Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
PARADOKSET E BESIMEVE FETARE
Publikuar më 28 gusht, 2019 në orën 20:12 ( ) Të ndryshme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Cila është origjina e botës dhe e njeriut? Mbi këtë pyetje kemi përgjithësisht dy përgjigje të ndryshme, fetare dhe shkencore. Filozofia qëndron në mes, është asnjanëse.

Këtë çështje do ta trajtojmë kryesisht nga ana fetare.
Si hebraizmi (fe më e vjetër monoteiste e themeluar nga Abrahami) edhe Krishterimi dhe Islami japin përgjigje të njëjtë: Zoti e krijoi botën dhe njeriun; çifti i parë i njerëzimit ishin Adami (Ademi) dhe Eva (Hava), pra ata ishin prindërit e mbarë njerëzimit. Së pari Perëndia krijoi Adamin. Vetmia e mërziti Adamin, kështu që Perëndia “mendoi” t’i krijonte atij shoqëri. Ai e vuri Adamin në gjumë, i hoqi një brinjë dhe krijoi prej saj bashkëshorten e tij. Adami ishte i kënaqur me të, dhe e quajti Hava ose Eva.

Sipas Biblës Zoti ekzistonte para se ta krijonte botën. Zoti i gjithëfuqishëm e nxjerr botën nga asgjëja. Krijimi ndodhi vetëm, sepse e dëshiroi ai. Kështu thuhet në Dhiatën e Vjetër ose Shkrimet Hebraike. Bibla Hebraike ndryshe quhet Tora i hartuar në shek. XII p.e.s. dhe ndahet në tri pjesë. Përveç Tora-s rëndësi të madhe ka edhe Talmudi që d.m.th. mësim ose studim, dhe i cili është hartuar nga viti 100 p.e.r deri në vitin 400 e.r.

Çështja themelore për temën që e kemi marr në diskutim është ekziston apo nuk ekziston Zoti. Shkenca qëndron pranë bindjes se deri më sot nuk kemi prova se Zoti ekziston. Kjo përgjigje rezulton duke respektuar metodat me të cilat shkenca vjen deri te njohuritë e botës materiale pa kaluar në mbinatyroren, pra që i përket kësaj bote. Në shkencat natyrore ndodh një bashkëveprim i vazhdueshëm midis vëzhgimit dhe interpretimeve të tyre, midis fakteve dhe teorive që i shpjegojnë këto fakte. Ky bashkëveprim quhet “metodë shkencore”. Shkenca pra merret vetëm me realitetin objektiv të cilin e perceptojmë me shqisa, e hulumtojmë me instrumente dhe duke eksperimentuar e detyrojmë natyrën t’u përgjigjet pyetjeve tona, kurse religjioni merret me botën tjetër tejlëndore (Perëndia, engjëjt, parajsa, ferri).

E vërteta gjithmonë është e kufizuar nga shkalla e zhvillimit të trurit të njeriut dhe kësisoj ajo gjithmonë mund të rishqyrtohet, sepse dëshira për të zbuluar të panjohurën nuk shuhet. Rishqyrtimi vlen si për shkencën ashtu edhe për fenë. Çdo fjalë dëshiron tjetrën, edhe e ashtuquajtura fjalë e fundit nuk ekziston, pasi ka gjithnjë edhe shumë për të thënë. Asnjë koncept, ide ose teori nuk është e shenjtë dhe e pasfidueshme. Mirëpo besimtarët nuk kanë durim të presin dijen e së ardhmes, dhe pa e lodhur mendjen shpikin një faktor të cilit ia dorëzojnë detyrën e krijimit të botës dhe njeriut. Mjafton të thuash se ky faktor është i gjithëdijshëm dhe i gjithëfuqishëm, dhe ja, u zgjidh problemi. Lehtë e kuptueshme për të gjithë, me shkollë e pa shkollë. Përveç kësaj, këtij faktori me emrin Perëndi ia shtojmë edhe një cilësi tjetër: është mëshirëplotë. Ai kujdeset për ne si në këtë botë po ashtu edhe për në botën tjetër duke shpërblyer me parajsë ata që peshojnë drejtësisht, kurse ata që kalojnë çdo kufi të së keqes i pret ferri. Është kështu apo jo, s’është me rëndësi, e rëndësishme është se ne gjetëm një shpjegim dhe mbështetje shpirtërore. Parajsa është një vend shumë i bukur në qiell, ku gjoja jetojnë në lumturi shpirtrat e të vdekurve që nuk kanë bërë mëkate në të gjallë, kurse ata që kanë mëkatuar në të gjallë përfundojnë në ferr ku shpirti i tyre vuan. Besimi se ekziston ferri dhe parajsa është, padyshim, një përfytyrim, krijim i imagjinatës.

Teologjia pra, ka një qasje tjetër. Ajo e shikon botën materiale si pasojë të shkakut jomaterial, Zotit, i përfytyruar si qenia më e lartë e mbinatyrshme. Edhe mënyra si funksionon natyra është e drejtuar, sipas teologjisë, nga Zoti.
Feja beson kurse shkenca nxjerr përfundime falë përdorimit të instrumenteve, si teleskopi, mikroskopi, pompa e ajrit etj. Këto instrumente u zbuluan gjatë periudhës njëqindvjeçare nga viti 1590 deri në vitin 1690. Nga shekulli XVI fillon të ndryshojë bota e mendimit (humanizmi dhe renesanca).

Religjioni si një histori shpirtërore e njerëzimit është më i vjetër, që nga parahistoria e deri në ditët tona. Shkenca është një sistem dijesh mbi ligjet e zhvillimit të natyrës e të shoqërisë, bën matje dhe përsëritje e që mbështetet në argumente. Shfaqja e periudhës moderne e shkencës ka ndodhur gjatë shekullit XVI dhe XVII. Fetarët pra besojnë, nuk hulumtojnë. Mbështeten në intuitën dhe besimin dhe flasin për gjërat të cilat mund të“kuptohen” vetëm duke përdorur imagjinatën, e cila i largon jashtë botës fizike. Ata bëjnë fjalë për një botë që merret vetëm me mend, që duket sikur është e vërtetë; në librat e shenjta flitet edhe për moralin dhe etiken, pra si duhet të sillet njeriu në shoqëri dhe familje. Sjellja e njeriut në shoqëri është e rregulluar edhe me ligje si dhe me anë të edukimit në shkollë, si për shembull nëpërmjet lëndës edukata qytetare.

Feja ka besuar se Dielli dhe planetët sillen rreth Tokës. Toka, si trup qiellor i palëvizshëm, konsiderohej si qendër e gjithësisë. Kjo bindje ka qëndruar deri te Koperniku. Pas Kopernikut ky besim u shndërrua në një të vërtetë tjetër. Ose më mirë të themi një mendim i gabuar u zëvendësua me një të vërtetë të pa kundërshtueshme.

Pse njerëzit, jo të gjithë, janë të prirur të besojnë.
Lexoni më poshtë rezultatin e kërkimit të Institutit Shëndetësor Amerikan “Bathesda” të botuar në gazetën “Zëri” të datës 12.03.2009 me titull: ZBULOHET NË TRU ORIGJINA E BESIMIT TEK ZOTI

Kërkimi është kryer nga Departamenti i Shkencave Njohëse në Institutin Shëndetësor Amerikan “Bathesda”.
Studiuesit i propozuan një grupi vullnetarësh të japin mendim rreth besimit dhe studiuan reagimin e trurit të tyre me rezonancën magnetike funksionale. Në këtë moment aktivizohen zonat me neurone që kanë lidhje me mendimin, gjuhën dhe imagjinatën. Shkencëtarët arritën në përfundimin se besimi përdor neurone, që zakonisht përdoren për zhvillimin e koncepteve kuptimore përgjegjëse për imagjinatën dhe gjendjen emotive. Përpunimi i koncepteve që lidhen me besimin varet nga ndërveprimi njohës-emotiv brenda qendrës së emocioneve. Rezultatet e kërkimit u publikuan në revistën shkencore “Pnas”.

Sipas këtij kërkimi nuk e kemi të vështirë të kuptojmë se nga vjen afiniteti ndaj religjionit edhe i atyre me intelekt të lartë (Shën Augustini, Toma Akuini etj). Te këta individë zonat që kanë lidhje me mendimin, gjuhën dhe imagjinatën (njohës-emotiv) kanë, me sa duket, numër më të madh të neuroneve, ose ndjeshmëri më të lartë.
T’i kthehemi titullit të këtij punimi duke nxjerrë disa momente nga Librat e Shenjta që bien në kundërshtim me arsyen e shëndoshë, pra janë paradoksale.

Në faqen 1 dhe 2 të Biblës, lexojmë:
1 Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.
26 Pastaj Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi gjithë rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe”.
7 Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.

Perëndia tha, Perëndia krijoi, Perëndia formoi…Nga e dimë ne që Perëndia tha, dhe kujt i tha? As në Bibël e as në Kuran nuk ka të shkruar se lajmëtari i Perëndisë ia kumtoi ndonjë prej të dërguarve të Zotit se Zoti është krijuesi i botës në kohëzgjatje prej 6 ditësh. Dhe asnjë profet nuk parashtroi pyetje mbi këtë çështje, bile as për ndonjë çështje tjetër. Vetëm dëgjonte si një ushtar para eprorit.

Po sjellim një pjesë nga libri “Shkenca dhe Feja” të autorit Arthur Lewis, përkthyes Dhimitër Fallo, shtypur në Korçë në vitin 1935:

“Pa marrë parasysh në se këto histori kanë një themel shkencor apo jo, Perëndia na urdhëron t’i besojmë. Ndryshe na dorëzon te djalli (konkurrenti i tij), gjë që s’është shumë e kënaqshme, pasi në skëterrë jo vetëm që mbretërojnë të qara dhe të kërcitura dhëmbësh, po dhe rri ndezur një zjarr i përjetshëm. Kështu, një njeri pa trup, domethënë një shpirt, do të piqet në skëterrë; mishi që s’ka më do të digjet, dhëmbët q’i kanë rënë do të kërcasin; do të qajë pa sy e pa mëlçi, eshtrat e tij të bëra pluhur që prej kohe do të brehen edhe një herë. Dhe të gjitha këto pa mbarim. Histori e çuditshme…”

Parashtrohet pyetja pse kaq shumë profetë janë shfaqur gjatë historisë. Një pjesëtar i fesë, me të cilin bisedoja për këtë temë, më tha: ka shumë profetë, sepse gjatë historisë janë krijuar rrethana të reja. Nëse është kështu, i thash, atëherë, pasi historia vazhdon dhe rrethanat ndryshojnë është dashur të shfaqen edhe profetë të tjerë.

Mënyra se si interpretohet Perëndia shkakton një varg situatash të pabesueshme. Kur mësuesit engjëllorë thonë se Zoti, mes tjerash, është jo i perceptueshëm me shqisa më habit fakti se si shpjegohet perceptimi i zërit të Perëndisë, gjegjësisht lajmëtarit të Tij, nga ana e profetëve. Mos ndoshta profetit i vendosej ndonjë pajisje, por për këtë nuk kemi informatë nga Librat e Shenjtë. Nga ana tjetër, edhe mënyra se si bëhen profetë më duken si të vetëquajtur. Pse them të vetëquajtur? Sepse, askush tjetër nuk e ka dëgjuar zërin e Perëndisë përveç tyre, as edhe më të afërmit e tyre.. Kur profeti i ardhshëm thotë se Perëndia më tha, është si të thuash unë jam i dërguari i tij. Në fillim ky deklarim nuk bën bujë aq të madhe, por me kalimin e kohës të tjerët rreth tij në emër të asaj çka ju thotë profeti, e ky në emër të Zotit, zhvillojnë aksione dhe veprimtari të ndryshme duke afirmuar profetin dhe veten. Ky aktivitet kalon në një lëvizje dhe lë gjurmë në historinë e atij populli.

Fitohet përshtypja se Librat e Shenjtë kanë më tepër imponim se arsye. Pjesa dërrmuese e tyre kanë përmbajtje historike të popullit izraelit dhe atij islam. Këto ngjarje historike janë të veshura me petkun hyjnor, me ndërhyrje të Perëndisë. Edhe në tregimet e Iliadës dhe Odisesë kemi bashkëveprim midis perëndive dhe njerëzve. Mitologjia greke dhe dy besimet më të njohura paskan pika të përbashkëta: nevojën për ndërhyrje hyjnore!

Kurani që nga faqja 521 e deri në 741 flet vetëm për të ligën dhe kërkohet mbështetja e Zotit për të mbrojtur njeriun kundër së keqes, strehim pranë Tij. Dihet se ata që i zë e liga do të përfundojnë në zjarrin e xhehenemit, kurse ata që janë në rrugë të drejtë i pret xheneti.

Këtu kemi të bëjmë me frikën nga ferri dhe shpërblimin me parajsën. Joshja me lumturinë e parajsës dhe frika nga tmerri i ferrit bëhen shkas të adhurojmë Zotin. Këto dy ndjenja janë shumë të fuqishme emocionalisht dhe njerëzit, pa një pa dy, trillimin e marrin për të vërtetë; racionalja përjashtohet. Një thënie e urtë thotë: Nuk dua askënd të bëjë diçka që të marrë më pas shpërblim në Parajsë apo nga frika e Ferrit, por vetëm nga dashuria për zotin. Pa parajsë dhe ferr Bibla dhe Kurani nuk besoj se do të ishin aq atraktiv.

Njerëzit veprojnë më shumë për shkak të frikës se për shkak të respektit. Aristoteli
Nga Dhjata e Vjetër, faqe 958:
45
5 Unë jam Jehovai, dhe nuk ka asnjë tjetër. Veç meje, nuk ka tjetër Perëndi…
6 që njerëzit nga lindja e diellit deri në perëndim të tij ta dinë se nuk ka tjetër veç meje.

Edhe në fenë islame thuhen të njëjtat fjalë:
Në çastin kur një mysliman lind dhe kur përsëri në shtratin e tij të vdekjes shtrihet, shtatë fjalë árabe i përsëriten në vesh: La ilaha illa Allah, Muhammad Rasul Allah, që do të thotë: nuk ka Zot përveç Allahut, Muhamedi (është) profet i Allahut.

Si ndodhi kjo që dolën dy interpretime të ndryshme, ose më mirë të themi dy fe, dy Libra të Shenjta, një Perëndi. Kjo mosmarrëveshje ose ky konceptim i ndryshëm që ato kanë për Perëndinë u shkaktua nga njeriu apo Perëndia? Përveç krishtërimit dhe islamit ka edhe një fe tjetër: hebraizmi që është njëra prej feve më të vjetra që ende jeton. Pra edhe një Perëndi tjetër. Si duket ekzistenca e kaq shumë feve tregon mungesën e një perëndie të vërtetë brenda tyre.

Ditën në të cilën Adami nuk iu bind Perëndisë, u bë mëkatar. Adami, i cili mëkatoi, është ati i racës njerëzore. Kështu, si rezultat i mëkatit të Adamit të gjithë pasardhësit e tij janë mëkatar. Pra, që atëherë mëkati trashëgohet dhe çdo njeri sot lind mëkatar. Kështu thuhet në Bibël.

Ligjet e një shteti, nëse nuk zbatohen, shoqërohen me sanksione. Por asnjëherë nuk ndodh që përveç shkelësit të ligjeve (mëkatarit) të fajësohen edhe pasardhësit e tij. Ligjet tokësore, si duket, janë më humane se ato qiellore. Kur jemi te mëkati edhe diçka tjetër. Mëkati, e keqja, e liga zanafillën e ka që nga gjarpëri i Edenit, kurse feja islame, thotë se shkaktar i gjithë të këqijave, është vetë njeriu (e mira nga Zoti, e keqja nga njeriu). Sipas Biblës Eva e nxiti Adamin të hajë nga pema e ndaluar, kurse Evën Satana i kthyer në gjarpër. Satanain nuk e krijoi Perëndia. Përkundrazi, dikur ishte engjëll besnik, por Perëndia lejoi t’i zhvilloheshin në zemër dëshira edhe të gabuara, e kështu u bë Satana. Këtu përmendet një detaj: dëshira ose vullneti. Pra Perëndia u dha lirinë e vullnetit si mundësi vetëzgjedhëse që vlen për Adamin e Evën si dhe për të gjithë njerëzit. Është çështje e vullnetit që njeriu të zgjedh të bëj një veprim mes shumë zgjedhjeve të tjera. Pra veprimet e njeriut nuk janë të paracaktuara përpara lindjes së tyre. Tani shtrohet pyetja: më i rëndësishëm ishte vullneti i lirë i lejuar nga Perëndia apo keqpërdorimi i vullnetit, mëkati, i cili nuk u shlye deri në ditët tona? Nuk besoj se Perëndia prodhoi një mall me defekt, një shpat me dy teha; Ai duhet të jetë në dijeni se vullneti i lirë mund të prodhoj edhe dëshira të gabuara. Dua të them se në këtë histori ka dorë njeriu e jo Perëndia.

Për shkak të një njeriu (Adamit) që iu kundërvu Zotit, tërë njerëzimi duhet të vuajë zemërimin e tij. Baron d’Holbach, 1723 – 1789.

Bibla, faqe 4:
9. Atëherë Zoti i tha Kainit: “ku është vëllai yt Abeli?”. Ai u përgjigj: “Nuk e di; mos jam unë rojtari i vëllait tim?”. Këtu Kaini (biri i Evës) flet sikur Perëndia të ishte një njeri i zakonshëm, aq më tepër edhe me arrogancë. Është e pabesueshme se kjo bisedë tingëllon si hyjnore. Si e lejoi Perëndia veten të bisedojë me një njeri arrogant siç ishte Kaini; pse të bjerë në nivelin e tij? Kësaj i thonë komprometim i Perëndisë nga ata që e shkruajtën Biblën. Edhe diçka tjetër. Shkruesi i këtyre vargjeve foli në emër të vet, sepse kur u zhvillua kjo bisedë askush tjetër s’ishte i pranishëm përveç Perëndisë dhe Kainit. Në Bibël nuk sqarohet se Kaini i tregoi dikujt tjetër për këtë dialog.

Te libri Shkrimet e Shenjtë, faqe 17, lexojmë:
16 Pastaj Perëndia Jehova i dha këtë urdhër njeriut: “Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit… Kjo ishte biseda e parë e Perëndisë me njeriun (Adamin).

Natyrshëm lind pyetja, cila ishte arsyeja që Perëndia zgjodhi arameishten, gjegjësisht hebraishten, si gjuhë komunikimi me Adamin kur ende nuk kishte as popull hebraik e as gjuhë hebraike?

Po të shfletojmë Biblën do të vërejmë se ajo është me plot ngjarje të popullit hebre dhe profetëve të tyre. Këto ndodhi historike janë të gërshetuara me ndërhyrje të Perëndisë përmes profetëve. Tema e këtyre bisedave dhe këshillimeve të Zotit me profetë janë për hallet e jetës së përditshme të popullit izraelit (Popullit të Perëndisë) e jo edhe për popujt e tjerë. Pse kështu? Nuk janë edhe popujt fqinjë të barabartë para Perëndisë? Nuk janë edhe izraelitet mëkatar si të tjerët? Si shpjegohet kjo përzgjedhje e popullit izraelit nga ana e Perëndisë kur izraelitët s’ishin veçse një komb i vogël mes shumë kombeve të tjera në Lindjen e Mesme? Popujt tjerë nuk kishin prejardhje nga Adami ose Noeu? Apo mos ndoshta profetët vetë u deklaruan se ne jemi populli i përzgjedhur nga Zoti.

Faqe 2 dhe 3 të Biblës, lexojmë:
16 dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: “Ha lirisht nga çdo pemë e kopshtit;
17 por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur, me siguri.
4 Atëherë gjarpri i tha gruas: “Ju s’keni për të vdekur aspak.
5 Por Perëndia e di se ditën që do të hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni si Perëndia në gjendje të njihni të mirën dhe të keqen”.

Si është e mundur që Zoti të jetë kundër hapjes së syve e të dojë më tepër verbërinë e krijesës së tij, dhe aq më tepër kur ishte shëmbëlltyra e tij dhe në ngjasim me te. Pastaj, nuk besoj se Zoti është kundër njohjes të së mirës dhe të keqes nga ana e njeriut kur aspak nuk do ta fyente Atë, e as do ta dobësonte, pasi Ai është i plotfuqishëm dhe me plotë mëshirë, e madhe është dhembshuria e tij ndaj nesh. Tjetra: si është e mundur të flasë gjarpri? Cila gjuhë u përdor, ajo e gjarprit apo e Evës? Vetëm nëpër përralla kemi lexuar se edhe kafshët flasin. Nuk besoj se edhe këtë e gëlltitë për të vërtetë mendja njerëzore.

Në faqen 2 të Biblës vërejmë edhe këtë që nuk mund t’i besohet:
24 Perëndia tha “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë…”

Si e dimë ne se kështu foli Perëndia kur dihet se në ato çaste nuk kishte as Adam, as profet? Kush e dëgjoi këtë fjali?
Në faqen 6 dhe 7 të Biblës lexojmë:
5 Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër, veçse e keqja në çdo kohë.
6 Dhe Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemër të vet.
7 Kështu Zoti tha: “Unë do të shfaros nga faqja e dheut njeriun që kam krijuar, duke filluar nga njeriu deri të kafshët, te rrëshqanorët, te zogjtë e qiellit, sepse pendohem që i kam bërë”.
8 Por Noeu gjeti hir në sytë e Zotit.
23 Dhe të gjitha gjallesat që ishin mbi faqen e dheut u shfarosen: duke filluar nga njeriu deri te bagëtia, te rrëshqanorët dhe zogjtë e qiellit; ato u shfarosën nga toka dhe shpëtoi vetëm Noeu bashkë me ata që ishin me të në arkë sepse:
9 …Noeu ishte një njeri i patëmetë midis bashkëkohësve të tij. Noeu eci me Perëndinë.

Edhe pse Zoti shfarosi nga faqja e dheut njeriun dhe kafshët dhe me ta edhe ligësinë, ligësia u përsërit te pasardhësit e Noeut dhe vazhdon të shfaqet edhe sot e kësaj dite. U zhdukën të ligët, por jo edhe ligësia. Atëherë çka u fitua? Edhe diçka tjetër:

Ditën në të cilën Adami nuk iu bind Perëndisë, u bë mëkatar. Adami, i cili mëkatoi, është ati i racës njerëzore. Kështu, si rezultat i mëkatit të Adamit të gjithë pasardhësit e tij janë mëkatar. Pra, që atëherë mëkati trashëgohet dhe çdo njeri sot lind mëkatar. Kështu kuptohet nga Bibla. Bëj pyetje: Perëndia nuk e dinte se edhe Noeu ka në trashëgimi mëkatin apo shkruesi i Librit të Shenjtë kishte harruar që kishte thënë se të gjithë pasardhësit e tij (Adamit) janë mëkatarë?

Sado që Perëndia i mësonte dhe i udhëzonte izraelitët nëpërmjet profetëve, megjithatë ky popull pati një histori të vështirë dhe me plotë vuajtje. Mos ndoshta kështu ndodhi nga që Perëndia nuk ishte, ashtu siç thuhet, i plotfuqishëm dhe i gjithëdijshëm?

"Krijimi i Adamit" nga Mikelangjelo.
Në këtë pikturë Adami është me kërthizë, kurse ne e dimë që ai, sipas Biblës, është krijuar nga pluhuri i tokës, pra nuk është zhvilluar në bark të nënës, prandaj çka i duhet kërthiza?

Ashtu siç janë paraqitur gjërat në Bibël vetvetiu del konkluzioni se Perëndia i konceptuar nga shkruesit e Fjalës së Perëndisë është Perëndi lokal, vetëm i izraelitëve, sepse perëndia merrej vetëm me hallet e tyre. Se është kështu shihet edhe në këto vargje të Biblës, faqe 610:
19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.
20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër…

Në Shkrimet e Shenjta faqe 15 lexojmë:
3 Pastaj Perëndia tha: “Le të bëhet dritë”. Atëherë u bë dritë. 4 Pas kësaj, Perëndia pa që drita ishte e mirë dhe bëri një ndarje mes dritës e errësirës. 5 Perëndia nisi ta quante dritën Ditë, kurse errësirën e quajti Natë. Kështu u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes, dita e parë.

14 Perëndia vazhdoi të thoshte: ”Le të dalin ndriçues në hapësirën e qiejve, që të bëjnë një ndarje mes ditës dhe natës…16 Perëndia bënte dy ndriçues të mëdhenj, ndriçuesin më të madh për të zotëruar ditën dhe ndriçuesin më të vogël për të zotëruar natën, si edhe yjet…19 Kështu u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes, dita e katërt.

Po t’i lexonte Perëndia këto rreshta do të qortonte shkruesit duke thënë: Përmirësojeni tekstin, sepse është parregullsi të thuash ditën e parë bëra dritën (Ditën) të ndarë me errësirën (Natën), kurse ditën e katërt bëra ndriçuesin e madh për të zotëruar ditën dhe ndriçuesin e vogël për të zotëruar natën. Ndriçuesi i madh shkon bashkë me dritën. Shkruesit ndoshta një ditë do ta përmirësojnë gabimin duke thënë: si nuk na shkoi mendja të veprojmë sipas asaj që thuhet një udhë e dy punë?

Kur shqyrtohen çështjet të cilësdo natyrë qofshin, gjithmonë përdoret metoda e argumentit dhe kundërargumentit dhe qartësohet se cilës palë i besohet më shumë.

Sipas Biblës, gjithësia, toka, njeriu dhe gjallesat tjera janë krijuar nga Perëndia 6 mijë vjet më parë. Në anën tjetër, me metodën e datimit absolut kalium/argón të fosileve dihet tashmë se dinozaurët kanë jetuar në harkun kohor 280 milion vjet më parë deri 65 milion vjet më parë kur edhe u zhdukën. Feja duhet të sjell pasaktësitë eventuale të shkencës (kundërargumentin), ose të pajtohet me ato çka ofron shkenca e paleontogjisë, e cila në këtë rast e ul besueshmërinë e Biblës.

Mjekësia hyjnore, mjekësia tokësore
Ungjijtë kumtojnë se Jezui kreu mrekulli të ndryshme, si shërime, ekzorcizma (dëbimin e djajve), ringjalljen nga vdekja etj. Edhe nëse këto mrekulli kanë ndodhur me të vërtetë, kanë qenë për një kohë të shkurtër dhe vetëm për disa njerëz. Nuk janë gjithëpërfshirëse në hapësirë dhe kohë, vetëm për aq kohë sa ka jetuar Jezui, dhe në hapësirë sa ka qenë radiusi i lëvizjes së tij. Po përqendrohemi te mrekullia e parë, shërimi. Edward Jenner (1749-1823) vuri bazat e imunologjisë, e cila bazohet në vaksinimin. Sot në saje të vaksinimit shumë sëmundje ngjitëse i takojnë të kaluarës. Armatë e tërë mjekësh në tërë botën punojnë natë e ditë në përkujdesin dhe shërimin e sëmundjeve. Dua të them se tjetër efekt ka mjekësia sot e tjetër mrekullia e Jezuit. Mrekullitë përmenden për të treguar se ai ka “lidhje me hyjnoren”, se është i pajisur me hir dhe fuqi të mbinatyrshme, prandaj çka shkruan Bibla (Dhjata e Re) duhet t’i besoni. Me sa duket qëllimi i mrekullive nuk ishte se Jezui brengosej për shëndetin e popullit, por si të përforcojë besimin; nuk mund të thuash se beson te Bibla, nëse nuk i beson mrekullitë që tregohen në të. Bibla pa mrekulli nuk është Bibël. Edhe vetë Jezui, Muhamedi, Buda dhe Konfuci, që dinin gjithçka që është për t’u ditur, ishin të pazotë për të zhdukur varfërinë, urinë, sëmundjet dhe luftërat nga bota. Ky dëshpërim u mbulua me mesian dhe shumë besime besojnë se një ditë ai do të shfaqet dhe do t’u jap fund të gjitha luftërave, urisë, madje edhe vetë vdekjes.

Kur jemi te Jezui edhe diçka tjetër:
Zoti Perëndi i dha Adamit dhe Evës, dhe të gjithë pasardhësve të tyre, një premtim të mrekullueshëm në lidhje me një Shpëtimtar të madh, i cili do të vinte në botë për të çliruar mëkatarët nga mëkati, nga Satani dhe nga ferri.

Dihet se Shpëtimtari (Mesia) është Jezui. Gjithashtu dihet se Perëndia është i gjithëmëshirshëm. Mirëpo shtrohet pyetja: mëshirëplotë për njeriun apo për Jezuin? Prandaj Holbah ka lënë një thënie:
Çfarë mëshire mund të presin njerëzit nga Zoti kur ai nuk kurseu as birin e vet. (d’Holbach)

Vështirë të besohet se Perëndia i vërtetë është i këtillë si paraqitet në Librat e Shenjta, aq më tepër kur thuhet se janë të frymëzuara nga Perëndia. Çfarë gjyqtari i drejtë do të ishte një njëri, kur për fajin e një njeriu të dënonte gjithë njerëzit, e për të shpëtuar këta të bënte kurban të birin.

Po të pyesim kush e krijoi botën, edhe ata që kanë pak shkollë, do të përgjigjen: Zoti. Po të pyesim shkencëtarët e fizikës ata thonë se tash për tash është enigmë. Në kohë të fundit përmendet Big Bang-u (fillimi i gjithësisë), por aty flitet vetëm mbi kushtet fillestare dhe të mëtejshme të zhvillimit të Universit, e jo edhe mbi origjinën e materies. Të mbajmë anën e njerëzve të zakonshëm që të japin përgjigje me aq lehtësi, apo të presim çka do të ofrojë shkenca e së ardhmes pas dhjetëra, qindra apo mijëra vjetësh?

Sipas Biblës Toka është qendra e gjithësisë. Ajo nuk lëviz dhe të gjithë trupat qiellorë rrotullohen rreth Tokës. Kështu thoshte Aristoteli (384-322 p.e.r.) dhe Ptolemeu (100-170 e.r.). Ndoshta Bibla këtë mendim e mori nga ata. Kjo teori gjeocentrike mbijetoi 1400 vjet pas Ptolemeut deri sa Koperniku e rrëzoi. Mos ndoshta Bibla ka edhe të tjera pasaktësi e që pritet një ditë të rrëzohen? Një shembull tjetër i njohur është ai i vetëtimës. Shumë kultura besonin se vetëtima ishte çekiçi i një perëndie të inatosur, që e përdorte për të ndëshkuar mëkatarët. Dihet tashmë se Benjamin Franklini provoi hipotezën se vetëtima është një rrymë elektrike.

Varfëria është një tjetër rast i tillë. Shumë kultura e kanë parë varfërinë si një pjesë të pashmangshme të kësaj bote jo të përsosur. Sipas Testamentit të Ri, pak kohë përpara kryqëzimit një grua e leu me vaj të shtrenjtë Krishtin, vaj i cili vlente 300 denari. Dishepujt e Jezuit e qortuan gruan që shpenzoi një shumë të tillë në vend që t’ua jepte ato të varfërve, por Jezui e mbrojti atë, duke thënë “të varfrit do të jenë gjithmonë me ju dhe mund t’i ndihmoni ata kurdoherë. Por, mua nuk do të më keni përgjithmonë” (Marku 14:7). Sot gjithnjë e më pak njerëz, përfshirë gjithnjë e më pak të krishterë, bien dakord me Jezuin në këtë çështje.

Në faqen 747 të Kuranit mes tjerash lexojmë:
“Pas Pejgamerit udhëheqjen e bashkësisë islame e merr Ebu Bekri, pas tij Ymeri, mandej Othmeni dhe më në fund Aliu. Ata të katërt quhen udhëheqës të njëmendët, të vërtetë. Gjatë kohës së sundimit të tyre, i cili zgjati nja 30 vjet, çlirohen: Siria, Palestina, Egjipti”…

Historia nuk flet kështu. Sipas historisë midis viteve 623 dhe 642 Egjipti nuk u çlirua, por u pushtua nga Arabët, të cilët sollën islamin dhe gjuhën arabe. Egjipti i pushtuar shfrytëzohej ekonomikisht nga pushtuesit arabë. Në vitin 1517 sulltani turk Selimi II e pushtoi Egjiptin. Përveç Egjiptit arabët pushtuan Sirinë, Persinë dhe një pjesë në veri të Afrikës deri në Spanjë sikur tregon kjo hartë.

Kalifati deri në vitin 750:
Nën profetin Muhamed 612-632
Nën tre kalifët e parë 632-655
Nën kalifët omajadë 661-750

Në faqen 670 të Kuranit vëmë re këtë fjali:
“Natyra e njeriut në përgjithësi është e tillë që ai është i padurueshëm, demoralizohet shpejt dhe i rritet mendja”. Bëhet fjalë për njerëz që e mbajnë veten lart, i mjeri ai se çka do ta gjejë.

Pse i mjeri ai kur ai personalisht nuk mund të fajësohet nga se natyra e tij është e tillë? Ta fajësojmë njeriun apo natyrën? Në botë ka njerëz të mirë dhe të këqij. Nga buron e mira dhe e keqja e njeriu? Kjo dukuri me gjuhën e sotme të shkencës shpjegohet me faktin se çdo sjellje e njeriut, e mirë ose e keqe qoftë, varet prej dy faktorëve: faktorit gjenetik dhe mjedisit. Atëherë kë të fajësojmë, gjenet që ai nuk i zgjodhi, apo mjedisin që po ashtu nuk e zgjodhi?

Si të adhuroj një Zot që më ka krijuar edhe me të meta vetëm që të më ndëshkojë një ditë, ka thënë një i ditur.
Allahu është i njohur hollësisht me atë që veproni. (3:153)
Në emër të asaj se Allahu është Mëshirues e kemi angazhuar të merret edhe me këtë veprimtari meskine, e në anën tjetër themi se këto janë të shenjta. Mendoj se Perëndia ka punë të tjera më të mençura. Kjo nuk është në natyrën e Perëndisë, të kapet pas vogëlsirave, pas gjërave banale kur ka mundur ta zgjidhë këtë çështje në një mënyrë tjetër. Kjo është ulje e autoritetit të Tij.

Shteti kontrollon dhe merr masa për veprimet tona nëse bien ndesh me ligjin. Përgjimi i Perëndisë për sjelljet tona dhe llogaridhënia bëhet për botën tjetër. Edhe pse dy kontrolle, e liga takohet çdo ditë.

Faqe 676 të Kuranit vëmë re këtë fjali:
“Çdo kumtesë prej Zotit, që u është komunikuar pejgamberëve, ka qenë e siguruar prej melekëve, ashtu që askush tjetër nuk ka arritur të dijë se çka po i komunikohet atij”.

Mendimi i lirë pyet pse ndodhi kështu? E zgjodhi Zoti të komunikojë vetëm me një njeri apo pejgamberi nuk deshi të marrë edhe dikë tjetër që vetëm ai t’i marrë lëvdatat e të nderohet si profet? Meqë Zoti është simbol i mëshirës dhe dashurisë për të gjithë, do të ishte e udhës që edhe një apo dy veta të tjerë të ishin të pranishëm në malin Hira. Kjo edhe për një arsye tjetër: do të ishte shumë më bindëse se Zoti ekziston. Kjo vetëm me një person krijon dyshime.

Zoti mundet vetë të shpallë të vërtetën hyjnore, e jo me anë të profetëve dhe ndërmjetësve (melekeve). Sikur Zoti të shpallte të vërtetën në një mënyrë tjetër, p.sh., të shkruante Kuranin ose Biblën prej një materiali hyjnor, prej materiali ndryshe nga ai i tokës, atëherë vërtetë do të ishte libër hyjnor. Këtë mundësi Ai e ka. Po të ishte kështu atëherë edhe ateistët më të njohur, jam i bindur, do t’i ndryshonin bindjet e veta, dhe pothuajse tërë njerëzimi do të ndiqte rrugën e Zotit. Edhe Zoti do të ishte i lumtur.

Në faqen 741 të Kuranit lexojmë:
“Allahu është caku, synimi, qëllimi i çdo krijese, sepse çdo krijesë ka nevojë për Te, kurse Ai nuk ka nevojë për asgjë”.
Nëse Zoti nuk ka nevojë për asgjë, pse e krijoi botën dhe njeriun pikërisht kështu si është? Aq më tepër kur Atij tash i ka dalë punë të përcjellë, edhe pse në mënyrë indirekte, çdo sjellje të çdo njeriu në botë kur ka mundur të projektojë njeriun dhe jetën e tij në një mënyrë tjetër, në një mënyrë më të lehtë për Të e edhe për ne, kur kemi parasysh dashurinë e Tij për njeriun.
Kjo pjesë e fjalisë: ”sepse çdo njeri ka nevojë për Të” të bën të mendosh se mos ndoshta nevoja e njeriut për Të ishte shtytësi kryesor të përfytyrojë dhe t’i drejtohet të përfytyruarit (autoritetit të gjithëfuqishëm nëpërmjet të cilit çdo zgjidhje është e mundur)? Thënë ndryshe: ngase kam nevojë, besoj në Zotin. Ai mund t’i plotësojë këto nevoja, sepse i kemi dhënë epitetin e të Gjithëfuqishmit dhe Mëshirëbërësit.

Dy situata të improvizuara
E para:
Zoti: Pse keni nevojë për mua?
Njeriu: Po ja, kërkojmë mbrojtjen Tuaj prej dëmit të çdo krijese, prej njerëzve të prishur dhe dëmeve tjera.
Zoti: Mos u brengosni, dhe tash për tash mos kërkoni mbrojtje, sepse do të vijë dita kur ata të ligjtë do të ndëshkohen e do të përfundojnë në ferr. Kurse ju, që po më adhuroni dhe po ndiqni rrugën time, do të shpërbleheni me parajsë.
Do të shpërbleheni… Kur? Nuk dihet. Këtë e di vetëm Zoti. Të shpresojmë. Njeriut të mirë pra i mbetet vetëm shpresa, sepse për botën tjetër nuk kemi asnjë tregues qind për qind të sigurt se ekziston, vetëm përfytyrim.

E dyta:
Jobesimtari: mendon se çdo gjë që ka të shkruar Libri i Shenjtë përputhet me të vërtetën?
Besimtari: Pse jo? Perëndia interesohet për secilin nga ne. Në fjalën e Perëndisë gjejmë edhe ligje, parime e këshilla. Veç kësaj, Bibla përmban historinë e marrëdhënieve të Perëndisë me njerëzimin. Ti ke shpresën të jetosh përgjithmonë nëse i afrohesh Perëndisë. Perëndia e do drejtësinë kurse padrejtësinë e urren. Nëse lutesh dhe mediton për cilësitë e Perëndisë, do t’i afrohesh më shumë atij. Sytë e Perëndisë janë në çdo vend duke vrojtuar të këqijtë dhe të mirët. Perëndia interesohet thellësisht për mirëqenien tonë dhe vigjilon mbi ne me merak. Ne mund t’i përballojmë më lehtë vështirësitë kur dimë se Perëndia kupton situatën dhe ndjenjat tona.

Jobesimtari: mund të themi se me anë të ndjenjave ne e përjetojmë botën, pra feja është më tepër ndjenjë. Kur flasim për mrekullitë e Jezusit më tepër reagojmë me një gjendje shpirtërore dhe frymëzuese se sa me arsye. Kurse me anë të dijes ne e kuptojmë botën, pra shkenca është njohje, njohje si funksionon natyra. Feja ka punë më shumë me shpirtin dhe fatin e shpirtit pas vdekjes, kurse shkenca merret me fatin e njeriut para vdekjes.

Besimtari: jeta të sjellë edhe momente vështirë të durueshme, dhe duke qenë besimtar, mendoj se më ndihmon t’i kaloj më lehtë këto situata. Pastaj në një ajet shkruan: Allahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.
Jobesimtari: Dhëntë Zoti t’i falen mëkatet dhe u shpërblefshin në botën tjetër, sepse dëshirë më të mirë për njeriun nuk kam dëgjuar.

Prometheu - i thashë besimtarit - njeriut ua dhuroi zjarrin e Olimpit. I mësoi që me ndihmë të zjarrit ta shkrijnë metalin dhe t’i punojnë veglat, ua mësoi zejet, pastaj i mësoi të llogarisin, të shkruajnë dhe të lexojnë. Ua ka bërë të njohur njerëzve barërat dhe ua ka treguar fshehtësinë e shërimit të të sëmurëve, shkurt, i ka udhëzuar se si të jetojnë të lumtur, pasi që tani më kanë ardhur në botë.

Mendoj se është e qartë ku është dallimi midis Perëndisë dhe Prometheut. Njeriu gjatë historisë vazhdoi të ndjekë rrugën e filluar nga Prometheu, duke u përpjekur shekull pas shekulli dhe ja ku kemi arritur sot. Të kishim ndjekur rrugën e shpresës, e duke pritur çdo gjë nga Perëndia, si dhe shpërblimin (qershinë mbi tortë) do të ishim ende në nivelin e 2000 viteve më parë. Por besimtarët janë më tepër të pushtuar pas botës së amshuar se sa për jetën e përditshme, dhe kur flasin për Zotin, i cili nuk është i akceptueshëm me shqisa, flasin për diçka mbinatyrore.

Në faqen 473 të Kuranit lexojmë:
29…Ai i nënshtroi Diellin e Hënën (të lindin e të perëndojnë)…
Kjo është një thënie e zakonshme, dukuri lehtësisht e vëzhgueshme, më tepër metaforike se shkencore. Sikur të jetë e shkruar në Kuran se Dielli e Hëna lindin e perëndojnë nga se Toka rrotullohet rreth boshtit të vet, atëherë kuptohet edhe mënyra si Zoti i nënshtroi Diellin dhe Hënën të lindin dhe të perëndojnë.
Kjo fjali nuk ka mundur të jetë ndryshe nga se në kohën kur është shkruar Kurani nuk është ditur se Toka rrotullohet edhe rreth boshtit të vet nga se bëhet fjalë për dijen e shekullit të VII.

Në faqen 472 të Kuranit lexojmë:
25 Nëse ti pyet ata: Kush i krijoi qiejt e tokën? Me siguri do të thonë:”Allahu!”
Lehtë është të thuhet Allahu, por sa është e vërtetë kjo. Dihet se njeriu është kureshtar, dhe këtë kureshtje se kush e krijoi botën tash për tash nuk mund ta shuaj mendja njerëzore. Dija e njeriut është e kufizuar, sidomos dija e shumë shekujve më parë. Dhe injoranca këtë dije të kufizuar përkohësisht e plotëson me diçka tjetër, me të gjithëdijshëm, Zotin.

Njeriu duhet të besojë vazhdimisht se e pakuptueshmja është e kuptueshme, ndryshe nuk do të zbulohet asgjë, thoshte Gëte. Kështu është sa i përket dijës, kërshërisë mendore. Mirëpo kjo nuk e shëron të lënduarin shpirtërisht. Ku të gjej shpëtim njeriu me vuajtje shpirtërore përveç të ngushëllohet te Zoti, sepse Zoti, përveç se është i gjithëdijshëm, është edhe shpirtmirë.

Te kjo fjali vërejmë edhe diçka tjetër… Me siguri do të thonë: “Allahu!”.
Pse të thuhet me siguri? Nëse ti pyet gjeografin si shkaktohet ndërrimi ditë-natë brenda 24 orëve përgjigjja dihet cila do të ishte. Vetëm se nuk do të fillojë me shprehjen me siguri.

Në faqen 213 dhe 214 të Kuranit lexojmë:
Thuhet se një karvan i madh dhe i pasur i tregtisë së kurejshitëve kthehej prej Shamit – Sirisë. Me urdhrin e Zotit vjen Xhibrili dhe i thotë Muhamedit se Allahu ju premtoj: devet me tregti ose fitore kundër kurejshitëve. Pejgameri konsultohet me shokët e ata e dëshiruan grupin e deveve. Mirëpo Ebu Sufjani, udhëheqës i tregtisë e shmang rrugën dhe i lajmëron mekasit për rrezikun që u kanoset prej myslimanëve dhe i thërret në ndihmë. Ebu Xhehli në krye gati të njëmijë idhujtarëve, me të shpejt arrin në Bedër. Pejgamberi i njofton shokët se karvani i tregtisë ka ikur bregut të detit, ndërsa Ebu Xhehli ka ardhur në Bedër. Disa shokë i thonë – O i dërguar i Zotit, ne kemi dalë për devet, jo të përgatitur sa duhet për luftë, e hiqu luftës dhe armikut. Pejgamberit i vjen rëndë. Ngritët Sad ibni Ubade e thotë: vazhdo o i dërguar si ta marrë mendja, ne jemi me ty. Pas tij ngritët Sad ibni Muadhie e thotë: Pasha Atë, që të dërgoi ty me të vërtetën! Nëse ti hidhesh në det, edhe ne do të hidhemi bashkë me ty, prandaj vazhdo në saje të Zotit! Ky qëndrim i këtyre dy sahabëve autoritativë medinas e gëzoi pa masë pejgamberin…

Të gjitha këto të mira ishin prej Zotit xh.sh. Kundërshtarët, idhujtarët mekas, nuk ishin kundër vetëm ndaj mësimeve të Zotit, po edhe kundër çdo norme njerëzore, andaj likuidimi i tyre ishte në dobi të njerëzve. Ata në Bedër përjetuan grushtin më të fortë prej myslimanëve, por e zeza më e madhe për ta ishte se ata do të bëhen banorë të zjarrit.

Secili që i lexon këto rreshta e kupton se kemi të bëjmë me një episod lufte “të shenjtë” kryekëput plaçkitëse të udhëzuar dhe të miratuar nga ana e Zotit. Motivin e Pejgamberit po e kuptoj: devetë me tregti, por cili ishte motivi i Allahut? Plaçka, kuptohet jo. As sepse ishin kundër çdo norme njerëzore, sepse ata i pret skëterra ku shpirtrat e të vdekurve mundohen e vuajnë për mëkatet që kanë bërë në të gjallë, pra jo edhe tua marrë jetën me shpatë. Idhujtarët mekas u dënuan dyfish: prej Allahut, pasi të vdesin, dhe Pejgamberit, që i likuidoi ata sa ishin gjallë. Nga ana e Allahut ekziston vetëm një dënim, ajo e botës tjetër.

Të plaçkitësh dhe të vrasësh në emër të Zotit a s’është komprometim i krijuesit të gjithësisë?
Jo vetëm në këtë rast por edhe në të tjera raste si kjo fitohet përshtypja sikur po keqpërdoret autoriteti i Zotit. Nuk janë fjalët e Zotit kur thuhet: Dëboni jehudinjtë e kristianët (jomyslimanët) nga Gadishulli Arabik. As këto fjali nuk janë të Allahut sikur në këtë ajet:
“E kur të kalojnë muajt e shenjtë, luftoni idhujtarët kudo që t’i gjeni, robëroni dhe ngujoni ata, e vëruni pritë në çdo shteg. Në qoftë se pendohen, e falin namazin dhe e japin zeqatin, atëherë lëshojuani rrugën, se vërtet Allahu është mëshirues”.

Karakteri i Muhamedit nuk i ngjason asnjë profeti të Biblës. Shumë prej pohimeve të tij të zbulesës janë në shërbim të vetes. Thënia e Muhamedit që myslimanët mund t’i kenë vetëm katër gra ndërkohë që ai mund të ketë cilëndo grua që do është shërbim i vetes. Muhamedi nuk mund të lejonte veten të ishte i përqeshur dhe kjo është përse ai e çoi në vdekje një grua mekase (të Mekës) që shkroi poezi satirike kundër tij. Urdhërimet për t’i vrarë të pafetë, ata që e mohonin atë, e bënë Muhamedin njeri të luftës e jo të paqes. Muhamedi i udhëhoqi forcat e tij në rreth 18 beteja dhe planifikoi edhe 38 të tjera. Historia e Islamit duke filluar me Muhamedin, është histori lufte, pushtimi, lakmie dhe tiranie. Islami nuk lejon lirinë e shprehjes religjioze. Nuk e kupton që adhurimi i imponuar, i detyruar, nuk është adhurim aspak. Adhurimi i detyruar nuk do ta kënaqte Yahven e Dhiatës së Vjetër absolutisht. Islamizmi, fetarëve u thotë: kush vdes në luftë vete në parajsë, ai që shpëton quhet luftëtar i ndershëm.

Në faqen 229 të Kur’anit lexojmë:
34 O ju që besuat, vërtet një shumicë e parisë fetare e jehudive dhe e të krishterëve, në mënyrë të paligjshme e hanë pasurinë e njerëzve dhe pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut. Ata, ruajnë arin e argjendin e nuk e japin pë rrugën e Allahut, lajmëroi për një dënim të dhembshëm.

Edhe hebrenjtë, edhe të krishterët kishin udhëheqësit shpirtërorë të tyre sikur arabët Muhamedin. Bëhet fjalë për të dërguarit e Allahut para Muhamedit e që kishin të njëjtin misión ndaj popullit të vet sikurse profeti i myslimanëve. Si shpjegohet qëndrimi armiqësor i Muhamedit ndaj jehudëve dhe të krishterëve, kur të dyja palët deklarojnë se nuk ka Perëndi tjetër përveç Atij? Nëse ekziston vetëm një Perëndi nuk kuptohet kujt i përket Ai, njërit apo tjetrit, apo të dy palëve? Nëse i përket të dyja palëve, nuk besoj se kjo ndarje e përçarje dhe ky antagonizëm është bërë nga ana e Tij, sepse Perëndia, njerëzit normalisht duhet njëlloj t’i trajtojë pavarësisht cilit grupim fetar i takojnë.
Sa kanë të drejtë myslimanët që Kuranin (fjalën ose shpalljen e Zotit) ta quajnë të shenjtë, aq të drejtë kanë edhe të krishterët ta quajnë Biblën të shenjtë, dhe duhet të nderohen si të tilla nga të dyja palët, sepse kanë të njëjtin autor, Zotin.

Do të përmend disa nga motivet të cilat e shtynë njeriun të bëhet besimtar:
A.
Në Shkrimet e Shenjta faqe 759 lexova:
12 Sepse të këqijat e panumërta më rrethuan…
13 O Jehova, gjej kënaqësi duke më shpëtuar! O Jehova, nxito të më vish në ndihmë!...

Jeta e njeriut ka edhe përvoja të hidhura, atë e prekin gjatë jetës lloje të ndryshme të fatkeqësive si individuale po ashtu edhe kolektive.
Disa këto situata të rënda vështirë i përballojnë emocionalisht. Jetojnë në ankth, zhyten thellë në diçka dhe harrojnë ç’bëhet rreth e rrotull, ua mbulon zemrën zymtia. Si të dilet nga kjo situatë e bezdisshme. Me mundësitë që ofron dija, pra faktori njeri, nuk mund t’i zgjidh të gjitha hallet si me një shkop magjik. I vetmi shteg i mbetet të dal sipër natyrës, tek Zoti i gjithëfuqishëm. Besimtari nuk e adhuron Zotin sa për Zot, por për vetveten. Njeriu i lutet Zotit për vete, për shëndetin e tij, për lumnin e tij, për shpëtimin e tij në botën tjetër, e jo për t’i bërë mirë vetë Zotit. Se e gjeti rrugën e shpëtimit tregojnë edhe këto rreshta elokuente të Shkrimeve të Shenjta në faqen 758:

40 Shpresova me zjarr te Jehovai, dhe ai e ktheu veshin nga unë dhe e dëgjoi thirrjen time për ndihmë. Gjithashtu, më nxori nga gropa ku buçitnin ujërat, nga lluca e batakut. Pastaj më ngriti mbi një shkrep dhe m’i bëri hapat të sigurt. Më vuri në gojë një këngë të re, lëvdime për Perëndinë tonë.
Nëse perëndia nuk do të ekzistonte, do të ishte e nevojshme ta shpikim. Kjo thënie e Volterit qartë tregon se besimtari adhuron zotin nga nevoja, kërkon ndihmë për të shpëtuar nga të këqijat e panumërta.

Prandaj, Marksi ka shkruar:
Ankthi fetar është njëkohësisht shprehje e një ankthi të vërtetë dhe protestë kundër këtij ankthi. Feja është psherëtima e krijesës së shtypur, zemra e një bote pa zemër, shpirti i një bote pa shpirt. Ajo është opium për popullin”.

B.
Praktikimi i fesë nëpër kisha e xhamia është një strehë mendore dhe shpirtërore duke u bashkuar me Zotin. Mendojnë se Shtëpia e Zotit, që ka fuqi autoritare, ua lehtëson telashet e jetës. Në anën tjetër shpresojnë se duke qenë të devotshëm ndaj mësimeve të Librit të Shenjtë fitojnë edhe diçka tjetër: shpërblimin që i pret në jetën e amshuar. Numri më i madh i besimtarëve bëjnë pjesë në këtë kategori. Kjo praktikë mijëvjeçare ka qenë veçanërisht e theksuar gjatë shekujve kur kishte sundimtarë e të nënshtruar.

Për ata që më pak besojnë këto shpresa mbesin vetëm dëshira të thata.
C.
Disa të tjerë Shtëpinë e Zotit e vizitojnë për t’i larë pelenat e shpirtit.
D.
Është edhe një kategori njerëzish që nxjerrin përfitime nga besimi fetar. Këta janë ata që kanë tituj fetarë. Përveç se e konsiderojnë veten më afër me Zotin, gëzojnë edhe privilegje të tjera. Mirëmbahen në jetë nga se paguhen për shërbimet dhe e ndiejnë veten autoritarë në mjedisin ku jetojnë. Sido që të jetë këto janë legjitime.

Në këtë punim disa herë kemi përmendur shprehjen shpirt. Çka kuptojmë me fjalën shpirt shumë të përdorur në jetën e përditshme, po ashtu edhe në librat fetare? Kuptimi shkencor i shpirtit është ky: shpirti është tërësia e “tingujve” të prodhuara nga truri, i cili ngacmimet e marra ose të pranuara nga shqisat i kthen në ndijime. Ndijimet janë kapje me anë të shqisave (shqisa e të parit, e të dëgjuarit, e shijimit, e nuhatjes dhe e të prekurit) të dukurive nga bota që na rrethon. Trupi jo vetëm që e ndien botën që na rrethon, por edhe e kupton. Sipas teologëve shpirti është një forcë jomateriale, e pavdekshme, që vazhdon të ekzistojë, pavarësisht nga trupi, në “botën tjetër”. Sipas krishterimit shpirti është i mirë, i pavdekshëm dhe merr pjesë në shpëtimin nga mëkati, kurse trupi është i keq, i vdekshëm dhe përjashtohet nga shpëtimi.

Në vazhdim po paraqesim disa reflektime me gjuhën e fesë dhe shkencës si dhe disa thënie të urta mbi religjionin.
Ç’ është jeta? Përse jetojmë dhe ku qëndron kuptimi dhe qëllimi i saj? Këto pyetje janë mjaftë të ngatërruara. Megjithatë të shohim cili është reflektimi i religjionit dhe shkencës.

Me gjuhën e fesë njeriu u krijua, sepse kjo ishte dëshira dhe vullneti i Zotit.
Shkenca e biologjisë jetën dhe gjithë funksionet e saj e përkufizon si shfaqje të materies së organizuar në shkallën më të lartë. Krijimin e njeriut e shpjegon si proces të evolucionit. Evolucioni është proces i gjatë ndryshimesh nga më të thjeshtat gjallesa në ato më të ndërlikuara; nga peshqit te ujëtokësorët, zvarranikët, shpendët dhe gjitarët. Disa nga gjitarët morën tipare të majmunëve dhe prej një grupi të caktuar të tyre divergoi vija e njeriut 2 milionë vjet më parë. Kështu ndodhi falë edhe mutacioneve të gjeneve. Mutacionet janë përkalime ose shfaqje të cilësive të reja, të papritura, te llojet e shtazëve dhe bimëve. Nëse evolucionin 3 miliard vjeçar të botës së gjallë e ngushtojmë në një vit, atëherë themi se njeriu u shfaq më 31 dhjetor n’ora 6 pasdite.

Këto pyetje ia drejtuam dy autoriteteve, pra fesë dhe shkencës. Ta pyesim edhe nënën natyrë. Përgjigja e saj do të ishte se këto pyetje nuk janë për mua, sepse unë as nuk mendojë as nuk ndiej, nuk kam as qëllime e synime. Në vend të kësaj kam ligje me të cilat bëj gjëra të mrekullueshme, nëse doni t’i quajmë ashtu. Ligjet e natyrës prodhuan njeriun, i cili u pajis edhe me këto veçori: të ndiej, të mendojë…Pra, është çështje e ligjeve të natyrës, e jo e diçkaje paraprakisht të llogaritur si synim, qëllim. Krijesa që lindi nga gjiri im, njeriu, i bën këto pyetje.

Potencialin që kam unë. ju ende nuk e keni shfrytëzuar të tërën, thotë natyra, kështu që e ardhmja do ta tregoj sa kam pasur të drejtë. Keni për të zbuluar mundësi të reja të natyrës (materies) të paimagjinueshme e që do t’i zbatoni për mirëqenien tuaj. Edhe në kohën e Aristotelit ka qenë e mundur të prodhohet televizori dhe iphone 8, sepse resurset natyrore janë po këto si në shekullin e IV p.e.r. Ka munguar vetëm dija. Dija vazhdon rrugëtimin e vet dhe paramendoni çfarë zbulimesh të reja të papërfytyrueshme do të arrihen në të ardhmen. Imagjinoni mënyrën e jetesës së njeriut 2000 vjet më pas! Në përgjithësi, duhet shpresuar se në gjirin e natyrës ka shumë gjëra mjaft të dobishme, të cilat ndodhen përtej caqeve të përfytyrimit tonë. Ato nuk janë zbuluar akoma deri më sot, por s’ka dyshim se në shekujt e ardhshëm do të zbulohen, siç janë zbuluar edhe të parat. Ia lëmë kohës, sepse koha është gjykatësi më i drejtë dhe më i rreptë.

Pse jetojmë? Jetojmë, sepse kemi lindur. Pasi kemi lindur detyrimisht duhet ta vazhdojmë jetën ose ta mohojmë.
Pse kemi lindur? Kemi lindur, sepse nëna dhe babi rrinin bashkë edhe natën, dhe iu nënshtruan instinkteve që sjellin kënaqësi.
Kjo mënyrë e shpjegimit është thjeshtë sipas gjuhës biologjike. Mirëpo njeriu përveç se ekziston, sikur edhe gjallesat e tjera, ai edhe mendon edhe ndien kështu që jeta merr edhe një dimension tjetër. Me anë të dijes kemi ndryshuar jetën, kurse me anë të ndjenjave, që dallon nga arsyeja dhe të menduarit, e shijojmë jetën në kuptimin e artit, dashurisë, kënaqësisë, hidhërimit, vullnetit, aspiratave etj.

Njeriu i frikohet të panjohurës, e cila në të kaluarën e largët ka qenë me tepri. Për këtë arsye ai shpik përgjigje irracionale në pyetjet për të cilat në një çast nuk disponon përgjigje racionale, me qëllim që të pakësojë frikën e tij. Midis detyrave të tij (fesë) kryesore nuk është njohja e realitetit, por krijimi i një strehe mendore.
Besimi ka të bëjë me gjëra që nuk i kemi parë, shpresa me gjëra që nuk i kemi në dorë. Dashuria merr atje ku dija lë. Gjërat që duam na tregojnë se kush jemi (T. Akuini)

Sipas krishterimit, çdo gjë në këtë botë është më pak e rëndësishme sesa ajo e botës “tjetër” pas vdekjes. Krishterimi e sheh këtë jetë thjesht si pararendëse të një “jete tjetër më të rëndësishme pas vdekjes”.
Njëri religjion shuhet pas tjetrit, mirëpo shqisa religjioze që i polli ato s’i hiqet dot njerëzimit.
Qëllimi i filozofisë është vetëm e vërteta, qëllimi i besimit është vetëm bindja dhe devotshmëria. (Spinoza)
Pjesa më e madhe e përfytyrimeve fetare është krijuar përmes frikës nga vdekja dhe nga asgjëja, përkatësisht boshllëkut që pason.

Jeta është një shkëndijë midis dy boshllëqeve, midis errësirës, para se të lindim, dhe errësirës pas vdekjes.
Të menduarit është përpjekje, të besuarit një pajtueshmëri. (H. Marcuse)
Në tregimin biblik dallojmë një të vërtetë fetare, jo shkencore. (Gadamer)
“Unë refuzoj të provoj se ekzistoj”, thotë Zoti, “sepse prova mohon besimin, dhe pa besim unë jam asgjë”. (Adams)
Nuk dua të besoj, dua të di… shkenca kërkon të arsyetosh, feja kërkon thjeshtë të besosh dhe të bindesh. (C. Sagan)
Ai që ka shkencën… nuk ka nevojë për fenë. (V. Gëte)

Askush nuk e krijoi universin dhe askush nuk përcakton fatin tonë. Kjo më çon në një kuptim të thellë. Nuk ka parajsë as jetë pas vdekjes. Mendoj se të besosh në jetën pas vdekjes është thjeshtë një mendim i dëshiruar. Nuk ka asnjë mundësi të ekzistojë Zoti. (Stephen Hawking).

Feja është vetëm një fre i fortë për masat, dordoleci më i frikshëm për mendjelehtët, një perde e trashë që e pengon popullin të shohë qartë se çfarë ndodh në tokë, duke detyruar t’i ngrej sytë nga qielli. (A. Hercen)
Shpirti i njeriut është gatuar në mënyrë të atillë, që të tërhiqet më tepër nga trillimi sesa nga e vërteta. (E. i Roterdamit).

Sapo mendon se ai (njeriu) është një lloj siç është qeni i shtëpisë apo kali, atë e bezdis ideja se është njëri nga këto lloje, sepse e ndjen që është krejt ndryshe nga krijesat e tjera. Në këtë mënyrë ai preferon ta shpjegojë veten jo ashtu siç është por ashtu siç dëshiron të jetë: një diçka e veçantë prej botës së gjallë. Por ajo që na bën ne ta shpjegojmë njeriun ashtu siç është, pa shtesa të huaja, është vetëm shkenca. Dhe pikërisht shkenca e biologjisë, sidomos studimet biokimike dhe gjenetike kanë treguar se njeriu dhe majmunët janë shumë të afërt: njeriu dhe shimpanzeja kanë të njëjtë më shumë se 98% të renditjes së nukleotideve të ADN-ve të tyre (është llogaritur ajo ADN që kodon proteinat). Pra gjenetikisht kemi afërsi të theksuar me shimpanzenë. Kështu flet gjuha e shkencës. Kurse gjuha fetare predikon se njeriu është shëmbëlltyrë, kopje e Zotit. Sipas shkencës del se 98% jemi shëmbëlltyrë e majmunit. Çfarë paradoksi.

“Nuk është e vërtetë se Zoti ekziston, megjithatë besoj”. Nuk më kujtohet ku e kam lexuar këtë thënie, por sikur ma bëri me dije se po të vazhdoj të ndjek rrugën e trajtimit të besimeve fetare vetëm me llupën e racionales nuk do të arrij larg, sepse njeriu shfaq edhe ndjenjën e varësisë. Arsyeja ka një dimension tjetër. Ajo ka të bëjë me mendimin. Me anë të mendimit shpjegojmë dhe kuptojmë shkaqet e zhvillimit të dukurive natyrore dhe shoqërore. Është e qartë se mendimi është në kundërvënie me ndjenjat, sepse ndjenjat kanë një gjuhë tjetër. Ato shprehin anën emocionale të njeriut: zemërimi, dashuria, frika, gëzimi etj. Këto efekte emocionale shfaqen edhe atëherë kur flitet për raportin e njeriut me Zotin. Kur flasim për ligjet e natyrës përdorim procesin e të menduarit dhe kuptojmë dukuritë që ndodhin në natyrë dhe shoqëri: fizike, kimike biologjike, sociologjike etj. Pra, me gjuhën e arsyes nuk ka Zot. Me gjuhën e ndjenjave ka Zot, e cila gjuhë nuk korespondon me aftësinë e të gjykuarit drejt. Arsyen e besimeve fetare mund ta quajmë ndryshe edhe arsye e ndjenjave. Tash e kemi të qartë pse dikush me të drejtë kishte thënë, sikur e përmendëm edhe më herët, se nuk është e vërtetë se Zoti ekziston (me gjuhën e arsyetimit), megjithatë besoj (me gjuhën e ndjenjave).

Poshtë arsyeja! – kjo është baza e fesë. (P. Holbah).

Më mirë t’i lë gjërat të rrjedhin lirshëm dhe natyrshëm sipas evolucionit, evolucionit të mendimit njerëzor që filloi me shenjtërimin e disa llojeve të kafshëve, përdorimit të idhujve prej guri dhe argjile për t’u mbrojtur prej çdo fatkeqësie dhe sëmundjeje dhe më pas vazhdoi me politeizmin dhe aktualisht me monoteizmin. Para se t’i drejtoheshin arsyes njerëzit në fillimet e civilizimit i janë drejtuar fantazisë, me anën e së cilës ata krijuan një tablo iluzore mbi botën dhe mbi vet ekzistencën e tyre. Nevoja fetare është e pranishme në çdo kulturë dhe i ka rrënjët e thella.

Feja, përveç efekteve negative kishte edhe përmbajtje morale duke ndikuar në sjelljen e njerëzve.
Ajo është një marrëdhënie personale me fuqinë mbinatyrore, pa pasur nevojë të vërtetohet.
Shpirtërorja i ka arsyet e veta të cilat arsyeja nuk i kupton. Njeriu e ka vështirë t’ia dal mbanë vetëm me racionalen pasi kemi edhe ndjenja, dhe ndjenjat gjatë jetës shpesh herë ndeshen me situata vështirë të përballueshme. E tillë është jeta, dhe terapia e mirë është, përveç tjerash, edhe prehja, ngushëllimi. Atyre që anojnë më tepër në anën e arsyes nuk u lë përshtypje ngushëllimi edhe pse nga mirësjellja a pranojnë. Këta dy faktorë, emocionalja dhe racionalja duhet të mirëkuptohen dhe të respektohen, sikurse bashkëjetojnë në harmoni të krishterët dhe myslimanët në trojet shqiptare.

Edhe pse fetë, një prej aspekteve të civilizimit të përgjithshëm, gjatë historisë kanë pasur mospajtime të shoqëruara edhe me gjakderdhje, ishte një rrjedhojë e evolucionit të civilizimit botëror. Pas këtyre fjalive u ndjeva më i lehtësuar edhe pse i detyruar. I detyruar nga respektimi i evolucionit që nuk pyet për dëshirat tona.

Ateizmi, të mosqenit besimtar, është aq i vjetër sa besimi, aq i vjetër sa mendimi njerëzor. Qëndrime mosbesuese ndaj qenies së mbinatyrshme kanë pasur mendimtarët materialist para Sokratit. Taoizmi kinez përjashton mundësinë e ekzistencës së Zotit. Hinduizmi, xhainizmi, budizmi besonin se fatin tonë e përcakton mënyra e veprimit tonë e jo ndonjë intervenim i fuqive të larta (Zotit).

Win-Gallup Internacional sipas hulumtimeve të bëra dha prova se 13% e popullatës botërore janë deklaruar si ateistë. Sipas llogaritjeve të Pew Research Centera në vitin 2015 16% e popullatës botërore bënin pjesë në grupin e ateistëve dhe agnostikëve. Shekulli XX dallon prej shekujve të kaluar me rritje të numrit të ateistëve. A do të shtohet numri i tyre në të ardhmen, nuk bëj llogaritje të fatrrëfyesit. Nëpër cilat sfida do të kalojnë emocionalja dhe racionalja do ta tregojë evolucioni në vazhdim, sepse çdo gjë rrjedh, çdo gjë ndryshon. Kështu thoshte mendimtari parasokratik, Herakliti.

Sa më shumë dituria bën hapa para, perëndia bën hapa prapa. Shekulli ynë, me të drejtë, quhet shekulli i indiferencës fetare. Përgjigjet e padiskutueshme të teologëve nuk janë më aq bindëse sa ç’kanë qenë shekuj më parë. E tërë dituria e saktë i takon shkencës, kurse dituria që i takon teologjisë merret si një e vërtetë e pakundërshtueshme, e pandryshueshme historikisht, ose më mirë të themi nuk evoluon, është e shtangët.

Behxhet Berisha

Therandë, 2019.08.10

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 1 vizitorë
Lexuar: 549 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Duam Përgjegjësi
E mart, 23 mars 2021 - 21:08
Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le...
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ...
E diel, 21 mars 2021 - 15:45
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit Poliklinika 3L, hist...
NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q...
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04
JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA...
NJË FOTO-KUJTIM ME SHOKËT E MI TË IDEALIT ...
E premt, 12 mars 2021 - 23:55
Mërgimi është një plagë e rëndë, e hidhur, tepër e përmallueshme! Mërgimtari ka mall të pashlyer për vendlindjen, për tokën, ku u lind e u rr...
NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE...
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01
Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda! Profesorin e nderuar, pata fatin që t...
më shumë nga - Të ndryshme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi