ata do të shpërndahen nepër Evropë, në mos nën sebepet e sotme politike, me pretekste ekonomike. Dhe përvoja e fituar nga ata do të shpërndahet për formimin e një rrjeti të madh tregtarësh të dëshpëruar, te pacipë e të paskrupull armësh e narkotikësh….Prej kohësh dëshiroj të shpreh publikisht dyshimin tim për ekstremizmin militant (shqiptar, afgan, çeçen) si fundamentalizëm islamik….Por që të jesh fundamentalist islamik duhet që, fillimisht, të jesh musliman i vërtetë. Por kosovarët, çeçenët, nuk orientohen nga normat islamike….Në qendër të Evropës mund të shfaqet një vatër e mendimit mesjetar. Do të ringjallet rreziku i shpërthimeve në rajon, para të cilit, Çeçenia dhe Palestina do të duken si lodra kalamejsh në rërë…..Maqedonia tani është viktimë e agresionit të shqiptarëve, të cilët pak kohë më parë, nën presionin e NATO-s ajo i ka mbështetur. Askush sot nuk është i përgatitur t’u kundervihet cubave shqiptarë…” Besoj se kaq është e mjaftueshme për lexuesin.

Menjëherë mbas botimit të këtij shkrimi, erdhi tek unë Nina Smirnova. Ishte tepër e indinjuar dhe më vuri përpara një material disa faqesh. Lexoje – më tha – është një letër qe i kam shkruar po atë ditë J. Llushkovit. Kanë shkruar edhe të tjerë broçkulla e poshtërsira të tilla, por atij nuk ia fal, prandaj i kam shkruar me këtë ton. Letrën ia kam drejtuar atij dhe nuk dua ta bëj publike. Më la një kopje e, ndoshta, unë jam i vetmi që kam një kopje origjinale të kësaj letre…

Që në krye i shkruante “Sot lexova artikullin tuaj….dhe u çudita me entuziasmin tuaj antishqiptar…Ju jeni një ndër politikanët më dinamikë të Rusisë. Fjala juaj dëgjohet tek ne dhe jashtë Rusisë. Por kjo nuk ju jep as të drejtën më të vogël që të shfrytëzoni autoritetin Tuaj për të poshtëruar një popull të tërë”. Dhe më poshtë ajo shkruante për kontributin e shqiptarëve në historinë dhe kulturën botërore, duke përmendur që nga Skenderbeu, Mehmet Aliu, Françesko Krispi, Nënë Tereza, Sami Frashëri e deri tek shpikësi i viagrës, R. Mitrovica e A. Perlocaj (që kishin dhënë shfaqje edhe në Rusi) etj.etj. “Të gjitha ato që Ju keni shkruar janë dokrra” i shkruante ajo Llushkovit. Më poshtë, duke prezantuar veten i shkruante “ Njohja e shumë gjuhëve (ndërmjet tjerave edhe e shqipes) më kanë dhënë mundësi të shfrytëzoj dokumentat e arkivave që nga Uashingtoni e deri në Romë e Beograd dhe të shkruaj artikuj e libra shkencorë për problemet e marrëdhënieve ndërkombëtare në Evropë dhe në Ballkan….Tani dijenitë e mija nuk i duhen askujt. Profesionalizmi tek ne tani nuk është nder”.

Lidhur me problemet e trajtuara në artikullin e Llushkovit ajo shkruante:
“Gjatë gjithë historisë së tyre shqiptarët nuk njohin probleme e dasi fetare. Feja e tyre është “shqiptaria’ siç e ka përcaktuar poeti Vaso Pashë Shkodrani. “Kur i dashuri i të gjithe patriotëve rusë, Millosheviçi, filloi luftën kundër republikave, gjë që çoi në shpërbërjen e Jugosllavisë, shkruesit rusë dhe serbë u ngutën të shkruajnë për karakterin fetar të luftës. Medemek sikur ortodoksët po mbronin fenë e vet kundër muslimanëve dhe katolikëve….Në Kosovë katolikët i kanë përzënë serbët dhe jo UÇK-ja….Jo shqiptarët, por serbët kane shkatërruar objektet e kultit, monumentet e kulturës….Më 30 mars serbët kanë djegur pazarin e vjetër të Gjakovës. Ata kanë shkatërruar biblotekën me dorëshkrimet e vjetra….”

“Gjatë pesë shekujve të robërisë turke,. Kosova ka qenë qendër administrative e Perandorisë. Në Kosovë nuk është bërë asnjë kryengritje antiturke serbe, ndërsa shqiptare numërohen disa. Madje tepër të fuqishme: në vitin 1878-1881, në vitin 1899, në vitin .1910-1912….Menjëherë mbas bashkimit të Kosovës me Serbinë filloi lufta e shqiptarëve për bashkim me Shqipërinë.”

“Përralla me primitive në shkrimin tuaj është se “komunisti internacionalist Tito i ka sjellë shqiptarët në Kosovë (interesant, nga i ka sjellë?). Këto budallallëqe mund t’i mendojë vetëm një njeri që gjithë jetën e ka kaluar në një fshat të largët , ku nuk ka as dritë elektrike, as gazeta. Ose një budalla që nuk di as alfabetin e gjuhës ruse. Është turp të përgënjeshtrosh një gjë të tillë ose kllapira si këto” vazhdonte më poshtë ajo.

“Tani do të përpiqem të flas shkurt për kryesoren. Shqiptarët në Jugosllavinë Mbretërore kane qenë trup i huaj dhe popull i kategorisë së dytë… Në Beograd ka qenë përpunuar programi i ndryshimit etnik të Kosovës, duke sjellë serbë dhe malazezë aty dhe duke përzënë shqiptarët….Tito në kohën e tij ka lejuar shqiptarët që të shkojnë në Turqi për të ulur numrin e kundërshtarëve… Shesheli ka propozuar mënyrën e vet , për zgjidhjen kardinale të problemit shqiptar në Kosovë: Një milion të dëbohen dhe një milion të vriten. Dhe ai është marrë me këtë punë në vitin 1999, kur hyri në qeverinë e Millosheviçit…”.

“Shqiptarët kurrë nuk e kanë përfshirë Maqedoninë në Shqipërinë e Madhe. Kjo fjalë nuk ekziston në gjuhën shqipe. Serbi Ilia Garashanin e ka konsideruar Maqedoninë pjesë të Serbisë së Madhe, ndërsa Jugosllavia, kur iu bashkua “boshtit”, firmosi për njohjen e të drejtave të saj mbi Selanikun. Në vitin 1945 Tito i parashtroi Stalinit problemin e të drejtave mbi Selanikun dhe Maqedoninë Pirine…

Nuk mund të besoj që kryetari i bashkisë, për të cilin unë kam votuar dhe autori i këtij artikulli është i njëjti njeri. Unë e kuptoj se ju keni marrë përsipër rolin “e pazakonshëm për ju, të një politologu të problemeve ndërkombëtare” siç thuhet në hyrje të shkrimit tuaj. Po përse Ju duhej të turpëroheshit duke e vënë veten në një rol të tillë? Më falni për tonin e ashpër, por unë nuk mund të veproja ndryshe. Është për të ardhur keq për kryetarin e bashkisë dhe njeriun e mirë”.

Çdo koment do të ishte i tepërt.
Nina Smirnova ndërroi jetë në qershor të vitit 2001, kur shumë probleme mbeteshin të hapura për çështjen shqiptare. Shumë nga problemet e kërkesat e saj të shtruara publikisht janë aktuale edhe sot, për më tepër kur pavarësia e Kosovës është shtruar për zgjidhje e medeomos do të zgjidhet. Sa më shpejt, aq më mirë, për shqiptarët e pakicat që banojnë aty, por edhe për Serbinë….Evropën e më gjerë.

Më mirë edhe për Rusinë, sepse do të lehtësohet nga një barrë e rëndë që i peshon prej shumë vitesh në shpinë e, sic po zhvillohen ngjarjet, nuk do të jetë në gjendje ta mbajë shumë gjatë…
Janë kuptimplote edhe sot fjalët e Nina Smirnovës se “Evropa, si fajtore për copëtimin e kombit shqiptar në vitin .1913, tani duhet të shlyejë fajin e vet dhe të mbështesë të drejtën”.

Shaqir Vukaj

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 319 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi